klandestine

Capture-4.jpg
nev ila16:07 | 16/06/2019

Gjykata e Elbasanit dha masën e sigurisë për tetë personat të cilët u arrestuan tre ditë më pare pasi akuzohen për kalimin e paligjshëm të klandestineve që vinin nga Siria, Turqia dhe Iraku drejt vendeve të BE.  Për 5 prej tyre u dha masa e sigurisë “arrest me burg”, kurse tre të tjerët u lanë në detyrim paraqitje. Në burg u la një shtetas turk dhe katër të tjerë.

Këta persona në bashkëpunim me njëri- tjetrin, vepronin si grup kriminal, duke organizuar transportin  e klandestinëve të huaj nga Kufiri i Gjelbër me shtetin grek në drejtim të Tiranës dhe më pas në drejtim të Mal të Zi.

Ata paguanin shuma të mëdha Eurosh te organizatori i trafikut./ABC News Albania 24/7

elbasan-2-1280x695.jpg
G. P.16:47 | 13/06/2019

Një grup kriminal që trafikonte klandestinë nga Siria, Turqia dhe Iraku drejt vendeve të BE-së është goditur nga Policia e Elbasanit. Në pranga kanë përfunduar 8 persona mes tyre edhe koka e grupit, një shtetas turk, por me banim në Tiranë.

Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, organizonin transportin e shtetasve të huaj nga kufiri i gjelbër me shtetin grek në drejtim të Tiranës dhe më pas në Mal të Zi. Sipas informacioneve të policisë, klandestinët paguanin shuma të konsiderueshme eurosh tek organizatori i këtij trafiku.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provave materiale celulare, vlera monetare, si dhe automjete me të cilat këta shtetas realizonin aktivitetin kriminal./ABC News Albania 24/7

7-grupe.jpg
G. P.11:07 | 04/06/2019

51 të pandehur do të dalin para drejtësisë pas përfundimit të hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda të arrestuar gjatë operacionit të koduar “One if by land” dhe të realizuar në Mars të vitit të kaluar. Prokurori Eugen Beci ka dorëzuar dosjen me 95 fashikuj në gjykatë, ku pjesë e saj janë dhe 450 kompakt disqe me përgjime dhe materiale të tjera.

Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohet se trafikonin shtetas shqiptarë drejt Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Anglisë kundrejt shumave që varionin nga 30 mijë dollarë për në Amerikë e Kanada deri në 10 mijë Paund në Angli. Mbi të gjithë të pandehurit rëndojnë akuzat e trafikimit të qenieve njerëzore në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Gjatë operacionin u shkatërruan 7 grupe kriminale që vepronin në Shqipëri, Bullgari, Greqi, Spanjë, Francë, Republikën Domenikane, Itali, Britani, Irlandë, SHBA e Kanada. Pjese e operacionit ishin dhe autoritetet amerikane e kanadeze./ABC News Albania 24/7

policia-1.jpg
ent ela11:12 | 08/04/2019

“Emigracion klandestin”, “trafik ndërkombëtar droge” dhe “posedim armësh luftarake”. Janë këto akuzat që rëndojnë mbi dy banda shqiptarësh të shkatërruara mëngjesin e kësaj të hëne nga karabinierët e Frascati, pas urdhërarresteve të lëshuara nga Gjykata e Romës për 18 persona.

Sipas mediave italiane, për 11 prej tyre u dha masa e arrestit më burg, 2 në arrest shtëpie, ndërsa 5 tjerë detyrim paraqitjeje.

Hetimet: Karabinierët e Frascati zbuluan ekzistencën e organizate të përbërë kryesisht nga shqiptarë, të cilët drejtonin trafikun e marijuanës që vinte nga Shqipëria dhe kishte si destinacion tregun e kryeqytetit italian, si dhe një tjetër grup kriminal të lidhur me të parin, që kishte krijuar një urë të vërtetë mes Italisë dhe Britanisë, të trafikut klandestin të shqiptarëve drejt Britanisë.

Falë bashkëpunimit me policinë angleze u bë e mundur vërtetimi i tezave të hetuesve, pasi në aeroportin e Londrës u arrestua një grua shqiptare e cila kishte mjet identifikimi italian të falsifikuar. Bashkë me të ishte edhe një shoqërues, pjesë e organizatës.

Baza: Baza e kësaj organizate ndodhej në provincën e Romës, mes komunave të Guidonia dhe Fonte Nurova. Ajo drejtohej nga njerëz që shfrytëzonin njohjet me bashkëatdhetarë të tjerë, të cilët jetonin prej vitesh në Itali. Ata lëviznin në brendësi të gjithë provincës duke kontaktuar shpërndarës të ndryshëm me të cilët perfeksionin marrëveshjet për furnizimin me lëndë narkotike.

Përgjimet: Hetimet, të cilat u mbështetën edhe në përgjimet telefonike e ambientale, bënë të mundur identifikimin e blerësve të ndryshëm dhe dëshmuan edhe tregtinë e marijuanës nga ana e grupit kriminal. Në një rast u bë gjithashtu e mundur sekuestrimi i një sasie të madhe marijuane, si dhe një automatiku AK-47 e prodhuar jashtë.

Hetimet mundësuan gjithashtu identifikimin e të gjitha rrugëve të trafikut të lëndëve narkotike, që nga Shqipëria mbërrinte në Puglia dhe transportohej më pas me makinë drejt Romës.

Po gjatë hetimeve u identifikua ekzistenca e një tjetër grupi kriminal, i lidhur me të parin dhe i përbërë nga disa shqiptarë, si dhe një italian, banues në Provincën e Napolit. Ky grup ishte përgjegjës për favorizimin e emigracionit të paligjshëm. Organizata i ndihmonte shqiptarët që të shkonin në Itali, ku qëndronin për disa ditë. Më pas ata shoqëroheshin drejt Britanisë me anë të dokumenteve false. Në veçanti përdoreshin dokumente që u përkisnin italianëve, që u ndryshonin fotot dhe të dhënat sipas personit që e mbante.

Klandestinët: Në Angli, organizata merrej ndër të tjera me akomodimin e emigrantëve në këmbim të një shume të caktuar parash. Hetimet kanë çuar në sekuestrimin e 150 kilogramëve marijuanë e me dhjetëra doza kokaine e heroine. Gjatë operacionit të zhvilluar mëngjesin e kësaj të hëne në banesën e një prej të arrestuarve u gjetën 4 kilogramë marijuanë, e fshehur brenda një valixheje. Identitetet e personave të përfshirë në këto aktivitete kriminale nuk bëhen të ditura./tvklan.al

klandestine.jpg
G. P.13:17 | 05/02/2019

32 personat e arrestuar gjatë operacionit “Rruga e gabuar”, për goditjen e një grupi kriminal për trafikim njerëzish drejt Europës dhe SHBA-së e Kanadasë, kanë dalë sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda për rivlerësimin e masës së sigurisë së caktuar në mungesë ndaj tyre.

Prokurori Vladimir Mara i ka kërkuar gjykatës masën e sigurisë “arrest në burg” për 31 nga të ndaluarit. Ndërkaq është mësuar se gjatë operacionit është vënë në pranga edhe një i dyshuar, për të cilin gjykata kishte caktuar në mungesë masen e sigurisë “arrest në shtëpi”. Ai është Enver Muka, i cili është mbajtur i izoluar në qeli për tre ditë. Pas konstatimit të faktit se ai ndodhej në kafaz, gjykata ka urdhëruar lirimin e tij dhe kalimin në sallë pranë avokatit.

Operacioni u krye disa ditë më parë nga policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në disa qytete të vendit. Prokuroria mësohet se ka lëshuar 36 urdhër-arreste dhe ndërkaq 4 persona janë shpallur në kërkim. Sipas hetimeve të deri tanishme, këta persona merrnin pagesa deri në 20 mijë euro për dërgimin e personave të ndryshëm drejt SHBA-së. Për këtë qëllim, ata pajiseshim me pasaporta të falsifikuara. Gjatë operacionit “Rruga e gabuar”, policia zbuloi dhe sekuestroi edhe 4 laboratorë që përdoreshin për falsifikimin e dokumenteve./abcnews.al

pergjiemt-1280x714.jpg
G. P.16:48 | 04/02/2019

ABC News disponon përgjime të bisedave mes anëtarëve të grupit kriminal të trafikut të njerëzve, të goditur dy ditë më parë nga policia dhe Prokuroria për Krime të Rënda. Organi i akuzës i ka si provë këto përgjime në dosjen për këtë grup kriminal.

Përgjimet telefonike janë një nga kartat më të forta të Prokurorisë për Krimet e Rënda në hetimin e bërë ndaj 36 të dyshuave për trafikimin e personave drejt SHBA-së dhe vendeve të BE me dokumente të falsifikuara.

ABC News ka siguruar një kopje të dosjes së prokurorisë, ku dalin në dritë bisedat telefonike ku flitet për paratë që duhet të paguhen për dokumentet false, për dorëzimin e dokumenteve tek kërkuesit, si edhe për koordiminin e rrugëtimeve të paligjshme. E tillë është ajo e 20 Tetorit 2018 mes të dyshuarës Moza Kamaj dhe një personi tjetër.

B: Ça bën?

A: Hiç tek Lili jam.

B: Kam një person për në Itali, sa lekë bën.

A: 600 euro.

B: Ka më pak se ia dhashë atij tjetrit.

A: Do 600 euro taksia.

B: Tani i çon Lavdoshi.

A: Më pak se 1500 euro s’ka.

Pak minuta më vonë mes të njëjtëve zhvillohet biseda:

B: Mirë ok, 1500 euro.

A: Dakord.

B: Po do presim 10 ditë sa të dali pasaporta.

A: Ok.

Në një bisedë të 26 Shtatorit 2018, i dyshuari Simon Kerri, kryetar i shoqatës së Vllehëve flet me një person në lidhje me dërgimin e disa bullgarëve drejt Britanisë.

..279: E mirë, po, o ta bëj ose ka mënyra për të ikur dhe andej, o të bëhet këto ditë shpejt. Kam njerëz që kanë ikur si puna e Bertit dhe… kam gjetur njëri që çon andej unë dhe iki.

Keri: Ku që çon n’Angli, andeja?

…279: E.

Keri: Po m’thoj mua se kam una nja katër a pes veta bullgarë.

…279: Po mirë t’bëjnë lekët gati ata e ti çoj.

Keri: Po mir, n’rregull, m’thoj mua ti sa lek duan ata edhe…

…279: Për ata dymbëdhjet.

Keri: ë?

…279: Po ja, të flasim, të them unë.

Sipas prokurorisë, anëtarët e këtij grupimi kriminal merrin nga personat e trafikuar vlera monetare që shkonin deri në 20 mijë euro. Ata prisnin shtetas të huaj kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Kina dhe më pas i trafikonin drejt vendeve të BE-së, Mbretërisë së Bashkuar, SHBA dhe Kanadasë.

Në role të ndryshme, të koordinuar edhe me persona jashtë vendit, ata kanë siguruar dokumente false, kanë shoqëruar, akomoduar apo rezervuar linjat e udhëtimit për të trafikuarit. Në Shqipëri aktiviteti i këtij grupi është shtrirë në Tiranë, Krujë, Korçë, Gjirokastër, Sarandë, Vlorë, Përmet, Fier dhe Elbasan./abcnews.al

ambasada-amerikane.jpeg
G. P.18:13 | 05/10/2018

Përmes një shënimi në faqen zyrtare në “Facebook” Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë përgëzoi Policinë Shqiptare dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për përfundimin me sukses të pjesës së dytë të operacionit “One by Land”.

Ky operacion u ndërmor në bashkëpunim me agjentët specialë të Shërbimit të Sigurimit Diplomatik të Departamentit të Shtetit pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Ky operacion bëri të mundur shkatërrimin e shtatë grupeve të strukturuara kriminale, të cilët mundësonin kalimin e paligjshëm të kufinjve duke lëshuar dokumenta të flasifikuar.

Grupet operonin në Shqipëri, Bullgari, Spanjë, Francë, Republikën Domenikane, Itali, Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.

Si pjesë e operacionit, policia arrestoi dy oficerë shqiptarë policie me detyrë kontrollorë kufiri, të cilët bashkëpunonin me grupet.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndihmojnë dhe mbështesin përpjekjet në zbatimin e ligjit për të parandaluar emigrimin e paligjshëm dhe për të arrestuar personat përgjegjës”, theksohej në shënimin e ambasadës./abcnews.al

klandestine.jpg
G. P.13:45 | 25/09/2018

Një i ri është arrestuar në Gjirokastër pasi ku kap duke transportuar disa persona që kishin hyrë në Shqipëri në mënyrë të paligjshme.

Bruno Makri, 21 vjeç, u arrestua në aksin rrugor  Gjirokastër–Kakavie, në vendin e quajtur Kordhocë.

Ai u kap në flagrancë duke transportuar me automjetin tip “Mercedes-Benz”, me targa AA 268 AL, tre shtetas të huaj nga vendet MENA./abcnews.al

garantuesit.jpg
G. P.16:42 | 29/07/2018

6 prej 9 të arrestuarve si pjesë e grupit që trafikonte persona kundrejt pagesës në Angli dhe SHBA janë lënë në burg. Për dy prej tyre, Gjykata e Shkodrës vendosi arrest shtëpie, ndërsa një tjetër u la me detyrim paraqitje.

Gjykata e Shkodrës ka dhënë masën e sigurisë për 9 personat që u arrestuan në operacionin “Garantuesi” . Ata dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal që trafikonte persona kundrejt pagesës në Angli dhe SHBA. Trupi gjykues vendosi që koka  e grupit, Gazment Garupi, nga Shkodra dhe pesë bashkëpunëtorë të tjerë të qëndrojnë në qeli.

Dy në arrest shtëpie përkatësisht Bledjan Ramadani dhe Eduart Shima, ndërsa për Tonin Shtjefnin, gjykata la masën e sigurisë detyrim paraqitjeje. Mendohet se në këtë aktivitet kriminal janë të përfshirë edhe dy persona të tjerë, të cilët po kërkohen nga policia. Grupi pajiste persona të ndryshëm me dokumente të huaja dhe nga përdorimi i tyre realizonte kalimin për në Angli dhe SHBA.

Të ndaluarit u ofronin personave të interesuar shoqërimin e tyre deri në destinacionin final, si dhe realizonin martesa fiktive me shtetase dhe shtetas bullgarë. Për këtë shërbim ata merrnin 8000 deri në 12.000 euro.
/abcnews.al

policici-1.jpg
G. P.11:09 | 27/07/2018

Në një operacion të Policisë së Shkodrës janë ndaluar nëntë persona dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Të arrestuarit dyshohet se ishin pjesë e një grupi kriminal që  realizonte kalimin e paligjshëm të kufirit me destinacion Anglinë dhe SHBA-në kundrejt pagesës.

https://youtu.be/NzDtQnBer_Y

Një grup i strukturuar kriminal që merrej me trafik personash drejt Anglisë dhe SHBA u arrestuan në një operacion të Policisë së Shkodrës. Nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve të ndryshme realizohej kalimi i paligjshëm i kufirit të shtetasve të ndryshëm kundrejt pagesës që varionte nga 8.000 euro deri në 12.000 euro.

Koka e grupit ishte 44-vjeçari Gazment Garupi nga Shkodra i ndaluar bashkë me 8 persona të tjerë, kurse dy janë në kërkim.

Ndihma e ofruar konsistonte në pajisjen e shqiptarëve me dokumente të huaja dhe  nga përdorimi i tyre realizohej kalimi për në Angli dhe SHBA.

“Autorët e arrestuar dhe rolet që kryenin në grup janë:

  • Gazmend Garupi, 44 vjeç, banues në fshatin Kosmaç, Shkodër,. Ky shtetas ishte në rolin kryesor, atë të organizatorit.
  • Sotiraq Antoni, 52 vjeç, banues në Korçë, ne rolin e bashkëpunëtorit kryesor, pasi siguronte gjithë dokumentet e falsifikuar në vendet e BE-së dhe në Shqipëri.
  • Haxhi Ramadani, 54 vjeç, banues në Kosmaç, Shkodër, në rolin e bashkëpunëtorit. 
  • Bledjan Ramadani, 29 vjeç, banues në Kosmaç Shkodër, në rolin e ndihmësit. 
  • Eduart Shima, 37 vjeç, banues në Shkjezë, Shkodër në rolin e rekrutuesit. 
  • Pllumb Pali, 47 vjeç, banues në Gruemirë, Malësi e Madhe. Siguronte dokumente të falsifikuar (falsifikator).
  • Shpëtim Kiri, 59 vjeç, banues në Shkodër dhe Korçë, në rolin e transportuesit dhe ndihmësit. 
  • Nikolla Mano, 59 vjeç, banues në Korçë, banesa e tij përdorej si bazë dhe kishte një laborator për falsifikimin e dokumenteve.
  • Tonin Shtjefni 27 vjec banues në Lezhë, përfitues dhe përdorues i dokumentave të falsifikuar.

 Rruga që ndiqnin personat ishte nga Shqipëria, (Sicili)-Itali-Maltë-Angli, si dhe nëpërmjet një rruge tjetër Shqipëri-Kosovë-Kroaci-Itali-Maltë–Angli-SHBA.

Këta shtetas u ofronin personave të interesuar, shoqërimin e tyre deri në destinacionin final, si dhe realizonin martesa fiktive me shtetase dhe shtetas bullgarë.
Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar nje laborator per falsifikimin e dokumenteve

ku u gjetën njësi kompjuteri, laptopë, skanera, printera, vula të ndryshme, usb, pasaportë biometrike, karta identiteti, fotografi pasaportash, materiale kancelarie të ndryshme, lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa 2 kg, telefona celulare, 4 automjete të markave të ndryshme, dhe 1 armë gjahu./abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono