islanda

KOMBETARJA-IZOLOHET-NE-DURRES.mpg_snapshot_00.06-1280x720.jpg
ent ela19:05 | 09/06/2019

Kombëtarja shqiptare ka nisur punën në Durrës, për ndeshjen e dytë eleminatore të Europianit, atë ndaj Moldavisë. Trajneri Reja përpiqet të mbajë lart moralin pas humbjes me Islandën.

U kthyem duarbosh, por kemi edhe një ndeshje tjetër.

Kombëtarja shqiptare ndoshta mund të mos jetë me moralin më të lartë pas humbjes në Islandë, veçse të martën duhet të jetë gati për Moldavinë.

Trajneri Edi Reja është kujdesur që skuadra të jetë tërësisht e izoluar në kompleksin “Tropikal” në Durrës, edhe pse është periudhë pushimesh, ndërsa në seancën stërvitore pranon kamerat, si gjithnjë, vetëm 15 minuta.

Italiani është përpjekur gjatë gjithë kohës të nxisë lojtarët, duke theksuar se prova në Islandë ishte pozitive, pavarësisht humbjes, pra një bazë e mirë për vazhdimin.

Trajneri lavdëroi karakterin e treguar nga lojtarët e tij, që nuk u tronditën pas pësimit të golit, por luajtën fort deri në fund.

Për fat në skuadër kthehet kapiteni Mavraj, i cili përfundoi pezullimin prej 3 ndeshjesh, dhe ky do të jetë një plus I madh për repartin e mbrojtjes, që tregoi dobësi në Rejkjavik, sidomos në pësimin e golit.

Ende nuk dihet se cila mund të jetë skema e Rejës për ndeshjen eleminatore të Europianit, të martën ndaj Moldavisë në “Elbasan Arena”.

Me shumë gjasë, do të jetë pak a shumë ajo e Islandës, ku kombëtarja luajti me dy sulmues, dhe me modulin 4-3-3.

Italiani do të shikojë gjendjen fizike të lojtarëve, sidomos pas 90 minutave të lodhshme të së shtunës, dhe mund të bëjë ndryshime në formacion, ku Sadiku, Kaçe apo Ndoj mund të mendohen titullarë. /ABC News Albania 24/7

 

shqiperi-islande.jpg
nev ila17:11 | 08/06/2019

Islanda ka mposhtur Shqipërinë, me rezultat 1-0, ditën e sotme në kuadër të kualifikueseve për Evropianin 2020.

Ndonëse kuqezinjtë treguan lojë më të mirë në krahasim me kohën e Panuccit, skuadra shqiptare nuk ia doli të paktën të marr një pikë nga ky udhëtim i vështirë.

Shqipëria mbetet në pozitën e katërt në Grupin H me vetëm tri pikë, kurse, Islanda ka gjashtë pikë aq sa kanë Franca dhe Turqia, skuadra këto që do të ballafaqohen sonte në orën 20:45./abcnews.al

Elseid-Hysaj-1280x718.jpg
nev ila23:50 | 07/06/2019

Kapiteni i ekipit kombëtar, Elseid Hysaj është optimist për duelin ndaj Islandës. Mbrojtësi vlerëson kundërshtarin por beson se 3 pikët janë të arritshme.

Kombëtarja shqiptare është gati për ndeshjen zyrtare ndaj Islandës e cila do të zhvillohet të shtunën në orën 15:00. Situata paraqitet mjaftë  mirë tek kuqezinjtë që përgatiten për këtë duel prej rreth 15 ditësh. Kapiteni i ekipit kombëtar Elseid Hysaj thekson se skuadra është gati për këtë duel si dhe komenton skemën 352 që do të aplikojë trajneri Italian

Në lidhje me kundërshtarin Islandën, një emër i vogël në futbollin evropian por që rezultoi të ishte surpriza në euro 2016, Hysaj shprehet se kjo skuadër nuk është e njëjtë me atë të dy viteve më parë./ABC News Albania 24/7

 

 

edy-reja-1.jpg
nev ila22:15 | 07/06/2019

Trajneri i kombëtares shqiptare Edi Reja do të debutojë me kuqezinjtë të shtunën ndaj Islandës. Tekniku Italian kërkon përqendrim maksimal nga skuadra dhe loje sulmuese.

Shqipëria luan testin e radhës ndaj Islandës,  në kualifikueset e euro 2020. Trajneri i ekipit kombëtar Edi Reja është gati për debutimin në stolin kuq e zi. Tekniku Italian theksoi në konferencën e zakonshme për shtyp një ditë para ndeshjes në 15 ditët e stërvitjes nuk kanë mjaftuar për të njohur skuadrën por synimi i skuadrës është vetëm fitorja.

“I kam shprehur lojtarëve filozofinë time dhe mendoj se e kanë kuptuar. 15 ditë grumbullim nuk kanë mjaftuar por shpresoj të marrim një rezultat pozitiv pasi do ti jepte besimin futbollistëve për takimin e radhës. Pres një skuadër të vendosur mirë në fushë. Nuk dua të shoh një ekip të frikësuar dhe kërkoj të luaj në sulm. Synimi i skuadrës është gjithmonë për të fituar. Duhet të futemi në lojë me besimin se do të fitojmë dhe të shfrytëzojmë rastet e krijuara”, theksoi trajneri Reja.

Trajneri Italian injoron Eros Grezdën pas largimit nga grumbullimi i kombëtares dhe thekson se askush nuk është i pazëvendësueshëm në skuadër.

“Nuk shikoj asnjë çështje për Grezdën. Lojtari e mori vetë një vendim të tillë. Kemi pasur pikëpamje të ndryshme. Grezda e ka derën e hapur për të ardhmen. Diskutimi duhet të shtrihet në rang klubi. Të gjithë janë të vlefshëm por askush nuk është i pazëvendësueshëm”, tha Reja.

Në lidhje me formacionin që do të hedhë në fushën e lojës ndaj Islandës, kreu i bankinës së kuqezinjve nuk preferon të jap detaje madje thekson se as lojtarët nuk janë në dijeni të planit të tij. Trajneri Reja kërkon nga skuadra të bëjë kujdes në lojën në ajër pasi kjo është pika më e fortë e Islandezëve.

“Nuk mund të jap detaje për formacionin pasi këtë nuk e dinë as lojtarë, nuk ia kam thënë atyre dhe duhet pritur dita e ndeshjes për ta mësuar. Fillimisht do ta mësojnë ata. Mendoj të luaj me dy sulmues por nuk e kam marr ende vendimin.  E njoh mirë Islandën. Kanë organizim të mirë të lojës. Krosimet dhe goditjet standarte janë pika e tyre më e fortë”, përfundon trajneri i ekipit kombëtar Edi Reja.

Kuqezinjtë renditen në vendin e tretë në grupin H në kuotën e 3 pikëve ndërkohë që Franca dhe Turqia udhëheqin grupin me pikë të plota./ABC News Albania 24/7

berisha.jpg
G. P.15:57 | 05/06/2019

Kombëtarja ndihet e sigurt në mbrojtje dhe mund të fitojë në Islandë për Europianin. Portieri Etrit Berisha dhe mesfushori Ergys Kaçe kanë besim, ndërsa flasin për atmosferën në ekip.

Numërimi mbrapsht ka filluar, madje është drejt fundit. Të shtunën, kombëtarja luan në Islandë për eliminatoret e Europianit, dhe interesimi i tifozëve është të dinë sesa e përgatitur është ajo për t’ia dalë, sidomos duke pasur parasysh mungesat në mbrojtje. Etrit Berisha, portieri titullar dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm, flet për kundërshtarin dhe për ekipin tonë.

Kundërshtar direkt për t’u kualifikuar. Kemi kualitetin e duhur për të marrë një rezultat pozitiv. Në mbrojtje kemi shumë lojtarë të cilët mund ta kryejnë këtë repart mjaft mirë”, tha Berisha.

Një nga temat kryesore të këtyre ditëve mbetet ajo e ndikimit të trajnerit të ri, Edi Reja.

“Atmosfera është e mirë duke pasur parasysh që kemi një trajner që ka eksperiencë të madhe. Është munduar që ekipi të ketë më shumë entuziazëm. Tani çdo gjë varet nga rezultati. Deri tani jemi të kënaqur me mënyrën si kalojmë në stërvitje dhe jashtë saj”, tha Berisha.

Ergys Kaçe është një i rikthyer në kombëtare, një lojtar nga ata që kanë ardhur dhe kanë ikur. Gjithsesi, ai ndihet i sigurt dhe i barabartë me të gjithë.

“Islanda është një skuadër shumë e fortë. Edhe ne si skuadër jemi e fortë dhe besoj se mund të fitojmë. Nuk e di akoma a do luaj, a do jem titullar, por besoj po më futi trajneri unë do jap 100% të ndihmoj skuadrën të marrim tre pikët”, tha Kaçe.

Edhe Kaçe flet për atmosferën në skuadër.

“Sa herë vjen një trajner i ri në skuadër, të gjithë lojtarët japin maksimumin. Besoj se kemi bërë stërvitje shumë të mirë. Jemi gati për ndeshjen”, tha ai.

Mesfushori ka një moment kulmor në kombëtare, kur shënoi golin e fitores ndaj Francës disa vjet më parë në “Elbasan Arena”. Padyshim, ai shpreson që ekipi përfaqësues të kthehet edhe një herë në ato nivele./ABC News Albania 24/7

KONFERENCA-KOMBETARES-FLASIN-CIKALLESHI-AJETI.mpg_snapshot_00.24-1280x720.jpg
ent ela22:45 | 04/06/2019

Kombëtarja shqiptare e futbollit vijon përgatitjet në Frankfurt të Gjermanisë në prag të duelit ndaj Islandës. Sokol Cikalleshi dhe Arlind Ajeti shprehen pozitivisht për gjendjen e skuadrës dhe janë optimiste për dy ndeshjet zyrtare.

Kombëtarja shqiptare e futbollit vijon normalisht përgatitjet në Frankfurt të Gjermanisë në prag të duelit kundër Islandës. Lojtarët po integrohen nga dita në ditë me skemat e reja të teknikut Edi Reja. Sipas sulmuesit të kuqezinjve Sokol Cikalleshi, tekniku Italian ashtu si dhe lojtarët i kanë idetë e qarta për dy ndeshjet eleminatore.

Në konferencën e zakonshme për shtyp doli edhe mbrojtësi Arlind Ajeti, një ndër protagonistët e shumtë të Kombëtares gjatë rrugëtimit në Euro 2016. Ajeti tha se skuadra duhet të zbatojë me përpikmëri udhëzimet e trajnerit për të daë me pikë të plotë në dy takimet zyrtare. /ABC News Albania 24/7

KOMBETARJA-SKEMAT-PER-EUROPIANIN.mpg_snapshot_00.25-1280x720.jpg
ent ela12:55 | 23/05/2019

Trajneri i kombëtares, Edi Reja, po mendon për të forcuar lojën në mbrojtje, për dy ndeshjet e radhës në eleminatoret e Europianit. Italiani duhet të bëjë pa kapitenin Mërgim Mavraj.

Është shumë shpejt të flitet për skemat, por po mendohet për to.

Edi Reja e bëri të qartë që në konferencën për shtyp se do të përpiqej të ishte i kujdesshëm me lojën sulmuese të kombëtares, dhe duket se ka ndërmend që këtë ide ta verë në praktikë.

Mund të besohet se trajneri dëshiron ta ketë skuadrën në fushë me skemën 3-5-2, duke menduar të jetë i mbuluar në mbrojtje, sidomos në mungesë të kapitenit Mërgim Mavraj, që mbetet i pezulluar.

Me vetëm 10 lojtarë të kombëtares në dispozicion, por edhe me 12 futbollistë të ekipit Shpresa, Reja ka krijuar të paktën numrat që i duhen për eksperimentet e veta.

Me tre mbrojtës dhe me dy lojtarë krahu, Shqipëria mund të ndihet më e sigurt në një ndeshje të vështirë fizike dhe atletike, sidomos si ajo në fushën e Islandës, në 8 qershor, për eleminatoret e Europianit, dhe më pak ajo ndaj Moldavisë në “Elbasan Arena” në datën 11.

Kjo do të thotë një kthim në kohën e De Biazit, edhe pse ish-trajneri kishte mbrojtje zakonisht me katër lojtarë, por me mesfushë të përforcuar në qendër, për të ndihmuar prapavijën.

Reja do të ketë mundësi të mbështetet në më shumë lojtarë, pasi rikthehen Lenjani, Roshi, Cikalleshi, ndërsa Sadiku duket edhe më në formë.

Mediat italiane njoftojnë se në kombëtare kthehet mbrojtësi i majtë, Hysen Memolla, që luan në Serinë B Salernitana.

Trajneri Reja do të ketë të gjithë futbollistët në dispozicion duke nisur nga e hëna e ardhshme, kur edhe do t’i shpallë në konferencën për shtyp. /ABC News Albania 24/7

KOMBETARJA-REJA-KERKON-ME-SHUME-KOHE-_ABC-M4-T2.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
ent ela22:12 | 15/05/2019

Kombëtarja shqiptare do të nisë grumbullimin javën e ardhshme nën urdhrat e trajnerit Edi Reja. Tekniku Italian do të ketë rreth dy javë kohë për të përgatitur ekipin për ndeshjen e parë ndaj Islandës.

Me pak se një muaj na ndajnë nga takimi mes kombëtares së Shqipërisë dhe islandes në Rejkjavik. Trajneri i kuqezinjve Edi Reja nuk kërkon të humbasë kohë dhe pritet të nisë grumbullimin në qendrën stërvitore në Durrës javën e ardhshme dhe do të zgjasë deri në datën 2 qershor. Janë plot 9 futbollistë të cilët janë të lirë pasi nuk kanë më impenjime me klubet respektive dhe do të jenë në dispozicion për kuqezinjtë. Bie në sy emri i mbrojtësit Marash Kumbulles që aktivizohet me skuadrën e Veronës në Serinë B italiane. Lojtari në fjale ishte në planet e trajnerit Panuçi për duelin me Turqinë, por dëmtimi e ndikoi në mosgrumbullimin e tij. Në skuader do të rikthehet Mëgrim Marvaj i cili do të mungojë ndaj Islandës, ndërkohë që do të jetë i gatshëm për Moldavinë në Elbasan Arena. Edi Reja pritet që fillimisht të grumbullojë Enea Mihaj, Kastriot Dermakun, Marash Kumbulle, Ergys Kaçen, Mërgim Mavrajn, Migjen Bashën, Eros Grezden, Emanuele Ndoj dhe Amir Abrashin. Pas përgatitjes në Shqipëri, kombëtarja do të udhëtojë në Frankfurt të Gjermanisë ku do të qendrojë për katër ditë e më pas do të udhëtojë në Rejkjavik për ndeshjen zyrtare me Isalndën, ndërkohë tri ditë më pas do të presë në Elbasan Arena Moldavinë, ku fitorja nuk duhet të diskutohet për asnjë moment. Edi Reja ka trashëguar nga paraardhesi i tij një skuadër të shthurur dhe pa ide ndaj dhe puna pritet të jetë kolosale për të imponuar një frymë të re në skuadër. Koha do të tregojë nëse trajneri Italian me experiencë shumë vjeçare do të vendos kuqezinjtë në ekuilibrat e duhura. /ABC News Albania 24/7

Kombetarja-1280x639.jpg
ent ela15:50 | 10/05/2019

Kombëtarja shqiptare do të përgatitet me tri faza të ndryshme për ndeshjen ndaj Islandës në Europian. Trajneri Edi Reja ka kërkuar që në qershor, skuadra të stërvitet në Gjermani.

Do të jetë një grumbullim ndryshe. Trajneri i kombëtares, Edi Reja, ka menduar të punojë me tri faza të ndryshme për t’u përgatitur për ndeshjen ndaj Islandës në eleminatoret e Europianit.

Italiani do të publikojë listën e lojtarëve deri në 20 maj, dhe atë ditë do të nisë një grumbullim të pjesshëm në “Tropikal” të Durrësit, me lojtarë që do të kenë përfunduar kampionatin, si ata të Greqisë.

Synimi është që futbollistët të mos humbin formën për shkak të kohës së gjatë deri në 8 qershor kur luhet ndaj Islandës.

Në 26 maj, Reja do të vazhdojë punën po në “Tropikal”, tashmë me rreth 80 për qind të skuadrës.

Gjithsesi, trajneri dëshiron që ditët e fundit, ekipi të stërvitet jashtë vendit dhe konkretisht në Gjermani.

Burime në Federatë bëjnë me dijë se Frankfurti do të jetë baza e mundshme, ku do të vendosen kuqezinjtë, në datat 2-6 qershor.

Arsyeja kryesore e vendimit të Rejës ka të bëjë me udhëtimin dhe me aklimatizimin.

Distanca nga Aeroporti i Rinasit në atë të Rejkjavikut është rreth 3 700 kilometra dhe koha e udhëtimit mund të shkojë në 4 apo 5 orë, diçka vërtet lodhëse për një skuadër futbolli.

Gjermania, krejt ndryshe, është shumë më pranë Islandës, dhe fluturimi me avion do të jetë shumë më i shkurtër.

Po ashtu, Reja pëlqen edhe faktin se klima gjermane është mjaft më e përafërt me atë islandeze, pra shumë më e freskët se në Shqipëri në muajin qershor.

Kombëtarja luan në Islandë në 8 qershor, ndërsa 11 qershor pret Moldavinë në “Elbasan Arena”. /ABC News Albania 24/7

albania.jpg
G. P.15:24 | 02/12/2018

Kombëtarja përballë Francës në eleminatoret e Europianit të vitit 2020. Kampionët e botës do të jenë favoritë në grupin H, ndërsa ekzistojnë shanset për kualifikim.

Është privilegj të kesh në grup kampionen e botës. Shqipëria do të luajë pikërisht ndaj Francës në eleminatoret e Euro 2020, siç e përcaktoi edhe shorti i hedhur në Dublin të Irlandës. Jemi në grupin H, ku numri 1 është pikërisht Franca, e bashkë me të, edhe Islanda, Turqia, Moldavia dhe Andorra. Me dy skuadra që kualifikohen direkt për në fazën finale, nuk është eufori të thuhet se Shqipëria ka shanset e saj.

Sipas formatit të ri, ose kualifikohemi menjëherë, ose eleminohemi, pasi në plej of kanë fituar të drejtën të luajnë vetëm skuadrat fituese të grupeve në Ligën e Kombeve, pra 16 të tilla, të cilat do të luajnë gjysmëfinalet dhe finalet, për të përcaktuar 4 ekipe të tjerë finalistë. Për fat të keq, asnjë nga rivalët tanë të grupit nuk është kualifikuar në Ligën e Kombeve, që të na lironin një vend në rast suksesi aty.

Shqipëria ka luajtur 7 herë me Francën, duke arritur një fitore, një barazim e 5 humbje. Fitorja 1-0 dhe barazimi 1-1 janë në miqësoret e luajtura, përkatësisht në “Elbasan Arena” dhe në Renë, ndërsa ndeshjet zyrtare I kemi humbur të gjitha, katër në eleminatoret e Europianit në vitet 1990-1991 e 2011, dhe një në finalet e Euro 2016-ës në “Stadë dë Frans” të Parisit.

Kombëtarja ka luajtur 10 herë ndaj Turqisë, duke arritur 4 fitore, 2 barazime e 4 humbje. Një fitore e kemi në eleminatoret e Europianit, 3-0 në 1971, dhe 4 humbjet i kemi po në eleminatore, në Europian dhe në Botëror.

Në ndeshjet miqësore, kemi arritur 3 fitore dhe një barazim, me suksesin e fundit 3-2 një vit më parë, në Antalia. Me Islandën janë dy fitore e tre humbje, dhe suksesi i vetëm zyrtar është arritur në 1991. Bilanc më të mirë me Moldavinë, dy fitore në eleminatoret e Europianit në 1995 dhe një barazim në miqësore.

Andorra po ashtu është rival i njohur, me të cilin jemi ndeshur tri herë, fitore 3-0 në Turneun Rothmans, si dhe humbje 0-2 e fitore 1-0 në miqësore. Për t’u theksuar, humbja 0-2 në Andorrë ishte ndeshja e fundit e një trajneri shqiptar në stolin e kombëtare, Sulejman Demollarit, 16 vjet më parë, në prill 2002./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono