Kevin Durant

duranti.jpg
G. P.20:24 | 27/01/2019

Golden State arriti fitoren e 10 radhazi në basketbollin amerikan. Kampionët në fuqi ia dolën në fushën e Bostonit, të udhëhequr nga Kevin Duranti.

Më herët kishte mundur ekipe me yjet në mungesë. Pas sukseseve ndaj Lakers-ave pa Lebron James dhe Uashingtonit pa Xhon Uollin, kampionia e NBA-së, Golden State Ëarriors, dëshironte një kundërshtar me fuqi të plotë, për të treguar veten. E ku mund të kishte rast më të mirë sesa në Arenën e Boston Sëlltiksit, 18 herë kampion i NBA-së, ku e prisnin Kajri Irvingu, Al Hortoni, Xhejzën Tatëmi, Xhejlën Brauni apo Markus Morrisi. Golden State e tregoi veten duke marrë fitoren e 10-të radhazi, 115-111, ndonëse vendasit e mbajtën ndeshjen në ekuilibër deri në sekondat e fundit.

Sidoqoftë, nuk pati ndalesë, me katërshen e madhe që tani është kthyer në një pesëshe të plotë. Kampionët kanë formacionin më të talentuar, sot për sot, dhe një nga më të mirët në histori, me Durantin, Kërrin, Tompsonin, Grinin dhe Kouzinsin. Durant ishte shënuesi më i mirë i sfidës me 33 pikë, si dhe me 9 topa në tabela, Kërri realizoi 24, kapiteni Tompson arriti deri në 21, ndërsa Kouzins shtoi 15 pikë, 8 topa në tabela, 3 asistë, 3 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje.

Drejmond Grin realizoi pak, 8 pikë, por arriti të kapte 11 topa në tabela e të shërbente 8 pasime për kosh. Trajneri Stiv Kerr u pati fitoren e 300-të në karrierë, duke vendosur rekordin me më pak ndeshje, vetëm 377, ndaj 415 që kishte ish-rekordmeni, legjenda e NBA-së, Pat Rajli. Irving udhëhoqi vendasit me 32 pikë, 6 topa në tabela, 10 asistë e dy vjedhje topi, por duke gabuar shumë në gjuajtjet për tri pikë.

Horford pati 22 pikë të tjera dhe Tatëm edhe 20, por diferenca në talent dhe në përvojë ishte thuajse e pakapërcyeshme. Golden State ka tashmë 35 fitore e 14 humbje, kryeson Konferencën Perëndimore, dhe vetëm Miluoki mbetet skuadër më e mirë se kampionët, këtë sezon në NBA./abcnews.al

duranti.jpg
G. P.21:26 | 30/11/2018

Një basketboll i nivelit të lartë u luajt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Europë. Kevin Durant dhe Lebron James ishin të shkëlqyer, ndonëse patën fat të kundërt.

Tri histori të mëdha i ndanë vetëm pak orë. Amerika dhe Europa provuan thuajse njëkohësisht emocionet e rralla të basketbollit, me protagonist dy yje në NBA dhe dy formacione fitues në Euroligë. Ata ishin Kevin Durant e Lebron James në bregun e majtë të Atlantikut, dhe CSKA e Moskës e Reali i Madridit në atë të djathtin. Durant ishte sërish lider i Golden State, ndonëse shkëlqimi i tij prej 51 pikësh nuk i siguroi dot fitoren ekipit të tij. Supertalenti pati ndeshjen e tretë radhazi me të paktën 44 pikë të realizuara, një nga të paktët në historinë e lavdishme të NBA-së. Ai shtoi edhe 11 topa në tabela dhe 6 pasime për kosh, ndërsa Golden Stejti u mund në fushën e Torontos, 128-131, pas kohës shtesë.

Pavarësisht humbjes, kampionët luajtën me dy mungesa të mëdha, si Stephen Curry e Drejmond Green, ndaj kur ata të kthehen, besohet se ata do të jenë sërish favoritë për të mbrojtur titullin. Lebron James, ndërkaq, shkëlqeu në fitore. Basketbollisti numër 1 i botës shënoi 38 pikë në 38 minuta, duke qenë ai faktori kryesor i suksesit të Los Angelos Lakes ndaj Indianës në triumfin, 104-96. James kapi 9 topa në tabela, shërbeu 7 pasime për kosh dhe vodhi dy topa, në një sfidë tepër të vështirë, duke i dhënë fund serisë prej 3 humbjesh radhazi të skuadrës së tij.

Edhe Europa pati kulmin e saj të lojës së koshit. Në Madrid u luajt një finale e parakohëshme e Euroligës, mes Realit dhe CSKA-së së Moskës. Kampionët në fuqi të kontinentit u mundën në shtëpi nga formacioni rus, 88-93. Miqtë kryesuan në pjesën më të madhe të kohës, nën lidershipin e amerikanëve Higin e Klajbërn, si dhe të francezit De Kolo. Madrilenët kaluan në epërsi në pjesën e dytë, por nuk mundën të përballonin forcën fizike të rivalëve, pavarësisht lojës së mirë të argjentinasit Kampaso, dhe spanjollëve Rudi Fernandez e Felipe Rejes. CSKA u ngjit e vetme në krye të Euroligës me 9 fitore e 1 humbje, ndërsa Reali është i treti./abcnews.al

durant.jpg
G. P.16:19 | 27/11/2018

Kevin Durant po tregohet vendimtar për Golden Stejtin në basketbollin amerikan. Ai udhëhoqi ekipin në një tjetër fitore, pavarësisht dëmtimit të disa prej lojtarëve kryesorë.

Në momentet më të vështira, një profesionist i madh duhet të tregojë veten. Kevin Durant po e përmbush rolin e tij dhe pritshmërinë e tifozëve, ndërsa Golden Stejti kampion e ka lënë prapa krizën e rezultateve në NBA.

Numri 35 shënoi 49 pikë, në një tjetër ndeshje të madhe, duke udhëhequr ekipin në fitoren jo edhe aq të lehtë ndaj Orlando Mexhikut. Edhe pse u luajt në shtëpi, sërish Golden Stejti e pati të vështirë ndaj një ekipi që ndeshjen e kaluar kishte fituar në Los Anxhelos ndaj Lejkërsave të Lebron Xhejmsit.

Durant po sillet pikërisht si një “Lebron” për momentin, duke marrë skuadrën mbi supe e duke e dërguar tek fitorja. Suksesi ishte 116-110, dhe Duranti përveçse shënoi 49 pikë, kapi 6 topa në tabela, shërbeu 9 pasime për kosh, vodhi 2 topa dhe bllokoi dy gjuajtje.

Kapiteni Klej Tompson e ndihmoi duke shënuar 29 pikë, ndërsa Golden Stejti vazhdon të jetë pa Stefën Kërrin, Drejmond Grinin dhe DeMarkus Kouzinsin, që të gjithë të dëmtuar.  Kampionët kanë tani 15 fitore e 7 humbje, duke qenë në vendin e dytë në Konferencën Perëndimore pas Klipersave.

U fol shumë për një largim të mundshëm të Durantit sezonin e ardhshëm, dhe një ulje të impenjimit, por ndeshjet e fundit po tregojnë të kundërtën./abcnews.al

920x920.jpg
ent ela17:02 | 13/01/2018

Kevin Durant fitoi një duel të madh në basketbollin amerikan, duke I dhënë suksesin skuadrës. Falë tij, Golden Stejti fitoi triumfoi në fushën e Miluokit dhe mbeti në krye të kampionatit.

Një duel zbukuroi ndeshjen në Arenën e Miluokit.

Kevin Durant i miqve gjeti një kundërshtar të fortë si Janis Antetokumpo I vendasve, dhe ia doli të dilte më I fortë, ndërsa Golden Stejti fitoi si udhëtuese.

Kampionia në fuqi e NBA-së mori suksesin me shifrat 108-94, ndërsa vështirësia ishte e madhe pa praninë e lojtarit më të saktë në gjuajtje, Stefën Kërri.

Lojtari më i mirë i kampionatit në 2015 e 2016 mungoi për shkak dëmtimi dhe besohet se nuk do të jetë as në sfidën tjetër të fortë, atë ndaj Torontos.

Durant shënoi 26 pikë, kapi 6 topa në tabela, dhe shërbeu 6 pasime për kosh, si dhe bëri 2 vjedhje topash.

Antetokumpo iu përgjigj me 23 pikë, 7 topa në tabela, 4 asistë, 1 bllokim gjuajtjeje.

Gjithsesi, Golden Stejti pati një plus të madh, Drejmond Grinin, që iu afrua një tripëll dabëlli, me 21 pikë, 10 topa në tabela e 7 asistë.

Skuadra mike kryesoi vazhdimisht, por gjithsesi rrezikoi shumë.

Pasi arriti në pushim të ndeshjes me 14 pikë diferencë, në fund të pjesës së tretë u ndodh në humbje 80-82.

Gjithsesi, me Durantin në fushë, kampionët nuk u tronditën aspak.

Pavarësisht nga gabimet në gjuajtjet nga largësia, Durant dhe Grin arritën të ishin të saktë pikërisht në periodën e katërt duke vendosur fatin e ndeshjes.

Uorriorsët mbeten skuadra më e mirë e NBA-së, në krye të Konferencës Perëndimore, me 34 fitore e 9 humbje./abcnews.al

vlcsnap-error895-2-1280x720.jpg
us er17:13 | 28/12/2017

Kevin Durant ka qenë një nga lojtarët më të mirë të basketbollit amerikan javët e fundit. Ai ka dominuar sidomos lojën në mbrojtje duke qenë përcaktues në fitoret e Golden Stejtit.

Di të shënojë, të kapë topa në tabela dhe të bëjë gjithçka.
Kevin Durant, gjithsesi, ka edhe një element të lojës së basketbollit ku po tregohet në nivele tepër të larta javët e fundit.
Kampioni në fuqi i NBA-së ka dominuar sidomos në lojën në mbrojtje, duke mos lejuar kundërshtarët që të shënojnë dhe të fitojnë ndeshjet.
Në basketbollin amerikan ky specialitet quhet bllokim gjuajtjesh, ndërsa në shqip njihet në zhargon me emrin kapuç.
Durant, në 10 takimet e fundit, ka realizuar të paktën nga 2 kapuça për çdo sfidë, dhe kjo ka qenë një ndihmë e madhe që Golden Stejti të linte prapa fillimin e vështirë të sezonit, për t’u ngjitur aty ku i takon.

Ylli me numrin 35 në fanelë e udhëheq renditjen e kapuçave këtë sezon në NBA, me 70 bllokime koshash.
Natyrisht, ai ka qenë në formë të madhe edhe për shënimin e pikëve dhe pasimet për kosh, duke bërë që të mos ndihet mungesa e yllit tjetër të madh të ekipit kampion, Stefën Kërrit.
Edhe lojtari më i mirë i botës, Lebron Xhejms, provoi bllokimin e tij madje në fund të ndeshjes direkte, që përfundoi me fitoren e palës së Durantit.
Golden Stejti është aktualisht skuadra më e mirë në renditje me 28 fitore e vetëm 7, pak më lart sesa Hjustoni, dhe duket se titulli i fituar vjet mund të mbrohet me sukses.
Në përballjen e fundit ndaj Juta Xhazit, Durant shënoi 21 pikë, kapi 6 topa në tabela, dha 4 asistë, dhe bëri 3 bllokime gjuajtjesh, ndërsa fitorja ishte me shifrat e thella, 126-101./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono