holanda

cakaj-1-1280x714.jpg
Sej rie19:45 | 06/06/2019

Pavarësisht këtij qëndrimi, gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, ministri i Jashtëm i Holandës Stef Blok ka vlerësuar arritjet e reformave të Shqipërisë veçanërisht në fushën e drejtësisë. Në një njoftim zyrtar të Ministrisë sonë të Jashtme, thuhet se në takimin mes Cakajt dhe homologut të tij holandez, është vlerësuar se progresi i Shqipërisë është i padiskutueshëm.

Po ashtu, u vlerësua bashkëpunimi bilateral midis mekanizmave të rendit dhe sigurisë, në mënyrë që të adresohen shqetësimet e ndërsjella, përfshirë edhe ato në fushën e migracionit të parregullt.

Ministri Cakaj theksoi nevojën për një vendim pozitiv të Këshillit për hapjen e negociatave të anëtarësimit, i cili do të ishte një mesazh inkurajues për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor./ABC News Albania 24/7

dutch-1280x549.jpg
G. P.14:39 | 06/06/2019

Shqipëria nuk është ende gati për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Gjatë debateve në parlamentin holandez për sa i përket hapjes ose jo të negociatave, ministri i jashtëm Stef Blok u tregua i prerë duke thënë se vendi ynë është ende larg. Ndërkohë që për Maqedoninë e Veriut ai është shprehur më pozitiv.

Qeveria holandeze nuk është e interesuar për hapjen e negociatave ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë. Ndërsa për Maqedoninë e veriut ka ende shpresë. Deklarata e prerë dhe e qartë u bë nga ministri i jashtëm Stef Blok në parlamentin e vendit ku pritej dhe votimi për hapjen ose jo të negociatave.

Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë për të bërë,” u shpreh Blok, i cili është treguar më optimist për sa i përket Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se atje janë ndërmarrë hapa të mira.

Por nuk janë ende aty ku duhet. Duhet bërë ende dicka në zonën e rendit dhe ligjit si dhe në luftën kundër korrupsionit,” u shpreh Blok ndër të tjera.

Komisioni Evropian beson se BE duhet të fillojë bisedimet e pranimit me këto vende. Sipas komisionerit për zgjerim Johannes Hahn reformat që janë zbatuar në vendet e Ballkanit perëndimor duhet të shpërblehen.

Deputetët holandezë kërkuan një përgjigje të qartë mga ministri i tyre për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Blok mendon se ishte mjaft i qartë. Sipas tij, asnjë vendim nuk mund të merret në BE nëse të gjitha shtetet anëtare marrin një pozitë të paracaktuar paraprakisht.

Parlamenti holandez është i ndarë për sa i përket zgjerimit të Bashkimit evropian me vendet e Ballkanit perëndimor. D66, PvdA dhe GroenLinks duan që BE të fillojë bisedimet e pranimit me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë. PS dhe PVV janë kundër. CDA beson se Shqipëria nuk është e gatshme. Partia është më pozitive për Maqedoninë Veriore, por ende nuk ka marrë një qëndrim përfundimtar për këtë. VVD nuk ka folur akoma./ABC News Albania 24/7

anglia.jpg
G. P.14:20 | 06/06/2019

Holanda dhe Anglia do të luajnë sonte gjysmëfinalen e dytë të Ligës së Kombeve, me nisje në orën 20:45. Dy skuadrat pretendojnë suksesin, por anglezët pritet të kenë më shumë mungesa.

Detyrat me klubet përfunduan, por pushimet duhet të presin. Luhet gjysmëfinalja e Ligës së Kombeve dhe futbollistët e përzgjedhur të Anglisë e të Holandës, u paraqitën në bazat e tyre të grumbullimit, pak ditë më parë.

Nëse tek anglezët u takuan kundërshtarët e Liverpool-it e Tottenham-it, tek Holanda u pritën me brohoritje dy kampionët e rinj të Europës, Virgil Van Dijk dhe Georgino Wijnaldum. Tashmë, dy skuadrat janë në Portugali, ku do të luajnë gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve, në orën 20:45 në stadiumin e Gimareshit.

A mund të ketë favoritë kjo përballje?

Vështirë të thuhet, ndërsa të dyja skuadrat janë në formë të mirë. Holanda shkaktoi të papritur në Ligën e Kombeve duke dalë e para në një grup të jashtëzakonshëm, bashkë me Francën dhe Gjermaninë.

Pavarësisht humbjes së fundit me gjermanët, në eleminatoret e Europianit, të mbiquajtur “tulipanët” janë tepër të fortë, me lojtarë të tillë si Van Dijk, De Ligt, Van De Beck apo De Jong.

“Ne jemi kthyer, – u shpreh trajneri Ronald Kuman, – vitet e krizës kanë kaluar dhe ne kemi sot lojtarë të shkëlqyer. Gjithsesi, dueli me Anglinë do të jetë I vështirë, pasi kundërshtari është I fortë, me potencial të madh. Mendoj se Anglia është pretendent i madh për Euro 2020-ën. Ne synojmë të fitojmë Ligën e Kombeve, por kjo nuk mund të krahasohet me Europianin apo Botërorin”.

Po Anglia, si duket në prag të sfidës?

Kapiteni Harry Kane ndoshta mund të mos luajë, po ashtu mund të jenë në stol edhe shumica e lojtarëve që ishin në finalen e Championsit.

Flitet për emra të njohur si Henderson, Dele Ali, Tripier apo Alexandre Arnold.

Gjithsesi, besimi është i madh se mund t’i dilet edhe me mungesa, ndonëse trajneri Gareth Southgate, vlerëson rivalin.

“Holanda ka ecur shumë përpara që nga ndeshja që luajtën ndaj nesh, – tha Southgate, – të dyja skuadrat kanë mjaft ngjashmëri, pasi kanë lojtarë të rinj dhe shumë të talentuar. Gjithnjë e kam admiruar Holandën e Gulitit, Van Bastenit e Rajkardit. Ne, gjithashtu, duam të krijojmë një skuadër spektakolare që të kënaqë tifozët, por po ashtu ne duam që të fitojmë”.

Tek Anglia pati një kaos lidhur me kapitenin për këtë ndeshje, pasi u publikua një deklaratë, sipas së cilës shiritin do ta mbante Rahim Sterling, dhe jo Kane apo Henderson.

Southgate nuk deshi ta komentonte këtë çështje, ashtu siç nuk dha asnjë informacion për lojtarët që do të hedhë në fushë si titullarë. Gjithçka duket gati dhe mirë për duelin e madh, por lajmet negative nuk munguan. Tre tifozë anglezë u ndaluan nga policia portugeze, që ndërhyri pasi plasën konflikte mes 20 000 tifozëve që kishin udhëtuar në Gimaresh për ndeshjen./ABC News Albania 24/7

bee.jpg
G. P.15:17 | 03/06/2019

Është konfirmuar zyrtarisht nga Komisioni Evropian kërkesa që i ka drejtuar Holanda për pezullimin e vizave me Shqipërinë. Kjo është hera e parë që Komisioni Evropian merr njoftim nga një shtet anëtar i Bashkimit Evropian lidhur me nevojën e aktivizimit të këtij mekanizmi.

Komisioni Evropian konfirmon marrjen e njoftimit zyrtar nga Holanda lidhur me kërkesën për të aktivizuar pezullimin e lëvizjes së lirë afatshkurtër për qytetarët shqiptarë në zonën Shengen, i njohur ndryshe si mekanizmi pezullues i vizave. Kjo është konfirmuar në konferencën e përditshme për shtyp të Komisionit Evropian në përgjigje të pyetjes së ABC News.

“Ne konfirmojmë që kemi marrë njoftimin e Holandës për Shqipërinë lidhur me aktivizimin e mekanizmit të pezullimit së vizave. Komisioni tani do të shqyrtojë me kujdes brendësinë e njoftimit bazuar në të dhënat e paraqitura dhe rrethanat specifike. Hapi i ardhshëm i yni është të informojë Parlamentin Europian dhe Këshillin Evropian për këtë njoftim dhe të shqyrtojmë njoftimin. Sigurisht që vendimi për pezullimin e lëvizjes së lirë nuk mund të merret lehtësisht dhe çdo hap drejt aktivizimit të këtij mekanizmi do t’i nënshtrohet një analize dhe shqyrtimi shumë të kujdesshëm, kryesisht lidhur me marrjen në konsideratë të kritereve të përfshira në këtë procedurë”, tha Natasha Bertaud, zëdhënëse e KE-së.

Komisioni Evropian ka një muaj për shqyrtimin e njoftimit dhe pastaj do të njoftojë Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Ministrave, nëse do të ketë aksione specifike që duhet të ndërmerren nga autoritetet shqiptare,

“Sipas procedurës dhe rregullave, nëse rrethanat kërkojë marrjen e masave specifike dhe pa paragjykuar nëse do të ketë të tilla, Komisioni duhet tê adoptojë një akt zbatimi brenda një muaji dhe ky akt zbatimi duhet tê aprovohet nga Këshilli i Ministrave të BE-së”, tha Bertaud.

Kjo është hera e parë që Komisioni Evropian merr njoftim nga një shtet anëtar i Bashkimit Europian lidhur me nevojën e aktivizimit të mekanizmit të pezullimit të lëvizjes së lirë afatshkurtër. /ABC News Albania 24/7

holanda-1280x759.jpg
Sej rie14:00 | 31/05/2019

Holanda i kërkon Komisionerit për Emigracionin dhe Çështjet e Brendshme që të shqyrtojë kërkesën për rikthimin e vizave për shqiptarët. Përfaqësuesi i Holandës në Bashkimin Evropian Robert de Grot e argumenton kërkesën e tij me shtimin e krimeve nga shtetasit shqiptarë.

Avramopulos: “Komisioni nuk ka marrë asnjë njoftim që kërkon pezullimin e vizave. Për asnjë vend në Evropë që përfiton. Nëse mund të ndodhë në të ardhmen, më besoni se do të bëjmë një analizë të kujdesshme nëse një veprim i tillë do të duhet të merret apo jo në përputhje me procedurat dhe informacionin që ka të bëjë me rrethanat specifike të një vendi të BE”.

Njoftimi erdhi.

Përmes një letre drejtuar pikërisht komisionerit Avramopulos, përfaqësuesi i Holandës në Bashkimin Evropian Robert de Groot, i kërkon Komisionit të shqyrtojë informacionin mbi të cilin parlamenti i Holandës bëri mocion që qeveria të heqë vizat për Shqipërinë. Më pas në konsultim me vendet anëtare ky Komision të vendosë mbi nevojën apo jo të ndërmarrjes së aksionit për të luftuar problemet që lidhen me shtetasit shqiptarë.

Shtimi substancial i shkelësve serioz të ligjit që lidhen me shtetas shqiptare apo banda kriminale shqiptare të përfshira në trafikimin e drogës, qenieve njerëzore dhe pastrimin e parave;

Rritja e vazhdueshme e numrit të emigrantëve ilegalë, si dhe shtimi i numrit të azilkërkuesve, janë argumentet e Holandës për kërkesën e zyrtarizuar më 31 Maj.

Ajo që bie në sy në shifrat referuar në letrën drejtuar Komisionit Evropian është një shtim me 200% të shtetasve shqiptarë që rrinin ilegalisht në Holandë, nga viti 2017 në 2018-ën. Rritje ka shënuar edhe numri i azilkërkuesve, sipas tabelës drejtuar KE-së.

Ndërkohë në një reagim për mediat shqiptare, ambasada holandeze në vendin tonë ka deklaruar se “tashmë i takon Komisionit Evropian që të vlerësojë nëse do të ketë nevojë për të ndërmarrë veprim, e të informojë Parlamentin Evropian dhe Këshillin Evropian mbi rezultatet e këtij vlerësimi”.

Ajo gjithashtu qartëson edhe se deri në një vendim të dytë, politika e vizave për shtetasit shqiptarë do të mbetet e njëjtë: “Qytetarët shqiptarë mbajtës të një pasaportë biometrike nuk kanë nevojë për viza për të udhëtuar në zonën Shengen për maksimumi 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh”./ABC News Albania 24/7

HOLLANDA-FITON-EUROVIZIONIN-MBULM.mpg_snapshot_00.04-1280x720.jpg
ent ela09:36 | 19/05/2019

Holanda fitoi festivalin Eurovision 2019, ndërsa Shqipëria u rendit në vendin e 18-të. Në vendin e dytë u rendit Italia me këngën “Soldi” nga Mahmood, ndërsa në të tretin u rendit Rusia.

Holanda u përfaqësua nga Dankan Lorens me këngën “Arcade”, e cila është një baladë dashuria.

Këngëtari ka shpjeguar se fabula e këngës ka të bëjë me historinë e një personi të dashur që i ka vdekur në moshë të re. “Arcade është histori për kërkimin e dashurisë së jetës”, tha Dankan.

Ndërsa Shqipëria që u përfaqësua nga Jonida Maliqi me këngën “Ktheju tokës” arriti deri në vendin e 18-të. /ABC News Albania 24/7

holanda-1280x759.jpg
Sej rie22:15 | 20/04/2019

Opozita radikalizoi qëndrimet me deklaratat për të mos hyrë në zgjedhje, e me paralajmërimet për konflikt social. Tonet u rritën edhe pas vendimit të parlamentit të Holandës, për pezullimin e lëvizjes së lirë për Shqipërinë. Tensioni politik mbetet i pranishëm, ndërsa dialogu si mekanizëm jetik demokratik vijon të anashkalohet nga aktorët politikë edhe pas 3 dekadash pluralizëm. Këto zhvillime të javës politike që lamë pas, na i sjell Mimoza Koçiu me “Politika në ABC News.”/abcnews.al

Berisha-dhe-Mirela-milori-ne-Mbremje-ide-1280x730.jpg
ent ela23:40 | 18/04/2019

Vendimi i Parlamentit holandez për rikthimin e vizave me Shqipërinë, situata aktuale në vend dhe në Parlament, djegia e mandateve të partive opozitare, negociatat me Bashkimin Evropian, zgjedhjet e 30 Qershorit, grabitja e Rinas dhe akuzat për 21 Janarin janë diskutuar nga ish- Kryeministri Sali Berisha në studion e “Mbrëmje Ide” në ABC News. /abcnews.al

Sali-berisha-ne-mbremje-ide-1280x622.jpg
ent ela20:26 | 18/04/2019

Ish-kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar  dramatik për Shqipërinë e shqiptarët vendimin e parlamentit holandez për vendosjen e regjimit të vizave.

“Vendimi i Parlamentit të Holandës për vendosjen e vizave me qytetarët shqiptarë është vendim dramatik për Shqipërine e shqiptarët. Së pari është i pari vendim i këtij lloji që merret për Shqipërinë. Në kushtet e Shqipërisë për liberalizmin e vizave janë me dhjetra vende dhe nga këto mbetet vetëm Shqipëria në përputhje me një mekaznizëm të KE nga një vendet themeluese dhe më me peshë në BE dhe NATO që është Mbretëria e Hollandës”.

I ftuar në studion e “Mbrëmje Ide” në ABC News të Mirela Milorit, lideri historik i së djathtës është shprehur se ka informacione të sigurta që edhe vende të tjera po e konsiderojnë vendimin për rikthimin e vizave me Shqipërinë.

“Janë vende të tjera që e konsiderojnë vendimin e Hollandës për vendosjen e regjimit të vizave me Shqipërinë. Po kam informacione po ua them siguri e kam mnga burime serioze që po konsiderojnë vendimin ëpr ritkhimine vizave me Shqipëri”.

Për Berishën kjo është një oshtime botërore dhe mbyll çdo shans për negociatat.

“Kjo ka një oshtime botërore. Çfarë e detyroi Hollandën të marrë ketë vendim me 2/3 me 105 vota të gjithë spektrit politik holandez? Nuk ka hapje negociatash. Kjo mbyll çdo shans. Do të na ndajë nga Maqedonia e Veriut se Maqedonia ka shtet, kurse Shqipëria ka narko shtet”. /abcnews.al

rama-123.jpg
G. P.14:25 | 18/04/2019

Vendosi të thotë fjalën e tij për vendimin e parlamentit holandez për rikthimin e vizave.

“E gjitha ajo që ka ndodhur është futja në funksion e disa partive politike që janë haptazi parti me një vokacion në kundërshtim me vlerat dhe parimet që mbrojnë partitë proevropeiste dhe në kushtet e një fushate elektorale por edhe dijeni e plotë se është e gjitha një shfaqje politike me sfond elektoral janë bashkuar edhe vota të tjera për të mos u vënë në trysni. Lojë e brendshme dhe që nuk impakton në asnjë mënyrë lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Zero”, tha kryeministri Rama.

Kryeministri Rama ka sqaruar se Qeveria holandeze nuk ka dhënë asnjë shenje se do të marrë hapin pas vendimit të parlamentit e ti drejtohen Komisionit Evropian atë që nuk mund të gëlltisë dot kryeministri Rama është festa që sipas tij bënë kundërshtarët politikë pas atij vendimi.

“Një festë e neveritshme që i drejtoi të gjithë tytat e topave për fishekzjarrë e kapsolla në shtëpitë e shqiptarëve duke e transformuar atë në një tjetër argument, të një lufte të dëshpëruar në Tiranë që do të katandiset keq e me keq në formën e një reagimi deputetësh që refuzuan të përfaqësojnë popullin dhe përpiqen ti vënë zjarrin jo institucioneve, por ardhmërisë së vendit, shpresave dhe perspektivës së vendit, vetë vendit”, tha Rama.

Asgjë nga këto nuk e rrëzojnë dot qeverinë e tij, as himni i kënduar në oborrin e selisë së Partisë Demokratike ironizoi kryeministri Rama.

“Nuk e ndryshojnë qeverinë me kapsolla dhe duke kënduar himnin stonato, sado stonata ta këndojnë qenëria nuk lëviz, duke kërcënuar, penguar, bllokuar, shantazhuar, nuk e ndryshojnë dot qeverinë”, tha ai.

Ka edhe një mesazh tjetër për partinë  më të madhe të opozitës të cilën prej kësaj séance e thërret me një emër të ri.

“Ne kemi mundësi sëbashku të adresojmë në Kodin Penal shumë shpejt disa masa të reja për shitblerjen e votës. Ashtu sikundër ne këtu do vijmë shumë shpejt me ligjin kundër shpifjes dhe për të rregulluar të gjithë aktivitetin e mediave online. Nuk kemi ça bëjmë. Kemi një PD parlamentare, kemi dhe një PD rrugore. Me PD rrugore jemi gati që të diskutojmë në një pit stop, por nuk mund të dalim në rrugë dhe të bëjmë garë se kush hedh më shumë kapsolla”, tha Rama./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono