Inter

Olayinka1.jpg
Veronik Istrefaj18:46 | 19/09/2019

Peter Olayinka është shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes kundër Interit, pasi është votuar nga shumica e tifozëve të Slavia Prague. Sulmuesi nigerian, i cili ka luajtur për disa vite edhe në Shqipëri, shënoi golin e vetëm për Slavia Prague në barazimin 1-1 kundër zikaltërve italianë.

Interi barazoi me anë të Nicolo Barrella në sekondat e fundit të sfidës, madje dhe me ndihmën e VAR. Pikërisht në momentin kur arbitri po kontrollonte rregullsinë e golit, Olayinka iu afrua dhe i tha diçka, të cilën e ka zbuluar sot për faqen zyrtare të klubit të Slavia Prague.

“Të lutem, mos na e moho këtë kënaqësi, mos na e prish këtë moment. Këto ishin fjalët që i thashë arbitrit, pasi dhamë gjithçka në fushën e lojës dhe e meritonim fitoren. Bëmë një ndeshje të shkëlqyer përballë një ekipi të madh. Ishim shumë pranë”, u shpreh nigeriani./abcnews.al

Olayinka-Peter-1280x700.jpg
Igli Nikolli15:33 | 19/09/2019

Peter Olayinka është një emër i njohur për tifozët shqiptarë. Sulmuesi nigerian zbarkoi në Ballsh në moshën 16-vjeçare dhe u aktivizua për dy sezone me ekipin e Bylisit. Më pas dy vite fantastike në Korçë me Skënderbeun, për t’u shitur te belgët e Gentit për shumën e 1.1 milionë eurove.

Nigeriani u huazua te çekët e Duklës, më pas te Zulte Waregem, ndërsa verën e kaluar Slavia Prague pagoi 3.2 milionë euro te Genti dhe siguroi shërbimet e Olayinka. Ky i fundit shkëlqeu në duelin e së martës në Champions kundër Interit në “San Siro”.

23-vjeçari shënoi golin e avantazhit në minutën e 63-të, duke i shtangur të gjithë. Zikaltrit e Contes arritën të barazonin në minutat shtesë dhe të dy ekipet morën nga një pikë. Një ndeshje shumë pozitive e sulmuesit afrikan, i cili i është vetëofruar më parë edhe kombëtares shqiptare.

Në një prononcim për kanalin zyrtar të klubit çek, Olayinka zbulon emocionet e përjetuara, frikën e anulimit të golit dhe mërzinë e përjetuar në fund nga rrjeta e Nicolo Barella.

“Ndihemi keq që nuk e fituam ndeshjen. Ishte mëkat të pësonim në minutat shtesë, por edhe pika është për t’u vlerësuar. Goli? Mendova mos isha në pozicion të parregullt dhe hodha sytë 2-3 herë drejt arbitrit anësor. Për fat gjithçka shkoi mirë dhe ndihem shumë i lumtur. Stadiumi “San Siro” ishte fantastik. Kur isha i vogël, e shihja në TV dhe ëndërroja të shënoja një ditë aty. Diçka e tillë ndodhi dhe është pothuajse e pabesueshme”, përfundon Peter Olayinka. /abcnews.al

Inter-Milan.jpg
Igli Nikolli15:08 | 19/09/2019

Milani dhe Interi janë gati për t’iu dhuruar një stadium modern tifozëve respektivë. “San Siro” i ri pritet të jetë një nga stadiumet më të bukura në Evropë. Projekti i madh do të kushtojë rreth 1.2 miliardë euro, 650 milionë prej të cilave do të shkojnë për impiantin sportiv.

Bashkia e Milanos është gati ta japë koncesionin për 90 vitet e ardhshme, ndërsa dy klubet e famshme do të nisin të marrin fitimet e para pas 32 vitesh! Bashkia pritet të përfitojë rreth 478 milionë euro gjatë kësaj kohe.

Dy klubet presin që të arkëtojnë nga 124 milionë euro në sezon, para të ardhura nga stadiumi dhe biletat, sponsorët, reklamat dhe shërbimet e ndryshme (69 milionë euro) dhe rreth 55 milionë euro nga ambientet jashtë tij.

2 studio po garojnë për të drejtën e stadiumit të ri: amerikanët Populous dhe italo-amerikanët Manica-Progetto Cmr.

Të parët duan të përfshijnë e dy kryeveprave si “Duomo” dhe Galeria Vittorio Emanuele II. Ata do të bazohen shumë në ndriçimin spektakolar, ndërsa studio e dytë tenton të krijojë një strukturë të bukur dhe një miks midis modernes dhe tradicionales.

Shenja dalluese do të ishin dy unaza që kryqëzohen, duke simbolizuar në këtë mënyrë bashkëjetesën e dy klubeve në të njëjtin stadium. Mediat italiane raportojnë se klubi i Milanit preferon projektin e parë, ndërsa kinezët e Interit nuk kanë zgjedhur akoma. /abcnews.al

bennacer-1280x720.jpg
Vladimir Prenga12:06 | 19/09/2019

Ismael Bennacer është një nga afrimet e Milanit në merkaton e verës. Mesfushori është optimist për të ardhmen dhe nuk bën polemika për faktin se nuk ishte titullar ndaj Hellas Verona. Ai e pranon se ka ende për të mësuar, sidomos nga një mesfushor me eksperiencë si Biglia.

“Kam punuar me shokët e skuadrës dhe trajnerin. Po rritemi dhe jam i kënaqur. Është një sfidë e madhe për mua. Nuk më vjen keq që isha në pankinë ndaj Veronës, është diçka normale. Jam në dispozicion të trajnerit, jam një lojtar i ri dhe më duhet të punoj”, shprehet Bennacer për Sky Sport.

Më tej ai shton: “Biglia është rikthyer, është një lojtar i madh dhe më duhet të mësoj shumë prej tij. Kështu është futbolli. Më duhet të mësoj se çfarë ai ka dhe çfarë më mungon mua”. Nuk mund të mbetet jashtë diskutimit edhe derbi i së shtunës me Interin.

“Të gjithë duhet të jemi të të njëjtit mendim. Derbi është më i rëndësishmi për tifozët, por për ne është një ndeshje që vlen tre pikë. Milan-Inter është një ndeshje që të gjithë lojtarët dëshirojnë ta luajnë. Nuk mund të themi se njëra skuadër është më e fortë se tjetra. Ta shohim në fushë. Duhet të fitojmë, pasi kjo është prova e parë e madhe për ne. Interi është një skuadër e mirë. Të shohim çfarë do të bëjmë të shtunën”, ka deklaruar mesfushori i blerë nga Empoli. /abcnews.al

Konte-Inter-Antonio.jpg
Igli Nikolli11:46 | 19/09/2019

Interi nuk e nisi mbarë sezonin e ri të Champions Ligës, aty ku ndodhet në një grup me Barcelonën, Borussia Dortmund dhe Slavia Prague. Zikaltrit e Antonio Contes nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 në shtëpi të martën pasdite përballë ekipit çek. Golit të Peter Olayinka, i cili njihet mirë nga tifozët shqiptarë prej faktit që është aktivizuar me Bylisin dhe Skënderbeun në Superiore, iu përgjigj në minutat shtesë Nicolo Barella.

Trajneri leçez i skuadrës zikaltër nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij dhe mbrëmjen e së martës e ka kaluar në qendrën stërvitore të Appiano Gentile-s. Dita e djeshme ka nisur me drekë dhe pas saj ishte radha e analizës së duelit kundër ekipit çek. Conte ka evidentuar gabimet e gjithë skuadrës dhe nuk i ka kursyer vërejtjet për lojtarët e tij. Interi i vërtetë u pa vetëm në tetë minutat shtesë, diçka e papranueshme për tifozët dhe aq më tepër trajnerin.

Ky i fundit ua ka bërë të qartë lojtarëve se nuk do të pranojë më një paraqitje të tillë kaq pasive dhe pa agresivitet. Zikaltrit nuk mund të nënvlerësojnë asnjë kundërshtar dhe gabimet e ndeshjes së fundit nuk duhen përsëritur më. Koha nuk pret dhe në fundjavë është derbi i zjarrtë kundër Milanit.

Të shtunën në mbrëmje qyteti i modës do të ndahet në dysh dhe të dy skuadrat do të tentojnë fitoren. Për të siguruar tre pikë speciale, për të bërë krenarë tifozët dhe për të dominuar përballë “kushërinjve” të urryer. Tek Interi e kanë të qartë çfarë duhet të bëjnë. Ekipi duhet të rikthehet të luftojë, të japë gjithçka dhe të vazhdojë kryesimin e Serie A. Përndryshe, të gjithë do të përballen me tërbimin e Antonio Contes, i cili është i fokusuar totalisht dhe dëshiron të triumfojë e të provojë emocionet e fitores në derbin e Milanos. /abcnews.al

lukaku-1280x720.jpg
Vladimir Prenga10:59 | 19/09/2019

Interi nuk gjen qetësi me sulmuesit dhe këtë herë është bërë protagonist Romelo Lukaku. Belgu ka pasur një përplasje me Marcelo Brozovic pas ndeshjes që zikaltrit barazuan në Champions League kundër Slavia Prague.

Numri “9” i Interit u ka kërkuar shokëve të skuadrës që të ndjekin udhëzimet e trajnerit Antonio Conte. Kritikat e tij nuk janë pritur mirë nga kroati Brozovic, i cili ka pretenduar se Lukaku e ka me të personalisht.

“La Gazzetta Dello Sport” raporton se është dashur ndërhyrja e shokëve të skuadrës për të shuar tensionin dhe shmangur sherrin mes dy lojtarëve. Për Lukakun nuk ndahen telashet. Fillimisht pati kritikat për peshën, ndërkohë që nuk kanë munguar as thirrjet raciste karshi sulmuesit. /abcnews.al

godin-1280x720.jpg
G. P.22:30 | 18/09/2019

Mbrojtësi i Interit, Diego Godin, i konsideron zikaltërit të ngjashëm me ish-klubin e tij Atletiko Madrid. Për uruguajanin, sfida ndaj Milanit është speciale dhe nuk duhet humbur.

Tashmë Inter edhe për çështje kohe, por edhe për strategji kërkon të harrojë sa më shpejt sfidën me Slavian në “San Siron”, pasi në fundjavë kalendari rezervon derbin me fqinjët kuqezinj, një sfidë tradite, dhe ku Inter kohët e fundit ka qenë më predominues.

Për mbrojtësin Godin nuk ka dyshime, zikaltërit i kujtojnë ish-skaudrën e tij që për periudhën për të cilën flet, Los Colchoneros fituan titullin kampion në La Liga. Inter sipas mbrojtësit ngjason në shumë aspekte me klubin spanjoll, për shpirtin e garës, dëshirës për të qenë të bashkuar, për të punuar dhe për të bërë sa më mirë.

“Inter dhe Atletico kanë shumë të përbashkëta. Mënyra sesi i përjetojnë ndeshjet. Të gjithë lojtarët në fushën e blertë japin maksimumin e tyre. Të pasurit një trajner që beson në forcën e ideve, për një lojtar është shumë e rëndësishme. Duhet të bëjmë njësoj siç bëri Atletico, t’i marrim ndeshjet një e nga një. Derbin e kam ndjekur nga televizori disa herë. Personalisht e di mirë sesi luhet një sfidë e tillë. E rëndësishme është që të mos zhgënjejmë tifozët. Një skuadër ka nevojë për ta, për shtysën që të japin. Përtej projekteve që kanë drejtuesit e klubit, tifozët janë shumë të rëndësishëm. Ndaj kundër Milanit duhet të japim maksimumin për të mos i zhgënjyer”.

Hapi i radhës do të jetë derbi i Madoninës, një nga sfidat më të rëndësishme të sezonit. Godin shprehet se kundër Milanit, zikaltërit nuk duhet të zhgënjejnë tifozët./ABC News Albania 24/7

conte.jpg
G. P.22:06 | 18/09/2019

Trajneri i Interit Antonio Conte merr përgjegjësitë për barazimin me Slavia Pragë. Italiani kërkon reagim nga skuadra për derbin me Milanin në fundjavë.

Interi barazoi në minutat e fundit të ndeshjes ndaj Slavia Pragë. Goli i Barelas i mban në lojë zikaltërit për kualifikim ndërkohë që trajneri i Interit Antonio Conte merr përsipër përgjegjësitë e tij dhe thekson se kundërshtari ishte shumë më lartë se skuadra e tij.

“Lojtarët ishin shumë fizikisht, por kundërshtari luajti më mirë gjatë gjithë lojës. Paraqitja ndaj Slavias la shumë për të dëshiruar. Nuk duhet kurrsesi të kritikojmë lojtarët. Duhet të rritemi nga ndeshja në ndeshje. Kemi një rrugëtim të gjatë së bashku. E di se në çfarë situate ndodhet klubi. Duhet të vraponim me shumë se ata. Ka shumë vend për përmirësime. Nuk mund të luanim me krosime të gjata pasi stërvitemi për një tjetër strategji loje. Lojtarët nuk ishin në ditët e tyre më të mirë. Unë marr përsipër përgjegjësinë si trajner. Kjo ndeshje nuk do të ndikojë për duelin ndaj Milanit në fundjavë. Candreva ka pësuar një goditje dhe duhet parë gjendja e tij. Nuk mund të bëjmë çcdo gjë shpejt pasi rezultatet kërkojnë kohën e tyre. Nuk bën diferencë ajo pikë që fituam pasi për mua është si një humbje. Kemi treguar shumë pak nga ideja që ne kemi për futbollin. Tifozëve i kërkoj të jenë të qetë pasi djemtë japin maksimumin”.

Objektivi primar i Interit në Ligën e Kampionëve është kalimi i grupit./ABC News Albania 24/7

1168904683.jpg.0.jpg
G. P.16:57 | 18/09/2019

Kritika të ashpra për Barcelonën pas barazimit dhe lojës së dobët ndaj Dortmundit në Champions. Ekziston frika se katalanasit do të dështojnë edhe këtë sezon, ashtu si 4 vitet e fundit.

Është ende tepër shpejt për të mbërritur në këtë fazë. Barcelona ka pësuar zhgënjim pas zhgënjimi në Champions, që pas vitit 2015, dhe ky fillim i ri nuk është se largoi fantazmat.

Eliminimet e bujshme ndaj Juventusit, Atletico-s, Romës apo Liverpool-it kanë ardhur të gjithë në fazën me eliminim direkt dhe rreziku është që kjo të ndodhë përsëri.

Katalanasit u duken të vegjël përpara këtij ekipi, Borusias së Dortmundit, që u tregua i vendosur për të fituar prej momentit që mbërriti në stadiumin “Signal Iduna Park” e deri në fund.

Nëse gjermanët nuk ia dolën, duhet të bëjnë me faj po një gjerman, portierin e Barcelonës, Marc-Andre Ter Stegen, që bëri pritje të mëdha duke mbrojtur rezultatin 0-0.

Numri 2 i kombëtares së Gjermanisë ndaloi edhe penalltinë e gjuajtur nga kapiteni vendas, Marco Reus, dhe ishte engjëlli mbrojtës i skuadrës së trajnerit Ernesto Valverde.

Nëse Barça ka pasur gjithnjë Mesin si fenomenin e saj, këtë herë rolin e argjentinasit e mori Ter Stegen. Kaq i madh ishte dominimi i Dortmundit saqë Messi thuajse nuk u duk aspak, ndonëse hyri në fushë në minutën e 60-të. Vetëm në fund, ai pati një mundësi, por nuk arriti ta shfrytëzonte.

Çfarë Barçe ishte kjo që nisi sulmin ndaj Europës? – pyet gazeta madrilene, “Marca”, – ekipi azulgrana nuk tremb kënd kur është jashtë fushe!

Kritika edhe nga mediat katalanase.

“Muri, – titullon me shkronja të mëdha “El Mundo Deportivo”, – një Ter Stegen kolosal, që priti edhe një penallti, i dha një pikë të pamerituar Barçës, në ditën e rishfaqjes së Lionel Mesit”.

“Muri Ter Stegen, – ishte edhe titulli i “Sportit”, – duke pritur penalltinë, Marc-Andrea u bë vendimtar për Barçën, që mori një pikë në Dortmund, në një ndeshje ku u rishfaq Leo Mesi”.

“Vuajtëm shumë dhe këtë duhet ta pranojmë, – u shpreh trajneri Valverde, – rezultati është ky që është. Ata ishin më të rrezikshëm, patën penalltinë, goditën shtyllën. Dortmundi është shumë i fortë në shtëpi, ishte një ndeshje shumë e vështirë për ne. Edhe kur dominuam nga fundi, nuk krijuam asnjë rast. Nuk është e drejtë të kritikohet Mesi, sepse ai luajti thuajse pa asnjë përgatitje”.

Nëse Barça ishte në rënie, Borusia u duk si një yll në ngjitje, dhe trajneri Lysien Favre ishte i lumtur.

“Ishim shumë mirë në pjesën e dytë, – tha zvicerani, – me shumë zotërim topi dhe shumë përqendrim. Patëm mjaft raste, ushtruam trysni dhe u mbrojtëm si ekip. Një paraqitje e tillë na jep shumë shpresë për të ardhmen”.

Championsi tregoi që në fillim se emrat e mëdhenj të Europës do të vuajnë. Kështu i ndodhi Interit, Liverpool-it, dhe po kështu Barcelonës./ABC News Albania 24/7

interi-1280x853.jpg
G. P.23:50 | 17/09/2019

Skuadra e Interit barazoi në “San Siro” ndaj Slavia Pragë me shifrat 1-1. Rezultat i cili komplikon kalimin në turin tjetër.

Interi zhgënjen në ndeshjen e parë për këtë edicion në Ligën e Kampionëve. Zikaltërit barazuan në “San Siro” me rezultatin 1-1 përballë Slavia Pragë në sfidën e vlefshme për grupin F.

Trajneri Antonio Conte vendosi në repartin e sulmit dyshen Lukaku-Lautaro të cilët ishin jashtë forme. Italianet zhvilluan një performancë krejtësisht ndryshe nga ndeshjet në kampionatin italian.

Pas një pjese të parë pa shumë raste të pastra çekët befasojnë të pranishmit në “San Siro” pasi në minutën e ‘63 ish-futbollisti i Skënderbeut, Olainka, kaloi në avantazh miqtë.

Një gol që zgjoi të besuarit e trajnerit Conte të cilët nisën sulmet në portën e Slavia Pragë. i ardhur nga stoli, Nicola Barrela vendosi baraspeshën dhe shpëtoi Interin nga turpi. Futbollisti italian i dha një pikë zikaltërve që gjithsesi me këtë barazim komplikojnë jo pak kalimin në turin tjetër të Championsit.

Në takimin tjetër që u zhvillua në orën 19:00, Lion barazoi në shtëpi përballë Zenit San Petersburg. Rusët kaluan të parët në avantazh, por francezët vendosën baraspeshën në sfidën e vlefshme për grupin G./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono