Jamal Khashoggi

Jamal-Khashoggi.jpg
G. P.14:30 | 11/09/2019

Mediat turke kanë publikuar audiot me momentet e fundit të gazetarit disident Jamal Kashoggi në konsullatën e Riadit në Stamboll të datës 2 Tetor në vitin 2018. Gazetari u vra në mënyrë brutale.

“Mos më mbuloni gojën, kështu do më mbysni”. Kanë qenë këto fjalët e fundit të gazetarit saudit disident Jamal Khashoggi, i cili u vra në mënyrë brutale në konsullatën e Riadit në Statmboll në 2 Tetor të viti 2018. Momentet e fundit të jetës së tij janë publikuar nga gazeta turke Sabah, e cila mbështet nga qeveria e Ankarasë. Në gazetë citohen burime të administratës. Khashoggi i është lutur rrëmbyesve të tij që të mos i mbulonin gojën pasi vuante nga astma. Gjithnjë sipas gazetës turke, kreu i skuadrës së vrasësve sauditë, u përpoq të detyronte Khashoggin t’i dërgonte një mesazh të birit ku i thoshte të mos shqetësohej nëse nuk lidhej dot me të, por viktima nuk pranoi ta bënte.

Shumë detaje për vdekjen e gazetarit, i cili u torturua dhe u copëtua para se të nxirrej nga konsullata, ndodheshin brenda një raporti të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe u publikuan në Qershor të këtij viti. Sipas këtij raporti përgjegjëse për vrasjen e tij është Arabia Saudite dhe në mënyrë të veçantë princi i kurorëzuar Mohammed bin Salman i cili ka mohuar çdo përfshirje. Riad fillimisht dha shpjegime të pamjaftueshme për zhdukjen e Khashoggi dhe më pas pranoi se ai ishte vrarë nga shërbime sekrete që devijuan nga urdhrat. Për vrasjen, Arabia Saudite ka hapur gjyq për 11 persona. Mbetjet e Khashoggi-t nuk janë gjetur asnjëherë./ABC News albania 24/7

khashoggi.jpg
G. P.23:12 | 11/02/2019

Uashingtoni nuk i ka mbyllur hetimet mbi vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi. Administrata amerikane ka bërë me dije se të hënën do të marrë masa ndaj personave përgjegjës për ekzekutimin e tij.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë hetimet mbi vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi.

“Amerika nuk mund ta mbulojë këtë vrasje”, tha të hënën Pompeo, duke shtuar se Uashingtoni do të ndërveprojë për të mbajtur përgjegjës të gjithë personat e përfshirë në vdekjen e gazetarit.

Analisti saudit që jetonte në Shtetet e Bashkuara u vra tetorin e kaluar brenda konsullatës saudite në Stamboll. Pasi fillimisht hodhi poshtë çdo përgjegjësi, Arabia Saudite konfirmoi se agjentë të shërbimeve sekrete të saj kishin kryer vrasjen, por mohoi përfshirjen e familjes mbretërore në të.

Më 8 Shkurt administrata e presidentit Donald Trump u ndodh përballë skadimit të afatit kur duhet të dorëzonte në Kongres një raport lidhur me personat përgjegjës për vrasjen e Kashogit dhe sanksionet e mundshme ndaj tyre.

Të premten e kaluar, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit deklaroi se sekretari Pompeo i kishte njoftuar ligjvënësit mbi hetimet por pa dhënë detaje të tjera. Por senatori Tim Kane, anëtar i komisionit për forcat e armatosura dhe marrëdhëniet me jashtë, tha të dielën që kaloi se raporti i kërkuar nuk ishte dorëzuar.

“Kjo do të thotë se administrata Trump po mbulon një vrasje. Amerika nuk duhet të bjerë kurrë në këtë nivel imoraliteti”, deklaroi Kane./abcnews.al

khashoggi.png
G. P.12:01 | 10/12/2018

Rrjeti informativ amerikan CNN ka publikuar fjalët e fundit të gazetarit Jamal Khashoggi, teksa ekzekutohet në konsullatën saudite në Stamboll. Duke cituar burime të afërta me hetimin, CNN përsërit se reporteri ka qenë viktimë e një plani të mirëorganizuar.

“Nuk marr dot frymë”. Kanë qenë këto fjalët e fundit të shqiptuara nga gazetari saudit Jamal Khashoggi, i vrarë në konsullatën e vendit të tij në Stamboll. Lajmin e bën të ditur CNN, që citon një burim të informuar mbi hetimet për vrasjen e gazetarit, e që ka lexuar transkriptimin e materialit audio që tregon momentet e fundit të jetës së tij.

Sipas burimit, është e qartë se vrasja nuk ishte pasojë e një rrëmbimi të papritur, por ekzekutim i një plani të paramenduar në dëm të reporterit të “Washington Post”. Gjatë agresionit, tregon burimi, Khashoggi lufton kundër një grupi personash të vendosur për ta vrarë.

Transkriptimi tregon gjithashtu zhurmën e copëtimit të trupit të tij me një sharrë elektrike dhe kryerjen e disa telefonatave për të informuar dikë mbi rezultatin e operacionit. Hetuesit turq janë të mendimit se telefonatat kishin si destinacion zyrat e krerëve të shërbimeve sekrete në Riad. Ndërkohë, Arabia Saudite ka refuzuar kërkesën e Turqisë për ekstradimin e dy të dyshuarve për vrasjen e Khashoggit.

“Nuk i ekstradojmë qytetarët tanë”, ka deklaruar ministri i Jashtëm saudit Adel al Jubeir.

Javën e kaluar Prokuroria e Stambollit lëshoi dy urdhër-arreste për dy funksionarë të lartë të afërt me princin e kurorës Mohamed bin Salman, të akuzuar se kanë organizuar vrasjen e gazetarit. Ata janë Saud al Katani, këshilltar për komunikimin i princit Salman dhe tjetri gjenerali Ahmed al Asiri, ish-numri dy i shërbimeve sekrete./abcnews.al

 

 

KASHOGI-MBRET-1280x611.jpg
ent ela21:48 | 19/11/2018

Mbreti i Arabisë Saudite ka thyer heshtjen në lidhje me vrasjen e Xhamal Kashogit, duke deklaruar se përgjegjësit nuk do t’i shpëtojnë ligjit të Zotit. Megjithatë, gjatë fjalimit të mbajtur përpara asamblesë parlamentare, monarku nuk i ka komentuar zërat se pas vrasjes së gazetarit qëndron i biri.

Mbreti Salman i Arabisë Saudite ka folur të hënën për herë të parë në lidhje me vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi. Fjalimi i tij, i mbajtur në një seancë të asamblesë parlamentare të mbretërisë, erdhi pak ditë pasi kryeprokurori saudit rekomandoi dënimin me vdekje për 5 të dyshuar për vrasjen. Megjithatë, gjatë ligjërimit monarku nuk i komentoi dyshimet e ngritura nga CIA se djali i tij, princi i kurorës Mohamed bin Salman, urdhëroi ekzekutimin. Në vend të komenteve, mbreti e vuri theksin tek organet e drejtësisë që në Arabinë Saudite po menaxhojnë hetimet mbi vrasjen e 2 tetorit në konsullatën saudite në Stamboll. “Mbretëria jonë u themelua mbi Islamin e bazuar tek drejtësia. Ne duhet të ndihemi krenarë për përpjekjet që po bëjnë gjyqësori dhe prokuroria në përmbushjen e detyrave që u janë besuar dhe duhet të ritheksojmë se vendi ynë nuk do t’i shmanget zbatimit të ligjit të Zotit”, tha Salman përpara strukturës parlamentare të pazgjedhur nga populli, por që ka rol këshillues për familjen mbretërore. Pasi e mohuan disa herë me radhë përgjegjësinë për vrasjen e Xhamal Kashogit, autoritetet saudite deklaruan më vonë se ai ishte ekzekutuar nga agjentë rebelë të shërbimeve sekrete. Ndërkohë, një seri informacionesh të publikuara në mediat ndërkombëtare e kanë lidhur vrasjen me princin e kurorës; por deri tani Mohamed bin Salman nuk është përfshirë në hetimet e autoriteteve saudite. Në vijim të fjalimit, mbreti Salman përsëriti mbështetjen për nismën qeverisëse të të birit për të ndryshuar ekonominë saudite të varur nga nafta dhe për të ulur papunësinë. /abcnews.al

 

 

 

ARABIA-KHASHOGGI-ABC-M1-T2.mpg_snapshot_00.25.jpg
G. P.23:45 | 15/11/2018

Kryeprokurori i Arabisë Saudite ka njoftuar se gazetari Jamal Khashoggi është vrarë fillimisht me mbidozë drogë e më pas është copëtuar. Al Moxheb tha se i ka dorëzuar autoriteteve të Ankarasë, idenditetin e një agjenti turk që është marrë me zhdukjen e trupit.

Jamal Khashoggi është helmuar me një dozë vdekjeprurëse droge dhe trupi i tij është copëtuar duke e nxjerrë jashtë konsullatës saudite në Stamboll të Turqisë. Kjo është konfirmuar nga kryeprokurori i Arabisë Saudite, Saud al Mojeb në një deklaratë për televizionin shtetëror. Trupi i gazetarit të vrarë, shkruan Al Arabiya, “I është dorëzuar një agjenti të sigurisë turke jashtë selisë konsullore”. Mësohet se Rijadi i ka dorëzuar Anklarasë “një skicë sinjalizuese të agjentit turk që ka marrë jashtë konsullatës kutinë me trupin e shpërfytyruar. Sipas asaj që ka deklaruar prokurori, ai që ka dhënë urdhërin për vrasjen e Khashoggi-t ishte shefi i ekipit të Rijadit të dërguar në Stamboll për ta riatdhesuar gazetarin në Arabinë Saudite.

Megjithatë ky version nuk është u besueshëm dhe i pranueshëm nga qeveria e Ankarasë. Turqia pretendon dhe është e bindur që urdhëri për vrasjen brutale është dhënë nga princi trashëgimtar i kurorës, Mohammed Bin Salman. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga vetë presidenti Rexhep Tajip Erdogan, i cili tha se për këto akuza bazohet në regjistrimet audio të kryera gjatë ekzekutimit. Mediat ndërkombëtare kanë raportuar më herët se në audio-regjistrimin e dëgjuar nga drejtuesja e CIA-d, Gina Haspel, dëgjohet një nga vrasësit teksa kërkon që të njoftohet shefi se misioni u përmbush me sukses. Shefi në fjalë besohet të jetë Mohammed bin Salman./abcnews.al

gazetarii12.jpg
G. P.22:12 | 11/11/2018

Mediat turke kanë raportuar fjalët e fundit të gazetarit Jamal Khashoggi të vrarë në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll. Sipas asaj që raportohet, 59-vjeçari ka kërkuar që t’i hiqet një qese nga koka, e cila po e mbyste.

Një gazetar i kronikës së zezë në gazetën turke “Daily Sabah”, ka rrëfyer për televizionin “Al Jazeera” fjalët e fundit të Jamal Khashoggi-t, që u vra në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.

“Po mbytem…ma hiqni qesen nga koka, jam klaustrofobik“.

Këto ishin fjalët e fundit të gazetarit saudit Khashoggi, sipas një regjistrimi audio brenda konsullatës së Arabisë në Stamboll. 59-vjeçari u mbyt me një qese plastike, kurse trupi i tij u copëtua më pas. Gazetari turk Nazif Karaman, që ka bërë të ditura këto detaje, tha se vrasja zgjati rreth 7 minuta, sipas regjistrimeve.

Presidenti i Turqisë njoftoi të shtunën se regjistrimi audio nga brenda konsullatës lidhur me vrasjen e gazetarit saudit, iu dërgua edhe Arabisë Saudite, SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe. Erdogan shtoi gjithashtu se mediat turke do të publikojnë disa momente nga regjistrimet që dokumentojnë çastet e fundit të gazetarit Khashoggi, që punonte si analist për prestigjiozen amerikane “Washington Post”.

Arabia Saudite, e cila pas zhdukjes së gazetarit mohonte të kishte gisht në ngjarje, deri tani ka arrestuar 18 persona për vrasjen e gazetarit, dhe ka shkarkuar 5 zyrtarë të lartë të qeverisë. Ndërkohë, Ankaraja zyrtare kërkon ekstradimin në Turqi të të dyshuarve, pasi krimi ka ndodhur në territorin turk./abcnews.al

khashoggi-1.png
G. P.22:35 | 10/11/2018

Turqia u ka ofruar vendeve europiane materialet audio që zotëron Ankaraja në lidhje me vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi. presidenti Erdogan ka deklaruar se, tani të gjithë e dinë se çfarë ka ndodhur.

Turqia u ka dhënë Gjermanisë, Francës dhe Britanisë regjistrimet në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit Xhamal Kashogi. Lajmin e ka bërë të ditur të shtunën presidenti Recep Taip Erdogan, i cili ka deklaruar se në këtë mënyrë mund të ruhet presioni ndërkombëtar mbi Rijadin.

Vrasja e Kashogit shkaktoi indinjatë në mbarë botën, por reagimi i fuqive botërore ndaj Arabisë Saudite, eksportuesi më i madh i naftës në botë dhe mbështetës i politikës anti-iraniane të Shteteve të Bashkuara, ka qenë i vakët. Në një deklaratë para nisjes për në Francë, për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të fundit të Luftës së Parë Botërore, Erdogan bëri me dije se kjo është hera e parë që tre shtete europiane njihen me regjistrimet.

“Ne ua dhamë ato gjermanëve, francezëve dhe britanikëve. Natyrisht, ua kemi dhënë edhe Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite dhe të gjithë ata e dinë se ç’ka ndodhur”, tha Erdogan.

Erdogan nuk dha detaje të përmbajtjes së regjistrimit, por dy burime të informuara mbi hetimet thanë për agjencinë e lajmeve “Reuters” se pala turke ka disa materiale audio. Ato përmbajnë vrasjen e gazetarit dhe bisedat që i paraprinë operacionit për ekzekutimin e tij, të cilin autoritetet në Ankara e zbuluan. Kjo ka shtyrë qeverinë turke të arrijë në përfundimin se vrasja e Kashogit ishte e organizuar dhe e urdhëruar nga nivelet e larta të qeverisë saudite./abcnews.al

gazetari.jpg
ent ela22:33 | 02/11/2018

Trupi i gazetarit Xhamal Kashogi është shkrirë në acid. Është ky varianti i radhës që jepet nga autoritetet turke, në një kohë kur kërkimet për kufomën e gazetarit nuk po japin rezultat.

Një zyrtar i lartë turk ka deklaruar të enjten se dyshohet se trupi i gazetarit saudit Xhamal Kashogi është shkrirë në acid pasi është copëtuar. Jasin Aktaj, njëkohësisht këshilltar i presidentit Erdogan, ka thënë se i vetmi përfundim logjik është se personat që e vranë reporterin kanë shkatërruar trupin e tij për të mos lënë asnjë gjurmë më pas. “Ata e copëtuan trupin që ta hiqnin qafe më lehtë, por tani po shohim se përveç se e copëtuan, edhe e avulluan”, ka thënë Aktaj për gazetën “Hurrjet”. Deklaratat e tij erdhën të njëjtën ditë kur e fejuara e gazetarit, Hatixhe Xhengiz u bëri thirrje liderëve botërorë që të nxjerrin përgjegjësit e vrasjes përpara drejtësisë. Apelin e saj, Xhengiz e bëri përmes një editoriali të publikuar në 5 gazeta të njohura, përfshirë “The Guardian” dhe “Washington Post”, ku shkruante dhe Kashogi. Po ashtu, në shtypin ndërkombëtar të së premtes u raportuan lajme se princi saudit i kurorës Mohamed bin Salman u kishte thënë kontakteve të tij në Shtetet e Bashkuara se Kashogi ishte një ekstremist islamik i rrezikshëm. Sipas burimeve mediatike, Salman kishte folur në telefon me një zyrtar të Shtëpisë së Bardhë përpara se gazetari të vritej. Nga ana e saj familja mbretërore ka mohuar ekzistencën e një deklarate të tillë dhe ka thënë se është e vendosur të zbulojë faktet. /abcnews.al

mohammed-nis-salman.jpg
G. P.12:01 | 02/11/2018

Mediat amerikane raportojnë se gjatë një bisede telefonike, Princi i Kurorës, Bin Salman, i ka thënë Shtëpisë së Bardhë se gazetari i vrarë Jamal Khashoggi ishte një ekstremist i rrezikshëm islamik. Megjithatë një gjë e tillë është përgenjështruar nga familjarët e gazetarit të vrarë në konsullatën saudite më 2 Tetor.

Princi i Kurorës saudite Mohammed bin Salman i kishte thënë Shteteve të Bashkuara se mendonte se gazetari i vrarë Jamal Khashoggi ishte një ekstremist islamik i rrezikshëm, thonë mediat.Biseda telefonike e Princit me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë ndodhi para se Arabia Saudite të pranonte se 59-vjeçari ishte vrarë brenda konsullatës saudite në Stamboll. Rijadi ka mohuar raportet në “Washington Post” dhe “New York Times. Një kritik saudit dhe i njohur i sundimtarëve sauditë, Khashoggi u vra dhe trupi i tij u shpërbë më 2 Tetor. Trupi i tij ende nuk është gjetur.

E fejuara e tij, Hatice Cengiz, i ka bërë thirrje liderëve botërorë që “të dërgojnë organizatorët përpara drejtësisë”, në një editorial për “The Guardian” dhe “Washington Post”.  Arabia Saudite mohon përfshirjen e familjes mbretërore dhe thotë se është “e përkushtuar të zbulojë të gjithë ngjarjen”. Muajin e kaluar Princin Mohammed Bin Salman tha se “krimi ishte i dhimbshëm për të gjithë sauditët”.

Gjatë telefonatës me dhëndrin e presidentit Trump, Jared Kushner dhe këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, trashëgimtari i Kurorës ka thënë se Khashoggi ishte anëtar i “Vëllazërisë Muslimane”, një organizate islamiste ndërkombëtare, raporton Uashington Post. Biseda telefonike ka ndodhur me 9 Tetor, një javë pasi Khashoggi ishte zhdukur, dhe thuhet se Princi bin Salman i është lutur Shtëpisë së Bardhë që të ruajë aleancën SHBA-Arabi Saudite.

Pretendimet e tij janë hedhur poshtë nga familja e Khashoggi-t të cilën thonë se ai nuk ishte pjesë e “Vëllazërisë Muslimane” dhe sipas tyre një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vetë gazetari i vrarë. Ndërkohë, ende nuk ka konsensus për mënyrën se si vdiq 59-vjeçari. Të enjten, Turqia tha se ai është mbytur menjëherë pasi hyri në konsullatë dhe trupi i tij ishte shpërbërë më pas “në dakordësi me planet e bëra më përpara”. Nga ana tjetër, sauditët kanë ndryshuar shpeshherë versionin e saj, por megjithatë ka pranuar edhe pse me vonesë që ai është vrarë./abcnews.al

khashoggi-1.png
G. P.13:35 | 27/10/2018

Gazetari arab, Jamal Khashoggi, u vra në mënyrë macabre brenda konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll. Dhe pse i vetëdijshëm që diçka po ndodhte ai vendosi të hynte në derën nga e cila s’do dilte më i gjallë. Por kush e urdhëroi vrasjen e tij dhe pse po fshihen arsyet e një ekzekutimi makabër me ngjyra politike.

Jamal Khashoggi është gazetari arab i cili u vra brenda konsullatës së arabisë saudite në Stamboll. Por si shkoi ai drejt vdekjes së tij. Khashoggi hyri në konsulatë në 2 Tetor, për të marrë dokumentacionin që i duhej për t’u martuar me të fejuarën e tij turke. Sipas provave të mbledhura nga hetuesit e të publikuara nga media të ndryshme ndërkombëtare, editorialisti i Uashington Post, është torturuar, vrarë dhe shpërfytyruar brenda ndërtesës, për shkak të kritikave të tij ndaj regjimit në Riad. Vrasja e tij u krye nga një skuadër ekzekutimi që kishte ardhur nga Arabia Saudite me qëllimin për ta vrarë. Pasi Arabia Saudite konfirmoi, më mirë pranoi, se Khashogi kishte ndërruar jetë brenda konsullatës, burime kanë thënë për Skay Neës se trupi i tij i pajetë ishte prerë në disa copa dhe ishte shpërfytyruar totalisht. Pamjet e ndryshme nga mediat turke duket se kanë arritur të ndërtojnë kronologjinë e asaj që ka ndodhur, por nuk ka asnjë mënyrë identifikimi të pavarur për personat që shfaqen në këto fotografi të marra nga kamerat e sigurisë.

Një avion i vogël privat me në bord nëntë shtetas të Arabisë Saudite, të cilët mendohet të kenë lidhje me vdekjen e Khashoggit, është ulur në aeroportin ndërkombëtar “Ataturk” në Stamboll në orën tre të mëngjesit në 2 Tetor. Një furgon i zi mbërrin në aeroport në të njëjtën kohë që avioni privat ulet në tokë. Grupi i personave kalojnë me sukses sigurinë në aeroport. Për të mbërritur më pas në hotelin Movenpick, ku ndalojnë në holl ndërsa dy prej tyre hipin në ashensor. Një grup tjetër me shtatë shtetas të tjerë arabë vendosen në Hotelin Uiand Grand, ku mbërrijnë me një automjet të zi. Po këtë ditë një anëtar i ekipit të sigurisë së princit të kurorës Mohammed bin Salman, i identifikuar si truproja Maher Mutreb, hyn në konsulatën arabe në Stamboll. Ai mbërrin atje disa orë para gazetarit Khashoggi.

Pamjet tregojnë gazetarin që hyn në konsulatë pas orës 1 të drekës në 2 Tetor. E fejuara e tij Hatixhe Cengiz e pret jashtë ndërtesës. Kamerat e sigurisë në hyrjen e konsullatës, pas disa kohësh filmojnë dikë që mban veshur rrobat e gazetarit, që del nga konsullata. Një përpjekje kjo për të fshehur ngjarjen makabre që sapo kishte ndodhur brenda konsullatës. CNN tregon pamje ku duket një person, të cilin autoritetet turke e kanë identifikuar si Mustafa al Madani, i cili largohet nga konsullata në Stamboll i veshur me rrobat e Khashoggit, me syze dhe me një mjekër false. Pamja u filmua 90 minuta pas hyrjes së gazetarit në ndërtesë. Një tjetër television CCTV, tregon pamje nga konsullata dy orë para se gazetari të mbërrinte atje. Në pamje shihet al Madani që hyn në ndërtesë i veshur ndryshe.

Ndërkohë një furgon dhe nëj automjet i zi mbërrijnë në konsullatë dhe hyjnë në garazh. Kur Khashoggi nuk po dilte më nga konsullata pas disa orësh, e fejuara e tij Hatixhe i telefonoi një prej këshilltarëve të presidentit turk Erdogan si dhe një mikut të gazetarit, duke dhënë alarmin për zhdukjen e tij. Skay News raporton se autoritetet turke u përpoqën që të bllokonin rrugët për të parandaluar që vrasësit e dyshuar të shkonin në aeroport. Gjithashtu ata urdhëruan autoritetet në aeroport që të ndalonin personat e dyshuar gjatë kontrollit të pasaportave. Mendohet se meqënesë një pjesë e madhe e stafit të Arabisë Saudite kanë një status diplomatik, ata mund të kenë kaluar nëpërmjet seksionit VIP të aeroportit. Ndërkohë një fuoristradë e bardhë dhe një avion i vogël privat gjenden në pistën e aeroportit duke i mundësuar largimin nga vendi gjashtë personave. Presidenti turk Erdoan ka qenë ndër të parët që reagoi menjëherë duke deklaruar publikisht se zyrtarët e Arabisë Saudite e kishin planifikuar vrasjen disa ditë më parë, pasi mësuan se viktima do të shkonte në konsullatën arabe në Stamboll.

Ai tha se Khashoggi fillimisht shkoi në datën 28 Shtator në konsullatë për të përgatitur të gjitha dokumentet që i duheshin për t’u martuar me të fejuarën e tij. Arabët mësuan se ai do të kthehej sërish dhe në këtë mënyrë planifikuan dhe zbatuan vrasjen e tij. Erdogan shtoi se vrasësit kanë marrë dhe pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë brenda në konsullatë dhe lajmëruan Khashoggin se takimi i tij ishte konfirmuar për në 2 Tetor. Pas kësaj date gazetari nuk u pa më. Khashoggi ishte arratisur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një vit më parë, i frikësuar se do të arrestohej pasi kishte kritikuar ashpër disa vendime të princit të kurorës Salman. Sidomos ndërhyrjen e ushtrisë saudite në Jemen. Ndërkohë princi i kurorës, Salman, e ka cilësuar si një incident të panevojshëm vdekjen e gazetarit. Mediat shtetërore në Arabinë Saudite nxituan të shpërndajnë fotografinë ku familja mbretërore ngushëllon djalin e gazetarit të vrarë, menjëherë pas konfirmimit të lajmit për vdekjen e tij.

Mohammed bin Salman, princi i pushtetshëm, i konsideruar si njeriu më i fuqishëm i Arabisë Saudite, komentoi për herë të parë vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi. Ai premtoi se Arabia Saudite do të përdorë të gjitha rregullat e domosdoshme dhe do të hetojë thellësisht për të zbardhur totalisht ngjarjen si dhe për të vënë para drejtësisë përgjegjësit e këtij krimi të pajustifikueshëm. Sipas tij, faktorë të jashtëm po përdorin këtë ngjarje të dhimbshme për të krijuar tension mes Turqisë dhe Arabisë Saudite, por në fund e vërteta do të fitojë. Ai shtoi se incidenti ishte shumë i dhimbshëm dhe i pajustifikueshëm. Por ngushëllimet e familjes mbretërore saudite djalit të gazetarit të vrarë në Stamboll nuk kanë kaluar pa tërhequr vëmendje e shkaktuar indinjatë. Pavarësisht duartrokitjeve me të cilat u prit nga të ftuarit e Davos në shkretëtirë, princi saudit Mohammed bin Salman nuk ka shumë arsye për të qeshu. Nën presion nga të gjitha anët për përfshirjen e tij të mundshme në vrasjen e gazetarit disident Jamal Khashoggi, mes aleatit Donald Trump, që e cilësoi teorinë e mbretërisë si një dështim dhe rivalit Erdoan që akuzoi Riadin për një vrasje të planifikuar, princi i ri është sulmuar dhe në rrjetet sociale. Menjëherë pas publikimit të fotografisë ku i shpreh ngushëllimet djalit të Khashoggi, Salah.

Me këtë pamje, të shpërndarë nga agjencia e shtypit saudit, princi synonte të shfaqte afërsinë e autoriteteve me familjen Khashoggi. Por kjo ide i është kthyer në një boomerang, pamja e tmerruar e Salah që i shtrëngon dorën atij që mund të jetë urdhëruesi i vrasjes së babait të tij, u ra në sy të gjithëve. Kjo sidomos sepse Riad, që kur Jamal Khashogi nisi të shkruajë për Uashington Post, i ka ndaluar Salah, fëmijës së vetëm të gazetarit, që të udhëtojë jashtë vendit. Pra ai nuk mund të largohet nga Arabia Saudite. Ndërkohë hetimet vazhdojnë, sipas provave të mbledhura deri tani janë gjetur gjurmë që vërtetojnë se trupi i pajetë i gazetarit është copëtuar brenda konsullatës në Stamboll, e më pas ëshët varrosur në oborrin e rezidencës së konsullit saudit. Hetuesit turq këmbëngulin se kanë provat që e cilësojnë ngjarjen si vrasje. Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Riad këmbëngulin se ko është vepër e agjentëve që kanë dalë jashtë kontrollit.

Diplomaci dhe hetime: është ky binari në çështjen Khashoggi. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo vizitoi Riadin për të gjetur një zgjidhje me sauditët, dhe ideja kryesore është fajësimi i agjentëve që kanë dalë jashtë kontrollit gjatë një debat të ashpër me viktimën. Kreu i Departamentit Amerikan të Shtetit u takua me mbretin Salman. Sipas CNN, ata biseduan vetëm për 15 minuta, për të biseduar më pas më gjatë me princin e kurorës Mohammed. Pompeo, në fund të takimit, falenderoi autoritetet saudite për impenjimin në hetimet transparente dhe të shpejta për këtë ngjarje. Diplomatët amerikanë deklaruan se bisedimet ishin të sinqerta dhe të drejtpërdrejta, fjalë që konfirmojnë vullnetin për të mbyllur ngjarjen në një mënyrë që të ruhet aleanca historike mes dy vendeve. Në media qarkulloi lajmi se mbretëria pranon se përgjegjës janë anëtarë të shërbimit sekret, por që kanë vepruar në mënyrë të pavarur. Presidenti amerikan, Donad Trump, nga ana e tij bisedoi në telefon me princin e kurorës Mohamed. Ky i fundit mohoi se ishte në dijeni të asaj që i kishte ndodhur gazetarit. Por premtoi një hetim të imtësishëm.

Një nga pyetjet kryesore është nëse komando kishte për qëllim vetëm rrëmbimin e gazetarit disident, dhe papritur gjërat shkuan keq. Sipas burimeve të CNN, sauditët po përgatisin një raport që konfirmon këtë skenar dhe që mund të shkarkojë të gjithë përgjegjësinë në një grup agjentësh “që kanë devijuar”, duke premtuar se përgjegjësit do të ndëshkohen. New York Times duke cituar burime anonime, shton një detaj të rëndësishëm: urdhëri për të marrë në pyetje Khashoggi në mënyrë të vendosur, është dhënë nga një funksionar shumë pranë me princin Mohammed. Ai madje kishte autorizuar dhe sekuestrimin e gazetarit, por agjentët e vranë atë duke tejkaluar urdhërat që kishin marrë. Po sipas New York Times, janë të paktën pesë personat e dyshuar nga autoritetet turke, të cilët mendohen se janë përfshirë në zhdukjen e disidentit saudit. Dhe katër prej tyre janë të lidhur me princin e kurorës Mohammed bin Salman. Një nga personat e identifikuar është një shoqërues i përhershëm i princit në udhëtimet e ti jashtë vendit. Tre të dyshuarit e tjerë kanë lidhje me ekipin që kujdeset për sigurinë e princit.

Hetuesit e skenave të krimit pasi kanë kaluar 9 orë në konsullatën arabe të Stambollit, kanë mbledhur gjurmë të rëndësishme, elemente që konfirmojnë eliminimin fizik të gazetarit. Ata kanë marrë kampionë nga terreni i kopshtit ku më pas dhe u gjet trupi i viktimës. Mes shumë rindërtimeve të ngjarjes, ajo që duket më pranë realitetit është kjo: agjentët e kanë sulmuar Khashoggin sapo ai ka hyrë në ndërtesë, më pas është droguar, dhe është futur në dhomën e konsullit ku është rrahur barbarisht. Vetëm pas shtatë minutash ai ka ndërruar jetë skena e krimit është pikërisht zyra e konsullit, i cili sipas Al Xhazirës ishte i pranishëm gjatë gjithë kohës. Menjëherë pasi gazetari ka ndërruar jetë vrasësit kanë vendosur të copëtojnë trupin e tij me anë të një motosharrë. Edhe pse më parë u supozua se trupi i tij mund të ishte shkrirë në acid. Presidenti turk Erdogan u shpreh se sauditët kanë lyer nga e para disa ambiente pikërisht për të fshehur gjurmët. Ndërkohë konsulli është kthyer në Arabinë Saudite.

Në nivel ndërkombëtar ka reaguar dhe komisoneri i lartë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bakelet, duke kërkuar që t’u hiqet imuniteti funksionarëve të përfshirë në këtë çështje. Ndërsa Turqia këmbëngul që të dyshuarit të gjykohen në Stamboll aty ku ndodhi dhe krimi, i cili fsheh ende shumë mistere./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono