Izrael

steinitz.jpg
G. P.21:40 | 12/05/2019

Përplasja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për shkak të programit bërthamor të Republikës Islamike ka shqetësuar Izraelin. Ndryshe nga më parë, shteti hebre ka thyer heshtjen duke dhënë alarmin se Teherani mund ta sulmojë nëse tensionet mes dy palëve thellohen më tej.

Qeveria izraelite paralajmëroi të dielën se Izraeli rrezikon të sulmohet nga Irani nëse përballja mes Teheranit dhe Uashingtonit përshkallëzohet më tej. Shtetet e Bashkuara kanë rritur presionin ekonomik dhe ushtarak ndaj Iranit, me presidentin Donald Trump që të enjten u bëri thirrje liderëve të vendit që të ulen me të në tryezë, në të kundërt ai nuk do ta përjashtojë opsionin ushtarak.

Qeveria e kryeministrit Beniamin Netanjahu, që mbështet taktikën e ashpër të Trump ndaj armikut të tij, në përgjithësi ka qenë fjalëpakë në lidhje me spiralen e tensioneve në të cilën janë përfshirë dy vendet. Por duke thyer heshtjen, ministri izraelit i Energjitikës, Juval Shtajnic deklaroi se temperaturat në zonën e Gjirit po rriten gjithnjë e më shumë.

“Nëse do të ketë ndonjë shkëmbim zjarri mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit dhe fqinjëve të tij, personalisht nuk e përjashtoj mundësinë që ata të aktivizojnë lëvizjen Hezbollah dhe Xhihadin Islamik nga Gaza, ose të qëllojnë raketa nga Irani ndaj Izraelit”, deklaroi Shtajnic.

Hezbollah dhe Xhihadi Islamik janë dy grupe guerrilase të financuara nga Irani që veprojnë në kufijtë e Izraelit, ndërsa më parë kanë vepruar edhe në Siri, Liban dhe Palestinë. Ndërkohë, ushtria izraelite refuzoi të komentonte kur u pyet nga agjencia e lajmeve “Reuters” nëse po përgatitet për sulme të mundshme nga Republika Islamike./ABC News Albania 24/7

holokausti.jpg
G. P.17:40 | 02/05/2019

Izraeli përkujton viktimat e Holokaustit, një moment kur kryeministri i vendit Benjamin Netanjahu është në qendër të kritikave, për atë që është cilësuar si një flirtim me nacionalistët e Bashkimit Europian.

Si çdo vit, dhe të enjten e sotme, Izraeli ka ndaluar çdo gjë për dy minuta ndërsa sirenat kërkonin heshtje në të gjithë vendin, për të kujtuar 6 milion hebrenjtë e vrarë në Holokaust.

Për 120 sekonda është përsëritur ceremonia e organizuar i një populli të tërë që ndalon me kokën ulur, në rrugë, në automjetet e tyre, në shtëpi dhe punë, në shenjë homazhi për viktimat e genocidit nazist; gjatë të cilit u shfarosën 1/3 e hebrenjve.

Ceremonia më pas vijoi me vendosjen e një kurore me lule në memorialin e Jad Vashëm, në prani të liderëve izraelitë dhe të mbijetuar. Emrat e atyre që janë vrarë në genocide lexohen me zë të lartë në parlamentin e vendit, gjatë gjithë ditës.

Bëhet fjalë për një nga ceremonitë më prekëse dhe solemne në kalendarin izraelit. Restorantet, baret dhe vendet e argëtimit janë të mbyllura. Programacioni në televizione dhe radio i dedikohet tërësisht dokumentarëve për Holokaustin me intervista të të mbijetuarve dhe muzikë klasike. Flamuri izraelit vendoset në gjysmë shtizë.

Holokausti është ende një plagë e thellë në ndërgjegjen publike izraelite. Shteti I themeluar në vitin 1948, tre vjet pas përfundimit të LLuftës së dytë botërore, u kthye në një vend strehimi për hebrenjtë nga e gjithë bota. Me qindra mijëra, të mbijetuar ndaj genocidit ku kishin humbur familjet e tyre, u mblodhën nga e gjithë bota duke e kthyer këtë rrip toke në shtëpinë e tyre.

Sipas kalendarit hebre dita e kujtesës së Holokaustit shënon përvjetorin e revoltës së Getos në Varshavë në vitin 1943: një nga aktet më domethënëse të rezistencës hebreje gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ceremonia përkujtimore nisi mbrëmjen e të mërkurës me një ceremoni shtetërore në memorialin e Holokaustit, ku liderë të vendit shprehën shqetësim për valën në rritje të anti-semitizmit në të gjithë botën.

Presidenti Reuven në fjalën e tij theksoi se antisemitizmi në Europë po ngre kokë sërish, i ushqyer nga vala e emigracionit, ekonomi në krizë dhe pakënaqësi ndaj klasës politike.

Duke kritikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë kryeministrin e vendit Netaniau, presidenti i Izraelit i kërkoi qeverisë së vendit që të rivlerësojë politikën e jashtme dhe aleancat me partitë nacionaliste europiane që kanë një të kaluar anti-semite.

Netaniau është në qendër të akuzave sepse ka krijuar marrëdhënie me një seri liderësh të europës lindore që e kanë mbështetur politikën e Izraelit por në të njëjtën kohë promovon një panoramë të shtrembëruar të Holokaustit.

Si dhe përpiqen të minimizojnë përgjegjësitë historike teksa festojnë si heronj personazhe nacionalistësh anti-sovjetikë të përfshirë nga ana tjetër në vrasjet masive të hebrenjve.

Netanyahu nga ana e tij vuri theksin tek kërcënimi i vazhdueshëm që vjen nga ekstremizmi anti-semit duke thënë se ekstremi i djathtë, ekstremi i majtë dhe Islami radikal bien dakord për diçka: urrejtjen e tyre për hebrenjtë./abcnews.al

106419566_053407683-1-933x445.jpg
ent ela08:46 | 13/04/2019

Misioni i parë i Izraelit në Hënë i financuar privatisht është përplasur në sipërfaqen e satelitit të Tokës pas një defekti në motorin kryesor të tij.

Anija izraelite e quajtur Beresheet pësoi problem teknik gjatë zbritjes sapo iu afrua sipërfaqes së Hënës. Qëllimi i misionit ishte marrja e fotove dhe kryerja e eksperimenteve. Izraeli shpresonte të bëhej vendi i katërt që do të ulte një anije hapësinore në Hënë.

Vetëm agjencitë hapësinore qeveritare nga ish-Bashkimi Sovjetik, SHBA-ja dhe Kina kanë bërë ulje të suksesshme në Hënë.

Kryeministri Benjamin Netanyahu, që shikonte nga dhoma e kontrollit afër Tel Avivit, tha: “Nëse nuk ia dilni mbanë me përpjekjen e parë, ju do të vazhdoni të përpiqeni sërish”.

Ende nuk ka të dhëna rreth astronautëve të cilët udhëtonin me këtë anije, nëse do të arrijnë të kthehen në tokë! Beresheet ishte një projekt i përbashkët midis “SpaceIL”, një organizatë jofitimprurëse izraelite dhe Industrive Hapësinore të Izraelit.

Klan Plus

gaza.jpg
G. P.23:45 | 12/04/2019

Dita e sotme ka qenë sërish ditë protestash në Lindjen e Mesme, në kufirin mes Gazës dhe Izraelit. Gjatë manifestimeve trupat izraelite kanë hapur zjarr duke i marrë jetën një adoleshenti.

Një djalë 15-vjeçar është qëlluar për vdekje gjatë luftimeve të verifikuara të premten në kufirin mes Rripit të Gazës dhe Izraelit. Lajmin e ka bërë të ditur ministria palestineze e shëndetësisë, e cila ka saktësuar se adoleshenti është qëlluar me një plumb në stomak.

Si çdo të premte të 12 muajve të fundit, edhe këtë herë mijëra palestinezë u dhanë jetë manifestimeve përgjatë kufirit, në kuadër të asaj që njihet si “Marshimi i madh i rikthimit”, që nënkupton kthimin në kolonitë e zaptuara nga Izraeli.

Burime lokale kanë bërë të ditur se demonstruesit iu kanë vënë flakën disa gomave dhe kanë gjuajtur topa me zjarr në drejtim të qytetit të Negevit. Nga ana e tyre, ushtarët izraelitë janë përgjigjur me gaz lotësjellës dhe plumba gome për të parandaluar që manifestuesit të kalonin barrierat kufitare dhe të hynin në territorin hebre.

Tensionet në zonën kufitare janë rritur pasi një raketë e qëlluar nga Gaza më 25 mars plagosi 7 ushtarë izraelitë në veri të Tel Avivit. Izraeli reagoi me një valë sulmesh ajrore ndaj objektivave që i përkisnin lëvizjes së Hamasit, grupi islamik që kontrollon enklavën bregdetare.

Dhuna ndërkufitare luajti një rol edhe në zgjedhjet e Izraelit, që u mbyllën këtë javë me fitoren e kryeministrit Beniamin Netanjahu./abcnews.al

izrael-1-1280x567.jpg
ent ela11:53 | 12/04/2019

Përgjegjësit e kontrollit të trafikut hekurudhor në Izrael nuk janë paraqitur në vendete e tyre të punës. Të gjithë kanë deklaruar se janë të sëmurë, duke detyruar autoritetet të urdhërojnë që asnjë tren të mos niset.

Sistemi hekurudhor izraelit është bllokuar dhe asnjë tren nuk udhëtoi në vend pasi një numër shumë i madh nëpunësish nuk u prezantuan në vendet e tyre të punës. Çdo gjë duket si një grevë jo e paralajmëruar. Nga ora 8 e mëngjesit të së premtes asnjë tren nuk është nisur pas urdhrit të Autoritetit Kombëtar të Hekurudhave, pasi tetë përgjegjës të kontrollit të trafikut të hekurudhave deklaruan se ishin sëmurë. Janë gjithsej 21 kontrollorët: katër punuan gjatë natës dhe iu kërkua të punonin dy orë më shumë. Por më parë iu kërkua të shkonin në shtëpi në mënyrë që të pushonin dhe të mos rrezikonin sigurinë. Nëntë të tjerë nuk i janë përgjigjur telefonatave. Nuk dihen ende arsyet e protestës, që po shkakton jo pak probleme. /abcnews.al

2F58CD90-4DF2-438D-B150-E7186294A8CE_cx0_cy5_cw0_w1023_r1_s.jpg
ent ela09:00 | 12/04/2019

Komisioni Zgjedhor në Izrael ka konfirmuar se pas numërimit të gjitha votave nga zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 9 prill, partia Likud e kryeministrit, Benjamin Netanyahu ka fituar më së shumti ulëse në parlament.

Në bazë të një marrëveshje koalicioni, partia Likud dhe aleatët e saj do të kenë një shumicë prej 65 votash në parlamentin me 120 vende të Izraelit.

Kjo i mundëson Netanyahut të zgjedhet për herë të pestë kryeministër i Izraelit.

Netanyahu dhe partia e tij Likud kishin për rival partinë e “Bardhë e Blu” të kryesuar nga Benny Gantz.

Një faktor i rëndësishëm në fitoren e Netanjahut ishte pjesëmarrja e ulët në mesin e banorëve arabë të Izraelit, që ishte nën 50 përqind. Shumë arabë bojkotuan zgjedhjet në shenjë proteste ndaj asaj që ata perceptojnë si politika anti-arabe të Netanjahut.

Në një fjalim menjëherë pasi dolën rezultatet e para të zgjedhjeve të 9 prillit, kryeministri Netanyahu tha se do të formojë një qeveri të djathtë dhe do të jetë kryeministër i të gjithëve.

“Do të jetë një qeveri e krahut të djathtë, por unë do të jem kryeministër për të gjithë. Unë jam shumë i prekur që populli i Izraelit më dha votën e besimit për herë të pestë dhe një votë edhe më të madhe të besimit se zgjedhjet e mëparshme”, pati deklaruar Netanyahu. /REL

netanyahu.jpg
nev ila19:11 | 10/04/2019

Kryeministri veteran i Izraelit, Beniamin Netanjahu është rikonfirmuar në detyrë pasi ka arritur të sigurojë mazhorancën parlamentare në zgjedhjet e së martës. Kjo fitore i jep atij mandatin e pestë për të qeverisur.

Kryeministri izraelit Beniamin Netanjahu siguroi rizgjedhjen të mërkurën, me partitë e krahut të djathtë që pritet t’i dorëzojnë atij mazhorancën parlamentare, pavarësisht kontestit me rivalin e tij të qendrës.

Kur janë numëruar më shumë se 97 për qind e votave, partia konservatore Likud e Netanjahut ka siguruar 65 vende në Parlamentin me 120 ulëse të Izraelit dhe do të shpallet së shpejti si kreu i koalicionit të ri qeverisës, që do të shënojë dhe mandatin e tij të pestë si kryeministër.

Presidenti i shtetit hebre, Reuven Rivlin bëri të ditur në Twitter se javën e ardhshme do të nisë takimet me partitë politike fituese, për të dëgjuar propozimin e tyre për postin e kryeministrit.

Në këto zgjedhje, Netanjahu siguroi 4 ulëse më shumë se koalicioni në ikje i tij.

Është një fitore kolosale”, deklaroi 69-vjeçari përpara një turme mbështetësish të mbledhur përpara selisë së partisë Likud, në Tel Aviv.

Sidoqoftë, rizgjedhja nuk e shpëton Netanjahun nga akuzat për korrupsion, të cilat ai i mohon. Por sipas analistëve, me rimarrjen e detyrës ai ka gjasa të miratojë një ligj që i garanton atij imunitet.

Ndërkohë, duke reaguar ndaj lajmit për fitoren presidenti amerikan Donald Trump u shpreh se rizgjedhja e Netanjahut është një sinjal pozitiv për sigurinë dhe paqen në Lindjen e Mesme./abcnews.al

izrael-1280x684.jpg
ent ela13:24 | 10/04/2019

Kryeministri izraelit Netanjahu është shumë pranë mandatit të tij të pestë pas zgjehdjeve të së martës. Koalicioni i djathtë ka marrë më shumë vende në parlament, e tashmë ka 42 ditë kohë për të krijuar ekzekutivin e ri.

Pas një mbrëmjeje dramatike, përpara ekranit të televizioneve duke pyetur se cilat të dhëna ishin të sakta, Izraeli zgjihet një ditë pas votimeve për rinovimin e parlamentit me një siguri: Benjamin Netaniau është ende “Mbreti Bibi” si e thërrasin mbështetësit e tij

Kryeministri në largim është fituesi real i zgjedhjeve më të rëndësishme të viteve të fundit. Partia e tij Likud ka marrë 35 vende në parlament, të njëjtin numër të rivalit të tij të partisë Bardhë e Blu, Beni Gantz. Ky i fundit dhe pse hyri në skenën e politikës vetëm tre muaj më parë, arriti të mbledhë më shumë se një million vota, por jo aleatëtt e tij. Për këtë arsye fituese janë koalicionet në një kohë që mazhoranca kërkon 61 deputetë nga 120. Netanjahu ka 65 nga ana e tij ndërsa Gantz 55.

Në parlament kanë hyrë dhe dy lista arabe me gjithsej 10 deputetë. Netanjahu ka tashmë 42 ditë kohë për të prezantuar ekzekutivin e tij, në të kundërt detyra do i kalojë Gantz.

Netanjahu do të bëhej kështu Kryeministri më jetëgjatë në vend, në pushtet prej 13 vitesh. /abcnews.al

netanyahu.jpg
ent ela23:45 | 09/04/2019

Në Izrael është mbyllur procesi i votimit për zgjedhjet e përgjithshme. Shifrat paraprake flasin për një ndarje të barabartë të Parlamentit mes partisë Likud të Beniamin Netanjahut dhe rivalit të tij Beni Ganc, por sondazhet favorizojnë më shumë kryeministrin në shanset për formimin e qeverisë.

Kryeministri izraelit Beniamin Netanjahu është në rrugën e duhur për të siguruar një tjetër mandat qeverisës. Kështu sugjerojnë sondazhet e fundit, të publikuara në mediat izraelite në përfundim të procesit të votimit në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme. Por edhe rivali Beni Ganc shpalli fitoren pasi sondazhe të tjera tregonin se partia e tij Bardheblu dhe ajo Likud e Netanjahut kishin fituar thuajse të njëjtin numër vendesh në parlamentin me 120 ulëse.

Fituam! Populli izraelit e tha fjalën. Këto zgjedhje kanë tashmë një fitues dhe një humbës”, deklaroi partia Bardheblu në një komunikatë. Por, kur asnjëra palë nuk ka siguruar shumicën në Parlament, anketat e publikuara në stacionet kryesore televizive të vendit nxjerrin Netanjahun në një pozicion më favorit për të formuar qeverinë me ndihmën e fraksioneve të krahut të djathtë.

“Blloku i krahut të djathtë i udhëhequr nga Likud triumfoi përfundimisht. Falenderoj qytetarët e Izraelit për besimin dhe do të nis menjëherë nga puna për formimin e qeverisë me partnerët tanë”, reagoi Netanjahu në Twitter. Netanjahu, në pushtet që prej vitit 2009 po lufton për mbijetesë politike. Në të njëjtën kohë ai po përballet me akuzat për korrupsion në 3 çështje të ndryshme, të cilat i ka mohuar. Nëse fiton, 69-vjeçari do të sigurojë një mandat të pestë dhe të shënojë rekordin si kryeministri më jetëgjatë i shtetit hebre. /abcnews.al

netanjahu-1280x720.jpg
ent ela19:20 | 07/04/2019

Kryeministri izraelit Beniamin Netanjahu ka deklaruar se nëse rizgjidhet, do të aneksojë të gjitha kolonitë në Bregun Perëndimor. Deklarata vjen në përpjekje për të marrë sërish detyrën e kreut të qeverisë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka deklaruar se do të aneksojë kolonitë hebraike në Bregun Perëndimor në rast se rizgjidhet në krye të qeverisë. Izraeli shkon në zgjedhje ditën e martë dhe Netanjahu po garon për votat e partive të krahut të djathtë, që mbështesin aneksimin e pjesshëm të Bregut Perëndimor. Në bazë të ligjit ndërkombëtar, kolonitë janë ilegale, por vetë shteti hebre e kundërshton këtë. Netanjahu u pyet lidhur me çështjen gjatë një interviste televizive.

“Ju po më pyesni nëse po lëvizim drejt fazës së ardhshme dhe përgjigja ime është po, po lëvizim drejt saj”, deklaroi Netanjahu. Në Bregun Perëndimor jetojnë rreth 400 mijë izraelitë, ndërsa 200 mijë të tjerë në Jeruzalemin lindor.

Njëkohësisht atje jetojnë dhe 2.5 milionë palestinezë, të cilët duan të krijojnë shtetin e tyre në këto zona, si dhe në Rripin e Gazës. Për Izraelin, palestinezët po e përdorin çështjen e kolonive si një pretekst për t’iu shmangur bisedimeve për paqen. Për shtetin hebre, kolonitë nuk përbëjnë pengesë për negociatat dhe janë një temë e negociueshme.

“Unë do ta zgjeroj sovranitetin e Izraelit dhe nuk do të bëj dallime mes kolonive në bllok dhe atyre të izoluara”, ka thënë ndër të tjera Netanjahu. Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara njohën si territor izraelit Lartësitë Golan, të cilat i janë marrë Sirisë në vitin 1967./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono