INSTAT

INSTAT-PER-AKSIDENTET.mpg_snapshot_00.04-1280x720.jpg
G. P.19:04 | 21/12/2018

Aksidentet rrugore në vendin tonë janë ndër shkaktarët kryesorë që marrin jetë njerëzish, kryesisht jetët e të rinjve. Sipas statistikave të publikuara nga INSTAT gjatë muajve Janar-Nëntor 2018, në rang kombëtar kanë humbur jetën në aksidente rrugore 190 persona.

Çdo dy ditë mesatarisht tre shqiptarë humbin jetën në aksidente rrugore në vend. Sipas të dhënave të INSTAT gjatë periudhës Janar-Nëntor në rang kombëtar kanë humbur jetën 190 persona nga aksidentet rrugore, duke bërë kështu që të jenë ndër shkaktarët më të mëdhenj të humbjes së jetës tek personat me moshë të re në vendin tonë.

Në muajin nëntor 2018 po sipas INSTAT numërohen 130 aksidente rrugore nga 177 aksidente të ndodhura në Nëntor 2017, duke u ulur me 26,6 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në Nëntor 2018, numri i të aksidentuarve është 171 persona nga 235 që ishte një vit më parë, duke u ulur me 27,2 %. Sipas INSTAT në Nëntor 2018, aksidentet rrugore në 75,4 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së gabuar të drejtuesit të mjetit. Ndërsa gjatë muajve Janar-Nëntor 2018, aksidentet rrugore në 21,9 % të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së pakujdesshme të këmbësorve.

Edhe sipas raporteve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë rrugët në Shqipëri vrasin më shumë se në çdo vend tjetër të Europës. Me 13.7 vdekje për 100 mijë banorë, Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të vdekjeve nga aksidentet në Europë./abcnews.al

RRITEN-EKSPORTET.mpg_snapshot_00.05-1280x704.jpg
G. P.17:41 | 19/11/2018

Rritja e eksporteve në vendin tonë gjatë 10 muajve të fundit duket se ka pësuar një rritje të kënaqshme dhe të paparashikuar. Sipas shifrave të publikuara nga INSTAT vetëm muaji Tetor ka shënuar një rritje prej 21% të eksporteve krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Eksportet shqiptare kanë pësuar një rritje gjatë muajit Tetor, duke ndihmuar në uljen e mëtejshme të defiçitit tregtar të vendit. Sipas INSTAT, eksportet e mallrave arritën vlerën 30 miliardë lekë, duke u rritur me 21%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Gjatë 10-mujorit të fundit, vendi ynë ka  eksportuar mallra në vlerën afro 262 miliardë lekë, në rritje vjetore me 16%. Eksporti i grupit të mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë u rritën me 37% krahasuar me 10-mujorin e vitit të kaluar.

Megjithatë sipas INSTAT grupi që dominon gjithnjë e më shumë eksportet shqiptare është ai i tekstileve dhe këpucëve, duke arritur në vlerën 104 miliardë lekë ose rreth 825 milionë euro. Fasonet janë ato që sjellin mbi 40% të eksporteve totale të vendit tonë.

Ndryshe nga ritmi i eksporteve, importet kanë një ritëm më të dobët. Krahasuar me 10-mujorin e vitit të kaluar, importet janë rritur me më pak se 3%. Rënia e importeve ka ardhur edhe për shkak të forcimit të lekut kundrejt monedhave të tjera, veçanërisht kundrejt euros./abcnews.al

BIE-EXPORTI-I-FRUTAVE-1280x720.jpg
ent ela15:07 | 26/10/2018

Eksporti i frutave dhe zarzavateve ka pësuar një rënie të konsiderueshme gjatë 9-mujorit të vitit 2018. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT kemi një rënie prej 1.8% në krahasim me 9-mujorin e një viti më parë. Kjo ështe rënia e parë që nga viti 2009.

Pas ritmeve me rritje të konsiderueshme vitet e fundit, eksportet e frutave dhe zarzavateve duket se i janë kthyer sërish rënies gjatë vitit 2018.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, vlera e eksporteve të frutave, perimeve dhe zarzavateve në 9-mujorin e 2018 ishte gjithsej 5.6 miliardë lekë me një rënie prej 1.8% në krahasim me 9-mujorin e një viti më parë.

Kjo ështe rënia e parë që nga viti 2009. Ritmet e rënies me gati 2% në janar-shtator 2018 vijnë pas një rritje sistematike, ku në vitin 2016 eksportet nga ky grup u rritën me 31% në raport me 9-mujorin e 2015, ndërsa për të njëjtën periudhë, rritja në 2017 ishte 33% në raport me 2016. Ulja e prodhimit vendas ka sjellë gjithnjë e më tepër rritje të importeve. Në këtë periudhë kur tregjet e pakicës në Tiranë mbuloheshin nga prodhimi vendas, sot ato dominohen nga prodhimet e importit.

Fermerët nga zonat më prodhuese të vendit pohojnë se këtë vit kishte më pak mbjellje të zarzavateve.

Sipas INSTAT, eksportet e frutave dhe zarzavateve arritën në 9.6 miliardë lekë më 2017, me një rritje 21% nga viti 2016. Ndërsa importet arritën në 8.3 miliardë lekë, me një rritje prej 0.2% kundrejt vitit 2016. Si importet dhe eksportet janë rritur që nga viti 2012, por shitjet jashtë vendit janë rritur me ritme më të shpejta. Në pesë vitet e fundit, eksportet e frutave dhe zarzavateve janë pesëfishuar, nga 1.8 miliardë lekë më 2012 në 9.6 mld lekë në 2017, ndërsa importet janë rritur në pesë vite me 11%. /abcnews.al

RRITEN-CMIMET.mpg_snapshot_00.12-1280x720.jpg
G. P.16:54 | 08/10/2018

Çmimi i ushqimeve dhe naftës gjatë muajit shtator, sipas INSTAT, ka pësuar rritje. Kjo ka bërë që inflacioni gjatë këtij muaji të shkojë në 2.1%

Qytetarët i kanë blerë më shtrenjtë ushqimet gjatë muajit shtator. Indeksi i çmimeve të konsumit bën të ditur Instituti i Statistikave ka pësuar një rritje me 0.2% krahasuar me muajin paraardhës. Ndërkohë, rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, dy muajt e fundit ka nisur të reflektohet edhe në tregun vendas. Kjo ka bërë që inflacioni sipas INSTAT të arrijë në 2.1 %, ndërkohë që vitin e shkuar ai është regjistruar me 1.6%.

Rritje më të madhe të çmimeve, këtë shtator, krahasuar me atë të një viti më parë, vërehet në grupin “Argëtim dhe Kulturë” me 5,2 %, transport me 3.2% dhe qira, ujë dhe energji me 2.8%. Ndërkohë që kosto e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike është 2,6 % më e lartë. Sipas INSTAT, çmimet më të larta brenda këtij grupimi janë regjistruar tek perimet dhe frutat, përkatësisht 14.6% dhe 3.8%./abcnews.al

mbetje.jpg
ent ela15:50 | 19/09/2018

Po ndosim më shumë ndërsa mbetjet po i përpunojmë më pak. Në këtë përfundim të çojnë të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave.

Në vitin 2017 mesatarisht një banor ka gjeneruar 386 kilogramë mbetje. Rreth 13 kilogramë më tepër se në vitin 2016. Megjithëkëtë në shkallë vendi u menaxhuan 1.2 milionë ton mbetje nga 1.3 milionë ton që rezulton të jenë menaxhuar vitin paraardhës.

Instituti i Statistikave ve në dukje se mbulimi i popullsisë me shërbime komunitare për menaxhimin e mbetjeve urbane shënoi rritje me 0.2%, ndërkohë që po kaq ra edhe sasia e mbetjeve të depozituara në landfille. Rritje u vu re në sasinë e mbetjeve të ricikluara dhe të trajtuara me diegje në incinerator për qëllime energjetike.

Në vitin 2017 u ricikluan 17,4 % e sasisë totale të mbetjeve ndersa ne  vitin 2016 17,2 %. Nderkohe qe u trajtuan me  me djegie në incenerator për qëllime energjetike rreth 1,8 % e sasisë totale të mbetjeve, duke shënuar kështu rritje të këtij treguesi me 1,1 %, krahasuar me vitin 2016. /abcnews.al

ndertime.jpg
G. P.14:29 | 31/08/2018

Sektori i ndërtimit ka pësuar rritje krahasuar me një vit më parë. Sipas Institutit të Statistikave nga muaji Prill deri në Korrik të këtij viti janë dhënë 37,1 përqind leje ndërtimi më shumë krahasuar me të njëjtën peridhë të vitit 2017.

Është rritur numri i lejeve të ndërtimit në tremujorin e dytë të këtij viti. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se janë miratuar gjithsej 270 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 197 leje të miratuara në tremujorin e dytë 2017, duke shënuar një rritje prej 37,1 %.

50,6 përqind e këtyre lejeve janë për ndërtim për banim, 37, 8 përqind për ndërtesa të tjera jo rezidente, dhe pjesa tjetër 11, 6 përqind për punime inxhinierike.

Qarku që ka dhënë më shumë leje është Tirana, e ndjekur nga Durrësi dhe Fieri. Qarku që renditet i fundit në tabelën e publikuar nga Instituti i Statistikave është Kukësi ku është dhënë vetëm një leje ndërtimi.

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e dytë 2018, është rreth 292.895 m2, nga rreth 229.387 m2 miratuar në tremujorin e dytë 2017, duke shënuar një rritje prej 27,7 %.

Rënie ka pësuar vlera e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike. Në tremujorin e dytë 2018, është 11.4 miliardë lekë, nga 14.1 miliardë lekë miratuar në tremujorin e dytë 2017, duke shënuar një rënie prej 19,1 %./abcnews.al

EKSPORTET-E-MALLRAVE.mpg_snapshot_01.17-1280x644.jpg
G. P.15:13 | 17/08/2018

Janë rritur eksportet e mallrave për periudhën janar – korrik. Të dhënat më të fundit janë publikuar nga Instituti i Statistikave, sipas të cilit vlera e tyre përllogaritet në 185 miliardë lekë.

Në Korrik 2018 eksportet e mallrave arritën vlerën 27 mld lekë, duke u rritur me 7,9 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 0,2 %, në krahasim me Qershor 2018. Rritje pësuan edhe importet e mallrave të cilat arritën vlerën 58 mld lekë, 5,4 % më shumë në krahasim me një vit më parë dhe me 6,8%, në krahasim me Qershor 2018.

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë gjithashtu se deficiti tregtar i këtij muaji është 31 mld lekë, duke u rritur me 3,3 %, krahasuar me Korrik 2017 dhe me 13,7 %, në krahasim me Qershor 2018. Të përmbledhura në shtatëmujorin e parë të vitit 2018, shifrat e eksporteve të mallrave arrijnë në vlerën 185 mld lekë, duke u rritur me 16,8 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 367 mld lekë, duke u rritur me 4,8 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 182 mld lekë, duke u ulur me 5,0 %, krahasuar me 2017.

Kontrubuesit kryesorë në rritjen e eksporteve janë materialet e ndërtimit, mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike, makineri, pajisje, pjesë këmbimi. Negativisht në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar grupi: “Ushqime, pije, duhan” me -0,8 pikë përqindje.
Në muajin Korrik vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Korrik 2017 janë: Italia (6,2 %), Kosova (48,6 %) dhe Gjermania (10,7 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Spanja (-23,6 %), Greqia (-2,4 %) dhe Kina (-56,1 %). Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 64,8 %, të gjithë tregtisë. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (36,1 %), Greqia (6,7 %), Kina (6,4 %) dhe Gjermania (6,0 %)./abcnews.al

SHQIPERIA-SA-VJEN-DHE-TKURRET.mpg_snapshot_01.18-1280x720.jpg
G. P.14:30 | 14/08/2018

Në vendin tonë vijojnë të lindin më pak. Tre muajt e parë të vitit u regjistrua një rënie e tyre me 25.3%. Shifrat vijnë nga Instituti i Statistikave që në raportin e fundit thekson se shtesa natyrore e popullsisë ka rënë me rreth 70%.

Shqipëria sa vjen e tkurret. Shtesa natyrore e popullsisë nga muaji prill deri ne muajin qershor të këtij viti, sipas Institutit të Statistikave, pasqyron një rënie me 69,9 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Ndonëse numri i lindjeve tejkaloi me 769 persona atë të vdekjeve sërish ishin 25.3 % më pak se 2017.

Përgjatë tremujorit të dytë të vitit, në vendin tonë lindën 5 mijë e 592 bebe. Numri më i madh u regjistrua në Tiranë, 1 mijë e 851, ndërsa numri më i vogël në Gjirokasteër, 87. Instituti i Statistikave thekson se nga prilli deri në qershor në të gjitha qarqet e vendit u vu re rënie e lindjeve, por më e ndjeshme ishte në Berat dhe Vlorë. Ndërkohë, në po të njëjtën periudhë në vend humbën jetën 4 mijë e 823 persona, 2. 2% më pak se në vitin 2017.

Tirana zë vendin e parë me 1 mijë e 88 vdekje, ndërsa Kukësi të fundit me 124. Rritje sipas INSTAT pësuan vetëm tre qarqe; Shkodra, Durrësi dhe Vlora, në tetë të tjerat humbjet e jetëve ishin më pak. Qarku ku u regjistrua dhe rënia më e madhe e numrit të vdekjeve është Gjirokastra./abcnews.al

albana-vokshi.jpg
G. P.12:23 | 04/08/2018

Partia Demokratike ka reaguar sot për shifrat e raportit të INSTAT. Kryetarja e komisionit të edukimit, Albana Vokshi, tha se shifrat janë dramatike, por edhe reflektim i mungesës së shpresës që ka sjellë qeveria Rama për të ardhmen në Shqipëri.

“Braktisja e shkollave nga 133 mijë të rinj në 4 vjet është këmbanë alarmi për rininë se sa kohë të jetë Edi Rama kryeministër, as punë nuk do të ketë për ta, as profesionistë nuk do të bëhen dot. 1 në 6 nxënës dhe studentë i kanë braktisur shkollat, sepse Edi Rama nuk ka prioritet arsimin dhe rininë. Duke mbajtur rininë të paarsimuar, duke larguar më të mirët, Edi Rama e ka më të thjeshtë të vazhdojë të bashkëqeverisë me krimin në një vend ku nuk nderohet më i miri, por trafikanti i drogës dhe qeveritarët e korruptuar. Braktisja e shkollave në 4 vjet nga 133 mijë nxënës e studentë është tregues se si varfëria e thelluar këto 4 vjet është kthyer në armiken kryesore të arsimit”./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono