ISIS

isis-lideri-i-ri-1280x802.jpg
nev ila19:31 | 31/10/2019

Pas vdekjes se Al-Baghdad-it, organizata terroriste ISIS ka përcaktuar pasuesin e tij. Një bashkëpunëtor i ISIS në platëformën për mesazhe “Telegram” ka bërë të ditur se kush do të jetë lider i ri i organizatës.

Një bashkëpunëtor i IS-it në platformën për mesazhe, Telegram tha se Abu Ibrahim al-Hashemi al-Qurayshi është lider i ri i ISIS. Vendimi u mor pas vdekjes se Al-Baghdad-it, i cili hodhi veten në erë i ndjekur nga forcat special amerikane.

Grupi militant, Shteti Islamik (IS) ka konfirmuar vdekjen e liderit, Abu Bakr al-Baghdadi, si dhe ka njoftuar për pasardhësin e tij.

Një bashkëpunëtor i IS-it në platformën për mesazhe, Telegram ka thënë se Abu Ibrahim al-Hashemi al-Qurayshi është lider i ri i grupit.

Forcat speciale amerikane kanë ndjekur Baghdadin në veriperëndim të Sirisë gjatë fundjavës dhe kanë sulmuar atë në kompleksin e tij.

Al-Baghdadi ka ikur në një tunel dhe ka shpërthyer jelekun vetëvrasës, duke vrarë edhe dy fëmijët e tij, përveç vetes.

Ai ishte shpallur lider i grupit ekstremist, Shteti Islamik më 2014 kur militantët e IS-it kontrollonin pjesë të mëdha të territorit në Siri dhe Irak.

Ushtria amerikane ka publikuar gjatë ditës pamjet e para të sulmit, në përndjekje të Baghdadit./abcnews.al

 

 

cakaj-1.jpg
ad min20:49 | 23/10/2019

Shqipëria është duke punuar në mënyrë intensive që të kthejë në Shqipëri të gjithë personat që qëndrojnë në kampt e ISIS-it në Siri.

Ministri në detyrë për Punët e Jashtme, Gent Cakaj, deklaroi gjatë një interviste në televizionin ABC News se kjo çështje është e ndërlikuar, por qeveria po punon së bashku me partnerët ndërkombëtarë që të mundësojë sa më parë kthimin e të miturve dhe grave në Siri.

Ministri kërkoi mirëkuptimin e publikut për shkak se nuk mund të bëjë publike shumë detaje dhe besimin se qeveria është angazhuar në këtë proces.

“Kjo është një prej situatave kur unë e kam shumë të vështirë të flas se bëhet fjalë për një çështje sa të dhimbshme njerëzore por të ndërlikuar nga pikëpamja operative. Nuk është vetëm punë e diplomacisë shqiptare për ta realizuar këtë operacion. Është një çështje e ndërlikuar. Dua të konfirmoj është se jemi duke punuar pa kursyer në bashkëpunim me partnerët që në mundësinë e parë të bëjmë të mundur tërheqjen e të miturve dhe grave nga Siria.

Mua nuk më takon të shpalos të dhëna sepse kjo shkon në dëm të aksionit që është në zhvillim e sipër. Ajo që mund të konfirmoj është se në mundësinë e parë objektive ne si Shqipëri në bashkëpunim me partnerët do të marrim masat e nevojshme për rikthimin e personave në fjalë në Shqipëri. Nuk varet ekzkluzivisht që varet nga strukturat e ministrisë së Jashtme por varet edhe nga palët ndërkombëtare. Kërkoj prej jush dhe publikut është mirëkuptimi se nuk mund të shpalosim detaje dhe besimi se jemi të angazhuar në këtë proces”, tha ministri Gent Cakaj.

Një javë më parë, emisioni italian “Le Iene” bëri publik rastin e Alvin Berishës i ngecur në kampin e ISIS, i cili nuk mund të kthehej sëbashku me babain e tij për shkak të mungesës së dokumentacioneve./abcnews.al

zv-ministri.jpg
ad min22:56 | 21/10/2019

Pothuajse të gjithë shtetasit shqiptar që ndodhen në kampin e kontrolluar nga kurdët në Siri, janë të identifikuar nga autoritetet shqiptare. Zv/ministri i Jashtëm Eltien Xhafaj, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan për të folur për rastin e 11-vjeçarit Alvin që gjendet në këtë kamp i vetëm, thotë se operacioni në situata të tilla është delikat.

Sipas tij, autoritetet shqiptare janë në kontakt të vazhdueshëm me shtetet partnere të angazhuara në riatdhesimin e shtetasve të huaj që ndodhen në Siri, të cilët kanë luftuar apo kanë qenë pjesë e ISIS. Zv/ministri Xhafaj theksoi se shqiptarët që kanë shkuar në Siri për të luftuar me ISIS, nuk kanë hyrë apo regjistruar me emrat e tyre realë, por me emra arabë.

Për të rikthyer Alvinin, Eltien Xhafaj thotë se do të përdoret e njëjta procedurë sikurse do të veprohet me të gjithë shtetasit e tjerë.

“E gjithë historia në fjalë është një gjë shumë prekëse. Është një gjë shumë e vështirë për të komunikuar. Pavarësisht momentit kur emisioni ka zgjedhur të kontaktojë ambasadorin, ka pasur prej muajsh përpjekje aktive të shtetit shqiptar për të arritur të lidheshin kontaktet.

Mënyra që kanë zgjedhur dhe shtete të tjera është duke vendosur kontakt në terren. Nëpërmjet partnerëve të huaj jemi lidhur prej kohësh. Kemi të dhëna mbi ato që janë presupozime. Por një nga pjesët e domosdoshme për t’u bërë edhe identifikimi në terren. Nuk mund të kaloj në detaje operacionale. Ajo që mund të them është që ne jemi në komunikim të vazhdueshëm për të mundësuar këtë kthim. Kemi informacion të detajuar, por nuk është ndarja specifike. Shumica e shqiptarëve nuk kanë më dokumentin e tyre shqiptar. Ose emrat me të cilët janë të regjistruar nuk janë emrat e tyre shqiptarë, por emrat arabë.

Me djalin do të veprohet në të njëjtën mënyrën që do të veprohet me të gjithë të tjerët. Ajo që bëhet duke i mediatizuar këto raste është që ekspozohet. Ka një operacion, ka një konsensus të lartë. Kosova ka bërë një operacion tepër specifik që ka qenë i pari i llojit të vetë. Pasi e bëri Kosova kemi nisur edhe ne kontaktet. Shqipëria ka bërë disa hapa që ka qenë ndërtimi i të gjithë strukturës operacionale”, deklaroi zv/ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Eltien Xhafaj. /tvklan.al

wo31-Syria-Rukbanpic.jpg
nev ila21:23 | 18/10/2019

Belgjika dhe shtete të tjera europiane do të nisin evakuimin e familjarëve të luftëtarëve të ISIS që ndodhen në qendrat e burgimit në Siri. Mes tyre ka edhe shtetas shqiptarë, por qeveria në Tiranë nuk ka deklaruar se cilat do të jenë lëvizjet e saj për riatdhesimin e tyre.

Belgjika dhe vende të tjera europiane po përgatiten të evakuojnë qytetarët e akuzuar për lidhje me Shtetin Islamik nga kampet e burgimit në veri-lindje të Sirisë, përmes një zone të shpallur të sigurt nga forcat turke përgjatë kufirit.

Zyrtarët belgë informuan familjarët e të burgosurve që mbahen në dy kampe se do të përfitojnë nga armëpushimi 5-ditor për të tërhequr shtetasit që dyshohen për lidhje me grupin terrorist.

Gazeta britanike “The Guardian” ka mësuar se edhe shtete të tjera europiane si Franca dhe Gjermania po shqyrtojnë se si të përfitojnë nga armëpushimi për të riatdhesuar gratë dhe fëmijët, mes të cilëve ka edhe shtetas shqiptarë.

Ndërkohë, sa i takon Britanisë dhe vullnetit për të tërhequr shtetasit e saj nga Siria, kjo mbetet për t’u parë.

Sidoqoftë, vendimi i aleatëve për të lëvizur me shpejtësi ka gjasa të rrisë presionin ndaj Londrës për të bërë të njëjtën gjë.

Se çfarë do të bëhet me luftëtarët e ISIS dhe familjet e tyre ishte kthyer në një shqetësim ndërkombëtar pas vendimit të presidentit Donald Trump për të tërhequr papritur trupat nga Siria.

Vendim që shkaktoi frikë se vakumi që do të krijohej do të çonte në shkërmoqjen e sigurisë në katër kampet kryesore të të burgosurve.

Rojet kurde kanë braktisur tashmë një qendër burgimi, duke u lejuar 800 personave, mes të cilëve anëtarë të ISIS, të largohen. Ministri i Jashtëm francez, Zhan Iv lë Drio deklaroi se 9 gra franceze të lidhura me grupin terrorist ishin mes tyre./abcnews.al

nuk-te-le-babi-me.jpg
nev ila20:36 | 18/10/2019

Babai i 11-vjeçarit shqiptar Alvin Berisha, që mbahet i izoluar në kampet e ISIS në Siri ka humbur gjurmët e të birit.

Afrim Berisha, i kontaktuar nga Abc News, në gjendje të rënduar emocionale rrëfeu se mbrëmjen e së premtes ka mësuar se i biri nuk gjendet me në kampin e “Al Holit”.

Afrim Berisha ka treguar për Abc News se kontaktin e fundit më të birin e ka patur ditën që është ndarë prej tij, pasi nuk e ka nxjerrë dot nga kampi, me 25 shtator.

Që prej asaj dite ai nuk ka patur me kontakte telefonike me të birin. Por, drama e familjes Berisha merr përmasa më të mëdha mbrëmjen e sotme, kur babai nga një kontakt i tij në Siri, mësoi se i biri nuk gjendej me në kamp, pa arritur t’i tregojnë se ku mund të jetë.

I trembur për sigurinë e të birit, Afrim Berisha tha për Abc News se do të niset menjëherë sërish drejt Sirisë për ta kërkuar vetë. Pas publikimit të drames së tij familjare nga emisioni investigativ “Le Iene” në Itali, Afrim Berisha rrëfeu për Abc News se i ishte premtuar ndihmë nga shteti italian për ta tërhequr të birin së bashku me antarët e një familje italiane që i ishte bashkuar disa vite më parë strukturave ekstremiste në Siri dhe për riatdhesimin e së cilës po punohej prej tyre.

Por, situata duket se ka precipituar orët e fundit, pasi tashmë Alvini nuk po gjendet në kamp. Afrim Berisha sqaroi në një bisedë telefonike me Abc News se i biri ishte i vetëm në kamp dhe se ai mbahej në sektorin e fëmijëve jetim.

Ndërsa misteri ka mbuluar fatin e 11-vjeçarit të grabitur dhe dërguar në Siri nga nëna e tij, ankthi për jetën e vogëlushit ka pushtuar familjen Berisha dhe jo vetëm./abcnews.al

31A0C122-4D15-4F46-AF9D-88D736955059_cx0_cy1_cw0_w1023_r1_s.jpg
ent ela10:30 | 13/10/2019

Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, i cili kishte dhënë dorëheqje nga ky post për shkak të mospajtimeve me presidentin Donald Trump, ka paralajmëruar se grupi militant Shteti Islamik mund të “ringjallet” pas vendimit të Trumpit për të tërhequr trupat nga verilindja e Sirisë.

“Ne duhet të vazhdojmë të vazhdojmë presionin ndaj IS-it në mënyrë që ata të mos rikuperohen”, tha Mattis për NBC News.

“Ne ndoshta duam që lufta të marrë fund, ne ndoshta edhe deklarojmë se lufta ka marrë fund. Mund të tërhiqni trupat siç presidenti (Barack) Obama e mësoi në mënyrë të vështirë në Irak, por ne në ushtri themi se ‘armiku po ashtu ka të drejtën e votës’. Dhe në këtë rast, nëse ne nuk vazhdojmë presionin, IS-i do të ringjallet. Ata do të rikthehen”, tha Mattis.

Presidenti amerikan, Donald Trump është përballur me kritika pas vendimit për të tërhequr trupat amerikane nga kjo zonë, ku bashkëpunonin me forcat kurde të cilët luftojnë kundër IS-it.

Kritikët e kanë akuzuar Trumpin se ka tradhtuar aleatët kurdë, të cilët po përballen me sulme nga ushtria turke, që ka nisur ofensivë në veri të Sirisë. Ankaraja i konsideron luftëtarët kurdë terroristë dhe ka kërcënuar se do t’i largojë nga rajoni.

turkey.jpg
ad min22:06 | 10/10/2019

Ofensiva turke në Siri ka hyrë në ditën e dytë. Nga bombardimet dhe luftimet në terren janë regjistruar viktima mes civilëve, dhjetëra mijëra prej të cilëve janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre. Ndërkohë, presidenti Trump ka paralajmëruar Ankaranë që të luajë sipas rregullave.

Luftime të ashpra raportohen në veri të Sirisë, në ditën e dytë të ofensivës turke në zonat e kontrolluara nga kurdët. Qeveria turke ka deklaruar se trupat e saj kanë marrë nën kontroll një seri territoresh dhe kanë vrarë dhjetëra militantë kurdë.

Ndërkohë, dhjetëra mijëra njerëz raportohet të jenë larguar nga shtëpitë e tyre, ndërsa flitet edhe për vdekje të shumta në radhët e civilëve. Ankaraja zyrtare ka deklaruar se synon të krijojë një zonë të sigurtë, të pastruar nga milicitë kurde, ku do të strehohen gjithashtu disa nga miliona refugjatët sirianë.

Ofensiva turke nisi pasi presidenti amerikan Donald Trump tërhoqi trupat amerikane nga zona veriore, që kontrollohej nga fraksioni kurd Forcat Demokratike Siriane. Kjo e fundit, e cila ka mbajtur nën kontroll militantët e ISIS, e cilësoi lëvizjen e administratës amerikane një “thikë pas shpine”.

Të enjten, Trump reagoi lidhur me situatën duke bërë të ditur se po e ndjek atë nga afër dhe njëkohësisht duke paralajmëruar Turqinë.

“Nëse nuk do të veprojë sipas rregullave, ajo do të goditet ashpër financiarisht dhe me sanksione”, deklaroi Trump në profilin e tij në Tëitter.

Ofensiva turke është fokusuar në qytetet Ras al Ain dhe Tal Abjad, në zonën kufitare mes Sirisë dhe Turqisë. Sipas raportimeve të BBC, një numër fshatrash në lindje të Tal Abjad janë marrë nën kontroll nga trupat turke.

Në luftime është përfshirë gjithashtu edhe fraksioni rebel Ushtria Çlirimtare Siriane, e mbështetur nga Ankaraja, e cila ka deklaruar se ka rrethuar qytetet e sipërpërmendura.

Duke reaguar nga zyra e tij, presidenti turk Recep Taip Erdogan ka deklaruar se mbi 100 militantë janë vrarë, plagosur, ose arrestuar gjatë luftimeve. Por fraksionet kurde kanë reaguar duke thënë se shifra është e ekzagjeruar./ABC News Albania 24/7

trumpo.jpg
ad min23:20 | 21/08/2019

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk duan të kalojnë 19 vjet të tjera luftë si ajo në Afganistan, ndaj u ka bërë thirrje vendeve të tjera që të luftojnë Shtetin Islamik. Veç vendeve ku ISIS është i pranishëm, Trump ka thënë se në betejë duhet të përfshihen edhe Rusia dhe India.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të mërkurën se vende të tjera veç Shteteve të Bashkuara duhet ta luftojnë Shtetin Islamik, duke cituar Rusinë, Pakistanin dhe Irakun si shembuj.

“Në njëfarë pike, Rusia, Afganistani, Irani, Iraku dhe Turqia duhet të luftojnë luftën e tyre”, tha Trump nga Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se edhe India duhet të përfshihet.

Sipas tij, të gjitha vendet ku ISIS është i pranishëm duhet të përfshihen në betejë.

“Shtetet e Bashkuara nuk duan të kalojnë 19 vjet të tjera duke luftuar në Afganistan”, deklaroi Trump.

Një ditë më parë, sekretari i Shtetit, Mike Pompeo deklaroi se militantët e Shtetit Islamik po rifitonin terren në disa zona, por shtoi se kapacitetet e grupit për të kryer sulme janë reduktuar në mënyrë të ndjeshme.

Po të martën, Departamenti i Shtetit ofroi një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për çdo informacion që do të çonte në lokalizimin e liderëve të ISIS. Më herët gjatë vitit, forcat e mbështetura nga Shtetet e Bashkuara deklaruan rimarrjen e territorit të fundit të Shtetit Islamik në Siri.

Sidoqoftë, që atëherë janë ngritur shqetësime se grupi terrorist po forcohet sërish, përveç Sirisë edhe në Irak. Ndërkohë, në Afganistan, një marrëveshje e paqes mes talebanëve dhe Shteteve të Bashkuara për uljen e armëve mund t’i shtyjë guerrilasit afganë të bashkohen me ISIS, kanë paralajmëruar autoritetet në Kabul./ABC News Albania 24/7

alameti-1280x960.jpg
ad min09:39 | 15/08/2019

Një gjyqtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka urdhëruar që një agjent i FBI-së të maskohet në kohën kur do të japë dëshminë ndaj Fabjan Alametit. Shqiptari u arrestua pasi akuzohet si mbështetës i ISIS dhe dyshohet se do të kryente sulme terroriste në Amerikë.

Ndërkohë prokurori federal kërkoi që seanca gjyqësore ku pritet të jepet dëshmia e agjentit të kryhej me dyer të mbyllura. Por Gjyqtarja Dana Christensen vendosi  të kundërtën. Ajo lejoi që agjenti të dalë i maskuar me paruke ose kapele, syze dhe qime false në fytyrë në mënyrë që t’i mbrohet identiteti.

FBI-ja pretendon se Alameti ka dashur të bashkohet me ISIS-in dhe donte të sulmonte civilë amerikanë në shenjë hakmarrjeje për sulmin në dy xhamitë në Christchurch të Zelandës së Re, ku u vranë 50 persona.

Ai u arrestua në Prill në një poligon armësh në Bozeman. Sipas hetuesve, shqiptari shkonte aty për të marrë armë dhe për t’u praktikuar me një pushkë gjysmë automatike. Alameti u kap pasi komunikoi me një agjent të infiltruar të FBI-së, të cilin e informoi për planet e tij për t’iu bashkuar ISIS dhe për të sulmuar në tokën amerikane./abcnews.al

kosove.jpg
ad min09:05 | 02/08/2019

Koordinatori amerikan për kundërterrorizmin, ambasadori Nathan A. Tales, thotë se Kosova është një nga vendet e para në riatdhesimin e qytetarëve të vetë, që kanë luftuar për ISIS. Në një konferencë për shtyp, mbajtur të enjten (01.08) në Departamentin e Shtetit, ambasadori Tales tha:  “Sa i përket riatdhesimit dhe gjykimit të luftëtarëve të huaj ne kemi pasur disa suksese dhe duam që ato të shtohen. Vende si Kazakistani dhe Kosova kanë qenë në gjendje të riatdhesojnë dhjetra dhe në disa raste qindra luftëtarë dhe familjarë të tyre, kanë dënuar ata që kanë bërë krime dhe kanë dërguar në qendra rihabilitimi fëmijët dhe familjarët, të cilët marrin pjesë në programe çradikalizimi dhe integrimi”.

Duke përmendur Italinë, e cila ka thënë së fundmi se do të riatdhesojë një luftëtar të huaj, i cili do të gjykohet për vepër penale, ambasadori Tales kërkoi që më shumë vende perëndimore të bëjnë të njëjtën gjë. ”Çdo vend është i detyruar të zgjidhë problemin e qytetarëve të vet, që kanë shkuar për të luftuar për ISIS. Asnjë vend nuk duhet të presë që SHBA ose SDF, forcat demokratike siriane të zgjidhin këtë problem për ta. Ky është një problem që ka të bëjë me vendin ku janë radikalizuar më parë këta luftëtarë të huaj”, tha Tales.

ISIS i përhapur në gjithë botën

Ai theksoi se i ashtuquajturi ISIS Kalifat është shkatërruar, por lloje të tjera të ISIS vazhdojnë të jenë të gjalla në gjithë botën. Ai përmendi Afrikën dhe Azinë juglindore si shembuj ku shihen rreziqe për shembull në Nigeri, Egjipt dhe Sri Lanka e Afganistan.

Konferencën e shtypit Tales e mbajti së bashku me ambasadorin James Jeffrey, të dërguarin special për koalicionin botëror kundër ISIS, i cili foli për rezultatet e luftës kundër ISIS në Siri dhe Irak. Në Siri lufta kundër ISIS ka pasur sukses, por në pjesë të ndryshme të vendit ISIS vazhdon të jetë aktiv. Edhe në Irak ka grupe terroriste të lidhura me ISIS.

Çlirimi i disa zonave të Sirisë ka prodhuar një numër të madh luftëtarësh të huaj dhe terroristësh që mbahen në kampe. 70 mijë vetë mbahen në al Hawl. 60 mijë prej tyre janë sirianë dhe irakianë dhe 10 mijë janë nga vende të treta dhe i janë bashkuar 2 mijë luftëtarëve të huaj terroristë. “Aty ekziston problemi i radikalizimit. Ne duam që t’ i largojmë këta njerëz nga andej dhe t’i kthejmë tek komunitetet e tyre,” tha ambasadori Jeffrey.

SHBA ka riatdhesuar pesë të rritur, katër meshkuj dhe një femër, të cilët janë akuzuar për vepra penale të lidhura me terrorizmin dhe mbështetjen e ISIS. Një person është dënuar. Proceset e tjera nuk kanë përfunduar./DW


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono