Kanabis

era.jpg
G. P.21:57 | 27/03/2019

Dy të rinj shqiptarë kanë pranuar para gjykatës se janë marrë me prodhim kanabisi në Britani. Daniel Muhaj, 29 vjeç dhe Eglant Selenica, 35 vjeç u gjetën nga autoritetet të hënë në një fabrikë droge në Suffolk.

Vlera e kanabisit që ruanin dy shqiptarët shkonte deri në 1 milion Paund. Megjithatë gjykata në Ipswich dëgjoi se dy kopshtarët kishin një rol gati të vogël në lidhje me rrjetin kriminal që i zotëronte ato sasi droge.

Avokati mbrojtës i dy shqiptarëve, Jeremy Kendall tha para gjykatës se ata ishin viktima “në fund të zinxhirit” të rrjetit kriminal. Sipas tij, ata luajtën një rol të vogël në të gjithë atë aktivitet të jashtëligjshëm.

Dy shqiptarët gjendeshin në Suffolk prej më pak se një muaji. Selenica ka një grua dhe një fëmijë 8-vjeçar në Shqipëri. Për të shkuar në Britani, ai kishte udhëtuar nga Rumania. I riu shpresonte se do të gjente punë në ndërtim, përpara se t’i ofrohej një pagë 1.500 Paund për të ruajtur bimët e kanabisit.

Ndërkohë mësohet se Muhaj kishte hyrë në Britaninë e Madhe nga Franca i fshehur në një kamion. Sipas avokatit, ai nuk kishte opsion tjetër veçse të pranonte punën që të paguante borxhin prej 8000 Paundësh që kishte marrë për të hyrë në Britani.

Por si u kapën shqiptarët?

Ata u arrestuan të hënën dhe ajo që i bëri të viheshin në pranga ishte era e kanabisit që kundërmonte në rrugë. Pronari i shtëpisë ku banonit shqiptarët, por edhe banorë të lagjes lajmëruan autoritetet.

Banesa ishte marrë me qira në Nëntor. Kur policia ushtroi kontroll në ndërtesë gjetën qindra rrënjë kanabisi, ndriçim të sofistikuar dhe pajisje ventilimi.

Muhaj dhe Selenica u vunë menjëherë në pranga dhe priten të dënohen nga Gjykata e Kurorës në Ipswich në një datë që pritet të vendoset. BBC shkruan se për shqiptarët mund të jepet një dënim që mund të shkojë deri në 3 vjet e 6 muaj burg./abcnews.al

arme-policia.jpg
G. P.17:47 | 18/03/2019

Një 45-vjeçar nga fshati Kir është arrestuar nga Policia e Shkodrës pasi iu sekuestrua drogë dhe armë. Ndalimi i tij u bë mbi bazën e informacioneve operative, se ky shtetas në bashkëpunim me persona të tjerë ushtronin veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij në Kir, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4.5 kilogramë kanabis, 2 armë zjarri automatike, 19 kapsolla për lëndë plasëse, 10 krehra, 77 fishekë, 2 radio marrëse e dhënëse. Ndërkohë vijon puna për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal./abcnews.al

lenginas.jpg
G. P.10:30 | 12/03/2019

Babë e bir janë vënë në pranga pas një operacioni antidrogë nga Policia e Fierit. Mësohet se janë sekuestruar 31 kilogramë kanabis. Lënda narkotike u gjet gjatënjë kontrolli në banesën e B.G, 51 vjeç dhe A.G, 27 vjeç.

Gjithashtu, nga një kontroll tjetër të ushtruar në servisin e kasetofonave në pronësi të tyre, u gjetën disa doza të tjera me kanabis./abcnews.al

10032019hpnark001.jpg
ent ela12:25 | 11/03/2019

Policia greke ka sekuestruar orët e fundit më shumë se 170 kg kanabis të sjellë nga Shqipëria.

Në tre operacione të ndryshme janë arrestuar tre shtetas shqiptarë dhe një grek, ndërsa një tjetër shtetas shqiptar është shpallur në kërkim.

Në Kambi të Artës, policia ka ndaluar për kontroll mjetin që drejtonte një 24 vjeçar grek, i cili udhëtonte bashkë me një shtetase shqiptare të moshës 27 vjeç.

Gjatë kontrollit në mjetin e tyre u gjetën 22 paketa me kanabis, me peshë të përgjithshme 46,4 kg.

Në Sajada, fare afër pikës së kalimit kufitar të Qafë Botës, u ndalua një shtetas shqiptar, me moshë 25 vjeç. Në motoçikletën e tij ai po mbartte 4,8 kg kanabis, ndërsa aty pranë u gjet e hedhur përtokë dhe një sasi prej 4,6 kg.

Disa qindra metra më tej, 25 vjeçari kishte parkuar autoveturën e vet, me një trejler ku do të vendoste motoçikletën. Policia po heton nëse ai i kishte për të transportuar një sasi më të madhe.

Operacioni i tretë është zhvilluar në Mavroneri, në distancë të afërt nga fshati shqiptar Janjar. Një i ri shqiptar, me moshë 20 vjeç, është kapur tek po transportonte një sasi prej 116 kg kanabis. Policia ka shpallur në kërkim dhe një tjetër shtetas shqiptar, i cili rezulton të jetë pronari i mjetit me të cilin po transportohej lënda narkotike. /abcnews.al

Gazetar: Robert Goro

RAPORTI-PER-KANABISIN-NE-SHQIPERI.mpg_snapshot_00.17-1280x720.jpg
ent ela15:22 | 13/02/2019

Policia e Shtetit në bashkëpunim me  Guarda di Finanza kanë publikuar raportin me shifrat e kultivimit dhe sekuestrimit për vitin 2018. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i cilësoi historike shifrat e publikuara nga raporti për goditjen e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Sipas ministrit, kemi arritur një fitore në një betejë të rëndësishme por lufta vazhdon. 

Për vitin 2018 niveli i kultivimit të kanabisit është në minimumin e tij historik, ndërsa sasia e kapur në Itali është 81% më e ulët se në 2017. Kështu u shpreh ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë raportit të publikuar nga  Guarda di Finaza  në bashkëpunim Policia e Shtetit.

“Orientimi i goditjes ligjore, jo thjesht kundër bimëve narkotike, por kundër rrjeteve dhe grupeve kriminale, funksionimi i një sistemi të qartë përgjegjësish të drejtpërdrejta të zyrtarëve të pushtetit qendror e vendor që kanë detyra për kontrollin dhe administrimin e territorit, korrelacioni i qartë i përgjegjësive mes punonjësve të policisë me zonat potenciale për kultivimin të bimëve narkotike si dhe monitorimi i rreptë dhe i shumëfishtë i gjithë territorit, ku veçohet operacioni i monitorimit nga ajri, janë disa nga elementët kryesorë që kanë mundësuar rezultatin historik të arritur në këtë luftë të rëndësishme për të ardhmen e vendit”.

Ndërkohë Ambasadori i BE-së Luigi Soreca në Shqipëri përgëzoi strukturat për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të kanabisit. Ai kërkoi që tani të konfiskohet pasuria e grupeve kriminale.

Luigi Soreca, Ambasadori i BE: “Ndiq paratë. Rezultatet janë mbresëlënëse, ulje drastike në kultivimin e kanabisit në Shqipëri. Gjithashtu tregohet edhe një ulje e kanabisit që është sekuestruar në Itali. Në emër të BE-së iu përgëzoj. Sekuestrimi i drogës duhet të ndiqet nga veprimet e tjera të konfiskimit të pasurisë për grupet kriminale” .

Për Ardi Veliun rezultatet e arritura përgjatë vitit 2018 janë ndër më të mirat që nga fillimet e viteve 90, ndërsa shtoi se janë pezuluar shumë efektiv të policië nga puna.

“Ajo që në themel e bëri të suksesshëm punën tonë këtë vit, ishte  integritetit i punonjësve të policisë të ngarkuar me detyra në fushën e parandalimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike dhe vendosmëria për të ndëshkuar cilindo punonjës policie që do abuzonte me detyrën apo do bëhej palë me shkelësit e ligjit”.

E  ngarkuara me punë në ambasadën e SHBA-së në Shqipëri, Leyla Moses përgëzoi arrestimet e Kelmend Balilit, Arbër Çekajt  dhe Met Kananit që tashmë janë në duart e drejtësisë. /abcnews.al

 

policia-e-elbasanit_1511375461-356682.jpg
G. P.12:09 | 04/02/2019

Një minë me telekomandë dhe një sasi kanabisi i janë sekuestruar një personi në Elbasan. A.R. ra në prangat e policisë pas operacionit të koduar “Zaranika”.

Për të ishin marrë informacione në rrugë operative dhe ishte hetuar me metoda speciale në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e personave që tentojnë të trafikojnë lëndë narkotike apo lëndë plasëse. Mësohet se sasia e kanabisit të kapur është rreth 7 kilogramë.

Autoritetet po vazhdojnë punën në bashkëpunim me Prokurorinë për zbardhjen e plotë të këtij rasti si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar./abcnews.al

drogaa.jpg
G. P.19:16 | 30/01/2019

Prokuroria për Krimet e Rënda kërkoi 38 vite burg në total për 7 persona, mes të cilëve ish-policë dhe ish-doganierë, të akuzuar trafikimin e një sasie prej 2.5 tonë kanabis me destinacion Gjermaninë. Droga u bllokua në Itali, ndërsa dëshmia e një “të penduari” zbardhi gjithë mekanizmin e grupit.

Prokuroria për Krimet e Rënda lexoi pretencën në gjykimin ndaj shtatë personave të akuzuar për trafikimin e një sasie prej 2.5 tonë kanabis drejt Italisë. Droga e dalë nga Shqipëria përmes një kamioni të ngarkuar me lëndë drusore kishte destinacion fundor Gjermaninë, por u pikas nga policia në portin e Ankonas në Itali në Dhjetor të vitit 2017.

Për akuzën e “trafikut të narkotikëve” në formën e grupit të strukturuar kriminal prokurori Dritan Prençi kërkoi deklarimin e fajshëm dhe nga 13 vite burg për të pandehurit Euron Hoti dhe Malton Lleshi. 13 vite burg u kërkuan edhe për të pandehurin Aurel Lazaj, por për shkak se ai gëzon statusin e të penduarit dhe dëshmia e tij “zbërtheu” gjithë linjën e trafikut, përfundimisht dënimi i kërkuar ishte 2 vjet burg.

Për ish punonjësit e policisë kufitare Gëzim Dervishi e Agron Kapllani dhe për dy ish-doganierë të Portit Durrës, Altin Katundi e Mikail Lila, të akuzuar për “shpërdorim detyre”, u kërkua fajësi dhe dënimi i tyre me nga 2 vite heqje lirie.

Karta e fortë e prokurorisë në këtë proces ishte rrëfimi i të penduarit Aurel Lazaj. Ai sqaroi gjithë mekanizimin e trafikut, personat e përfshirë në të si edhe ndihmën e zyrtarëe të policisë apo doganës. Në dëshmi Lazaj ka rrëfyer edhe për përfshirjen e tij të mëhershme në trafikun e kanabisit, ku droga kalonte kufirin përmes kamionëve që transportonin mermer.

Sipas prokurorisë, kamioni me 2.5 tonë kanabis u bllokua në Ankona për shkak të një problemi me dokumentacionin. Të pandehurit dërguan një tjetër kamion me qëllim ndërrimin e targave dhe shkëmbimin e tyre. Por kjo orvatje u diktua nga policia italiane dhe më pas u realizua edhe gjetja e drogës. Sipas hetimit, pritës i drogës në Gjermani ishte i pandehuri Euron Hoti. /abcnews.al

droga.jpg
G. P.08:30 | 14/01/2019

38 pako drogë ka gjetur policia greke në automjetin e një shtetasi shqiptar, pas një ndjekjeje ku janë mobilizuar edhe mjete të policisë rrugore. Policia ishte sinjalizuar se ai po transportonte lëndë narkotike dhe tentoi ta ndalonte për kontroll në vendin e quajtur Komboti, në dalje të Artës.

Mirëpo 27-vjeçari e shtoi shpejtësinë dhe ndalimi i tij u bë i mundur vetëm pasi kishte përshkuar rreth 160 kilometra në Selianitika, afër Patras. Nga kontrolli në portbagazhin dhe kabinën e mjetit, u gjetën 38 paketa, me gjithsej 35,2 kilogramë kanabis.

Policia sekuestroi drogën, mjetin si dhe dy telefona celularë. I ndaluari u dërgua në prokurorinë e Artës për procedimin e mëtejshëm./abcnews.al

0_Shpetim-HysenlikcajJPG.jpg
G. P.16:36 | 07/01/2019

Një shqiptar është dënuar me 1 vit burg në Angli. Mediat britanike raportojnë se bëhet fjalë për 39-vjeçarin Shpëtim Hysenlikaj, i cili qëndronte ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar. Ai akuzohet për kultivim dhe rritje kanabisi në një shtëpi në Gloucester.

Prokurori i çështjes Brendan Moorhouse tha se:  “Çdo dhomë e shtëpisë ishte konvertuat për rritjen e kanabisit. Ai u ndalua më 30 nëntor të vitit të kaluar. Policia kishte sekuestruar gjithësej 166 bimë kanabisi në faza të ndryshme të rritjes. Policia vlerësoi se nga shitja e lëndës narkotike do të përfitohej një vlerë prej 132,720 euro”.

Ndërsa në gjykatë u tha së Hysenlikaj ishte thjesht një  “kopshtar” dhe nuk kishte një rol kyç.

Avokati mbrojtës, Gareth James tha: “Ai është një shqiptar që erdhi këtu verën e vitit që lamë pas. Ai nuk kishte mundësi të punësohej. Në këto kushte ai nuk kishte mundësi të mbulonte shpenzimet e jetesës. Për këtë arsye ai u detyrua që të punonte aty dhe të sigurohte një strehë. Anëtarë të tjerë të komunitetit shqiptar e shfrytëzuan. Duke qenë në një situatë të vështirë, ai ishte përdorur”.

Ndërsa, gjykatësi shtoi: “Ai nuk është i mitur që të përdorej nga të tjerët.  Pas përfundimit të dënimit ai do të dëbohet nga Britania si një kriminel i huaj”. /abcnews.al

0_SBR_HMB_271118BashllariKamberi_01.jpg
G. P.20:24 | 02/12/2018

Dy shqiptarë, të cilët u kapën duke punuar në një fabrikë kanabisi janë dënuar nga gjykata britanike. Pluton Kamberi, 21 vjeç dhe Ervis Bashllari, 31 vjeç, e pranuan që ishin marrë me rritjen e bimëve të kanabisit në një restorant indian në qytetin e Hull-it.

Por të dy shqiptarët thanë përpara gjykatës se ishin të detyruar të punonin që të shlyenin borxhin që kishin marrë për të hyrë ilegalisht në Britani. E gjithë skena u zbulua në Gusht të këtij viti nga bashkëpronari i restorantit. Brenda në fabrikë u gjetën rreth 1400 rrënjë kanabis vlera e të cilës shkonte në më shumë se 1 milion paund.

Kamberi e pranoi përpara autoriteteve rolin e tij. Ai tha se askush nuk e kishte kërcënuar, por pavarësisht kësaj ai ndihej i frikësuar prej tyre. Nga ana tjetër, në telefonin e sekuestruar të Bashllarit u gjetën mesazhe ku kërkohej ushqim.

Ai ka dëshmuar se duhet të paguhej 100 paund në ditë për punën, por kishte tre javë që nuk kishte marrë asnjë qindarkë. Gjithashtu ai frikësohej për familjen e tij në Shqipëri. Avokatja e tij u shpreh se ai ishte detyruar të punonte për shkak të gjendjes së rëndë të nënës së tij dhe të situatës së vështirë ekonomike të familjes së tij.

Dy shqiptarët u dënuan me nga 3 vjet burg. Pas vuajtjes së dënimit ata do të dëbohen për në Shqipëri./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono