kanë

turqi-zgjedhjet-1280x877.jpg
ent ela19:34 | 02/04/2019

Të gjitha partitë politike në Turqi janë njoftuar zyrtarisht për rezultatin paraprak të zgjedhjeve ndërkohë që ka nisur procesi i ankimimit. Dhe pse partia e presidenti Erdogan mbetet parti e parë, si më e votuara, opozita ka rritur të fitojë në qytet të mëdha si Ankara dhe Stamboll.

Kryetari i Komisionit të Lartë Zgjedhor të Turqisë, Sadi Güven, konfirmoi se partitë politike në vend janë vënë në dijeni për rezultatet paraprake të zgjedhjeve vendore të së dielës dhe se aktualisht po vijon procesi i akimimit.

Në zgjedhjet vendore morën pjesë 12 parti politike, ndërsa kandidatët garonin për një mandat 5 vjeçar. 57 milion turq kishin të drejtën e votimit për të zgjedhur përveç kryebashkiakëve dhe anëtarët e këshillave të qyteteve, përfaqësuesit e njësive më të vogla administrative si dhe anëtarët e këshillave komunalë.

Sipas rezultateve paraprake, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e presidentit turk Erdogan fitoi në 39 provinca, duke përfshirë 15 metropole.

Partia Republikane Popullore në opozitë udhëheq garën për kryebashkiakun e Stambollit pasi kandidati i saj Ekrem Imamoglu prin me 48.79 për qind të votave ndaj kandidatit të partisë AK, Binali Yıldırım që mori 48.51 për qind të votave.

Edhe në garën për kryetar të Ankarasë kryeson kandidati i opozitës, Mensur Yavas me 50.91 për qind të votave kundrejt kandidatit të partisë AK, Mehmet Özhaseki me 47.1 për qind të votave./abcnews.al

ardian-hackaj-1280x743.jpg
ent ela21:46 | 26/03/2019

Ardian Hackaj i cili është Drejtori i Hulumtimeve shpreson dhe beson që në Qershor Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Ai më tej në studion e emisionit “Provokacija”, ka komentuar situatën politike në vend duke iu referuar faktit se opozita ka djegur mandatet dhe ka dalë jashtë Parlamentit. Ai është shprehur se në këtë rast ndërkombëtarët kanë frikë nga krijimi i një precedenti.

Mustafa Nano: Unë do të doja një mendimin tuaj pasi ka shumë pritshmëri ose mungesë shprese në opinionin publik me atë që do të ndodhi në Qershor ku pritet të merret edhe statusi i kandidatit. Ka gjasa që do ta marrin statusin e kandidatit për në BE?

Ardian Hackaj: Është pyetje 1 milion dollarësh! Shpresoj që po, besoj që po nëse të gjitha palët dëshirojnë që negociatat të bashkëpunojnë në rastin më të mirë dhe në rastin më të keq të mos vënë stërkëmbësha në mënyrë që ky proces të pengohet.

Mustafa Nano: Në terma deklarativë të gjithë e duam por ne jemi në një situatë politike, ku kemi opozitën që ka dalë jashtë dhe ka marrë vendimin e djegies së mandateve. Është një vendim që nuk është kuptuar deri më tani nga faktorët ndërkombëtar. Unë mendoj se kjo mund ta komprometojmë gjithë procesin dhe si mund t’i jepet statusi i kandidatit një vendi që ka probleme të tilla…

Ardian Hackaj: Është një pyetje që ne e kemi hasur shpesh me partnerët tanë evropianë në këtë rast. Por ajo që kemi vëne re dhe që është shumë interesante, është qëndrimi që kanë mbajtur partnerët tanë në lidhje me procesin e djegien së mandateve nga ana e opozitës. Të gjithë kanë kërkuar që jeta parlamentare të vazhdojë në një mënyrë a në një tjetër. Në mendimin tim ky front do të thoja i partnerëve tanë në BE dhe SHBA vjen nga fakti se në këtë rast të caktuar ajo që ka ndodhur është që vendimi i opozitës i mirë apo i drejtë nuk më përket mua ta vlerësoj. Por gjykohet si një kërcënim ndaj sistemit demokratik ku diskutimi politik bëhet në institucione të caktuara. Ajo që partnerët tanë ndërkombëtar por edhe njerëzit që janë të interesuar nuk dëshirojnë do të thoja krijimin e një precedenti./abcnews.al

arian-1280x714.jpg
ent ela22:25 | 08/03/2019

Pedagogu dhe njëherësh kryetar i LDE Arian Galdini në studion e emisionit “Provokacija” është shprehur se palët politike në këtë situatë ku jemi janë bërë bashkë ose për të penguar reformën në drejtësi ose për ta ndarë atë.

Sipas tij gjithë kjo lojë politike e cila mund të përfundojë edhe në konflikt civil po bëhet nga një grusht njerëzish për të negociuar të ardhmen e tyre politike.

“Klasa politike shqiptare ka arritur në një pikë ku nuk po ndan dot më atë që quhet pazari i madh për produktin që do të japë reforma në drejtësi. Palët politike besoj se deri më tani e kanë luajtur mire rolin polici i mirë polic i keq, mendimi im personal e kanë ndarë me marrëveshje. Unë mendoj se çdo gjë që ka ndodhur tashmë pas marrëveshjes së 17 Majit, pra edhe konfliktet edhe ky që po ndodh tani në këto momente edhe konflikte dhe paqet kanë qenë të dakortësuara mes palëve. Ky është një lloj mekanizmi maksimal që palët prodhuan dhe ata shpresuan që do të kishte mbështetje popullore me pjesëmarrje të gjerë, gjë që nuk u arrit dot.

Palët synonin sepse Edi Rama ishte në pozitën e tij më të vështirë. Kishte kërkesa nga ndërkombëtarët për të pastrua qeverinë nga elementë të akuzuar për korrupsion. Ai tentoi në Gusht-Shtator të hiqte një pjesë të ministrave por nuk mundi t’i hiqte. Lëvizja studentore e vendosi qeverinë në trysni dhe ia bëri të lehtë vetes ndryshimin e ministrave. Protesta ishte organizuar nga të tre palët bashkë, ndoshta katër. Unë mendoj që kanë qenë bashkë dhe mendoj se janë bashkë edhe sot e kësaj dite. Po sepse palët nuk ndajnë dot pazarin, nuk zgjidhin dot lider. Terreni është i ndarë është me parcela.

Po ta shikoje protestë e studentëve ishte me parcela nga të rinjtë e partive. Partitë kanë një inteligjencë instiktive mbrojtëse. Mos të harrojmë se procesi i reformës në drejtësi është gati-gati historik. Në Shqipëri po bëhet për herë të parë një reformë në drejtësi, me një qëllim të caktuar për të dhënë një produkt të caktuar. Këta janë njerëzit kryesorë që do të vendosen përpara kësaj drejtësie.

Të gjitha këto veprime që po bën klasa politike shqiptare po i bën kundër reformës në drejtësi sepse ata kanë dy qëllime: ose ta ndalin ose të negociojnë produktin e saj. Shantazhi që po bëhet me djegien e mandateve dhe tentativa për të çuar Shqipërinë drejt një konflikti civil, radikalizmi i situatës, Rama që sillet si triumfator… Po ta shikoni me kujdes dhe po ta analizoni gjithë këtë proces për mua si qytetar, si pedagog, si politikan janë një grup njerëzish të cilët për të negociuar të nesërmen e tyre politike janë të gatshëm t’i vënë zjarrin Shqipërisë”. /abcnews.al

mustafa-nano-1280x706.jpg
ent ela20:45 | 01/03/2019

Këngëtarja amerikane me origjinë shqiptare, Bebe Rexha sapo ka nxjerrë një këngë të re me titullin “Last Hurrah” (Urra-ja e fundit), dhe në videoclipin e publikuar në youtube shihen mes të tjerash skena lezbikesh e homoseksualësh, mes të cilëve vërtitet vetë këngëtarja me veshje e poza sensuale. Pamje të videoclipit po rrjedhin edhe në ekran.

Ka ndonjë gjë që nuk shkon në këtë mes? Bah, ju e dini qëndrimin tim lidhur me këtë argument. Unë jam kundër manisë për të lozur pa fund me lakuriqësinë, pasi kjo gjë, në mos tjetër, ushqen dukurinë e hiperseksualizimit të mjedisit e botës ku jetojmë, me fjalë të tjera inkurajon praktikat e sjelljet që rreken të përcjellin mesazhin se njeriu, sidomos gruaja, është vetëm e thjesht një objekt seksual, e për rrjedhjë gruaja, po nuk qe e bukur dhe ndjellëse, nuk vlen asgjë, nuk i duhet as dreqit. Dhe kuptohet pra, që këtë kritikë nuk e bëj nga pozitat e një njeriu konservator, sepse nuk jam i tillë, veç i tillë nuk jam, dhe kjo pak a shumë dihet. Mua më pëlqen sa s’ka ku të shkojë një vajzë lakuriqe. Çfarë nuk më pëlqen, është banalizimi i lakuriqësisë.

T’ju them të drejtën, lakuriqësia në art e në muzikë nuk më shqetëson. Ndoshta ngaqë kam bërë timen idenë se një artisti po t’i hiqet e drejta për të eksperimentuar, për t’i shtyrë kufijtë e eksplorimit, për të qenë i lirë, tërësisht i lirë, ai si zor të jetë artist.  E kështu, nuk më shkon mendja të kritikoj Bebe Rexhën. Lëri të tjerat, por në këtë mes problemi nuk do të ishte i Bebe Rexhës. Kjo e fundit nuk është se ka bërë ndonjë gjest prej pioneri. Jo, kjo është e fundit që po e heq këtë valle.

Por le ta lëmë mënjanë këtë çështje, me të cilën jam marrë edhe herë tjetër. Është diçka tjetër, ku duhet të ndalem. Babai i këngëtares, Flamur Rexha, ka mbetur keq prej videoclipit të së bijës. Dhe i ka shkruar një sms, ku i thotë: “Mjaft më me këtë pornografi, që m’i sjell zorrët te goja! Më ka ardhur në majë të hundës. Më ke turpëruar. Më ke bërë të mos shkoj në asnjë vend.” Bebe Rexha e ka hedhur këtë reagim të babait në Instagramin e saj, të shoqëruar me shënimin: Im’atë më urren. Një veprim mendjelehtë dhe i pamend, sigurisht, pasi me këtë ajo e bëri babain personazh të lajmeve të botës, gjë që ai nuk e kishte kërkuar e synuar. Flamur Rexha nuk është si Thomas Markle, i ati i dukeshës së Suseksit, që po ia nxin jetën së bijës faqe botës, thjesht se kjo është mënyra që të jetë në qendër të vëmendjes. Jo, Flamur Rexha nuk ka kërkuar ndonjë vëmendje. Ai i bëri një qortim të bijës në rrugë private.

Por pasi thashë këtë, më duhet të them se qortimi i tij është ai i një burri shqiptar. I një babai shqiptar. Ai nuk e ka hallin që e bija po bën një gjë të gabuar, por që e bija po bën një gjë, me të cilën po turpëron të atin. Ai nuk limitohet t’i thotë së bijës 29 vjeçare që ti ke turpëruar veten, dhe në këtë rast do të kishim të bënim me një opinion, me një qëndrim kundër apo pro një norme të caktuar morale, por i thotë që “ti më ke turpëruar mua”. Është këndshikim tipikisht e pastërtish kanunor, sipas të cilit gruaja e vajza i vë njollë familjes me gjërat e gabuara që bën, se gruaja e vajza nuk kanë një nder, integritet, personalitet të tyren, që mund ta njollosin. Ato mund të bëjnë gjënë më perverse të përfytyrueshme, por me këtë nuk i bëjnë asgjë vetes, sepse ato vetë janë – këtë po e them unë, ë, jo kanuni – sepse ato vetë pra janë si balta, në mos si gjirizi, bëjnë pis, por nuk bëhen pis. Dhe në perëndim këtë nuk e kuptojnë, prandaj e kanë qortuar babain e Bebe Rexhës.

Unë e di, janë me mijëra, në fakt me qindra mijëra, shqiptarët e këtyre anëve që provojnë empati për Flamur Rexhën. E megjithatë nuk është dëgjuar ndonjë kritikë për Bebe Rexhën. Me siguri, janë të njëjtët, duhet ta themi këtë, me pak përjashtime janë të njëjtët që eksitohen prej gjoksit e shalëve të Bebe Rexhës, e në përgjithësi prej gjoksit e shalëve të një vajze sensuale, por nuk do donin që këto gjokse e shalë të ishin të bijave të tyre. Kështu jo, jo, kështu rrëmbehen thikat dhe hanxharët, dhe gjaku shkon deri në gju. Bijat shkojnë në botën tjetër, dhe familjes në këtë botë i mbetet nderi. Se njeriu për një nder rron, apo jo? Si thuhet në Kanun? Dy gisht nder në lule të ballit na i ngjiti i madhi Zot. Dhe fjala është për nderin e burrave, pasi në Kanun veç për këtë flitet, për nderin e burrave. Dhe nderin e burrave dihet se kush e kanë në dorë. Gratë./abcnews.al

uuu-1280x662.jpg
ent ela11:45 | 28/02/2019

Ambasadori serb në Tiranë deklaroi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë kanë hyrë në një atmosferë të re bashkëpunimi  dhe kjo falë klimës pozitive . Sipas Miroljub Zariç një nga fushat ku ky bashkëpunim është shtrirë është edhe rinia ku ka shumë mundësi bashkëpunimi në arsim, kulturë dhe sport.

 Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë kanë hyrë në një atmosferë të re bashkëpunimi dhe kjo falë klimës pozitive që është krijuar nga drejtuesit e dy qeverive, tha nga Kukësi Ambasadori Serb në Tiranë Miroljub Zariç.

“Është shumë e rëndësishme që të rinjtë nga Serbia dhe Shqipëria  janë takuar se pari në Serbi dhe tani në Shqipëri dhe kanë  vendosur miqësi të reja.  Jam i sigurt se  ata janë një përfaqësues të një ure të re bashkëpunimi në mes Serbisë dhe Shqipërisë. Një takim i tillë nuk mund të realizohej pesë vite më parë. Ky takim është vazhdimësi e një shpirti të ri,e një atmosferë të re të marrëdhënieve në mes dy vendeve tona. Kjo klimë është krijuar falë dy kryeministrave Vuçiç dhe Rama”.

Ambasadori Zariç foli pozitivisht edhe për marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve

“Në mes dy vendeve tona është vendosur një bashkëpunim të ri ku më rëndësishmja është ekonomia. Vitin e kaluar marrëdhëniet tregtare në mes Serbisë dhe Shqipërisë kapën shifrën e 191 milionë euro në një kohë kur në 2005 ishin   vetëm 41 milionë euro. Ka shumë mundësi bashkëpunimi për të rinjtë në arsim,sport e kulturë.”

Prej nëntë muajsh  organizata “Partnerë për Fëmijët” në Shqipëri në bashkëpunim me  organizatën serbe “Pomoc Deci” ka realizuar disa projekte sociale në Kukës dhe disa qytete të Serbisë në shërbim të komunitetit. Te rinjtë nga Kukësi dhe Serbia kanë ndarë përvojat e punës së tyre në partneritet. Miroljub Zariç i bëri këto deklarata gjatë konferencës rajonale përmbyllëse të projektit “Të rinjtë Shqiptarë dhe Serbë, së bashku për përfshirjen sociale” që u mbajt në qytetin e Kukësit./abcnews.al

polici-1280x769.jpg
ent ela16:50 | 12/02/2019

Polici Berhan Bajrakurti ka mohuar kategorikisht akuzat e ngrituar ndaj tij për ngacmim seksual ndaj një minoreneje. Në hetusi ai ka thënë se: “S’kam folur me asnjë vajzë 15-vjeçarej, videon ma kanë marrë nga telefoni”. Ndërkohë policia është vënë në kërkim të denonuesit të videos, por ende nuk kanë gjetur vajzën për të cilën dyshohet se polici ka abuzuar seksualisht./abcnews.al

 

ahmeti.jpg
G. P.20:52 | 07/02/2019

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti në një lidhje direkte për emisionin “Mbrëmje Ide” ka folur për aderimin e Maqedonisë në NATO, për arrtiejn e Marrëveshjes së Prespës dhe ndryshimet Kushtetuese në Maqedoni.

“Kjo është një arritje e madhe për Maqedoninë, për tërë rajonin dhe për Europën. Është një moment që krijon më shumë siguri dhe stabilitet jo vetëm për vendin por edhe për rajonin dhe Europën. Uroj që në të ardhmen të punohet edhe më me përkushtim që vendi të jetë anëtar i plotë në BE”, tha Ahmeti.

Duke folur për Marrëveshjen e Prespës, ai komentoi vështirësitë të cilat u zgjihen dhe çuan në një rezultat pozitiv.

“Shqiptarët kanë fituar nga Marrëveshja e Prespës po aq sa kanë fituar nga Marrëveshja e Ohrit. Në Maqedoni kemi pasur një momet të vështirë. Maqedonasit kanë qenë peng i ndryshimit të emrit të shtetit. Ky problem ka zgjatur ma shumë se një çerek shekulli dhe më në fund u arrit ky moment historik.

Zgjidhja e çështjes së emri ka qenë problemi kryesor që duhej të kapërcehej që ne të fillonin bisedimit në struktura e shumëprituta nga qytetarët tanë. Në këtë pikë të gjithëkemi kanë qenë bashkarisht. Ka patur ngarkesa emocionale, se me ndyshimin e emrit do të ndryshonte identitedhe dhe historia. Por gjuha është po ajo që ishte. Por janë bërë vetëm disa korrigjime të vogla në histori”.

Duke folur për ndryshimet kushtetuese dhe përfshirjen e shqiptarëve ai është shprehur se:

“Sigurisht që është ndryshuar preambula e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë dhe shqiptarët si komb dhe kumunitet janë pjesë e shtetbërjes së Maqedonisë. Në jemi në Kushtëtutë më përfshirjen e Marrëveshjes së Ofrit. Ndërsa përfaqësimi më 20% do të ndodhë sepse nga ky përfaqësim Kushtetuta nuk cënohet”./abcnews.al

5d793f0c-23ef-48d3-a36f-395436f9a714-1280x683.jpg
ent ela10:48 | 02/02/2019

Turin e takimeve me qytetarët për t’i ftuar ti’ bashkohen më 16 Shkurt në Tiranë në protestën e thirrur për largimin e Kryeministrit Rama, kryedemokrati Lulzim Basha e vijoi në Ballsh ku qytetarëve i përsëriti qëllimin për heqjen e taksës “Rama” për karburantin dhe hapjen e vendeve të punës me paga dinjitoze. Gjatë bisedave me qytetarët, Basha u shpreh se rrugët politike kanë mbaruar, ndërsa i ftoi që të marrin në dorë fatet e tyre.

Basha bashkëbisedon me një naftëtar i cili ka udhëtuar 140 KM nga Ballshi në Tiranë në këmbë për të kërkuar të drejtën e tij.

Naftëtari: Edi Rama erdhi dhe gënjeu 1 mijë punëtorë dhe u tha, do t’ju jap lekët dhe nuk u ka dhënë asnjë qindarkë.

Basha: Rrugët politike kanë mbaruar. Tani është në dorën e popullit. Është në dorën tuaj.

Naftëtari: Edi Rama erdhi dhe gënjeu 1 mijë punëtorë dhe u tha, do t’ju jap lekët dhe nuk u ka dhënë asnjë qindarkë. Burrë shteti je kur mban fjalën. Ne nuk po themi se fjala mbahet 100%, por të shkojë deri në 60%, si vjen e më gënjen mua? Ne kemi punuar atje dhe ai vjen e thotë do t’ju jap lekët e nuk na i jep.

Basha: Ai ka bërë pasuri për Beson, shokët e Besos dhe miqtë e tij. Ju e dini fare mirë se çfarë i ka bërë lekët ai. Lekët i ka ndarë me njerëzit e tij.
Naftëtari: Kam ardhur në këmbë 140 KM në Tiranë, erdhën naftëtarët thuajse për një pjatë supë. Unë erdha për lekët e mia dhe jo për një pjatë supë. Qëndruam edhe në shi dhe nuk erdhi asnjë qeveritar.

Basha: Unë e kam ndjekur problemin e naftëtarëve që në fillim. Ne jemi në pellgun më të madh naftëmbajtës të Europës. Në Bashkinë ku vjen era naftë, këtu nuk ka një qindarkë për naftën që përpunoni. Statusin e naftëtarit nuk ju dha. Sepse paratë shkojnë vetëm në një drejtim. Kjo punë do të zgjasë derisa ju t’i jepni fund. Ejani në Tiranë më 16 shkurt t’i jepni fund! Edi Rama ju ka lënë në harresë, kjo lexohet e kuptohet sapo ju jap dorën, akoma pa shprehur hallet tuaja.

Në Ballsh më shumë se dielli që ka dalë dhe nuk e ka kohën, mikëpritja, entuziazmi, besimi dhe shpresa tek e nesërmja, që gjeta në çdo shtrëngim dore, dhe çdo urim tuajin. Kemi qenë së bashku shpeshherë gjatë këtyre viteve në këtë shesh, në rrugë, në fshatra, shtëpitë tuaja, me kryetarin e Bashkisë, deputetët e zonës, kemi qarë hallet bashkë.

Nuk harroj vizitat që kam pasur me familje të cilat kanë humbu kryefamiljarë, në aksidente të përsëritura, me papunësinë që sa herë kam ardhur e kam gjetur më të shtuar,m me sipërmarrjen që është në krizë totale me rënien e fuqisë blerëse.

Sa herë që vij rruga nga Patosi deri këtu bëhet më e keqe dhe akoma më e keqe nga këtu e në Fratar. Zemërimi juaj, zhgënjimi juaj, nga braktisja totale dhe harresa që ju ka lënë Edi Rama dhe banda me të cilën sundon vendin, lexohet e kuptohet sapo ju jap dorën, akoma pa shprehur hallet tuaja./abcnews.al

veliaj-1-1280x657.jpg
ent ela15:44 | 26/01/2019

Duket se thirrja e Bashkisë së Tiranës për të kontribuuar në rikonstruksionin e konvikteve, po gjen mbështetje nga bizneset në kryeqytet. Kryebashkiaku Erion Veliaj thekson se mbështetja e bizneseve, ndihmon dhe lehtëson më tej jetën e çdo studenti.

Apelit të Kryeministrit Rama dhe Bashkisë së Tiranës për të kontribuar në rikonstruksionin e konvikteve në Qytetin Studenti, kanë nisur  t’i përgjigjen pozitivisht bizneset. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Veliaj tha se nismës adopto një konvikt i është përgjigjur dhe familja Sadushi.

Erion Veliaj:  S’duhet të harrojmë të vlerësojmë qytetarët tanë, duke nisur nga fëmijët e familjes Sadushi, të cilët patën idenë të ishin kontribuues në kauzën për të rregulluar konviktet e “Qytetit Studenti” dhe iu përgjigjën pozitivisht thirrjes së kryeministrit, e mandej nxitën prindërit e tyre. si familja e parë që iu përgjigj kësaj thirrje. 

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ftoi që kjo nismë të ndiqet edhe nga biznese të tjera të vendit , në mënyrë që t’ju shërbejë dhe të lehtësojë jetën e studentëve./abcnews.al

patozi-1280x678.jpg
ent ela20:29 | 25/01/2019

Demokrati Astrit Patozi i ftuar në “Provokacija” është shprehur se pakënaqësia e shqiptarëve ndaj politikës të kthehet në një lëvizje politike, e cila t’i japë vendit alternativë të re. Duke folur për protestën e studentëve ai tha se ishte një sinjal i keq për opozitën dhe një grusht për qeverinë.

“Ky është sinjali i keq e para për opozitën. Për qeverinë ku Edi Rama thotë se ishte shuplakë, unë do të thoja grusht hundëve ishte sepse rrëzoi treçerekun e qeverisë në njëfarë mënyre. Studentët janë sipas meje prerja më e mirë e stadit e situatës në të cilën ndodhet qeveria shqiptare. Revolta ekziston dhe ajo është edhe me qeverinë edhe me opozitën. Kjo është një revoltë e dobishme sesa të ishte kundër njërës. 

Kjo është një revoltë e cila shpresoj të ketë frute. Kjo lloj pakënaqësie duhet të përkthete në një lëzizje politikie e cila duhet t’i japë vendit një alternativë tjetër. Ne sot jemi kthyer në një vend ku nuk ke mundësi të zgjedhësh. Në Shqipëri sot duhet të jesh ose me Ramën ose me Bashën. Nuk lejohet të jesh i distancuar nga të dy. Ka shqiptarë që nuk e pranojnë këtë lloj mungese lirie për të zgjedhur. Këta shqiptarë nuk mund të rrinë. Shqipëria nuk mund të rrijë peng”./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono