kenia

tirana-2.jpg
nev ila21:12 | 10/07/2019

Skuadra e Tiranës ka zyrtarizuar blerjen e sulmuesit nga Kenia, Ismael Dunga. Futbollisti ka firmosur për dy sezone me bardh e blutë

Skuadra e Tiranës vazhdon përforcimet në merkato. Pas Bathes, Kale dhe Torraes, klubi bardh e blu ka zyrtarizuar edhe dy afrime të reja. Ashtu siç pritej Ismael Dunga është zyrtarisht një futbollist i Tiranës. Sulmuesi afrikan ka firmosur për dy sezone me skuadrën kryeqytetase dhe konsiderohet si një përforcim i madh për fazën ofensive. Futbollisti zgjidhi kontratën me klubin e luftëtarit e më pas u prezantua si lojtar i Tiranës.

Ismael Dunga është zyrtarisht bardh e blu. Sulmuesi 26-vjeçar ka firmosur kontratën që e bën pjesë të Tiranës për dy vitet e ardhshme.

Dunga ka përfunduar kontratën me klubin e Luftëtarit dhe ka zyrtarizuar sot marrëveshjen bardh e blu. Futbollisti nga Kenia, autori i 10 golave në sezonin e fundit me Luftëtarin, vjen si një përforcim me vlera për sulmin e Tiranës. Është njoftimi i skuadrës së Tiranës.

Bardh e blutë kanë zyrtarizuar edhe mbrojtësin Kostandin Kariqi i cili vjen nga kampionati grek.  Në 14 takime është aktivizuar mbrojtësi me skuadrën e Volosit në sezonin e kaluar.

Afrimi i tij në skuadër ngre dyshime rreth transferimit të mundshëm të mbrojtësit Tefik Osmani. Kostandin Kariqi është përforcimi i radhës për Tiranën. Mbrojtësi 22-vjeçar ka firmosur për dy vite si bardh e blu.

Kariqi vjen nga kampionati grek ku sezonin e fundit është aktivizuar me skuadrën e Volosit. Më parë ai ka qenë pjesë e Kombëtares U-21 të Shqipërisë. Një përforcim me vlera për repartin difensiv ku Kariqi luan në disa pozicione. Njofton klubi i Tiranës.

Përforcimet e një pas njëshme kanë rritur ndjeshëm cilësinë e skuadrës  më të titulluar në Shqipëri dhe sezonin e ardhshëm do të jetë një rival më shumë për Partizanin dhe Kukësin./ABC News Albania 24/7

nairobi.jpg
ad min17:39 | 19/05/2019

Dy foshnje, të cilat mendohen se janë binjakë, janë gjetur buzë një lumi gjatë kohës që autoritet po punonin për pastrimin e tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Nairobi të Kenias dhe siç shkruan BBC, ky nuk është as rasti i parë.

Mediat bëjnë të ditura se kjo është hera e tetë në muajt e fundit. Hetuesit besojnë se trupat e fëmijëve të vegjël hidhen në lumin e kryeqytetit afrikan si rezultat i abortit, i cili në shumicën e rasteve është i paligjshëm.

Guvernatori i Nairobit, Mike Sonko, ka nisur një hetim për ngjarjet, të cilat i cilësoi si trend shqetësues për vendin.

Disa punëtorë po pastroni lumin Nairobi kur bënë zbulimin tragjik. Ata i gjetën dy bebet në qese plastike. Njëri prej tyre merrte frymë akoma, por nuk mundi të shpëtojë. Ata ishin varrosur pranë njëri-tjetrit dhe policia tha se prindërit nuk mund të identifikohen.

Sipas guvernatorit Sonko, spitalet dhe klinikat hedhin trupat e foshnjave pasi kryejnë abortimin. Ai u ka dhënë autoriteteve një javë kohë që të hetojnë rastin. Përveç bebeve, katër persona të rritur janë gjetur të vdekur gjatë pastrimit të lumenjve të qytetit./abcnews.al

ethiopia.jpg
ad min09:47 | 10/03/2019

Mbi 150 persona kanë humbur jetën si pasojë e një incidenti ajror të ndodhur ditën e diel në Afrikë. Një avion i linjës Etiopi-Kenia është rrëzuar për motive ende të paqarta dhe të gjithë personat që ndodheshin në bord kanë gjetur vdekjen.

Një avion pasagjerësh i llojit “Boeing” është rrëzuar të dielën gjatë një fluturimi nga Etiopia për në Nairobi të Kenias dhe për pasojë kanë gjetur vdekjen 157 persona. Sipas mediave ndërkombëtare, në bord ndodheshin 149 pasagjerë të 33 kombësive të ndryshme dhe 8 anëtarë të ekuipazhit.

Një zëdhënës i linjës ajrore lokale ka deklaruar se incidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës, pasi avioni ishte ngritur nga aeroporti i kryeqytetit të Etiopisë, Adis Ababa. Në vendin e ngjarjes mbërritën ekipet e emergjencave, që deklaruan se nuk ka shanse për të mbijetuar.

Linja ajrore e Etiopisë është shumë popullore në kontinentin afrikan dhe ka një reputacion të fortë sa i takon sigurisë. Megjithatë, në vitin 2010 një nga avionët e saj u rrëzua në detin Mesdhe pak momente pasi ishte ngritur nga aeroporti i Beirutit. Në incident humbën jetën 90 persona që ndodheshin në bord.

Sidoqoftë, aksidenti me numrin më të lartë të viktimave deri më sot rezultonte ai i vitit 1996, gjatë një pengmarrjeje të fluturimit nga Adis Ababa në Nairobi. Një nga motorët e avionit u fik kur karburanti mbaroi dhe pavarësisht përpjekjeve të pilotëve për një ulje emergjente në ujë, mjeti u përplas me një barrierë koralore në Oqeanin Indian dhe 123 nga 175 pasagjerët në bord mbetën të vrarë./abcnews.al

6w993qhighc0.bild_.jpg
ad min21:33 | 16/01/2019

Pas 19 orë terror, të shtëna dhe gjakderdhje ka marrë fund sulmi në një kompleks luksoz biznesi në kodrat e Nairobit në Kenia, që ka lënë pas 14 të vdekur dhe dhjetëra persona të humbur.

Një sulm i nisur të martën nga një grup militantësh në hotelin më luksoz të Nairobit, në Kenia, ka marrë fund pas 19 orësh, kur të gjithë terroristët janë vrarë. Lajmi është konfirmuar nga autoritetet lokale, sipas të cilave nga sulmi të paktën 14 persona kanë humbur jetën, ndërsa 50 të tjerë konsiderohen të humbur. Grupi somalez i militantëve Al Shabab mori përsipër përgjegjësinë e sulmit. Nuk dihet ende se sa agresorë morën pjesë në të, por presidenti i Kenias ka deklaruar se të përfshirë ishin 5 terroristë të cilët janë ekzekutuar nga forcat e sigurisë.

Ndërkohë, dy persona të tjerë të lidhur me atentatin u arrestuan gjatë një seri bastisjesh që policia kreu ditën e mërkurë. Veç numrit të viktimave dhe personave të konsideruar të humbur, rreth 700 të tjerë që ndodheshin në hotelin “DUSIT” u evakuuan gradualisht gjatë atentatit. Mes viktimave është edhe një shtetas amerikan, Xhejzon Shpindler, i cili në vitin 2001 u kishte mbijetuar sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork.

Hoteli me 5 yje “DUSIT D2” ndodhet në periferinë Uestlends, fare pranë zonës financiare të Nairobit dhe shërben edhe si kompleks biznesi ku nënshkruhen marrëveshje të ndryshme. Në të qëndrojnë shpesh politikanë të huaj, biznesmenë, sportistë dhe artistë. Në vitet e fundit Kenia ka parë një rritje të sulmeve terroriste, të verifikuara kryesisht në zonat pranë kufirit me Somalinë dhe në kryeqytetin e vendit./abcnews.al

 

Kipchoge.jpg
ent ela21:41 | 16/09/2018

Një rekord i madh u vendos në garën e maratonës në atletikë. Në Berlin, kampioni nga Kenia, Kipçoge vrapoi shumë më shpejt sesa rekordi i dikurshëm.

Sa kohë do të duhet për të ulur kufirin mitik të 2 orëve?
Ndoshta 10 vjet apo më pak, ndërsa triumfi më i fundit i njeriut në garën e maratonës ndodhi këtë të diel në Berlin.
Keniani Eliud Kipçoge jo vetëm mbrojti titullin e fituar vjet në kryeqytetin e Gjermanisë, por edhe e uli në mënyrë dramatike kohën e rekordit të mëparshëm.

Ai kaloi finishin e garës më të gjatë e më të vështirë të atletikës, me kohën 2 orë, 1 minutë e 39 sekonda, plot 78 sekonda më pak sesa Denis Kimeto në vitin 2014 po në Berlin. Veterani 33-vjeçar i shtoi emrit të tij edhe një tjetër lavdi, pas titullit kampion olimpik dhe sukseseve të shumta në karrierë. Kipçoge u bë keniani i katërt radhazi që ia del, ndërsa vendi afrikan po krijon një traditë që më parë i takonte sidomos Etiopisë.

Koha e tij pritet të pranohet zyrtarisht nga Federata Botërore e Atletikës, pas kontrollit antidoping, por besohet se rekordi të mbetet. Përparimi njerëzor në Maratonë ka qenë madhështor, me gati 55 minuta të fituara në 110 vjet që rekordi njihet zyrtarisht. Kanë kaluar 2500 vjet që kur ushtari grek Feidipidi përshkoi distancën prej 42 kilometrash e 195 metrash pas betejës së Maratonës për të dhënë lajmin e fitores mbi persët, ndërsa sot ka shumë më pak dramë, por shumë më tepër aftësi nga atletët profesionistë si Kipçoge./abcnews.al

hippo-ngorongoro-e1467325367843-640x360.jpg
ad min10:16 | 13/08/2018

Një turist kinez ka humbur jetën teksa po bënte fotografi, pasi u kafshua nga një hipopotamë. Ngjarja ndodhi në Kenia të Afrikës. Chang Ming Chuang 66 vjeç, u sulmua në të njëjtin vend ku një peshkatar kishte humbur jetën po nga sulmi i kafshës disa orë më parë.

Vëtëm këtë vit në zonën në fjalë pranë liqenit Naivasha janë vrarë 6 persona nga gjigandët barëngrënës. Sipas ekspertëve mjedisorë, revolta e hipopotamëve ndaj njerëzve është rritur për shkak të cënimit të territorit të tyre. Kjo zonë është e famshme për popullim nga hipopotamët, gjirafat dhe zebrat.

Sipas dëshmitarëve, turisti kinez u kafshua në gjoks pasi u afrua më shumë se ç’duhej për të bërë një fotografi. Tashmë turistët shprehen se ndjehen të rrezikuar dhe se kërkojnë mbrojtje më të fortë nga guidat e shërbimeve të jetës së egër në Kenia./abcnews.al

obama.jpg
ad min16:07 | 17/07/2018

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, ka vizituar fshatin e lindjes së babait të tij në Kenia, ku është takuar dhe më përfaqësues të politikës në vend. Më pas, ai do të udhëtojë në Afrikën e Jugut, ku do të mbajë një fjalim me rastin e 100-vjetorit të lindjes së ish-presidentit Nelson Mandela.

Në udhëtimin e tij të parë në Kenia si ish-president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama vizitoi fshatin e origjinës së babait të tij, Kogelo, në kontenë e Siaia, rreth 400 kilometra në lindje të Nairobit.

Ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë kërceu në ritmet e muzikës tradicionale së bashku me gjyshen e tij. Gjatë qëndrimit të tij në vend, ai u takua dhe me presidentin e Kenias si dhe liderin e opozitës. Televezioni shtetëror i Kenias transmetoi pamjet e Obamës tashmë të thinjur, i cili ndodhet në vendin afrikan për të mbështetur një projekt për të rinjtë që mbështetet nga motra e tij nga babai.

Pasi të largohet nga Kenia, Obama do të jetë në Afrikën e Jugut për të mbajtur një fjalim me rastin e 100-vjetorit të lindjes së is-presidentit dhe çmimit Nobel për Paqen, Nelson Mandela./abcnews.al

rino-1280x653.jpg
ad min13:49 | 20/03/2018

Rinoceronti i fundit mashkull i bardhë i veriut ka ngrodhur në Kenia. Tashmë vetëm dy femra të llojit të tij janë gjallë në të gjithë globin. E vetmja mënyrë për të shmangur zhdukjen e tyre është përdorimi i metodës së fertilizimit in vitro.

Mashkulli i fundit rinoceront i bardhë i veriut në botë ka ngordhur në Kenia, duke lënë pas vetëm dy femra të llojit të tij. “Ol Pejeta Conservancy”, tha se rinoceronti, i quajtur Sudan, është shuar të hënën në mbrëmje në moshën 45-vjeçare, pasi është trajtuar për komplikacione, që lidhen me moshën, që kanë prekur muskujt e tij dhe kockat si dhe i kanë shkaktuar plagë në lëkurë.

“Gjendja e tij u përkeqësua shumë kohëve të fundit; nuk ishte në gjendje të ngrihej dhe po vuante nga dhimbje të forta”, thotë organizata që merret me trajtimin e kafshëve në zhdukje. Drejtori i saj, Richard Vigne, tha se ngordhja e rinocerontit do të shikohet si një moment kryesor për ruajtjen e specieve në të gjithë botën.

Tashmë vetëm dy femra të llojit të tij mbetën gjallë, që kanë lidhje gjenetike me rinocerontin Sudan. “Ol Pajeta” thekson se një kopje e materialit gjenetik të Sudan është marrë, duke mundësuar shpresë për përpjekjet e ardhshme rreth sjelljes në jetë specieve që rrezikojnë zhdukjen përmes teknikave të fertilizimit in vitro.

Rinoceronti ka jetuar në kopshtin zologjik “Dvur Krahlove” në Republikën Çeke përpara se të transferohet në Organizatën e Përkujdesjes “Ol Pajeta” në 2009-ën. Në 2017 ka pasur një fushatë të gjerë për të mbledhur fonde për një trajtim fertiliteti pasi teknikat natyrale për të siguruar pasardhës dështuan./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono