Jeruzalem

palestina-1.jpg
G. P.15:59 | 16/05/2018

Palestina ka tërhequr ambasadorët e saj në Rumani, Republikën Çeke, Austri dhe Hungari. Ky vendim është marrë pasi këto katër shtete të Bashkimit Europian morën pjesë në ceremoninë e inagurimit të Selisë së re diplomatike të SHBA-ve në Jeruzalem. NJoftimi ka ardhur nga ministria e jashtëme palestineze. Autoritetet shpjegojnë se prezenca e tyre në ceremoni është “një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar dhe e disa rezolutave të OKB-së”./abcnews.al

turqiaa.jpg
G. P.13:55 | 16/05/2018

Ka filluar përsëri kriza diplomatike mes Turqisë dhe Izraelit, pas dëbimit të ambasadorëve nga të dy vendet. Kurse në Rripin e Gazës është regjistruar kolaps në sistemin shëndetësor. Për këtë Izraeli ka dërguar 8 kamionë me ndihma.

Është një balet diplomatik i pashembullt që shkaktohet nga lëvizja e ambasadës amerikane në Jeruzalem dhe represioni i përgjakshëm izraelit i protestave palestineze. Pas vendimit të Donald Trump, duket se ka filluar një garë imitimi: e para është Guatemala, që inaguroi selinë diplomatike, të larguar me ngut nga Tel Avivi. Mund të jetë një vendim lidhur me vështirësitë e brendshme të presidenti Morales, të akuzuar në Guatemala për parregullsi në financimin e fushatës së tij zgjedhore. Por në fakt, veprimi i Uashingtonit lëviz balancën e konsoliduar.

Pasoja më e rëndësishme është kthesa prej 180 gradësh e politikës së Rexhep Tajip Erdoganit: pas ngrirjes diplomatike që pasoi sulmin izraelit në 2010 ndaj anijes që po udhëtonte për në Gaza, me vrasjen e nëntë aktivistëve turq, presidenti po afrohej me Izraelin, gjithashtu për të kapërcyer izolimin që lidhet me rrëzimin e avionit rus. Në vitin 2016, të dy qeveritë nënshkruan një marrëveshje pajtimi me të cilën, ndër të tjera, Turqia hoqi dorë nga të gjitha veprimet kundër ushtrisë izraelite.

Por tani marrëdhëniet janë rikthyer në minimumin historik: evolucioni i luftës në Siri ka shtyrë Ankaranë të riafrohet me Moskën dhe tani Erdogan duket i vendosur që të marrë drejtimin e botës muslimane për të kritikuar zhvendosjen e ambasadave dhe vrasjet në Gaza. Presidenti turk e ka përkufizuar si genocid atë të palestinezëve dhe e ka cilësuar Izraelin si “shtet terrorist” duke dekretuar 3 ditë zie kombëtare për të rënët në Rripin e Gazës. Ankaraja ka dëbuar ambasadorin izraelit dhe ka ftuar konsullin e saj të kthehet në Stamboll për pak kohë. Gjithashtu ka thirrur për të premten një mbledhje urgjente të Organizatës për Bashkëpunimin e Vendve Islamike.

Ndërkohë, në Gaza është regjistruar kolaps në sistemin e shëndetësisë. Pasi ushtria izraelite hapi zjarr duke vrarë mbi 60 palestinezë dhe duke plagosur 2700 të tjerë, situata sanitare në Rripin e Gazës është kritike, saqë Izraeli ka dërguar atje ndihma humanitare, 8 kmaionë me materiale mjekësore./abcnews.al

AMBASADA-PERURIMI-1280x720.jpg
ent ela21:29 | 14/05/2018

Shtetet e Bashkuara përuruan të hënën ambasadën e re në Jeruzalem. Ivanka Trump dhe bashkëshorti Jared Kushner përfaqësuan presidentin Trump në këtë ceremoni, që është kritikuar nga Palestina dhe Liga Arabe.

Shtetet e Bashkuara kanë përmbushur të hënën premtimin e bërë Izraelit për zhvendosjen e ambasadës nga Tel Avivi në Jeruzalem, disa muaj pasi Donald Trump e njohu atë si kryeqytetin e shtetit hebre. Vetë Trump nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e përurimit, por ai përfaqësohej nga e bija Ivanka dhe dhëndri Jared Kushner, njëkohësisht i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Lindjen e Mesme. Ishte Ivanka Trump ajo që zbuloi pllakën e identifikimit të ambasadës, në ceremoninë që ishte përgatitur të përkonte me 70-vjetorin e shtetit izraelit. Në fjalën e tij, kryeministri Benjamin Netanyahu falenderoi presidentin Trump per kurajën e treguar me mbajtjen e premtimit. “Kjo është një ditë e lavdishme për Izraelin. Ne jemi në Jeruzalem dhe jemi këtu për të qëndruar”, tha Netanyahu. Ndërsa Kushner në fjalën e tij tha se, ekzistojnë kushtet që dy palët e përfshira në konfliktin izraelito-palestinez të korrin përfitimet nga procesi i paqes. “Jeruzalemi duhet të mbetet qyteti që bashkon njerëzit e të gjitha besimeve”, u shpreh Kushner. Ndërkohë, lideri i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas dënoi zhvendosjen e ambasadës duke e cilësuar si një pushtim të Jeruzalemit lindor dhe duke thënë se Shtetet e Bashkuara nuk janë më negociatori për paqen në Lindjen e Mesme. Po ashtu, shefi i Ligës Arabe, Ahmed Abul Gheit e cilësoi të turpshme pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shteteve të ndryshme në ceremoninë e përurimit të ambasadës. “Është e turpshme të shohësh krerët e vendeve të ndryshme të marrin pjesë në ceremoninë për zhvendosjen e ambasadës, që është një shkelje e rëndë të ligjit ndërkombëtar”, tha Gheit./abcnews.al

AMBASADA-VRASJET-1280x720.jpg
ent ela18:29 | 14/05/2018

Të paktën 43 palestinezë janë vrarë dhe mbi 2.200 të tjerë janë plagosur nga forcat izraelite të sigurisë, në atë që njihet si dita më e zezë e dhunës që prej luftës së vitit 2014 në Gaza. Aktet e dhunës erdhën pasi Shtetet e Bashkuara përuruan ambasadën e tyre në Jeruzalem, një lëvizje që ka acaruar palestinezët.

Ata e shohin këtë akt si mbështetje të pastër që Amerika po i ofron sundimit izraelit në të gjithë qytetin, pjesën lindore të të cilit palestinezët e konsiderojnë të tyren. Por presidenti Donald Trump e përshëndeti ceremoninë e përurimit përmes një video-mesazhi. “Izraeli është një vend sovran që gëzon të drejtën të përcaktojë kryeqytetin e tij, por për shumë vite ne dështuam të tregonim atë që ishte mëse e qartë”, deklaroi Trump.

Shtetet e Bashkuara, vijoi presidenti, mbeten të angazhuara të lehtësojnë procesin e paqes mes palëve. Por në vijën kufitare palestinezët gjuajtën gurë dhe bomba molotov, ndërsa ushtria izraelite përdori snajpera dhe u vuri zjarrin gomave të makinave për të penguar avancimin e tyre.

Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga lëvizja islamike e Hamasit, ka deklaruar se mes viktimave ka edhe fëmijë.

Nga ana e tij, Izraeli ka deklaruar se protestuesit synonin të kalonin kufirin dhe të sulmonin komunitetin izraelit. Autoritetet e shtetit hebre kanë nënvizuar se rreth 40 mijë palestinezë morën pjesë në protestat e dhunshme, në 13 lokalitete përgjatë kufirit në Rripin e Gazës. /abcnews.al

AMBASADA-JERUZALEM-1280x720.jpg
ent ela16:53 | 14/05/2018

Në pritje të ceremonisë së inaugurimit të ambasadës amerikane në Jeruzalem, palestinezët janë grumbulluar në rripin e Gazës gati për protesta. Ky event përkon me 70 vjetorin e themelimit të shtetit izraelit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvendosin sot ambasadën e tyre nga Tel Aviv në Jeruzalem. Një vendim Ii cili që në momenin kur u bë publik gjashtë muaj më parë, provokoi tensione të forta dhe u dënua nga ana e palestinezëve të cilët kanë paralajmëruar protesta.

Ceremonia e inaugurimit koincidon me 70 vjetorin e themelimit të Izraelit. Presidenti amerikan Donald Trump nuk do të marrë pjesë por do të përshëndesë të pranishmit me anë të një video conference. Të pranishëm do të jenë diplomat amerikanë, Ivanka Trump dhe bashkëshorti I saj Xherëd Kushner.

Ambasada ndodhet në brendësi të konsullatës në zonën rezidenciale të Arnonës e cila është blinduar, ndërkohë që parashikohet ët gjendet një hapësirë më e madhe ku të vendoset përfundimisht.

Me mijëra palestinezë janë mbledhur përgjatë perimetrit që ndan Izraelin nga Rripi I Gazës, nga fundi I muajit mars protestat dhe manifestimet nga ana e palestinezëve kanë shkaktuar 40 viktima. Të gjitha civilë palestinezë që janë vrarë nga ushtarët izraelitë.

Por inaugurimi do të bëhet sot pavarësisht kundërshtimit të fortë të botës arabe, palestinezëve, organizatës së kombeve të bashkuara dhe pjesës më të madhe të komunitetit ndërkombëtar, përfshirë Bashkimin Europian. Të gjithë janë të shqetësuar se ky vendim do të jetë fundi i zgjidhjes për bashkëekzistencën e dy shteteve.

Në frontin europian do të jenë katër nga 28 shtete anëtare të BE-së që do të jenë të pranishme në Jeruzalem: Austria, Hungaria, Rumania dhe Republika Ceke. Por mediat izraelite shkrujanë se nuk do të jenë të pranishme Rusia dhe as Egjipti.

E gjithë zona përreth ambasadës dhe kufirit është blinduar nga forca special të sigurisë. Shteti hebre thotë se nuk do një përshkallëzim të situatës por në të njëjtën kohë premton se asnjë palestinez nuk do të mund të kalojë kufirin. Ushtarët izraelitë paralajmërojnë se ata që duan të mos vriten nuk duhet të afrohen.

Por paralajmërimet dhe kërcënimet nuk kanë funksionuar pasi që në orët e para të mëngjesit të së hënës, në Rripin e Gazës, kamionë dhe autobusë janë dërguar në pika të ndryshme të qytetit për të transportuar manifestues në kufi me Izraelin ku janë organizuar protesta nën moton Dita e Zemërimit. Nga altoparlantët e xhamive muezinët i bëjnë thirrje popullsisë q ëtë bashkohen masivisht në protesta për të arritur shifrën e një million protestuesve.

erdogan-putin.jpg
G. P.15:47 | 14/05/2018

Turqia dhe Rusia kanë kritikuar zhvendosjen e ambasadës së SHBA-ve nga Tel Avivi në Jeruzalem. Gjatë vizitës së tij në Londër, Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, tha se Uashingtoni ka humbur tashmë rolin e ndërmjetësuesit.

Turqia dhe Rusia kanë sipërsëritur qëndrimin e tyre lidhur me vendimin e Shteteve të Bashkuara për të zhvendosur ambasadën nga Tel Avivi në Jeruzalem. Kjo ishte një lëvizje, që shkaktoi reagime të shumta që vitin e kaluar, dhe që rriti tensionet në Lindjen e Mesme. Gjatë një vizitë në Mbretërinë e Bashkuara, presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan thotë se SHBA ka humbur rolin ndërmjetësues në procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

“Me hapin e fundit, SHBA preferoi të jetë pjesë e problemit, jo e zgjidhjes”, tha Erdogan në një event në Londër.

“Edhe një herë, ne e hedhim poshtë këtë vendim, i cili po shkel ligjin ndërkombëtar dhe kundërshton rezolutat e OKB-së”, theksoi ai.

Presidenti turk nënvizoi se komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë sa më parë për t’i dhënë fund agresivitetit në rritje të Izraelit.

“Po të ishte gjallë Shekspiri dhe do të rishkruante sot Hamletin e tij, unë besoj se ai do ta bënte Princin Hamlet të thoshte të njëjtën gjë: ‘Bota është jashtë binarëve’”, tha Erdogan, duke e cituar shkrimtarin e famshëm anglez.

Ndërsa, nga ana tjetër, Rusia thekson se është e shqetësuar për rritjen e tensioneve në rajon pas zhvendosjes së ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem. Gjithashtu Moska ka rikujtuar se vazhdimisht ka kërkuar qetësi lidhur me situatën e krijuar mes Izraelit dhe Palestinës. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, në një takim të zhvilluar me  koordinatorin special të Kombeve të Bashkuara për paqen në Lindjen e Mesme, theksoi se situate është e bllokuar.

“Ky bllokim është thelluar edhe më shumë me vendimin e SHBA-ve në drejtim të Jeruzalemit”, është shprehur Lavrov.

Ndërkohë, vendimi i SHBA-ve është kritikuar ashpër edhe nga Bashkimi Europian, që e konsideron këtë lëvizje si shumë provocative dhe që minon procesin e paqes mes dy vendeve./abcnews.al

us-embassy.jpg
G. P.22:45 | 07/05/2018

Javën e ardhshme do të hapë dyert ambasada e Shteteve të Bashkuara në Jeruzalem. Teksa përgatitjet janë drejt fundit, izraelitët shprehen të gëzuar, ndërsa palestinezët e konsiderojnë lëvizjen ilegjitime dhe të rrezikshme.

Përgatitjet për hapjen e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Jeruzalem po shkojnë drejt fundit. Të hënën, punëtorët vendosën tabelat sinjalistike në rrugët që të çojnë drejt selisë diplomatike, e cila pritet të hapë dyert javën e ardhshme.

Në fakt është konsullata amerikane në jug të Jeruzalemit që po rimodelohet si ambasadë e që pritet të funksionojë si e tillë prej 14 majit, pasi burimet njerëzore të jenë zhvendosur përfundimisht nga Tel Avivi.

“Kjo nuk është një ëndërr. Është realitet. Jam krenar dhe i prekur që këtë mëngjes isha i pari që instalova një nga tabelat e përgatitura për ambasadën amerikane”, komentoi kryebashkiaku i Jeruzalemit, Nir Barkat në Twitter.

Izraeli mori lindjen e Jeruzalemit nga kontrolli jordanez gjatë luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1967 dhe e aneksoi atë. Disa muaj më parë presidenti Trump e njohu si kryeqytetin e Izraelit, por lëvizja e tij nuk u ndoq nga aktorë të tjerë të skenës politike ndërkombëtare. Nga ana tjetër, palestinezët vazhdojnë të kërkojnë shtetin e tyre dhe duan Jeruzalemin Lindor si kryeqytet.

Negociatori palestinez në bisedimet për paqen, Saeb Erekat ka deklaruar se, kjo lëvizje jo vetëm është e paligjshme por rrezikon të shkatërrojë arritjet e bisedimeve të paqes mes dy shteteve sovrane dhe demokratike, në bazë të kufijve të vitit 1967. Ndërkohë, vetë presidenti Donald Trump ka bërë të ditur se nuk do të jetë i pranishëm në ceremoninë e 14 Majit./abcnews.al

vlcsnap-error855-1280x720.jpg
G. P.18:36 | 23/02/2018

Lëvizja e ambasadës së Shteteve të Bashkuara nga Tel Avivi në Jeruzalem pritet të ndodhë në muajt e ardhshëm, me rastin e festës së themelimit të shtetit të Izraelit.

Zhvendosja dhe hapja e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Jeruzalem pritet të ndodhë në muajin maj. Lajmin e kanë bërë të ditur burime pranë administratës amerikane të cituara nga agjencia e lajmeve “Reuters”. Në kushte anonimati, burimet kanë theksuar se hapja e selisë së re diplomatike 3 muaj më vonë përkon me 70-vjetorin e themelimit të shtetit të Izraelit. Nëse ndodh kështu, përurimi i ambasadës do të bëhet shumë më herët nga sa ishte paralajmëruar më parë nga Uashingtoni zyrtar.

Pak kohë më parë në Parlamentin izraelit, zëvendës presidenti Mike Pence deklaroi se lëvizja do të bëhej brenda vitit 2019. Vitin e kaluar presidenti Donald Trump njoftoi njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit, duke acaruar aleatët arabë të Shteteve të Bashkuara dhe sidomos palestinezët, të cilët e shohin pjesën lindore të qytetit si kryeqytetin e tyre. Hapja e ambasadës në Jeruzalem i jep fund një politike disa dekadëshe të Amerikës, që përfaqësinë e saj deri më sot e ka pasur në Tel Aviv./abcnews.al

vlcsnap-error545-1280x720.jpg
G. P.21:37 | 05/02/2018

I shqetësuar nga statusi që Shtetet e Bashkuara i dhanë Jeruzalemit, Recep Tayip Erdogan e ka ngritur çështjen në një takim me Papa Françeskun. Ndërkohë, një grup ekstremistësh në Itali ka protestuar kundër vizitës së presidentit turk në Romë.

Gjatë qëndrimit në Romë, presidenti turk Recep Tayip Erdogan është pritur nga Papa Françesku në selinë e shenjtë të Vatikanit. Takimi, siç raportojnë mediat italiane, është zhvilluar në një klimë të ngrohtë e miqësore. “Ju falenderoj për interesin tuaj”, i ka thënë Erdogan Papës kur kanë shtrënguar duart. Nga ana e tij, ati i shenjtë e ka falenderuar mysafirin për vizitën. Ai ia ka përcjellë mesazhin e tij presidentit duke i dhuruar një medalion me një ëngjëll. “Ky është një ëngjëll i paqes, që zë për fyti djallin e luftës.

Është simbol i një bote që bazohet tek paqja dhe drejtësia”, i ka thënë Papa Erdoganit. Ndër të tjera, në takim është diskutuar për situatën në Lindjen e Mesme, me theks të veçantë tek statusi i Jeruzalemit dhe tek nevoja që konfliktet të zgjidhen përmes dialogut, në respekt të të drejtave të njeriut dhe atyre ndërkombëtare. “Në takim janë rikonfirmuar marrëdhëniet dypalëshe mes Selisë së Shenjtë dhe Turqisë dhe është folur për situatën në vend, për kushtet e komunitetit katolik, për pritjen e refugjatëve dhe sfidat që lidhen me këtë fenomen”, thuhet në një njoftim për shtyp të Vatikanit. Ndërkohë, gjatë takimit një grup manifestuesish, mes të cilëve anëtarë të komunitetit kurd në Itali, ka protestuar kundër vizitës së Erdogan në Romë. Korteu është nisur drejt sheshit të Shën Pjetrit, por është ndalur nga policia.

Mes palëve janë verifikuar përplasje dhe dy persona kanë mbetur të plagosur. Më vonë gjatë ditës, presidenti turk është pritur në një takim nga homologu italian Sergio Mattarella. Në përfundim të takimit, Erdogan ka deklaruar se mes Turqisë dhe Italisë ekzistojnë marrëdhënie shumë të mira./abcnews.al

vlcsnap-error610-1280x720.jpg
us er19:55 | 27/12/2017

Izraeli do të ndërojë presidentin amerikan për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të tij. Sipas mediave të Tel Avivit, në Jeruzalem do të ndërtohet një metro e re, e cila do të mbajë emrin “Donald Trump”.

Emri i presidentit amerikan mund të mbetet i gdhendur përgjithmonë në stacionin e ardhshëm të metrosë, i cili do të ndërtohet pranë Murit të Vajtimit në Jeruzalem. Në hyrje të 3 kilometrave hekurudhë që do të kalojnë poshtë qytetit të vjetër, do të vendoset emri Donald Trump: një shenjë e qartë mirënjohjeje për vendimin e presidentit amerikan për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit.

Lajmi është shpërndarë nga mediat e Tel Avivit, të cilat citojnë ministrin e Transporteve, Uisrael Katz. Linja e re do të fillojë nga hyrja perëndimore e qytetit të kontestuar nga izraelitët dhe palestinezët, që korrespondon me pikën e mbërritjes së trenave që nisen nga Tel Avivi. Tuneli do të vendoset në një thellësi prej 50 metrash dhe do të kalojë poshtë Jeruzalemit derisa të kalohet në vendin e gërmimeve arkeologjike romake, jo shumë larg nga muri i vajtimit.
Sipas mediave izraelite, bëhet fjalë për një “projekt kombëtar”, i cili do të shikohet me shumë prioritet. Kostoja e realizimit të metrosë shkon mbi 600 milionë euro./abcnews.al

Gazetari i ABC News: Xhevahir Qardaku


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono