jetmir olldashi

pergjime.jpg
G. P.20:31 | 04/09/2019

Në Gjykatën Penale u bë me debate të forta, përballja e dëshmitarëve të akuzës me Fredi Alizotin, për Çështjen “Babalja”. Dëshmi kanë dhënë sekretari i përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi, prokurori Besim Hajdarmataj dhe gazetari Ylli Rakipi.

Gjykata penale zhvilloi seance për atë që njihet si çështja “Babale”, me të pandehur për moskallëzim krimi ish-deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salianji dhe gazetarin investigativ Jetmir Olldashi.

I pandehur është edhe Albert Veliu, person në arrati, i njohur si “Babalja”, si dhe miku i tij Fredi Alizoti, personi që dyshohet se ka imituar zërin e Agron Xhafajt në audiopërgjimin e publikuar në PD-ja.

Gjatë seancës në gjykatë pati debate të ashpra midis 3 dëshmitarëve të organit të akuzës, Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike Gazmend Bardhi, Prokurorit të Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj, gazetarit Ylli Rakipi me avokatët e të pandehurve dhe prokurorët Genc Qano dhe Kol Hysenaj.

Gjatë dhënies së deklarimeve Gazment Bardhi është përplasur më të pandehurin Alizoti, pasi teksa Sekretari i Përgjithshëm i PD-së deklaronte se nuk e njihte, Alizoti pretendonte se kishin konsumuar edhe kafe bashkë.

Në seancë Gazment Bardhi ka debatuar me avokatin Agron Geron Xhafajt, Ardian Vishën.

Ardian Visha, avokati i Geron Xhafaj: Për herë të parë më materialin u njohët kur e publikuat, apo më parë?

Bardhi: Me materialin audio jam njohur para se të bënim denoncimit.

Ardian Visha: Mjetet teknike janë ato të shfaqura në ekran, apo  të tjera?

Bardhi: E kemi marrë në një USB dhe e kemi shfaqur në një ekran. Të njëjtën ia kemi dhënë prokurorisë.

Avokati: Thatë që keni investiguar për të shkuarën e Xhafajt?

Bardhi: Vendimi ka marrë formë të prerë në 2012-n. Geron Xhafaj ishte dënuar për trafik narkotikësh bashkë me një grup kriminal. Kjo tregon për rrezikshmërinë e lartë të tij. Në 2013-n si kreu i komisionit të ligjeve erdhi vëlla i tij erdhi vëllai i tij.

Gjatë dhënies së deklarimeve, gazetari Ylli Rakipi ka deklaruar se gazetari investigativ Jetmir Olladashi e kishte vënë në dijeni dhe i kishte kërkuar mbështetje për të investiguar një rast trafikimi të lëndëve narkotike.

“Gazetarët investigativë kanë mjetet e veta, stilolapsa, ore. Jetmiri i kishte. Unë i kam dhënë 5 mijë lekë të reja vetëm për karburant. Olldashi shkoi. Kur u kthye më tha që kam një material audio. Më erdhi keq që nuk kishte video, sepse pretendohej një përfshirje e vëllait të Ministrit të Drejtësisë”.

Dëshmitari i tretë në këtë seancë ishte prokurori i Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj, të cilit iu rrëzua kërkesa që dëshminë ta bënte pa praninë e medias. Hajdarmataj ka shpjeguar pozicionin e tij si prokuror në këtë çështje dhe veprimet që ka kryer.

“Albert Veliun e kam takuar në Nëntor 17. Recepsioni më komunikoi se ishte dikush që kërkonte takim me mua, pasi do më tregonte diçka të rëndësishme. E prita në zyrë. Më ka prezantuar një fakt. Kishte dijeni se disa persona po përgatiteshin të bënin një trafik droge. Sipas tij, mes tyre kishte policë dhe vëllai i Ministrit të Brendshëm të asaj kohe. E pyeta për personalitetin e tij. Më tha që ishte i dënuar për trafik droge jashtë Shqipërisë. Ai më tha që personat që do bënin trafikimin ishin njohje të vjetra të tij. Meqë bëhej fjalë për policë të përfshirë në trafik dhe vëllain e ministrit lashë takim me një prej drejtuesve të SHISH dhe u kërkova që ta merrnin si rast, për ta përdorur dhe si informator, sipas procedurës së tyre, për ta hetuar nëse ka të dhëna reale për rast trafikimi. Në vijimësi kam kontaktuar me një prej drejtuesve të SHISH. Më ka thënë që nuk kishte diçka konkrete, por se po mblidhnin të dhëna dhe prova. Dua të sqaroj që përfshiva SHISH-in për shkak se personi më tha që në rrjet kishte punonjës policie, si edhe vëllai i Ministrit të Brendshëm të asaj kohe. SHISH ishte institucioni i vetëm që gjatë 2016-2017 na kishte informuar për rastet e trafikut të kanabisit ku ishin të përfshirë dhe punonjës policie”, tha ai.

Gjykata e Tiranës vendosi që të pezullonte për momentin marrjen e dëshmisë së Agron Geron Xhafajt, që po vuan një dënim për trafik ndërkombëtar droge në Itali. Prokurori lexoi deklarimet që Agron Xhafaj i kishte dhënë grupit hetimor, para se të nisej drejt Italisë.

“Paraditen 4.5.18 tre deputetët e PD kanë bërë një denoncim me të dhëna të rreme për të goditur vëllain tim. Dua të sqaroj që është e vërtetë që unë përdor numri me …472. Aty më telefonojnë të gjithë, ata që më duan dhe të kundërtën. Në bisedën e publikuar dyshoj se është Robert Veliu. Ai disa herë më kërkonte para se luante bixhoz. Unë nuk e kam takuar atë njeri. Sa herë më merrte për lekë e kam refuzuar dhe në fund i kam bërë bllok. Nuk është i vërtetë fakti që unë të kem lënë takim me të. Në lidhje me bisedën e pretenduar në lokalin tim, aty nuk jam unë. Ajo nuk është e folura ime, për më tepër që unë kam probleme në shqiptimin e disa shkronjave. Është tërësisht e manipuluar. Nuk njoh askënd me emrin Ermal, veç një kushëririt tim. Po ashtu, nuk njoh asnjë person me nofkën Toto Qorri”.

Në seancën e radhës, në 11 Shtator në orën 12:30, do dëgjohen audiopërgjimet e publikuara nga Partia Demokratike, për këtë çështje./ABC News Albania 24/7

MBULIM-SHOQATA-E-GAZETAREVE-PER-COLLAKUN-ABC-M4-T2.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
G. P.16:48 | 16/10/2018

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë, përmes një deklarate për media shprehet se po ndjek me vëmendje përfshirjen e dy gazetarëve Jetmir Olldashi dhe Basir Çollaku në dy hetime ku përfshihen edhe politikanë të lartë, pas marrjes së informacionit se ata janë ndeshur me presion dhe kërcënime gjatë seancave të pyetjeve në prokurori. I tillë është rasti i gazetarit Olldashi, të cilit, siç thekson deklarata, i është kërkuar burimi i informacionit, ndërkohë që ligji parashikon mosdeklarimin e tij në këtë fazë të hetimeve.

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë nxit prokurorinë të respektojë punën e gazetarit dhe të mos ndikohet politikisht në procesin e hetimeve. Në deklaratën e Shoqatës së Gazetarëve Profesioniste përmendet edhe rasti i gazetarit Çollaku, i paditur për kallëzim të rremë nga një politikan i lartë i mazhorancës.
“Është detyrë e çdo gazetari hetimi dhe publikimi i rasteve kur ligji shkelet apo ka abuzim me detyrën nga zyrtarë apo persona me imunitet”,- përfundon deklarata e Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë./abcnews.al

gjataa.png
G. P.14:29 | 09/10/2018

Gjykata për Krimet e Rënda la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Fredi Alizotin, i akuzuar si aktori që luajti vëllain e ministrit të Brendshëm në audiopërgjimin e Babales. Në fuqi u la edhe masa “detyrim paraqitje” për gazetarin Jetmir Olldashi, që përmes avokatit, kundërshtoi akuzën e “kallëzimit të rremë”.

Ky është Fredi Alizoti, personi që sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda ka aktruar zërin e vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në audiopërgjimin e pretenduar mes tij dhe Albert Veliut, i njohur si “Babalja”. 45 vjeçari nga Fieri doli para Gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë “arrest në burg” caktuar në mungesë ndaj tij. Në tavolinën e të akuzuarve ishte edhe i dyshuari tjetër nën hetim, gazetari Jetmir Olldashi, personi që pretendohet të jetë autori i investigimit kur është realizuar audio-përgjimi. Gjykata për Krimet e Rënda vendosi të mos ndryshojë masat e sigurisë duke lënë në “arrest në burg” Alizotin dhe në “detyrim për paraqitje” gazetarin Olldashi të akuzuar për “kallëzim të rremë”.

Të dyshuarit zgjodhën të mos japin shpjegime para gjykatës. Përmes avokatit të tij Ilir Dode, i dyshuari Alizoti, i cili ka pranuar të ketë bërë zërin e Gernon Xhafajt në audio-regjistrim, kërkoi një masë më të butë sigurie. Sipas avokatit Dodë, klienti i tij ka qenë bashkëpunues me prokurorinë dhe ka vërtetuar që nuk ka rrezik ikjeje. Avokatët e Olldashit kërkuan shfuqizim të masës “detyrim për paraqitje”. Sipas tyre, gazetari nuk ka konsumuar asnjë element të veprës penale dhe se prokuroria ka shkelje proceduriale Nga ana e tyre prokurorët thanë se gazetari nuk e ka regjistruar bisedën mes Xhafajt dhe Albert Veliut dhe se nuk e ka dorëzuar pajisjen me të cilën është kryer përgjimi. Pretendimet u kundërshtuan nga avokatët edhe pas përfundimit të seancës. 

“Nuk ka pasur asnjëherë njohje vizuale, kontakt telefonik në asnjë lloj rasti midis gazetarit Olldashi dhe personit nën hetim Fredi Alizoti.”

“Për mendimin tonë nuk ishte arresti me burg i justifikuar në kuptimin e parashikimit ligjor.”

Masat e sigurisë të lëna në fuqi nga gjykata u caktuan në mungesë nga Krimet e Rënda në 6 tetor 2018./abcnews.al

clirim-gjata.png
G. P.19:13 | 07/10/2018

Një ditë pasi Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për gazetarin Jetmir Olldashi, avokati i tij Çlirim Gjata kërkoi publikisht nga prokuroria t’i vërë në dispozicion dosjen si dhe procedurat sipas të cilave është bërë ekspertiza e audiopërgjimit të realizuar nga Olldashi.

Përpara Prokurorisë së Krimeve të Rënda, avokati i gazetarit Jetmir Olldashi që realizoi investigimin gjatë të cilit u pretendua se u përgjua vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i kërkoi organit të akuzës t’i vërë në dispozicion dokumentet ku është bazuar që vendosi masën “detyrim paraqitje” ndaj Olldashit.

“Të na vihet në dispozicion akti ekspertimit në dy gjuhë. Janë të detyruar ligjërisht të na e japin. Në qoftë se nuk përgjigjen atëherë ne e kemi plotësisht të themi që këtu kemi një proces të montuar politikisht kundër gazetarit Olldashi. Nëse është thirrur Olldashi si person që ka dijeni për çështjen njëherë, apo të thirren dhe persona të tjerë. Atëherë shumë bukur. Pse nuk u thirr edhe shtetasi Xhafa si person që ka dijeni për çështjen, por thjeshtë depozitoi zërin dhe iku? Pse nuk thirret kryeministri si person që ka dijeni për çështjen kur ka dijeni për aktin e ekspertimit”, u shpreh avokati Gjata.

Të premten, Prokuroria për Krimet e Rënda i dha një kthesë të papritur hetimit të çështjes “Babalja”  pasi dyshon se zëri që bisedon me Albert Veliun në audiopërgjimin e publikuar nga Partia Demokratike e që u pretendua se është i Agron Xhafajn, nuk është ai i vëllait të ministrit të Brendshëm, por i një shtetasi tjetër, Fredi Alizoti.

Me akuzën për “kallëzim të rremë” prokurorët Përparim Kulluri dhe Gentian Osmani kërkuan arrestimin e Albert Veliut dhe Fredi Alizotit. Ndërsa për gazetarin Jetmir Olldashi “detyrim paraqitje”. Kërkesat e Prokurorisë morën miratimin e Gjykatës./abcnews.al

PROKURORIA-HETIME-PER-JETMIR-OLLDASHIN-1280x720.jpg
ent ela14:05 | 20/05/2018

Pas publikimit të Partisë Demokratike të dëshmisë së gazetarit Jetmir Olldashi, i cili pranoi se ishte ai që ka intervistuar Albert Veliun, pritet që të merret në pyetja nga Prokurora e Krimeve të Rënda. Gjithashtu, prokuroria i çështjes do të kërkojë edhe që të ketë në dispozicion edhe pajisja pajisja origjina që u përgjua vëllai i ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj.

Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të marrë në pyetje edhe gazetarin Jetmir Olldashi, i cili  doli në një konferencë për shtyp, duke marrë përsipër investigimin mbi Agron Xhafajn.

Ky veprim i organit të akuzës bëhët për të siguruar autenticitetin e pajisjes përgjuese, që Olldashi kishte pajisur më herët të ashtuquajturin dëshmitarin X të PD-së, Albert  Veliu.

Olldashi pranon që ai nuk ka qenë prezent në bisedën mes Veliut dhe Agron Xhafajt, bisedë i cili pretendon se është bërë në një lokal përballë atij ku ishte ulur gazetari. Olldashi pohoi gjithashtu se këtë përgjim e kishte kryer në kuadër të një investigimi gazetaresk, por pajisja përgjuese orgjinale nuk disponohet ende nga prokuroria e Krimeve të Rënda.

Vetë gazetari investigativ duhet të sqarojë përpara prokurorit të çështjes, Përparim Kulluri se kujt ia kishte blerë 20 kg marijuanë duke qënë i pranishëm edhe Albert Veliu. Më pas pretendohet se këtë sasi të lëndës narkotike, dëshmitari X do ta trafikonte në Itali nëpërmjet Agron Xhafajt, ndërsa paratë ishin marrë borxh.

Për këto publikime të bëra nga Partia Demokratike, kjo e fundit kërkoi edhe largimin nga detyra të Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, pasi kishte dyshime që Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të ishte pjesë trafikut të drogës nga Vlora drejt Italisë. I gjendur përballë një kërkese të tillë, Xhafaj i quajti të gjitha pretendimet e PD-së, si sajesa digjitale. /abcnews.al

GAZETARET-PER-OLLDASHIN-1280x720.jpg
ent ela10:39 | 20/05/2018

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë shprehën mbështetje për gazetarin Jetmir Olldashi, autorin e investigimit mbi trafikun e drogës në Vlorë. Sipas tyre, Olldashi po përballet me një presion të padenjë publik, të nxitur nga emocione e interesa politike. “Ne përshëndesim kurajon e kolegut Jetmir Olldashi për të përcjellë e mbrojtur publikisht etapat e punës së tij, nga ku doli edhe emri i vëllait të ministrit të brendshëm, në një moment jo të lehtë tensioni politik në vend, e duke marrë edhe koston e një presioni paragjykues publik, fatkeqësisht edhe nga kolegë të profesionit”, thuhej në reagim. Në përfundim shoqatat inkurajonin gazetarët për të mos intimiduar në punën e tyre.  /abcnews.al

jetmir-olldashi-1280x717.jpg
G. P.14:26 | 19/05/2018

Më në fund, shqiptarët kanë mundësi të mësojnë se cili është autori i audiopërgjimit. Emrin e tij vendosi ta bëjë publik personalisht kryetari i Partisë Demokratike.

Lulzim Basha: Për këtë arsye jemi sot këtu pasi kemi siguruar përmes medias dëshminë e gazetarit investigativ Jetmir Olldashi të cilën ju ftojmë ta ndiqni”.

Jetmir Olldashi punon prej 16 vitesh në media si gazetar investigativ. Intervista me Veliun është pjesë e një investigimi gazetaresk të kryer nga ai mbi drogën dhe trafikantët e drogës në qytetin e Vlorës gjatë muajve të fundit, deklaron Olldashi.

Jetmir Olldashi: Historia e këtij investigimi fillon pasi u telefonova nga një burim i cili më tha se donte të më njihte me një person që kishte të dhëna lidhur me trafikun e drogës në qytetin e Vlorës. Burimi më dërgoi një numër telefoni. E kam telefonuar personin, të cilin ju tashmë e njihni me emrin Albert Veliu. Kam dëgjuar rrëfimet e tij mbi situatën e drogës në Vlorë dhe pas disa takimesh vendosa të shkoja në terren”.

Gazetari Olldashi tregon se shkoi në lokalin e Agron Xhafajt, i cili nuk ishte i pranishëm në kohën, kur ai ishte aty.

Jetmir Olldashi: “Pas kësaj, kur u larguam nga lokali, Albert Veliu telefonoi në praninë time numrin 0672014472 për të cilin më tha se është Agron Xhafaj, të cilin e thërriste “Pasha”. Numrin e verifikova në True Caller dhe rezultoi që ishte i regjistruar me emrin Goni Xhafaj! Theksoj se në të gjitha takimet i kisha dhënë një pajisje regjistruese Albert Veliut. Alberti erdhi menjëherë pas takimit me Agron Xhafaj (Gonin) dhe unë i mora pajisjen e regjistrimit të bisedës që i kisha dhënë”.

Nga zbardhja e bisedës së përgjuar që u bë publike më pas, Olldashi thotë të njëjtën dëshmi që ka dhënë edhe Albert Veliu.

Jetmir Olldashi: “Nga i gjithë investigimi kam vënë re se pavarësisht raporteve në media se janë goditur grupe kriminale, gjendja në Vlorë ishte jashtë kontrollit dhe të kërkoje kanabis ishte si të kërkoje një produkt normal”.

Për ta bërë publike audiopërgjimin, gazetari Olldashi tha se zgjodhi opozitën si të vetmen mundësi. Ai paralajmëroi gjithashtu se materiali nuk është publikuar i plotë.

Jetmir Olldashi: “Një pjesë është transmetuar nga media pas publikimit që bëri Partia Demokratike ditën e hënë. Një pjesë tjetër do të transmetohet këto ditë. E di që pas kësaj deklarate unë do të jem në epiqendër të presioneve dhe sulmeve të padrejta, për shkak se kjo çështje tashmë është në qendër të debatit publik dhe politik. Unë i kam bërë ballë këtyre presioneve dhe sulmeve që kanë nisur prej ditësh”.

Kjo deklaratë e ka bindur edhe më shumë kryetarin e Partisë Demokratike se  Agron Xhafaj është bos i drogës në Vlorë.

Lulzim Basha: “Kjo është e vërteta tronditëse për klanin mafioz Xhafaj, jo gënjeshtrat e Fatmir Xhafajt, as mashtrimet kriminale të Ramës. Ai gënjeu edhe dje paciptësisht se ekspertizën ia bëri në Surrel dhe i ka dalë false. Kur gazetarët ia kërkuan se në cilën agjenci ia ka bërë analizën, ai heshti. Ai është pjesë e këtij komploti për të mbuluar këtë histori”.

Zgjidhja e vetme është protesta tha kreu demokrat, organizimin e të cilës e ka nisur, duke takuar më herët krerët e degëve në Tiranë.

Lulzim Basha: “Ndaj më lejoni tua përsëris edhe njëherë duke cituar siç citoi dje një mik amerikan fjalët e një personalitet amerikan, Robert Kennedy; e ardhmja nuk dhurohet, ajo është në duart tona dhe e nesërmja varet nga veprimi apo mos veprimi ynë. Ju ftoj të gjithë së bashku në protestën kombëtare të shtunën në orën 11:00”.


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono