humbje

panuci.png
G. P.22:58 | 14/10/2018

Në fund, rëndësi kanë pikët dhe jo loja e mirë. Kështu thotë aksioma e futbollit, ndërsa kombëtarja shqiptare do të donte të kujtonte formulën tjetër, atë që pas lojës së mirë vijnë edhe rezultatet.
Duhet të presim gjithsesi, sepse rezultati këtë herë nuk ishte me ne, por me Izraelin që fitoi 2-0 në stadiumin e Haifës, duke iu afruar kualifikimit për në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve.

Kualifikim që duket i pamundur për ekipin e trajnerit Kristian Panuçi, pas njërës prej ndeshjeve më të mira të zhvilluara prej tij. Kombëtarja reagoi pas humbjes së rëndë në fushën e Skocisë, duke qenë më e mirë sesa izraelitët në pjesën më të madhe të kohës. Një lojtar i ri si Uzuni ishte vërtet zbulim, po ashtu Grezda u konfirmua si vlerë e shtuar, ndërsa Lilaj që zëvendësoi Bashën, dha një shtysë më shumë për lojën e kuqezinjve. Jo vetëm kaq, por edhe mbrojtësit e krahut, Hysaj e Binaku, shtynë përpara duke ndihmuar sulmin, ndërsa vendasit u detyruan të mbylleshin në gjysmëfushën e tyre. Shqipërisë së Panuçit, sidoqoftë, i mungoi gjëja më e rëndësishme, goli.

Nxitimi para portës kundërshtare ishte i madh, pra qetësia psikologjike u duk larg. Po ashtu, ekipi përfaqësues pati edhe fat, pasi portieri Strakosha bëri pritje të rëndësishme, ndërsa mungoi edhe pjekuria. Mbrojtja e një skuadre që pretendon vështirë se mund të pësojë gola, siç ishte i pari i izraelitëve. Pas tri ndeshjeve në grup, kombëtarja ka vetëm 3 pikë, golaverazh negativ, 1-4, por gjithsesi paraqitja në Haifa bën që Panuçi ta meritojë mundësinë për të vazhduar punën. Ndoshta do të jemi ndryshe në eleminatoret e Europianit./abcnews.al

MBULIM-ZGJEDHJET-NE-GJERMANI.mpg_snapshot_00.19-1280x823.jpg
G. P.22:47 | 14/10/2018

Partia simotër e Angela Merkel ka pësuar humbje të mëdha në landin e Bavarisë, ku u votua këtë të dielë për parlamentin vendor. Mediat gjermane i referohen sondazheve të dala pas mbylljes së kutive të votimit, në landin me 9.5 milionë zgjedhës. Social demokratët e CSU duket se kanë humbur shumicën që gëzonin në parlamentin e landit të Bavarisë.Të gjelbrit renditen sipas sondazheve në vendin e dytë, ndërsa AFD, partia kundër emigrantëve hyn në këtë parlament për herë të parë.

Rezultati konsiderohet një goditje e fortë për partinë simotër, aleate qeverisëse e kancelares Merkel, që dominonte në Bavari që prej vitit 1957, por që humbi mbështetje, teksa opinioni public është i ndarë mbi çështje si emigracioni. Sondazhet e televizioneve më të mëdha gjermane thonë se Unioni Kristian Social, CSU ka marrë 35.5% të votave, duke rënë me 12 pikë krahasuar me katër vite më parë, ndërsa të majtët pro emigracion, të Gjelbrit, 19% të votave. Alternativa për Gjermaninë, AFD, renditet e katërta me 11% të votave të siguruara me kanditatë të pavarur, që njihen si Votues të Lirë. Partnerët e qendrës së majtë të Merkel, Social Demokratët e SPD, renditen të pestët me 10% të votave./abcnews.al

KOMBETARJA-GJERMANE-NE-KRIZE.mpg_snapshot_00.05-1280x783.jpg
G. P.19:55 | 14/10/2018

Kombëtarja gjermane është nën kritika të ashpra pas humbjes së rëndë ndaj Holandës në Ligën e Kombeve. I akuzuari kryesor, trajneri Joakim Lëv.

Cila skuadër mund të pësojë 6 humbje në 10 ndeshjet e fundit? Padyshim që nuk mund të jetë Gjermania, por ja që është pikërisht ajo. Kampionia e botës deri në qershor të këtij viti, kapitulloi përsëri, madje për zemërimin e tifozëve, në derbin aq shumë të ndjerë ndaj Holandës. Askush nuk mund ta mendonte që formacioni holandez, prej vitesh i çoroditur plotësisht, do të ishte në gjendje të shkatërronte 3-0 katër herë kampionët e botës, në ndeshjen e Ligës së Kombeve në Amsterdam. Van Dajk, Depai dhe Vajnaldum ishin autorët e golave. Kjo disfatë, bashkë me barazimin në fushën e vet ndaj Francës, rrezikojnë që Gjermania të bjerë nga kategoria në këtë kompeticion, duke zbritur në nivelin B. Paradoksi ishte i madh, pasi skuadra e trajnerit Joakim Lëv pati mjaft raste për të shënuar, pra ishte në gjendje të luante futboll, ndërsa deri në minutën e 87-të rezultati ishte vetëm 0-1.

“Ne kemi humbur besimin, – ishte analiza e Joakim Lëvit, – problemi ynë më i madh është që nuk po shfrytëzojmë rastet. Mund të kishim kaluar të parët në avantazh, patëm disa mundësi gjatë ndeshjes, dhe gjithçka do të kishte shkuar ndryshe”.

Lëv u bë pikërisht ndaj Holandës, trajneri rekordmen i Gjermanisë me 168 ndeshje në stol, por nuk ishte një mbrëmje e lumtur. Ish-ylli Mikael Balak ishte shprehur kritik ndaj Lëvit që përpara ndeshjes, duke thënë për “Dojçe Velen” se “jam i habitur sesi trajneri nuk u shkarkua pas Botërorit”. Legjenda e dikurshme e Gjermanisë, Oliver Kahn, i doli në krah trajnerit, por me paralajmërim.

“Tashmë, Botërori ka mbetur prapa, – u shpreh ai në studion e ZDF-së, – kritika të tilla nuk ndihmojnë, por vetëm prishin punë. Është e qartë se lojtarët dhe trajneri janë në borxh me publikun, por është koha që futbollistët dhe sidomos kampionët e botës të tregojnë veten”.

Mediat gjermane, padyshim që ishin të ashpra.
“Bild”: “Bilanci horror i Jogit, Gjermania nuk kishte pësuar kaq shumë humbje që nga viti 1985. Presidenti flet për krizën, por kritikat për trajnerin janë me tone të buta”.
Revista “Kiker”: Kombëtarja, vetëm karrikatura e vetvetes! Presidenti Grindel për thirrje për unitet, ndërsa drejtori sportiv, Birhof, nuk pranon të flasë.
“Berliner Cajtung” bën ironi për lojtarët e Bajernit: Blloku i Bajernit, Nojer, Humels, Boateng, Myler, zgjuan simpati në kombëtare!
“Frankfurter Algemajne Cajtung” flet për tifozët: Ne nuk jemi aspak fajtorë! Tifozët iu kundërvunë lojtarëve kur këta shkuan t’i përshëndesnin pas ndeshjes.

Joakim Lëv ende nuk mund të thuhet se rrezikon postin, por për tifozët kjo nuk ka shumë rëndësi. Kryesorja është se kur Gjermania e tyre do të jetë përsëri e madhe./abcnews.al

shqiperia-2.png
G. P.15:50 | 13/10/2018

Shqipëria U19 pëson një humbje të thellë në ndeshjen e dytë të eleminatoreve të Europianit. Sllovakia ia doli me shifrat 3-0 në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.

Në sfidën e parë dha shpresë, por këtë herë zhgënjeu plotësisht.

Shqipërisë U19 nuk i mjaftoi aspak aspak mbështetje faktin se luante në fushën e saj, dhe u mposht thellësisht, 0-3, nga Sllovakia në eleminatoret e Europianit.

Formacioni i trajnerit Erion Bogdani, u godit që në fillim në “Niko Dovana” të Durrësit, dhe mund të thuhet që u dorëzua për 32 minuta, pasi për kaq kohë sllovanët shënuan tre golat, me autor dy herë Kmec dhe një herë Kadak.

Mëkat për ekipin dhe për trajnerin Bogdani, një nga personazhet më pozitivë të futbollit shqiptar. Ndaj Ukrainës, në ndeshjen e parë, humbja ishte vetëm 0-1, me gol të pësuar 5 minuta para fundit.

Me këtë disfatë, Shqipëria U19 është tashmë larg kualifikimit për në fazën e dytë, me 0 pikë pas dy sfidave.

Kombëtarja e të rinjve do të dalë për herë të fundit në fushë, në 16 Tetor ndaj Norvegjisë, dhe sërish në “Niko Dovana”, me shpresë që t’i bëjë një mbyllje të mirë fazës eleminatore të Europianit./abcnews.al

erlind-gjana-1.jpg
G. P.12:47 | 26/09/2018

Policia britanike po kërkon një minoren shqiptar, i cili është zhdukur para disa muajsh.

Erlind Gjana, 16 vjeç, është parë për herë të fundit në zonën ku ai banonte në Bournemouth më 10 Korrik të këtij viti.

Erlind Gjana

Autoritetet po e kërkojnë prej kohësh vendndodhjen e të riut dhe kanë zbuluar se ka udhëtuar në kryeqytetin britanik dhe në Kent.

“Nuk kemi informacione që sugjerojnë se Erlindi mund të jetë lënduar, por ai është zhdukur prej një kohe të gjatë dhe tani jemi të interesuar të dimë nëse është i sigurtë dhe mirë. Kemi bërë hetime për të lokalizuar vendndodhjen e Erlindit dhe kemi zbuluar që ka udhëtuar në Londër dhe Kent”, shprehet detektivja Sara Watts.

I riu shqiptari është 1 metër e 60 centimetra i gjatë, ka trup të hollë dhe flokë të errëta. Autoritetet u bëjnë thirrje njerëzve që të japin informacione nëse dinë ndonjë gjë në lidhje me Gjanën.

“U bëj thirrje çdokujt që ka informacione mbi vendndodhjen e tij, apo nëse shohin një person të ngjashëm me përshkrimin të kontaktojnë policinë. Dua gjithashtu t’i them Erlindit që të na kontaktojë direkt ne sepse jemi të interesuar të dimë nëse është mirë”, thotë detektivja Watts për mediat britanike./abcnews.al

scotlandd.jpg
G. P.23:01 | 10/09/2018

Dorëzim pa kushte i kombëtares në fushën e Skocisë, në sfidën e dytë të Ligës së Kombeve. U pësua një humbje e merituar, ndërsa shqetësimi mbetet i madh për të ardhmen.

Nëse fitorja me Izraelin na bëri të harrojmë disa të vërteta, mbrëmja e Glasgow-t na i kujtoi përsëri. Shqipëria fitoi edhe me fat në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve, ndërsa pësoi disfatë plotësisht të merituar në fushën e Skocisë.

Dorëzimi pa kushte në “Hampden Park” na kujtoi se ishim pikërisht ne që humbëm 0-3 me Kosovën dhe 1-4 me Ukrainën, edhe pse në miqësore.

Na solli ndërmend sesa herë largohen nga fusha lojtarë si Basha, kombëtarja sikur nuk di ta qarkullojë topin, qoftë edhe përballë një kundërshtari që nuk ishte ndër më të fortët e mundshëm.

Tifozët, padyshim që u zhgënjyen, edhe ata që ishin në stadium, edhe ata që e ndoqën nga televizori, ndërsa pyesin se kur do të arrijmë të shikojmë atë ekip që fitoi në Portugali, mundi Francën e barazoi në Francë në miqësore, përballoi Serbinë në Beograd, apo shkëlqeu në Euro 2016?

Panuçi bëri dy ndryshime në formacion, duke hedhur në fushë Lilajn në vend të Bashës, dhe Ndojin në pozicionin e Hykës, por sidomos pjesa e parë ishte tepër e dobët, edhe pse përfundoi 0-0.

Skocezët, pikërisht ata që u mundën 0-4 nga Belgjika, patën mundësi të realizonin disa herë, edhe pse herë nuk patën fat, dhe herë gabuan vetë. Fati u kthye përmbys pas pushimit, me vendasit që u dukën se shënuan në pozicion jashtë loje.

Po ashtu, britanikët shpëtuan mirë në dy raste të pastra që pati Bekim Balaj, në minutat pas pësimit të golit. Gjithsesi, reagimi shqiptar ishte me minutazh të shkurtër, ndërsa nuk u kuptua mirë nëse ekipi ra fizikisht apo edhe moralisht.

Kjo humbje tregoi se nuk mund të quhemi favoritë për kualifikimin në grupin tonë, madje pritet ta kemi të vështirë edhe në eleminatoret e Europianit./abcnews.al

TIRANA-E-NIS-ME-HUMBJE.mpg_snapshot_00.28-1280x720.jpg
G. P.12:59 | 19/08/2018

Tirana nuk e nisi aspak mirë sezonin e ri të Superligës. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ze Maria pësoi humbje në fushën e saj, nga Kamza.

Nisi me humbje rikthimi i Tiranës në Kategorinë Superiore. Skuadra kryeqytetase u mund nga Kamza, edhe pse luante në fushën e saj në stadiumin “Selman Stërmasi”. Të besuarit e trajnerit Ze Maria nuk është se luajtën keq, madje patën epërsi në pjesën më të madhe të kohës, duke krijuar disa raste për shënim, por nuk arritën të kalonin në avantazh. Më i miri i ndeshjes së javës së parë të Superligës ishte portieri mik, Avdyli, që bëri disa pritje shpëtimtare. Kamza përfitoi nga gabimet e vendasve dhe arriti të shënonte golin e fitores në minutën e fundit të takimit, me autor sulmuesin Sebino Plaku.

Kapiteni i kamzalinjve siguroi tri pikë shumë të rëndësishme për skuadrën e trajnerit Bledar Devolli. Tifozët bardheblu mbetën shumë të zhgënjyer nga humbja, ndërsa prisnin diçka tjetër nga ekipi i tyre, që sapo u rikthye në Superligë. Vitin e kaluar, Tirana luajti në Kategorinë e Parë dhe doli kampione, por nuk bëri shumë përforcime gjatë verës, diçka që me siguri ndikon për keq. Gjithsesi, është vetëm fillimi dhe trajneri Ze Maria ka premtuar që pas disa javësh, tifozët do të shikojnë Tiranën e vërtetë./abcnews.al

REALI-NE-KRIZE.mpg_snapshot_00.49-1280x725.jpg
G. P.12:43 | 17/08/2018

Reali i Madridit mund të quhet në krizë pas humbjes në Superkupën e Europës ndaj Atletikos. Drejtuesit e klubit të madh spanjoll po mendojnë sesi të dalin nga kjo situatë.

Nuk ishte vetëm një humbje, por edhe një sinjal alarmi. Disfata nën goditjet e Diego Kostës dhe të Atletikos, në Superkupën e Europës, u ndje fort dhe dhimbshëm tek Reali. Tri herë radhazi kampionët e Europës, pavarësisht emrit dhe talentit pa fund në skuadër, nuk ndihen më të sigurt në vetvete. Trajneri Hulen Lopetegi dhe presidenti Florentino Perez mësohet se kanë nisur menjëherë të mendojnë se çfarë nuk shkon në skuadër. Mediat në Spanjë njoftojnë se tek Reali mendojnë që e vetmja mënyrë për të ndryshuar gjërat është të marrin përforcime.

Flitet se duhet një qendërmbrojtës, një mesfushor dhe një sulmues edhe pse nuk jepen objektiva konkrete. Nga Reali janë larguar pikërisht lojtarë të tillë, një mbrojtës si Teo, një mesfushor si Kovaçiç, dhe një sulmues si Kristiano Ronaldo. Me CR7-n, golat ishin të garantuar dhe statistikat janë të qarta, që Reali kaloi kufirin e 100 golave në kampionat në 8 nga 9 sezonet kur kishte në skuadër portugezin. Tashmë, madrilenët kanë humbur edhe besimin e tifozëve, pavarësisht festimeve në stadiumin e Madridit pas fitores së trofeut “Bernabeu”.

Kjo del nga një sondazh në gazetën “Marka”, anketë që bëhet më e besueshme kur mendon se kjo gazetë është shumë pranë Realit. Kush do të dalë kampion, ishte njëra pyetje, dhe tifozët që padyshim më së shumti janë të Realit, i dhanë gati 54 për qind të shanseve Barcelonës. Jo vetëm kaq, por vendi i dytë sipas tyre i takoi Atletikos me 21 për qind, ndërsa Reali doli vetëm i treti me 19 për qind. Kush do të jetë shënuesi më i mirë, ishte pika tjetër e sondazhit, dhe këtu diferencë ishte e frikshme (në mungesë edhe të Kristiano Ronaldos). Lionel Mesi mori 71 për qind të votave, duke qenë i dyti Diego Kosta me 7 për qind, Luis Suarez me 5, ndërsa më i miri i Realit, Garet Bejl, doli i katërti me vetëm 4.11 për qind./abcnews.al

facebook.jpg
G. P.09:57 | 27/07/2018

Facebook duket se nuk po e merr dot veten pas skandalit të rrjedhjes së të dhënave personale, me qëllim favorizimin e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale. Në bursat amerikane, rrjeti social më i madh në botë ka pësuar një humbje prej 100 miliardë dollarë.

Facebook ka pësuar një rënie historike ditën e enjte në bursat amerikane, duke humbur më shumë se 100 miliardë dollarë. Sipas mediave amerikane, aksionet e rrjetit social në tregjet financiare kanë rënë me 20 për qind, vetëm pak kohë pasi kompania kishte paralajmëruar investitorët për një rënie të të ardhurave dhe rritjes së shpenzimeve.

Parashikimet pesimiste për Facebook kishin ardhur pas përfshirjes së tij në hetimet për rrjedhjen e të dhënave personale të përdoruesve, për të ndikuar në favor të Donald Trump në zgjedhjet presidenciale. Gjithashtu, bordi drejtues i kompanisë njoftoi rritjen e shpenzimeve me 50 për qind, në përpjekje për të përmirësuar metodat e monitorimit të materialeve të postuara dhe garantimin e sigurisë për të dhënat e përdoruesve.

Sa i takon paralajmërimit të investitorëve për një rënie të të ardhurave, ajo do të vijë si pasojë e opsioneve të reja për të promovuar reklamat. Facebook, që zotëron gjithashtu Instagram dhe WhatsApp, ka deklaruar se kapacitetet e tij do të tkurren me rreth 30 për qind. Pasiguria që ka prekur grupin e drejtuar nga Mark Zuckerberg ka ndikuar edhe tek rrjetet e tjera sociale. Twitter, që është përballur me të njëjtat kritika, pësoi një rënie me 3 për qind, së bashku me Snap dhe WhatsApp./abcnews.al

fermere-toke-humbje.jpg
G. P.14:30 | 06/05/2018

Fermerët në Kukës janë nga ata njerëz që e duan tokën më shumë se kushdo tjetër. Shumë prej tyre nuk mund t’i lenë pa panuar parcelat dhe pse në fund nuk kanë fitime.

Nuk ka zbritur nga traktori që nga vitet 90-të. Dhe nuk ka fshat e fermë të Kukësit që Haki Elezi të mos ketë pa punuar. Por nga ajo kohë e deri kur nisën subvencionet për mekanikën bujqësore, ai nuk ka përfituar asgjë. Thotë që në jo pak raste punon veresie.

Në Kukës, fermerët janë në pikun e punës në bujqësi.

Mjete e fermerë janë në fushë e po plugojnë tokën për mbjelljen e misrit. Thonë se nuk kanë fitime, por nuk mund të lenë tokën djerrë.

Ka fshatarë që prej 25 vitesh e punojnë tokën. Ky është Bari Zeneli me 2 hektarë.  Nuk ka arritur t’i bëjë me hipotekë ndaj nuk përfiton as subvencionet.

Sefë Cengu, njohës i mirë i agrokulturës, shpeshherë i këshillon fermerët. Ai tregon problemet që kushtëzojnë zhvillimin e bujqësisë në zonë.

Një pjesë e mirë e fermerëve në Kukës nuk kanë certifikatë pronësie mbi tokën. Bashkia e Kukësit ka nisur procesin e regjistrimit në Shtiqen, njësia administrative që ka edhe pjesën më të madhe të tokës së punueshme, regjistrim që mendohet të përfundojë brenda këtij viti./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono