keshilltar

IMG_9377-1280x853.jpg
ad min14:39 | 01/11/2018

Këshilltari ligjor i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një deklaratë për media ka theksuar se dokumenti i gjykatës italiane që pushon hetimin e prokurorisë së Katanias për Saimir Tahirin, nuk ka asnjë vlerë për hetimin ndaj ish minsitrit që po zhvillon prokuroria shqiptare. 

Kërcënim, përveçse të parëndësishëm e konsideron këshilltari ligjor i demokratëve Gazment Bardhi dokumentin që nxorri në deklaratë për media ish-ministrin Saimir Tahiri, të dorëzuar tre ditë më parë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

“Saimir Tahiri, njësoj si Edi Rama paracaktoi vendimin e prokurorisë për të mbyllur dosjen e përfshirjes së tij në trafik droge. Shqiptarët duhet ta dinë se Saimir Tahiri është hetuar nga autoritetet italiane vetëm për veprimtari kriminale në territorin italian. Dokumenti që ai valëvit për pafajësinë e tij, është i pavlerë për veprimtarinë e tij kriminale në Shqipëri. Saimir Tahiri kërcënoi sot çdo polic, prokuror dhe gjyqtar që mund të guxojë të mos u bindet urdhrave dhe të vazhdojnë hetimin ndaj tij”.

Kjo pasi Tahiri, thekson selia blu, akuzohet për lehtësimin dhe mbështetjen shtetërore për trafikun e drogës nga organizata kriminale e Habilavje në Shqipëri.

“Kjo veprimtari kriminale është zhvilluar në territorin shqiptar dhe si e tillë nuk mund të hetohet dhe as procedohet nga drejtësia italiane. Italia nuk ka juridiksion për vepra penale të ndodhura në territorin e një vendi të huaj nga një shtetas i huaj. Prokuroria shqiptare ka sot të gjitha provat që vërtetojnë përtej çdo dyshimi përfshirjen aktive të Saimir Tahirit në mbrojtjen e Habiljave dhe të trafikut të drogës.

Për shkatërrimin e këtyre provave dhe këtij procesi është angazhuar vetë kreu i ekzekutivit Edi Rama prej një viti, deklaron Partia Demokratike, sipas së cilës prokuroria duhet të ndryshojë masën e sigurisë për Tahirin nga detyrim paraqitje në arrest me burg, kjo pasi me deklaratën e tij ish-ministri vërtetoi ehe njëherë se nëse mbetet i lirë, ai përbën rrezik për pavarësinë e hetimeve./abcnews.al

THACI-DEKLARATAT-1280x671.jpg
ad min11:47 | 12/10/2018

Mediat kosovare konfirmojnë se këshilltari amerikan Dejvid Filips i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë dorëheqjen pasi nuk është aspak dakord me idenë e Thaçit për korrigjimin e kufijve me Serbinë. Madje ai thekson se kjo ide është një tradhti ndaj popullit të Kosovës.

Eksperti i Politikës së Jashtme, David Phillips, njëkohësisht këshilltar për Marrëdhënie me Jashtë i presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ka dhënë dorëheqje nga kjo detyrë.

Mediat kosovare raportojnë se ai disa herë ka kundërshtuar idenë e ndarjes apo shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se është alternativa më e keqe për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve. Në deklaratën e tij për media ai shprehet se nuk mund të marrë pjesë në një plan të propozuar për ndarje, që, siç thotë ai, ka të meta strategjike dhe në thelb kundërshton vlerat e tij.

Phillips është drejtor i programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia të New Yorkut. Ai shërbeu si Këshilltar i Lartë në Departamentin e Shtetit në SHBA, nën presidencën e Clintonit, Bushit dhe Obamës. Autori i “Liberating Kosovo: Diplomacia detyruese dhe ndërhyrja e SHBA-së”, Phillips punoi edhe me Ambasadorin Richard C. Holbrooke në Bosnje dhe Kosovë.

Filips shkruan se ka punuar për pavarësinë e Kosovës mbi tridhjetë vjet dhe qeveria e Kosovës së fundmi i kishte kërkuar të shërbente si këshilltar në dialogun Kosovë-Serbi. Por sipas tij aktualisht disa persona në institucionet e Kosovës po ndjekin një rrugë tjetër. Ata pranojnë korrigjimin e kufijve, duke dhënë territor në Serbi. Filips thekson se ndarja apo korrigjimi i kufijve është marrëveshje e keqe, e cila nuk do të normalizonte marrëdhëniet me Serbinë apo do ta vendoste Kosovën në një pozicion për të fituar njohje më të madhe globale.

“Ithtarët e korrigjimit të kufijve besojnë se mosnjohësit e BE-së do të pranonin një Kosovë të rikonfiguruar dhe se SHBA-ja mund ta bindë Rusinë dhe Kinën që të heqin kundërshtimin e tyre ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB. Nuk ka bazë të njohur për këtë përfundim. Për më tepër, korrigjimi i kufijve përfaqëson një tradhti historike të popullit kosovar. Ajo minon parimet demokratike të multikulturalizmit dhe pluralizmit politik për të cilin shumë prej tyre kanë vdekur në Ballkanin Perëndimor. Është potencialisht e rrezikshme, destabilizuese dhe mund të çojë në dhunë dhe fragmentim të përtërirë,” përfundon ai./abcnews.al

TRUMP-POPULLARITETI-1280x720.jpg
ad min09:10 | 31/07/2018

Prokurorët e skandalit “Russiagate” do të nisin procesin gjyqësor ndaj një prej ish-këshilltarëve më të afërt të Donald Trump. Ndonëse akuzohet për krime financiare, gjyqi mund të kthehet në “dhimbje koke” për presidentin, pasi Manafort ishte njeriu që mori pjesë në takimin me avokaten ruse.

Paul Manafort do të jetë i pari ish-anëtar i stafit të Donald Trump që të martën do të dalë në gjykatë, me kërkesë të prokurorëve që po hetojnë ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale.

Pavarësisht se procesi gjyqësor do të ketë në fokus akuza për krime financiare, ai mund të marrë edhe tipare politike, për faktin se Manafort ishte njeriu që menaxhoi për tre muaj fushatën elektorale të Trump dhe që mori pjesë në takimin e Qershorit 2016 me avokaten ruse që ofroi informacione kompromentuese në dëm të rivales Hillary Clinton.

Prokurorët e udhëhequr nga Robert Mueller kanë deklaruar të hënën se Manafort kishte fituar 60 milionë dollarë nga puna si këshilltar politik në Ukrainë, të cilat ishte përpjekur t’i fshihte. Hetuesit pritet të argumentojnë se shpenzimet marramendëse të Manafort për kostume, apartamente dhe objekte të tjera luksi nuk justifikojnë pasurinë e deklaruar prej tij dhe e akuzojnë se ka mashtruar organet tatimore.

Gjithashtu, ai akuzohet se ka mashtruar huadhënësit kur ka marrë 10 milionë dollarë borxh për një pronë në Nju Jork. Gjithashtu, prokurorët do të përpiqen të provojnë se ish-këshilltari i Trump ka fshehur 75 milionë dollarë në llogari bankare “offshore”, në bashkëpunim me ish-ortakun e tij Rick Gates./abcnews.al

keshilltari-1-1280x659.jpg
ad min16:20 | 20/03/2018

Këshilltari i Presidentit të Kosovës ka zhvilluar një vizitë në Beograd, ku ka shprehur qëndrimet e Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve. Ai beson se tani është koha për zgjidhje përfundimtare.

Blerim Shala, ka qenë negociator i Kosovës në Rambujë të Francës, ku nuk u arrit paqja dhe pasuan bombardimet e NATO-s. Gati 20 vjet më vonë ende merret me të njëjtën punë. Beson se është koha për zgjidhje dhe paqe përfundimtare. Në Beograd u ka folur serbëve për qëndrimet e Prishtinës.

Blerim Shala, Këshilltar i Presidentit të Kosovës: “Opsion tjetër nuk kemi. As Kosova si shtet, as Serbia si shtet. Tani me strategjinë e rë për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor kemi një shtytës shtesë, i cili duhet të na shtyjë për një periudhë të shkurtër kohore ta bëjmë marrëveshjen obligative, e cila do të na mundësonte që Kosova të bëhej anëtare e OKB-s”.

Presidenti kosovar dhe ai serb pritet të takohen në Bruksel. Shala thotë se do të konfirmohet ecuria drejt marrëveshjes përfundimtare dhe rishikohen marrëveshjet e arritura. Kosova ka bërë kompromis për serbët e Kosovës me planin e Ahtisarit.

Blerim Shala, Këshilltar i Presidentit të Kosovës: “Ne synojmë që marrëveshja obligative të jetë bazë për një rezolutë të re në Këshillin e Sigurisë të OKB-s dhe përmes rezolutës të aplikojmë për një anëtarësim të plotë në OKB. Ka ardhur koha që ta njohim këtë realitet dhe Serbia do ta njohë këtë realitet dhe do të ketë situata që të ndodhë një njohje e ndërsjelltë midis Kosovës dhe Serbisë”.

Shtypi serb është interesuar për idenë që Kosova të bëhet vëzhguese në OKB. Kosova nuk do ta bëj një gjë të tillë, por është e gatshme të negociojë në Bruksel me Serbinë për normalizimin./abcnews.al

mcmaster.jpg
ent ela09:42 | 18/02/2018

Nga konferenca e sigurisë në Mynih, këshilltari i presidentit Trump ka paralajmëruar vendet që investojnë në Iran, përfshirë ato që janë aleate të SHBA. Gjithashtu, ai ka replikuar me ministrin e Jashtëm rus sa i takon ndërhyrjes në zgjedhje.

Nga Mynihu, ku po zhvillohet Konferenca e Sigurisë, Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar vendet që investojnë në Iran, përfshirë të zotët e shtëpisë. “Kush investon në Iran investon për Gardën Revolucionare dhe në këtë mënyrë u mundëson atyre të vazhdojnë të vrasin”, ka deklaruar këshilltari i presidentit Trump, Herbert Raymond McMaster.

Ai ka theksuar se, në Iran nuk investojnë vetëm Kina dhe Rusia, por edhe Gjermania, Japonia dhe Korea e Jugut. Ndër të tjera, këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare ka komentuar edhe akuzat e ngritura nga drejtësia amerikane ndaj 13 shtetasve rusë për ndërhyrje në zgjedhje, duke thënë se ato janë të pakontestueshme.

Por “Shtetet e Bashkuara po aftësohen gjithnjë e më shumë në gjurmimin e origjinës së këtij spiunazhi dhe kësaj ndërhyrje”, ka thënë McMaster. Në këtë mënyrë ai i është përgjigjur edhe deklaratës së ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, që i kishte cilësuar akuzat e ngritura vetëm “thashetheme”.

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka ngritur shqetësimin se Rusia po zhvillon armë të reja bërthamore që përbëjnë kërcënim për Perëndimin. “Rusia po modernizon kapacitetet e saj bërthamore, po zhvillon sisteme të reja bërthamore dhe po shton rolin e këtyre armëve në strategjinë e saj ushtarake. Ky është një shqetësim i madh”, ka thënë Stoltenberg./abcnews.al

trump-1.jpg
ad min22:56 | 07/02/2018

Një zyrtar i lartë në Shtëpinë e Bardhë është detyruar të braktisë postin pas akuzave për abuzim me ish-bashkëshortet, të cilat ai i ka cilësuar si pjesë të një fushate të koordinuar ndaj tij.

Sekretari i stafit të Shtëpisë së Bardhë, njëkohësisht një nga njerëzit më të afërt të presidentit Donald Trump ka dhënë dorëheqjen. Lajmin e kanë konfirmuar burime nga selia presidenciale amerikane. Dorëheqja e Rob Porter vjen dy javë pas akuzave se kishte abuzuar me dy ish-bashkëshortet e tij. Por në një deklaratë për shtyp të mbajtur në prag të dorëheqjes ai i mohoi akuzat.

“Këto akuza të qëllimshme janë thjesht një farsë. Unë kam qenë i hapur dhe i sinqertë sa i takon këtyre aludimeve burracake, por nuk kam ndërmend të vijoj publikisht një debat kundër një fushate të mirëkoordinuar ndaj meje”, tha Porter.

Largimi i Porter erdhi pavarësisht kundërshtimit nga ana e shefit të personelit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly dhe zyrtarëve të tjerë. Akuzat u publikuan për herë të parë nga britanikja “Daily Mail” më herët gjatë javës. Porter ka patur një lidhje me shefen e zyrës së komunikimit në selinë presidenciale Hope Hicks, një nga figurat më influente të Krahut Perëndimor. Sidoqoftë, zëdhënësja Sarah Sanders bëri me dije se ai do të qëndrojë në detyrë për të garantuar një tranzicion të lehtë të menaxhimit të postit. Si sekretar i stafit, përgjegjësia e Porter konsistonte në kontrollin e fluksit të informacionit që qarkullonte në tryezën e Trump, përfshirë dhe urdhërat ekzekutivë të dhënë nga kreu i shtetit./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono