kajmaku

Ervin-Salianji-2-1280x853.jpeg
ent ela15:40 | 02/09/2019

Partia Demokratike vijon të akuzojë kryeministrin Edi Rama, se me kodin mafioz të heshtjes, po mbron kryebashkiakun e inkriminuar Agim Kajmaku. Ish-deputeti Ervin Salianji tha se Rama hesht pasi me Kajmakun, ndan paratë publike.

Deklaratë e Partisë Demokratike, Ervin Salianji

Partia Demokratike prej më shumë se një javë, me prova të pakundërshtueshme ka denoncuar të inkriminuarin e radhës  në pushtetin e Rilindjes, kandidatin e Ramës për bashkinë e Vorës, Agim Kajmaku apo siç njihet dhe kërkohet nga drejtësia greke me emrin Jorgo Toto.

Dokumente nga gjykata dhe prokuroria e Athinës të publikuara  provojnë se i përzgjedhuri i Ramës për të qeverisur qytetarët e Vorës, është i inkrimiunuari i radhës.

Të dhënat e sistemit TIMS rrëzuan çdo alibi apo përpjekje të Ramës për të gënjyer, duke provuar se Agim Kajmaku është personi i arrestuar në Greqi si Jorgo Toto nën akuzën e trafikimit të parave të falsifikuara.

Partia Demokratike provoi gjithashtu se foto e pasaportës me të cilën është arrestuar në Greqi, Jorgo Toto, është e njëjtë me foton e pasaportës së të zgjedhurit të Ramës, Agim Kajmaku.

Me gjithë këto prova të pakundërshtueshme, Kajmaku i Rilindjes fshihet pas rreshtave të mashtrimit të Edi Ramës, i cili me kodin mafioz të heshtjes, mbron të inkriminuarin me të cilin është ulur në sofrën e pushtetit.

Edi Rama prej 10 ditësh nuk ka thënë asnjë fjalë për mollën e kalbur nxjerrë nga shporta e krimit që mban në dorë.

As ai dhe as Kajmaku i tij nuk thonë dot asnjë fjalë për fotografinë e njëjtë në dy pasaporta, sepse fytyra e vërtetë e krimit është në dy pasaportat e një njeriu të vetëm: Agim Kajmakut alias Jorgo Toto, personi që është arratisur nga Greqia.

Edi Rama nuk flet më, sepse Jorgo Toto është Agim Kajmaku, njeriu me të cilin ndan miliona euro para publike me tendera e koncensione.

Edi Rama nuk guxon të thotë asnjë fjalë, sepse Jorgo Kajmaku është simboli i projektit te tij per qeverisjen  me krimin dhe për krimin.

Hesht tashmë edhe vetë Kajmaku, sepse nuk e fsheh dot më krimin e Jorgo Totos, krim për të cilin duhet të përgjigjet para drejtësisë.

Në fakt ai duhet të ishte i pandehur bashke me Valdrin Pjetrin, por prokuroria e kapur për fyti nga Edi Rama nuk zbaton ligjin.

Prokuroria hesht dhe në vend të fletës së arrestit për Kajmakun, nis letra për Partinë Demokratike duke i kërkuar provat që i ka në sistemin TIMS.

Prokuroria nuk zbaton kodin penal dhe ligjin e dekriminalizimit për të vënë para drejtësisë të kërkuarin në Greqi, i cili ka trafikuar para të falsifikuara dhe mashtruar në formularin e dekriminalizimit.

Edi Rama duhet te mbaje përgjegjësi para banorëve të Vorës për kandidimin e një të kërkuari nga drejtësia për bashkinë e tyre.

Agim Kajmaku duhet të largohet nga zyra e zaptuar paligjshmërisht  në bashkinë e Vorës.

Edi Rama, hesht për Kajmakun e radhës sepse ashtu si çdo organizatë kriminale, edhe grupi i strukturuar kriminal i Rilindjes, zbaton kodin mafioz të heshtjes, “omerta”.

Omerta për të gjithë kriminelët me të cilët ai erdhi dhe mbron pushtetin.

Pushteti i organizatës kriminale duhet larguar një orë e më parë, si e vetmja rrugë për ta shpëtuar Shqipërinë nga kthetrat  grabitës së djersës dhe pasurisë publike të shqiptarëve të vendosur në shërbim të kryetarit të kësaj organizate, Edi Rama.

Zgjedhjet e lira e të ndershme parlamentare dhe lokale njëkohësisht me një qeveri tranzitore janë e vetmja rrugë shpëtimi, për ti dhënë mundësinë shqiptarëve per te hapur rrugën e zhvillimit ekonomik dhe social, rrugën e Shqipërisë në Bashkimin Europian, rrugë e cila është zënë nga krimi në pushtet. /abcnews.al

PROKURORI-PD_ABC-M4-T2.mpg_snapshot_00.12-1280x720.jpg
ent ela17:00 | 27/08/2019

Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar një kërkesë selisë blu që t’i vërë në dispozicion dokumentet që disponon për të shkuarën e Kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku.

Pas akuzave të vazhdueshme të Partisë Demokratike për kryebashkiakun e Vorës Agim Kajmaku, prokuroria e Përgjithshme është vënë në lëvizje. Organi më i lartë i hetimit në vend i është drejtuar me një kërkesë selisë blu, me anë të së cilës i kërkon që t’i vërë në dispozicion të gjitha dokumentet që disponon, lidhur me të shkuarën kriminale që PD pretendon për Kajmakun. Kërkesa mësohet se i është dërguar sekretarit të Përgjithshëm demokrat, Gazment Bardhi.

Ndërkohë Njësia e Dekriminalizimit pranë prokurorisë së përgjithshme i ka kërkuar kreut të Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, që të depozitojë në policinë shkencore gjurmët e gishtërinjve. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme bëjnë me dije se, kryebashkiaku i Vorës nuk i ka dhënë ende gjurmet e gishtave. Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimin për të verifikuar nëse kryetari i bashkisë së Vorës, ka çështje të hapura me drejtësine greke.

Sipas burimeve nga kjo Prokurori, fillimisht do të bëhen verifikimet në vendin tone për shkak se kryebashkiaku i Vorës ka ndryshuar emrin dhe më pas do të dërgohet letërporosi drejt institucioneve të drejtësisë në Greqi, lidhur me te shkuaren e Agim Kajmakut. Informacion në vendin tonë i është kërkuar zyrës së Gjendjes Gjyqësore dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, Ministrisë së Drejtësise dhe Prokurorive të Shkallëve të para dhe atyre të Apelit në Tiranë. /ABC News Albania 24/7

 

 

Clirim-Gjata-1280x710.jpg
ent ela12:03 | 23/08/2019

Partia Demokratike i ka kërkuar kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut të Vorës të japin shpjegime nëse Agim Kajmaku ka probleme të hapura me drejtësinë greke të cilat nuk i ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Sekretari për çështjet ligjore në PD, Çlirim Gjata kërkoi shpjegime, nëse ka kryer falsifikim dokumentash kryebashkiaku i ri i Vorës.

Me një skenar të ngjashëm me atë të denoncimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Shkodrës, Valdrin Pjetri, Partia Demokratike kërkon të nxjerrë nga zyra e kryetarit të Bashkisë së Vorës, edhe Agim Kajmakun. Me pyetje të drejtëpërdrejta për kryeministrin dhe kryebashkiakun socialist, sekretari ligjor i demokratëve kërkoi shpjegime nëse Kajmaku ka dënime të formës së prerë apo dosje të hapura me drejtësinë greke.

Gjata pretendoi se Edi Rama është në dijeni të plotë të dënimit të kryebashkiakut të Vorës, por po përpiqet të fitojë kohë për të falsifikuar dokumentat.

Të martën sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i kërkoi sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme të nisë verifikimet për kryebashkiakun socialist, Agim Kajmaku duke hedhur dyshime të forta për pastërtinë e figurës së tij. I pyetur nga ABC News,  kryebashkiaku i Vorës Kajmaku ka pranuar se ka ndërruar identitet kur ka jetuar në Greqi, siç edhe e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Por  ai mohon të ketë qenë i dënuar apo dëbuar nga ndonjë shtet i Bashkimit Europian dhe i quan akuzat e PD si sulme politike ndaj tij. /ABC News Albania 24/7

 

basha-2-1280x675.jpg
ent ela14:43 | 22/08/2019

Në një koment për transferimin e kësaj dosjeje në Prokurorinë e Dibrës, kreu demokrat sulmoi drejtueset e dy prokurorive Arta Markun dhe Donika Prelën, duke i quajtur Katicat e Ramës. Basha foli sot edhe për kreun e Bashkisë së Vorës, duke thënë se Rama ka qenë në dijeni për problemet e tij me ligjin në Greqi. Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, parashikon për Arta Markun dhe Donika Prelën të njëjtin fat si ai i Prokurores maqedonase, Katica Janeva që aktualisht ndodhet pas hekurave. Në një dalje për mediat, Basha theksoi se me vendimin e tyre për të shpallur moskompetencë për dosjen 184, për blerjen e votave në Dibër, Marku dhe Prela kanë zgjedhur të vetëflijohen për kryeministrin Rama. Kreu i opozitës foli edhe për një dosje të hapur të kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku për të cilën sipas tij është në dijeni edhe kryeministri Rama, të cilin e kanë informuar partnerët ndërkombëtarë.

Lulzim Basha i kujtoi prangat kryeprokurores së Përgjithshme, Arta Marku dhe drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela. Për kreun e opozitës, me vendimin që dy drejtueset e larta të organit të akuzës morën për shpalljen e moskompetencës për dosjen e Dibrës 184 do të kenë fat të ngjashëm me atë të koleges së tyre maqedonase Katica Janeva, që aktualisht ndodhet pas hekurave.

Përgjegjësinë kryesore, kryedemokrati e sheh te Edi Rama. Për këtë solli në vëmendje rastin e një tjetër kryebashkiaku socialist, për të cilin edhe pas sinjalizimeve ndërkombëtare e kandidoi për Bashkinë e Vorës.

Për të treguar kontrastin me nivelin e përfaqësimit dhe sjelljen në raport me ligjin, PD do të paraqesë në shtator platformën e saj përmes së cilës do të kërkojë të marrë pushtet përmes votës.

Kriza që po kalon vendi për kreun e opozitës është shumë e thellë, ndaj edhe koha për t’i dhënë zgjidhje duhet të jetë e afërt. Pas një takimi mbi 60 minuta që zhvilloi me ambasadorin e ri gjerman, Peter Zingraf, Basha tha se është i gatshëm të investohet për të zgjidhur krizën.

Javën e ardhshme, kryedemokrati Lulzim Basha pritet të zhvillojë takime intensive me aleatët e tij dhe strukturat më të larta të Partisë Demokratike, ku do të vendoset mbi vijimin e aksionit opozitar.

/ABC News Albania 24/7

MBULIM-BARDHI-PER-KAJMAKUN.mpg_snapshot_00.08-1280x720.jpg
ent ela13:20 | 22/08/2019

PD i kërkon organit të akuzës të nisë verifikimet për një tjetër kryebashkiak socialist, atë të Vorës, për të cilin thotë se ka qenë i arrestuar dhe dënuar në Greqi. Por vetë Agim Kajmaku, i pyetur nga ABC News, i mohon këto akuza

Partia Demokratike pretendon se në rrjeten e Dekriminalizimit ka rënë një tjetër kryebashkiak socialist. Në sektorin e Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme mbërriti të martën shkresa e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ku kërkohej hetim i thelluar për kryebashkiakun socialist të Vorës, Agim Kajmaku.

Nga të dhëna të bëra publike më parë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se subjekti Agim Kajmaku, ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik, në kuptim të nenit 2 të ligjit nr.138/2015. Ai dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Greqi dhe më pas ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse greke. Në formularin e Vetëdeklarimit shtetasi Jorgo Toro ka deklaruar se ka jetuar ëpr 5 vite në Greqi. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Agim Kajamaku alias Jorgo Toro nga periudha 2004-2016 nuk ka udhëtuar në asnjë rast në drejtim të Greqisë, çka përbën një indicia për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë.

I pyetur nga  ABC News Kajmaku është shprehur se në formularin e dekriminalizimit ka deklaruar se ka ndryshuar identitetin dhe ka jetuar në Greqi në vitet 1991-1996. Kryebashkiaku i Vorës shprehet me bindje se nuk ka qenë i dënuar dhe as nuk është dëbuar asnjëhere nga ndonjë shtet i BE-së.

Me përgjegjësi ligjore dhe bindje morale deklaroj se nuk jam dënuar dhe as jam dëbuar asnjëherë nga ndonjë shtet i BE, as nga Greqia. Ndërkohë që për vite të tëra kam qenë udhëtues i shpeshtë dhe korrekt në shumë vende të BE-së, për llogari të biznesit tim familjar. Autorët dhe akuzuesit publike që shpifin ndaj personit tim, për një qëllim të vetëm, atë të ndotjes politike të kundërshtarit, do të vihen përballë drejtësisë dhe detyrimit të gjetjes së provave të pretenduara.

Kryebashkiaku i Vorës ishte i  bindur se ndryshimi i identitetit prej tij do të ishte një motiv për t’u sulmuar politikisht nga opozita. Për këtë arsye përpara se të merrte mandatin e krytarit të Bashkisë, Kajmaku udhëtoi drejt shtetit grek nga pika kufitare e Kakavijës duke publikuar në rrjetet sociale edhe dokumentat, ku pranon se ka ndryshur identitetin por duke mohuar në mënyrë kategorike një dënim në shtetin grek.

Pas zgjedhjeve të 30 qershorit, Agim Kajmaku është kryebashkiaku i dytë socialist që akuzohet nga Partia Demokratike për të shkuar kriminale. Më herët PD publikoi të dhëna për një dënim të kandidatit fitues per bashkine e Shkodrës, Valdrin Pjetri duke e detyruar atë të tërhiqet nga marrja e detyrës së krybashkiakut.

/ABC News Albania 24/7

MBULIM-BARDHI-PER-KAJMAKUN.mpg_snapshot_00.08-1280x720.jpg
ent ela10:10 | 22/08/2019

Pas kandidatit të Shkodrës, Valdrin Pjetrit, Partia Demokratike ka gjetur prova për një tjetër kandidat me të kaluar kriminale. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme dhe sektorit të Dekriminalizimit të verifikojnë pastërtinë e figurës për kryebashkiakun socialist të Vorës, Agim Kajmaku. Sipas numrit dy të demokratëve, Kajmaku është subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe duhet ti ndërpritet mandati.

“Ai dyshhet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Greqi dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse greke” – thuhet në kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD. Sipas Bardhit, kryebashkiaku socialist i Vorës Agim Kajmaku që në Greqi ka mbajtur identitetin Jorgo Toro nga periudha 2004 – 2016 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Greqisë, ndërkohë që në formularin e dekriminalizimit ka deklaruar se ka jetuar për 5 vite në këtë shtet./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono