kine

137439043_15359376092271n.jpg
ent ela13:50 | 14/06/2019

Moti i keq ka shkaktuar nme dhjetëra viktima në Kinë. Shirat e dendur që kanë përfshirë jugun e vendit kanë shkaktuar 49 viktima dhe 14 të zhdukur, ndërsa shtatë mijë shtëpi janë shkatërruar dhe 300 mikë persona janë evakuuar.

Pamjet në këtë video e cila ka bërë xhiron e botës tregojnë anën e një kodre që shembet mbi disa automjete  të parkuara përgjatë rrugës. Një lumë i vërtetë balte që merr me vete çdo gjë që i del përpara. Ngjarja ka ndodhur në Longian. /ABC News Albania 24/7

agree-1280x828.jpg
ad min13:37 | 08/06/2019

Është arritur marrëveshja mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Meksikës duke shmangur kështu hyrjen në fuqi të tarifave. Meksika nga ana e saj ka marrë përsipër  të përforcojë kontrollet në kufi për të frenuar fluksin e emigrantëve drejt SHBA.

Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë firmosur një marrëveshje me Meksikën, e cila pezullon për një kohë të pacaktuar tarifat. Kjo në shkëmbim të masave të forta për të ndaluar fluksin e emigrantëve nëpërmjet Meksikës. Meksika ka pranuar të vendosë menjëherë në gatishmëri Rojet Kombëtare për t’u përballur me emigrantët që i drejtohen Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidenti amerikan shkroi në profilin e tij në Tëitter se ishte i lumtur për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Tarifat të cilat duhej të ishin aplikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të hënën e ardhshme, janë anuluar. Dhe gjatë kthimit të tij nga udhëtimi në Europë kreu i Shtëpisë së Bardhë kishte lënë të kuptohej se kishte shumë mundësi të arrihej një marrëveshje. Ndërsa departamenti amerikan i shtetit publikoi detajet.

Meksika ka marrë përsipër të kryejë tre gjëra: të vendosë në gatishmëri rojet kombëtare në veçanti në kufirin jugor me Guatemalën, të përforcojë aplikimin e ligjeve për emigracionin dhe të presë një numër më të madh azilkërkuesish në territorin e saj – të cilëve do u jepet një vend pune. Por Meksika ka refuzuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për tu bërë një vend i tretë i sigurt. Kjo gjë do e detyronte të merrte një numër më të madh emigrantësh nga Amerika qendrore.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo falenderoi palën meksikane. Ndërsa ministri i Jashtëm meksikan u shpreh se ishte gjetur ekuilibri i duhur. Palët do të vazhdojnë bisedimet për 90 ditë të tjera për hapat e radhës. Përmbyllet në këtë mënyrë një konflikt nga i cili Trump del fitimtar, falë kërcënimit të tarifave edhe pse hyrja në fuqi e tyre do të dëmtonte dhe konsumatorët dhe ekonominë amerikane. Dhe tregjet, janë më pak të shqetësuara në pritje se si do të përfundojë beteja e tarifave me Kinën./ABC News Albania 24/7

13863982-0-image-a-95_1558620220736-1280x769.jpg
nev ila12:47 | 04/06/2019

Pekini ka prezantuar trenin e së ardhmes, i cili mund të arrijë një shpejtësi prej 600 km/orë. Sipas inxhinierëve ky tren mund të përshkojë itenerarin Pekin – Shangai për tre orë e gjysëm. E njëjta rrugë me avion zgjat katër orë e gjysëm.

 

Teknologjia, progresi, vizioni i të ardhmes: Kina udhëton shpejt dhe po aq shpejt synon që të udhëtojnë dhe qytetarët e saj.

China Railway Rolling Stock Corporation” prezantoi prototipin e trenit të shpejtë me ngritje magnetike, në gjendje që të arrijë deri në 600 kilometra në orë duke reduktuar ndjeshëm kohën e udhëtimit mes Shangait dhe Pekinit. Sipas parashikimeve të inxhinierëve treni do të jetë në funksion Brenda vitit 2021.

Bëhet fjalë për një prototip treni në gjendje që të përdorë magnetet për tu ngritur sipër binarëve, duke bërë që udhëtimi i tij të mos ketë fare forca fërkimi. Në rast se periudha e provës do të rezultojë e suksesshme, Pekini do të arrinte të përmirësonte rezultatet e arritura nga treni më i shpejt kinez i po këtij lloji me një shpejtësi maksimale prej 431 kilometrash në orë.

Sipas inxhinierëve treni do të jetë në gjendje të kryejë udhëtimin nga Pekini për në Shangai vetëm për tre orë e gjysëm. Ndërsa për të përshkuar këtë itenerar me avion duhen 4 orë e gjysëm, ndërsa me linjën hekurudhore të shpejtësisë së lartë pesë orë e gjysëm.

Ajo e ngritjes magnetike është një teknologji që përfaqëson një sukses të vërtetë të teknologjisë kineze. Por gjithësesi treni i prezantuar nga Pekini, me 600 kilometra në orë, nuk është një rekord absolut. Në vitin 2015, Japonia testoi një tren të tillë në Jamanashi i cili arriti shpejtësinë e 603 kilometrave në orë./ABC News Albania 24/7

masakra-pekini.jpg
nev ila14:25 | 02/06/2019

Kur kanë kaluar 30 vjet nga manifestimet pro-demokracisë në sheshin Tienanmen, qeveria e sotme kineze ka mbrojtur ndërhyrjen e atëhershme të regjimit për të shtypur protestat, duke i quajtur ato një turbulencë politike.

Në një reagim të rrallë, autoritetet në Kinë kanë mbrojtur ndërhyrjen e bërë në vitin 1989 në sheshin Tienamen. Ministri i Mbrojtjes, Uei Feng deklaroi në një forum rajonal se ndalimi i asaj që e quajti “turbulencë” ishte një politikë “korrekte”.

Në pranverë të 1989-s, studentë dhe punëtorë mbushën sheshin Tienanmen të Pekinit në një protestë masive pro-demokracisë. Shumë prej tyre mbetën të vrarë nga reagimi i regjimit komunist.

E marta e ardhshme shënon 30-vjetorin e ngjarjeve, që u mbyllën me atë që njihet si masakra e Pekinit në datat 3 dhe 4 qershor.

“Ai incident ishte një turbulencë politike dhe qeveria qendrore mori masa për ta ndaluar. E gjitha ishte një politikë korrekte”, deklaroi gjenerali Uei Feng kur u pyet nga audienca në një forum rajonal të mbajtur në Singapor.

Ai theksoi se 30 vitet që kanë kaluar që prej atëherë kanë provuar se Kina u është nënshtruar ndryshimeve të mëdha dhe se është pikërisht falë aksionit qeveritar të asaj kohe që sot Kina gëzon stabilitet dhe zhvillim.

Qeveria kineze nuk ka deklaruar kurrë se sa protestues mbetën të vrarë në sheshin Tienanmen, por vlerësimet variojnë nga disa qindra në disa mijëra./ABC News Albania 24/7

kine-1280x869.jpg
ent ela23:45 | 30/04/2019

Tensionet mes Kanadasë dhe Kinës vazhdojnë të thellohen. Shkak për acarimin e mëtejshëm është bërë dënimi me vdekje që drejtësia kineze i ka dhënë një trafikanti kanadez, lëvizje kjo që konsiderohet si hakmarrje ndaj arrestimit të menaxheres së gjigandit kinez të teknologjisë “HUA UEI”.

Një gjykatë kineze ka dënuar me vdekje një shtetas kanadez për prodhim dhe trafikim droge, duke thelluar edhe më tej tensionet e krijuara pas arrestimit të drejtoreshës së gjigandit të teknologjisë “HUA UEI”. Kanadezi Fan Uei, me prejardhje kineze, ishte lideri i një skeme prodhimi dhe trafikimi të metamfetaminës, tha gjykata në vendimin e saj. Duke reaguar, ministrja e Jashtme kanadeze Kristia Frilend dënoi përdorimin e dënimit me vdekje duke e cilësuar atë mizor dhe çnjerëzor.

“Kanadaja i qëndron e palëkundur qasjes së saj kundër dënimit me vdekje kudo në botë dhe natyrisht shqetësohemi në mënyrë të veçantë kur ky dënim aplikohet ndaj shtetasve kanadezë”, deklaroi Frilend. Edhe një i dyshuar tjetër u dënua gjithashtu me vdekje, por nënshtetësia e tij nuk u bë publike nga gjykata.

Kjo e fundit shpalli vendimin edhe për 9 persona të tjerë, përfshirë një amerikan dhe 4 meksikanë. Gjykata nuk saktësoi dënimet ndaj tyre, por sipas mediave ndërkombëtare ka gjasa që 5 prej tyre të kenë marrë burgim të përjetshëm ndërsa 4 të tjerët dënime të gjata. Në total, të 11 të dyshuarit kanë mundësinë që ta apelojnë vendimin.

Fan Uei është kanadezi i dytë që dënohet me vdekje për krime të lidhura me drogën në Kinë që nga fillimi i vitit, dënime këto që kanë përshkallëzuar tensionet mes dy vendeve. Dhjetorin e kaluar, policia kanadeze arrestoi shefen ekzekutive financiare të “HUA UEI”, Meng Uanzhou, e bija e themeluesit të kompanisë, me kërkesë të prokurorëve amerikanë. /ABC News Albania 24/7

vucic-1280x644.jpg
ad min13:20 | 25/04/2019

Gjatë vizitës së tij në Pekin, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, u shpreh se një fuqi e madhe si Kina, e respektonte vendin e tij dhe nuk ushtron presion, në ndryshim nga disa vende të tjera.

Duke folur në një panel të organizuar nga partia komuniste kineze në Pekin, presidenti i Serbisë ALeksandër Vuçiç theksoi se bashkëpunimi mes njerëzve nuk duhet trajtuar si një çështje anshmërie, por si një bazë për të ndërtuar të gjitha bashkëpunimet e tjera

Në fillim të fjalës së tij, kreu i shtetit serb i tha audiencës se ishte takuar me homologun kinez dhe sekretarin e përgjithshëm të partisë komuniste kineze, Xi Jinping, dhe kishin biseduar për çështje shumë të rëndësishme.

Vuçiç shtoi se bashkëpunimi I shkëlqyer mes dy vendeve do të vazhdojë. Ai tha se Serbia ishte një vend relativisht i vogël në Ballkanin Perëndimor dhe në zonën ndërkombëtare Kina ka partner shumë më të rëndësishëm. Por ka diçka më special që lidh këto dy vende, sipas tij, partia komuniste në Kinë dhe ajo progresiste serbe, më të mëdhatë në vendet përkatëse.

Sipas tij, politikat e ndjekura nga presidenti kinez janë shumë më të suksesshme se të kujtdo tjetër në botën moderne.

Vuçiç përmendi faktin se Serbia është në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, dhe këtu Kina bën dallim nga vendet e tjera pasi nuk i ushtron presion vendit të tij, por përkundrazi e trajton me respekt.

Duke iu referuar tregtisë, Vuçiç tha se aktualisht vendi i tij po vuan nga disa bllokada, referuar ndoshta taksës prej 100 për qind të vendosur nga qeveria e Kosovës. Por sipas tij është fat që Serbia mund të mbështetet në një vend të madh si Kona, një partnere shumë strategjike për të ardhmen./abcnews.al

fmn-kine-1280x676.jpg
ent ela15:21 | 12/04/2019

Drejtoresha e Fondit monetar Ndërkombëtar, Kristin Lagard u shpreh se marrëveshjet e arritura mes Kinës dhe Bashkimit Europian, kohët e fundit, janë një hap shumë pozitiv dhe i rëndësishëm.

Liderët kinezë ditët e fundit janë takuar me kolegët e tyre në Kroaci. Një vizitë kjo, pjesë e një përpjekjeje për të përforcuar marrëdhëniet tregtare mes Bashkimit Europian dhe Kinës. Në këtë kuadër mori pjesë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar për ti kërkuar të gjitha vendeve që të përforcojnë lidhjet ekonomike dhe të braktisin barrierat doganore, që pengojnë rritjen globale.

Kristin Lagard, drejtoresha e FMN-së, u shpreh se ishte optimiste. Sipas saj rinovimi i energjisë së përbashkët është një shpresë për të tejkaluar rreziqet. Rreziqe që sipas saj vijnë nga politikat e brendshme dhe problemet në bashkëpunimet ndërkombëtare.

Bashkëpunimi ndërkombëtar është pikërisht ai që liderët e bashkimit europian dhe Kinës po kërkojnë në takimet e tyre të fundit. Të dyja palët theksuan rëndësinë e tij por pranuan njëkohësisht se ekzistojnë ende cështje të ndryshe ku nuk është arritur ende një dakordësi. /abcnews.al

kina-1.jpg
ent ela08:30 | 22/03/2019

Rëndohet bilanci i viktimave në Kinë pas shpërthimit të fuqishëm në një impiant kimik. Numri i viktimave shkon në 47 ndërsa të plagosurit janë 500 ndër të cilët 90 në gjendje të rëndë.

 Shkon në 47 numri i viktimave nga shpërthimi i fuqishëm në një impant kimik në Kinë. Sipas informacioneve më të fundit, të konfirmuara nga autoritetet vendore, ndërkohë që vijojnë operacionet e kërkim shpëtimit, janë rreth 500 të plagosur. 90 prej tyre në gjendje të rëndë. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë duke përdorur më shumë se 86 automjete.

Pamjet e publikuara tregojnë flakë shumë të larta dhe një tym të dendur mbi strukturën. Sipas autoriteteve kineze, shpërthimi provokoi dhe një tërmet me magnitudë 2.2.

Shumë banorë të zonës janë transportuar në spital për dëmtimet e shkaktuara nga vala e shpërthimit e cila në shumë banesa shkaktoi thyerjen e xhamave të dritareve. Episodi është i fundit i një serie incidentesh që shpesh ndodhin nga normat e pakta mbi sigurinë. Në muajin nëntor të një viti më parë një kamion cistern që mbante lëndë kimike shpërtheu në hyrje të një impianti kimik rreth 100 kilometra lrag Pekinit, në një zonë të destinuar për të mirëpritur lojërat olimpike dimërore të 2022-shit, duke vrarë 23 persona dhe duke plagosur 22 të tjerë./abcnews.al

KINE-USHTRIA.mpg_snapshot_00.28-1280x720.jpg
ent ela11:42 | 05/03/2019

Kryeministri i Kinës, Li, ka premtuar në sallën e parlamentit se shumë shpejt do të happen 11 milion vende të reja pune. Në fjalimin e tij që zgjati pothuajse dy orë ai pranoi se vendi po përballet me një situatë të vështirë ekonomike.

Në Kinë është ngadalësuar ndjeshëm rritja e shpenzimeve për ushtrinë edhe pse investimet në këtë fushë janë në nivel domethënës deri në 157 miliard euro. Objektivi i Presidentit Xi Jinping është që vendi të ketë forca të armatosura në një nivel botëror.

Kryeministri kinez Li në fjalimin e tij prej gati dy orësh në parlamentin e vendit u shpreh se Kina duhet të jetë e përgatitur për një sfidë të vështirë pasi përballë ka një ambjent të komplikuar për sa i përket ekonomisë. Por në të njëjtën kohë janë dhe tensionet tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që vështirësojnë dhe më shumë situatën.

Përballë ngadalësimit të zhvillimit ekonomik, kreu i ekzekutivit kinez thekson se duhen shumë përpjekje për të luftuar papunësinë dhe për të arritur në përgjysmimin e taksave. Ai ka premtuar se do të happen 11 milion vend etë reja pune, do të ketë më pak burokraci për sipërmarrjet dhe do të instalohet një model konkurence neutral mes sipërmarrjeve shtetërore.

Por duartroktitjet e forta nga salla erdhën kur Kryeministri premtoi se do të ulte me më shumë se 20 për qind tarifat për shërbimet e internetit në telefoninë celulare. /abcnews.al

SHBA-KINE-TARIFA.mpg_snapshot_00.06-1280x720.jpg
ent ela14:30 | 14/02/2019

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 1 mars hyn në fuqi vendimi për vendosjen e tarifave të reja, deri në 200 miliardë dollarë ndaj produkteve që vijnë nga Kina. Por Kreu i Shtëpisë së Bardhë Tramp pritet ta shtyjë dhe për 60 ditë këtë afat.

Presidenti amerikan Donald Tramp po vlerëson hipotezën për të zgjatur dhe për 60 ditë afatin e vendosjes së tarifave të reja prej 200 miliard dollarësh për produktet që vijnë nga Kina. Objektivi është ai i lejimit të negociatave me Pekinin për të arritur rezultatet e pritura. Afati aktual, i vendosur në takimin e atëhershëm mes Tramp dhe homologut kinez Xi Jinping, është fiksuar për në 1 mars

Sekretari Amerikan i Thesarit Stiven Mnuhin, dhe përfaqësuesi për tregtinë Robert Lajtizes, ndodhen në Pekin për raundin e fundit të bisedimeve të nivelit të lartë me delegacionin kinez të drejtuar nga zëvendëskryeministri Liu He.

Qëllimi i takimeve është ai I hartimit të një projekti fillesar marrëveshjeje që do i prezantohet dy presidentëve Trump e Xi. Gjithashtu është parashikuar një takim mes dy liderëve, të cilin Presidenti amerikan dëshiron që të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono