klop

liverpul1-1280x665.jpg
ent ela18:59 | 22/04/2019

Liverpuli u ngjit sërish në krye të renditjes në Premier Ligën angleze, por këtë herë merita ishte plotësisht e lojtarëve. Trajneri Jurgen Klop tregon se çfarë ndodhi në stadiumin e Kardifit

Ishte një fitore e ndryshme nga të tjerat. Liverpuli kishte arritur shumë suksese këtë sezon, dhe jo më kot pretendon titullin në Angli dhe Championsin, por kjo në fushën e Kardifit, mund të quhet e veçantë.

Në pushimin e ndeshjes, futbollistët nuk u mjaftuan me fjalimin dhe sqarimet e zakonshme të trajnerit Jurgen Klop, por u mblodhën rreth njëri-tjetrit, duke u motivuar e duke diskutuar sesi duhej arritur suksesi.

Kur dolën në fushë në pjesën e dytë, barazimi 0-0 ndryshoi shpejt, ndeshja u fitua dhe kreu I renditjes në Premier Ligë u rifitua.

Mesfushorët Vajnaldum dhe Xhejms Milner ishin autorët e golave, në një përballje të vështirë në fushën e Kardifit, në Uells, e zorshme jo vetëm sepse vendasit rrezikojnë të bien nga kategoria.

Jurgen Klopi sqaron.

“Nuk jam aspak i lumtur me faktin që Kardifi e kishte lënë fushën pa e ujitur, pra e kishte lënë të thatë, në mënyrë që të dëmtonte lojën tonë, – tha trajneri gjerman, – gjithsesi, ne ia dolëm, dhe duhet të them se kjo ishte për meritë të futbollistëve të mi. Ishin ata që e nxorrën veten nga balta, dhe nuk patën nevojë për mua. Pretendojnë titullin dhe Championsin, por nuk do të mendojmë për këto gjëra. Do të përqëndrohemi vetëm për ndeshjen e së premtes ndaj Hadërsfildit, ndërsa më pas do të mendojmë që të pushojmë”.

Faqet sportive të gazetave angleze, i bënë jehonë fjalëve të Klopit.

“Deili Ekspres”: Klopi lejon lojtarët që të marrin fuqinë, trajneri i Liverpulit vlerëson futbollistët që diskutuan mes tyre në pushimin e ndeshjes, duke u motivuar për fitoren!

“Star Sport” pohon po këtë: Pushteti i lojtarëve! Plaku i artë Xhejms Milner festoon golin me penallti, duke imituar një ecje me shkop!

Liverpuli iu përgjigj siç duhet fitores së arritur të shtunën nga Mançester Siti, 1-0 ndaj Totenhemit, dhe u rikthye në krye të renditjes.

Të kuqtë kanë 88 pikë ndaj 86 të ekipit të Pep Guardiolës, që ka një ndeshje më pak të luajtur.

Fati I titullit ndoshta do të vendoset këtë fundjavë, në derbin e Mançesterit, në fushën e Junajtidit në “Old Traford”.

Nëse Siti fiton pritet të shpallet kampion, nëse nuk ia del, titulli mund të quhet i Liverpulit./abcnews.al

liverpool-stervitje.jpeg
G. P.12:47 | 11/12/2018

Liverpool-Napoli është sfida kryesore e mbrëmjes në Ligën e Kampionëve. Një finale e vërtetë, në orën 21:00 në stadiumin “Anfield”, do të përcaktojë se kush do të kualifikohet nga grupet.

Katër trofe të tillë i ka fituar në karrierë. Carlo Ancelotti është një triumfues i vërtetë në Champions dhe nuk dëshiron të shkojë në shtëpi që tani. Pasi ia doli dy herë me Milanin dhe një herë me Realin, ambicia e tij është që t’ia dalë me Napolin.

Gjithsesi, sonte në orën 21:00, do të ketë një provë “të jesh a të mos jesh”, pra për kualifikim ose eleminim. Napolitanët u stërvitën në stadiumin “Anfield” të Liverpoolit, ku do të përballen me skuadrën vendase, në një finale të vërtetë. Italianët duhet të shmangin një humbje me dy gola diferencë që të kalojnë fazën e grupeve. Për fat, vetëm Verdi e Kirikesh janë mungesa.

“Jemi të ndërgjegjshëm se çfarë ndeshje na pret në “Anfield”. Ndaj Liverpoolit luhet një finale, dhe nuk duhet të gabojmë në hapin e fundit. Tortën e kemi, thjesht duhet të vendosim qershinë sipër saj. Nuk kemi ardhur këtu për t’u mbrojtur, por për të bërë lojën tonë. Ndeshja e parë, që fituam në shtëpi ndaj Liverpoolit, na ka dhënë besim dhe ne duhet të luajmë sërish ashtu”, tha Ancelotti.

Liverpooli është më i rrezikuar sesa Napoli. Skuadra e trajnerit Jurgen Klopp duhet të fitojë me dy gola diferencë që të sigurojë kualifikimin. Disfata e pësuar në Francë me Paris SG e ndërlikoi situatën, por të kuqtë kanë qenë gjithnjë tepër të fortë përpara tifozëve të tyre. Të kuqtë nuk do të kenë mbrojtësin e qendrës Gomez, të dëmtuar, ndërsa mbrojtësi tjetër, Lovren, është ende në dyshim. Klopp si gjithnjë, e mori ndeshjen me sportivitet.

“E di sesa e vështirë do të jetë ndaj Napolit, por, kjo nuk më bën që unë ta humbas buzëqeshjen. Është e vërtetë që nuk kemi bërë aq sa duhet në Champions, që të ishim të kualifikuar që tani, ndërsa kjo është mundësia jonë e fundit. Gjithsesi, unë jam i lumtur me formën e skuadrës këto javë, madje gjatë gjithë vitit. Në Champions do të luash me më të fortët dhe duhet të fitosh. Le të mos i përsërisim gabimet e së kaluarës”, tha Klopp.

Si janë shanset për kualifikim në grupin C?

Nëse Liverpooli fiton me dy gola diferencë, kualifikohet, ndërsa Napoli eleminohet nëse PSG fiton ose barazon në Beograd me Crvena Zvezdën. Nëse në “Anfield” përfundon barazim, Liverpooli eleminohet.

Nëse Liverpooli fiton me një gol diferencë dhe PSG fiton, sërish kualifikohet pasi ka shënuar më shumë gola se Napoli. Nëse Liverpooli fiton me një gol diferencë dhje PSG barazon, tre ekipet barazohen me nga 9 pikë, dhe gjithçka varet nga golaverazhi direkt, pra nga rezultati në “Anfield”./abcnews.al

leahgu.png
ent ela16:52 | 03/10/2018

Dy sfida të mëdha do të luhen sonte në Champions. Barcelona udhëton në fushën e Totenhemit, ndërsa Napoli pret Liverpulin, nënkampion të Europës.

Do të quhet favorite sa kohë ta ketë më të mirin.

E kush tjetër përveç Barcelonës, pavarësisht se shkëlqimi sikur nuk është si dikur.

Skuadra katalanase u drejtua për në Londër, ku sonte ndeshet me Totenhemin në Champions, ndërsa eksperienca thuajse e pafundme, e bëri që të mos shfaqte asnjë dilemë.

Tri ndeshje pa fitore në La Liga mund të lihen pas dhe të fitohet përsëri, kjo është bindja e Lionel Mesit, veçse trajneri Ernesto Valverde, e kupton se stoli i tij nuk është aq i paprekshëm.

Pasi preku fushën e “Uemblit”, ai bëri detyrën para mediave.

Valverde: “Javën e kaluar patëm probleme me rezultatet, dhe ju mund ta analizoni cilindo prej tyre. Natyrisht që ne duam të përmirësohemi, dhe kjo duhet të nisë që tani ndaj Totenhemit. Ka gjithnjë arsye kur nuk ia del, herë bëjmë gabime, herë kundërshtari luan më mirë se ne. Gjithsesi, tani ndihemi mirë dhe e dimë se çfarë kërkohet prej nesh”.

Kampionët e Spanjës u stërvitën në terrenin e stadiumit legjendar, me mungesa të rëndësishme.

Mbrojtësi i qendrës Ymtiti është i dëmtuar dhe i pezulluar, dhe mesfushori-kyç Sergi Buskets po ashtu I dëmtuar.

Po Totenhemi si duket?

Mungesat i ka më të shumta sesa kundërshtari, pasi të dëmtuar janë Dele Ali, Kristian Eriksen, Musa Dembele, Serzh Orie dhe Jan Vertongen.

Për fat kthehet portieri dhe kapiteni Hugo Joris.

Trajneri Poçetino do të ndeshet me ish-trajnerin e tij, Valverden, që e largoi nga Espanjoli shumë vite më parë.

Poçetino: “Nuk kam asnjë problem me Valverden, pasi jemi takuar dhe kemi folur. Sot e kuptoj pozicionin e tij në atë kohë, nuk ishin kohë të mira për mua. Sa për ndeshjen, nuk dua të justifikohem me dëmtimet. Unë dua fitoren, me të rinj apo me të vjetër, vetëm kështu fitohen trofetë”.

Dueli tjetër i madh i sotëm në Champions, është Napoli-Liverpul.

Skuadra italiane do të ketë përballë nënkampionët e Europës, dhe trajneri Karlo Ançeloti e ka të qartë rrezikun, sidomos edhe pas humbjes 0-5 në miqësore në verë.

Ançeloti: “Do të luajmë përballë një kundërshtari të madh, që jo më kot është nënkampion I Europës. Liverpuli është një skuadër shumë e fortë dhe që drejtohet nga një trajner i madh si Jurgen Klopi. Ne u mundëm thellë nga ata, gjatë verës. Shqetësimi im më I madh ka të bëjë me gjyqtarin hungarez, Kasai, me të cilin ka një përvojë aspak të mirë”.

Po Klop si përgjigjet?

Klop: “E pëlqej shumë Karlo Ançelotin, një djalë dhe një trajner i shkëlqyer. Për njerëz si ai, ne në Gjermani kemi një epitet, “dhelpra dinake”. Ai më lavdëroi, por mendoj se filloi me taktikat që përpara ndeshjes. Do të jetë një sfidë shumë interesante ndaj Napolit”.

Skuadra napolitane ka disa mungesa, portierin Merret dhe mbrojtësit Kirikesh e Gulam, ndërsa anglezët janë me ekip të plotë. /abcnews.al

vlcsnap-2018-08-21-14h42m51s153-1280x720.png
ent ela14:43 | 21/08/2018

Liverpuli vazhdoi me fitoret në Premier Ligën angleze, por trajneri Klop nuk është i sigurt nëse ekipi i tij është pretendent për titull. Tekniku gjerman kërkon t’i marrë ndeshjet njërën pas tjetrës.

I respektoi parashikimet, apo jo?

Liverpuli nuk mbeti prapa Mançester Sitit, duke arritur fitoren e dytë në dy ndeshje në Premier Ligën angleze, por a do të thotë suksesi ndaj Kristël Palasit, se mund të luftohet për titull?

Nuk është e lehtë t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje, aq më tepër kur sezonin e kaluar, të kuqtë dolën në vend të katërt, me 25 pikë më pak sesa skuadra kampione e Pep Guardiolës.

Kjo ishte një arsye që trajneri Jurgen Klop, edhe pse mbeti i kënaqur me tri pikët e marra, nuk deshi të tregohej shumë euforik.

Klop: “Është shumë herët për të bërë parashikime, dhe unë aktualisht nuk mendoj fare për këtë. Ne nuk mund të jemi në garë me ekipet e tjerë të Premier Ligës, çdo fundjavë. Nuk është se ishim të sigurt për fitoren, madje unë nuk isha I sigurt nëse do të kishim shënuar në pjesën e parë, por kështu janë ndeshjet e kampionatit dhe ne duhet të përshtatemi. Nuk dua të flas për titullin, ju si gazetarë mund të diskutoni sa të doni, por pa ne”.

Fitorja në Londër nuk ishte aspak e lehtë, dhe u arrit pas një penalltie të dyshimtë fituar nga Mohamed Salah, në minutën e fundit të pjesës së parë, dhe u sigurua nga një gol i shënuar në minutën e fundit të ndeshjes.

Vendasit, madje, mund të kishin kaluar të parët në epërsi, kur goditën traun.

Klop tregon se çfarë u tha lojtarëve.

Klop: “Në ato momente, karburanti është drejt përfundimit dhe ndoshta lojtarët kanë nevojë për pak ndihmë nga një trajner i zemëruar, që u thotë “vraponi, ndryshe do t’iu vras”. Ata, më pas, realizuan një kundërsulm të shkëlqyer”.

Liverpuli ka 6 pikë pas dy ndeshjeve të para, po aq sa Siti, Totenhemi, Çelsi, Uatfordi e Bornmuthi, duke qenë në vend të dytë, me golaverazhin 6 gola të shënuar e asnjë të pësuar. /abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono