Kim Jong Un

kim-dhe-trump.jpg
G. P.12:20 | 23/06/2019

Kim Jong Un ka marrë një letër personale nga presidenti amerikan Donald Trump. Lideri koreano-verior e ka vlerësuar maksimalisht letrën në fjalë, por megjithatë nuk dihet se cilat do të jenë hapat e ardhshëm mes Uashingtonit dhe Penianit lidhur me çështjen bërthamore.

Lideri koreano-verior Kim Jong Un mori një letër të dërguar personalisht nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Sipas mediave ndërkombëtare, Kim e cilësoi letrën “të shkëlqyer” dhe deklaroi se do t’i shqyrtojë me seriozitet propozimet që mban ajo.

Ai gjithashtu vlerësoi lidershipin e Donald Trump, për të cilin tha se ka një “kurajë të jashtëzakonshme”. Sidoqoftë, nuk dihet data e saktë se kur letra ka mbërritur në Penian dhe se çfarë përmban ajo. Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut kanë hyrë në ngërç që nga dështimi i samitit të Vietnamit, i mbajtur në shkurt, që u mbyll pa një marrëveshje mes palëve.

Ajo amerikane kërkon që vendi aziatik të heqë dorë nga programi bërthamor, ndërsa Peniani kërkon që Uashingtoni të nisë heqjen e sanksioneve. Në këtë drejtim, letra përbën një zhvillim të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve. Shtuar kësaj fjalët e ngrohta që presidenti Trump ka përdorur në drejtim të Kim kohët e fundit.

Më herët gjatë muajit ai tha se Koreja e Veriut ka një potencial të madh nën drejtimin e Kim, ndërsa gjatë një vizite në Japoni e cilësoi atë një “djalë shumë inteligjent” dhe paralajmëroi se pret që gjëra pozitive të ndodhin së shpejti për vendin e izoluar aziatik. Pak ditë më parë, Peniani u vizitua nga presidenti kinez Xi Jinping, i cili i përcolli Kim mesazhin se duhet të rikthehet në tryezën e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara./ABC News Albania 24/7

XI-KOREA.mpg_snapshot_00.08-1280x720.jpg
ent ela22:00 | 20/06/2019

I gjendur nën efektet e luftës tregtare me Shtetet e Bashkuara, presidenti kinez Xi Jinping ka udhëtuar në Korenë e Veriut, ku i ka sugjeruar liderit Kim Jong Un t’i kthehet dialogut me presidentin Trump.

Bota shpreson që Korea e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara të mund të flasin me njëra-tjetrën dhe që bisedimet të jenë të suksesshme. Ka qenë ky mesazhi që presidenti kinez Xi Jinping i përcolli të enjten liderit koreano-verior Kim Jong Un, gjatë një vizite në Penian.

Vizita e Xi në fqinjin lindor të Kinës ndodh një javë përpara se ai të takohet me presidentin Donald Trump në kuadër të bisedimeve mbi luftën tregtare. Xi do të qëndrojë në Penian për dy ditë, duke u bërë lideri i parë kinez që viziton vendin në 14 vjet dhe që mund të ofrojë pakëz shpresë për zbutjen e efekteve të sanksioneve që kanë rrënuar ekonominë. Kim Jong Un dhe bashkëshortja e tij e pritën presidentin kinez në aeroport.

Më pas Xi udhëtoi në rrugët e Penianit me një makinë të hapur së bashku me Kim dhe u përshëndet ngrohtë nga qytetarët teksa shkonte në mauzoleumin kushtuar themeluesit të Koresë së Veriut, Kim Il Sung.

Sipas mediave aziatike, kreu i shtetit kinez deklaroi se kishte ardhur për të konsoliduar miqësinë tradicionale dhe për të promovuar një proces politik për të zgjidhur çështjen e gadishullit Korean. Ai gjithashtu vlerësoi pozitivisht përpjekjet e Koresë së Veriut për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe për çarmatimin bërthamor.

“Situata në gadishullin korean ka të bëjë me paqen dhe stabilitetin rajonal, ndaj komuniteti ndërkombëtar shpreson që Korea e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara të zhvillojnë bisedime të suksesshme”, vijoi Xi. Që nga samiti i fundit mes Donald Trump dhe Kim Jong Un, i mbajtur muaj më parë në Vietnam, Peniani ka deklaruar se nuk kthehet në tryezën e bisedimeve nëse Shtetet e Bashkuara nuk tregohen më fleksibël. /ABC News Albania 24/7

kim-jong-un-1280x643.jpg
ent ela11:55 | 11/06/2019

E përditshmja amerikane Wall Street Journal shkruan se gjysëm vëllai i liderit koreano-verior Kim Jong Un, ka qenë informator i CIA-s. Kim Jong Nam u vra me gaz nervin në vitin 2017.

Kim Jong Nam, gjysëm vëllai i diktatorit koreanoverior Kim Jong Un I vrarë në shkurt të 2017-ës në aeroportin e Kuala Lumpur në Malajzi, ishte një burim i CIA-s i cili ishte takuar disa herë me agjentë sekretë amerikanë. Lajmi është publikuar nga Wall Street Journal, që citon një burim të informuar. Por e përditshmja thekson se shumë detaje të marrëdhënies së tij me CIA-n mbeten të errëta.

Kim Jong Nam u vra nga dy gra të cilat i hodhën në fytyrë gaz nervin Vx. Drejtues amerikanë dhe koreanojugorë akuzuan për sulmin Penianin, i cili ka mohuar çdo përfshirje.

Disa ish drejtues amerikanë, sipas të përditshmes, theksojnë gjithësesi se gjysëm vëllai i Kim, i cili kishte jetuar jashtë Koresë së Veriut për shumë vjet dhe nuk kishte asnjë lloj pushteti në Penian, vështirë se mund të kishte informacione për rrethin e ngushtë te Kim Jong Un.

Të njëjtat burime nga ana tjetër vënë në dukje se Kim Jong Nam, i cili jetonte në enklavëm kineze të Makao, ishte sigurisht në kontakt me shërbime të huaja të inteligjencës,në mënyrë të veçantë me atë të Kinës. /ABc news Albania 24/7

putin-dhe-kim-1-1280x736.jpg
G. P.23:27 | 25/04/2019

Takimi i parë mes Kim Jong Un dhe Vladimir Putin ishte një shans që ata t’i dërgonin mesazhet e tyre botës. Lideri koreano-verior iu tregoi Shteteve të Bashkuara se Peniani nuk është i vetëm në kontestin bërthamor, ndërsa ai rus se Kremlini mund të jetë një lojtar i rëndësishëm në gjeo-politikën e Gadishullit Korean.

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe lideri koreano-verior, Kim Jong Un, u takuan për herë të parë të enjten në qytetin Vladivostok të Rusisë. Ishte një takim që të paktën në pamje të parë la të kënaqur të dy krerët e shteteve.

Kim e cilësoi një mënyrë shumë të mirë për shkëmbimin e pikëpamjeve dypalëshe, ndërsa Putin vlerësoi se pala koreane ishte treguar shumë e hapur dhe kishte folur lirshëm për të gjitha temat që ishin shtruar në tryezë. Por më e rëndësishmja erdhi më pas.

Në përfundim të takimit ishte presidenti Putin që bëri një ekspoze të bisedimeve, duke shfaqur hapur interesin e Rusisë për t’u përfshirë në çështjen bërthamore koreane. Putin deklaroi se edhe ai kërkon një çarmatosje të plotë të Gadishullit Korean, por nënvizoi se kjo mund të arrihet duke respektuar ligjin ndërkombëtar.

“Duhet të rivendosim fuqinë e ligjit ndërkombëtar, të kthehemi në atë gjendje ku ligji ndërkombëtar dhe jo ai i më të fortit përcakton rendin në botë”, deklaroi Putin.

Nisur nga dështimi i samitit të Vietnamit mes Kim dhe Trump, kreu i Kremlinit nënvizoi se lideri koreano-verior ka nevojë për garanci ndërkombëtare në këmbim të çarmatosjes bërthamore, për të cilat nevojitet një panel shumëkombësh.

Ai propozoi rifillimin e bisedimeve të tryezës 6-palëshe mbi çështjen koreane, të bllokuara që prej vitit 2008 e që përfshijnë dy Koretë, Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Kinën dhe Japoninë.

“Nëse Koreja e Veriut dhe Amerika mund të ofrojnë masa të mjaftueshme për të garantuar sigurinë e Veriut, atëherë tryeza 6-palëshe nuk ka nevojë të aktivizohet. Por garancitë e mekanizmit Seul-Uashington duken të pamjaftueshme, ndaj mendoj se duhet një mekanizëm shumëkombësh për sigurinë e veriut”, vijoi Putin, duke lënë të kuptohet se qëndrimi i tij është i ngjashëm me atë të Kinës.

Në tërësi, në rrafshin ndërkombëtar vizita e Kim në Rusi u konsiderua si një mundësi e re për Korenë e Veriut që t’u tregojë Shteteve të Bashkuara se ka aleatë të tjerë të fuqishëm në kontestin mes tyre.

Gjithashtu, takimi Kim-Putin u pa si një shans për vendin e izoluar aziatik për të treguar se e ardhmja e tij ekonomike nuk varet vetëm nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Nga ana tjetër, për Rusinë ishte rasti i artë për të treguar se është një lojtar i rëndësishëm dhe jo i izoluar në Gadishullin Korean./abcnews.al

putin-dhe-kim.jpg
Sej rie10:00 | 25/04/2019

Në takimin e parë historik mes liderit të Koresë së Veriut Kim Jong Un dhe atij të Kremlinit Putin, në Rusi, presidenti rus u shpreh se mbështet Penianin në përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet me Uashingtonin.

Rusia mbështet përpjekjet e Koresë së Veriut për të përmirësuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është kjo deklarata e presidentit rus Vladimir Putin gjatë takimit me Kim Jong Un në Vladivostok, Rusi. Lideri i Kremlinit u shpreh I bindur se vizita e Kim Jong Un në Rusi do të kontribuojë në zgjidhjen e situatës në gadishullin Korean. Ai gjithashtu shtoi se Rusia është vënë në dijeni se çfarë mund të bëjë për të mbështetur proceset që po zhvillohen aktualisht.

Takimi i parë në absolute mes dy liderëve, theksoi Putin, do të favorizojë dhe zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe si dhe do të ndihmojë që të kuptohet se si mund të bashkëpunohet në zgjidhjen e problemeve.

Kim Jong Un nga ana e tij shpjegoi se situate në gadishullin Korean është me interes të madh për të gjithë komunitetin ndërkombëtar. “Shpresoj që bisedat tona të bëhen një event i rëndësishëm për të vlerësuar së bashku situatën dhe për të shkëmbyer mendimet,” shtoi ai.

Takimi mes dy liderëve ndodh dy muaj pas samitit në Vietnam mes kreut të Shtëpisë së Bardhë Tramp dhe liderit koreano-verior, në të cilin Peniani dhe Uashingtoni nuk gjetën një marrëveshje për sanksionet dhe çarmatimin bërthamor.

Putin nga ana e tij do të përforcojë rolin e Kremlinit si ndërmjetësues i nivelit të lartë në çështje bërthamore koreanoveriore, për të dëshmuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë e vetmja fuqi në gjendje për të hartuar agjendën në këtë fushë./abcnews.al

kim-putin-1.jpg
G. P.23:08 | 24/04/2019

Në takimin me presidentin Putin, lideri koreano-verior Kim Jong Un mund të ketë përpara një mundësi të artë për të shtrirë interesat e tij diplomatike dhe ekonomike. Kim mund të përpiqet të ulë ndikimin e Uashingtonit në bisedimet për çështjen bërthamore dhe varësinë ekonomike nga Kina, i vetmi partner tregtar i Koresë së Veriut.

Kim Jong Un dhe Vladimir Putin takohen për herë të parë të enjten, por nuk kanë në plan të nënshkruajnë ndonjë marrëveshje, apo të bëjnë ndonjë deklaratë të përbashkët. Vizita e liderit koreano-verior në fqinjin verior vjen në një kohë kur bisedimet mes Penianit dhe Uashingtonit për çarmatosjen bërthamore kanë ngecur.

Takimi i Hanoit mes Donald Trump dhe Kim përfundoi pa një marrëveshje, me dy palët që kishin qëndrime të kundërta në lidhje me sanksionet amerikane, lehtësimi i të cilave do të ishte një hap përpara në çarmatosjen bërthamore.

Tani, analistët spekulojnë se takimi i Kim me Putin mund të jetë një mënyrë për liderin e vendit aziatik të parashtrojë opsionet e tij diplomatike jashtë panelit të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara.

Sipas CNN, Peniani mund të shpresojë për mbështetjen e Rusisë në presionet ndaj Uashingtonit për të lehtësuar sanksionet, për të cilat Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se do të hiqen vetëm atëherë kur Korea e Veriut të heqë dorë nga programet bërthamore.

Gjithashtu, Peniani mund të kërkojë të zbusë vartësinë ekonomike nga Pekini, i vetmi partner tregtar i Koresë së Veriut. Në reagimin e tyre, Shtetet e Bashkuara nuk janë shprehur të shqetësuara nga takimi Kim-Putin.

“Amerika dhe gjithë komuniteti ndërkombëtar është i angazhuar për të njëjtin qëllim: çarmatimin e plotë dhe të verifikueshëm të Koresë së Veriut”, ka deklaruar një zëdhënës.

Kim Jong Un mbërriti në Vladivostok të Rusisë paraditen e së mërkurës, në bordin e trenit të tij të blinduar, i shoqëruar nga një dyzinë truprojash./abcnews.al

106569345_mediaitem106569344.jpg
ent ela11:21 | 24/04/2019

Lideri i Koresë së veriut Kim Jong Un, ka mbërritur në Rusi ku të enjten do të takohet për herë të parë me presidentin rus Vladimir Putin, në atë që konsiderohet si një samit historik. Axhenda e takimit është mbajtur sekret.

Treni i blinduar i liderit të Koresë së veriut Kim Jong-un ka mbërritur në Vladivostok, një qytet në lindje të Rusisë, ku do të organizohet dhe samiti historik me presidentin rus Vladimir Putin.

Samiti në program për të enjten mendohet se do të mbahet në kampusin e universitetit federal lindor në ishullim Rssky, i cili ndodhet përtej urës në Vladivostok.

Axhenda e takimit është mbajtur sekret, por përgatitjet për takimin e nivelit të lartë kanë rënë në sy që të hënën.

Treni i blinduar mbërriti në stacionin e Vladivostok, disa orë pas kalimit të kufirit mes Koresë dhe Rusisë, mëngjesin e të mërkurës. Pak minuta para ndalimit të trenit, truproje koreanoveriore me kostume të zinj dhe dorashka të bardha vraponin në këmbë në platform

Ata pastruan menjëherë derën nga ku do zbriste lideri i tyre, vunë një litar që lidhte trenin me automjetin si dhe shtruan një tapet të kuq

Kim Jong Un u pëball me një ceremoni të vogël mirëseardhjeje në qytetin kufitar rus të Khasan, ku iu ofrua bukë dhe kripë në shenjë mikpritjeje, si dhe një shëtitje të shkurtër në një ndërtesë historike e cila kishte shumë domethënie për familjen e liderit koreanoverior. /abcnews.al

kim-putin.jpg
ent ela10:17 | 24/04/2019

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un do të udhëtojë këtë javë drejt qytetit rus të Vladivostokut për një takim me presidentin rus, Vladimir Putin.

Kremlini njoftoi të martën se dy udhëheqësit do të takohen ditën e enjte.

Kim Jong Un pritet të kërkojë nga presidenti rus lehtësimin e sanksioneve në një kohë kur bisedimet me Shtetet e Bashkuara për çarmatim bërthamor, kanë ngecur.

Gjatë vitit të kaluar, Kim Jong Un-i zhvilloi takime të nivelit të lartë me Presidentin amerikan Donald Trump si dhe udhëheqësit e Vietnamit, Kinës dhe Koresë së Jugut.

Udhëheqësi i Phenianit dëshiron lehtësim nga sanksionet e ashpra të Kombeve të Bashkuara që vazhdojnë të jenë në fuqi pas dështimit të bisedimeve bërthamore me Shtetet e Bashkuara.

Por Presidenti Putin mund të mos ofrojë shumë ndihmë në këtë drejtim. Ndërsa Rusia ndeshet me probleme ekonomike, Koreja e Veriut nuk shihet si përparësi për të.

Takimi mund të ndihmojë në uljen e varësisë që Koreja e Veriut ka ndaj Kinës, si partneri më i madh tregtar i saj.

Nuk është e qartë se si ky takim mund të ndihmojë në tejkalimin e bisedimeve të bllokuara mes Uashingtonit dhe Phenianit. Udhëheqësit e të dy vendeve kanë zhvilluar dy takime si pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme për çarmatimin bërthamor të gadishullit korean, por përpjekjet kanë ngecur./VOA

putin-kim-gty-er-190416_hpMain_16x9_992.jpg
ent ela11:42 | 19/04/2019

Kremlini ka konfirmuar se brenda muajit prill, presidenti rus Putin do të takohet me liderin e Koresë së Veriut Kim Ong un. Sipas deklaratës për shtyp takimi mes të dyve mund të realizohet në datat 24 – 25 në Vladivostok.

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin do të takohet me liderin koreanoverior Kim Jong Un në Rusi brenda muajit prill. Lajmi është konfirmuar me anë të një deklarate për shtyp nga Kremlini. Dhe pse data nuk është zyrtarizuar mediat shkruajnë se takimi do të jetë në datat 24 – 35 në Vladivostok. Më tej në deklaratë saktësohet se Kim Jong Un do të vizitojë Rusinë me ftesë të liderit të Kremlinit, por për momentin nuk ka shumë detaje. Për mundësinë e këtij takimi flitej prej ditësh. Associated Press raporton se Putin ka në program një udhëtim në Kinë dhe se takimi me Kim mund të ndodhë në Vladivostok, një qytet rus pranë kufirit mes Rusisë dhe Koresë së Veriut. /abnews.al

kim-jong-un-1280x612.jpg
ent ela17:11 | 13/04/2019

Me anë të një deklarate në televizionin shtetëror, lideri koreano verior Kim Jong Un u shpreh i gatshëm për një takim të tretë me kreun e shtëpisë së bardhë Tramp. Kushti i vetëm i tij, është që takimi të përfundojë me firmosjen e një marrëveshjeje.

Lideri i Koresë së Veriut Kim Jong Un, u shpreh i gatshëm për një takim të tretë me presidentin e shteteve të bashkuara të amerikës Donald Tramp. Por kushti kryesor është që Uashingtoni të japë një ofertë të pranueshme për armatimin bërthamor të vendit, dhe një marrëveshje e firmosur deri në fund të vitit. Pas hapit të parë të bërë nga kreu i Shtëpisë së Bardhë të enjten, gjatë takimit me Presidentin e Koresë së Jugut, Kim tha se nuk do të pranonte një përsëritje skenari të samitit në Hanoi. Në këtë rast Presidenti Amerikan Tramp braktisi negociatat pa një marrëveshje. Lideri koreanoverior theksoi se shtetet e bashkuara të amerikës paraqesin kërkesa të njëanshme dhe ky qëndrim duhet të ndryshojë. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono