Knut Fleckestein

INTERVISTA-FLECKESTEIN-ERISA-ABC-M-4-T-2-HD.mpg_snapshot_00.37-1280x720.jpg
G. P.16:55 | 10/10/2018

Në një intervistë eskluzive për ABC News, raportuesi Knut Fleckenstein thotë se pavarësisht progresit në zbatimin e reformës së drejtësi dhe procesit të Vettingut, BE-ja dhe qeveria shqiptare e dinë shumë mirë, se ka ende një nivel të lartë të krimit të organizuar. Sipas tij Shqipëria duhet të bashkojë forcat me shtete anëtare si Gjermania, Franca dhe Hollanda për të luftuar fenomenin së bashku.

Pyetje: Komisioni i punëve të jashtme të Parlamentit Europian votoi me 44 vota pro, 5 kundër dhe 5 abstenim raportin tuaj. Cili është mesazhi kryesor që përçon raporti juaj ?

Knut Fleckestein, eurodeputet: “Në fakt, nuk ka diçka thelbësisht të re. Së pari, ne e kemi bërë të ditur tashmë që ne mbështesim rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Së dyti, ne i bëjmë thirrje Këshillit të ministrave që t’i përmbahet fjalës së dhënë dhe së treti ne shohim një përmirësim të qartë të zbatimit të reformës në drejtësi dhe të procesit të Vettingut. Por, mbetet ende shumë punë për të bërë, prandaj nuk shoh diçka të re. Ajo që do të veçoja është fokusimi në disa çështje të tjera që janë thelbësore për qytetarët siç është çështja e pronave dhe rezultate më të mira në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pra, puna duhet të vijojë, por drejtimi është ai i duhuri.”

Pyetje: Raportuesi në hije, Eduard Kukan u shpreh se problematika e korrupsionit dhe krimit të organizuar po dëmtojnë progresin e vendit në integrimin europian. Jeni dakort me këtë?

Knut Fleckestein, eurodeputet: “Po, jam dakort pasi çështja e krimit të organizuar është arsyeja për të cilën disa shtete anëtare janë skeptike përsa i përket asaj nëse duhet të hedhin një hap më tej me Shqipërinë në integrimin europian. Nga ana tjetër, duhet parë se për çfarë bëhet fjalë kur flasim për krimin e organizuar shqiptar, për të evidentuar me kujdes nëse është krim i organizuar që vjen nga Shqipëria, apo nga shqiptarët në shtetet e tjera ku ata jetojnë. Megjithatë ne e dijmë të gjithë dhe qeveria e di shumë mirë, se ka ende një nivel të lartë të krimit të organizuar. Jam i sigurtë që ministria e brendshme e di se si mund ta trajtojë çështjen me interlokutorët dhe miqtë e tyre europianë në Gjermani, Francë, Hollandë në mënyrë që të bashkohen forcat për të luftuar fenomenin së bashku. Kjo është qasja e duhur dhe të shohim nëse do kemi rezultate të mira lidhur me këtë jo vetëm përsa i përket çështjeve të zyrtarëve të thjeshtë, por edhe për dosje të zyrtarëve të larta. Nuk kam dyshim që kjo do ndodhë”.

Pyetje: Eurodeputetët e grupimeve të tjera politike ju përgëzuan që keni integruar në raportin tuaj edhe problemet ekonomike dhe shoqërore këtë rradhë. Cila është e reja në këtë drejtim ?

Knut Fleckestein, eurodeputet: “Deri tani ne nuk jemi fokusuar sa duhet në aspektin social dhe ekonomik, por vetëm në atë të stabilitetit dhe të reformës në drejtësi dhe shtetit ligjor. Por tani duhet të fokusohemi te punësimi i qytetarëve dhe duhet të inkurajojmë qeverinë që të ndërrmarrin hapat e duhura për këtë politikë. Qytetarët shqiptarë duhet të shohin që rruga e integrimit në Bashkimin Europian, edhe pse e ngadaltë, do të përmirësojë jetën e tyre sociale dhe ekonomike. Dhe politika sociale është një nga pikat më të rëndësishme në këtë kuadër”.

Pyetje: Cili kriter, sipas jush, do bëjë diferencën për hapjen e negociatave të anëtarësimit në qershor 2019? Progresi në pesë prioritetet kyçe apo vetëm zbatimi i reformës dhe ç’mendoni për ngërçet aktuale të mosfunksionimit të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese për të cilat qeveria shqiptare konsideron se do zgjidhen deri atëherë ?

 Knut Fleckestein, eurodeputet: “Shpresojmë që të kenë të drejtë, sepse nëse këto organe nuk funksionojnë, të gjitha objektivat e tjera do të jenë shumë më të vështira për t’u arritur. Unë do thoja sërish që diferencën do ta bëjë së pari zbatimi i reformës në drejtësi. pasi nëse ky sistem nuk funksionon normalisht, atëherë është e pamundur të arrihet sukses në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pra, ky është një kriter shumë i rëndësishëm, por nuk bëhet fjalë për përzgjedhje midis kritereve, pasi nuk do gjykojnë vetëm ministrat e drejtësisë për përparimin e Shqipërisë, por edhe ata të punëve të brendshme e të tjerë, megjithatë jam i sigurtë që mund të vijojmë gjithashtu lidhur edhe me çështjet ekonomike dhe sociale”./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono