ismail qemali

aktore-shfaqje.jpg
G. P.16:59 | 24/01/2019

Në Vlorë janë kryer homazhe në kujtim të Ismail Qemalit që hodhi themelet e shtetit shqiptar. Në ceremoninë e 100 vjetorit të vdekjes së Ismail Qemalit mori pjesë kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.   

100 vite nderim për Ismail Qemalin. Njeriu që pati rolin e padiskutueshëm në shpalljen e pavarësisë së vendit. Në këtë ditë u zhvilluan homazhe dhe u vendosën kurora me lule në varrin e Ismail Qemalit në Vlorë. Në ceremoni mori pjesë kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe autoritetet vendore.

“I tregojmë dhe  njëherë të gjithëve që historia moderne filloi pikërisht këtu në Vlorë, në mbështetjen e një burri të madh, e një personaliteti të shquar, figura e të cilit ka bërë që të kenë zili shumë të tjerë përreth nesh. Mënyra që ai bëri shqiptarët bashkë është nga ato të rrallat. Meriton të vlerësohet dhe të kujtohet”, tha kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

Në emër të kryeministrit Edi Rama, fjalën përshëndetëse e mbajti ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

“Ismail Qemali ishte promotori i parë i parimit se organet e shtetit asnjëherë nuk mundet të zëvendësojnë fushën e drejtësisë. Qeveria e Vlorës ishte e para që kuptoi që arti që dija, që ndriçimi i mendjes, që kultura ishin ato që do ta sillnin Shqipërinë në një vend të begatë”, tha ajo.

Një vizitë në muzeun e pavaresisë në Vlorë, ka përmbyllur edhe aktivitetet në ditën e perkujtimit të 100 vjetorit të vdekjes së Ismail Qemalit./abcnews.al

thumbnail_Veliaj-ne-aktivitetin-per-100-vjetorin-e-vdekjes-se-Ismail-Qemalit-5-1280x853.jpg
ent ela15:05 | 24/01/2019

Figura e Ismail Qemalit u nderua dhe nga Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj apeloi që emri i tij të shërbejë si inkurajim për çdo qytetar që e do vendin.

Me rastin e 100-vjetorit të ndarjes nga jeta të Ismail Qemalit figura dhe kontributi i atit të Pavarësisë së Shqipërisë u nderua dhe nga Bashkia e Tiranës. Pas kurorave me lule ne në shtatoren në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” aktivitetet vijuan ne gjimnazin qe mban emrin e tij, tashmë tërësisht i rikonstruar.

“Nuk e di nëse do të kishim të njëjtin fat si komb apo të njëjtin përfundim si përpjekje, nëse ky njeri nuk do të ekzistonte. Këtë ndoshta nuk do ta dimë kurrë, por ajo që dimë është që: Po, një njeri mund ta ndryshojë botën. Pra, një njeri ka fuqi të bindë katër vetë për të marrë një vendim për familjen. Por, në qoftë se mund të bindim një familje, a mund të bindim një shkallë pallati? Nga nisma e një qytetari ndryshon politika e një qyteti. Kështu, miqtë e mi, sidomos ju që jeni më të rinj, nëse doni një provë se si një njeri mund të ndryshojë fatet e një kombi, besoj se inkurajimi më i madh është jeta e Ismail Qemalit”.

Si simbol i përjetësisë së emrit dhe veprës së Ismail Qemalit, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj si dhe ambasadori italian në vendin tonë, Alberto Cutillo mbollën disa pemë në oborrin e shkollës. Me pas vizituan dhe një ekspozitë me foto dhe piktura të organizuar nga nxënësit e shkollës. /abcnews.al

ilir-meta-mazhoranca.jpg
ent ela12:28 | 24/01/2019

I thonë prej tre ditësh se ka gabuar me propozimin e Bahri Shaqirit në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Zërat brenda mazhorancës socialiste këmbëngulin se Presidenti i Republikës nuk ka zbatuar kriterin që kandidati të jetë ekspert në fushën e financave. Edhe pse këtë të enjte doli për të përkujtuar me një tufë me lule 100 vjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit, nuk e shmangu dot një përgjigje ndaj shumicës së majtë.

“Kushtetuta, interesi kombëtar dhe interesi publik janë të vetmet që më udhëheqin në veprimet e mia dhe në aktet e mia”.

Neni 20 i ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit” ka përcaktuar dhe se cilat janë kushtet për t’u zgjedhur Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

  1. a) ka arsim të lartë në ekonomi, financë ose drejtësi;
  2. b) përvojë profesionale në çështje financiare;
  3. c) ka kualifikime të larta profesionale dhe përvojë pune në profesion jo më pak se 10 vjet;

Në gjykimin e Presidentit Ilir Meta, Bahri Shaqiri ka njohuritë e duhura në fushën e ligjit dhe auditimit për të garantuar drejtimin profesional të institucionit të Kontrollit të lartë të Shtetit. Këtë e argumenton edhe me CV–në që i bashkëngjit propozimit të tij. Në të shkruhet se Bahri Shaqiri gjatë eksperiencës 26-vjeçare të punës në institucionet e larta shtetërore ka mbajtur poste të ndryshme në: Ministrinë e Finacave, Shërbimi Informativ i Shtetit, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe aktualisht në institucionin e Presidentit të Republikës.

Ndër të tjera Bahri Shaqiri në vitin 2009 është certifikuar auditues i brendshëm në sektorin publik nga Ministria e Financave. Por kjo nuk është e mjaftueshme sipas deputetëve socialistë, deklaratat e të cilëve paralajmërojnë refuzimin e propozimit të Presidentit./abcnews.al

ismalil-mqemali.jpg
G. P.18:28 | 12/01/2019

Akademia e Shkencave ngre një grup pune për të nderuar themeluesin e shtetit shqiptar Ismail Qemalin për 100-vjetorin e vdekjes. Anëtari i Akademisë, Myzafer Korkuti, thotë se përgjatë këtij viti do të zhvillohen një sërë aktivitetesh për Ismail Qemalin.

Asambleja e Akademisë së Shkencave në mbledhjen e saj ka marrë vendimin për ngritjen e një grupi pune, për të realizuar disa aktivitete për nderimin e figurës së Ismail Qemalit në kuadër të 100-vjetorit të vdekjes së tij. Anëtari i Akademisë dhe ish-kryetari i këtij institucioni, Myzafer Korkuti thotë se Akademia do të bashkëpunojë me institucionet e tjera për realizimin e një konference shkencore, ku do të pasqyrohet e plotë figura e themeluesit të shtetit shqiptar në këtë përvjetor.

Korkuti është i mendimit se në këtë vit duhet të realizuar edhe një konkurs për realizimin e një shtatorje  për Ismail Qemalin, por kujtojmë se edhe për festimet e 100-vjetorit të pavarësisë u organizua një konkurs dhe veprat e paraqitura u vlerësuan si të parealizuara nga juria, ndaj u vendos që shtatorja e Ismail Qemalit, e cila ndodhej në muzeun Historik Komëbtar të vendosej në sheshin afër presidencës.

Krahas Akademisë së Shkencave edhe Muzeu Historik Kombëtar ka deklaruar më herët se ky vit do t’i kushtohet figurës së Ismail Qemalit, i cili ka qenë firmëtari i parë i aktit të pavarësisë. /abcnews.al

49599708_2360249324264172_3437097679417507840_n-1280x853.jpg
ent ela13:51 | 07/01/2019

Edhe nxënësit e gjimnazit “Ismail Qemali” në Tiranë e nisën vitin në mjedise të rikonstruktuara. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj tha se këtë vit do të hidhen themelet për ndërtimin e 17 shkollave të reja në kryeqytet.

Këtë vit në Tiranë do të nisë puna për ndërtimin e 17 shkollave të reja. Këtë e bëri të ditur Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj nga gjimnazi “Ismail Qemali” i cili këtë vit i ka pritur nxënësit me mjedise të reja.

“Një nga arsyet pse kemi një mbipopullim në këtë shkollë është kryesisht prej cilësisë, megjithatë hapja e shkollave të reja dhe fillimi i 17 themeleve për 17 shkolla të reja do të ulë edhe këtë presion. Jam i lumtur që edhe “Ismail Qemali”, brenda këtij viti, do të shkojë në parametrat normalë të raportit të nxënësve me mësuesit; pra, klasa të përballueshme dhe jo të mbingarkuara. Hapja e shkollave të reja do të kërkojë bashkëpunim me prindërit, që fëmijët të regjistrohen ku e kanë shkollën e tyre më të afërt”.

Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e plotë të klasave, palestrës dhe terreneve të jashtme sportive ndërkohë ka instaluar edhe sistemin e ngrohjes qendrore.

“Jam shumë i lumtur që ia mbërritëm kësaj dite, që shkolla “Ismail Qemali” të hidhej në tokë e të ringrihej nga e para, tamam si një feniks për këtë vit të ri. Të gjithë nxënësit të cilët me shumë mirëkuptim kanë “bujtur” në shkollat e tjera, sot kanë një ambient fantastik të rinovuar, duke filluar nga fushat. Është ndër të vetmet shkolla që ka edhe fushë tenisi, edhe volejbolli, edhe futbolli e basketbolli, ka një palestër, ka një sallë force, ka gjithë ndriçimin LED, ka një ngrohje me pelet”.

Krahas përmirësimit të infrastrukturës, në shkollat e kryeqytetit mësuesit më të mirë të përzgjedhur nga portali “Mësues për Shqipërinë” sipas kryetarit të bashkise po shpërndahen në mënyrë të njëtrajtëshme në çdo shkollë. /abcnews.al

 

 

 

 

VLORE-REGJISTRIMET-NE-UNIVERSITET_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.02-1280x693.jpg
G. P.13:28 | 15/09/2018

Edhe Vlora po përballet me të njëjtin fenomen si në qytetet e tjera në lidhje me pranimet në universitet. Shifrat e regjistrimeve janë në nivele shumë të ulëta. Rektori Roland Zisi u bën thirrje të gjithë maturantëve që të regjistrohen në raundin e dytë.

Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorëe mbylli raundin e parë të regjistrimeve me shifra aspak të kënaqshme. Ka një rënie të maturantëve për të aplikuar në programet bachelor. Rektori Roland Zisi thotë se kërkesat për Fizikë dhe Matematikë janë në nivele shumë të ulëta.

Roland Zisi, rektor i universitetit “Ismail Qemali” Vlorë: “Ne nuk jemi të kënaqur në pikëpamjen duke llogaritur kërkesat që kemi bërë për kuota. Të kemi atë nivel që ato kuota që kemi kërkuar të plotësohen që në raundin e parë.”

Në këto kushte, Zisi u bën thirrje studentëve të ardhshem që të regjistrohen në raundin tjetër.

“Unë i bëj thirrje maturantëve që të regjistrohen në programet e studimit që ofron universiteti Ismail Qemali.”

Kuotat e parashikuara nga universiteti i Vlorës janë rreth 1200 pranime. Përmbushja e kësaj shifre duket ende larg pasi interesi i maturanteve për të hyrë në këtë universitet nuk është si i viteve të kaluara./abcnews.al

RIKONSTRUKTOHET-SHKOLLA-ISMAIL-QEMALI.mpg_snapshot_00.14-1280x720.jpg
G. P.14:39 | 03/09/2018

Këtë vit në shumë prej shkollave në Tiranë numri i nxënësve në klasa do të jetë më i vogël. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, thotë se kjo vjen pas shtimit të kapaciteve. Veliaj ishte në gjimnazin “Ismail Qemali”, i cili po përfundon së rikonstruktuari.

Punimet po shkojnë drejt mbylljes. Gjimnazi “Ismail Qemali” në Tiranë këtë vit do ti presë nxënësit me mjedise të reja.

“Shkolla mban emrin e një prej personazheve më të rëndësishëm të historisë shqiptare, shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Kjo e jona është një përpjekje modeste për të shpallur pavarësinë nga i ftohti, lagështia, rrëmuja, zhurma, nga një shkollë e rrënuar. Por, këtë lloj pavarësie të kohëve moderne mund ta bëjmë me punë, jo me fjalë. Ndaj, i gjithë gushti ka qenë një muaj sulmi, po ashtu edhe fillimshtatori do të jetë një muaj sulmi, për t’u siguruar që kapim datën e fillimit të shkollës”.

Me hapjen dhe shtimin e kapaciteteve në këtë gjimnaz dhe shkolla të tjera, numri i nxënësve në klasa është ulur.

“Pra, nga një shkollë me 40-50 nxënës në klasë, bëhet një shkollë me 32 nxënës në klasë. Kjo do të thotë se ka më pak nxënës për të njëjtin mësues, rrjedhimisht më shumë vëmendje për secilin nxënës dhe një shans më të madh që secili nxënës të dalë akoma edhe më mirë në mësime. Por, ky lajm i mirë ka gjasa të tundohet nga një presion konstant që vjen nga prindërit. Këshilla ime për prindërit është kjo: nëse jeni banorë të zonës, të Njësisë 2 që iu prek ky pellgu i “Ismail Qemalit”, atëherë kjo është shkolla juaj. Nëse jeni më afër me “Abdulla Ketën” në Shkozë, nëse jeni më afër me “Sandër Prosin” në Sauk, atëherë mënyra më e mirë është për të regjistruar fëmijët atje. Duke i regjistruar nxënësit atje, do të thotë që do kalojnë më pak kohë në rrugë vajtje-ardhje, më pak vara-vingo dhe më shumë kohë me librat”.

Sipas kryetarit të bashkisë, nuk ka asnjë arsye që prindërit dhe nxënësit të kërkojnë të regjistrohen vetëm në ato shkolla që në të shkuarën kanë patur më shumë reputacion se të tjerat. Sot, deklaroi Veliaj, të gjitha shkollat ofrojnë standarde mësimdhënie dhe kushte shumë të mira. Ndërkohë, kryetari i bashkisë bëri të ditur se shumë shpejt nis ndërtimi i 17 shkollave të reja në kryeqytet, ç’ka pritet t’i japë fund mësimit me dy turne./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono