infrastrukture

edi-rama-1280x720.jpg
G. P.15:37 | 09/09/2019

Rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare dhe shpërndarja e teksteve shkollore falas dërguan kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj tek “Mihal Grameno” në Tiranë. Sipas kryeministrit brenda dy vitesh, librat falas do t’i përfitojnë të gjithë nxënësit e shkollave nëntëvjeçare.

Dy ngjarje e çuan kryeministrin Edi Rama tek “Mihal Grameno” në Tiranë. Rikonstruksioni  i shkollës nëntëvjeçare. Shpërndarja e teksteve shkollore falas për nxënësit nga klasa e parë deri në klase të pestë. Brenda dy vitesh, thotë kryeministri, përfitues do të jenë të gjithë nxënësit në shkollat nëntëvjeçare.

“Këtë vit kemi shtuar klasën e pestë. Vitin tjetër do shtojmë të gjashtën dhe të shtatën, pastaj të tetën dhe të nëntën. Në fund, në sezonin 2021-2022 të gjithë librat nga klasa e parë te e nënta do jenë falas, por duhet t’i mbani mirë, se dëgjoj shumë që ankohen, thonë pse nuk kanë të drejtë t’i grisin, pse nuk kanë të drejtë t’i shkarravisin, pse nuk kanë të drejtë t’i humbin, pse nuk kanë të drejtë të bëjnë çfarë të duan, zyshat mund t’ua thonë, libri është shoku më i mirë. Të gjithë të tjerët shkojnë e vijnë libri mbetet”, tha Rama.

Sa i përket ndryshimit në infrastrukturën e shkollës nëntëvjeçare kryebashkiaku Erion Veliaj tregon se ka ende punë për t’u bërë.

“Tani duhet të bëjmë fushat e sportit mbrapa. Rëndësi ka që iku podrumi se ju ishit si anije, sipër mësim, poshtë ujë. Në pamundësi për t’i bërë të dyja, kemi bërë fillimisht shkollën, pastaj faza e dytë do të jenë të gjithë fushat sportive. ”

Shkolla 9-vjeçare “Mihal Grameno” ka rreth 1300 nxënës, të cilët mësojnë në 38 klasa mësimore si dhe 2 klasa parashkollore./ABC News Albania 24/7

44522746_192189291667166_3782928287177637888_n.jpg
ent ela10:43 | 21/10/2018

Pas rehabilitimit të shatërvanëve, lulishtes, por edhe vendosjes aty të skulpturës së artistit me famë botërore Helidon Xhixha, Bashkia e Tiranës po kujdeset edhe për gjithe pjesën e infrastrukturës.

Punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Mirëmbajtjes së Rrugëve, kanë bërë riasfaltimin e segmenteve hyrëse në rrethrrotullim të cilat më parë paraqisnin problem dhe ishin bërë një shqetësim për drejtuesit e automjeteve.

Siç shihet edhe në foto, në pjesën fundore të rrugës së “Durrësit” është rehabilituar asfalti dhe janë ndrequr të gjitha dëmtimet e rrugës ndërsa ka  vijuar puna edhe me vijëzimin për të rritur sigurinë e këmbësorëve dhe për të normalizuar qarkullimin e automjeteve.

Gjithashtu po punohet edhe për rivendosjen nga e para të sinjalistikës horizontale duke dhënë më shumë siguri për drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët, por edhe duke i dhënë një pamje më të bukur një prej portave kryesore hyrëse në Tiranë.

Vetëm një javë më parë kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro  inauguruan në rrethrrotullimin e Zogut të Zi skulpturën “Cosmic S” të artistit shqiptar me famë botërore Helidon Xhixha i cili gjithashtu ishte i pranishëm në këtë aktivitet.

infermiere.jpg
G. P.15:53 | 08/06/2018

Thuajse të gjitha qendrat shëndetësore paraqesin probleme në infrastrukturë. Në këtë përfundim ka dalë shoqëria civile, e cila ka monitoruar situatën në 268 qendra në vend. Ndërsa, sipas zëvendësministres së Shëndetësisë, situtata ka filluar të ndryshojë.

Një mjek u shërben rreth 2500 pacientëve, ndërsa në një qendër shëndetësore marrin shërbim 8 deri në 10 mijë persona. Në Tiranë numri mund të shkojë deri në 40 mijë. Lëviz Albania që ka monitoruar situatën ka konstatuar probleme në infrastrukturë thuajse në të gjitha qendrat e kujdesit shëndetësor parësor.

Fotot e marra nga terreni tërhoqën vëmendjen e zëvendësministres së Shëndeësisë, sipas së cilës situata nuk është e tillë kudo.

Monitorimi është kryer në 268 qendra shëndetësore për një periudhë gati një-vjeçare, ndërkohë që nuk ndalet në furnizimin e tyre me barna apo kualifikimin e personelit shëndetësor./abcnews.al

bushati.jpg
G. P.15:30 | 04/05/2018

Ditmir Bushati mori pjesë në Takimin e Tretë Ndërministror të Selanikut mes Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë. Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, tha se Shqipëria e ka merituar marrjen e rekomandimit për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE si rezultat i reformave të ndërmarra si dhe në adresimin e 5 prioriteteve kyçe.

Ecuria e perspektivës evropiane të rajonit ishte në qender të bisedimeve të Takimit të Tretë Ndërministror mes Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë, i cili u mbajt në Selanik. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, veçoi rëndësinë e këtij formati rajonal të bashkëpunimit për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe nxitjen e ndërveprimit në funksion të perspektivës së ardhshme evropiane të rajonit.

Në qendër të diskutimeve ishin zhvillimet më të fundit rajonale, veçanërisht pritshmërinë për avancimin e rrugës evropiane të vendit tonë, por edhe të Maqedonisë pas rekomandimit të Komisionit Evropian për çeljen e negociatave.

Temë e  diskutimeve ishte edhe identifikimi i sfidave të sigurisë për rajonin tonë, që burojnë nga zhvillimet  e fundit në Lindjen e Mesme, në rajonin e Mesdheut Lindor dhe gjetkë, si dhe ndikimi i këtyre zhvillimeve në krizën migratore drejt Ballkanit.

Në fjalën e mbajtur në tryezën e Ministrave të Jashtëm, ministri Bushati veçoi rëndësinë e këtij formati rajonal të bashkëpunimit për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe nxitjen e ndërveprimit në funksion të perspektivës së ardhshme evropiane të rajonit.

Gjithashtu Ministri Bushati theksoi se: “Procesi i reformave dhe i transformimit të rajonit tonë është i gjatë dhe i vështirë por ne jemi të vendosur për të çuar përpara këtë angazhim. Ndonëse ka një lodhje nga zgjerimi dhe një lodhje nga evropianizimi, por serish për ne nuk ka alternativë tjetër për zhvillimin apo për të konsoliduar sigurinë në rajonin tonë veç BE dhe NATO. Por nevoja kryesore mbetet dhënia e një substance procesit të integrimit në rajonin tonë”.

Në kuadër të diskutimeve mes Ministrave të Brendshëm dhe të Infrastrukturës, u morën në shqyrtim aspektet e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërkufitar, me fokus luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe parandalimit të fatkeqësive natyrore, si dhe të situatës së ndërlidhjes mes rrjeteve të transportit rrugor e hekurudhor të vendeve tona dhe mënyrat e mundshme për të çuar përpara bashkëpunimin në këtë fushë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono