Katica Janeva

KATICA-JANEVE-NE-BURG-MBULIM.mpg_snapshot_00.22-1-1280x720.jpg
ent ela08:42 | 18/09/2019

Katica Janeva kërkon të lirohet nga paraburgimi në Shutkë. Ish-prokurorja speciale ne Maqedonine e Veriut garanton se nuk do të arratiset dhe ofron si garanci 3 apartamente. Janeva kërkon një masë më të butë për shkak të përkeqësimit të shëndetit në burg. Avokatja e saj dorëzoi në gjykatë kërkesën për të shfuqizuar masen e paraburgimit.

Aviokatja Irena Fërçkovska pretendon se Janeva nuk ka pse të jetë në paraburgim, pasi ajo eshte shkarkuar nga posti i Prokurores Publike Speciale, si dhe nga posti prokuror publik në Gjevgjeli, duke mos pasur mundesi të ndikojë  te dëshmitarët apo te lëndët.

Nderkaq  Prokuroria e Krimit të Organizuar po analizon nëse ish-shefes së Prokurorise Speciale do t’i zgjatet apo t’i zëvendësohet paraburgimi me masë më të butë.

Paraburgimi 30-ditor i Katica Janevës skadon të premten. Ajo, së bashku me Bojan Jovanovskin dhe Zoran Mileski -Kiçec, janë të dyshuar ne rastin “Zhvatja”, për marrjen e një milion e gjysmë eurove, për shfuqizimin e paraburgimit të nje biznesmeni. /ABC News Albania 24/7

MAQEDONI-JANEVA-ABCM1T1.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
ent ela16:10 | 15/09/2019

Shkarkimi i kryeprokurores Katica Janeva ka paralizuar punën e Prokurorisë Speciale në Maqedoninë e Veriut. Lidhur me fatin e këtij institucioni pritet të diskutohet ditën e hënë në këshillin e posaçëm, ku në fokus do të jetë statusi i prokurorëve.

Mbrëmë Këshilli i Prokurorëve njëzëri vendosi që Katica Janeva të shkarkohet nga funksioni i prokurores speciale publike për shkak të sjelljes joprofesionale dhe të pandërgjegjshme. Kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Aco Kolevski njoftoi se Këshilli do të vazhdon seancën nga dita e hënë ku edhe do të diskutohet për rregullimin e statusit të prokurorëve të tjerë në Prokurorinë Speciale Publike.

“Atë të hënën do ta konstatojmë me vendim. Qëndrimi i Këshillit është që nuk ekzistojnë kushte për emërim të u.d. kryetarit në Prokurorinë Speciale duke e pasur parasysh vetë ligjin për PSP ku është theksuar se propozimin për emërim të kryeprokurorit special e jep Kuvendi. Presim propozim nga Kuvendi dhe nëse dorëzohet do të veprojmë për propozimin, pasi që ligji ende vlen”, theksoi Kolevski.

Ai nuk dëshiroi të tregojë se çfarë do të ndodh me prokurorët, por tha se sipas të gjitha gjasave do të kthehen në prokuroritë amë. Ndryshe, me shkarkimin e Janevës, u ndërpritet funksioni edhe prokurorëve të tjerë të PSP-së. Procesi për shkarkimin e Janevës filloi më 5 shtator, kur Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime me dyer të mbyllura për publikun, njëzëri dhe pa debat arriti në përfundimin që t’i propozoj Kuvendit shkarkimin e Janevës. Mandati i prokurores speciale publike Katica Janeva, e cila është në paraburgim për rastin “Reket” skadon sot. Edhe gjatë ditës së sotme kanë vazhduar përplasjet nga ana e partime maqedone për ligjin për Prokurorinë Publike. /ABC News Albania 24/7

 

 

maqedoni-kuvendi.jpg
G. P.17:13 | 05/09/2019

Komisioni parlamentar për zgjedhje dhe emërim, në Maqedoninë e veriut, ka shkarkuar nga posti i kryeprokurores speciale Katica Janevën. Vendimi që u miratua në mënyrë unanime do t’i çohet parlamentit të cilit i duhen dy të tretat e votave për ta konfirmuar.

Dhjetë faqet e raportit të Këshillit të Prokurorëve për Katica Janevën, i bindën për më pak se dy orë deputetët se ajo duhet të shkarkohet. Pa debat dhe me vendim unanim, Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe emërimeve e aprovoi konkluzionin e Këshillit të Prokurorëve dhe i propozoi kuvendit që Katica Janeva të shkarkohet.

Ilija Dimovski: Komisioni pa diskutim, me vendim të njëzëshëm, e konfirmoi propozimin që ka ardhur deri tek Kuvendi, që zonja Katica Janeva të shkarkohet nga funksioni Prokuror Publik Special, për shkak të udhëheqjes së Prokurorisë në mënyrë të jashtëligjshme, të pandërgjegjshme dhe jo profesionale.

Epilog i tillë pritet edhe në seancën plenare. Sipas paralajmërimeve të dy partive më të mëdha në vend, të gjithë deputetet do të votojnë për shkarkimin e Janevës. E dëshpërimin nga veprimet e saj nuk e fsheh deputeti i LSDM-së, Muhamed Zekiri.

“Si person, ajo i dëshpëroi të gjithë që i dhanë përkrahje. E përkrahje ajo pati edhe nga pushteti i atëhershëm, edhe opozita por edhe nga të gjitha subjektet politike, kur u emërua në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë”, tha Zekiri.

Propozimi për shkarkim tanimë është dorëzuar deri tek kryetari i Kuvendit, e ai duhet të caktojë datën e mbajtjes së seancës. Për t’u shkarkuar Janeva nevojiten 2/3 të votave, si dhe votimi me badenter./ABC News Albania 24/7

maqedonia-e-veriut.jpg
ent ela16:37 | 03/09/2019

Kryetari i Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve në Maqedoninë e Veriut, Ilija Dimovski deklaroi se të enjten është caktuar seanca në të cilën do të shqyrtohet raporti i Këshillit të Prokurorëve për kryeprokuroren speciale Katica Janeva.

Derisa në Prokurorinë për krim të organizuar çdo ditë vijnë biznesmenë dhe artistë për dëshmuar, raporti i njërës prej të dyshuarve kryesorë arriti në Kuvend.

Raporti i Këshillit të Prokurorëve për Prokuroren Speciale, Katica Janeva është i klasifikuar, e me shumë gjasë kjo do të thotë se seanca e Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve do të jetë e mbyllur për publikun. Kryetari i komisionit, deputeti Ilija Dimovski, thotë që ka interes të madh publik në këtë raport, dhe se duhet seanca të jetë e hapur, por dokumentin mund ta deklasifikoj vetëm institucioni që e ka klasifikuar.

Do të dërgoj letër deri tek kryetari i ri i Këshillit të Prokurorëve, zoti Aco Kolevski, ku do të cekë këtë dispozitë të ligjit dhe do të kërkoj deklasifikim të raportit, me mbajtjen e mundësisë që këshilli të vendos me votim për propozimin e mbrojtjes së fshehtësisë së materialit.

Dimovski potencoi dispozita ligjore që i japin të drejtë vetë anëtarëve të komisionit për të vendosur se a do të jetë seanca e mbyllur apo e hapur, por dokumente të klasifikuara nuk mund të ndahen me publikun. Nga gjithsej 13 anëtarë, 10 kanë certifikatë sigurie, dhe do të mund të marrin pjesë në seancën e Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, por kryetari Dimovski, i ftoi të gjithë deputet që posedojnë certifikatë të jenë prezent.

Deputeti i VMRO DPMNE-së nuk ishte në mundësi të ndajë detaje të raportit, por nga ajo që ai e ka parë, është i bindur, ka elemente serioze që kërkojnë veprim të menjëhershëm.

Duke dashur ta respektojmë ligjin, deri më tani në Kuvend raportin e kemi parë vetëm unë dhe zoti Talat Xhaferi dhe askush tjetër. Nga ajo që pata mundësi ta shoh, po ka elemente edhe më shumë seç duhet që Kuvendi të veproj dhe të vendos.

E përveç artistëve dhe biznesmenëve, edhe politikanëve iu erdhi radha të thirren në Prokurorinë për krim të organizuar. Sipas informatave të fundit, nesër do të dëshmojë deputetja, Frosina Remenski. /ABC News Albania 24/7

KATICA-JANEVE-NE-BURG-MBULIM.mpg_snapshot_00.22-1-1280x720.jpg
G. P.11:46 | 29/08/2019

Këshilli i Prokurorëve Publikë në Maqedoninë e Veriut, në mënyrë unanime vendosi për fillimin e procedurës për shkarkimin e prokurores speciale publike Katica Janeva për shkak të punës joprofesionale dhe joetike.

Vendimi u konfirmua nga kryetari i Këshillit të Prokurorëve Kole Shterjev. Ai shtoi se Këshilli do të duhet të përgatisë një raport të cilin do e dorëzojë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që Kuvendi të vazhdojë procedurën e mëtejshme./ABC News Albania 24/7

ali-ahmeti.jpg
G. P.20:54 | 25/08/2019

Duke folur për herë të parë në lidhje me rastin “Zhvatja”, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka deklaruar se debatet politike nuk duhet ta devijojnë zbulimin e së vërtetës. Gjithashtu, Ahmeti është shprehur i zhgënjyer nga prokurorja speciale Katica Janeva, pasi sipas tij ka krijuar një precedent negativ.

Duke komentuar skandalet e fundit me rastin “Zhvatja”, kreu i integristëve Ali Ahmeti theksoi se arsyeja që e çoi në paraburgim Prokuroren Speciale në largim Katica Janeva është lakmia. Megjithatë, Ahmeti nuk mendon se prapa këtij skandali qëndron ndokush që e ka planifikuar rastin.

“Populli ynë e ka një shprehje, një filozofi të jashtëzakonshme, lakmia e prish çdokë. Unë mendoj se këtu është punë lakmie dhe këtu sipas vlerësimeve të mia nuk ka të bëjë me ndonjë skenar, sepse për të hyrë në këto skema, se ka skenar këtu e s’ka aty, kjo do të thotë se duhet të largohemi nga objektivi për ta zbuluar të vërtetën”, deklaroi Ahmeti, raporton TV21.

Ahmeti u shpreh se ndihet i  zhgënjyer dhe i dëshpëruar nga rasti “Zhvatja”.

“Jo vetëm që jemi të zhgënjyer por edhe të dëshpëruar sepse është një jehonë mjaft e keqe për drejtësinë. Prokuroria Speciale është zgjedhur për të luftuar krimin dhe korrupsionin dhe për të vendosur drejtësinë në vend dhe jo për të hapur pisllëqe më të mëdha”, tha ai.

Ahmeti kërkoi më shumë kujdes në të ardhmen se kush po zgjidhet për Prokuror për ta luftuar krimin dhe korrupsionin. Lidhur me rastin zhvatja kanë vazhduar përplasjet edhe nga partitë maqedonase.

VMRO-DPMNE edhe sot nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion kërkon që të thërrasë në bisedë të gjithë anëtarët e LSDM-së që u përmenden në dëshminë e Orce Kamçevit. Nga LSDM janë të sigurtë se asnjë anëtar i tyre nuk është i përzier në këtë rast. Në mbledhjen e fundit të partisë, as që kanë kërkuar ata të prononcohen për akuzat sepse u besojnë./ABC News Albania 24/7

KATICA-JANEVE-NE-BURG-MBULIM.mpg_snapshot_00.22-1-1280x720.jpg
ent ela14:16 | 22/08/2019

E shoqëruar nga agjentë policie, prokurorja speciale në detyrë në Maqedoninë e Veriut, Katica Janeva ka marrë pjesë në varrimin e nënës së saj, e cila ndërroi jetë një ditë më parë.

Kërkesa për të marrë pjesë në varrim gjykatësit iu dorëzua nga avokatët e saj. Prokurorja për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit Villma Ruskoska deklaroi se ishte njerëzore t’i lejohej Janevës që të merrte pjesë në varrimin e nënës së saj. /ABC News Albania 24/7

KATICA-JANEVE-NE-BURG-MBULIM.mpg_snapshot_00.22-1280x720.jpg
ent ela09:11 | 22/08/2019

Gjykata Penale e Shkupit ka caktuar masën arrest me burg për 30 ditë për Katica Janevën. Prokurorja speciale u arrestua me dyshimet për abuzim me detyrën në atë që njihet si cështja “Zhvatja”.

Gjykatësi i procedurës paraprake i ka caktuar paraburgim prej 30 ditëve Prokurores Speciale Katica Janeva, pas më shumë se katër orë të seancës dëgjimore në Gjykatën Penale të Shkupit. E shoqëruar nga policia ajo është dërguar në paraburgim në Burgun e Shkupit. Prokurorja e Prokurorisë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit Vilma Ruskovska ka deklaruar se nuk do të kërkonte paraburgimin nëse nuk kishte dëshmi të mjaftueshme dhe se për momentin kjo masë është e domosdoshme.

“Hetimet mund të vazhdojnë gjashtë muaj, mund të kërkojmë edhe vazhdimin e paraburgimit, por nëse duam që edhe më tej të qëndrojë paraburgimi, në afat prej tre muajve patjetër të ngritet aktakuza”.

Me kërkesë të avokatit të saj, Janeva nesër do të marrë pjesë në varrimin e nënës së saj që kishte ndërruar jetë sot në mëngjes. Ajo, në këtë ceremony mortore, sic njoftohet do të jetë e shoqëruar nga policia. Paraparkisht Prokuroria Publike kërkoi paraburgim për prokuroren speciale publike Katica Janeva për shkak të dyshimit të bazuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve, në lidhje me lëndën “Zhvatja”. Policia pasditen e sotme me urdhër të Prokurorisë Publike e ka arrestuar Katica Janevën në shtëpinë e saj. Policia pasdite ka konfiskuar mobilje dhe gjësende tjera nga shtëpia e Katica Janevës në një lagje të Shkupit prej se ajo u dërgua atje pas bastisjes në zyrën e saj në ambientet e Prokurorisë Speciale, ku thuhet se i është marrë edhe kompjuetri i saj personal.Edhe pse disa media kishin publikuar se përpos aksionit për arrestimin e Janevës është zhvilluar edhe aksion për arrestimin e personave tjerë të dyshuar për rastin “Zhvatja”, prokurorja Ruskoska, i demantoi këto shkrime duke thënë se për momentin, hetimi është zgjeruar vetëm me emrin e Janevës. /ABC News Albania 24/7        

 

MBULIM-ARRESTOHET-JANEVA.mpg_snapshot_00.08-1280x720.jpg
ent ela14:43 | 21/08/2019

Prokurorët në Maqedoninë e Veriut kanë kërkuar paraburgim për ish-prokuroren speciale Katica Janeva, pasi kanë fakte se ajo ka keqpërdorur detyrën e saj. Janeva u arrestua paraditen e së mërkurës nga policia, e cila bastisi shtëpinë dhe zyrën e saj në kërkim të të dhënave mbi çështjen “Zhvatja”.

Prokurori Publik i Maqedonisë së Veriut Lubomir Joveski në një konferencë të jashtëzakonshme të shtypit theksoi se kanë fakte që Janeva ka realizuar përfitim personal prej rreth 290 mijë denarëve, apo rreth 5 mijë eurove, duke ndikuar në procedurë dhe mundësuar lehtësimin e pozitës së të dyshuarit në rastin “Perandoria”.

Ai tha se prokurorja speciale publike e ka keqpërdorur pozitën zyrtare dhe ka realizuar përfitim personal me atë që së pari ka ndikuar në lirimin nga paraburgimi dhe kthimin e dokumenteve të udhëtimit, dhe më pas ka propozuar të lehtësohet pozita e të dyshuarit në rastin “Perandoria” me pranimin e tij si dëshmitar në procedurë.

Lubomir Jovevski, prokuror publik shtetëror:Prokurori Publik që udhëheq procedurën urdhëroi zgjerimin e hetimit kundër Prokurores Publike, e cila është ndaluar dhe Prokuroria nga Gjykata kompetente do të propozojë përcaktimin e masës së paraburgimit. Nga dëshmitë e siguruara u vërtetua se Prokurorja Publike ka shfrytëzuar detyrat dhe autorizimet zyrtare që I ka pasur sipas Ligjit për Prokurorinë Speciale dhe Rregulloret nga Ligji për Procedurë Penale, që për vete dhe persona të tjerë, të përfitojë dobi pronësore me një shumë të konsiderueshme”.

Policia pasditen e sotme me urdhër të Prokurorisë Publike e ka arrestuar Katica Janevën në shtëpinë e saj në lagjen Kozle. Ajo në shoqërinë e policisë është sjellë në PSP. Prokurorja Villma Ruskoska pohoi se policia ka hyrë në PSP me urdhër që të merret kompjuteri i Janevës.

Policia pasdite ka konfiskuar mobilie dhe gjësende tjera nga shtëpia e Katica Janevës në një lagje të Shkupit prej se ajo u dërgua atje pas bastisjes në zyrën e saj në ambientet e Prokurorisë Speciale, ku thuhet se i është marrë edhe kompjuteri i saj personal.

Merret vesh se është bastisur edhe shtëpia e saj në Gjevgjeli. Konfiskimi sipas të gjitha gjasave është bërë për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare dhe përfitimeve personale në rastin “Zhvatja” ku gjatë ditës është përmendur shuma e pesë mijë eurove që ajo ka marrë nga të dyshuarit në këtë rast.

Edhe pse disa media kishin publikuar se përpos aksionit për arrestimin e Janevës është zhvilluar edhe aksion për arrestimin e personave tjerë të dyshuar për rastin “Zhvatja”, prokurorja Ruskoska, i demantoi këto shkrime duke thënë se për momentin, hetimi është zgjeruar vetëm me emrin e Janevës.

Katica Janeva, e cila u përmend në incizimet që i publikoi gazeta italiane “La Verita”, dje ishte në seancë dëgjimore në Prokurorinë Publike për Krim të Organizuar për rastin “Zhvatja”./ABC news Albania 24/7

janeva-1280x726.jpg
G. P.20:56 | 20/08/2019

Kryeprokurorja speciale në ikje e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva ka dëshmuar të martën në lidhje me çështjen “Zhvatja”. Në një prononcim për mediat, Janeva është shprehur e bindur për pafajësinë e saj dhe tha se me dëshminë e dhënë do të përshpejtojë hetimet.

Për dallim nga konferenca për media që e pati disa javë më parë, ku shihej se ishte e në humor jo të mirë, kësaj radhe Janeva dukej me e qetë. Erdhi në Prokurorinë për krim të organizuar dhe korrupsion të lartë, madje edhe u ndal dy herë për të folur rreth rastit “Zhvatja”. Para se të hyjë në prokurori nuk dha shumë detaje…

“Sa i përket deklaratës sime sot, shpresoj se me argumentet e mia dhe me deklaratën time do ta përshpejtoj hetimin”.

E pasi doli, edhe pse avokati i saj tentoi që ta ndalë…

“Nuk je duke dhënë deklaratë para autoriteteve…”.

Ajo u përgjigj në disa pyetje, por gjithmonë duke u mbrojtur se nuk mund të flasë më shumë për shkak procedurës hetimore.

“Bëhet fjalë për dy telefona që i kam përdorur, të dy janë marrë dhe janë dorëzuar për analizë në prokurori”, tha Janeva.

“Por nuk janë konfiskuar kur janë kërkuar, por më vonë pasi janë formatuar…”!?

“Jo, bëhet fjalë për telefon të tretë që është i humbur”, u shpreh Janeva.

Ajo nuk deshi të përgjigjet në pyetjen se a ka politikan të përzier, kurse nuk e di as se ku është Orce Kamçevi, i dyshuari kryesor në rastin “Perandoria” me të cilin Janeva thotë se ka folur për ta bindur për të nënshkruar marrëveshje./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono