kandidate

spak-1.jpg
ad min16:00 | 05/07/2019

Këshilli i Lartë i Prokurorisë më 8 Korrik në orën 9:00 do të nisë intervistat me kandidatët për Strukturën e Posaçme Anti-korrupsion. Sipas KLP-së intervistat do të zgjasin minimalisht një orë për secilin kandidat dhe do të regjistrohen me audio dhe video.

Intervistat këshilli i Lartë i Prokurorisë do t’i zhvillojë deri më datë 12 Korrik. Këshilli i ka renditur kandidatët sipas alfabetit. 4 të parët që do të qëndrojnë përballë këshillit janë Altin Dumani, drejtuesi i komanduar i Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda, Anita Jella drejtuese e Prokurorisë se Durrësit, Anton Martini prokuror në Prokurorinë për Krime të Rënda dhe Arben Kraja, Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

Këshilli ka vendosur në fund të mbledhjes që intervistat e kandidatëve të SPAK do të publikohen në faqen zyrtare te KLP-së, por vetëm pjesa e prezantimit, shprehjes se interesit dhe motivacionit për të qenë pjesë e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion./ABC News Albania 24/7

gjyakata-e-larte.jpg
ad min15:27 | 05/07/2019

Javën e ardhshme hapet gara për anëtarët jo gjyqtarë të Gjykatës së Lartë. Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi projekt-aktet dhe kriteret që duhet të plotësoj çdo kandidat. Kjo lëvizje e KLGJ-së erdhi pas kritikave të presidentit të Republikës Ilir Meta.

Pak ditë pas letrës së Presidentit të Republikës, ku i drejtoi gishtin Këshillit të Lartë Gjyqësor se është 6 muaj e 20 ditë me vonesë për t’i dërguar listën e emrave për kandidatë për anëtarë të Gjykatës së Lartë, KLGJ-ja hodhi një gjysmë hapi duke miratuar projekt rregulloren që do ti hap rrugën garës për anëtarët jo gjyqtarë. Gjykata e Lartë ka në përbërje të saj 19 anëtarë, ku 4 prej të cilëve do të jenë nga jashtë sistemit të gjyqësorit.

Këshilli i Lartë Gjyqësorë ka përcaktuar se juristët e spikatur do të vlerësohen për tre kritere, aftësitë profesionale, morale dhe menaxheriale.  Në rendin e ditës të KLGJ-së nuk ishte i përfshirë dhe nuk është caktuar akoma se kur do të hartohet projekt-akti për kriteret që duhet të ketë një gjyqtarë që të jetë anëtar i Gjykatës së Lartë. Anëtarët gjyqtarë duhet që më përpara të kenë kaluar të gjitha hallkat e Vetingut, pra KPK dhe KPA. Vetëm procesi i kalimit të Vetingut kërkon minimalisht 4 muaj kohë.

Praktikisht Gjykata e Lartë do të jetë jashtë funksionit edhe për disa muaj.  Presidenti Meta duhet që të presë mbase edhe disa muaj që në tavolinën e tij të ketë listën e plotë me emrat e kandidatëve për Gjykatën Supreme. Zyrtarisht gara për anëtarët jo gjyqtarë pritet të hapet javën që vjen, por akoma nga këshilli nuk është caktuar koha që do të kenë në dispozicion anëtarët për të kandiduar.

Për secilin prej kandidatëve do të kërkohet informacion në institucionet e tjera siç janë Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, Shërbimi Informativ Shtetëror etj. Në mbledhjen e Këshillit nuk u diskutua as rekomandimi i EURALIUS, për komandim të përkohshëm të gjyqtarëve nga nivelet me të ulëta në Gjykatën e Lartë,  i cili ka hasur kundërshtime si nga presidenti, ashtu edhe nga anëtarët gjyqtarë të KLGJ-së.

Qeveria e re gjyqësore ka ndjekur rregullat e KLD-së duke i mbyllur dyert mediave pavarësisht interesit të madh që ka publiku, i rritur ndjeshëm pas kritikës që bëri Presidenti i Republikës. Gjykata e Lartë është aktualisht me dy anëtarë Xhezair Zaganjorin që po zhvillon betejen e tij në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe Ardian Dvoranin./ABC News Albania 24/7

kryetari-i-bashkise.jpg
ad min14:02 | 05/07/2019

Asnjë socialist që doli fitues në 30 qershor, nuk ka mundur të tejkalojë me vota kryebashkiakët aktualë opozitarë. ABC Neës ka krahasuar votat e 2015 me ato të 2017, ku vërehet se ata që zëvendësuan Dakon apo Sejdinin kanë marrë më pak vota, teksa nuk mungojnë 9 kryebashkiakë që rikonfirmohen dhe që pavarësisht pjesëmarrjes së ulët, kanë fituar më shumë vota se në mandatin e parë.

Pas zgjedhjeve të 30 qershorit, kryebashkiakët opozitarë kanë deklaruar se do të qëndrojnë në zyrë, duke mos njohur të zgjedhurit e rinj. Veç mosnjohjes së zgjedhjeve, demokratët thonë se fituesit socialistë kanë marrë vota shumë më pak se sa vetë kryebashkiakët opozitarë në vitin 2015. Por çfarë thonë shifrat?

Duke krahasuar të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të vitit 2015 dhe 2019, rezulton se asnjë fitues socialist nuk ka arritur të marrë vota më shumë se sa kryebashkiakët në largim që kërkojnë t’u zënë zyrat.

Në Shkodër, Valdrin Pjetri ka marrë 22.213 vota më pak se sa Voltana Ademi. Edhe Mark Babani në Vaun e Dejës që pritet të zërë karrigen e Zef Hilës, ka marrë 3,530 vota më pak se sa paraardhësi.

Edhe në Tropojë kandidati i socialistëve Rexh Byberri ka marrë 2.274 vota më pak se kryebashkiaku aktual demokrat Besnik Dushaj. Edhe Safet Gjici në Kukës ka arritur rezultat më të dobët se demokrati Bashkim Shehu, plot 3.302 vota më pak.

8.503 vota më pak se Fran Frrokaj ka marrë edhe Pjerin Ndreu në Lezhë.  Ndonëse pa rival në garë, kandidati i socialistëve në Vorë, Agim Kajmaku, ka marrë 1 975 vota më pak se sa kryebashkiaku aktual demokrat Fiqiri Ismaili.

Diferencë të thellë ka edhe Rakip Suli me Xhelal Mziun në Kamëz. Demokrati e ka marrë zyrën me 14.227 vota më shumë sesa ka marrë kandidati socialist tani. Edhe kryebashkiakët e LSI-së janë në avantazh ndaj fituesve socialistë. Ervin Demo ka në berat 5.067 vota më pak se aktuali Petrit Sinaj, ndërsa në Skrapar kandidati socialist ka  2,203 vota më pak.

Këto zgjedhje provuan që figurat e reja të socialistëve nuk ja dolën të sfidojnë me vota figurat historikë. Edhe pse fitues pa garues, Gledian Llatja në Elbasan ka 5.437 vota më pak se sa Sejdini mori në 2015.

Edhe në Durrës, Valbona Sako nuk ka arritur të afrohet me rezultatin e Vangjush Dakos në 2015. Ajo ka marrë 21.854 më pak. Edhe Dionis Ymerit në Dibër i mungojnë 5 612 vota në raport me kryebashkiakun aktual Muharrem Rama.

Në tre bashki të mëdha, emrat socialistë që rikandiduan, edhe pse janë fitues, kanë pësuar rënie votash krahasuar me 2015. I tillë është kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj, i cili ka marrë  8,006 vota më pak. Në Korçë Sotiraq Filo ka një rënie me 4.519 vota, ndërsa në Vlorë Dritan Lelit i mungojnë 2.525 vota.

Por panorama nuk është e njëjtë në çdo bashki. Pavarësisht pjesëmarrjes së ulët dhe pasjes ose jo të rivalëve, në 9 bashki, socialistët kanë arritur të tejkalojnë veten, duke i rritur votat në krahasim më 2015.

Në Belsh Arif Tafani e nis mandatin e dytë me 1.132 vota, ndërsa Kastriot Gurra në Librazhd ka shtuar 793 vota. Rritjen më të lartë e kanë kryetarët e rikonfimuar të qarkut Fier, ndërsa bie në sy Gëzim Topçiu në Maliq, i cili edhe pse sapo fitoi mandatin e 6-të, i ka rritur votat  me 615 copë krahasuar me 2015.

Rritje me 259 vota ka shënuar edhe Tërmet Peçi me mandatin e tij të tretë në Tepelenë./ABC News Albania 24/7

KRONIKE-30-QERSHORI-NE-SHIFRA.mpg_snapshot_00.28-1280x720.jpg
ent ela14:15 | 29/06/2019

Kutive të votimit në mbarë Shqipërinë pritet t’u drejtohen 3.4 milionë qytetarë me të drejtë vote. Zgjedhje zhvillohen në 61 bashki për Këshillin dhe Kryetarët, por garë ka vetëm në 30 bashki, pasi   në  31 të tjera Partia Socialiste është e vetmja që ka kandidat. Mes 97 kandidatëve për kryebashkiakë, vetëm 10 janë zonja. 23 prej socialistëve janë  rikandidime.

Në mbarë vendin, mëngjesin e kësaj të diele duhet të hapen 5 417 qendra votimi.

Të drejtën për të shkuar tek kutia e votimit, e kanë 3.464.328 qytetarë shqiptarë.

Ata do të vendosin shenjën e tyre në dy fletë votimi: për të zgjedhur kryetarët e 61 bashkive, si dhe parlamentet  lokale, pra këshillat bashkiakë.

Në zgjedhje marrin pjesë gjithësej 36 parti. Ato janë të ndara në dy koalicione: Aleanca për Shqipërinë Evropiane drejtuar nga PS dhe që përmban dhe 19 parti të tjera, Koalicioni Shpresa për Ndryshim me 6 parti, e udhëhequr nga Aleanca Kuq e Zi, ndërsa 9 parti garojnë jashtë koalicioneve.

Për shkak të vendimit për bojkot, në fletën e votimi për herë të parë do të mungojë Partia Demokratike, e bashkë me të edhe aleatët opozitarë, si Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia  Republikanve, PDIU, PBDNJ, LZHK, etj.

Partia opozitare që garon për herë të parë është Bindja Demokratike e Astrit Patozit që garon me kandidatë në 22 bashki të vendit.

Në më shumë se gjysmën e bashkive, nuk ka garë për kryebashkiakë, pasi në fletën e votimit ka vetëm një emër. Të tilla janë 31 bashki, nga 61, ku përfshihen bashki të mëdha si: Shkodra, Elbasani, Fieri, Gjirokastra, apo Vora dhe Himara.

Në 30 bashki të tjera ka më shumë se një kandidat, ndërsa numrin maksimal të kandidatëve e ka bashkia e Devollit, me plot 4 rivalë.

Kandidatë për kryebashkiakë në mbarë vendin janë 97.  Kjo betejë ju është besuar vetëm 10 zonja,  7 prej të cilave i kandidon Partia Socialiste.

Besimin e Edi Ramës për tu rikandiduar e kanë fituar 23 kryebashkiakë aktualë. Mes tyre vecohet kryebashkiaku i Policanit, Adriatik Zotkaj që kërkon një mandat të 5-të, dhe Gëzim Topçiu që kërkon një mandat të 6-të në Maliq.

5 deputetë dorëzuan mandatin parlamentar për të kandiduar për bashkitë: Pjerin Ndreu në Lezhë, Ilir Xhakolli në Pogradec, Flamur Golemi në Gjirokastër, Nuri Belba në Përrenjas dhe Rakip Suli në Kamëz.

Këto zgjedhje do të monitorohen nga rreth 1500 vëzhgues, ku pjesën kryesore, rreth 250 të tillë, e zë ekipi i OSBE ODIHR, ndërsa përfshihen vëzhgues nga ambasadat më të rëndësishme, si ajo amerikane, gjermane, franceze, italane, britanike, etj.

Veç medias vendase, akreditim kanë marrë dhe dhjetra ekipe televizive ndërkombëtare. /ABC News Albania 24/7

valbona-sakollari.jpg
ad min22:08 | 11/06/2019

Valbona Sakollari është kandidatja e Bindjes Demokratike në Bashkinë e Durrësit. Ajo ishte e ftuar këtë të martë në emisionin “Provokacija”. Ajo tregoi se Bindja demokratike është e përgatitur për zgjedhjet kurdo që të bëhen.

“Zgjedhjet lokale patjetër që do bëhen dikur. Ne jemi përgatitur për datën 30 qershor, por kurdo që të jetë ne jemi në garë për të marrë pjesë. Nuk e kemi vendosur ne datën. Nuk na intereson, nuk na ndryshon asgjë”, tha Sakollari.

Sakollari tregoi që nuk është marrë asnjëherë më parë me politikë. Të kandiduarit nën siglën e Bindjes Demokratike është eksperienca e parë politike për të. Ajo theksoi gjatë emisionit se qyteti bregdetar ka sistemin më problematik të qeverisjes lokale. Ndërkohë, momentin e krijimit të partisë ku bën pjesë vetë, Sakollari e konsideron si avantazh.

“Unë e shoh si avantazh dhe mendoj se është momenti i duhur i krijimit të Bindjes. Padyshim që në çdo moment që do ishte krijuar do kishte një kritikë. Ka pasur dhe parti të tjera dhe oferta të tjera politike të krijuara vitet e fundit që ndoshta nuk kanë funksionuar dhe nuk kanë pasur rezultatet e duhura. Bindja Demokratike mendoj se ka pasur momentin e duhur, kur fusha nuk ishte tërësisht e zënë dhe kjo është një lloj strategjie”, tha ajo.

Ndër të tjera, Valbona Sakollari thekson se nuk do të ketë përplasje mes qytetarëve në Durrës për zgjedhje.

“Nuk e besoj. Duke ndjerë atmosferën aty nuk e besoj. Durrsakët mbahen si qytetarë të qetë, indiferentë. Në jetën e përditshme këtë lloj konflikti nuk e ndjen”, tha ajo./abcnews.al

si-do-te-jene-fletet-e-votimit.jpg
ad min15:30 | 04/06/2019

Nuk janë bërë ende publike emrat e të gjithë kandidatëve për kryebashkiakë në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve megjithatë ky institucion ka nisur nga puna për printimin e fletëve të votimit. Në rreth 31 bashki alternative e vetme për votuesit është Partia Socialiste me aleatët e saj.

Kjo është fleta e votimit për kandidatët për kryebashkiakë. Ndërsa kjo tjetra për kandidatët për këshillat bashkiakë.

flete votimi
flete votimi 2

Modelet janë gati dhe kanë nisur të printohen për zgjedhjet e 30 Qershorit.

Nga 61 bashki gjithsej në mbi 30 fleta e votimit do të ketë vetëm një kandidat. Në të tjerat do të jetë do të jenë kandidatët e partisë Bindja Demokratike, të cilët duhet të sqarojnë numrin e saktë të Bashkive ku do të garojnë pas dorëheqjes së kandidatëve të tyre në Kavajë, Kamzë, Lezhë e Çorovodë.

Në garë përballë socialistëve në disa bashki do të jenë partitë: Shpresa për Ndryshim, Partia Konservatore Albania, MEGA, Aleanca e Maqedonasve dhe Partia Komuniste. Në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mungon informacioni i saktë se ku do të garojnë këta kandidatë.

Mbi 3. 5 milionë është numri i shqiptarëve që kanë të drejtën të zgjedhin ose alternativën e vetme të Partisë Socialiste ose ndonjë nga kandidatët e partive të tjera të vogla që garojnë aty ku e shohin të mundshme se mund të marrin vota.

Kjo formë zgjedhje ndodh për herë të parë në 30 vjet demokraci, një eksperiencë e re që mazhoranca socialiste shprehet e bindur për ta testuar në 30 Qershor./ABC News Albania 24/7

rama-dhe-basha.jpg
nev ila15:44 | 25/05/2019

Shtyrja e zgjedhjeve nuk duket më një utopi politike apo ligjore. Ky zhvillim i papritur i javës politike që lamë pas, erdhi pas disa lëvizjeve jo aq të dukshme, ndërsa aktorët në fushë janë pozicionuar tashmë. Mimoza Koçiu na sjell këtë dinamikë me Politika në ABC News.

Për herë të parë javën politike që lamë pas, ideja e shtyrjes së zgjedhjeve të 30 qershorit, nuk duket një utopi politike e as ligjore. I vendosur për të shkuar në zgjedhje pa opozitën duket Kryeministri, që për tre ditë me radhë ia shkroi këtë Lulzim Bashës. Ky i fundit, refuzon edhe komunikimin virtual me Ramën e adresimin-përgjigje ia drejtoi qytetarëve. 5 javë para datës së dekretuar të zgjedhjeve, aktorët në fushë janë shtuar e pozicionet duken të qarta.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Në qëndrimin për të zhvilluar zgjedhje edhe pa opozitën, që paralajmëron se nuk do t’i lejojë, Kryeministri Rama bëri një paralajmërim të fortë në emër të SHBA e BE.

Rama: Do ju digjet përjetë hyrja në SHBA e BE nëse i shkoni pas.

Kjo taktikë e Kryeministrit nuk është e panjohur. Fiks një vit më parë, nga foltorja e kuvendit, i rreshtonte krah vetes SHBA e BE në akuzat që opozita adresonte ndaj ministrit të kohës të brendshëm Fatmir Xhafajt për shkak të vëllait të tij.

Rama: Nëse në këtë zurnajë do të kishte një grimcë të vërtete lidhur me një përgjegjësi të çfarëdo natyre të ministrit tonë të brendshëm, besoj se asnjë shqiptar nuk e quan të paarsyeshme bindjen time se do kishte folur miku ynë ambasadori amerikan, BE, ata që nuk kanë lënë rast pa folur dhe pa verifikuar.

Një ditë më vonë, ambasadori amerikan i kohës Donald Lu i kërkonte të mos fliste në emër të SHBA.

Donald LU: Kryeministri duhet të flasë në emrin e tij dhe ne do të flasim në emrin tonë. Ne jemi duke i shqyrtuar pretendimet që janë ngritur në lidhje me vëllain e Ministrit Xhafaj.

Nëse njëlloj si një vit më parë, zyra e delegacionit të BE në Shqipëri heshti. Një vit më vonë spikati heshtja njëlloj edhe e ambasadës amerikane, për ndëshkimin që Kryeministri paralajmëroi në emër të SHBA. E paqartë sesi 28 vende të BE mund të unifikohen në pengimin e hyrjes në vendet e tyre, të kujt kryen një krim zgjedhor, akt ky i dënueshëm nga gjykatat në Shqipëri, por refuzimi i hyrjes në SHBA është një praktikë e njohur, jo vetëm për Shqipërinë. Duket se ai paralajmërim i KM mbështetet tek ky vendim i Presidentit Bush të madh, në janar 2004. Por çka nuk thuhet është se urdhri presidencial,vlen për zyrtarë e jo zyrtarë të përfshirë apo përfitues në akte korruptive, që kanë efekte serioze negative në aktivitetin ndërkombëtar të bizneseve amerikane, të sigurisë së SHBA kundër krimit e terrorizmit trans-nacional apo stabilitetin e institucioneve dhe kombeve demokratike. Edhe ndërhyrja në zgjedhje konsiderohet si shkak për refuzimin e hyrjes në SHBA të kategorisë specifike.

Ka një kujdes të shtuar për të qarkulluar në korridoret e medias informacion, se opozita po përgatit prishjen e procesit, përfshi thyerjen e kutive të votimit në 30 qershor. Në fakt ky është një nga variantet e hedhura, mes të tjerëve, në mbledhjet organizative në selinë blu. Aludimeve se pas vendimit e akteve të ardhshme radikale qëndron Sali Berisha, kujdeset t’u japë zë vetë Kryeministrit.

Rama: Dhe shpirti i asaj partie është doktori jo kryetari i llakuar.

A është ky vallë varianti me të cilin ushqehen ndërkombëtarët? E paqartë nëse heshtja e SHBA e BE pasi Rama foli në emër të tyre ka qenë vetëm publike, por të njëjtën ditë, disa orë më vonë, një ngjarje që kishte ndodhur tre ditë më herët. Kryebashkiaku i Durrësit ishte thirrur në prokurorinë e krimeve të rënda për llogari të hetimeve të dosjes 339/1, pjesë e së cilës janë përgjimet e telefonatave të Dakos me persona të inkriminuar, në periudhë zgjedhore. Ndryshe nga 7 muaj më parë, kur një pjesë e përgjimeve rrodhën, ai veprim, i kryer larg vëmendjes publike, që u publikua 3 ditë më vonë, u mbyll sërish si informacion, edhe për dëshminë, edhe për hapat e mëtejshëm të prokurorëve, në një kohë kur zgjedhjet janë kauza e krizës politike në vend.

Në këtë panoramë Kryeministri vazhdonte të porosiste të vetët edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të përcillnin mesazhin e tij në emër të SHBA e BE.

Rama: Çdo njeriu i duhet thënë që kush cënon apo dëmton procesin nuk shkel më në Amerikë apo vende të Bashkimit Evropian.

Basha nuk komentoi ato paralajmërime të Ramës, por nuk shfaqi as shenja tërheqje

Basha në Shkoder: Kjo është një betejë për jetë a vdekje…për të ndalur këtë tirani ia vlen çdo çmim.

Dukshëm 30 qershori është shndërruar në fokusin e përbashkët të të dyve.

Rama: Spiralja e marrosjes së udhëheqjes së opozitës së sotme ka prekur fundin he 30 qershori duhet ta sanksionojë këtë fund…. Por dhe do të ngordhë politika e pengmarrjes së procesit demokratik.

Basha: Në 2007, dy herë i shtyu zgjedhjet sepse kërkoi që çdo votues të sillte me vete certifikatën e lindjes, kurse tani thotë nuk më lejon Kushtetuta. Kundër Kushtetutës nuk është shtyrja e një procesi kriminal si ky, që mendon se do të ekzekutojë më 30 qershor.

Kryeministri pati një moment delikat javën politike që lamë pas. Si kurrë më parë, Tirana e Prishtina janë të ndara në qëndrime. Për herë të parë mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës e Shqipërisë, e iniciuar prej Ramës kur erdhi në pushtet, u zhvillua pa asnjërin KM. Përplasja në samitin e Berlinit e pas tij, me kryeministrin Haradinaj për taksën serbe e idenë e ndryshimit të kufijve, solli këtë panoramë (mbledhja) Dy zv/kryeministrat që nisën një mbledhje ballafaquese të detyrave të lëna, e zhvilluar me dyer të mbyllura, e me konkluzione ende jo publike. Rama nuk u shfaq në publik, ndërsa kryeministri Haradinaj u shfaq në Shqipëri, por për të takuar Ilir Metën. Kjo foto me sqarimin se ndajnë të njëjtin qëndrim për Kosovwns, nuk u sfumua dot nga njoftimi lakonik i Hashim Thacit, se kishte takuar Edi Ramën në Tiranë. Të dy duken në minorancë në qasjen e tyre.

Jahjaga: Duhet që t’i heqim zërat për çdo diskutim që prek kufijtë në ballkan.

Meta: Është përpjekje e politikanëve e autoriteteve për tu shmangur nga llogaridhëniet e brendshme dhe për të provokuar tema që spostojnë vëmendjen dhe përgjegjësinë.

Ilir Meta madje e çoi më tej qëndrimin, kur tha se nuk mund të heshtte kur shihte sesi reforma në drejtësi po zbatohej, jo siç ishte miratuar me 140 vota.

Meta: Nëqoftëse do ishte vërtetë një sukses nuk do ishte vendi pa Gjykatë Kushtetuese. Sepse reforma nuk bëhet me retorikë, por me standarde. Përndryshe nuk është reformë, por forma të reja të kapjes së institucioneve.

Kreu i shtetit zbuloi publikisht çka ndodh larg syve të publikut. Historia e tre viteve më herët duket përsëritet me misionin asistues të BE, EURALIUS. Tre vjet më parë drejtuesit të EURALIUS, iu ndërpre pa zhurmë detyra, pasi u denoncua publikisht nga PD e LSI, për sjellje të njëanshme në procesin e hartimit të reformës në drejtësi. Tre vjet më vonë, ky mision targetohet nga Kreu i Shtetit.

Meta: Kam kërkuar me shkrim mbështetjen e EURALIUS dhe OPDAT, të paguar nga taksat e evropianeve. Ditën e fundit EURALIUSI çoi përgjigje jemi mision teknik, por nuk e di kush ia dha porosinë politike. Si mundet ky mision ti çoje rekomandim kreut të ligjeve për të zgjedhur një institucion në kundërshtim me kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Përgjigja i erdhi nga Kryeministri Rama, se reforma kërkonte kohën e vet, por e shoqëruar me aludime të forta për pozicionin e presidentit për 30 qershorin.

Rama: A e pengon mungesa e Gjykatës Kushtetuese Presidentin e Republikës të mbrojë datën e zgjedhjeve që sipas Kushtetutës ai e ka dekretuar?Padiskutim Presidenti ka të drejtë kur thotë djegia e mandateve është e papranueshme po dhe më i papranueshëm është përbetimi për të djegur zgjedhjet!S’e dimë opinionin e Presidentit për këtë dhe bashkë me kritikat e tij,mezi e presim apelin e vonuar në mbrojtje të 30 qershorit.

Historia duket se po përsëritet edhe me lëvizjen e Kryeministrit. Njëlloj si dy vjet më parë, kur të gjithë aktorët politikë vendas iu vunë kundër, i kthen sytë nga Lulzim Basha. I shkroi letra tre ditë me radhë. Në secilën nënvizonte se zgjedhjet do bëheshin më 30 qershor. Me tone përçmuese e ftonte Bashën në dialog pa kushte.

Rama: Jeta politike nuk mbaron në 30 qershor dhe që të jemi të qartë mes nesh, zgjedhjet në 30 qershor Ju mund t’i vështirësoni, nëse do t’i shkoni deri në fund rrugës pa krye, ku po e udhëhiqni grupimin Tuaj politik, por s’ka asnjë shans që t’i ndaloni të zhvillohen. Por Dialogu duhet të nisë pa humbur kohë, pavarësisht atyre që thoni e mendoni të bëni Ju në 30 qershor dhe pavarësisht faktit se unë 30 qershorin s’kam asnjë fuqi ligjore ta negocioj, edhe pse Ju jeni i lirë ta diskutoni në Tryezën e Dialogut. Unë Ju ftoj në një dialog pa kushte dhe në kushtet kur Shqipëria e shqiptarët, nuk meritojnë përkeqësimin e një situate politike krejt të pakuptimtë, e cila po u kushton në mënyrë krejt të pamerituar.

Basha që vazhdonte të përsëriste se nuk dialogonte me Edi Ramën Kryeministër, nuk iu adresua asnjëherë, teksa dha përgjigje gjatë një takimi me qytetarë në Durrës.

Basha: Largimi i Edi Ramës është hapi i parë i panegociueshëm, hapi që do t’i hapë rrugë zgjidhjes politik të krizës. Na propozon Taulant Ballen e Gjiknurin si rojtarë të zgjedhjeve, do të jenë para togave të zeza të drejtësisë me urdhër të Ramës kanë ushtruar presion tek anëtarët e KQZ që mos të regjistrohen anëtarët e PD në KQZ.

Ai paralajmërimi i Bashës u provua të nesërmen. Katër anëtarët e KQZ të propozuar nga e majta,votuan kundër regjistrimit të kandidatëve të PD/LSI nëpër KZAZ. I pazakontë vendimi i opozitës për t’u bërë pjesë e komisioneve zgjedhore në një garë ku vetë nuk merr pjesë, por në mungesë të një pengese ligjore për ta bërë një gjë të tillë, 4 anëtarët e KQZ, u mbështetën tek rrethanat për ta rrëzuar.

Në të njëjtën ditë, Gjykata e Lartë humbi edhe një anëtar të saj. KPA shkarkoi nga detyra gjyqtarin Edmond Islamaj për deklarim të pasaktë të pasurisë. Tashmë Gjykata e Lartë mbetet me tre anëtarë në detyrë, dy nga të cilët, kreu i gjykatës Zaganjori dhe anëtari Broci janë në proces apelimi, i pari i ankimuar nga komisioneri publik, e i dyti në ankimim të vendimit të KPK që e rrëzoi. Anëtari i vetëm i vetuar i Gjykatës se Lartë, që mban edhe postin e kreut të KED është Ardian Dvorani.

Një letër e dytë nga Edi Rama për Lulzim Bashën erdhi po atë ditë, edhe më e gjatë se e para, ku shefi i qeverisë shkruante se kishte detyrim të këmbëngulte për dialog. Sërish nënvizimi për të bërë zgjedhje edhe pa opozitën.

Rama: Mua s’më duhet fati Juaj politik dhe as fati politik i atij grupimi – madje sipas meje, troç fare, rrënimi i plotë me duart Tuaja i grupimit që po udhëhiqni qorrazi është ogur i mirë për këtë vend e për vetë të ardhmen e institucionit të pazëvendësueshëm të opozitës – por ky moment me rëndësi të veçantë për Shqipërinë, më imponon t’Ju lutem të ktheni rrugë! Sepse Shqipëria s’ka kohë për të humbur për llogaritë e gabuara politike dhe aventurat antidemokratike të kujtdoqoftë. Duke Ju garantuar se jam në dispozicionin Tuaj, në çdo moment dhe pa kushte për një Dialog për Shqipërinë, si edhe duke Ju siguruar se sikur të tërë të dëshpëruarit nga Reforma në Drejtësi të hidhen përpjetë, nuk kanë për të ndalur dot as zbatimin e Reformës në Drejtësi, as zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor, uroj rikthimin Tuaj sa më të shpejtë në rrugën e arsyes.

Lulzim Basha reagoi me shkrim pas kësaj letre të dytë, pas një takimi me aleatët opozitarë. Sërish duke iu drejtuar qytetarëve e për asnjë moment Ramës.

Basha: Dje, pasi shpalli hapur se shqiptarët janë më mirë pa gjykata, Edi Rama më dërgoi mua një letër për të më ftuar në “dialog”, pra, që unë dhe ai të ulemi për të biseduar, sepse, sipas tij, kështu e kërkon demokracia. Në të vërtetë demokracia e kërkon që pushteti të burojë nga populli dhe të dialogojë me popullin, demokracia kërkon që mosmarrëveshjet që nuk i zgjidh dot politika t’i zgjidhë populli, me votë. Por për Edi Ramën arti i qeverisjes demokratike është i huaj, ai është artist në artin e mashtrimit. E gjithë qeverisja e tij ka qenë grabitje dhe mashtrim i popullit, i pasurive publike dhe dhunim i çdo vlere demokratike e perëndimore. Kjo është një sfidë e madhe që na takon të gjithëve, para së gjithash ne politikanëve. Për këto sfida ne kemi filluar një dialog kombëtar gjithëpërfshirës. Ky është i vetmi dialog që ndryshon Shqipërinë dhe i vetmi dialog ku unë do të jem pjesë. Qëndrimi im i prerë dhe i palëkundur është se Edi Rama duhet të largohet menjëherë nga Kryeministër, sepse ai është shkatërrues i zgjedhjeve të lira dhe dhunues i vullnetit të popullit.

Në këtë situatë ekstreme, një zgjidhje u propozua nga Gjermania. Nr dy i grupit parlamentar të CDU/CSU Johann David Wadephul, dhe deputeti i CSU, raportues për Shqipërinë në komisionin e jashtëm Christian Schmidt, u vetë ofruan për herë të dytë për të ndërmjetësuar krizën pa kushte, e sipas tyre, hap i parë do ishte shtyrja e 30 qershorit.

“Ne jemi edhe më tej të gatshëm që të kontribuojmë për hapjen e një dialogu ndërmjet qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën. Por kjo mund të funksionojë vetëm nëse të dyja palët hyjnë në bisedime pa vendosur parakushte. Gjithashtu nuk duhet të përjashtohet asnjë temë. Zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik. Prandaj duhen vënë në tryezë të gjitha opsionet që u garantojnë qytetareve dhe qytetarëve mundësi të vërteta për të zgjedhur në zgjedhjet lokale. Këtu hyjnë edhe masa të jashtëzakonshme, si për shembull, shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale. Qëllimi më i lartë duhet të jetë kthimi pa ekuivok në procedurat demokratike dhe respektimi i standardeve të shtetit të së drejtës në zgjedhje”.

Lulzim Basha shprehu mirënjohje e gatishmëri propozuesve Kristian demokrat e social demokrat të koalicionit të Merkel.

Basha: Në emër të PD dhe të Opozitës së Bashkuar konfirmoj gatishmërinë tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe mirëpres angazhimin e Gjermanisë mike për zgjidhjen e kësaj krize dhe hapjen e rrugës evropiane të Shqipërisë.

Falënderimi i Kryeministrit vinte përmes evidentimit të tyre si partner të Bashës e PD, por duke nënvizuar se nuk lëvizte nga 30 qershori.

Rama:Krejt dakord me gjithçka kanë shprehur publikisht dhe për nevojën e dialogut pa kushte. Koha nuk pret sepse 30 qershori s’është në dorën tonë!

Dukshëm kjo lëvizje gjermane, e kundërt me çka vetë parashikonte, e shtyu të sqaronte edhe njëherë pozicionin e vet. E bëri që të nesërmen në mëngjes, përmes një letre të tretë për Lulzim Bashën, e këtë herë qëndrimi ishte refuzues edhe për shtyrjen e 30 qershorit, edhe për kërkesën e njohur të Bashës për largimin e tij si KM.

Rama: Duke Ju ftuar përsëri në Tryezën e Dialogut, Ju lutem të mos harroni ndërkohë se po nuk u kthyet në realitet, përtej dëmit që mund t’i bëni vendit dhe atyre pak individëve kokë nxehtë, të cilët mbase për të keqen e tyre mund të shkojnë deri në fund pas berihajit ku po i udhëhiqni, Ju s’keni asnjë shans të pengoni 30 qershorin të vijë për ata që duan të votojnë. Asnjë shans të ndryshoni qeverinë pa zgjedhje. Asnjë shans të më ndaloni mua dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë të kryejmë misionin historik të transformimit evropian të Shqipërisë.

Por ndryshe nga Rama, një tjetër aktor i rëndësishëm në Tiranë mirëpriti propozimin për shtyrjen e zgjedhjeve. Për herë të parë Ilir Meta tha se mund të rishikonte dekretin e tij, e nëse i shërbente zgjidhjes së krizës, ofronte për herë të dytë dorëheqjen.

Meta: Në këtë kuadër, shpreh gatishmërinë time institucionale, që në përputhje me kompetencën që më jep shkronja “gj” e nenit 92 të Kushtetutës, të rishikoj Dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe të dekretoj një datë tjetër për zhvillimin e tyre, në përputhje me vullnetin e shprehur të palëve politike.

Garantimi i rendit kushtetues, sigurisë publike, stabilitetit të vendit dhe i zgjedhjeve demokratike, të lira dhe të ndershme janë parime kushtetuese që mbizotërojnë mbi çdo aspekt tjetër formal, përfshirë këtu rishikimin e datës së zgjedhjeve.

Por akuzat e kreut të shtetit ndaj ndërkombëtarëve për mënyrën si po zbatohej reforma në drejtësi, morën përgjigje nga përfaqësuesit e BE në Tiranë, i pari ambasadori Soreca.

Qëndrim i ngjashëm erdhi edhe nga drejtuesja e ONM, që mbikëqyr zbatimin e reformës në drejtësi e vetë vettingun.

Calavera: Duke pasur parasysh interesin e lartë publik, është e rëndësishme të sigurohet monitorimi nga afër i procesit dhe të kontribuohet në mënyrë konstruktive në progresin e tij. Megjithatë, kjo nuk justifikon sulmin ndaj procesit në kushte të padrejta dhe të papranueshme, duke përfshirë edhe rastet kur u drejtohet personalisht anëtarëve individualë të institucioneve të Vettingut. Disa njerëz mund të kenë frikë nga reforma gjyqësore dhe të jenë të gatshëm ta pengojnë atë, por kjo nuk mund të lejohet. Reforma e drejtësisë është zbatuar në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën dhe legjislacionin, reforma po ecën përpara dhe është e pakthyeshme, të gjitha institucionet shqiptare duhet ta mbështesin atë.

Një ditë më herët, presidenti i Republikës kishte konfirmuar qëndrimet e tij publike, duke mos kursyer ironinë ndaj Ramës dhe disa ndërkombëtarëve.

Meta: Presidenti nuk do të lodhet edhe në të ardhmen, si detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë, të punojë në këtë frymë. Ndërkohë Presidenti nuk ndalon askënd, të këndojë “na fitorja në fitorje”, si në variantin solo, ashtu edhe në kor.

Padyshim që këto lloj replikash publike, e dobësojnë më tej besimin e brishtë të aktorëve politikë ndaj ndërkombëtarëve në Tiranë. Nga jashtë, lëvizja e deputetëve gjermanë duket ka gjetur mbështetjen e të paktën dy palëve, opozitës e presidentit. Kreu i shtetit duket gati ta shtyjë datën e zgjedhjeve, ndërsa PD të ulet më Ramën si kryetar i PS.

Por qëndrimi i Kryeministrit mbetet po aq i rëndësishëm, e zhvillimet e javës politike që lamë pas, dëshmuan qartë se 30 qershori është sprova e parë, ku Rama ose Basha do tërhiqet. Kostot dhe përfitimet e asaj tërheqje kanë nisur të artikulohen në gjuhë të huaj. Shtyrja e vendoreve për në vjeshtë është një opsion. Vjeshta përkon edhe me vendimin e Këshillit Evropian për hapjen e negociatave, e një JO për herë të dytë për Shqipërinë, mund të ishte një sfidë serioze për postin e Ramës si Kryeministër. Për momentin, e sigurtë është se zgjedhjet pa opozitën, duken një realitet unik, edhe për një eksperte me eksperiencë disa vjeçare në monitorimin e zgjedhjeve si Audrey Glover, e caktuar për monitorimin e 30 qershorit në Shqipëri.

Glover: Asnjëherë skam monitoruar zgjedhje pa opozitën./ABC News Albania 24/7

astrit-patozi.jpg
ad min13:39 | 21/05/2019

Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, me anë të një statusi në rrjetet sociale e ka konsideruar të pashembullt atë që po ndodh me firmëtarët dhe kandidatët e partisë më të re në vend. Patozi shkruan se askush nuk e ndal dot bindjen demokratike, ndaj edhe janë acaruar. Sipas tij, tashmë është koha e Bindjes Demokratike.

Postimi i plotë i Astrit Patozit:

“Nuk na ndalin dot, ndaj janë tërbuar nga dëshpërimi

Krenarë për atë që kemi bërë në kaq pak ditë dhe mirënjohës për gjithkënd që mbështeti dhe besoi tek Bindja Demokratike. Sot jemi realisht shumë më tepër dhe shumë më të fortë se në ditën e parë.

Asnjë peng për ata që u ndanë prej nesh për shkak se u kapën për fyti dhe u lidhën prej këmbësh nga të dëshpëruarit e sistemit, të cilët ndjehen tmerrësisht të kërcënuar nga era e Bindjes Demokratike. 

Shikojeni vetë si janë shpërfytyruar, sa kanë nisur me tërbim një fushatë të egër kundër nesh, që të kujton gjuetinë e nazistëve ndaj hebrenjve, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. 

Kurrë më parë nuk ka ndodhur që një partie politike, ndonëse fare e re, t’i sulmohen, përgjohen dhe merren peng, që nga firmëtarët e deri tek kandidatët e saj për zgjedhjet e 30 qershorit.

Është e pashembullt kjo që po ndodh, por ajo konfirmon gjithashtu se ne kemi bërë gjënë e duhur në kohën e duhur. E kanë kot. Sepse nuk na ndalin dot, ndaj edhe janë kaq të acaruar. 

Nuk ia vlen të merreni me inkuizitorët, ndonëse i njohim me emra, ua dimë edhe zyrat ku i kanë thirrur të penduarit, në prani të dëshmitarëve mediatikë. Sepse koha e tyre po skadon me shpejtësi. Është koha e “Bindjes Demokratike”.

mitrovse-veri-1280x664.jpg
ad min19:30 | 18/05/2019

Në zgjedhjet e të dielës për katër komunat në veri të Mitrovicës, për herë të parë komuniteti serb nxjerr katër kandidatë, të cilës i përkasin të gjithë listës serbe. Në këto zgjedhje kanë prezantuar kandidatët e tyre dhe Partia demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje. 

Janë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në  katër komunat veriore të Kosovës.

Është hera e parë që në komunat veriore kandidatët për të kryetar nga komuniteti serb janë vetëm të një partie  ajo e Listës Serbe.

Partia qytetare serbe e e Oliver Ivanoviçit i vrarë para më shumë se një viti ka vendosur të mos ketë asnjë kandidat për shkak se besojnë se edhe këto zgjedhje nuk do të jen fer dhe demokratike, e aq më pak kur ende nuk janë zbuluar vrasësit e Ivanovçit.

Ksenja Bozhoviç sekretare e Iniciativës Qytetare: “Nga bisedat private që kam me qytetarë vërehet presioni te ta i cili vazhdon të mos ndalet. Ka ende presion posaçërisht të punonjësit e institucioneve që detyrohen të dalin masivisht në zgjedhje. I kemi pasur dy procese zgjedhore dhe dy vrasje të kandidatëve. Me vrasjen e Ivanoviçit është vrarë demokracia. Nuk kemi marrë pjesë në këtë proces zgjedhor pasi për 16 muaj nuk është gjetur vrasësi i kryetarit tonë. Derisa nuk gjenden vrasësit pak njerëz kanë guxim të dalin në zgjedhje”.

Ndërsa nga viti 2013 në zgjedhje lokale në komunat që udhëhiqen nga serbët gjithashtu nuk garon partia liberale serbe e udhëhequr nga Sllobodan Petroviç.

Thotë se këtë bëjnë për shkak të frikës pasi që një kandidat i tyre është vrarë në vitin 2014.

Sllobodan Petroviç Partia e Pavarur Liberale: “Të gjithë e kanë të qartë se nuk ekzistojnë kushtet dhe si rezultat i kësaj askush tjetër nuk guxon të kandidoj pos përfaqësuesve të Listës Serbe. Dhe kjo është diçka mëse e dukshme. Këto zgjedhje nuk do të ndryshojnë asgjë. Kemi një situatë ku të njëjtit kandidat që kanë dhënë dorëheqje janë përsëri në garë”.

Në këto zgjedhje përveç Listës Serbe për kryetar të komunave veriore kanë kandiduar edhe Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Katër kryetar të komunave serbe nga komuniteti serb patën dhënë dorëheqje nga postet e tyre për shkak të taksës së vënë nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe ndërsa tre prej tyre janë rikandiduar në zgjedhje të jashtëzakonshme./ABC News Albania 24/7

RAMA-PERZGJEDH-61-KANDIDATET.mpg_snapshot_00.19-1280x720.jpg
ent ela15:34 | 11/05/2019

Kryesia e Partisë Socialiste ka zyrtarizuar emrat e kandidatëve për kryetarë të bashkive në zgjedhjet e 30 qershorit, të cilët do regjistrohen të hënën në KQZ. Kryeministri Rama tha se drejtuesit e qarqeve do të shpallin nesër emrat, ndërsa shtoi se forca më e madhe politike në vend, është gati për zgjedhjet lokale.

Të pashqetësuar duken socialistët këtë fundjavë. Ia kanë kushtuar zgjedhjes së 61 kandidatëve për kryebashkiakë në garën e 30 qershorit  datë e cila nuk do të ndryshojë kanë përsëritur ata vazhdimisht.

Kryesia e Partisë Socialiste pas rreth 3 orë mbledhje vendosi cilët janë emrat që do t’i përfaqësojë së bashku me aleatët.

Vangjush Dako do të përshëndetet me zgjedhësit e tij në Durrës pasi i qeverisi për tre mandate rradhazi. Vendin e tij socialistët ia kanë dhënë kandidates Valbona Sako, e njohur në qytetin bregdetar.

Të njëjtin fat pëson edhe kryebashkiaku i Elbasanit Qazim Sejdini.Gledian Llatja është prezantuar më herët nga vetë kryeministri Rama duke e këshilluar që të vazhdojë në rrugën e të mandatuarit tre herë Qazim Sejdini.

Në qendrën e qarkut të Vlorës ranë dyshimet për Kryebashkiakun Dritan Leli, ai do të garojë për një mandate të dytë.

Tirana nuk ka patur surpriza. Erion Veliaj e ka përqëndruar punën e tij më së shumti për të marrë shumicën në Këshillin Bashkiak.

Një tjetër mandat do të kërkojë edhe Armando Subashi në Fier, e po kështu edhe Tërmet Peçi në Tepelenë.

Janë 5 bashki që i janë besuar deputetëve që do të lenë mandatin pas kësaj përzgjedhjeje.

Flamur Golemi në Bashkinë Gjirokastër.

Pjerin Ndreu në Bashkinë Lezhë.

Ilir Xhakolli në Bashkinë Pogradec.

Nuri Belbaj në Bashkinë Prrenjas

Dhe Rakip Suli në Bashkinë e Kamzës.

Nën siglën e Aleancës për Shqipërinë Evropiane në Dibër do të kandidojë. Drejtori i Drejtorisë Rajonale Tatimore të Tiranës Dionis Imeraj. Në Kukës u zyrtarizua emri i Safet Gjicit.

Ai që doli për të komunikuar vijimësinë e procesit zgjedhor ishte kryeministri Edi Rama.

“Kemi vendosur për të gjitha bashkitë, janë disa detaje të fundit që janë çështje qarqesh dhe nuk ka asnjë problem. Të deleguarit kanë mandatin për t’i konkluduar që të gjitha”.

Nga kjo ditë puna do të zhvendoset në qarqet përkatëse. Të hënë 61 kandidatët e majtë do të regjistrohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Tashmë thonë se janë gati të nisin fushatën për të fituar përballë disa partive të vogla opozitare. /ABC news Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono