kadastra

kadastra.jpg
G. P.13:14 | 11/09/2019

Policia e Vlorës ka nisur një hetim për një dosje e cila nuk është marrë në shqyrtim nga Hipoteka e Vlorës. Bëhet fjalë për një pronë në Jalë, e cila pretendohet nga dy qytetarë. Ndërkohë që është dorëhequr nga detyra nëndrejtori i Kadastrës dhe i Aluzinit.

Në Hipotekën e Vlorës ka nisur një hetim për një dosje. Shkak është bërë një pronë në Jalë të cilën e pretendojnë dy qytetarë të ndryshëm. Mësohet se njëra pale e ka fituar çështjen në Gjykatën e Lartë dhe për shkak të presioneve që kishte drejtori Florian Alimadhi në lidhje me dosjen dha dorëheqjen disa ditë më parë duke u zëvendësuar nga Alteo Nazeraj.

Për këtë qëllim është ngritur një grup pune i përbërë nga 20 juristë të Drejtorisë së Kadastrës në Vlorë për të marrë në shqyrtim dosjen. Në Hipotekën e Vlorës ka patur rezistencë edhe nga zv/drejtori Klodian Troci për të liruar zyrën pasi nuk ishte dakord me vendimin e largimit të tij.

Por i kontaktuar në telefon nga Abc News Troci ka sqaruar se është njohur gojarisht me vendimin i cili pritet t’i komunikohet me anë të një shkrese të enjten. Në vend te tij është emëruar Krenar Xhemali. Ndërkohë nga burime brenda Hipotekës së Vlorës mësohet se të enjten do të largohet edhe n/drejtori i Aluzinit Ardian Musta. Nuk dihen ende shkaqet e këtij largimi. Në ambientet e Kadastrës prej një javë ndodhet edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit./ABC News Albania 24/7

artan-lame.jpg
G. P.10:58 | 11/09/2019

Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka çelur garën për 74 vende të lira pune. Hapjen e konkursit e njoftoi drejtori Artan Lame, i cili gjithashtu i bëri thirrje politikanëve të mos ndërhyjnë për të punësuar të njohur të tyre.

Një vale shkarkimesh pritet të përfshijë Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Artan Lame doli personalisht për të njoftuar dy sfidat kryesore të institucionit që drejton. Njëra prej tyre është ngritja e nivelit profesional të punonjësve.

“Në këtë pikë mjafton të them se sot agjensia ka rreth 400 juristë të të gjitha shkollimeve, që nga ata me shkolla të mbaruara jashtë, e deri te ata me pasqyra e xhamlleqe. Dhe, me gjithe këta juristë, i vetmi rezultat ka qenë hapja e mijëra gjyqeve për çështje pronësie, me pasojat e trishta që i dimë të gjithë.

Po ka edhe më keq se juristët, pasi gjenden pa fund ekonomistë e biologë, historianë, sociologë, psikologë, e ku di unë çfarë tjetër, duke lënë në minorancë profesionet bazë të Kadastrës.

Nuk po i hyj këtu analizës se si është arritur ky deformim 20 vjeçar por, me keqardhje për fatin personal të secilit, deklaroj se reforma për rritjen e profesionalizmit do të vijojë.”

Rishikimi i hartave të pronave me probleme në të gjithë vendin është sfida tjetër e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Kjo sipas Lames kthen në domosdoshmëri tërheqjen e profesionistëve të fushës prandaj si drejtues i Agjencisë hapi garën për punësimin e 74 specialistëve.

“-Inxhinier ndërtimi;

-Arkitekturë;

-Urbanistikë;

-Gjeoinformatikë;

-Gjeodezi;

-Topografi.

Saktësoj, jo punonjës me kontratë, por punonjës në strukturë”.

Bashkë me thirrjen drejtuar të rinjve për të konkurruar Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës kishte një apel dhe për familjaret, miqtë, të njohurit, deputetët dhe ministrat.

“Ju lutem mos më ndërhyni për punësime. Shteti shqiptar, kadastra shqiptare dhe unë duam profesionistë, jo miq.

O më thoni të bëj Kadastrën, o më thoni të bëj qokat e miqtë, të dyja nuk bëhen dot!”

vlora.jpg
G. P.15:17 | 09/09/2019

Ndryshime në zyrën e Kadastrës në Vlorë. Pas tre muajsh në detyrë jep dorëheqjen Florian Almadhi ka dhënë dorëheqjen nga detyra e drejtorit të kësaj zyre.

Posti i kreut të Kadastrës do mbahet nga Alteo Nazëtaj. Ky i fundit ka qenë punonjës i kësaj zyre në qytetin bregdetar./ABC News Albania 24/7

prona.jpg
ent ela17:15 | 13/06/2019

Në të gjithë vendin ka nisur procesi i korrigjimit të kartelave pasurore që pasqyrojnë pronat bashkëshortore, por janë të regjistruara vetëm në emër të njërit prej bashkëshortëve. Specialistët e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës shpjeguan në një interviste për ABC News rrugën që duhet të ndjekin qytetarët.

Nëse keni përfituar një prone gjatë martesës, por ajo është e regjistruar vetëm në emër të bashkëshortit ju mund të kërkoni korrigjimin e kartelës së pasurisë.

Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Artan Lame ka nxjerrë një urdhër të posaçëm për rregullimin e pasaktësive në pronat bashkëshortore ashtu siç parashikon legjislacioni në fuqi.

Procesi iniciohet me kërkesë të qytetarit.

“Duhet të bëjnë kërkesë për korrigjim. Më pas drejtorët e Kadastrës kanë marrë masat për të konstatuar nëse këto prona janë pjesë e pasurive martesore ose jo, verifikohet data sipas certifikatës familjare.

Të gjitha pasuritë e përfituara nga viti 1981 kur ka hyrë në fuqi kodi civil deri në 2003 kur është miratuar kodi i familjes konsiderohen pasuri të fituara gjatë regjimit martesor, pavarësisht mënyrës së përfitimit të tyre”.

Korigjimi i kartelës në favor të dy bashkëshorteve nuk shoqërohet me pagesë të tatimit të kalimit të pronësisë.

“Ky korrigjim nuk përbën kalim të së drejtës së pronësisë është pasurim të dhënash në kartele nuk i nënshtrohet tatimit të kalimit të pronësisë”.

Ndërkohë procesi nuk mund të kryhet në të gjithë rastet. Përjashtimet i shpjegon drejtoresha e Sektorit Tekniko-Ligjor në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.

“Janë kryer transaksione juridike, është bërë tjetërsimi i pronës, por dhe në rastet e familjeve bujqësore”.

Zyrat e Regjistrimi të Pasurive të Paluajtshme ndër vite pronat i regjistronin në emër të personit që iu paraqitej në sportel dhe jo në pronësi të dy bashkëshortëve siç parashikohet në Kodin e Familjes./ABC News Albania 24/7

kadastra.jpg
G. P.13:48 | 24/05/2019

Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame u bëri thirrje qytetarëve gjatë premtes që duke filluar nga dita e hënë të dorëzojnë dokumentacionin për të regjistruar banesat apo trojet e tyre. Ai tha se janë 12 deri në 13 mijë banesa të paregjistruara, ku rekordin e mban Saranda me rreth 3500 troje me probleme.

Në të gjithë vendin janë rreth 12 deri në 13 mijë banesa dhe troje të paregjistruara dhe me probleme. Këtë e bëri të ditur vetë drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame gjatë një deklaratë për mediat, I cili theksoi se Saranda mban edhe rekordin me plot 3500 troje të paregjistruara.

 “Sot në të gjithë vendin janë 12-13 mijë banesa dhe troje në këtë situatë absurde, ku rekordin e mban Saranda me rreth 3500 troje të dhëna në këtë mënyrë. Të tilla troje ka me shumicë edhe në Gjirokastër, Përmet, Kolonjë, Tepelenë, Berat, Fier, Elbasan, Lezhë, Kukës, Shkodër etj. E them me përgjegjësi se në një pjesë të  këtyre rasteve procesi i dhënies së trojeve ka qenë i parregullt dhe i paligjshëm. Faji nuk është i qytetarëve, por i njësive vendore apo kryetarëve të bashkive që i kanë hyrë këtyre aventurave që ende e kësaj ditë i paguajnë banorët”.

Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Lame i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që duke filluar nga e hëna të dorëzojnë dokumentacionin përkatës për të ligjëruar pronat dhe trojet e tyre, por nuk la jashtë vemendjës edhe protestën e opozitës.

“Nesër qytetarët mund të shkojnë, ata që janë të interesuar të ndjekin edhe protestën e opozitës, por të hënën të fillojnë të plotësojnë  dokumentacionin përkatës me qëllim që të ligjërojnë banësën dhe truallin e tyre pranë zyrave tona të Kadastrës”.

Agjensia e Kadastrës e sapo krijuar konsiderohet tashmë si themeli i reformës së pronës, e cila është në varësi të Kryeministrit./ABC News Albania 24/7

3900009.jpg
us er16:31 | 16/10/2017

 

Nisma e qeverisë për të rritur taksën e pronës ka ngjallur debate. Ndërsa Ministria e Financave nuk jep detaje, ekonomisti Zef Preçi rendit disa pika që duhen pasur parasysh nga qeveria, në mënyrë që taksa të mos varfërojë familjet. 

Nga janari qytetarët pritet të përballen me rritje të taksës së pronës. Rritja vjen me ndryshimin e përllogaritjes, duke kaluar nga sipërfaqja tek vlera e pronës. Me rivlerësimin e pronave të paluatjshme këtë vit, çdo banesë është shoqëruar me rritje të vlerës, ndërsa edhe masa e takses pritet të rritet.

Mnistria e Financave nuk bën të ditur vlerat që po diskutohen në konsultimet për paketën fiskale, ndërsa është i qartë objektivi i qeverisë për të rritur të ardhurat e saj nga kjo taksë.

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, kërkon të shikohet me kujdes një taksë e tillë, që prek të gjitha shtresat e popullsisë.

Një taksim më i drejtë, sipas Preçit, nis pas përfundimit të kadastrës.

Ndërkohë, çdo ndryshim vlere sipas tij, duhet të ketë parasysh të drejtën bazë te strehimit.

Si çdo politikë që rrit nivelin e taksave, nevojitet trajtim lehtësues për shtresa të veçanta siç janë familjet e reja.

Shqetesimi se taksa e pronës mund të jetë shumë më e lartë se aktualisht, vjen për faktin se banesat e rivlerësuara janë më të shtrenjta, por edhe banesat e reja që po ndërtohen kanë çmim më të lartë për shkak të taksës së infrastrukturëes prej 8% të vlerës së pronës.

Pak ditë më parë, në një konferencë për shtyp, ministri i Financave konfirmoi se ministria e ka të detajuar draftin për taksën e pronës. Ai hodhi poshtë zërat për diferencim në taksimin e shtëpisë së dytë dhe të tretë, ndërsa konfirmoi se taksa do të llogaritet në baze të vlerës reale të banesës dhe jo vlerave minimale të llogaritura deri më tani.

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono