inaugurim

daxing-1.jpg
ad min14:32 | 25/09/2019

Është inauguruar në Pekin terminali më i madh në botë. Parashikohet që aeroporti ndërkombëtar i Daxing në vitin 2021 të presë 45 milionë pasagjerë. Për ndërtimin e aeroportit janë dashur 4  vjet punë dhe më shumë se 10 miliardë euro.

Presidenti kinez, XI Jinping, inauguroi aeroportin e Daxing, në kryeqytetin kinez, i cili ka kushtuar 10.2 miliardë euro dhe u realizua pas më shumë se katër vitesh punë mbi një projekt të arkitektit Zaha Hadid, që u nda nga jeta në vitin 2016.

Terminali i ri është menduar për të lehtësuar presionin në aeroportin kryesor të kryeqytetit, aeroporti ndërkombëtar i Pekinit, aeroporti i dytë në botë në vitin 2018 për sa i përket trafikut ajror, pas atij  të Atalantës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Aeroporti i Daxing, i cili ndodhet 46 kilometra në jug të qendrës së Pekinit, sipas të dhënave të fundit do të jetë në gjendje të presë 45 milionë pasagjerë në vit duke filluar nga viti 2021, dhe 72 milionë pasagjerë në vitin 2025, duke mundësuar 630 mijë fluturime.

Objektivi afatgjatë është realizimi i trafikut ajror me më shumë se 100 milion pasagjerë në vit. Aeroporti i ri është zyrtarisht në funksion duke nisur nga e mërkura, pak ditë para festimeve për 70 vjetorin e themelimit të Republikës Popullore kineze, pasi ditët e fundit dhe testet e fundit ishin të suksesshme./ABC News Albania 24/7

komisariat-policia.jpg
ad min17:57 | 11/01/2019

Ministri i Brendshëm,  Sandër Lleshaj dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, morën  pjesë në inaugurimin e komisariatit nr. 6 në Tiranë. Lleshaj tha se ky është një shembull konkret për modernizimin e Policisë së Shtetit.

Sipas Ministrit të Brendshëm, fjala modernizim përbën kyçin e programit të tij në raport me Policinë e Shtetit.  Tashmë banorët e zonës së Kombinatit, që është një nga njësitë më të mëdha të kryeqytetit, pas pothuajse 3 dekadash mungesë vëmendje në këtë fushë kanë një komisarit të ri të rikonstruktuar tërësisht, sëbashku me zyrën moderne të shërbimeve për qytetarët./abcnews.al

doganat.jpg
ad min14:48 | 24/07/2018

Shqipëria dhe Kosova zyrtarizuan sot unifikimin e doganave dhe sistemit kufitar në Morinë. Bashkimi Europian, në kuader të fondeve IPA është finacuesi i këtij projekti të rëndësishëm, i cili synon të krijojë lehtësira në doganë, por edhe përshpejtim procedurash për lëvizjen mjeteve dhe qytetarëve në dy anët e kufirit.

Tani e tutje, Shqipëria dhe Kosova do të funksionojnë me një pikë të përbashkët kufitare në Morinë.

Në inaugurim ishte ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin, ambasadorja e BE në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe zëvendëskryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Senida Mesi dhe Enver Hoxhaj.

Zëvendëskryeministrja Mesi tha se rekomandimi që mori Kosova për liberalizimin e vizave dhe rrugëtimi evropian i Shqipërisë, shtojnë angazhimet e qeverive përkatëse për sigurimin, dhe menaxhimin cilësor të kufijve”.

“Do të ofrojnë shërbime për qytetarët dhe sipërmarrësit në kushte më të modernizuara. Dhe këto nuk janë standarde që ne duam të vendosim, por janë standarde të vendosura tashmë nga BE”, tha zëvendëskryeministrja Mesi.

Pika e re e Morinës është një financim i Bashkimit Europian. Ambasadorja Vlahutin e vlerësoi shumë të rëndësishëm këtë projekt, i cili standardizon nivelin e shërbimit qytetar me atë europian.

Investimi përfshin kabina të reja kontrolluese, sistem elektronik dhe ndërtesën administrative të cilat do të mundësojnë zbatimin e menaxhimit të integruar të kufirit. Pika kalimit kufitar në Morinë mbulon pjesën më të madhe të qarkullimit të mallrave përmes Kosovës, si dhe pothuajse të gjithë trafikun turistik që hyn në Shqipëri nga Kosova.  /abcnews.al

eqerem-cabej.jpg
ad min15:56 | 25/06/2018

Busti i gjuhëtarit dhe albanologut të shquar shqiptar Eqerem Çabej vendoset në kopshtin e Akademisë së Shkencave. Në ceremoninë e inaugurimit ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili krahas vlerësimit të kësaj figure madhore të gjuhës shqipe, ai çmoi edhe realizimin e skulpturës nga Hektor Dule.

Inaugurim i bustit të Eqerem Çabejt sjell kryeministrin e Shqipërisë mes akademikëve. Edi Rama e cilësoi si një prej fjalimeve më të vështira që ka mbajtur, pasi sipas tij, i rëndon pesha dhe madhështia e Çabejt.

Edi Rama: “Është një rast posaçërisht i veçantë, që sprovon të gjithë eksperiencën e fjalëve të mbajtura përpara njerëzve, pasi, të flasësh shqip, për të nderuar një njeri aq të bukur sa Eqerem Çabej, përkushtimi dhe kontributi i të cilit për shqipen e ktheu përjetësisht në lartmadhërinë e shkencave albanologjike, është një sfidë më vete”.

Nga ana tjetër, veprën e skulptorit Hektor Dule e çmoi për realizimin dhe e krahasoi për nga niveli me bustin Naim Frashërit e realizuar nga Odise Paskalin.

Skulptori thotë se rikthimi në ambientet e Akademisë së Shkencave pas 63 vitesh me një figurë kaq madhore, nuk ka qenë i lehtë. Synimi i tij, ku ishte forcës së mendimit.

Ai rrëfen se për realizimin e këtij busti ka shfrytëzuar edhe njohjen me Çabejn, sëbashku me një foto të shkrepur prej tij po në këtë pozicion.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama thotë se ka ardhur koha që t’i rikthehet doktoratura e Çabejt publikut në lidhje me etimologjinë e shqipes.

Në kopshtin e Akademisë së Shkencave busti i Eqerem Çabejt është i dyti pas atij të Aleks Budës. /abcnews.al

izrael-palestine.jpg
ad min15:43 | 19/05/2018

Të hënën e 14 Majit, ambasada amerikane në Izrael u transferua zyrtarisht nga Tel Aviv në Jeruzalem, duke shkaktuar protesta të mëdha të palestinezëve në Rripin e Gazës dhe Cisjordani. Ngjarja, me një domethënie shumë të madhe politike dhe simbolike, u shoqërua me një ceremoni në ndërtesën e re të ambasadës, në zonën e Arnonës, ndërsa në kufi mes Rripit të Gazës dhe Izraelit 63 palestinezë u vranë dhe 2400 të tjerë u plagosën nga ushtarët izraelitë. Vendimi kontrovers i Donald Trump për të transferuar ambasadën në Jeruzalem, pra në qytetin që më shumë pretendohet nga dy palë në histori, po jep një impakt të madh në Izrael.

Por kjo nuk është hera e parë që një vend i huaj vendos të hapë një ambasadë në Jeruzalem. Kishte ndodhur më parë në fillim të viteve ’50 me ambasadat e 16 shteteve ndër të cilët një europian. Hapjet e ambasadave të para në Jeruzalem datojnë në vitet pas luftës së parë arabo – izraelite, që u zhvillua pas lindjes së shtetit të Izraelit në 1948-ën. Izraelit iu deklarua luftë nga disa vende të ndryshme arabe, por u fitua nga Irzaeli. Si pasojë me qindra mijëra palestinezë u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre në atë që u konsiderua si eksodi i madh i 1948-s, dhe që në botën arabe njihet si nakba – katastrofa. Që atëherë statusi i Jeruzalemit mbeti pezull.

Në vitin 1947, OKB-ja kishte propozuar që jeruzalemi, si qytet i shenjtë për tre fe kryesore si krishtërimi, hebraizmi dhe islami, të ishte ndërkombëtar dhe i prekshëm për të gjithë qytetarët e botës. Negociatorët izraelitë e pranuan planin, ndërsa palestinezët jo. Me armëpushimin që i dha fund luftës në vitin 1948, Jeruzalemi u nda në dy pjesë; territoret në lindje iu dhanë Jordanisë, dhe ato në perëndim Izraelit. Në vitin 1950 qeveria izraelite e shpalli Jeruzalemin si kryeqytetin e përjetshëm dhe pjesë të pandashme të shtetit të Izraelit. Vitet që pasuan 16 shtete hapën ambasadat e tyre atje, dhe pse statusi i qytetit ishte ende i paqartë: tre vende afrikane; Bregu i Fildishtë, Zaire – aktualisht Republika Demokratike e Kongos dhe Kenia; 12 vende latine amerikane: Bolivia, Kili Kolumbia, Kosta Rika, Republika Domenikane, Ekuadori, El Salvadori, Panamaja, Uruguai, Venezuela, Guatemala dhe Haiti; si dhe një europian, Vendet e Ulëta.

Në atë kohë sipas mediave izraelite, hapja e një ambasade në Jeruzalem nuk nënkuptonte domosdoshmërisht një njohje të qytetit si kryeqytet të Izraelit. Ideja që mbizotëronte ishte se statusi i Jeruzalemit ishte ende pezull dhe do të vendosej nëpërmjet negociatave mes izraelitëve dhe palestinezëve. Ishte dhe idea që një shtet palestinez do të lindte herët a vonë dhe që Jeruzalemi do të ishte një kryeqytet i ndarë në dy pjesë. Pjesa lindore do të ishte kryeqytet palestinez dhe ajo perëndimore izraelit. Mes viteve ’70 – ’80 të gjithë këto vende mbyllën ambasadat e tyre në Jeruzalem. Po në këtë periudhë ndodhën dy gjëra të rëndësishme lufta e Jom Kipur në 1973-shin dhe miratimi i ligjit thelbësor nga ana e parlamentit izraelit në vitin 1980.

Lufta e Jom Kipur nisi në 6 Tetor, ditën e festës më solemne në kalendarin hebre, që njihet pikërisht me këtë emër. Izraeli u sulmua një kohësisht nga Egjipti i Anuar Sadat dhe nga Siria e Hafez al Assad të dy përfaqësues të lëvizjes nacionaliste panarabe dhe të vendosur për të rimarrë territoret e vendosura nën kontrollin e Izraelit me luftën e gjashtë ditëve në 1967-n. Pas ditëve të tëra me humbje të mëdha në jetët e njerëzve, ushtria izraelite reagoi dhe shtypi sulmet.

Pavarësisht paralajmërimeve të Këshillit të Sigurisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në vitet në vijim, Izraeli vazhdoi të përforconte kontrollin e tij në Jeruzalem,duke miratuar amendamente të ligjit thelbësor. Edhe sot e kësaj dite, Izraeli konsideron Jeruzalemin si kryeqytetin e tij, dhe në Jeruzalem ndodhen ndërtesat e qeverisë dhe parlamentit izraelit. Për këtë arsye ngjarjet e ditëve të fundit kanë një rëndësi të madhe pasi nuk bëhet fjalë vetëm për një seli diplomatike, por për shumë më tepër.

“Çfarë dite e lavdishme! Mbajeni mend këtë moment. Kjo është historia”.

Kështu u shpreh kryeministri Beniamin Netanyau në tribunën e ambasadës së re amerikane në Jeruzalem.

Ndërsa nga ana tjetër për palestinezët është një ditë masakre e tmerrshme, e cila numëron 63 viktima, mes të cilëve dhe minorenë dhe më shumë se 2 mijë të plagosur mes Rripit të Gazës dhe Izraelit. Numra që nëse i shtohen 49 viktimave dhe më shumë se 700 të plagosurve në marshimin për të drejtën e rikthimit, të datës 30 Mars, bëjnë një shifër prej më shumë se 100 të vdekur dhe qindra të plagosur.

Kanë qenë të menjëhershme reagimet e liderëve botërorë për zhvendosjen e ambasadës amerikane në Jeruzalem, në një situatë të rrethuar nga një klimë tensionesh të forta. Gjatë fjalës së tij në Këshillin e Sigurisë, i dërguari i OKB-së për Lindjen e Mesme, Nikolai Mladenov, pohoi se nuk ka asnjë justifikim për tragjedinë e ndodhur në Rripin e Gazës duke iu drejtuar Izraelit dhe Hamasit.

Turqia nga ana e saj dëboi nga vendi ambasadorin izraelit në vend, Eitan Naeh, pasi i komunikoi vendimin në Ministrinë e Jashtme turke. Në të njëjtën kohë, Turqia i kërkoi ambasadorit të saj në Izrael që të rikthehet sa më shpejt. Kryeministri turk, Binali Yildirim, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë bashkëpërgjegjës në krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës.

Nga ana e tij, presidenti turk ErdoGan e cilësoi transferimin e ambasadës si një shpërblim për qeverinë izraelite dhe një ndëshkim për palestinezët. Ndërkohë Liga Arabe i kërkoi prokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare që të hapë hetimet për krimet e pushtimit izraelit të kryera kundër palestinezëve në 14 Maj 2018.

Ministri i Jashtëm belg gjithashtu thërriti në një takim urgjent ambasadorin izraelit në Belgjikë për të diskutuar rreth ngjarjeve të ditëve të fundit. Edhe Belgjika ka kërkuar hapjen e hetimeve ndërkombëtare. Kryeministrja britanike, Theresa May u shpreh e shqetësuar për dhunën dhe viktimat në Rripin e Gazës duke bërë apel për qetësi dhe shmangie të veprimeve shkatërruese ndaj përpjekjeve për paqe në rajon.

Londra zyrtare theksoi dhe njëherë më shumë se nuk është dakord me vendimin e marrë nga Presidenti amerikan, Donald Trump, për të transferuar ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Tel Aviv në Jeruzalem. Në deklaratën për shtyp të Dawning Street theksohej se Mbretëria e Bashkuar mbetet e vendosur për gjetjen e një zgjidhjeje për dy shtete me Jeruzalemin si kryeqytet të përbashkët.

Por kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk ka rezistuar dot në heshtje ndaj këtyre akuzave duke u shprehur me anë të një statusi në profilin e tij në Twitter se çdo vend ka për detyrë të mbrojë territorin e tij. Sipas Netanyahu organizata terroriste Hamass do të shkatërrojë Izraelin. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbajtur të njëjtin qëndrim me Izraelin me Shtëpinë e Bardhë që akuzoi Hamasin për dhunën përgjatë kufirit mes Rripit të Gazës dhe Izraelit duke thënë se ky i fundit ka të drejtë të mbrohet.

Presidenti i autoritetit kombëtar palestinez Abu Mazen e cilësoi masakër vrasjen e më shumë se 60 palestinezëve dhe plagosjen e mbi 2 mijë të tjerëve. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të kenë më rolin e ndërmjetësuesit në konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u shpreh i shqetësuar për numrin e viktimave duke thënë se nuk ka asnjë plan B ndaj zgjidhjes së dy shteteve që do u lejonin dhe izraelitëve dhe palestinezëve që të jetojnë në paqe.

OKB kishte kërkuar hapjen e një hetimi të pavarur për atë që ndodhi në Rripin e Gazës, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës e bllokuan këtë iniciativë. Federica Mogherini, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për çështjet e jashtme i kërkoi Izraelit që të respektonte kufijtë e përdorimit të forcës, si dhe të drejtën e palestinezëve për të protestuar. Mogherini i bëri apel dhe Hamasit, që manifestimet të jenë paqësore dhe të mos shfrytëzohen për qëllime të tjera.

Ministri i Jashtëm iranian Zarif e cilësoi hapjen e ambasadës amerikane në Izrael si ditën e turpit të madh, në një kohë që palestinezët numërojnë viktimat në Rripin e Gazës, Trump feston transferimin e paligjshëm të ambasadës amerikane. Kryetari i parlamentit iranian, Ali Larijani, premtoi se tërheqja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga marrëveshja për programin bërthamor dhe hapja e ambasadës amerikane në Jeruzalem nuk do qëndrojë pa u ndëshkuar.

Irani kërkoi që Izraeli të gjykohet nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime lufte pas masakrës brutale ndaj manifestuesve palestinezë. Liga Arabe, e përbërë nga 22 shtete i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që të kundërshtojë vendimin e padrejtë të pushtimit izraelit të Jeruzalemit. Dhe Egjipti dënoi situatën duke vendosur në dispozicion disa spitale për mjekimin e të plagosurve. Ambasadori i Afirkës së Jugut në Izrael është thërritur në atdhe në shenjë proteste kundër veprimit të fundit të agresionit të dhunshëm të Izraelit në Rripin e Gazës.

Ekzistojnë disa pika kritike për të cilat nuk është gjetur asnjëherë zgjidhja, tre sidomos: kufijtë; palestinezët kërkojnë rivendosjen e kufijve sipas linjës së gjelbër para luftës së 1967-s, e drejta kontroverse e rikthimit në tokën e tyre të refugjatëve palestinezë (numërohen tashmë miliona refugjatë të shpërndarë në kampe refugjatësh në vendet mike si Jordani, Liban dhe Siri, ndërsa pika e tretë mbetet Jeruzalemi. Sot në fakt, pjesa më e madhe e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe shumë organizata ndërkombëtare nuk ia pranojnë Izraelit aneksimin e Jeruzalemit lindor, dhe as e njohin Jeruzalemin si kryeqytet izraelit.

Vendimi i Trump largon gjithnjë e më shumë perspektivën palestineze për të parë Jeruzalemin lindor si kryeqytet i një shteti të ardhshëm e të pavarur palestinez dhe jashtë çdo kontrolli të jashtëm. Përkundrazi për izraelitët, Trump dhe vendimi i tij janë kthesa e një zhvillimi epokal që do i japë atyre më shumë forcë për të vazhduar rrugën e ndërmarrë dhe që mund të nënkuptojë dhe njohjen e pranimin e ndërtimeve të paligjshme në territorin palestinez.

Për këtë arsye kreu i Shtëpisë së Bardhë është tashmë dhe një skuadër futbolli në Izraeli, ku Beitar Jeruzalem është gati të ndryshojë emër. Nuk është një lojë ironike fjalësh dhe asnjë epitet moment. Beitar Trump Jeruzalem është emërtimi i ri i një prej skuadrave më me shumë fitore në Jeruzalem. Lajmi u konfirmua nga vetë drejtuesit e skuadrës në formë homazhi për Presidentin amerikan për vendimin e tij në rishkrimin e historisë. Por ky vendim ka ngjallur shumë polemika për vetë faktin se skuadra, drejtuesit, por dhe tifozët e saj njihen për prirjet ksenofobe dhe ekstremiste. E themeluar në vitin 1936, skuadra lindi si një degë sportive e partisë revizioniste Zioniste, duke ndarë të njëjtat ideologji nacionaliste dhe duke rënë në sy për grupin e saj të ultrasve, të njohur për manifestimet e dhunshme raciste.

Në vitin 2013, skuadra në fjalë zuri një hapësirë shumë të madhe në kronikat ndërkombëtare pas protestave të dhunshme dhe kërcënimeve me armë kundër vendimit të drejtuesve të saj për të blerë dy futbollistë ruso – çeçenë, pra myslimanë. Pas gjashtë kampionatesh, shtatë kupash të Izraelit, dhe gjoba të panumërta për kore raciste dhe sjellje të dhunshme, skuadrën e pengojnë vetëm dy gjëra për të shtuar emrin e Trump në emërtimin e saj. Klubi i futbollit duhet në fakt të vendosë propozimin në tryezën e federatës izraelite të futbollit, si dhe fakti që emri Donald Trump në Izrael është një markë e regjistruar që nga 2008. Tashmë çdo gjë është në duart e burokracisë./abcnews.al

jeruzalemi.jpg
ad min12:54 | 14/05/2018

Në pritje të ceremonisë së inaugurimit të ambasadës amerikane në Jeruzalem, palestinezët janë grumbulluar në rripin e Gazës gati për protesta. Ky event  përkon me 70-vjetorin e themelimit të shtetit izraelit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvendosin sot ambasadën e tyre nga Tel Aviv në Jeruzalem. Një vendim i cili që në momenin kur u bë publik gjashtë muaj më parë, provokoi tensione të forta dhe u dënua nga ana e palestinezëve, të cilët kanë paralajmëruar protesta.

Ceremonia e inaugurimit koinçidon me 70-vjetorin e themelimit të Izraelit. Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk do të marrë pjesë, por do të përshëndesë të pranishmit me anë të një video konference. Të pranishëm do të jenë diplomatët amerikanë, Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj Xherëd Kushner.

Ambasada ndodhet në brendësi të konsullatës në zonën rezidenciale të Arnonës, e cila është blinduar, ndërkohë që parashikohet të gjendet një hapësirë më e madhe, ku të vendoset përfundimisht.

Me mijëra palestinezë janë mbledhur përgjatë perimetrit që ndan Izraelin nga Rripi i Gazës. Nga fundi i muajit Mars, protestat dhe manifestimet nga ana e palestinezëve kanë shkaktuar 40 viktima. Të gjithë civilë palestinezë që janë vrarë nga ushtarët izraelitë.

Por inaugurimi do të bëhet sot, pavarësisht kundërshtimit të fortë të botës arabe, palestinezëve, Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe pjesës më të madhe të komunitetit ndërkombëtar, përfshirë Bashkimin Europian. Të gjithë janë të shqetësuar se ky vendim do të jetë fundi i zgjidhjes për bashkëekzistencën e dy shteteve.

Në frontin europian do të jenë katër nga 28 shtete anëtare të BE-së që do të jenë të pranishme në Jeruzalem: Austria, Hungaria, Rumania dhe Republika Çeke. Por mediat izraelite shkrujanë se nuk do të jenë të pranishme Rusia dhe as Egjipti.

E gjithë zona përreth ambasadës dhe kufirit është blinduar nga forca specialë të sigurisë. Shteti hebre thotë se nuk do një përshkallëzim të situatës por në të njëjtën kohë premton se asnjë palestinez nuk do të mund të kalojë kufirin. Ushtarët izraelitë paralajmërojnë se ata që duan të mos vriten nuk duhet të afrohen.

Por paralajmërimet dhe kërcënimet nuk kanë funksionuar pasi që në orët e para të mëngjesit të së hënës, në Rripin e Gazës, kamionë dhe autobusë janë dërguar në pika të ndryshme të qytetit për të transportuar manifestues në kufi me Izraelin ku janë organizuar protesta nën moton Dita e Zemërimit. Nga altoparlantët e xhamive muezinët i bëjnë thirrje popullsisë qët ë bashkohen masivisht në protesta për të arritur shifrën e një million protestuesve./abcnews.al

ahmetaj-1280x657.jpg
ad min22:25 | 07/03/2018

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ishte në Shkodër e rastin e 7 Marsit, për të inauguruar shkollën e rikonstruktuar profesionale “Hamdi Bushati”, një investim i buxhetit të shtetit në vitin 2017, në vlerën 85 milionë lekë.

Mbi 500 nxënës të profileve hoteleri-turizëm, konfeksione dhe ekonomi-biznes, do të mësojnë e zhvillojnë praktikë në ambientet e reja.
Ministri bëri me dije edhe një vendim të fundit, për stimulimin e familjeve në ndihmë ekonomike që të orientohen drejt formimit profesional me qëllim punësimin, duke iu mundësuar atyre një pagesë në masën e gjysmës së pagesës së papunësisë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono