ivanov

HAHN-IVANOV-1280x720.jpg
ent ela21:55 | 13/06/2018

Komisioneri europian për Zgjerimin, Johanes Hahn i ka bërë thirrje presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov të marrë përsipër përgjegjësitë, pas refuzimit që i bëri marrëveshjes së emrit me Greqinë. Në një prononcim për agjencinë e lajmeve “MIA”, Hahn ka deklaruar se nuk është e hijshme për presidentin e një vendi të refuzojë bisedimet me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, për çështje të një rëndësie parësore. Hahn ka vlerësuar se kryeministri Zaev dhe ministri i Jashtëm Dimitrov kanë respektuar udhëzimet kushtetuese për zgjidhjen e kontestit me Greqinë fqinje. Ai e ka ftuar Ivanov për reflektim, duke i kujtuar se kryetari i shtetit është një model për shumë pushtetarë. Presidenti ka një pozitë të veçantë dhe përgjegjësi për të cilat duhet të jetë i vetëdijshëm, ndryshe dëmton funksionin – ka thënë Hahn. /abcnews.al

ivanov.jpg
gra moz12:38 | 13/06/2018

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, informuan presidentin Gjorge Ivanov për marrëveshjen e arritur me Greqinë për kontestin për emrin.

Kabineti i kreut të shtetit me anë të një komunikate saktëson se takimi zgjati vetëm 2 minuta. Në kaq pak kohë, palët treguan arsyet dhe qëndrimin lidhur me propozimin e emrit të ri. Ndërkohë, presidenti Ivanov paralajmëroi konferencë pët media lidhur me këtë çështje.

“Ju informojmë se takimi ka zgjatur vetëm dy minuta. Gjatë ditës së sotme presidenti Ivanov do të mbajë konferencë para popullit të Maqedonisë”, shkruhet në njoftimin e presidencës.

Ndërsa në një deklaratë, qeveria e Shkupit thekson se tentuan t’ia prezantonin presidentit marrëveshjen, por ai është larguar pasi u përshëndet me Zaev dhe Dimitrov.

Në këtë situatë qeveria e Shkupit i bën thirrje të gjithë faktorëve politikë që të bashkohen rreth interesave kombëtare dhe të ndihmojnë në rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE dhe NATO./abcnews.al

ZAEV-PER-GJUHEN-SHQIPE-1280x720.jpg
ent ela14:49 | 05/06/2018

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, i ka bërë sërish apel kreut të shtetit Ivanov që të firmosë Ligjin për përdorimin e gjuhëve duke i hapur kështu rrugë rrugë funksionimit të demokracisë në shoqëri. Sipas kreut të ekzekutivit qëndrimi i Ivanov jep mesazhin se presidenti mund të vendosë kur të dojë dhe çfarë ligji të dojë për ta bllokuar me veto duke bllokuar në këtë mënyrë funksionimin e demokracisë. Zaev shtoi se presidenti mban mbi supe një përgjegjësi shumë të madhe. /abcnews.al

gjorg-kolinda.png
ent ela12:02 | 27/04/2018

Presidenti i Maqedonisë Ivanov u shpreh se për çështjen e emrit me Maqedoninë mund të merret si shembull modeli i Kracisë me Slloveninë ku paralelisht me neociatat u zhvillua dhe integrimi euroatlantik i të dyja vendeve

Kroacia në vitin 2020 pritet të marrë presidencën e radhës të Bashkimit Europian. Gjatë vizitës së saj në Shkup, presidentja kroate u shpreh se zgjidhja e çështjeve bilaterale mes vendeve duhet të realizohet paralelisht me integrimin euro-atlantik të Maqedonisë. Presidentja kroate duke iu referuar bisedimeve për emrin Maqedoni-Greqi, tha se zgjedhja nuk duhet të imponohet nga jashtë. Ndërsa nga ana e tij presidenti maqedonas Ivanov kërkoi që dy vendet të ndjekin shembullin e negociatave Kroaci-Slloveni.

“Shembullin që ka Kroacia me Slloveninë, e kemi thënë vazhdimisht, se mund të përdoret në rastin mes Maqedonisë dhe Greqisë. Mund të zhvillohen negociata paralele për anëtarësim në BE dhe paralelisht të zgjidhen çështjet e hapura.

Pajtohem me presidentin Ivanov se çështjet e hapura jo vetëm që mund, por duhet patjetër të zgjidhen paralelisht me euro-integrimin. Bisedimet duhet të intensifikohen. Shpesh në negociata futen propozime nga jashtë por ato në asnjë mënyrë nuk duhet të imponohen. Ju e dini se keni mbështetjen tonë për në NATO dhe ambasada kroate në Shkup që është si pika juaj e kontaktit me Aleancën, do të ndihmojë rrugën tuaj”.

Dy presidentët u takuan në prag të takimit të liderëve “Bërdo Brion” që pritet të mbahet gjatë ditës në Shkup. Në konferencën e përbashkët për shtyp, pavarësisht interesimit të gazetarëve për të mësuar nëse presidenti Ivanov do të ndryshojë qëndrim rreth dekretimit të ligjit për përdorimin e gjuhëve, nuk u lejuan pyetje të tjera duke përdorur si justifikim mungesën e kohës./abcnews.al

IVANOV-GJUHA-SHQIPE-1280x720.jpg
ent ela10:14 | 15/03/2018

Kushtetuta e Maqedonisë detyron presidentin e vendit Ivanov që të firmosë ligjin për gjuhët pasi nuk ka më të drejtë ta refuzojë atë. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në konferencën për shtyp pas miratimit të ligjit tha se kreu i shtetit as tani dhe as në fazën e parë nuk ka pasur të drejtë të vlerësojë kushtetueshmërnë e ligjit

Pas miratimit në Kuvendin e Maqedonisë të ligjit për përdorimin e gjuhëve, presidenti Ivanov është i detyruar që ta dekretojë atë duke mos pasur më të drejtën ta refuzojë ashtu si ndodhi në fazën e dytë. Kreu i Shtetit është i detyruar nga neni i 75 i Kushtetutës së Maqedonisë.

Sipas këtij neni ligjet shpallen me dekret. Dekretin për fuqizimin e ligjit e nënshkruajnë kryetari i Republikës dhe kryetari i Kuvendit. Kryetari i Republikës mund të vendosë të mos e nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit. Kuvendi përsëri e shqyrton ligjin dhe nëse e miraton me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, kryetari i Republikës është i detyruar ta nënshkruajë dekretin.

Nga ana tjetër edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në konferencën për shtyp pas miratimit të ligjit tha se kreu i shtetit as tani dhe as në fazën e parë nuk ka pasur të drejtë të vlerësojë kushtetueshmërnë e ligjit. I vetmi organ që ka të drejtë për interpretime të tilla është Gjykata Kushtetuese.

Xhaferi tha se edhe në fazën e parë në komisionin juridiko ligjvënës në Kuvend projekt ligji është miratuar dhe nuk janë konstatuar kundërshtime me Kushtetutën e vendit. Duke u mbështetur në moskompetencën e presidentit për të vlerësuar kushtetueshmërinë e ligjit, Xhaferi tha se janë hedhur poshtë edhe amendamentet e VMRO-DPMNE-së pasi ato i dedikoheshin pikërisht vlerësimit të presidentit, në kundërshtim me Kushtetutën. /abcnews.al

vlcsnap-error864-2-1280x720.jpg
gra moz22:02 | 17/01/2018

Qeveria e Maqedonisë shpreh keqardhje për vendimin e Presidentit Ivanov, i cili nuk pranoi të nënshkruante ligjin për përdorimin e gjuhëve.

“Duam që edhe njëherë të theksojmë se të gjitha pjesët e zgjidhjes ligjore për përdorimin e gjuhëve janë në pajtim me amendamentin 5 të Kushtetutës. Me këtë ligj avancuam përdorimin e gjuhëve të të gjitha bashkësive etnike në Maqedoni”, shkruhet në deklaratën e qeverisë.

Ndërsa më tej thuhet se ky ligj ka për qëllim ndërtimin e një shoqërie të barabartë për të gjithë. Në fund qeveria nënvizon në deklaratë se ligji zgjeron përdorimin e gjuhëve në institucione dhe do t’u mundësojë qytetarëve të komunikojnë me institucionet e shtetit në gjuhën e tyre amtare./abcnews.al

Gjorge-Ivanov-1280x853.jpg
gra moz18:36 | 17/01/2018

Presidenti i Maqedonisë nuk pranoi të dekretojë ligjin që zgjeron përdorimin e gjuhës shqipe. Ivanov nënvizoi se ligji bie ndesh me kushtetutën e vendit. Tashmë ai do të kthehet përsëri në kuvend ku duhet të votohet përsëri brenda 30 ditëve.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka vendosur të mos dekretojë miratimin e ligjit për zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe. Njoftimi është bërë nga vetë kreu i shtetit me anë të një konference për shtyp. Ivanov theksoi se ligji rrezikon karakterin unitar të shtetit, sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë.

Gjorge Ivanov, president i Maqedonisë: “Më 11 janar të vitit 2018 Kuvendi i Maqedonisë aprovoi ligjin për përdorim të gjuhëve pa debat publik, pa përfshirjen e ekspertëve akademikë dhe pa opozitën. Në fjalimin e fundvitit theksova se ky ligj është sjellë me flamurin europian. Me miratimin e këtij ligji është keqpërdorur flamuri europian, i cili i ndryshon sistemet ligjore”.

Në këtë mënyrë, presidenti i Maqedonisë vendosi të rikthejë në kuvend edhe njëherë ligjin për gjuhët. Brenda 30 ditëve, parlamenti duhet të shqyrtojë ligjin dhe ta votojë atë. Sipas rregullores së kuvendit të Maqedonisë, nëse një ligj rikthehet në kuvend nga Presidenti, ai duhet të miratohet me një shumicë të thjeshtë, pra 61 vota, dhe hyn në fuqi menjëherë. Natyrisht, miratimi i këtij ligji do të jetë thjeshtë një formalitet duke parë se më herët u miratua me 69 vota pro dhe asnjë kundër, pavarësisht se opozita bojkotoi votimin.

Nga ana e saj VMRO-DPMNE ka paralajmëruar një nismë kushtetuese për të rrëzuar ligjin që zgjeron përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni./abcnews.al

vlcsnap-error718-1280x720.jpg
ent ela15:08 | 11/01/2018

Mediat maqedonase raportojnë se presidenti Ivanov mund të bllokoijë ligjin e spo miratuar në parlament për përdorimin e gjuhës shqipe dhe ta kthejë sërish për votim.

Pas miratimit të ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni në komisionet parlamentare dhe në seancë plenare, presidenti i shtetit Gjorge Ivanov, mund ta bllokojë dhe ta kthejë përsëri tek deputetët. Mediat maqedonase raportojnë se  Ivanov që prej propozimit të këtij ligji ka dalë kundër, duke e cilësuar si anti kushtetues dhe minues i unitetit të shtetit. Në fjalimin e tij vjetor para deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë ai tha se projektligji për përdorimin e gjuhëve vë në pikëpyetje interesat e përhershme të Maqedonisë dhe popullit maqedonas.

Nëse edhe për herën e dytë në Kuvend deputetët miratojnë ligjin, atëherë Ivanov nuk mund ta refuzojë dhe është i detyruar ta pranojë.

Në lidhje me këtë reagoi edhe deputeti i BDI-së, Artan Grubi, i cili ftoi Ivanovin që ta nënshkruajë ligjin dhe të pranojë realizimin e Marrëveshjes së Ohrit, pasi sipas Grubit, ligji për gjuhët është pjesë e marrëveshjes./abcnews.al

 

 

vlcsnap-error456-1-1280x720.jpg
us er20:18 | 26/12/2017

Në fjalimin e tij të fundvitit, Presidenti i Maqedonisë Ivanov u shpreh se vendi po linte pas një vit të karakterizuar nga kriza e thellë politike ku partitë shohin njëra tjetrën si armike. Ndër të tjera ai përmendi dhe platformën e Tiranës e cila sipas tij u shndërrua në një krizë kushtetuese.

Presidenti i Maqedonisë, Ivanov, mbajti fjalimin e vjetor në Kuvend, duke e cilësuar 2017-ën si një vit me probleme dhe krizë të thellë politike.

Ai shtoi se në fjalimin e tij të parë me këtë përbërje të re parlamentare, shihte si shumë shqetësues dhe dëshpërues faktin se partitë politike e shohin njëra tjetrën si armike të përbetuar.

Në linjë të këtij mendimi Ivanov përmendi dhe platformën e Tiranës për të cilën tha se u shndërrua në një krizë kushtetuese. Ai theksoi se kishte dhënë mandatin vetëm pasi u dhanë garanci me shkrim, për mbrojtjen e integritetit të vendit. Por kriza e gjatë politike u reflektua edhe në ekonomi, duke bërë që vendi aktualisht të renditet i fundit në rajon në këtë fushë.

Presidenti maqedonas bëri apel që liderët e pushtetit dhe opozitës të kenë komunikim në interes të qytetarëve dhe shtetit dhe të punojmë në kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e vendit.

Duke nënvizuar se Bashkimi Europian po kërkon reforma nga Shkupi, ai tha se vendi duhet të fillojë të meritojë negociatat për anëtarësim. Ivanov tha se 2018 është një shans historik për atë që ka nisur me anëtarësimin në NATO.

As Kosova nuk mbeti jashtë fjalimit të presidentit maqedonas i cili kritikoi kritikoi qeverinë në Prishtinë për shumën e parave që ndau për familjarët e grupit të Kumanovës.

Në fjalimin e Ivanovit, morën pjesë edhe deputetët e partisë opozitare VMRO-DPMNE, përfaqësues të trupit diplomatik, kryeministri Zoran Zaev, përfaqësues të Qeverisë, të institucioneve gjyqësore, bashkësive fetare si dhe kryetari i sapozgjedhur i VMRO-DPMNE-së, Kristian Mickoski./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono