Këshilli Europian
Ndeshjet e grupit B në Kategorinë e Parë

ke-1.jpg
in a12:57 | 13/12/2019

Këshilli Europian miratoi përfundimet e nxjerra për ndryshimet klimatike. Lajmi u konfirmua nga presidenti Çarls Mishel duke shtuar se liderët e Bashkimit Europian kanë gjetur një marrëveshje për objektivin e rëndësishëm të emetimeve zero Brenda viti 2050.

Kancelarja gjermane Anxhela Merkel u shpreh e kënaqur për shkak se nuk ka pasur përçarje, përveç Polonisë e cila ka nevojë dhe për pak kohë. Por gjithësesi Varshava premtoi se do të bëhet pjesë e marrëveshjes në muajin qershor të vitit të ardhshëm.

Ndërsa presidentja e Komisionit Europian përgëzoi Mishel për këshillin e parë të suksesshëm që në ditën e parë të tij.

Kryeministri Italian Xhuzepe Konte u shpreh se Europa duhet të jetë e aftë për të marrë lidershipin gjeopolitik në betejën për klimën. Kjo sepse shembujt nuk mjaftojnë për të ndaluar ngrohjen globale, nëse ekonomitë e tjera në botë nuk do e ndjekin.

Këshilli Europian po përpiqet të tejkalojë ndasitë për këtë temë mes vendeve të lindjes të cilat kërkojnë garanci financiare para se të zotohen për të pranuar objektivin e neutralitetit klimatik në 2050-ën.

Tytti-Tuppurainen-640x320.jpg
nev ila10:45 | 19/11/2019

Propozimi francez është shumë i gjerë. Eshtë mirë që shtetet anëtare kanë propozimet e tyre, por duhet të presim që ekipi i ri i Komisionit Europian të fillojë punën, në mënyrë që të arrijmë unanimitetin për hapjen e negociatave me dy vendet”.

Këtë deklaratë ministrja e jashtme e Finlandës Tytti Turpurainen, e bëri në hyrje të takimit të Këshillit të çështjeve të përgjithshme në Bruksel, ditën e sotme.

Që në fillim Finlanda ka qenë një nga vendet që kanë mbështetur Shqipërinë, për hapjen e negociatave, dhe ka qenë e angazhuar për të lobuar tek vendet e tjera anëtare, që të jepnin vendim pozitiv më 18 tetor.

Ministrja e jashtme e Finlandës Tytti Turpurainen, mban njëkohësisht edhe pozicionin e presidencës në BE.

Ndërsa Amélie DE MONTCHALIN, sekretare e shtetit për çështjet europiane tha:

“Ne shohim që negociatat e anëtarësimit me Serbinë dhe Malin e Zi kanë dobësi. Duam që ta shndërrojmë procesin më rezultativ, më të prekshëm dhe më përfitues për qytetarët e Ballkanit. Ka vende të tjera që mbështein Francën, si Danimarka, Hollanda, por edhe Italia që po i bejnë thirrje KE-së të bëjë propozimin për reformimin e zgjerimit. Qyetarët e Ballkanit Perëndimore nuk kanë nevojë për kapituj kanë nevojë për rezultate të prekshme të reformave.”

Ndërkohë Alexander Schallenberg, ministër i jashtëm i Austrisë tha se:

“Ne do diskutojmë sot lidhur me propozimin francez. Ka gjithnjë forma për të përmirësuar procesin e zgjerimit. Propozimi francez nuk duhet përdorur si teknikë vonuese për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Prilli 2020 duhet të jetë data për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”./abcnews.al

taulant-balla-1-1-1280x706.jpg
nev ila14:10 | 20/10/2019

Pasi u refuzuan nga Bashkimi Evropian, deputetë Parlamenteve të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut u takuan në Pogradec. Me optimizëm kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla sheh se deri në samitin e Zagrebit, do të ketë reflektim dhe të dy vendet do të nisin procesin e bisedimeve për anëtarësim.

“Vendimi i Këshillit Europian, apo mosvendimi për të qënë korrekt, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk mori parasysh aspak progresin me reformat kryesore të bëra nga të dyja vendet gjatë viteve të fundit. Por ne gjithësesi duhet të vazhdojmë reformat e ndërmarra.

Unë kam studiuar në Rumani, kur Rumania diskutonte anëtarësimin. Ata kaluan shumë më lehtë përgjatë këtij procesi dhe tani na kërkojnë shumë më shumë.

Por unë besoj se do të ketë reflektim dhe se deri në Samitin e Zagrebit për Vendet e Ballkanit Perëndimor në Maj 2020, me siguri Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të nisim bisedimet për anëtarësim.”

Në shqip iu drejtua kolegëve të tij të cilëve u kërkoi të nxitojnë me miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

“Apeli im, edhe për grupimet e tjera politike, të përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë, është që, përtej interesave politike që mund të kemi, adresimi i nevojave të ndryshimit të Kod Zgjedhor të rekomandimeve të ODIHR-it duhet të jetë i menjëhershëm.

Besoj që Krishtlindjet e 2019 dhe marrja e presidencës së OSBE-së nga ana e Shqipërisë, do të na gjejnë me ndryshime të miratuara në Parlamant”.

Buzë liqenit të Ohrit 60 parlamentarët shqiptarë e maqedonas i bëri bashkë OSBE/ODIHR ku i kërkoi që të respektohet barazia gjinore në institucionet publike dhe qeverisjes vendore./abcnews.al

BALLA-SINKRON.mpg_snapshot_00.03-1280x720.jpg
ad min13:18 | 25/09/2019

Grupi më i madh parlamentar në Gjermani, ai i deputetëve të koalicionit qeverisës CDU/CSU ka miratuar dje pasdite një dokument që mbështet në parim hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE, por me një sërë kushtesh që vendi ynë duhet të plotësojë, në të kundërt procesi do të ndalet e madje mund të braktiset.

Numri dy i Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili ndodhet në Gjermani, komentoi për ABC News këtë vendim. Ai theksoi se socialdemokratët ishin në mbështetje të fillimit të bisedimeve ndërsa, vetëm një numwr i vogël deputetësh i CDU/CSU-së ishte kundër fillimit të negociatave.

“Vetëm një numër i vogël deputetësh të CDU/CSU kanë qenë kundër fillimit të bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë. Në grupin tjetër atë të social demokratëve vendimi ka qenë unanim në mbështetje të fillimit të bisedimeve për integrim. Jam shpresëplotë që të Gjelbrit, të cilët janë në opozitë dhe të majtët do ta mbështesin këtë vendim, të cilin nuk ngurroj ta quaj historik, po të kemi parasysh rëndësinë që ka Gjermania si vendi me ekonominë më të madhe dhe vendimmarrjen më të rëndësishme në kuadër të BE.

Qeveria para se të shkojë në Këshillin Europian për vendimmarrje të fillimit të bisedimeve kërkon që Qeveria Federale të marrë dakordësinë e Bundestagut. Kancelarja Merkel në Këshillin Europian ka dakordësinë edhe të Bundestagut për t’u shprehur për fillimin e procesit të bisedimeve për anëtarësim”, tha Balla./abcnews.al

johnson-boris.jpg
ad min15:24 | 09/09/2019

Mbrëmjen e sotme parlamenti britanik pritet të votojë për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve të parakohshme në Tetor. Ndërkohë në 31 Tetor është dhe data e daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian.

Pezullimi i parlamentit britanik do të nisë në përfundim të debateve të mbrëmjes së të hënës. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i kryeministrit britanik Boris Johnson, i cili theksoi se masa do të hyjë në fuqi pavarësisht nga rezultati përfundimtar i votimit për sa i përket propozimit të qeverisë britanike për zgjedhje të parakohshme në Tetor.

Pezullimi, ashtu si dhe është lajmëruar do të zgjasë deri në 14 Tetor. Brexit aktualisht është fiksuar për në datën 31 Tetor ndërsa Këshilli Europian do të mblidhet në datat 17 dhe 18 Tetor.

Kryeministri britanik Boris Johnson u shpreh i bindur se një marrëveshje për Brexit mund të arrihet ende brenda datës 31 Tetor, datë në të cilën Mbretëria e Bashkuar duhet të dalë nga Bashkimi Europian.

Gjatë një konference për shtyp në Dublin me kryeministrin irlandez, sipas asaj që raporton BBC, Johnson ritheksoi se është ende e mundur arritja e një marrëveshjeje të re.

Kjo e fundit sipas tij mund të diskutohet në samitin e 18 Tetorit të Bashkimit Europian. Por kryeministri britanik dhe njëherë më shumë përjashtoi çdo mundësi për t’i kërkuar Brukselit një shtyrje të datës për Brexit./ABC News Albania 24/7

mitsotakis.jpg
ad min15:13 | 08/09/2019

Kryeministri grek Kirjakos Mitsotakis ka deklaruar të dielën në një konferencë për shtyp se Greqia nuk do ta mbështesë hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së.

“Greqia nuk do të japë konsensusin e saj për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë nëse unë personalisht nuk shoh marrjen e masave praktike kundër diskriminimit të minoritetit grek në vend”, ka deklaruar Mitsotakis.

Kreu i qeverisë greke ka theksuar se e ka trajtuar këtë çështje gjatë kontakteve që ka patur me liderët europianë si Emmanuel Macron, Angela Merkel dhe Mark Rute, përpara mbajtjes së debatit në Këshillin Europian në Tetor./ABC News Albania 24/7

lideret-Be.jpg
nev ila19:05 | 28/05/2019

Udhëheqësit e 28 vendeve të BE, përfshi kryeministren britanike në largim Tereza Mey kanë mbërritur në Bruksel për një darkë informale pune. Anëtarët e Këshillit Evropian do diskutojnë për pasardhësin e presidentit të Komisionit Evropian Zhan Klod Junker dhe postet e tjera kyçe, përfshi edhe kreun e Bankës Qendrore Evropiane, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve te 23-26 Majit në 28 vendet e BE.

Negociata të vështira, interesa kombëtare, linja partiake e çështje gjinore do vazhdojnë të zhvillohen deri në samitin kyç të Këshillit Evropian që do mbahet me 20 e 21 qershor. Një pengesë mund të vijë nga brenda parlamentit evropian, pasi liderët e BE duan që kryetarët e shteteve të tërhiqen nga refuzimi për të zëvendësuar Junkerin me një ligjvënës nga radhët e tyre.

Po tentohen të krijohen aleancat e para, ndërsa ndryshe nga e kaluara këtë herë partitë e qendrës së djathtë e të majtë, dy grupimet tradicionalisht më të mëdha në parlamentin evropian po përballen me diferenca nga aktorë të tjerë të votuar e darka e mbrëmjes së sotme është një tentativë e parë për kompromis./ABC News Albania 24/7

serbia.jpg
ad min13:02 | 04/04/2018

Mediat serbe raportojnë se Këshilli Europian do i tërheqë vëmendjen Beogradit për sa i përket bllokimit që po i bën procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

E përditshmja serbe Danas shruan se Beogradi pritet të marrë kritika të ashpra nga Bashkimi Europian përsa i përket sundimit të ligjit. Sipas burimeve të kësaj të përditshmeje, bllokimi në procesin e normalizimit të raporteve me Prishtinën, do të jetë një nga vërejtjet kryesore për Serbinë. Raporti i Këshillit Europian që pritet të publikohet së shpejti, mendohet të përmbajë të njëjtat vërejtje si në vitin 2017.

Problemet në sistemin e gjyqësorit dhe përmbushja e kapitujve 23 dhe 24 gjithashtu do të jenë në qendër të këtij raporti. Vërejtje për Serbinë pritet të ketë edhe sa i përket politikës së jashtme dhe aspektit të sigurisë.

Sipas këtij raporti, Serbia nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë e BE-së as në nivelin e 50 %-shit. Ky vlerësim negativ për Serbinë vjen si pasojë e shpërfilljes së kërkesës së Britanisë së Madhe për rekomandimin e dëbimit të diplomatëve rusë dhe mosrespektimi i sanksioneve ndaj Rusisë./abcnews.al

vlcsnap-error814-1280x720.jpg
ad min20:28 | 14/12/2017

Liderët europianë prezantuan në Bruksel paktin e përbashkët për mbrojtjen. Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk tha se ky është një lajm i keq për armiqtë e Unionit.

Të rrethuar nga ushtarë me uniforma luftarake, liderët Europianë inaguruan të enjten paktin e bashkëpunimit të mbrojtjes, për të cilin Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk tha se është “lajm i keq për armiqtë e Unionit”. Njëzet e pesë vende të Unionit – përveç Danimarkës, Maltës dhe Britanisë, që po largohet nga blloku – iu bashkuan të ashtuquajturit bashkëpunim i përhershëm i strukturuar në mbrojtje, ose ndryshe PESCO.

Marrëveshja synon që shtetet e BE-së të punojnë më ngushtë dhe të shpenzojnë më shumë para në projektet e mbrojtjes, duke përfshirë zhvillimin e armëve të reja. Pas gjysmë shekulli përpjekjesh të pashpresa për të integruar aftësitë mbrojtëse europiane, aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe pretendimet e sulmeve kibernetike të sponsorizuara nga Moska, dhanë idenë për një shtysë të re.

“Për shumë vite, argumenti më i fortë kundër PESCO-s kishte qenë frika se do të çonte në dobësimin e NATO-s. Por është krejt e kundërta – mbrojtja e fortë europiane natyrisht e forcon NATO-n. Kjo është arsyeja pse PESCO nuk është vetëm një lajm i mirë për ne, por është gjithashtu një lajm i mirë për aleatët tanë dhe një lajm i keq për armiqtë tanë”, tha Tusk në një samit në Bruksel.
Ndërkohë, kjo nismë është mbështetur edhe nga NATO. Me anë të një reagimi zyrtar, sekretari i përgjithshëm, Jens Stoltenberg, thotë se kjo marrëveshje do të forcojë mbrojtjen e Europës dhe NATO-s./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono