jep

isis.jpg
ad min11:00 | 03/08/2019

Evropa dhe mbarë bota rrezikojnë të goditen nga sulme të Shtetit Islamik gjatë pjesës së mbetur të vitit 2019. Alarmi jepet në një raport të OKB-së ku thuhet se pavarësisht goditjeve të marra, grupi terrorist ka në dispozicion 30 mijë luftëtarë.

Brenda fundit të vitit mund të verifikohen sulme të reja terroriste nga ana e Shtetit Islamik. Alarmi jepet në një raport të OKB-së bazuar në të dhënat e shërbimeve sekrete të vendeve anëtare, sipas të cilave janë rreth 30 mijë luftëtarë që mund të jenë ende gjallë dhe gati për t’u hedhur në veprim në të gjithë botën.

Në raportin prej 24 faqesh analizohet rreziku i atentateve për zonë gjeografike, por pa treguar objektiva të saktë. Në Evropë llogaritet të jenë rreth 6 mijë luftëtarët e nisur për në Siri dhe Irak. Një e treta e tyre janë vrarë, ndërsa pjesa tjetër ose ka mbetur e bllokuar në ndonjë rajon të vendit, ose është arratisur tjetërkund. Rreth 2 mijë llogaritet të jenë kthyer në Europë dhe kjo bën që kërcënimi ndaj kontinentit të vjetër të jetë i lartë.

Në raport thuhet më tej se, pavarësisht disfatave të shumta, liderët e rrjetit terrorist vazhdojnë të fshihen në Siri dhe Irak dhe mezi presin ditën kur të mund të urdhërojnë sulme ndaj objektivave në mbarë botën. “Lidershipi i ISIS synon t’u përshtatet ndryshimeve, të mbijetojë dhe të aktivizojë celulat e fjetura në nivel lokal e ndërkombëtar”, vijon më tej raporti. Kërkimi i OKB-së përqendrohet më pas në Afrikën Perëndimore, ku është regjistruar një rritje e ndjeshme e akteve të dhunës të kryera nga militantët islamikë./ABC News Albania 24/7

prokurorja-1280x721.jpg
ad min17:30 | 15/07/2019

Prokuroria Speciale Publike në Maqedoninë e Veriut, Katica Janeva, ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme. Paralelisht me deklaratën e saj para gazetarëve, kryeministri Zoran Zaev i bëri apel partive politike që të ulen në tryezën e bisedimeve për të vendosur për emrin që do të drejtojë Prokurime Speciale. Zaev theksoi se vendi nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme pavarësisht kërkesës së opozitës./ABC News Albania 24/7

ishp.png
ad min16:20 | 08/07/2019

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik përmes një njoftimi për mediat u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes nga temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin tone. ISHP jep disa këshilla se si duhet të veprojnë qytetarët kur temperaturat janë më të larta se 30 gradë celsius.

Temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin tonë ditët e fundit, rrisin edhe rrezikun e goditjes nga i nxehti dhe rrezet e diellit.

Për të sensibilizuar popullatën për këtë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Instituti i Shëndetit Publik, kanë filluar një fushatë sensibilizimi me këshilla për kategori të ndryshme sociale.

Por cilët janë grupet që janë më të rrezikuara nga i nxehti?! ISHP rendit disa prej tyre duke nisur me të moshuarit, foshnjat dhe fëmijët e vegjël. Po ashtu sipas ISHP individët që vuajnë nga sëmundjet kronike si sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, sëmundjet pulmonare dhe gratë shtatzëna duhet të bëjnë kujdes maksimal.

ISHP jep disa këshilla të thjeshta dhe mjaft të rëndësishme se si të mbrojmë shëndetin nga temperaturat e larta.

Duhen evituar daljet nga shtëpia në orët e nxehta të ditës, 11.00 – 17.00.
E rëndësishme është edhe veshja, e cila sipas specialistëve duhen veshje sa më të lehta prej pambuku dhe ngjyra të hapura. Gjithashtu për të shmangur ekspozimin e rrezeve të diellit duhet të vendosim kapele në kokë, të mbajmë çadër, prej momentit që dalim nga shtëpia.

Sipas specialistëve për t’i bërë ballë të nxehtit, ka mjaft rëndësi edhe se çfarë konsumojmë, pasi duhet sa më shumë ujë, lëngje dhe duhen evituar pijet alkoolike. Zarzavatet dhe frutat duhet të jenë pjesë e çdo vakti, për të forcuar imunitetin për shkak të temperaturave të larta.
Një element tjetër I rëndësishëm është edhe mbajtja fresk e ambientit ku qëndrojmë. Temperatura e dhomës duhet të mbahet nën 32°C gjatë ditës dhe 24°C gjatë natës.

Kjo është e rëndësishme veçanërisht për të porsalindurit, për individët mbi 60 vjeç, apo për ata që kanë probleme shëndetësore kronike.
Specialistët shprehen se duhet të freskoni shtëpinë gjatë natës, të hapen dritaret dhe grilat gjatë natës dhe në mëngjes, atëherë kur temperatura e jashtme ulet.
Një këshillë tjetër shumë e vlefshme sipas ISHP-së, është se nëse një person ka probleme shëndetësore, duhet të paraqitet për të marrë ndihmë pranë mjekut, pasi temperaturat e larta i përkeqësojnë më tej problemet shëndetësore./ABC News Albania 24/7

ohriii-1280x717.jpg
ad min19:45 | 05/07/2019

UNESCO i ka dhënë shansin e fundit Tiranës dhe Shkupit për mbrojtjen e rajonit të Ohrit, pjesë e trashëgimisë kulturore, por i lënë sipas agjencisë së OKB-së, pas dore dhe pre e degradimit urbanistik.

Me fjalët “degradim”, “lënie pas dore”, “moskujdesje” e të ngjashme pjesëmarrësit e takimit të Komisionit për trashëgimi kulturore të UNESCO-s në Baku të Azerbejxhanit e kanë përshkruar ngecjen e rajonit të Ohrit lidhur me kushtet për mbijetesën e llojeve endemike të bimëve dhe peshqve, por edhe të arkitekturës dhe ndërtimet e vjetra. Shembujt që janë paraqitur për përshkrimin e ngecjes në katër dekadat e fundit kanë të bëjnë me ndërtimet e jashtëligjshme dhe në rritje të industrisë së turizmit, por edhe ndotjen e ujit të liqenit, me ujra fekal duke vënë në rrezik florën dhe faunën.

UICN, trupi këshillëdhënës i UNESCO-s: “Ky rajon është goditur nga një zhvillim jo përkatës dhe është lënë pas dore. Planifikimi ka qenë kryesisht joefikas dhe i dëmshëm, në veçanti rreth ndërtimit të infrastrukturës për nevojat e turizmit. Kualiteti i ujit është shqetësimi kryesor kur bëhet fjalë për mbrojtjen e natyrës”.

Por, kërkesa e Shqipërisë që të zgjerohet zona nën mbrojtjen e UNESCO-s, duke llogaritur edhe siujdhesën Lin dhe gjithë sipërfaqen e ujit, në njëfarë mënyre ka ndihmuar edhe Maqedoninë  e Veriut, që të mos hyjë në listën e trashëgimeve natyrore e kulturore të rrezikuar.

Hungari, UNESCO: “Ne jemi të lumtur që i gjithë rajoni i Ohrit do të mbulohet dhe do të mbrohet si trashëgimi botërore kulturore. Por megjithatë, edhe pse i pranojmë vërejtjet e evaluimit se ekzistojnë çështje që ngrinin shqetësime serioze, si presionet nga turizmi, peshkimi i tepruar, kontaminimi i ujit, ne kemi dorëzuar një amendament, për shkak se vlerësojmë se dy vendeve duhet t’u jepet kohë, që me bashkëpunim ndërkufitar t’u përgjigjen këtyre kërcënimeve me të cilat ballafaqohen. Këtë herë të mos futen në listën e trashëgimive të rrezikuara”.

Përfaqësuesi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Ministri i Diasporës Edmond Ademi, i cili kërkoi afat deri në Shkurt të vitit të ardhshëm, që të eliminohen problemet, ka falënderuar dhe ka përshëndetur zgjerimin e zonës së mbrojtur në anën e Shqipërisë, duke shfaqur shpresën se në seancën e ardhshme të përbashkët qeveritare Maqedoni e Veriut-Shqipëri do të diskutohet kjo temë.

Edmond Ademi, ministër i Diasporës: “Komiteti vendosi që të mos e vendos Ohrin dhe Rajonin e Ohrit në listën e trashëgimisë së rrezikuar kulturore. Vendimi I sotëm është shtytje dhe përkrahje për Qeverinë, për Komunat dhe për të gjitha institucionet t`i zbatojnë rekomandimet tjera”.

Autoritetet lokale në Ohër kanë identifikuar mbi një mijë ndërtime të egra në zonën e mbrojtur afër Liqenit, por edhe lëshime në funksionimin e kolektorit, që ka rezultuar me ndotje të ujit. Por, OJQ-të ashpër kanë kritikuar pushtetin lokal dhe atë qendror, që për katër dekada në vend të konservimit kanë lejuar degradimin e rajonit dhe cenimin e rreth dy mijë llojeve endemike. Amendamentin e Hungarisë, që tu jepet kohë Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë e kanë përkrahur Norvegjia, Tunizia, Kina, Azerbejxhani, Brazili, Guatemala dhe vende të tjera./ABC News Albania 24/7

lufte-1280x861.jpg
ad min22:15 | 21/05/2019

Rreziku që bota të përjetojë një luftë bërthamore aktualisht është në nivelet më të larta që prej Luftës së Dytë Botërore. Kështu thotë një studim i Kombeve të Bashkuara, që u bën thirrje fuqive të mëdha që ta marrin seriozisht problemin.

Rreziku i përdorimit të armëve bërthamore aktualisht është në nivelin më të lartë që prej Luftës së Dytë Botërore. Kështu ka deklaruar një eksperte e OKB-së për sigurinë, duke e cilësuar problemin një çështje urgjente që bota duhet ta marrë më shumë seriozisht.

Renata Duejn, drejtoreshë e Institutit të OKB për Kërkimet e Çarmatimit ka deklaruar se të gjitha shtetet e pajisura me armë bërthamore kanë hartuar programe modernizimi dhe korniza e kontrollit të armëve po ndryshon, pjesërisht për shkak të rivalitetit strategjik mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

Gjithashtu, marrëveshjet tradicionale për kontrollin e armëve po çrrënjosen për shkak të emergjencës që rrjedh nga lloje të reja luftërash, si ato mes grupeve të armatosura, njësive ushtarake private dhe teknologjisë, që po eliminojnë vijën ndarëse mes sulmit dhe mbrojtjes. “Mendoj se do të ishte e mençur të pranonim se risqet për një luftë bërthamore në këto momente janë jashtëzakonisht të larta, më të larta që prej Luftës së Dytë Botërore”, deklaroi ekspertja e OKB-së për gazetarët në Gjenevë.

Aktualisht, 122 vende të botës kanë nënshkruar traktatin që ndalon armët bërthamore, traktat që ka arritur vetëm 23 nga 50 ratifikimet e nevojshme që ai të hyjë në fuqi. Mes vendeve që kanë bërë ratifikimin janë Afrika e Jugut, Austria, Tajlanda, Vietnami dhe Meksika, ndërsa ato që e kanë kundërshtuar janë Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe vende të tjera të pajisura me armë bërthamore./ABC News Albania 24/7

universiteti-i-arteve-1280x708.jpg
ad min16:18 | 08/05/2019

1.5 miliardë lekë janë dhënë nga buxheti i shtetit për rikonstruksionin e Universitetit të Arteve. Puna do nisë në muajin Gusht, kur të mbyllet sezoni shkollor. Universiteti i Arteve nënshkroi sot marrëveshjen me Ministrinë e Kulturës në kuadër të “Paktit për Universitetin”.

Në muajin Gusht i cili përkon edhe me mbylljen e sezonit shkollor nis rikonstruksioni i Universitetit të Arteve, Rrektori i universitetit Kastriot Çaushi  tha se fondi i përcaktuar nga qeveria shqiptare është 1. 1 miliard lekë.  Ndërkohë që Universiteti i Arteve nënshkroi edhe marrëveshjen me ministren e kulturës Elva Margarit për “ Paktin për Universitetin”.

Rektori i Universitetit të Arteve Kastriot Çaushi jep lajmin e mirë,  se në muaji Gusht nis rikonstruksioni i Universitetit të Arteve.

Në kuadër të “Paktit për Universitetin”, ministria e Kulturës Elva Margariti dhe Rektori Çushi firmosën një marrëveshje bashkëpunimi, ku prioritet kryesore është restaurimi i sallës së e madhe të Universitetit të Arteve e cila është tejet e amortizuar.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe drejtues të institucioneve kulturore, pasi në muajin Qershor do të nënshkruhen 9 marrëveshje bashkëpunimi për  promovimin e artistëve të rinj.  Në takimin me ministren Margariti , nuk munguan edhe kërkesat për mbështetje financiare të projekteve artistike nga ana e pedagogëve dhe studentëve të cilët ishin prezentë./ABC News Albania 24/7

Rama-ne-elbasan-1280x709.jpg
ad min12:45 | 27/04/2019

Në aktivitetin për “Bashkinë që duam” zhvilluar në Elbasan, Kryeministri Edi Rama theksoi se zgjedhjet vendore do të zhvillohen në 30 Qershor dhe se Elbasani do t’i japë mandatin pasardhësit të Qazim Sejdinit në bashki.

Takimin në Elbasan për bashkinë që duam, e priti kandidati i socialistëve, prefekti Gledion Llatja.

Ulur në karrige dhe me çadra, pritën fjalën e kryeministrit.

“Gjithë atyre që mbajnë çadër i siguroi se është më mirë pa të”.

Pasi përshëndeti punën e kryetarit aktual të bashkisë Qazim Sejdini.

“Gjithçka ne kemi arritur të bëjmë për Elbasanin nuk do të ishte e mundur pa Qazim Sejdinin. Vetëm 4 vjet na mjaftuan që të zgjidjhim edhe problemin e grumbullimit dhe  trajtimit të mbetjeve, por edhe t’i japim Elbasanit  24 orë ujë”.

Problemin e gjeti tek kundërshtarin politik.

“Bota nuk pati 30 vjet Saliun. Me 15 deputë dhe pijanecë që bllokojnë rrugën”.

Elbasanllinjve i bëri dy premtime.

“Në 30 Qershor këtu do bëhet një festë e madhe dhe gjithë Elbasani do i japi fitoren pasardhësit të Sejdinit, Gledit. Të bëj edhe më shumë”.

Edhe pse deklaron se nuk ka skuadra që fitojnë të gjitha ndeshjet, Shqipërinë e sheh ngjyrë mavi pas 30 Qershorit.

“Po të gjitha do i marrim. Sepse kudo ne mund dhe duhet të bëjmë më shumë për njerëzit”./abcnews.al

kryepiskopi__pashke2019.jpg
ad min10:15 | 27/04/2019

Kryepeshkopi Anastas Janullatos ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë për Pashkë. Ngjallja e Krishtit, thotë ai në mesazhin e urimit fuqizon shpresën se do të mposhten përfundimisht padrejtësia, smira, korrupsioni, interesat e errëta që zakonisht ecin së bashku me gënjeshtrën tinëzare dhe arrogancën e egër dhe e vrasin paqen.

Mesazhi

Ngjallja, vëllezërit e mi, na ofron shpresë të pamasë. Kjo shpresë buron nga lajmi i gëzuar se u mund vdekja, armiku i paepur i njeriut. E mundi Krishti. “Ku është gjembi yt, o vdekje? Ku është fitorja jote, o hadh? U ngjall Krishti dhe ti u munde”, thërret shën Joan Gojarti dhe, bashkë me të, e gjithë Kisha Orthodhokse: “…U ngjall Krishti dhe jeta qytetërohet… Sepse Krishti, duke u ngjallur së vdekurish, u bë kulloshtra e të fjeturve. E Atij është lavdia dhe fuqia në jetë të jetëve. Amin”.

Ngjarja e Ngjalljes së Krishtit ndriçon me dritë jetëprurëse tërë jetën njerëzore. Madje, edhe në kushtet më të vështira, përvoja paskale na jep forcë “që të mos kemi shpresë në veten tonë, po në Perëndinë që ngjall të vdekurit” (2Kor. 1:9). Mendja njerëzore nuk e percepton dot mrekullinë. Por zemra e kupton këtë të vërtetë dhe gufon duke psalur “Krishti u Ngjall!”. Në të njëjtën kohë, Ngjallja na forcon shpresën për të përballuar si fitimtarë çdo energji vdekjeprurëse që hidhëron jetën tonë. Ajo fuqizon shpresën se do të mposhten përfundimisht padrejtësia, smira, korrupsioni, interesat e errëta që zakonisht ecin së bashku me gënjeshtrën tinëzare dhe arrogancën e egër dhe e vrasin paqen, duke e çuar shoqërinë njerëzore në mjerim dhe dekadencë. Veçanërisht, gjatë së Kremtes së tërëndritshme të Pashkës, shpresa përhapet si rreze drite shpëtimtare në të gjitha drejtimet. Ajo ndriçon qenien e besimtarëve, prek në mënyrë mistike edhe ata shpirtra vullnetmirë që ndodhen në dyert e besimit.

Shpresa e krishterë nuk buron nga një optimizëm abstrakt, nuk ka lidhje me ndonjë iluzion utopist. Ajo mbështetet në sigurinë se ekziston Perëndia i Gjithëpushtetshëm, Krijuesi dhe Përkujdesësi i gjithçkaje, Perëndia personal i dashurisë, i Cili kaq shumë e deshi botën, “sa dha Birin e tij, të vetëmlindurin, që të mos humbasë kushdo që t’i besojë, por të ketë jetë të përjetshme” (Jn. 3:16). Shpresa e Ngjalljes nuk i referohet ndonjë ideje abstrakte, por është e lidhur ngushtë me një Person, Perëndinjeriun Jisu Krisht, i Cili pësoi me dëshirën e Tij tortura të tmerrshme, u kryqëzua dhe e mposhti vdekjen. Përshëndetja “Krishti u Ngjall”, nuk tregon që u ngjall Perëndia- Hyjnia nuk vdes- por që u ngjall Perëndinjeriu Jisu Krisht dhe, së bashku me veten e Tij, ngjalli natyrën njerëzore, të cilën e mori prej “Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari”.

Apostull Pavli na shpjegon: “Tani Krishti u ngjall prej së vdekurish; u bë pema e parë e atyre që kanë fjetur. Sepse, sikurse vdekja erdhi me anë njeriu, kështu edhe ngjallja e të vdekurve është me anë njeriu. Sepse, sikurse të gjithë vdesin në Adamin, kështu edhe të gjithë do të marrin jetë në Krishtin” (1Kor. 15:20-22).

Kisha ecën përpara me këtë shpresë pa kufi duke psalur himnin triumfal të Ngjalljes: Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli, edhe të varrosurve jetën u fali. Në mënyrë të vazhdueshme, ajo thotë me ngazëllim lavdërues: “Qoftë i bekuar Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jisu Krisht, i cili, sipas përdëllimit të tij të shumtë, na lindi përsëri në një shpresë të gjallë me anë të ngjalljes së Jisu Krishtit prej së vdekurish” (1 Petr. 1:3). Kjo shpresë u jep fuqi të gjitha gjymtyrëve të saj, ne të gjithëve, në përpjekjen tonë të përditshme për të duruar hidhërimet e shumëllojta, shpifjet, sëmundjet, dështimet, varfërinë, dhimbjen e thellë që shkakton largimi nga kjo jetë i njerëzve tanë të dashur. Gjithashtu, shpresa paskale na fal fuqi dhe na ngushëllon se me anë të ndriçimit të Krishtit të Kryqëzuar dhe të Ngjallur do të gjenden daljet shpëtimtare nga rrugët e shumëllojta pa krye: politike, kishtare, personale dhe sociale, që na mundojnë. Pra, ecim përpara “duke u gëzuar në shpresë, duke duruar në shtrëngim e duke qëndruar në lutje” (Rom. 12:12).

Sigurisht, ekzistojnë parakushte konkrete për aktivizimin e kësaj shprese. Së pari, është besimi tek ato që na ka zbuluar Krishti, tek ato që Kisha ungjillëzon në mënyrë të pandërprerë, të cilat kanë autoritet të përjetshëm dhe të përbotshëm. Dhe së dyti, bindja se Krishtit të Ngjallur iu dha “çdo pushtet në qiell dhe mbi dhé” dhe për pasojë, historia nuk formësohet nga planet dhe veprimet e të fuqishmëve të kohës, por se fjalën e fundit e ka Perëndia i përjetshëm i drejtësisë dhe i dashurisë. Krishti i Ngjallur premtoi praninë e Tij të përhershme në jetën tonë: “Edhe ja, unë jam bashkë me ju gjithë ditët deri në mbarim të jetës” (Matth. 28:20).

Paqja dhe gëzimi ecin bashkë me shpresën e Ngjalljes. “Paqja e Perëndisë që kapërcen çdo mendje” (Filip. 4:7), ashtu siç e përcaktoi Krishti para pësimit të Tij: “Paqen time po jua jap juve; jo siç e jep bota, jua jap juve” (Jn. 14:27). Ashtu siç na e ofroi Ai pas Ngjalljes së Tij, si karakteristikë të përhershme të nxënësve dhe të apostujve të Tij: “Paqe mbi ju. Siç më dërgoi Ati, edhe unë ju dërgoj ju” (Jn. 20:21).

Krishti u Ngjall, vëllezërit e mi! Le ta përmbledhim këtë përshëndetje ngjallësore me fjalët e apostullit të kombeve: “Edhe Perëndia i shpresës ju mbushtë me çdo lloj gëzimi dhe paqeje me anë të besimit, që të teproni në shpresë me anë të fuqisë së Shpirtit të Shenjtë” (Rom.16:13). Ose, duke e interpretuar lirisht me fjalët tona këtë varg: Perëndia i shpresës le të mbushë shpirtrat e të gjithëve me gëzim dhe paqe që burojnë nga besimi. Që, me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë, të kemi shpresë të pashterur. Jo thjesht pak shpresë, por shpresë që të derdhet dhe të teprojë, që të mund t’ua ofrojmë edhe të tjerëve. Dhe të gjitha këto, do të kryhen jo me anë të aftësive tona, por me praninë dhe hirin e Shpirtit të Shenjtë.

Le të urojmë që, Zoti i Kryqëzuar dhe i Ngjallur, Kreu i Kishës sonë, të na dhurojë neve dhe të tjerëve këtë shpresë të pafund paskale.

shqiperia-bruksel-1280x693.jpg
ad min10:40 | 24/04/2019

Në Bruksel po mbahet takimi në nivel teknik, i nënkomisionit BE-Shqipëri. Në focus, menaxhimi i kufijve e lufta kundër krimit të organizuar e trafikut të drogës. Komisioni Europian prêt përgjigje të detajuara nga Shqipëria.

Sot zhvillohet në Bruksel takimi i nënkomisionit BE-Shqipëri për drejtësinë, lirinë dhe sigurinë në kuadrin e marrëveshjes së MSA-së. Në fokus të kolonës së parë mbi çështjet e brendshme është kapaciteti i qeverisë shqiptare për menaxhimin e kufijve, të dhënat që dispononohen mbi numrin e emigrantëve të paligjshëm që kanë kaluar nga Shqipëria, si dhe bashkëpunimin me FRONTEX.

Nga ana tjetër, Komisionit Europian kërkon përgjigje mbi masat që kanë marrë autoritetet shqiptare për uljen e kërkesave të pabazuara të azilit të qytetarëve shqiptarë në shtetet anëtare të Bashkimit Europian.

Çështja e luftës kundër krimit të organizuar dhe drogës zë vend kyç në kolonën e parë të axhendës. Kërkohen përgjigjje të detajuara mbi masat që janë marrë nga qeveria shqiptare për të evituar ndryshimet e shpeshta për personat nën hetim në gjirin e personelit të policisë dhe si po zbatohet strategjia e planit të aksionit për armët e lehta. Komisioni Evropian ka kërkuar  statistika për gjurmën e provave lidhur me paditë dhe dënimet përfundimtare për luftën kundër krimit të organizuar.

Në të njëjtën linjë, është kërkuar informacion i detajuar mbi rezultatet e strategjisë kundër kanabisit dhe masat kundër rritjes së drogave të forta si heroina dhe kokaina, konfiskimin e aseteve kriminale dhe zbatimin e rekomandimeve të Moneyval. Në agjendë është përfshirë edhe bashkëpunimi lidhur me luftëtarët e huaj dhe masat kundër terrorizmit.

Kolona e dytë e takimit  i kushtohet reformës së drejtësisë, ku kërkohen të dhënat e fundit lidhur me ecurinë e ngritjes së Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, SPAK dhe procedimit të dosjeve të Vettingut. Kolona e tretë e agjendës ka të bëjë me të drejtat themelore, që lidhen me aksesin në drejtësi dhe asistencën ligjore për grupet e ndjeshme, çështjen e reformës së pronave, lirisë së shprehjes dhe të medias, mbrojtjen e minoriteteve dhe politikave antidiskriminuese për grupe të ndjeshme të popullsisë./abcnews.al

ansi-agolli.jpg
ad min20:01 | 11/04/2019

Ish-kapiteni i ekipit përfaqësues, Ansi Agolli, jep intervistën e parë në Amerikë. Mbrojtësi veteran vlerësoi ekipin e tij të ri, Nju Jork Kozmosin, dhe foli për karrierën.

Maksimumin e arriti me kombëtaren, por emocionet kanë qenë të forta kudo. Ansi Agolli, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, tashmë ka nisur një aventurë të re në karrierë, tek Nju Jork Kozmosi në Amerikë, besohet etapa e fundit e 36-vjeçarit. Pa humbur kohë, mbrojtësi shqiptar dha intervistën e parë për klubin.

“Amerika është një kapitull i ri për mua. Ndihem shumë mirë në skuadër. Në dhomën e zhveshjes jemi si një familje, dhe unë mezi po pres që të nis të luaj dhe që të marr rezultate”.

Agolli vlerëson Kozmosin, por edhe veten si ish-kapiten i Shqipërisë.

 “Në Shqipëri, të gjithë e ndjekin futbollin. Kur thua Amerikë, Kozmosi është skuadra e parë që të vjen në mendje. Është klub tradite dhe do të bëj çmos që ta ndihmoj që të vazhdojë këtë traditë. Jam i nderuar për këtë mundësi, si dhe për faktin se kam qenë kapiten i Kombëtares shqiptare, madje edhe në Europian. Ishte përgjegjësi e madhe dhe jam krenar për atë që kam bërë me fanellën e kombëtares”.

Më pas, ai flet për dy dashuritë e tjera të mëdha të jetës, së pari për Tiranën.

 “Kam lindur dhe jam rritur në Tiranë. Kam luajtur me akademinë e Tiranës dhe me skuadrën e parë. Është klubi që ka më shumë trofe në Shqipëri, si dhe klubi që më dha dorën që të futesha në futbollin e madh, që më injektoi mentalitetin fitues”.

Nuk mund të harronte Karabakun e Azerbajxhanit.

 “Kam luajtur shumë vite me Karabakun, dhe e quaj si masterin e karrierës sime, sepse mësova shumë gjëra, sidomos nga njerëzit. U nisëm nga zero dhe më pas arritëm majat. Këtë histori e kujtoj sa herë e shoh veten në vështirësi. Patëm gjëra shumë të bukura, që nga titulli i parë e deri te grupet e Ligës së Europës, ndërsa qershia mbi tortë ishte kur hymë në grupet e Ligës së Kampionëve, ku luajtëm me Çelsin apo Atletikon, me të cilën barazuam”.

Trajneri i Kozmosit, Karlos Mendez, e vlerëson lart shqiptarin, duke thënë se :”Ansi është një lojtar i nivelit më të lartë, e kam ndjekur dhe më ka bërë përshtypje sidomos mentaliteti i tij”. Mendez thotë se Agolli është një djalë që punon shumë, lufton mjaft dhe zotëron përvojë të madhe”.

Agolli shpreson që edhe te Kozmosi të bëjë atë që bëri tek Tirana dhe Karabaku, pra të fitojë trofe./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono