ivanovic

TAHIRI-930x445.jpg
ad min23:45 | 04/07/2019

Institucionet e Kosovës kanë reaguar ndaj deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në lidhje me hetimet për vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviç.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një deklarate për media, ka thënë se deklarata e Vuçiçit është “tërësisht politike, mbi një fushë për të cilën ai nuk e ka asnjë kompetencë”.

“Është për keqardhje që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka marrë rolin e gjykatësit, prokurorit, hetuesit dhe secilin rol tjetër që atij i nevojitet, në përpjekje e sipër për ta fshehur të vërtetën, kurdo që ajo afrohet të dalë në pah”, thuhet në deklaratë.

Ndaj kësaj deklarate të ministrit Tahiri, ka reaguar drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili ka thënë se “Tahiri po mbron kriminelët e luftës dhe po i fsheh vrasësit e Oliver Ivanoviçit”.

Të mërkurën, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se Beogradi “mendon se e ka emrin e vrasësit të Oliver Ivanoviçit”, por po përpiqet të sigurojë prova materiale.

Ai tha se Milan Radojçiç, nënkryetar i partisë së serbëve të Kosovës “Lista Serbe”, nuk ka lidhje me këtë vrasje.

Autoritetet e Kosovës dyshojnë se ai është i përfshirë në këtë krim.

Oliver Ivanoviç është vrarë më 16 janar, 2018, para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut. Ai ka qenë kryetar i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”.

Në nëntor të vitit të kaluar, Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në veri të Mitrovicës, të cilët dyshohet se kanë lidhje me vrasjen e Ivanoviçit, ndërsa Radojçiç, i cili është kërkuar po ashtu, nuk është gjetur në banesën e tij./REL

IDRO-VUCIC-TIRANA-1280x720.jpg
ent ela23:00 | 03/07/2019

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka përfshirë edhe Tiranën në skenarin për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç. Sipas Vuçiç, personi i dyshuar si autor i vrasjes ka përdorur aeroportin e Rinasit në Tiranë për t’u arratisur drejt Gjermanisë pas ekzekutimit.

Serbia thotë se e ka emrin e vrasësit të Olliver Ivanoviç, politikanit nga Kosova, i cili u ekzekutua në Mitrovicën Veriore. Ai ka përmendur disa emra dhe ka theksuar se Kosova është duke penguar bashkëpunimin dhe duke kryer hetime politike. Vuçiç ka thënë se organet serbe e dinë,  se e dinë se kush është emri i vrasësit. Por do të tregojë kur të ketë dëshmi, pasi ato i ka Kosova.

Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë: “Pyes përse nuk na i japin videot nga aeroporti i Tiranës, Rinasi. Përse nuk mund të gjejmë dëshmi se çfarë ka bërë Florim Ejupi, i cili është nën vëzhgim në Gjermani dhe çfarë ka bërë ai në aeroportin e Tiranës, prej nga ka udhëtuar drejt Gjermanisë. Çfarë ka bërë Nexhmedin Zekaj, i cili ka ndërruar emrin e tij në Lirim Zekaj më pas? Këto janë të gjitha pyetje për të cilat ne nuk mund të marrim përgjigje”.

Presidenti serb i ka bërë këto komente pas takimit me kongresimenin amerikan Eliot Engel. Ai ka theksuar se një pjesë e këtyre dëshmive mund të jenë edhe në aeroportin e Tiranës.

Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë: “Është akuzuar gjysma e botës, por ende nuk e dimë kush është ai që ka vrarë Olliver Ivanoviç, përse dhe për çfarë motivi. Përse nuk na thonë?”

Presidenti serb i ka shtruar këto pyetje edhe për bashkësinë ndërkombëtare dhe ka thënë se këto dëshmi i kërkon nga ta dhe jo shqiptarët. Vuçiç ka thënë se ka shumë dëshmi kontradiktore që nuk kanë mundur të verifikohen në mungesë bashkëpunimi. /ABC News Albania 24/7

ivanovic.jpg
ad min17:15 | 16/01/2019

Vrasja e politikanit serb  Oliver Ivanoviç ende nuk është zbardhur. Në një vjetorin e vrasjes politika serbe vazhdon të jetë e ndarë. Familja, presidenti dhe Kryeministrja serbe kanë bërë homazhe. Ndërsa Opozita akuzoi bashkëshorten e Ivanoviç se ka ndryshuar qëndrim.

Homazhe për politikanin serb nga Mitrovica, Olliver Ivanoviç. Një vit pas vrasjes ende pa rezultat për kapjen e dorasve. Bashkëshortja e tij dhe krerët e Serbisë bën homazhe. E veja nuk do të dalë në protestat e opozitës e cila një vit më parë e kishte akuzuar pushtetin e presidentit, Aleksandar Vuçiç, për fajësi.

Një nga të kërkuarit që i ka ikur policisë së Kosovës dyshohej se fshihej në Serbi. Por, këtu e shfajësoj një test poligrafi. Milan Antonijevic, nga Fondi për Shoqëri të Hapur, thotë se ky rast ka nxitur një bashkëpunim në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Ka ende shumë punë për tu bërë pasi duhet një bashkëpunim më i fuqishëm për të bërë punën sic duhet edhe me dëshmitarët edhe të dyshuarit në mënyrë që kjo vrasje politike të zbardhet”.

Antonijevic, i cili është eskpert i drejtësisë, thotë se nuk pret shumë befasi pasi duket se kjo vrasje është planifikuar mirë për të dhe ka arritur të pengoj edhe hetimet në njëfarë forme.

“Këtu nuk presim shumë befasi pasi hetimet në njefarë forme tregojnë se nga mund të jenë atentatorët”.

Vrasja e Olliver Ivanoviç, ishte incidenti i parë që nuk u nxitua të quhej vepër e shqiptarëve. Ai kishte qëndruar si politikan i pavarur në skenën politike dhe akuzonte se frikë nuk ndjente nga shqiptarët, por nga serbët./abcnews.al

vlcsnap-error887-1-1280x720.jpg
ad min20:33 | 16/02/2018

Hashim Thaçi është shprehur në ABC News se vrasja e Ivanoviç ishte një problem për Veriun e Kosovës.

Ai tha në Byro Politike këtë të premte se nga të dhënat e hetuesve është e qartë se vrasja nuk ka motiv politik apo etnik.

“Natyrisht se ka pasur probleme të shumta dhe më herët. Vrasja e politikanit Ivanoviç ka dërguar mesazhin më të keq të mundshëm për atë hapësirë dhe më gjerë. Por nga të dhënat që kemi nga hetuesit, është e qartë! Ajo vrasje nuk ka ndonjë motiv politik apo etnik, por lidhen struktura kriminale dhe mafioze”, u shpreh Thaçi.

Më tej ai shtoi se pas kësaj ngjarjeje ka diskutuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe sëbashku kanë arritur të qetësojnë situatën.

“Pas vrasjes kam folur me presidentin e Serbisë. Kemi diskutar për qetësimin e situatës dhe ia kemi arritur. Vuçic e ka vizituar Kosovën ditë më vonë. Jemi takuar dhe në Davos dhe kemi diskutuar për këtë problem”, tha presidenti i Kosovës, Thaçi.

vlcsnap-error825-1280x720.jpg
ad min14:16 | 11/02/2018

Policia e Kosovës ka arrestuar dy pjesëtarë të saj në Veri të Mitrovicës, pasi dyshohet se kanë manipuluar provat për vrasjen e Oliver Ivanoviç. Ndërkohë, media serbe Kurir që ka rindërtuar ngjarjen thotë se autorët e krimit janë larguar për 3 minuta.

Dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të nacionalitetit serb, u është caktuar paraburgimi, lidhur me hetimet për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç, në pjesën veriore të Mitrovicës. Prokurori, Shyqri Syla ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ata janë paraburgosur të dyshuar se kanë kryer veprën penale “manipulim provash në rastin Oliver Ivanoviç”. Këta policë, që janë paraburgosur janë të punësuar në stacionin policor të pjesës veriore të Mitrovicës.

Sipas fjalëve të prokurorit Syla, është kryer edhe bastisja e shtëpive të tyre ku është gjetur një pistoletë e tipit TT me dy karikatorë me nga 9 plumba, të cilën e ka mbajtur pa leje. Kjo revole është konfiskuar nga ana e policisë. Lideri politik serb nga pjesa veriore e Kosovës, Oliver Ivanoviç, është vrarë më 16 Janar të këtij viti para selisë së Iniciativës qytetare, Liria, Demokracia dhe Drejtësia.
Pikërisht për këtë ngjarje, tabloidi serb “Kurir” ka rindërtuar skenën e krimit. Prokurori Syla ka bërë me dije fillimisht se Ivanoviç është qëlluar nga një automjet në lëvizje. Mirëpo në videon e publikuar nga media serbe, vrasësi në fakt ka shtënë nga jashtë me 6 plumba për t’u futur më pas në veturë dhe të zhdukej më pas nga vendi i ngjarjes.

Politikanin serb të Kosovës e kishte gjetur të shtrirë një fqinje, e cila kishte dalë që të blinte bukë në dyqan. Pas kësaj në lagjen e “Doktorëve” është gjetur e djegur një veturë e tipit “Opel Astra”, e cila dyshohet se është përdorur nga atentatorët e Ivanoviçit. Pronari I saj është austriak me origjinë serbe. Sipas videos së “Kurir”, autorëve të ekzekutimit u janë dashur vetëm 3 minuta që të largoheshin nga skena e krimit.
Ndërkohë, zyrtarisht ende nuk dihet se kush fshihet pas kësaj vrasjeje, e cila bëri bujë edhe në mediat ndërkombëtare dhe që vazhdon të mbetet temë debati si në Kosovë po ashtu edhe në Serbi./abcnews.al

vlcsnap-error964-1280x720.jpg
ad min22:13 | 06/02/2018

Autoritetet në Prishtinë janë ende larg zbardhjes së vrasjes së liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç. Ndërkohë, ato akuzojnë homologët serbë se nuk po bashkëpunojnë për mbledhjen e informacionit.

Autoritetet në Kosovë nuk kanë ende një pistë të saktë për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç, i cili u ekzekutua më 16 janar përpara selisë së partisë së tij në veri të Mitrovicës. Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, i cituar nga “Radio Europa e Lirë”, ka deklaruar se hetimet për këtë çështje po zhvillohen në bashkëpunim me autoritetet serbe.

“Më 5 shkurt kemi bërë gati një dosje me disa nga kriteret e kërkuara nga qeveria e Serbisë, pasi personi i vrarë është edhe shtetas serb, ndaj ata kanë të drejtë të kryejnë hetime paralele në vendin e tyre”, ka thënë Tahiri. Ai ka shtuar se, edhe autoritetet kosovare i kanë drejtuar 4 kërkesa Beogradit, por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Ndërkohë, nga Policia e Kosovës deklarojnë vetëm se mbi vrasjen po punon grupi i posaçëm, nën mbikëqyrjen e Prokurorit të Shtetit.

Nëndrejtori i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti ka thënë po për “Europa e Lirë” se procesi hetimor është intensifikuar. Sipas tij, oficerët janë të fokusuar në mbledhjen e informacionit, provave, dëshmive dhe gjithë elementët e tjerë që mund të shërbejnë për të hedhur dritë mbi ekzekutimin e Ivanoviç./abcnews.al

ivanoviq-1.jpg
ent ela11:22 | 24/01/2018

E përditshmja serbe “Kuri” ka publikuar në faqen e saj të parë fotografinë e automjetit të djegur i cili dyshohet të jetë i autorëve të vrasjes së Oliver Ivanoviç. Më tej shkruhet se politikani serb ndiqej prej ditësh nga vrasësit e tij

Hetimet dhe detajet e tjera për vrasjen e kryetarit të SDP-së, në Mitrovicën e veriut, Oliver Ivanoviç, vijojnë të gjejnë një hapësirë të gjerë në mediat serbe. E përditshmja serbe “Kurir” ka publikuar në faqen e saj të para një fotografi të automjeit të djegur i cili mendohet të jetë i autorëve të vrasjes, Sipas shkrimit vrasësi e kishte ndjekur për rreth një javë politikanin serb.

Ai njihte çdo veprim të Ivanoviçit dhe nuk është një rastësi që vrasja u krye para selisë së partisë së tij. Zonë ku dëshmitarë thonë të kenë parë automjetin në fhalë disa herë. “Kurir”, shkruan më tej se  vrasësi e kishte zgjedhur me kujdes momentin e ekzekutimit në mënyrë që të mos kishte shumë dëshmitarë përreth.

Ivanoviç u vra më 16 janar me gjashtë plumba në afërsi të zyrës së tij në Mitrovicën veriore. Vdekja e tij shkaktoi reagime nga zyrtarë të lartë shtetërorë të Kosovës, Serbisë dhe të komunitetit ndërkombëtar./abcnews.al

vlcsnap-error087-1280x720.jpg
ad min19:21 | 22/01/2018

Kosova i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Serbisë për të hetuar bashkarisht vrasjen e Ivanoviç. Konfirmimi ka ardhur përmes një letre zyrtare, në të cilën Serbisë i kërkohet bashkëpunim ligjor për makinën e djegur, pas vrasjes së Ivanoviç. Por ministri i Jashtëm Daçiç ka deklaruar se pa mbërritur informacionet mbi hetimin, dialogu me Kosovën, nuk do rifillojë.

Kosova i ka ofruar bashkëpunim autoriteteve serbe në shkëmbimin e informacioneve lidhur me hetimet per vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç. Këtë e ka konfirmuar qeveria e Serbisë, e cila njofton se ka marrë një letër zyrtare përmes EULEX-it nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, shpreh gatishmërinë që Prokurorisë për Krimin e Organizuar t’i ofrojë të gjitha të dhënat që do të ketë, në mënyrë që me koordinim të udhëhiqet hetimi lidhur më vrasjen e Oliver Ivanoviç, që sa më parë të zbardhen autorët e kësaj vepre penale”, thuhet në letrën e Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, siç njofton Ministria e Drejtësisë së Serbisë.

Po sipas njoftimit të qeverisë së Beogradit, këto dëshmi do t’i dorëzohen prokurorisë, sapo të jenë mbledhur.

“Në përgjigje thuhet se raporti nga kqyrja e vendit të krimit, si dhe të dhënat e tjera të mbledhura, do t’i dorëzohen me urgjencë Prokurorisë për Krimin e Organizuar”, thuhet në reagimin e Ministrisë serbe te Drejtësisë.
Në njoftim sqarohet se Prokurorisë se Beogradit i është kërkuar bashkëpunim ligjor dhe dhënien e informacioneve lidhur me makinën e djegur te Ivanoviçit, të cilën e ka zbuluar njësia hetimore e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Ministria serbe ka sqaruar se kërkesën e prokurorisë në Mitrovicë ia ka adresuar Prokurorisë për Krimin e Organizuar për procedurë të mëtejme.
Zv/kryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, ka deklaruar gjatë një dreke me ambasadorë të BE-së në Beograd, se dialogu me Prishtinën do rifillojë sapo Serbia të marrë informacionin konkret mbi vrasjen e Ivanoviç.

Ndërsa gjatë një interviste për televizionin publik të krahinës së Vojvodinës, Daçiç ka thënë se Serbia vazhdon të kërkojë të jetë pjesë e hetimeve për vrasjen e Oliver Ivanoviç pavarësisht se Prokuroria e Kosovës ka ofruar shkëmbimin e informacioneve me prokurorinë serbe.

Ai ka theksuar se Kosova nuk mund të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara në rast se ky nuk do të jetë qëndrim i Serbisë. Daçiç i ka quajtur përralla qëndrimet e zyrtarëve të BE-së se viti 2018 është më i rëndësishmi për të ardhmen e Kosovës, duke vlerësuar do të ishte e mrekullueshme të vihej deri tek zgjidhja përfundimtare, por sipas tij, kjo tani është joreale./abcnews.al

vlcsnap-error228-1280x720.jpg
ad min15:35 | 21/01/2018

Pak orë pas vrasjes së Oliver Ivanoviç, bashkëpunëtorët e tij dhe politikanë serbë në Kosovë dhe Beograd përjashtonin opsionin që prapa ekzekutimit qëndrojnë shqiptarët. Ata dyshojnë se vrasjen e ka kryer mafia serbe me në krye Milan Radojiçiç. Ndërsa organizimin e ka bërë shteti serb. Kjo dëshmohet në një bisedë telefonike mes një kryetari të një partie në Beograd dhe një anëtari serb të këshillit komunal në veri të Mitrovicës. Portali “Insajder” sjell bisedën e tyre telefonike të përgjuar.

Nikola Sanduloviç, kryetar i Partisë Republikane e kishte këshilluar Ivanoviçin që të kërkonte mbrojtje në Prishtinë. Por këtë këshillë Ivanoviq e kishte shpërfillur. Tre muaj më vonë, ai u ekzekutua me gjashtë plumba para selisë së partisë së tij në veri të Mitrovicës.

Insajderi ka vendosur që për shkaqe sigurie të mos ia zbulojë identitetin anëtarit të këshillit komunal në veri të Kosovës, i cili edhe gjatë bisedës telefonike prej 13 minutash shfaqet i frikësuar. Biseda është zhvilluar ditën e vrasjes së Oliver Ivanoviç. Shef të nëntokës dhe të krimit ai e cilëson Milan Radojiçiç, për të cilin kryeministri kosovar thotë se e ka bashkëpunëtor. Me të, Haradinaj ishte takuar gjatë negociatave për koalicionin qeverisës.

Gjatë bisedës telefonike që ka siguruar Insajderi, Lideri i Partisë Republikane e pyet bashkëbiseduesin se cilat janë informatat rreth vrasjes së Ivanoviçit. Në këtë bisedë përmendet edhe ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Slobodan Petroviç. Për të thuhet se në veri shkon vetëm kur vritet dikush. Ndërkohë, anëtari i këshillit komunal të Mitrovicës së Veriut e cilëson Listën Serbe si makineri të rrezikshme që nuk mund të ndalet.

“Unë i kam parë zgjedhjet parlamentare, por mendova se atëherë ata favorizoheshin për shkak të Ushtrisë së Kosovës, por në zgjedhjet lokale e pashë se askush më nuk mund t’i ndalë. Kjo nuk mund të ndalet. Kjo është makineri e rrezikshme. Unë më nuk i besoj procesit të zgjedhjeve”, thotë ai.

Ndërkohë, nga ana tjetër autoritetet Kosovare vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rastit. Aktualisht janë marrë videoregjistrimet e kamerave të sigurisë në selinë e iniciativës qytetare për “Liri, Demokraci, Drejtësi” për ekzaminim. Ndërsa është zbuluar se një automjet i gjetur i djegur në Mitrovicën Veriore është e regjistruar në Serbi./abcnews.al

vlcsnap-error984-1280x720.jpg
ad min14:24 | 21/01/2018

Agjencia e njohur franceze e lajmeve, AFP, i ka kushtuar një analizë të gjatë Kosovës, një muaj para se të festojë dhjetëvjetorin e pavarësisë. Në shkrimin me titull: “Re të zeza mbi Kosovën para dhjetë vjetorit të pavarësisë”, preken tema të ndryshme si vrasja e Ivanoviç, Gjykata Speciale dhe ekonomia e vendit.

“Vrasja e një politikani të shquar serb ka hedhur një re tjetër të errët mbi Kosovën ndërsa po përgatitet të shënojë 10 vjetorin e pavarësisë së saj”, kështu nis teksti i një analize të gjatë të AFP kushtuar Kosovës. Sipas agjencisë franceze të lajmeve, shpallja e njëanshme e pavarësisë më 2008-n, njihet nga më shumë se 110 shtete të botës.

“Por që Beogradi dhe mbi 120 pjesëtarë të minoritetit serb refuzojnë ta bëjnë këtë, afërisht 20 vjet pas luftës që la të vdekur 13 mijë persona, shumica prej tyre shqiptarë”, thekson agjencia prestigjoze.

AFP fokusohet tek ekzekutimi i 16 Janarit në Mitrovicën e Veriut, ku shkruan se 60-vjeçari, i cili shfaqej i moderuar në mesin e përfaqësuesve të komunitetit serb, kundërshtonte linjën e imponuar nga Beogradi ndaj serbëve të Kosovës.

“Kjo bëri që ai të ishte i urryer”, nënvizon AFP.

Gjithashtu citon analistin kosovar, Ramush Tahiri, i cili thotë se “ky krim, autorët e të cilit mbeten të pazbuluar, ka potencialin për destabilizimin e Kosovës”.

“Pasoja e parë e kësaj vrasje, është ndërprerja e dialogut mes përfaqësuese të Kosovës dhe Serbisë në afat të pacaktuar. I nisur në vitin 2013 me ndërmjetësimin e BE-së, ky proces i normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit ka ngecur për disa muaj. Sidoqoftë, shumë çështje mbeten ende për t’u zgjidhur, përfshirë statusin e komunave me shumicë serbe”, vijon agjencia franceze e lajmeve.

AFP, gjithashtu i kushton rëndësi edhe tentativës së dështuar për të shfuqizuar Gjykatën Speciale, e cila synon të gjykojë krimet e kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës kundër serbëve gjatë luftës së vitit 1998-1999.

“E themeluar me ligjet e Kosovës, por me vendndodhje në Hagë dhe me përmbajtje nga gjyqtarë të huaj, kjo gjykatë është gati të shpallë aktakuzat e para”, shkruan kjo media në analizë.
Presidenti, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli apo Daut Haradinaj – vëllai i kryeministrit, Ramush Haradinaj, mund të jenë ndër të akuzuarit e kësaj gjykate. Sipas AFP, kreu i shtetit të Kosovës mund të ndiqet penalisht për rrëmbimin dhe zhdukjen e rreth 500 civilëve, kryesisht të etnisë serbe.

“Vendosja në pikëpyetje e gjykatës do të ishte një shembull i tmerrshëm i mbizotërimit të interesave vetjake mbi të mirën e përbashkët dhe interesave të Kosovës si shtet”, ka thënë ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delaëie, që ka paralajmëruar se ajo mund të kishte pasoja të ashpëra.

Ndërsa për ekspertin e sigurisë, Lulzim Peci, në rast të shfuqizimit, Kosova “do të konsiderohej një shtet i ashpër, i pasigurt dhe që do të bashkohej me klasën e shteteve si Korea e Veriut dhe Irani”.

Gjithashtu, AFP shkruan edhe për ekonominë katastrofale të Kosovës. Sipas kësaj media, kjo lidhet me një shumicë të brishtë parlamentare dhe më rënien e mundshme të qeverisë së Ramush Haradinaj. 1 qytetar në 3 është i papunë në Kosovë, shkruan agjencia ndërkombëtare. Ndërsa shkalla e papunsisë arrin në 52%. AFP e mbyll shkrimin duke nënvizuar se paga mesatare është 363 euro dhe një e treta e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono