Kombëtarja

ABUZIMET-SEKSUALE-NE-AFGANISTAN-ABC-M-4-T-2-HD.mpg_snapshot_01.00-1280x702.jpg
ent ela09:12 | 06/12/2018

FIFA ka nisur një hetim të plotë të një ish-futbollisteje të ekipit kombëtar të futbollit për femra në Afganistan, e cila ka emigruar në Danimarkë. Sipas saj, presidenti i federatës së atij vendi simulonte dhe mbështeste një sistem për joshjen seksuale të femrave futbolliste duke i kërkuar seks në këmbim të aktivizimit të tyre në fushë./abcnews.al

KUR-MBARON-STADIUMI-I-KOMBETARES-1280x720.jpg
ent ela13:12 | 05/12/2018

“Arena e Kombëtares” nuk do të jetë gati për ndeshjet e para të ekipit përfaqësues në Europian. Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës, Arben Dervishaj, tregon për ABC News-in se kur do të mund të luhet në kryeqytet.

Duhej të përfundonte në fund të këtij viti. Ky është kantieri i ndërtimit të stadiumit të ri kombëtar në kryeqytet, ku ekipi përfaqësues duhej të niste të luante ndeshjet eleminatore të Europianit, në mars 2019.

Pavarësisht nga shpresa që dha presidenti i Federatës, Duka, një tjetër autoritet i institucionit, inxhinieri Arben Dervishaj, thotë në një intervistë për “abc neës”-in, se afati tashmë është shtyrë.

Arben Dervishi, Anëtar i Komitetit Ekzekutiv në FSHF: “Besoj se ndeshjet e para për fat të keq nuk do t’i lozim në stadiumin e ri, por në qershor shpresoj, nëse do kemi edhe ndihmesën e qeverisë”.

Dervishaj, anëtar I Komitetit Ekzekutiv të Federatës, tregon edhe pakënaqësitë që kjo e fundit ka ndaj qeverisë.

Arben Dervishi, Anëtar i Komitetit Ekzekutiv në FSHF: “Në shqoërinë kuqezi kemi dy ortakë, është FSHF me 75 % dhe qeveria me 25%, ne nuk i kemi këkruar kontributin, por i kemi kërkuar t’i rimbursohet TVSH”.

Shpresa dhe besimi i Federatës është që të arrihet marrëveshje me qeverinë, ndërsa paratë e TVSH-së, sipas Dervishajt, duhen për të përfunduar stadiumin.

Arben Dervishi, Anëtar i Komitetit Ekzekutiv në FSHF: “Ekspertë tatimesh kanë thënë t’u rimbursohet TVSH dhe nuk është pak, po janë 2.5 mln euro, të cilat na duhen për të rritur nivelin e stadiumit dhe të realizojmë dhe Superkupërn. Ne kemi bërë dhe shtesa si ndriçimin, nga normal në LED. Do kërkojmë makineritë për ngrohjen e barit. Ne do ta çojmë zgjidhjen ligjore. Le të vendosë gjykata nëse kemi ne të drejtë”.

Besohet se kostoja e Shtëpisë së re të Federatës shkon në 8 deri në 10 milionë euro. Nuk mund të përdoreshin një pjesë e këtyre parave për të përfunduar stadiumin?

Arben Dervishi, Anëtar i Komitetit Ekzekutiv në FSHF: “Një godinë që nuk bëhet godinë për sot, por që të jetë 20 vjet, të përballojë edhe rritjen që do ketë Federata në 20 vitet e ardhshme”.

Afati i ri, pra, është qershori i ardhshëm, por ndoshta edhe fundi i vitit, apo edhe më tej, nëse nuk do të ketë marrëveshje me qeverinë.

“Arena Kombëtare” parashikohet të jetë më 22 000 vende të ulura, stadium i dedikuar vetëm për futbollin, dhe me tribuna të mbuluara.

Dervishaj thotë se, streha do të jetë 4 metra përtej shkallës së fundit të tribunave, ndërsa një vonesë tjetër mund të jetë përfundimi i sheshit përpara impiantit, investim që duhet ta kryejë Bashkia e Tiranës. /abcnews.al

shqiperia-1.jpg
ent ela22:02 | 04/12/2018

Gola dhe vlerësime të mira për futbollistët shqiptarë në Europë. Sulmuesit Vrioni e Cikalleshi gjetën rrugën e rrjetës, ndërsa Herdi Prenga u zgjodh në formacionin e javës në Kroaci.

Kombëtarja ndoshta nuk bind, por disa nga lojtarët e saj, po. Kristian Panuçi mund të jetë me shpresë pasi sulmuesi i ri, Xhakomo Vrioni, po vazhdon të rritet në Itali. Lojtari 19-vjeçar shënoi golin e tij të parë në Serinë B, në radhët e Venecias, në një barazim të rëndësishëm 1-1 në fushën e Foxhës. Vrioni kishte shënuar më parë në ndeshje kupe, ndërsa Panuçi ka shpresë tek talenti i tij.

Gol edhe nga një sulmues tjetër, por që është një veteran i kombëtares. Sokol Cikalleshi realizoi në kompeticionin e tij të preferuar, në Kupën e Turqisë, në fitoren 3-0 të Gëztepesë në fushën e Beledijesporit. Shqiptari hapi rezultatin me rrjetën e minutës së 12-të, ndërsa suksesi u vulos vetëm në minutat shtesë.

Ky ishte goli i 14-të i tij në Kupë, që kur luan në Turqi. Po në një ndeshje kupe, në Hungari, shënoi Liridon Latifi për Akademinë Pushkash, në fitore 6-0 jashtë fushe. Në Kroaci, ndërkaq, janë dy lojtarë shqiptarë që shkëlqejnë.

Njëri prej tyre është Herdi Prenga, i cili u përzgjodh në formacionin e javës pas fitores së Interit të Zapreshiqit në fushën e Iskrës, në ligën e parë kroate. Mbrojtësi u tregua i pakalueshëm në suksesin 2-0. Një tjetër lojtar i kombëtares, Myrto Uzuni, ka dalë tri herë në formacionin e javës.

Ai shënoi javën e kalaur në barazimin 2-2 të Lokomotivës së Zagrebit ndaj Osijekut, duke qenë në kuotën e 4 golave, ndërsa skuadra e tij mbetet e dyta. Duke u kthyer në Itali, sërish ka lajme të mira për kombëtaren dhe për Panuçin, pasi një lojtar i ri po njeh rritje

Emanuele Ndoj është një nga më të vlerësuarit në Serinë B, pasi në ndeshjet e deritanishme ka marrë notën mesatare 6.27. Ai ka luajtur disa herë për ekipin përfaqësues dhe ka shënuar gol në miqësoren ndaj Rumanisë./abcnews.al

FSHF-PERGENJESHTRON-PER-TRAJNERIN.mpg_snapshot_00.59-1280x720.jpg
G. P.18:44 | 28/11/2018

Federata Shqiptare e Futbollit hedh poshtë informacionet se po kërkon një trajner të ri për kombëtaren. Presidenti Duka deklaron se do të vazhdohet me Panuçin në Euro 2020, ndonëse burimet pranë institucionit pohojnë se mund të ketë ndryshime.

Shtrëngimi i duarve nuk do të përfundojë kaq shpejt. Të paktën, kështu deklarohet në Federatën Shqiptare të Futbollit, lidhur me të ardhmen e trajnerit të kombëtares, Kristian Panuçi. Institucioni i presidentit Armand Duka doli me deklaratë zyrtare, në të cilën hidheshin poshtë informacionet se po kërkohet një njeri tjetër për stolin.
Kjo, një ditë pasi ABC News-i njoftoi se Federata synon të gjejë trajner të ri, dhe se pistat kryesore janë në Itali e në Kroaci.

Armand Duka, president i FSHF-së: “Nisur nga disa spekullime dhe lajme që kanë qarkulluar në media së fundmi, Federata dëshiron t’iu informojë se nuk është aspak e vërtetë që jemi në kërkim të një trajneri të ri për kombëtaren”.

Federata po punon dhe bashkëpunon maksimalisht me trajnerin Panuçi për të arritur rezultate sa më të larta kualifikuese për Kampionatin Europian 2020. Një qendrim të tillë Duka e shprehu edhe publikisht pas ndeshjeve ndaj Skocisë dhe Uellsit.

“Kjo nuk do të thotë që ne në këtë kohë duhet të marrim vendime të nxituara Trajneri ka të mirat dhe të këqijat e tij gjatë këtij edicioni. Ne nuk kemi luksin të bëjmë asnjë lloj ndryshimi. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim trajnerin dhe stafinpër eleminatoret e europianit.”

Gjithsesi, sipas burimeve, ABC News është informuar se institucioni drejtues i futbollit nuk është plotësisht i bindur me trajnerin aktual, sidomos përsa i përket krijimit të një formacioni stabël, dhe të një filozofie të qartë të lojës./abcnews.al

panuci-dhe-duka.jpg
G. P.16:24 | 27/11/2018

Kristian Panuçi nuk e ka aspak të sigurt postin e trajnerit të kombëtares. ABC News mëson se presidenti Duka po kërkon një pasardhës në Itali dhe Kroacia.

Fitoi ndaj Uellsit dhe u duk se e keqja kaloi. Kristian Panuçi u mendua se e siguroi stolin e kombëtares të paktën deri në verë, pasi presidenti Duka deklaroi publikisht mendimin e tij.

“Kjo nuk do të thotë që ne në këtë kohë të marrim vendime të nxituara. Trajneri ka të mirat dhe këqijat e veta këto ndeshje. Ne do vazhdojmë të mbështesim trajnerin dhe stafin në eliminatoret e Europianit”, tha Duka.

Gjithsesi, të mos nxitohemi, pasi kërkimi për një trajner të ri po vazhdon me këmbëngulje. Burime tepër të besueshme në Federatën Shqiptare të Futbollit pohojnë për ABC News se Duka dëshiron ndryshim, dhe se trajneri i ardhshëm do të jetë përsëri i huaj.

Numri 1 i Federatës është në bisedime në Itali dhe në Kroaci, e ndonëse nuk jepen emra konkretë, burimet e mësipërme theksojnë se preferenca është sërish për një italian. Pas De Biazit dhe Panuçit, Duka mesa duket dëshiron të ketë vazhdimësi, për të mos krijuar konfuzion tek futbollistët. Në mediat italiane është përmendur emri i Alberto Malezanit, veçse ai është 64 vjeç dhe presidenti i Federatës dëshiron trajner me moshë më të re.

Gjithsesi, ekziston mundësia që kombëtarja të mund të drejtohet përkohësisht nga një trajner shqiptar, deri në gjetjen e një të huaji. Disa javë më parë, ABC News informoi se Duka ishte kthyer tek pista shqiptare, dhe më pas doli emri i Bledar Kolës, i cili e refuzoi detyrën. Burimet në Federatë bëjnë me dijë se presidenti ka humbur besimin tek Panuçi, dhe arsyet kryesore janë mungesa e një formacioni stabël dhe e mënyrës së duhur të lojës./abcnews.al

shqiperiaa.jpg
G. P.16:36 | 24/11/2018

Një shqiptar nga Finlanda shpreson të jetë e ardhmja e sulmit në kombëtaren shqiptare. Albion Ademi u thirr nga trajneri Panuçi, ndërsa deklaron se realizoi ëndrrën e fëmijërisë.

Në 13 Nëntor të këtij viti, mes lojtarëve të kombëtares ishte edhe një i sapothirrur. Quhej Albion Ademi, vetëm 19-vjeçar, dhe ishte zbulimi më i fundit i trajnerit Kristian Panuçi, e i gjahtarëve të talenteve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Sulmuesi që luan në Finlandë për Inter Turkun, nuk u aktivizua asnjë minutë ndaj Skocisë apo Uellsit, por nuk mbeti aspak i zhgënjyer. Mediat finlandeze e pyetën menjëherë pas kthimit, për emocionet që provoi në Shqipëri, dhe 19-vjeçari pati vetëm fjalë pozitive.

“Nuk pata mundësi të luaj, – tha ai, – por në stërvitje gjithçka shkoi mirë. Trajneri më pëlqeu. Më thanë se Panuçi më donte në ekip dhe ftesa ishte e vështirë për t’u hedhur poshtë. Kam parë çdo ndeshje të kombëtares dhe kam qenë tifoz i saj. Ishte një dëshirë e madhe, bëra atë që më deshi zemra”.

Ademi lindi pikërisht në Turku të Finlandës dhe aty nisi karrierën si futbollist. U dallua që në moshën 16-vjeçare, duke luajtur për disa skuadra, por duke qenë gjithnjë lojtar i ekipit të qytetit të tij të lindjes, Inter Turku. Pasi luajti për Finlandën U17 dhe U19, u bashkua me Shqipërinë U21, por vetëm pas një ndeshjeje, u thirr nga Panuçi. Ademi është i bindur se do të ketë rast ta tregojë veten në kombëtare, në të ardhmen./abcnews.al

kristian-panuci.jpg
G. P.12:13 | 21/11/2018

Kristian Panuçi nuk dorëzohet dhe ndihet më I fortë pas fitores me Uellsin. Trajneri italian as nuk dëshiron të dëgjojë për dorëheqje, ndërsa shpreson ta ndryshojë kombëtaren.

Një fitore e vogël, por edhe kaq mjafton për të qenë më i qetë. I tillë u ndje trajneri i Shqipërisë, Kristian Panuçi, pas suksesit të diskutueshëm ndaj Uellsit, dhe kjo u duk në analizën që bëri. Një gol i vetëm dhe shumë vështirësi për të fituar një miqësore, që vlen shumë më pak se një duel zyrtar.

“Ishte fitore e rëndësishme sepse dhamë një sinjal pas një Lige të shëmtuar të Kombeve që zhvilluam. Ndryshova diçka me lojtarët, duke i dhënë ekipit më shumë ekuilibër. Jam i lumtur për lojtarët dhe për federatën, sepse që të gjithë vuajmë kur humbasim. Kjo nuk duhet të na bëjë të mendojmë se nuk kemi probleme, sepse kemi ende shumë probleme”, u shpreh trajneri i kombëtares.

Panuçi konfirmoi ndryshimin taktik dhe vlerësoi skuadrën, sidomos në pjesën e dytë.

“Kur ju thashë përpara ndeshjes se ishte faji im, kjo do të thotë se duhej të ndryshoja diçka. Mendoj se pas këtij ndryshimi, djemtë u ndjenë më mirë, ndonëse ishte thjesht një miqësore. Në pjesën e dytë ishte më e vështirë sepse hynë në fushë Bejl apo Ramsej, dhe atyre nuk u pëlqen të humbasin. Ne u treguam të zotët për t’i përballuar, duke qenë kompaktë, e duke dalë tri-katër herë në kundërsulm për të bërë golin e dytë”, tha Panuçi.

Trajneri këmbënguli fort në një fakt të rëndësishëm.

“E ardhmja ime? Është e vërtetë që fitoret krijojnë atmosferë të mirë, dhe është normale që pozicioni im vihet në diskutim. Lojtarët kanë punuar gjithnjë mirë. Nëse do të kisha menduar se lojtarët nuk ishin me mua, do të kisha shkuar tek presidenti për t’i kërkuar dorëheqjen”, tha ai.

Ja dhe një pyetje e drejtpërdrejtë, a do ta japë dorëheqjen pas dështimit në Ligën e Kombeve?

“Unë nuk jap kurrë dorëheqje, sepse më pëlqen të luftoj, nuk dorëzohem. Nuk e braktis varkën kur ajo është në vështirësi”, u përgjigj Panuçi./abcnews.al

shqiperiaaa.jpg
G. P.13:08 | 20/11/2018

Kombëtarja luan miqësoren ndaj Uellsit, në orën 20:00, në “Elbasan Arena”. Ekipi përfaqësues ka shumë mungesa, ndërsa pritet që trajneri Panuçi të luajë në mënyrë më të kujdesshme.

Besimi në këtë skuadër ka rënë shumë, por në futboll kurrë nuk i dihet. Me këtë motiv shkon kombëtarja shqiptare në ndeshjen e sotme, miqësoren ndaj Uellsit në “Elbasan Arena” në orën 20:00, e fundit për vitin 2018. Humbja e rëndë me Skocinë sikur i vuri kapak gjithçkaje, dhe sfida e tanishme mund të mendohet si pa vlerë, por nuk cilësohet e tillë nga trajneri Panuçi dhe nga lojtarët.

Një reagim dhe një fitore gjithnjë janë lajme pozitive, që ndihmojnë.Siç deklaroi në konferencën për shtyp, italiani pritet të nisë me atë që mund të quhet Plani B, pra një skemë dhe një mënyrë loje më e kujdesshme, pak a shumë një rikthim në kohën e De Biazit.

Me mjaft mungesa për shkak dëmtimesh apo sëmundjesh, Panuçi do të hedhë në fushë formacionin më të mirë të mundshëm. Pritet që Strakosha të jetë në portë, mbrojtja të luajë me katër lojtarë, Ismajli, Veseli, Mavraj e Hysaj. Në mesfushë mendohet treshja Kaçe-Basha-Xhaka, ndërsa në sulm Balaj, i mbështetur në krahë nga Gavazaj e Grezda.

I fundit që u largua nga ekipi ishte sulmuesi Manaj, për shkak të gripit, pas Skocisë ikën edhe Gjimshiti, Ndoji e Binaku, ndërsa Sadiku, Cikalleshi e Roshi ishin të dëmtuar që më parë. Uellsi, ndërkaq, vendosi të mos stërvitej në Shqipëri, ndërsa mbërriti vonë, pasditen e së hënës.

Trajneri Rajan Gigs e përgatiti skuadrën që pas ndeshjes me Danimarkën, ndërsa në Tiranë thjesht dha konferencën në shtyp, pas vendosjes në hotel.

“Nuk duam të humbasim dy ndeshje radhazi, – ishin fjalët e tij, – kjo sfidë është e rëndësishme për ne, duke menduar për Europianin e ardhshëm. Duhet të luajmë më mirë sesa ndaj Danimarkës, por gjithsesi kam besim tek skuadra për një rezultat pozitiv”.

Ashtu si skocezët, uellsianët janë lojtarë shumë të fortë fizikisht dhe mjaft të shpejtë, ndërsa mund të ndihmohen edhe nga moti me reshje./abcnews.al

pressing.jpg
G. P.08:28 | 20/11/2018

Në këtë puntatë të emisionit “Pressing” pas intervistës me ish-trajnerin e kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, mes gazetarësh u diskutua humbja e thellë e kombëtares ndaj Skocisë. Por jo vetëm kaq. Nën drejtimin e Gerti Çarçanit u debatua edhe rreth pritshmërive të futbollit shqiptar.

Të ftuar në studio ishin: Enos Skarço, gazetar sportiv në RTSH; Bashkim Tufa, gazetar sportiv i njohur; Anton Cicani, kryeredaktor në Telesport dhe Ervin Baku, gazetar sportiv në Radio Tirana./abcnews.al

PRESING-DE-BIAZI-PJ-1.mpg_snapshot_00.29-1280x720.jpg
G. P.22:47 | 19/11/2018

I ftuari i parë i kësaj puntate të emisionit sportiv “Pressing” nga gazetari Gerti Çarçani, ishte ish-trajneri i skuadrës përfaqësuese të futbollit shqiptar Gianni de Biasi. Një bisedë e zhvilluar për situatën aktuale në ekipin kombëtar dhe se si e ka ndjekuar ai këtë ekip që në gjenezë.

Fillimisht ish-trajneri foli për mendimin e tij se si e vlerësoi këtë raund të ekipit tonë në Nations League.

“Ishte një turne i ekuilibruar dhe pse Shqipëria nuk arriti të jepte maksimumin dhe nuk arriti ta shprehë potencialin që ka. Besoj se pak nga mungesat, por edhe kërkimi për një identitet të ri nuk ndihmoi që objektivat të arriheshin.”

De Biasi u shpreh edhe për arsyet që e çuan Shqipërinë në humbjen e thellë ndaj Skocisë.

“Ne fatkeqësisht bëmë një gabim tek goli i parë nga dalja e gabuar e një mesfushori. Ishin 3 kundër 2 dhe humbëm topin. Kur humbet topin në gjysëm fushën tënde dhe pas 13 minutash kë pësuar një gol për 1 – 0 dhe nuk është e lehtë. 10 minuta më vonë mbetesh me 10 lojtarë dhe kjo ndikon tek pjesa e mbetur e lojës. Mungesa kishte Shqipëria, mungesa kishte dhe Skocia. Unë gjithmonë kam bërë si dhe Panuçi nuk mund të bënte ndryshe me ato që kishte në dispozicion. Nuk mund të qash kur të mungon dikush, nuk mund të bësh asgjë. Natyrisht po të kishte patur Roshin, Sadikun, Hysajn, Bashën do të luhej një ndeshje tjetër.”

Ai bëri dhe një krahasim ndërmjet kombëtares në kohën e tij dhe kombëtares së sotme nën drejtimin e Panuçit.

“Nuk e di nëse ka ndryshuar. Unë u përpoqa të isha shumë i kujdesshëm ndaj rivalëve ndaj vendosa tu hiqja mundësitë dhe burimet e lojës të ekipeve që luanin kundër nesh. Tentova të shfrytëzoja cilësitë e futbollistëve që kisha. S’mund të sillesh si Brazili kur je Shqipëria. Gjithësecili me mundësitë që ka duhet të japë maksimumin. Aftësia e një trajnerit është ajo që të dijë situatën dhe të japë maksimumin.”/abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono