inkriminimi

KESHILLTARI-DESHMIA.mpg_snapshot_00.09-1280x720.jpg
ent ela21:46 | 14/10/2019

Një prej komisioneve parlamentare që ka nisur proçedurat e inkriminimit të Donald Trump ka thirrur për të dëshmuar ish-këshilltaren e presidentit për Rusinë. Ish-anëtarja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Fiona Hill është përgjigjur përpara komisionit në lidhje me të ashtuquajturin “Ukraina-gejt”.

Ish-këshilltarja e presidentit Donald Trump për Rusinë dëshmoi të hënën në një seancë me dyer të mbyllura në komisionin e Kongresit që po udhëheq procedurat e inkriminimit e shefit të Shtëpisë së Bardhë. Dëshmia e Fiona Hill lidhet me kërkesën tashmë të njohur që Trump i bëri palës ukrainase për të hetuar një rival politik të brendshëm.

Hill, ish-drejtoreshë për Çështjet Europiane dhe Ruse pranë Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Trump u thirr konkretisht nga komisioni për shërbimet e inteligjencës. Shkarkimi në muajin maj i Meri Jovanoviç si ambasadore amerikane në Ukrainë mund të ketë qenë pjesë e dëshmisë së Fiona Hill.

Të premten, vetë Jovanoviç dëshmoi duke thënë se ishte shkarkuar bazuar në deklarata të pabaza dhe të rreme pasi ishte sulmuar nga avokati personal i Trump, Rudi Xhulliani, i cili ishte angazhuar personalisht për të bindur prokurorët ukrainas që të hetonin ish-zëvendës presidentin Xho Bajden, sfidanti kryesor i kreut të shtetit në zgjedhjet e 2020-s.

Hetimet janë fokusuar konkretisht në telefonatën e 25 korrikut, në të cilën Trump i kërkonte homologut ukrainas Volodimir Zelenski që përveç se Bajden të hetonte dhe djalin e tij Hanter, që kishte qenë drejtues i një kompanie energjitike në Ukrainë. /ABC news Albania 24/7

INKRIMINIMI-TETOR.mpg_snapshot_00.05-1280x720.jpg
ent ela22:26 | 27/09/2019

Demokratët në Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të lëvizin me shpejtësi në hetimet që mund të çojnë në inkriminimin e presidentit Donald Trump. Procesi, sipas mediave amerikane, mund të përfshijë edhe sekretarin e Drejtësisë, Uilliam Berr dhe atë të Shtetit, Majk Pompeo.

Hetimi për një inkriminim të mundshëm të presidentit Donald Trump në lidhje me skandalin ukrainas është përshpejtuar. Sipas disa ligjvënësve demokratë, akuzat e para ndaj kreut të shtetit mund të jenë gati brenda muajit tetor. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelozi ka deklaruar se demokratët do të lëvizin me shpejtësi në këtë drejtim, por jo në mënyrë të pakujdesshme. Sikurse shkruajnë mediat amerikane, hetimi rrezikon të zgjerohet dhe të ketë efekte anësore mbi figura me peshë të politikës amerikane, si prokurori i përgjithshëm Uilliam Berr dhe sekretari i Shtetit Majk Pompeo, dy njerëz të besuar të presidentit. I pari sepse nuk kishte abstenuar në një dosje ku shfaqej edhe emri i tij, ndërsa i dyti për përfshirjen e të paktën dy diplomatëve amerikanë në përpjekjet e Rudi Xhulianit, avokati personal i Trump, për të bindur Ukrainën që të hetonte Xho Bajden. Sipas “Uashington Post”, vetë Xhuliani është takuar me pesë prokurorë dhe ish-prokurorë ukrainas që nga fillimi i vitit për të marrë informacione mbi Hanter Bajden, i biri i ish-zëvendës presidentit, që punonte si administrator në një kompani energjitike ukrainase. Duke reaguar, Xho Bajden ka hedhur poshtë akuzat ndaj djalit të tij, duke thënë se askush në familjen e tij nuk ka bërë ndonjë gjë të gabuar. /ABC news 24/7

INKRIMINIMI-TRUMP-MBULIM_ABCM4T2.mpg_snapshot_00.04-1280x720.jpg
ent ela23:30 | 24/09/2019

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelozi pritet të njoftojë së shpejti inkriminimin zyrtar të presidentit Donald Trump. Lajmin e bën të ditur gazeta “Uashington Post”, sipas të cilës inkriminimi i kreut të shtetit, që do të shoqërohet me një proces hetimor, ka të bëjë me kërkesën që ai i kishte bërë autoriteteve ukrainase për të dëmtuar figurën e Xho Bajden, që ka gjasa të jetë sfidanti i tij në zgjedhjet e 2020-s. E pyetur gjatë një eventi, Pelozi ka refuzuar të thotë se çfarë aksioni do të ndërmarrë, por ka theksuar se është absolutisht jetike që presidenti të mbahet përgjegjës. “Askush nuk është mbi ligjin”, ka deklaruar Pelozi. Më herët në Uashington, Pelozi u takua me ligjvënësit demokratë për inkriminimin e presidentit, i cili që prej marrjes së detyrës në janar të vitit 2017 është përfshirë në një seri skandalesh. Vetë Trump gjatë së martës konfirmoi se kishte urdhëruar administratën e tij të mos lëvronte një ndihmë prej 390 milionë dollarësh për Ukrainën dhe bëri të ditur se të mërkurën do të publikojë bisedën e transkriptuar me presidentin e ri ukrainas, në lidhje me figurën e Bajden. /ABC News Albania 24/7

gazemend-bardhi-1280x712.jpg
nev ila15:11 | 16/09/2019

PD pas disa ditësh akuza, tregoi sot një dokument të autoriteteve italiane që sipas saj provon se Mark Babani është arrestuar dhe dëbuar nga vendi fqinj 25 vite më parë. Sipas Gazmend Bardhit, kreu i bashkisë së Vaut të Dejës, është arrestuar për vjedhje makinash.

Kryebashkiaku socialist i Vaut të Dejës, Mark Babani është kryebashkiaku i tretë për të cilin Partia Demokratike kërkon ndërprerje të mandatit. Pasi depozitoi në Prokurori kërkesë për hetim të thelluar dhe priti një reagim nga vendori socialist, sekretari i PD, Gazment Bardhi publikoi dokumentet ku sipas tij, Babani rezulton se është individ me rekorde kriminale.

Për demokratët sigurinë për të deklaruar se është i pastër ligjërisht, kryebashkiakut të Vaut të Dejës ja jep vetë kryeministri Edi Rama. Bardhi kërkoi nga organi i akuzës ta procedojë Babanin edhe për falsifikimin e Formularit të Dekriminalizimit.

Ky është denoncimi i tretë i demokratëve brenda harkut kohor të dy muajve. Nga denoncimet e demokratëve u dorëhoq pa marrë detyrën kryebashkiaku i zgjedhur i PS në Shkodër, Valdrin Pjetri./ABC News Albania 24/7

TRUMP-INKRIMINIMI_ABC-M4-T2.mpg_snapshot_00.16-1280x720.jpg
ent ela20:45 | 12/09/2019

Demokratët në Shtetet e Bashkuara kanë miratuar një rezolutë për përshpejtimin e hetimeve mbi ato raste që mund të çojnë në inkriminimin e presidentin Donald Trump. Duke reaguar, republikanët e kanë quajtur nismën një farsë që synon të dëmtojë figurën e kreut të shtetit.

Komisioni për çështjet gjyqësore në Kongresin amerikan votoi të enjten për intensifikimin e hetimeve mbi presidentin Donald Trump, për të vendosur më pas nëse do të rekomandojë inkriminimin e tij. Paneli prej 41 anëtarësh miratoi një rezolutë që i lejon të caktojë seanca dëgjimore, t’u bëjë dëshmitarëve pyetje më agresive dhe të përshpejtojë hapat e hetimit në ato aspekte që mund të rezultojnë më eksplozive për presidentin dhe Kongresin gjatë kohës që kontrollohej nga republikanët. “Me proçedurat e reja ne do të nisim javën e ardhshme një seri seancash për të hetuar dyshimet për korrupsion, pengim të drejtësisë dhe abuzim me pushtetin që rëndojnë mbi presidentin”, deklaroi kryetari i komisionit gjyqësor, Xherold Nedllër, pas votimit me 24 vota pro dhe 17 kundër. Nga ana e tyre republikanët e hodhën poshtë nismën e demokratëve dhe e quajtën rezolutën e miratuar prej tyre një “fantazi”. Ata thanë se demokratëve u mungojnë votat për të marrë një autorizim zyrtar nga Kongresi për të hetuar, sikurse ndodhi në rastin e epokës Uotërgejt, apo në atë të ish-presidentit Bill Klinton. Në reagimin e tij, kryetari i republikanëve në komisionin gjyqësor, Dag Kollins tha se rezoluta thjesht i jep komisionit kompetenca që i ka patur gjatë gjithë kohës. /ABC News Albania 24/7

DEMOKRATET-TRUMP.mpg_snapshot_00.00-1280x720.jpg
ent ela08:47 | 22/04/2019

Demokratët në Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se mund ta inkriminojnë presidentin Trump pavarësisht se raporti i Robert Myler e çlironte nga akuzat për lidhje me rusët. Demokratët kanë zgjedhur të fokusohen tek dyshimet e tjera që ngriheshin në raport, ato për pengim të drejtësisë.

Demokratët në Kongresin amerikan e kanë lënë të hapur mundësinë e inkriminimit të presidentit Donald Trump, por kanë deklaruar se së pari duhet të kryejnë hetimet e tyre nëse ai ka penguar hetimet e prokurorit të posaçëm Robert Myler. Liderët e partisë Demokratike kanë saktësuar se opsioni i inkriminimit është ende në fazë bisedimesh përpara zgjedhjeve të vitit 2020, edhe pse eksponentë të spikatur të grupit parlamentar kanë bërë thirrje për nisjen e procedurave që nga publikimi i raportit të Myler, ditën e enjte. Kryetari i komisionit gjyqësor të Kongresit, Xherrold Nedller ka deklaruar se demokratët do të insistojnë për hetime të shumta ndaj figurës së presidentit Trump dhe do të shkojnë aty ku do t’i çojnë provat. “Nëse pengimi i drejtësisë provohet, atëherë do të ketë inkriminim”, ka thënë Nedller. Një version i redaktuar i raportit të Myler, produkt i një hetimi të gjatë 22 muaj, sugjeronte gjerësisht se Trump kishte kryer pengim të drejtësisë, por nuk shkonte drejt rekomandimit të kryerjes së një krimi, edhe pse nga ana tjetër nuk e shfajësonte. Myler vinte në dukje se Kongresi ka kompetencën për të adresuar kontekstin nëse Trump ka shkelur ligjin dhe demokratët kanë paralajmëruar se çështja do të jetë objekt diskutimesh në javët e ardhshme. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono