kandidati

bernie-sanders-1280x715.jpg
nev ila21:06 | 02/10/2019

Kandidati për president Berni Sanders është detyruar të ndërpresë fushatën elektorale, për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjike.

Sipas mediave amerikane, pas operacionit Sanders është në gjendje të mirë, por nuk dihet nëse do të jetë gati për debatin e radhës mes kandidatëve demokratë.

Kandidati demokrat për president Berni Sanders ka anuluar eventet e fushatës së tij elektorale për shkak se i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjike.

Zoti Sanders u shtrua në spital për një bllokim në arterieje, pasi kishte përjetuar dhimbje gjoksi gjatë një takimi elektoral të mbajtur në Nevada ditën e martë.

Një këshilltar i senatorit të Vermontit deklaroi se pas operacionit ai është në gjendje të mirë, por do të pushojë në ditët në vazhdim.

Sanders, 78 vjeç, kishte njoftuar më herët se fushata e tij kishte arritur të mblidhte mbi 25 milionë dollarë fonde.

Kandidatit që synon të sfidojë Trump në vitin 2020, pas zhbllokimit të arteries i janë vendosur atje dy tuba prej rrjete, që shërbejnë për ta mbajtur arterien të hapur.

Bëhet fjalë për një procedurë të thjeshtë që kërkon një kohë të shkurtër për t’u rimëkëmbur.

Sidoqoftë, është ende e paqartë për sa kohë Sanders do të qëndrojë në regjim shtrati, në një kohë kur debati i radhës mes kandidatëve demokratë do të mbahet më 15 tetor.

Sondazhet tregojnë se ai është i treti në garën për nominimet e demokratëve, pas senatores së Masaçusets, Elizabeth Uorren dhe ish-zëvendës presidentit Xho Bajden.

Të gjithë kandidatët i kanë uruar atij shërim të shpejtë./ABC News Albania 24/7

 

 

didier-reynders-1280x711.jpg
nev ila17:15 | 15/09/2019

Njeriu që synon të mbajë postin e komisionerit të ardhshëm europian të Drejtësisë është nën hetim për pastrim parash. Bëhet fjalë për ministrin e Jashtëm belg, Didier Reinders, mbi të cilin prokuroria e Brukselit ka hapur një hetim.

Policia dhe prokuroria belge po hetojnë dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash që rëndojnë mbi ministrin e Jashtëm Didier Reinders, që synon të bëhet komisioneri i ardhshëm europian i Drejtësisë.

Reinders i ka mohuar akuzat të cilat, sipas mediave belge, lidhen me ndërtimin e ambasadës belge në Kinshasa të Kongos, me dhënien me qera të zyrave të policisë dhe mënyra të tjera.

Hetimet paraprake u shtohen atyre mbi emërat e tjerë për postet e komisionerëve, të cilët u publikuan më herët gjatë javës nga presidentja e KE-së, Ursula fon der Lejen.

Nga hetimet e kryera rezulton se paratë janë marrë ose pastruar prej tij përmes blerjes së veprave antike dhe pronave të patundshme, si dhe transaksioneve në parajsat fiskale.

Reinders, një frankofon liberal që shërben gjithashtu si zëvendës kryeministër i Belgjikës u tha gazetarëve se nuk ishte në dijeni të hetimit. Ai shtoi se i ka kërkuar avokatit të tij të kontaktojë prokurorët për të mbrojtur të drejtat e tij dhe për të mohuar dyshimet e ngritura në adresë të tij.

Hetimet mbi figurën e zyrtarit të lartë u nxitën nga deklarata e një ish-oficeri të shërbimeve sekrete belge që hetonte krimin ekonomik.

Një zëdhënës i Reinders tha se akuzat janë pjesë e një fushate dashakeqe që synon diskretitimin e figurës së ministrit./ABC News Albania 24/7

sanford.jpg
ad min08:56 | 09/09/2019

Një tjetër republikan në Shtetet e Bashkuara ka vendosur të sfidojë Donald Trump në nominimet për president. Ish-guvernatori i Karolinës së Jugut, Mark Senford ka bërë të ditur se shumë shpejt do të shpallë kandidaturën.

Ish-kongresmeni i Karolinës së Jugut, Mark Senford do të sfidojë Donald Trump në zgjedhjet e Partisë Republikanë për nominimet presidenciale.

“Jam këtu për t’ju thënë se do të hyj në garë”, ka thënë Senford në një intervistë për Fox News, ku ka shtuar se do ta zyrtarizojë kandidaturën e tij në ditët e ardhshme.

Senford bëhet kështu republikani i tretë që hyn në garë për të sfiduar Trump, i cili mbetet shumë popullor në radhët e republikanëve. Ish-guvernatori i Masaçusets, Bill Uelld dhe ish-kongresmeni nga Illinois, Xhoi Uolsh kanë nisur gjithashtu fushatat, por asnjë prej tyre nuk ka mundur të tërheqë elektoratin.

Senford, 59 vjeç, kritik i njohur i presidentit Trump, humbi postin e tij në Dhomën e Përfaqësuesve vitin e kaluar, pasi u sfidua nga një mbështetës i Trump në zgjedhjet republikane.

Në intervistën për Fox News ai tha se dëshiron të garojë për t’u ofruar republikanëve një alternativë ndaj Trump, me eksperiencë ekzekutive dhe për të rikthyer partinë në parimet e saj.

“Mendoj se si Parti Republikane ne kemi humbur rrugën tonë”, tha Senford./ABC News Albania 24/7

kennedy.jpg
ad min18:18 | 18/08/2019

Pavarësisht tragjedive të vazhdueshme që i kanë ndodhur në jetë, familja e famshme amerikane Kennedy duket e vendosur të mos tërhiqet nga skena politike. Joe  Kennedy i Treti, nip i Robert Kennedy-t, ka shprehur ambicien për të garuar për Senatin në vitin 2020.

Një tjetër anëtar i klanit Kennedy mund të zbresë në fushë dhe të synojë Senatin amerikan. 38-vjeçari Joe Kennedy i Treti, nip i Robert Kennedy, po shqyrton mundësinë për të sfiduar në zgjedhjet e 2020-s senatorin demokrat të shtetit Masaçusets, Ed Merkej.

Lajmin e bën të ditur “Nju Jork Tajms” që citon disa burime konfidenciale, sipas të cilave vendimi do të merret së shpejti. Sipas tyre, Joe Kennedy është i interesuar për Senatin dhe ka tashmë shumë mbështetës që e përkrahin.

Gjithashtu, në rrjetin social Facebook është hapur para pak ditësh profili i një grupi të quajtur “Hidhu në garë, Xho”, ku mbështetësit shpjegojnë se Senati amerikan ka nevojë për një lider aktiv dhe progresist, për t’u përballur me taktikat e liderit të republikanëve, Mitch Mçonell.

Nëse fiton garën me Merkej, Joe do të jetë Kennedy i katërt që shërben në Senat, pas parardhësve të tij Robert, John dhe Ted Kennedy. Mediat amerikane shkruajnë se një përballje eventuale mes dy ligjvënësve të Masaçusetsit do të ishte gara e profilit më të lartë në radhët e demokratëve dhe njëkohësisht një test për atë që njihet si garda e vjetër e partisë.

Gjithashtu, kontesti do të kthehej në një lloj “larjeje hesapesh” mes pasardhësit të një prej familjeve më të famshme amerikane dhe një prej figurave politike të instaluara prej më shumë se 4 dekadash në politikën e Masaçusetsit./ABC News Albania 24/7

SINKRON-KONFIRMOHET-OLSIAN-CELA_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
ent ela14:40 | 23/07/2019

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmon në detyrë prokurorin pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Olsian Çela. Kalimi i vetingut nga Çela i hap rrugën zgjedhjes së kryeprokurorit të vendit, garë kjo që zhvillohet mes 4 kandidatësh.

Trupa gjykuese vendosi që të konfirmoje në detyrë subjektin e rivlerësimit Olsian Çelën”

Konfirmimi i tij në detyrë, i hap rrugën garës për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të vendit, ku përballen Olsian Çela, Arta Marku, Fatjona Memcaj dhe avokati Lulzim Alushaj.

Gjithsesi institucioni më i rëndësishëm i hetimit do vazhdojë të drejtohet nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku, pasi duhet pritur zbardhja e vendimit të KPK-së, për Çelën,  periudhë kjo që zgjat 45 ditë dhe më pas ka 15 ditë kohë Komisioneri Publik nëse do të bëjë ankimin ndaj këtij vendimi.

Prokurori Çela u përball me Vetingun për tre kriteret e verifikimit, si ligjshmëria e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Në përfundim të hetimeve rezultoi se Prokurori Çela ishte i pastër në të tria kriteret.

Çela ka një karrierë të gjatë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërsa e ka drejtuar atë në vitet 2008-2012. Dosjet më të bujshme që ka hetuar janë: Çështja e Mirit të Xhikes, pronarit të Kartodromit, dosjen e trafikut nga grupi “Kompas”, si dhe si dosjen “Xibraka”./ABC News Albania 24/7

petraq-milo.jpg
ad min12:32 | 17/07/2019

Pasi i kthyen dy kandidaturat e para, presidenti Ilir Meta i ka dërguar Kuvendit kandidaturën e tretë për kreun e Kontrollit të lartë të shtetit. Petraq Milo plotëson të gjitha kërkesat dhe sugjerimet e parlamentit sipas institucionit të presidencës.

Petraq Milo është kandidati që propozon presidenti Ilir Meta për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Është zëdhënësi institucionit të presidencës që ia dërgon Kuvendit pasi ka lexuar me vëmendje sugjerimet e këtij të fundit.

“Presidenti Meta duke qenë i bindur në drejtësinë e vendimit të Tij, pasi ka lexuar me shumë vëmendje sugjerimet e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë lidhur me profilin profesional që duhet të ketë kandidati për kryetar i KLSH-së, nuk gjeti dot një kandidat më të përshtatshëm dhe me kaq eksperiencë të gjithanshme, si Prof. Dok. Petraq Milo, për të përmbushur me profesionalizëm dhe dinjitet këtë detyrë tepër të rëndësishme kushtetuese”.

Petraq Milo ka një karrierë të pasur akademike dhe profesionale. Ai ka mbajtur edhe detyrën e këshilltarit të Kryeministrit Sali Berisha nga viti 2005 deri në vitin 2013. Në argumentimin e përzgjedhjes së kësaj kandidature, presidenti Meta e ka vlerësuar si një personalitet me një eksperiencë të jashtëzakonshme, brenda dhe jashtë vendit në fushën e financave, të auditit, të bankave dhe të ekonomisë në tërësi, gjithashtu me një kontribut të spikatur në drejtimin e institucioneve financiare, fiskale e bankare në Kosovë.

“Përvoja e tij akademike, brenda dhe jashtë vendit, si edhe bashkëpunimi me institucionet më të rëndësishme financiare botërore dhe të Bashkimit Europian, janë një faktor i rëndësishëm për këtë zgjedhje”.

Presidenti Meta falënderon edhe njëherë kandidatët e mëparshëm të propozuar prej tij për postin e kryetarit të KLSH-së, znj.Vitore Tusha dhe z.Bahri Shaqiri. Kreu i shtetit do t’ia dërgojë brenda ditës së sotme propozimin e tij Kuvendit, me besimin e plotë se do ta shqyrtojë këtë kandidaturë brenda këtij sesioni parlamentar, me objektivitet dhe përgjegjshmëri, që KLSH të funksionojë në mënyrë plotësisht kushtetuese e ligjore./ABC News Albania 24/7

ILIR-1280x718.jpg
ad min14:40 | 11/07/2019

Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Ilir Mustafaj, i cili është njëri nga kandidatët për Gjykatën Kushtetuese, doli sot për herë të dytë para trupës gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar në datën 14 Qershor Mustafaj kishte kërkuar ndryshimin e trupës gjykuese, më konkretisht të gjyqtares Xhensila Pine. Por kërkesa e subjektit te rivlerësimit është rrëzuar.

Gjatë seancës së parë, ai ka shfaqur rezerva për punën e KPK-së. Seanca e kësaj të enjteje ka zgjatur mbi 3 orë, për shkak të debateve midis drejtuesit të seancës dhe gjyqtarit Ilir Mustafaj.

Ky i fundit ka kërkuar shpjegime në lidhje me vendimin për mospërjashtim e Pines dhe moszbardhjen e transkriptit të bisedës së vendimmarrjes së trupës së KPK dhe gjyqtares Xhensila Pine.

Sipas KPK, hetimi për Mustafajn është bërë vetëm për pasurinë. ILDKPI ka dorëzuar raport pozitiv përsa i përket pasurisë se tij. Ndërsa KPK vlerëson se ka mospërputhje në deklarim nga ana e gjyqtarit,për një apartament në vitin 2007./ABC News Albania 24/7

diber-1280x708.jpg
ad min13:01 | 30/06/2019

Kandidati i PS-së për Bashkinë e Dibrës Dionis Imeraj i bëri thirrje qytetarëve të japin votën e tyre pasi sot është një ditë feste.

“Sot është një ditë e veçantë, është një ditë feste, pasi çdo shqiptar ka të drejtën të japë mendimin e tij nëpërmjet votës. Ju bëj thirrje votuesve të vijnë patjetër të votojnë, sepse është suporti më i madh që i jepet familjes së tyre. Procesi po vazhdon normalisht dhe kështu do jetë. Dibranët dijnë gjithmonë të vlerësojnë mirë njerëzit”, tha Imeraj./abcnews.al

astrit-patozi-1-1280x714.jpg
nev ila17:45 | 20/05/2019

Gazetarja Mirela Milori ka ftuar ditën e sotme, në “Mbremje Ide” në Abc News, koordinatorin e partisë “Bindja Demokratike” Z. Astrit Patozi.

Në bisedën e zhvilluar në studio, Patozi është shprehur se “Bindja Demokratike” ka arritur ti plotësojë në kohë të gjithë afatet dhe kërkesat ligjore, për zgjedhjet e 30 qershorit.

Ai gjithashtu është shprehur për dorëheqjen e kandidatit të Lezhës, Salvador Kaçaj, se nuk ka asnjë reagim zyrtar dhe se vetë kandidati, nuk i ka bërë ende me dije asgjë.

Gazetarja Mirela Milori e ka pyetur Patozin se nëse ka patur probleme mes “Bindjes Demokratike” dhe kandidatit Salvador Kaçaj dhe nëse është informuar më parë për këtë reagim të tij, por Patozi e ka mohuar të ketë patur probleme mes tyre.

As e pohoj as e përgënjeshtroj këtë fakt, sepse personi vetë nuk ka ardhur dhe është qesharake që brenda 1 minute të bëhet i ditur kandidimi dhe heqja dorë. Edhe ju vetë nuk keni marrë një reagim personalisht nga Kaçaj për këtë. Gjithsesi, në çdo betejë qëndrojnë ata që kanë këllqe dhe ikin ata qe s’kanë këllqe. Bindja Demokratike do eci përpara dhe ne jemi të vendosur. Pres që kjo gjë të zbardhet dhe të vijë vetë personi të na e bëj të ditur”, u shpreh Patozi./abcnews.al

ssss-2.jpg
ad min16:33 | 20/05/2019

Pak pasi KQZ e regjistroi si kandidat për kryetar Bashkie në Lezhë, Salvator Kaçaj i Bindjes Demokratike shpall tërheqjen nga gara e 30 Qershorit, por edhe largimin nga kjo forcë politike.

Në letrën e dorëheqjes për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Kaçaj thotë se e rishikon vendimin e tij sepse zgjedhjet e 30 qershorit sipas tij janë një farsë. Pa opozitën e vërtetë, Partinë Demokratike ato do ishin shkatërrimtare për qytetarët e Lezhës dhe të të gjithë Shqipërisë, shkruan ish-kryetari i komunës Shëngjin.

Kaçaj thotë se beteja e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme është e drejtë dhe duhet përkrahur pa asnjë rezervë.

Për këto arsye, ai deklaron largimin nga Bindja Demokratike dhe tërheqjen nga kandidimi për Bashkinë e Lezhës, duke iu bashkuar kauzës së Partisë Demokratike dhe opozitës për mbrojtjen e demokracisë deri në fitore, shkruan në letrën e dorëheqjes për KQZ.

Kaçaj është kandidati i dytë i Bindja Demokratike që tërhiqet nga gara e 30 qershorit. Të shtunën u tërhoq edhe kandidati i kësaj force në Bashkinë Skrapar./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono