intervistë

Dr.-Klodian-Allajbeu.jpg
Autor E13:19 | 12/12/2019

Në revistën prestigjoze gjermane, Die Welt është publikuar një speciale për Shqipërinë, me intervista nga përfaqësues të qeverisë dhe sektori privat, analiza dhe një vështrim i përgjithshëm mbi zhvillimin e vendit.

Kjo speciale zbulon potencialet e pashfrytëzuara të Shqipërisë në turizëm, energjitikë dhe agriturizëm si mundësi unike për tregun europian.

Pjesë e këtij publikimi ishte një intervistë e drejtorit ekzekutiv të Spitalit Amerikan, z. Klodian Allajbeu, i cili foli për potencialin e turizmit shëndetësor në Shqipëri dhe për përfitimet që kjo industri mund të sjellë për vendin në vitet në vijim.

Spitali Amerikan i Shqipërisë u themelua në dhjetor 2006 si spitali i parë privat në Shqipëri. Spitali filloi aktivitetin e tij duke iu shërbyer pacientëve me probleme kardiake brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe përqindja e pacientëve që largoheshin nga Shqipëria për të marrë trajtim jashtë vendit ra për 85 për qind vetëm në vitin e parë. Që atëherë, spitali ka zgjeruar fokusin dhe specialitetet e veta dhe ka zgjeruar praninë e tij si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Synimi i tij i ardhshëm madhor është turizmi shëndetësor.

Tashmë ekzistojnë disa procedura mjekësore që përfshijnë trajtime të suksesshme me IVF të cilat janë duke tërhequr njerëz nga e gjithë Evropa, por gjatë pesë viteve të ardhshme spitali synon të fokusohet më tej në rritjen e këtij sektori.

Intervistë me Klodian Allajbeu, Drejtor Ekzekutiv, Spitali Amerikan

Spitali Amerikan i Shqipërisë është rritur ndjeshëm gjatë 12 viteve të fundit. A mund të na bëni një rrugëtim nëpër historinë dhe zhvillimin e tij?

Spitali Amerikan u themelua në vitin 2006 nga nevoja për të ofruar më shumë shërbime se sa që ishin duke u ofruar në Shqipëri në atë kohë. Sistemi publik shqiptar i kujdesit shëndetësor nuk mund të plotësonte nevojat e qytetarëve shqiptarë dhe shumica e tyre po udhëtonin në vendet më të afërta për zgjidhje të mundshme për çështjet e tyre.

Në atë kohë, ne gjithashtu kishim kufizimet me viza, të cilat edhe më tej e ngushtonin përzgjedhjen e mundshme të spitaleve. Shumica e pacientëve udhëtonin për në Turqi, për ku nuk nevojitej vizë, dhe kryesisht për çështjet e zemrës, që është trajtim shumë i ndjeshëm ndaj kohës. Sidoqoftë, qytetarët shqiptarë hasën vështirësi të mëdha atje, duke filluar nga gjuha deri të qenit shtetas i huaj dhe duke mos i kuptuar plotësisht procedurat dhe sjelljet, si dhe mungesa e përcjelljes së gjendjes pas operacionit.

Në fillim, fokusi ynë ishte në kardiologji dhe kirurgji kardiake për të plotësuar boshllëkun ekzistues dhe nevojën e menjëhershme për këtë shërbim mjekësor. Ne kishim mjekët ndërkombëtarë të kombinuar me vendorët dhe teknologjinë më të mirë të disponueshme në atë kohë. Në më pak se një vit pas  inaugurimit, kishim suksesin tonë të parë të madh: ekipi ynë kreu për herë të parë një operacion miokardi dhe angiogram koronar për herë të parë në historinë e Shqipërisë. Që atëherë, kemi kryer më shumë se 9500 operacione të suksesshme në zemër të hapur. Shqiptarët nuk kanë nevojë të udhëtojnë më.

Ne kishim një histori tjetër suksesi në vitin tonë të parë – transplantimin e parë të veshkës të bërë ndonjëherë në Shqipëri. Tanimë, kemi bërë më shumë se 80 transplantime të suksesshme të veshkës dhe kemi tre qendra të dializës me 381 vende për shfrytëzim.

Nëse mendoni se 15 vjet më parë, pacientët me insuficiencë renale ishin të paracaktuar të vdisnin ose të paktën të jetonin në një vend tjetër, Spitali Amerikan në bashkëpunim me institucionet shtetërore shqiptare ka bërë të mundur që këta pacientë të zgjasin jetëgjatësinë e tyre shumë më gjatë se pritjet e mëparshme.

Në vitin 2009 dhe 2010, ne u zgjeruam brenda vendit. Fieri dhe Durrësi, dy nga qytetet më të mëdha në Shqipëri, u zgjodhën për Qendrat Mjekësore Amerikane të Diagnostikimit. Në vitin 2011, ne inauguruam spitalin tonë të dytë në Tiranë, të fokusuar në gjinekologji dhe trajtime in vitro. Departamenti ynë IVF ka shkallën më të lartë të suksesit në rajon dhe tani ka pacientë nga e gjithë Evropa. Ne kemi arritur rekorde në këtë fushë, me pacienten më të vjetër italiane, e cila në moshën 62-vjeçare arriti të ketë një shtatzëni të suksesshme dhe u bë me foshnjë me ndihmën e ekipit shqiptar të IVF-së. Në vitin 2012 kemi vazhduar të zgjerohemi – duke hapur spitalin tonë në Prishtinë, Kosovë, pasi që shqiptarët atje po përballeshin me të njëjtat probleme të cilat Shqipëria i kishte pasur më parë. Në vitin 2013, ekipi ynë kreu transplantimin e parë të suksesshëm të mëlçisë në Shqipëri në një pacient 34-vjeçar.

Më pas, në vitin 2017, ne kemi inauguruar spitalin tonë të tretë dhe më të madh në Tiranë – Spitali Amerikan 3, me një hapësirë prej 25000 m2 me më shumë se 100 dhoma private të pacientëve, me pesë salla operative dhe me një njësi shumë moderne të kujdesit intensiv.

Rrjeti Laboratorik Amerikan, ALNET, është pjesë e historisë sonë të suksesit. Si spital, ne e dimë rëndësinë e laboratorit dhe nevojën për të pasur analiza të sakta. Diagnoza e duhur është hapi i parë për zgjidhjet e duhura shëndetësore. Me gamën më të gjerë të analizave laboratorike mjekësore, rrjeti ynë laboratorik është i vetmi në Shqipëri i certifikuar nga ISO15189.

Një tjetër nga pikat tona të mburrjes është Qendra e Syrit, e vetmja në vend që mund të kryejë transplantimet e kornesë dhe të trajtojë çështje të kataraktit të syrit, retinën e dëmtuar, glaukomën dhe më shumë. Sot, falë punës shumë intensive, Spitali Amerikan është institucioni më i fuqishëm privat shëndetësor në treg dhe përmbushë të gjitha nevojat e qytetarëve shqiptarë dhe të tjerëve.

“Sot, falë punës shumë intensive, Spitali Amerikan është institucioni më i fuqishëm privat shëndetësor në treg dhe përmbushë të gjitha nevojat e qytetarëve shqiptarë dhe të tjerëve”

Si Drejtor Ekzekutiv i Spitalit Amerikan, përshkruani sfidat tuaja kryesore deri tani në këtë rol dhe prioritetet për vitin e ardhshëm. Si Drejtor Ekzekutiv dhe Drejtor Menaxhues, unë jam marrë me shumë sfida. Në fillim, ne duhej të fitonim besimin e pacientëve tonë dhe besimin e institucioneve qeveritare.

Ne gjithashtu duhej të ndërtonim një brend të fortë dhe të qëndrueshëm dhe të revolucionarizonim sistemin e kujdesit shëndetësor, gjë që u menaxhua me sukses falë punës së madhe të njerëzve tonë.

Prioritetet tona për vitet e ardhshme janë që të përmirësojmë shërbimet tona dhe të bëhemi më të mirë. Konkretisht, ne duam të marrim akreditimin nga Komisioni i Përbashkët Ndërkombëtar (JCI) dhe të bëhemi pikë referimi për sistemet e kujdesit shëndetësor në rajon.

Spitali Amerikan u financua nga Fondi i Ekuitetit i Evropës Juglindore II (SEEF II) dhe pranoi investime nga investitorë të huaj duke përfshirë Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Si ishte ky investim reciprokisht i dobishëm si për Shqipërinë ashtu edhe për investitorët?

Në Shqipëri, spitali ynë ishte pionier i sistemit të kujdesit shëndetësor privat dhe e modernizoi tërë industrinë. Ne kemi më shumë se 2700 punonjës të kujdesit shëndetësor profesional dhe tani jemi një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend. Ne kemi lehtësuar jetën e qytetarëve tonë dhe kemi sjellë në vend ekspertizën më të mirë ndërkombëtare, nga të cilët është trajnuar dhe ka mësuar stafi lokal. Ky investim me siguri është dëshmuar të jetë i dobishëm si për vendin tonë ashtu edhe për fondin.

Në vitin 2018, Spitali Amerikan bleu qendrat shqiptare të Hygeia Group, të bazuar në Greqi, për 1 milion euro plus detyrimet e spitalit. Cilat janë mendimet tuaja për rëndësinë e këtij veprimi?

Në vitin 2018, na është paraqitur mundësia për të blerë Spitalin Hygeia. Spitali Hygeia nuk po performonte mirë financiarisht dhe aksionarët donin të largoheshin. Kemi pasur histori suksesi sa i përket menaxhimit të spitalit dhe menduam se ishim të pajisur mirë për të menaxhuar këtë investim të madh. Pra, së bashku me bordin e kemi shfrytëzuar rastin dhe e kemi përdorur atë në favorin tonë. Spitali Hygeia, tani i quajtur Spitali Ndërkombëtar, është pjesë e Grupit të Spitalit Amerikan. Ky veprim forcon pozitën tonë në treg.

“Vizioni dhe strategjia jonë për Spitalin Amerikan për pesë vitet e ardhshme është të përqendrohemi në turizmin shëndetësor”

Udhëtimi dhe turizmi janë industri me vlerë 1.24 miliard dollarë në Shqipëri dhe po rriten me 6 për qind në vit. Pritet të bëhen industri me vlerë prej 2.1 miliardë dollarë deri në vitin 2028. Cilat janë mendimet tuaja mbi potencialin për zhvillimin e turizmit mjekësor si segment specifik?

Vizioni dhe strategjia jonë për Spitalin Amerikan për pesë vitet e ardhshme është të përqendrohemi në turizmin shëndetësor dhe mundësinë që ofron kjo industri. Spitali Amerikan është zgjeruar gjatë viteve të fundit dhe tani mund të mbulojmë jo vetëm nevojat e shqiptarëve që jetojnë në vendin tonë, por gjithashtu të ofrojmë shërbime për të gjithë rajonin. Jemi dëshmitarë të rritjes së vazhdueshme të klientëve evropianë që zgjedhin Shqipërinë dhe spitalet tona për trajtime specifike si IVF, kirurgji plastike, kujdes dentar dhe operacione të tjera ortopedike.

Pse një turist gjerman që viziton Shqipërinë që ka një çështje mjekësore mund të zgjedh këtë spital?

Një shtetas gjerman duhet të marrë parasysh dhe të zgjedhë Spitalin Amerikan për trajtimet e tij mjekësore sepse ne ofrojmë shërbimin më të mirë nga të gjitha institucionet shëndetësore private. Ne kemi mjekët më të mirë që përdorin teknologjinë më të fundit. Spitali Amerikan është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe asgjë nuk na dallon nga ndonjë spital tjetër në Evropë. Çdo pacient që është trajtuar në Spitalin Amerikan do të zgjedhte përsëri këtë institucion. Ne kemi një nivel të lartë kënaqësie si me pacientët tonë lokalë ashtu edhe me ata që vijnë nga jashtë.

Në vitin 2017, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Tiranës i dha spitalit një çmim për udhëheqjen e vendit në aspektin e cilësisë, teknologjisë dhe profesionalizmit. Çfarë mendoni se qëndron pas suksesit tuaj?

Pas historisë sonë të suksesit janë njerëzit tonë. Mjekët tonë, infermierët tonë, stafi ynë dhe kushdo që i është përkushtuar përsosjes dhe ofrimit të shërbimit më të mirë të mundshëm. Një tjetër çelës për suksesin tonë ishte se investimi u bë në kohën e duhur dhe me burimet e duhura në mënyrë që tani ne mund të ofrojmë zgjidhje lokale me teknologjinë më të fundit. Pas suksesit tonë është angazhimi që kemi bërë 12 vjet më parë për t’i ofruar pacientëve shqiptarë një sistem të kujdesit shëndetësor korrekt dhe profesional.

“Shërbimet tona të kujdesit shëndetësor janë në përputhje me standardet ndërkombëtare, por me shpenzime më të ulëta dhe më të pranueshme”.

Spitali Amerikan përbëhet nga ekspertë vendas dhe të huaj. A ka mundësi për të rritur bashkëpunimin me mjekët gjermanë?

Kjo është e vërtetë, spitali ynë ka staf ndërkombëtar me mjekë grekë, italianë, turq, amerikanë dhe austriakë. Në fakt, ne gjithashtu kishim një kirurg gjerman për disa vjet. Ne gjithmonë kërkojmë mundësi për të zgjeruar rrjetin tonë të bashkëpunimit dhe për të sjellë ekspertë të rinj nga e gjithë bota. Mundësia për të bashkëpunuar me mjekët gjermanë ishte e vogël, por është diçka që po e hulumtojmë dhe eksplorojmë.

Cili do të ishte mesazhi juaj përfundimtar për audiencën tonë gjermane?

Synimi dhe strategjia jonë për Spitalin Amerikan për vitet e ardhshme është turizmi shëndetësor. Ne ftojmë audiencën gjermane që të vizitojë Shqipërinë për natyrën e saj të bukur, për malet dhe bregdetin e kaltër, për ushqimin tradicional, për mikpritjen, e cila është një nga pasuritë tona të mëdha dhe gjithashtu të konsiderojnë shërbimin tonë të kujdesit shëndetësor për trajtime specifike, të cilat janë sipas standardeve ndërkombëtare, por me shpenzime më të ulëta dhe më të pranueshme.

Artikulli origjinal http://albania.globalfdireports.com/interview/klodian-allajbeu/

sali-berisha.jpg
ger ta18:09 | 14/11/2019

Ish-kryeministri Sali Berisha do të jetë këtë mbrëmje në studion e Abc News. Në orën 20.00, ish kryeministri do të jetë në studio me Mirela Milorin.

Fokus i bisedës do jetë aktualiteti politik, ku vëmendja e ditëve të fundit është ngërçi i krijuar me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, ku Presidenti është përplasur edhe njëherë me mazhorancën.

Për më shumë ndiqni intervistën me Mirela Milorin në ekranin e Abcnews.

klajda-gjosha-1280x721.jpg
nev ila19:06 | 15/10/2019

E ftuar në studion e ABC News me gazetaren Juli Xhokaxhi mbrëmjen e sotme ka qenë Klajda Gjosha. Gjosha ka folur në lidhje me negociatat dhe procesin e Shqipërisë drejt integrimit. Sipas saj, qeveria shqiptare ka patur një mangësi të theksuar në përmbushjen e kushteve që i janë vendosur.

Gjithashtu Gjosha tha se, opozita ka ofruar zgjidhjen e saj për krizën politike, dhe se është e gatshme të ulet, e të diskutojë me mazhorancën pa kushte për reformën zgjedhore. Ajo theksoi se Europa nuk është çështje dashurie siç e quan kryeministri por një çështje detyrimesh dhe përgjegjësish.

Pjesë nga intervista në studio me Klajda Gjoshën: 

Juli Xhokaxhi: Sa gjasa ka që Macron të ndryshojë mendje?

Klajda Gjosha: Shpresoj që këtë herë të mos përsëritet situata e vitit 2016 ku vendet nuk arritën të dalin në një vendim të përbashkët sepse ky do të ishte precedenti i dytë, në atë kohë nuk arritën në një vendim të përbashkët për shkak të Turqisë ndërsa tani me sa duket molla e sherrit është pikërisht Shqipëria më pak Maqedonia e Veriut. Vendet e tjera janë për pro dhe për një ndarje të kësaj dysheje që shkon drejt procesit të integrimit megjithatë do të uroja që Shqipëria të mos kthehet edhe në një pengese për Maqedoninë e Veriut.

Juli Xhokaxhi: Sa gjasa ka të shkojë drejt një divorci të Shqipërisë dhe Maqedoninë e Veriut në vendimin përfundimtar?

Klajda Gjosha: Franca e ka kërkuar me kohë këtë dhe kjo nuk do të ishte mirë për Shqipërinë sepse do na çonte shumë vite pas dhe do ti shtonte rrugëtimit tonë vështirësi të pafundme por ndoshta edhe vite të gjata në këtë proces. Duket shumë e vështirë që Franca të heqë dorë. Është e para herë që shkohet me rekomandim pozitiv dhe aty përballesh me kushte të vendeve anëtare gjë e cila nuk ka ndodhur asnjë herë sepse vendet anëtare kanë marrë gjithmonë një vendim politik. Pra i gjithë procesi teknik ka kaluar përmes Komisionit evropian dhe vendimi ka qenë më pas politik. Vendet anëtare janë duke u kthyer më teknike se vetë komisioni evropian.

Juli Xhokaxhi: Kryeministri Rama sot ka thënë që negociatat janë çështje e brendshme e BE dhe jo se Shqipëria nuk ka arritur të plotësojë kushtet dhe kriteret. Një pjesë e zyrtarëve të lartë kanë thënë se Shqipëria ka ende shumë për të bërë. Kë duhet të besojmë ?

Klajda Gjosha: Patjetër që BE ka problematika të saj sepse ka të bëjë me vetë reformimin e BE por kjo nuk i pengon vendet si shqipëria që të ecin përpara me proceset në bazë të meritave. Diskutimet më të mëdha kanë të bëjnë me kushtet, kriteret dhe standardet, Shqipëria ka patur një mangësi të theksuar në plotësimin e kushteve. Fakti që në 2018 Shqipërisë iu vendosën kushte iu dha edhe një datë, dhe institucionet tona në momentin që duhet të vendoseshin në një punë kolosale dhe në vend që mazhoranca ti shtrinte dorën opozitës, për të vazhduar të përmbushte kushtet nuk bëri asgjë. Asgjë nuk u bë për përmbushjen e këtyre kushteve. Bundestagu gjerman ka qenë i prerë, deri në plotësimin e kushteve të vendosura nuk ka një datë të çeljes së negociatave.

Juli Xhokaxhi: Si është e mundur që Bundestagu gjerman jep një PO me kushte të fuqishme, dhe ministri i jashtëm gjerman jep sot një parantezë të tillë?

Klajda Gjosha: Mos harrojmë se edhe ministri jashtëm vjen nga një parti politike. Bundestagu gjerman është mbi kancelarinë. Është e qartë që Shqipëria do të ketë kushte për këtë çështje.

Juli Xhokaxhi: Ka një element që vlen të përmendet, Maqedonia e Veriut iu kërkua marrëveshja për ndryshimin e emrit me Greqinë, Shqipërisë i është kërkuar reforma në drejtësi, sa rrezikon BE në këtë moment që të zhgënjejë pritshmëritë e qytetarëve?

Klajda Gjosha: Nuk është e njëjta gjë të ndryshosh emrin dhe të firmosësh një marrëveshje e cila ka qenë historike për Maqedoninë e Veriut ndërsa Shqipëria ka kosto, thoni ju, por ka kosto për mirë për të përmirësuar një sistem. Shpresa te ajo reformë ka qenë shumë e madhe. Janë dy çështje të ndryshme. Tashmë vendet anëtare duan të shohin edhe implementimin e reformave. Shqipëria ka patur gjithmonë ligje të mira por zbatimi i tyre ka patur probleme.

Juli Xhokaxhi: Sot ka qenë kryeministri italian Giuseppe Conte në Shqipëri i cili ka shprehur mbështetjen e Italisë në lidhje me hapjen e negociatave. Sa vlen një aleat si Italia?

Klajda Gjosha: Italia ka qenë gjithmonë mbështetëse. Italia është një vend që ndahet në kufi me Shqipërinë dhe i intereson stabiliteti ekonomik dhe politik i Shqipërisë sepse qytetarët shqiptarë që largohen drejt Italisë nuk janë mirë për të. Italia di të bëj mirë kalkulimet e saj.

Juli Xhokaxhi: Si funksionon çështja e vetos?

Klajda Gjosha: Do të mjaftonte vetëm Franca kundër, dhe do të thotë një JO e prerë për çeljen e negociatave me Shqipërinë.

Juli Xhokaxhi: Si do të reflektoje politika shqiptare ndaj një PO-je apo një JO-je nga BE?

Klajda Gjosha: Përgjegjësi për procesin e integrimit kanë të gjitha palët, por ekzekutivi është ai që vepron ndaj këtyre proceseve. Ne kemi ofruar një zgjidhje, e cila e pranon të ulet me mazhorancën e të diskutojmë në lidhje me reformën zgjedhore. Ndaj përgjegjësia është shumë me e madhe e qeverisë. Për sa kohë kryeministri e konsideron procesin e integrimit si një çështje dashurie nuk do kemi asnjëherë asnjë rezultat. Evropa është proces përgjegjësie dhe detyrimesh./abcnews.al

abashkia-e-shkodres.jpg
ad min16:05 | 20/08/2019

Voltana Ademi është kundër çdo marrëveshjeje politike mes palëve për zgjidhjen e krizës politike. Një ditë pas konstituimit të Këshillit Bashkiak në Shkodër, në një intervistë ekskluzive për Abc News, kryetarja në detyrë e bashkisë Voltana Ademi tregon për pozicionin e saj pas këtij procesi. Gazetari i Abc News Simon Shkreli bisedoi me të.

Pas konstituimit të Këshillit Bashkiak, Voltana Ademi shpreson të ketë zgjedhje për Shkodrën. Qytetarëve sipas saj i është mohuar e drejta për të zgjedhur, jo vetëm duke ju referuar 30 Qershorit, por zhvillimeve pas kësaj date, që nga dorëheqja e Valdrin Pjetrit për shkak të akuzave.

“Unë dua të shpresoj që shpejt të kemi zgjedhje për Shkodrën, besoj do kemi zgjedhje për gjithë Shqipërinë, por ngjarjet e Shkodrës e kanë dëshmuar se qytetarëve u është mohuar kjo e drejtë, prandaj duhet t’u jepet sa më shpejt mundësia për të zgjedhur”, tha Ademi.

“Nëse palët bien dakord për Shkodrën a do të jetë Voltana sërish kandidate e PD për Shkodrën”?

“Zgjedhjet vendore nuk janë vendim që lidhen domosdoshmërisht atë që them unë. Dua të them që askush edhe unë në këtë rast, nuk do merrja guximin që të veja njerëzit e ndershëm të qytetit përballë krimit kur bëhet fjalë për vendosur qofte edhe Voltana Ademin në një pozicion, të vështirë në një situatë kriminale”, shprehet Ademi.

Por Voltana Ademi nuk e shikon zgjidhjen e situatës në një marrëveshje midis PD dhe PS. Ajo është kundër çdo lloj marrëveshjeje politike.

“Unë jam kundër çdo marrëveshje politike. Ajo që duhet t’i futemi në themel të gjithë atyre që e kanë shkelmuar ligjin që e kanë dëmtuar sistemin ligjor dhe të zbatimit të ligjit, çdo marrëveshje politike është e pa vend dhe nuk bëhet fjalë për një marrëveshje politike kurrsesi, sepse e gjithë kauza do të binte poshtë nuk është e mundur të ndodhë kjo”, tha Ademi.

“Nëse situata vazhdon, a do jeni kandidate e pavarur nëse PD nuk hyn në zgjedhje”?

“Nuk bëhet fjalë të garojmë në aspektin individual të fjalës, kjo shkon përtej partive politike, kjo shkon tek njerëzit, do filloi nga Shkodra për të siguruar polaritetin që kërkohet në një proces zgjedhor”, u shpreh Ademi.

“Pra ju thoni nëse këto kushte nuk do merrni pjesë në zgjedhje”.

“Unë këtë nuk e thashë, përkundrazi, Shkodra ka qenë gjithmonë inovative, ka qenë e qartë në qëndrimin e vetë dhe qytetarët e Shkodrës në atë moment besoj se do të mund të reagojnë për të siguruar atë që do të jetë më e mira për ta”, tha Ademi.

Në fund Voltana Ademi thotë se ndoshta jemi në fazën e rrugëdaljes dhe do të duhet të gjejmë një rrugëdalje. Ndryshe sipas saj do të jetë edhe më e rëndë dhe me të vërtetë ndoshta s’paskemi parë asgjë akoma./ABC News Albania 24/7

shehi-1280x628.jpg
ad min20:00 | 16/07/2019

Kreu i LZHK-së Dashamir Shehi në një intervistë për ABC News është shprehur  se aksioni i opozitës do të vijojë.

“Këto që ju i quani zgjedhje nuk qenë zgjedhje por qenë votime. Ajo që doli si rezultat është se 15 ose 16 % e atyre që shkuan të votojnë është një shifër e parëndësishme të paktën brenda sistemit politik shqiptar. Në një farë mënyre ne nuk i lejuam sepse sa shqiptarë morën pjesë? Shumë pak. Dhe praktikisht nuk i kemi lejuar dhe nëse dikush ka menduar se do t’i ndalonim me pushtë nuk e kemi thënë dhe nuk kemi ndër mënd ta bëjmë. Ky aksion do të vazhdojë. Rruga është e gjatë dhe malore por edhe në fund të tunelit ne shikojmë dritë”.

Por çfarë do të ndryshojë nga Shtatori e tutje?

 “Nuk e di dhe sot në mbledhjen e fundit nuk është se kemi pasur një kalendar afatshkurtër. Por sigurisht që protesta vazhdon dhe mbetet arma kryesore e opozitës, e cila sigurisht do të jetë e shoqëruar me një propozim politik. Propozim për ta ndryshuar të gjithë fytyrën e shteti shqiptar. Nga pjesa kushtetuese në një ligj të ri zgjedhor. Ndryshim të sistemi politik nëpërmjet një ligji të ri zgjedhor dhe do ta bëjë protagonist popullin në zgjedhje. Do të ndërtojmë një platformë të madhe politike e cila ia merr pushtetin shtetarëve të sotëm edhe ia rikthen qytetarëve nëpërmjet një sistemimi me mandate të kufizuar… Nga Shtatori e pas ne do të ngremë një dallgë të madhe në të gjitha drejtimet duke filluar nga protesta e rrugës derisa ta shporrim këtë lloj regjimi”./abcnews.al

metaa-1280x714.jpg
ad min10:15 | 09/07/2019

“Konflikti mes kryeministrit dhe shtetit të së drejtës, demokracisë dhe pluralizmit politik është “nëna” e të gjitha konflikteve të tjera.” Kështu është shprehur presidenti Ilir Meta në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”, ku ka komentuar edhe vendimin e fundit të Kuvendit për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e tij.
Përplasja Presidencë-Kryeministri ka kaluar kufijtë e Shqipërisë e ka ngjallur kureshtjen edhe të fqinjëve grekë. Gazetari i të përditshmes greke Kathimerini e përshkruan si hakmarrje ndaj njëri tjetrit ndërsa pyet presidentin Ilir Meta se çka ndërmend të bëjë me vendimin e parlamentit për shkarkimin e tij.

“Në Shqipëri sot ka vetëm një konflikt madhor. Është konflikti mes kryeministrit dhe shtetit të së drejtës, demokracisë dhe pluralizmit politik. Ky është “nëna” e të gjitha konflikteve të tjera”.

Presidenti Meta ia sqaron edhe medias greke se çdo çështje që lidhet me aktet ose vendimet kushtetuese mund të gjykohet vetëm dhe veçanërisht nga Gjykata Kushtetuese, duke përfshirë këtu edhe dekretin e Presidentit të Republikës për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit 2019, ose përpjekjet politike të shumicës qeverisëse për të shkarkuar Presidentin e Republikës.
“Është në të drejtën e kryeministrit, apo të dikujt tjetër që të kërkojë e të përpiqet të kapë me çdo kusht të gjitha institucionet e pavarura, por Shqipëria i ka thënë autoritarizmit njëherë e përgjithmonë “kurrë më”.

Kathimerini duket e interesuar për të mësuar më shumë mbi planin e instalimit të një junte që ka si qëllim krijimin e shtetit paralel në Shqipëri dhe në Kosovë, të mbështetur nga Edi Rama e të frymëzuar nga Xhorxh Soros. Një deklaratë e bërë nga numri një I shtetit në daljet e fundit përpara medias.

“Unë thjesht e kam gërmëzuar qartë dhe saktë se si një grup i strukturuar, që praktikon taktika të një shteti paralel është duke synuar dhe kërkuar kapjen totale të shtetit në Shqipëri, gjë që u shërben agjendave të fshehta.
Është e qartë se këto agjenda nuk janë gjë tjetër, veçse në mospërputhje me anëtarësimin tonë në NATO, me procesin tonë të integrimit në BE, ose edhe me partneritetin tonë strategjik me SHBA-në”.
Pavarësisht kësaj situate që po kalon vendi kreu i shtetit shqiptar është optimist për hapjen e negociatave në tetor, gjithmonë nëse politika tregon vullnet për gjetjen e zgjidhjeve.

 “Kryeneçësia për të qëndruar indiferentë ndaj rrethanave të përkeqësuara aktuale apo edhe më keq, për të ecur verbërisht drejt një regjimi njëpartiak do të ketë pasoja shkatërruese për vendin dhe të ardhmen e tij europiane”.

Përgjigja më e mirë dhe i vetmi shërim për çdo lloj krize të brendshme në një vend të NATO-s është demokracia dhe sundimi i ligjit sugjeron presidenti Meta.

“Bazuar në këtë besim, unë kam paraqitur përsëri një propozim të ri për të mbajtur zgjedhje trillojëshe më 13 tetor: zgjedhjet vendore, parlamentare dhe presidenciale. Megjithatë, nuk kam dëgjuar ende asnjë propozim kundërshtuese, ose reagim ndaj propozimit tim. Jam ende duke pritur, me durim”.

Shpresëplotë e mbyll intervistën e tij Presidenti Meta për gazetën greke Kathimerini se në këtë situatë do të mbizotërojnë pjekuria, përgjegjësia dhe interesi më i mirë kombëtar./ABC News Albania 24/7

ed-rama-al-jazera-1280x800.jpg
nev ila18:30 | 01/07/2019

Kryeministri Edi Rama i bën thirrje opozitës të reflektojë pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Duke folur për në një intervistë për Al Xhazirën pas zgjedhjeve, Rama tha se opozita duhet të kuptojë se bojkoti është katastrofë për ata vetë.

Kryeministri Edi Rama i shtrin dorën e bashkëpunimit opozitës dhe i bën thirrje të reflektojë. Ashtu siç theksoi në mesazhin pas zgjedhjeve, kreu i qeverisë thotë në një një intervistë për Al Xhazirën Rama se bojkoti ishte vetëvrasje për opozitën, por e ardhmja sipas tij duhet parë me optimizëm dhe në funksion të paqes sociale.

 

“Politika duhet të bëjë punën e saj për të bashkuar vendin. Por sigurisht, tangoja vallëzohet dyshe. Shpresoj që miqtë tanë në opozitë të reflektojnë për këtë dhe të kuptojnë që ajo çfarë bënë ishte një katastrofë për vetë ata”, tha Rama.

Të dielën pas mbylljes së kutive të votimit  kryeministri ftoi opozitën për dialog pa kushte, si shprehje të vullnetit për t’u angazhuar për çeljen e negociatave të antarësimit në Bashkimin Evropian. Pjesë e  këtij dialogu mund të jetë edhe reforma zgjedhore por jo ajo në drejtësi, sipas kryeministrit./ABC News Albania 24/7

majlinda_bufi_ne_kishe.jpg
ad min19:40 | 23/06/2019

Duke marrë shkas nga një emision i dhënë në ERTV, dhe nga qarkullimi i këtij emisioni në rrjetet sociale, ku një kandidate për Kryetare Bashkie jep një intervistë në ambjentet e një Kishe, pa dijeninë dhe lejen tonë, kërkojmë nga pushteti politik dhe vendor, si edhe nga të gjitha forcat politike, shoqata apo individë, që të mos përdorin Kishat dhe Tempujt e Shenjtë për deklarata, mbledhje apo mitingje politike.
Përdorimi i tyre për motive të tilla përbën së pari një Sakrilegj ndaj vendeve të Shenjta dhe fyerje të ndjenjave të besimtarëve, pasi ato janë vend lutje dhe adhurimi. Së dyti, përbën shkelje të “Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë” (Ligji nr. 10 057 Date 22.01.2009). Pikërisht, neni 21 dhe 23 i këtij ligji ndalon ndërhyrjen dhe përdorimin e objekteve fetare nga autoritetet shtetërore, me përjashtim të urdhrit ekzekutiv, pasi është marrë pëlqimi nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë./ABC News Albania 24/7

Edi-Rama-12.jpg
ad min23:45 | 16/06/2019

“Qëllimi kryesor kombëtar i Shqipërisë është të bashkohet me Bashkimin Evropian, por kryeministri Edi Rama nuk mendon se vendi është gati për anëtarësim, pjesërisht për shkak se institucionet e tij politike janë parë si të pazhvilluara”, kështu nis shkrimi i botuar sot në “Al Jazeera”. Në një intervistë për këtë televizion, kryeministri Rama thekson se shqetësim mbetet krimi i organizuar, fenomen për të cilin theksoi se qeveria ka vullnet për ta luftuar.

“Unë mendoj se Shqipëria ka një problem me krimin e organizuar dhe korrupsionin si çdo vend që ende nuk është një shtet modern dhe funksional. Kjo është arsyeja pse ne jemi në këtë proces, prandaj nuk jemi anëtarë të BE-së, prandaj nuk po pretendoj se është një padrejtësi që ne nuk jemi anëtarë sot. Ne duhet të përgatitemi, ne duhet të modernizohemi. Të luftosh korrupsionin dhe krimin e organizuar duhet vullnet shumë i fortë, institucione shumë të forta dhe mekanizma shumë të fuqishëm që duhet funksionojnë në çdo drejtim. Kur e kthej kokën 5 vjet e gjysmë pas dhe shoh nga kemi ardhur, kemi bërë gjëra domethënëse. Por kur shoh përpara, ku duam të shkojmë dhe ku dua ta çoj vendin, ka shumë për të bërë.”

 Kryeministri u pyet edhe për zgjedhjet e 30 Qershorit. Ai theksoi se shtyrja e tyre do të minonte procesin.

“Zgjedhjet nuk bëhen për politikanët që të vendosin, por për njerëzit që të vendosin për politikanët. Çlirimi i këtij gjykimi ose transformimi i këtij elementi shumë themelor i jetës sonë demokratike, do të thotë të shkosh në një drejtim që është jo për ardhmen tonë, është një e kaluar.”

Po në “Al Jazeera”, ka dhënë një intervistë edhe Presidenti Meta. Ndryshe nga kryeministri Rama, ai deklaron se nuk do të ketë zgjedhje më 30 Qershor. Për të zgjidhur krizën, Meta shpreson, që kryeministri Rama së bashku me liderët e tjerë politikë të ulen në presidencë për të arritur marrëveshjen.

“Shpresoj që zoti Rama të vijë këtu së bashku me udhëheqësit e tjerë për të bërë një marrëveshje që do ta ndihmonte vendin jo vetëm për të shmangur këtë klimë përçarëse, por edhe do të ndihmonte vendin t’i demonstronte Bashkimit Europian dhe të gjithë partnerëve të tjerë maturinë e duhur dhe se ne jemi një vend që i kemi përmirësuar standardet demokratike dhe jo që i kemi përkeqësuar ato.”

Sipas tij, kjo do të ndihmonte vendin në rrugën europiane.

Tv Klan

sander-lleshaj.jpg
nev ila13:45 | 06/06/2019

Publikimi i videos me përgjimet në gazetën “Bild” nuk prish imazhin e Shqipërisë”. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në një intervistë dhënë për “DË” tha se këto përgjime nuk prishin imazhin e vendit, pasi Shqipëria është shumë më e madhe se një rast i shkëputur.

Përgjimet e publikuara nga gazeta Gjermane “Bild” për dosjen 339 që po hetohen Prokuroria e Krimeve të Rënda, nuk janë prova, por indicie. Kështu u shpreh ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë një interviste dhënë për Duestche Ëelle, duke shtuar se, duhet të pritet përfundimi i hetimeve për të nxjerrë konkluzione.

“Unë nuk besoj që një publikim i tillë prish imazhin e Shqipërisë, se Shqipëria është shumë më e madhe se sa një rast i shkëputur i një publikimi të një përgjimi të caktuar, këtë dua ta ndaj. Sigurisht që asnjë lajm sado i vogël të jetë që s’është pozitiv, nuk na pëlqen dhe si pëlqen askujt, por besoj që çështja ka nevojë të merret me qetësinë e duhur, për arsye se bëhet fjalë për një çështje e cila është në proces hetimor. Kjo thjesht është një rrjedhje e pa autorizuar nga një proces hetimor në zhvillim dhe duhet të presim fundin, nuk duhet të kërcejmë te konkluzionet shumë herët se kam frikë se i bëjmë dëm gjithë procesit. Unë mendoj që ajo, e cila është publikuar sot në mediat gjermane është pjesë e një dosje hetimore që po zhvillohet. Pra bëhet fjalë për rastin konkret dhe përgjithësisht në të gjithë kuptimin e së drejtës, përgjimet nuk janë prova, janë thjesht indicie që të çojnë tek provat”, tha Lleshaj.

Lidhur me protestat e dhunshme Lleshaj kërkoi qe udhëheqësit e opozitës të futen në rrugën e arsyes dhe të mos shkojnë drejt sjelljes kriminale.

“Ne sigurisht i shohim me keqardhje, urojmë që udhëheqësve të këtij grupimi politik që ka dalë nga Parlamenti t’i kthehet arsyeja për t’u futur në rrugën e ligjit e të arsyes. Urojmë që ata të mbeten në nivelin politik dhe mos të afrohen drejt skajit kriminal të sjelljes, sepse sulmet ndaj Policisë nuk mund të konsiderohen më si protesta politike, por janë sulme kriminale”, tha ministri.

Qeveria gjermane e ka shprehur qëndrimin e saj ndaj Shqipërisë, duke përkrahur integrimin  dhe kundërshtuar dhunën.

“në unison unë shoh  dy qëndrime: së pari, qëndrimin e Qeverisë Gjermane, i cili është fare i qartë, i thjeshtë në mbështetje të perspektivës europiane të Shqipërisë dhe në refuzim të të gjitha formave të dhunës. Por të njëjtën gjë shoh edhe të deputetët e Bundestagut Gjerman, kryesisht ata me të cilët unë jam takuar janë të grupit CDU-CSU”, tha Lleshaj.

Lleshaj u ndal edhe te lufta e policisë për trafiqet e drogës por edhe te kërkesat për azil nga Shqiptarët drejt vende të BE. Ai shtoi se, dy fenomenet janë luftuar maksimalisht nga qeveria Rama, ndërsa prioritet vijon të mbetet lufta kundër kultivimit të kanabisit në zona të thella malore. /ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono