Irani

incidenti-omanit.jpg
nev ila23:30 | 14/06/2019

Lidhur me incidentin në Gjirin e Omanit ka reaguar të premten presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka fajësuar Iranin. Ndërkohë, në reagimin e tij presidenti iranian i ka konsideruar Shtetet e Bashkuara rrezik për stabilitetin rajonal dhe ka kërkuar forcimin e aleancës me Rusinë.

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pas incidentit në Gjirin e Omanit thellohen nga ora në orë. Pas sekretarit të Shtetit, lidhur me shpërthimin që përfshiu dy anije-cisternë ka reaguar vetë presidenti Donald Trump, që ka fajësuar Republikën Islamike për ngjarjen.

I pyetur nga mediat se si synon të reagojë ndaj Teheranit në mënyrë që episode të tilla të mos përsëriten, Trump është përgjigjur duke thënë: “Do të shohim ç’do të ndodhë”.

Megjithatë, Trump shtoi se është i hapur për negociata me Iranin.

“Ne duam që ata të kthehen në tryezën e bisedimeve. Unë jam gati kur të jenë gati edhe ata”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë, duke shtuar megjithatë se nuk ka ndërmend të ngutet.

Ndërkohë, lidhur me ngjarjen reagoi edhe presidenti iranian Hasan Ruhani, i cili tha se në kushtet e presioneve të jashtme dhe sanksioneve është e nevojshme të forcohen lidhjet mes Rusisë dhe Iranit. Këtë deklaratë Ruhani e bëri gjatë një takimi me liderin e Kremlinit, Vladimir Putin në kuadër të një samiti që po zhvillohet në Kirgizstan.

Administrata amerikane, duke përdorur instrumentet e saj ekonomike, financiare dhe ushtarake ka ndërmarrë një politikë agresive duke u kthyer në një kërcënim serioz për stabilitetin e rajonit dhe botës”, deklaroi Ruhani.

Ai shtoi se marrëveshja bërthamore e arritur me administratën amerikane parardhëse tregon se, nëse ka vullnet politik problemet mund të zgjidhen./ABC News Albania 24/7

 

SHBA-IRAN.mpg_snapshot_00.06-1280x720.jpg
ent ela11:40 | 14/06/2019

Uashingtoni ka akuzuar Teheranin për sulmin ndaj dy anijeve çisternë të naftës në Gjirin e Omanit. Burime të administratës amerikane konfirmuan se të gjitha opsionet si kundërpërgjigje, përfshirë dhe atë ushtarake.

Përshkallëzohet tensioni mes Uashingtonit dhe Iranit pasi Pentagoni ka publikuar një video ku duken Pasdaranët iranianë që i afrohen anijes çisternë japoneze të naftës “Kokuka Courageous” në përpjekje për të hequr atë që përshkruhet si një minë magnetike e pashpërthyer. Sipas sekretarit amerikan të Shtetit Majk Pompeo, Rojet e Revolucionit kanë ndërhyrë për të fshehur provat e përfshirjes së tyre.

Të enjten dy anije çisternë, një norvegjeze dhe një japoneze u sulmuan në Gjirin e Oman dhe më pas u ndihmuan nga anije ushtarake amerikane dhe iraniane. Uashingtoni akuzoi Teheranin për sulmin; sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës sulmi u krye për të sabotuar misionin e kryeministrit japonez Shinzo Abe në Iran. Sekretari Amerikan i Shtetit Majk Pompeo foli për një reagim ekonomik. Një deklaratë që u përgënjeshtrua pjesërisht nga burime të administratës amerikane të cilat theksuan se të gjitha opsionet ishin në diskutim dhe ai ushtarak. Irani refuzoi kategorikisht akuzat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet misionit të tij në Kombet e Bashkuara.

Ekuipazhi i anijes japoneze çistern u shpreh se ishin parë objekte fluturuese para shpërthimit, duke përgënjeshtruar në këtë mënyrë se sulmi ishte bërë me mina si pretendojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /ABC News Albania 24/7

Zarif-Irani.jpg
nev ila17:30 | 25/05/2019

Ministri i jashtëm Iranian, Mohamad Javad Zarif, e cilësoi dërgimin e 1500 ushtarëve të tjerë amerikanë në Lindjen e Mesme, si një masë që do të përshkallëzojë tensionet në rajonin e Gjirit Persik.

Vendimi u mor nga kreu i shtëpisë së Bardhë Donald Trump. Ky i fundit shpjegoi se e kishte marrë vendimin si pasojë e kërcënimeve iraniane.

Zarif theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bëjnë akuza të pabazuara për të justifikuar një politikë agresive./ABC News Albania 24/7

donald-Trump.jpg
ent ela11:45 | 20/05/2019

Nëse Irani do të luftojë, ky do të ishte fundi zyrtar për Iranin. Një fjali e shkruar nga presidenti amerikan Donald Tramp në profilin e tij në Tuiter. “Mos kërcënoni më kurrë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shton presidenti amerikan. Paralajmërimi I kreut të shtëpisë së bardhë vjen pasi një raketë është hedhur në zonën e gjelbër në Bagdad ku gjendet ambasada amerikane. Dyshimet e para janë për militantët shiitë të mbështetur nga Teherani

Një javë më parë departamenti amerikan i shtetit, me një vendim të jashtëzakonshëm urdhëroi të gjithë personelin jo të domosdoshëm që të largohej nga ambasada në Bagdad. /ABC News Albania 24/7

donald-Trump.jpg
ent ela22:49 | 16/05/2019

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se nuk dëshiron një konflikt të armatosur me Iranin. Deklarata e tij ka ardhur në një kohë kur mediat amerikane shkruajnë se kreu i shtetit ka përplasje me këshilltarët e tij sa i takon opsionit ushtarak.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të enjten se shpreson që Shtetet e Bashkuara nuk do të shkojnë në luftë me Iranin. Deklaratën Trump e bëri teksa u takua me presidentin e Zvicrës, vend neutral që ka shërbyer si nyje diplomatike mes dy vendeve. “Shpresojmë që jo”, iu përgjigj Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë teksa priste homologun Ueli Maurer. Tensionet janë përshkallëzuar në ditët e fundit duke rritur frikën e një konflikti të armatosur mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. “Uashington Post”, duke cituar burime pranë administratës, raportoi të mërkurën se Trump preferon një opsion diplomatik me Iranin dhe bisedime direkte me liderët e tij, por është i shqetësuar pasi disa nga këshilltarët e tij po e nxisin për atë të luftës. Ndërkohë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders deklaroi të enjten për “Foks Njuz” se nuk ka asnjë përplasje mes presidentit dhe këshilltarëve të tij dhe se ai i mirëpret këndvështrimet e ndryshme. “Ai është njeriu që populli amerikan zgjodhi, ndaj dhe do të mbledhë të gjithë informacionin nga ekipi i tij i sigurisë dhe më pas do të marrë vendimin që është më i mirë dhe më i sigurt për popullin amerikan”, deklaroi Sanders. Po të enjten, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelozi mirëpriti atë që e quajti “mungesë oreksi” të presidentit Trump për një konflikt ushtarak me Teheranin. /ABC news Albania 24/7

 

SHBA-IRAKU-ABC-M5-T2.mpg_snapshot_00.13-1280x720.jpg
ent ela20:47 | 15/05/2019

Niveli i kërcënimeve që vijnë nga Irani është rritur në atë pikë sa ka detyruar Shtetet e Bashkuara të shkurtojnë stafin diplomatik në Irak. Kërcënimet e përfolura kanë trembur edhe trupat gjermane e ato holandeze, që kanë ndërprerë trajnimin e ushtarëve irakenë.

Departamenti amerikan i Shtetit ka urdhëruar tërheqjen nga Irakut të stafit jo të domosdoshëm diplomatik, për shkak të rritjes së tensioneve me Iranin fqinj. Sipas mediave amerikane, urdhëri parashikon që stafi në ambasadën e Bagdadit dhe ai i konsullatës së Shteteve të Bashkuara në Irbil të largohet përmes avionëve të linjës. Ushtria amerikane deklaroi të martën se niveli i kërcënimit në Lindjen e Mesme është rritur pas të dhënave të shërbimeve të inteligjencës për aktivizimin e grupeve paraushtarake të mbështetura nga Irani. Grupet në fjalë kanë luajtur një rol kyç në betejën kundër Shtetit Islamik në Irak dhe vitin e kaluar u përfshinë në radhët e forcave irakene të sigurisë, por vazhdojnë të veprojnë edhe në mënyrë të pavarur. Burime nga këto grupe, të cituara nga agjencia e lajmeve “Reuters”, kanë deklaruar se kërcënimet ndaj stafit amerikan janë vetëm një lojë lufte psikologjike e sajuar nga Uashingtoni. Por ndërkohë, për shkak të kërcënimeve ushtritë gjermane dhe holandeze kanë ndërprerë stërvitjen e trupave ushtarake irakene. Lajmi është konfirmuar nga qeveritë e të dyja vendeve, por pa saktësuar llojin e kërcënimit që u kanoset ushtarëve të tyre. /ABC News Albania 24/

IRANI-TRUMP-1280x720.jpg
ent ela22:09 | 14/05/2019

Administrata amerikane ka përgatitur një plan ushtarak për Iranin, nëse aktivitetet e tij do të kërcënojnë interesat e Shteteve të Bashkuara. Lajmi është bërë i ditur nga “Nju Jork Tajms”, por është hedhur poshtë nga presidenti Donald Trump. Ndërkohë, sekretari i Shtetit, Majk Pompeo ka deklaruar se Uashingtoni nuk dëshiron luftë me Republikën Islamike.

Një plan ushtarak i përditësuar, që parashikon dërgimin e 120 mijë trupave në Lindjen e Mesme për t’i bërë ballë Iranit është përgatitur nga Departamenti i Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara. Lajmin e ka bërë të ditur gazeta “Nju Jork Tajms”, sipas të cilës plani parashikon që trupat të kenë funksion reagimi nëse Republika Islamike sulmon interesat amerikane, ose avancon me procesin bërthamor. Sipas “Nju Jork Tajms”, plani i prezantuar tashmë nga shefi i Pentagonit Patrik Shejnahan është përgatitur me urdhër të zyrtarëve që mbështesin linjën e ashpër ndaj Iranit, të udhëhequr nga këshilltari për sigurinë kombëtare, Xhon Bolton. Sidoqoftë, vijon e përditshmja amerikane, plani nuk bën thirrje për një pushtim tokësor të vendit të Lindjes së Mesme. Por presidenti Donald Trump, të martën ka hedhur poshtë lajmin e gazetës prestigjoze, duke deklaruar se nuk ka asnjë plan të tillë. “Unë mendoj se është një “fejk njuz”, dakord? A do ta bëja unë një gjë të tillë? Sigurisht që po. Por nuk e kemi në plan dhe shpresojmë të mos na duhet ta kemi as në të ardhmen”, ka thënë Trump. Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka paralajmëruar se në rast të një skenari të tillë numri i trupave amerikane që do të angazhohen do të jetë shumë më i madh. Ndërkohë, edhe sekretari i Shtetit, Majk Pompeo ka deklaruar se Amerika nuk dëshiron luftë me Iranin, por do të vazhdojë me presionet e saj me qëllim që vendi të heqë dorë nga programi bërthamor. /ABC News Albania 24/7

irani-programi-1280x502.jpg
ent ela13:52 | 08/05/2019

Ditën e një vjetorit të tërheqjes së shteteve të bashkuara të amerikës nga marrëveshja për progrmain bërthamor Iranian, dhe Teherani ka bërë të njëjtën gjë. Presidenti Iranian Rohani u shpreh para parlamentit të vendit, se vendi ishte i detyruar nga armiqtë e tij për t’u tërhequr.

Irani është tërhequr nga disa pika kryesore të marrëveshjes ndërkombëtare për programin bërthamor të 2015-ës, një vit pas braktisjes së kësaj marrëveshjeje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti Iranian Hassan Rohani deklaroi se Teherani do të ruajë rezerva të uraniumit të pasuruar në vend, dhe nuk do i dërgojë jashtë. Ai gjithashtu paralajmëroi se do të rinisë prodhimi i uraniumit të pasuruar brenda 60 ditësh. Marrëveshja e rëndësishme bërthamore u arrit nga Irani dhe pesë anëtarët e përhershëm e këshillit të sigurisë së OKB-së – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Kina dhe Rusia – dhe Gjermania. Një vit më parë presidenti amerikan Trump deklaroi tërheqjen nga kjo marrëveshje.

Marrëveshja për programin bërthamor Iranian u arrit në interest ë botës dhe të rajonit, por armiqtë e Iranit kanë bërë presion në mënyrë që Teherani të tërhiqej nga kjo marrëveshje. Është kjo deklarata e presidentit Rohani në parlamentin e vendit. Fjala e tij  u transmetua drejt për së drejti nga televizionet pikërisht në përvjetorin e parë të vendimit të SHBA-ve për t’u tërhequr, në 8 maj të një viti më parë. /ABC News Albania 24/7

luftanija.jpg
G. P.20:35 | 06/05/2019

Tensionet në rritje me Iranin kanë detyruar Shtetet e Bashkuara të dërgojnë një luftanije në Lindjen e Mesme. Për Uashingtonin, kjo lëvizje është një mesazh i qartë për Republikën Islamike, se çdo agresion ndaj interesave të Amerikës do të ketë pasoja të rënda.

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një luftanije në Lindjen e Mesme për t’i dhënë një mesazh të qartë Iranit. Këshilltari për sigurinë kombëtare, John Bolton ka deklaruar se dërgimi i luftanijes është reagim ndaj një seri sinjalesh shqetësuese dhe përshkallëzuese që vijnë nga Republika Islamike.

Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, që citon një zyrtar amerikan në kushte anonimati, dërgimi i mjetit është bërë pas dyshimeve për një sulm të mundshëm ndaj forcave amerikane. Këshilltari Bolton shtoi se Amerika do të kundërveprojë me forcë ndaj çdo sulmi.

“Shtetet e Bashkuara po vendosin luftanijen “Abraham Lincoln” pranë Komandës Qendrore Amerikane në Lindjen e Mesme për t’i dërguar një mesazh të qartë regjimit iranian, se çdo sulm ndaj interesave të Amerikës apo aleatëve të saj do të përballet me një forcë të pandalshme”, deklaroi Bolton.

Këshilltari i presidenti Donald Trump theksoi se, Uashingtoni nuk po kërkon luftë me regjimin iranian, por thjesht po përgatitet për të reaguar ndaj çdo agresioni që mund të kryejnë Garda Revolucionare Iraniane, ose trupat e rregullta ushtarake.

Luftanijia “Abraham Lincoln” më herët ishte në Europë për një stërvitje me aleatët e Shteteve të Bashkuara, që u krye në fund të muajit Prill./ABC News Albania 24/7

arme.jpg
G. P.08:19 | 30/04/2019

SHBA, Kina, Arabia Saudite, India dhe Franca japin së bashku më shumë para për armatimin, se të gjitha vendet e tjera në botë, sipas Institutit Ndërkombëtar për Studimet e Paqes në Stokholm, SIPRI.

Është e vështirë të përfytyrosh një shumë prej 1822 miliardë dollarësh. Por kaq shumë para u shpenzuan në vitin 2018 në të gjithë botën për armatimin, 2,6% më shumë se një vit më parë. Këtë e konfirmon Instituti Ndërkombëtar për Studimet e Paqes, SIPRI në Stokholm  në raportin e publikuar të hënën.

Shumica e miliardave të shpenzuara vijnë nga SHBA. Nga të gjitha vendet në botë, janë SHBA ato që japin më shumë para për armatimin. Drejtuesi i projektit, Nan Tian thotë në bisedë me Deutsche Wellen, se „rritja e shpenzimeve këtë vit prej 4,6% është më e larta prej 7 vitesh”. Sipas Tian „SHBA po vë në jetë një program të zgjeruar modernizimi të të gjithë ushtrisë dhe po fillon me këtë. Bëjmë fjalë për një shumë prej 1,8 bilionë dollarësh për 20 vitet e ardhshme që do të jepet si për armët konvencionale, ashtu edhe ato nukleare.”

Sipas raportit, SHBA, Kina, Arabia Saudite dhe India së bashku japin më shumë fonde në botë për ushtrinë. Franca zuri në vendin e pestë në vitin 2018, e ndjekur nga Rusia, që për herë të parë u rendit në vendin e gjashtë. Por kjo sipas Tian, nuk lidhet me atë që Rusia ka dhënë më pak për shpenzimet ushtarake, por për shkak se shifrat e SIPRI-t janë të llogaritura në dollarë. „Rënia e shpenzimeve ushtarake me 3,5% lidhet vetëm me inflacionin. Kthyer në rubël u bënë për vitin 2018 po aq shpenzime si për vitin 2017.”

Shqetësim në Europën Lindore

Shpenzimet ushtarake ruse sjellin shqetësim të madh sidomos në shtetet fqinje, thuhet në raportin e SIPRI-t. Konflikti Rusi-Ukrainë po ashtu e shton situatën e tensionuar dhe bën të rritën shpenzimet ushtarake. Ukraina ka dhënë në vitin e kaluar afër 4,8 miliardë dollarë për armatimin, një rritje me 21%. Por edhe vende si Bullgaria, Letonia, Lituania, Rumania dhe Polonia i kanë rritur shpenzimet ushtarake për t’iu përgjigjur ndjenjës së kërcënimit nga Rusia.

Në Europën Perëndimore janë Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania tek 10 vendet me shpenzimet më të larta ushtarake. Edhe Gjermania i ka rritur shpenzimet. Qeveria federale gjermane synon të rrisë shpenzimet ushtarake në 1,5% të prodhimit të brendshëm bruto. Partneri i NATO-s, SHBA kërkon një rritje të shpenzimeve në 2%.

Kina

Në vendin e dytë për shpenzimet ushtarake në botë qëndron Kina. 250 miliardë dollarë jep Kina për armatimin dhe modernizimin e ushtrisë, në 10 vitet e fundit buxheti ushtarak është rritur me 83%. Nga njëra anë sipas ekspertëve të SIPRI-t, Kina zgjeron influencën e saj në rajon. „Kina nuk dëshiron që SHBA t’i afrohet shumë rajonit dhe vendeve fqinje. Ka tensione të mëdha mes dy aktorëve më të mëdhenj.” Nga ana tjetër, modernizimi i forcave të armatosura amerikane luan rol si për Kinën ashtu edhe Rusinë.

Megjithë rënien e çmimit të naftës, Arabia Saudite me shpenzimet e saj ushtarake ka zënë vendin e tretë, pas Kinës. Buxheti ushtarak i shtetit të gjirit kap shifrën e 67,7 miliardë dollarëve.  Arabia Saudite është importuesi më i madh i armëve në botë, dhe e trajtuar në mënyrë të veçantë nga koncernet prodhuese të armëve. Pas vrasjes së gazetarit kritik, Jamal Khashogi, qeveria gjermane vendosi ndalim të eksportit të armëve ndaj Arabisë Saudite, por  industria e armatimit shpesh prodhon në bashkëpunim me vende të tjera, e në këtë rast qeveria gjermane nuk mund të vendosë ndalim eksporti.

Turqia vazhdon të rrisë shpenzimet e armatimit

Një vend tjetër që i sjell shqetësime Gjermanisë në drejtim të eksportit të armëve është Turqia. Shkeljet e të drejtave të njeriut në Turqi dhe ofensiva ushatarke kundër kurdëve, bën që të rritet në Gjermani kritika për furnizimin me armë të Turqisë. Por Turqia vazhdon të rrisë shpenzimet e armatimit, në vitin e kaluar shpenzimet ushtarake u rritën me 24%. Turqia zë vendin e 15-të tani.

Ndërkohë India është vendi që për të pestin vit me radhë rriti shpenzimet ushtarake, Me 66,5% miliardë dollarë për buxhetin ushtarak, India shpenzon gati 6 herë më shumë se rivali i saj, Pakisani. Por të dyja fuqitë atomike vazhdojnë rritjen e armatimit dhe gjendja në rajonin e Kashmirit mbetet e paparashikueshme.

Afrika në raportin e SIPRI-t përmendet se ka dhënë më pak për armatimin, por sipas ekspertëve, nuk bëhen transparente të gjithë shpenzimet në disa vende afrikane. Sudani përmendet në raport, si një vend që nuk i bën tërësisht publike shpenzimet ushtarake.

Raporti i SIPRI-t mbështetet në burime të bëra transparente dhe zyrtare dhe nuk reflekton marrëveshjet sekrete. Prandaj mendohet, se shpenzimet ushtarake mund të jenë edhe më të larta se 1822 miliardë dollarë që ka llogaritur instituti i Stokholmit./DW


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono