Historia

kosova-1.jpg
ad min18:25 | 11/06/2019

Në ditën kur Kosova kujton 20 vjetorin e përfundimit të bombardimeve të NATO-s janë të shumtë ata që i kanë të freskëta plagët e asaj periudhe. Por dhe zyrtarë ushtarakë ndërkombëtarë në vend risjellin në mend një situatë trishtimi dhe frike.

Blerim Krasniqi gjatë luftës në Kosovë kishte qëndruar në shtëpinë e tij në lagjen “Tasligje”. Për tre muaj sa kanë zgjatur bombardimet ai ka qëndruar i vetëm në shtëpi, ndërsa pjesa tjetër e familjes në një lagje më në qendër. Edhe pas 20 vjetësh Krasniqi ende i ka të freskëta kujtimet kur kanë hyrë trupat e NATO-s në Prishtinë.

Për nder të kësaj dite KFOR-i gjatë ditës së sotme ka mbajtur një ceremoni solemne. Për komandantin e KFOR-it , Kosova pas 20 vjetësh është më ndryshe.

“Kur mendoj Prishtinën e vitit 1999 më kujtohet ndjenja e dëshpërimit dhe frikës, por edhe ndjenjës që më e keqja kishte mbaruar pas atyre muajve shkatërrimtarë të luftës civile . Shumë njerëz ishin zhvendosur kishte mungesë të sigurisë dhe shërbimeve themelore. Ishim pjesë e një grumbullimi të paprecedent të Kombeve të Bashkuara një forcë e fuqishme në përkushtimin e saj për të intervenuar në terren për të bërë një ndryshim, përkundër të gjitha sfidave”.

“Në 20 vjetorin e KFOR-it, i inkurajoj të gjithë të reflektojnë. Po është koha të kujtojmë, por edhe të ecim përpara. Po iu them prapë që KFOR-i mbetet në Kosovë sot si forcë që garanton një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet”.

Nën komandën e trupave aleate për reagim të shpejtë në vitin 1999 rreth 5000 ushtarë nga 39 vende erdhën në Kosovë nga e tëra bota./ABC News Albania 24/7

xhufii-1280x713.jpg
ad min21:15 | 24/05/2019

Historia Pëllumb Xhufi i ftuar në “Provokacija”, ka komentuar idenë e krijuar tek qytetarët, ku ekziston një ndarje; ku veriorët janë përkrahës të njërës parti dhe jugorët të një partie tjetër. Historiani tha se kjo ndarje deri në vitin ’97 nuk ekzistonte. Ai është shprehu se Berisha dhe Basha janë me origjinë nga Veriu i vendit, por sipas tij nuk janë nga ata malësorët reflektivë, por janë persona reaktivë.

Mustafa Nano: “Më thoshte një ambasador i huaj me të cilin pata një takim para dy tre ditësh, që Shqipëria në Ballkan në ndryshim nga vendet e tjera, ka një avantazh të natyrës historike sepse ka një homogjenitet etnik. Mirëpo këtu konflikti është a thua se Shqipëria është e ndarë në dy etni dhe po ndeshen”.

Pëllumb Xhufi: “E thash unë ka qenë djalli në shishe, për këtë të ndarjeve Veri-Jug; Lindje – Perëndim. Mund të shpikësh çfarë të duash, myslimanë, katolikë, ortodoksë etj… Tani kanë dalë sheshit sepse shishen e hap politika, për fat të keq. Në ’97 u pah, ndarja e Veri nuk ekzistonte, nuk ekzistonte në konceptin tonë. Në jemi rritur në atë kohë para viteve ’90, nuk kemi pas neve ndarje.”

Mustafa Nano: “Nuk e di nëse e keni pyetur ndonjëherë veten, nuk të shkon mëndja se nuk ka një pajtueshmëri midis Shqipërisë dhe demokracisë? Nuk shkojnë bashkë të dyja këto?”

Pëllumb Xhufi: “Unë nuk e mendoj sepse nuk është as në kulturën e shqiptarit…. Unë bëj çudi që ne kemi lider sot që vijnë nga zona për shembull nga malësia. Zoti Barisha është nga malësia. Unë i njoh mirë malësorët, qoftë të malësisë së Tropojës, qoftë të Malësisë së mbi Shkodrës, brenda dhe jashtë kufirit. Janë me virtyte të jashtëzakonshme. Këto janë përjashtime. Po dibranët që është zoti Basha, ne i mbajmë në Shqipëri si njerëz të urtë që e peshojnë fjalën, ku pinë tre cigare dhe pastaj thonë një fjalë. Mendojnë dhe janë reflektivë. Ne na kanë ardhur njerëz reaktivë, jo reflektivë që fjalën e fundit e thonë të parën. Prishin muhabetin, e prishin me njëri-tjetrin, me partnerin, me kundërshtarin dhe e prishin edhe me të huajit”./abcnews.al

djmissrosekanjemesazhperty5maj-933x445.png
ad min18:10 | 05/05/2019

Partnerë në jetë dhe “rivalë” në skenë. Erida ka mësuar të luajë muzikë nga bashkëshorti i saj Arbër. Tani që të dy janë DJ profesionistë por “nxënësja” ka ardhur të sfidojë “mësuesin” e saj.

“Gjithçka nisi më 7 Maj 2010 në një lokal nate kur jemi parë për herë të parë me Arbrin. Jemi një çift që nga dita e parë nuk ja kemi prishur për asgjë njëri-tjetrit, jemi të dy kokëkrisur. Pas 20 ditësh që u njohëm vendosëm të bëjmë fejesën. Sot habitem me veten, por gjërat nuk kanë një formulë. Unë isha studente në master në vitin e parë,njëkohësisht sportiste dhe mësuese anglishte. Bashkëshorti im është Dj Stone,ndërsa unë kampione e Shqipërisë në ping pong për pesë vite. Duke qenë bashkë vendosa ta shoqëroja kudo ku ai shkonte të performonte dhe e shijoja. Ai shkon në tualet dhe unë futem të miksoj një këngë, kur kthehet më shikon dhe nuk i pëlqeu shumë. Më lindi dëshira të isha edhe unë DJ, por vazhdova të mbaja çantën e tij me CD për disa kohë. Gjatë verës shkuam në Rodos, Greqi të punonim si artistë dhe atje provova dhe miksoja disa këngë teksa isha edhe prezantuese. Pas 2 muajsh lidhje, erdhi celebrimi dhe në 1 Prill mësova se do të bëhesha nënë e një vajze, por askush nuk më besonte. Sot kam vajzën e madhe Beatris 7 vjeçe dhe djalin e vogël 1 vjeç, Rajan. Gjithmonë e më shumë më pëlqente të isha DJ dhe një mëngjes pas një darke ku unë miksova disa këngë më shkruan dhe më thotë a do të bëhesh DJ? Erdhi në shtëpi dhe nga ajo ditë fillova të luaj rregullisht çdo ditë derisa tani kam arritur dhe performoj në klubet e natës në kryeqytet. Emrin artistik e zgjodha për shkak të trëndafilave që janë të preferuarit e mi.”, tregon Erida.

Sot ajo ka thirrur në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty”, Arbrin në një sfidë bashkëshortore mes DJ. Në fillimet e historisë së tyre në një lojë ping pongu ajo i ka lënë të fitojë një set, por ai e quan si arritjen e tij dhe thotë se e ka mundur, sot sfida është e hapur që Erida ta mundë në fushën e tij.

Ata nuk performojnë bashkë dhe tani kanë ndërruar rolet sepse është Arbri ai që mban çantën e Eridës. Në studion e të Dielës Shqiptare nis sfida mes DJ Miss Rose dhe DJ Stone, por që në fund mbyllet me një barazim. /tvklan.al

cortez.jpg
ad min17:30 | 01/05/2019

Nga një bariste në një restorant në Nju Jork, në deputeten më të re në moshë të kongresit amerikan. Gjiganti Netflix ka zgjedhur pikërisht 29-vjeçaren Alexandria Ocasio-Cortez si personazhin kryesor të dokumentarit më të fundit.

Duhej humbja e një deputeti demokrat me peshë si Joe Crowley, anëtar i dhomës së përfaqësuesve për shtetin e Nju Jork nga 1999 deri në 2019-n, që të realizohej ëndrra amerikane e Alexandria Ocasio-Cortez.

Kështu nga një bariste e drejt në politikë, ngritja në skenë e të resë së lindur në Bronx befasoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tërhoqi vëmendjen e Netflix. Një dokumentar i publikuar në 1 Maj me titull “Knock Down the House”– “Rrëzo Dhomën e Deputetëve”, përshkruan jetën e 29-vjeçares.

Dokumentari hedh dritë në prapaskenat e rritjes politike të gruas që është bërë parlamentarja më e re në moshë e zgjedhur në Kongresin amerikan. Një super yll i fortë dhe me personalitet të madh, e katapultuar papritur mes më të mëdhenjve të politikës.

Pasi mundi deputetin Crowley, jeta e saj ka ndryshuar rrënjësisht. Vetëm dy vjet më parë, përditshmëria tipike e Ocasio-Cortez ishte mbledhja e firmave për kandidaturën e saj në kolegjin e Nju Jork, para se të shkonte në punën e saj, si bariste në një  restorant.

Vetë ajo shprehet se puna me njerëz në atë restorant e kishte përgatitur për garën në politikë. Kjo sepse është mësuar të qëndrojë në këmbë 18 orë në ditë, të bisedojë hapur dhe të mësohet me njerëzit që synojnë ta bëjnë të ndihet keq./abcnews.al

politikane.jpg
ad min09:51 | 28/04/2019

Populistët e kanë me shumë dëshirë të na kthejnë pas në të shkuarën. Plagë të vjetra e largojnë vëmendjen nga problemet reale të aktualitetit – por kjo është e rrezikshme paralajmëron antropologu bullgar Ivaylo Ditchev.

Politika po fillon të duket si një inskenim historik. Nuk bëj fjalë për ceremoni përkujtimore, vendosje kurorash dhe rivarrosje. Luftëtarët e rinj të kulturës shkojnë më tej, ata turren në luftëra serioze në linjat e frontit të së shkuarës. Në inskenimin e një beteje, të rriturit vishen me kostumet e kohës dhe luftojnë njëri-tjetrin me shpata jo të mprehta apo heshta plastike. Ka nga ata që duan të vërtetojnë hipoteza historike, për disa të tjerë kjo është vetëm një ritual për të nderuar të rënët, kurse një pjesë kalon vetëm kohën. Nëse në aktivitete përkujtimore të së shkuarës kujtohen tragjedi të së shkuarës që kanë hyrë thellë në kujtesën kolektive, në inskenimet historike sundon më shumë dëshira për ta ndryshuar historinë, duke u përpjekur të rikuperosh padrejtësitë e së shkuarës.

Për shembull bullgarët kanë një ritual – inskenimin e kryengritjes së prillit 1876 kundër sundimit osman. Këtu bëhet fjalë që kësaj përpjekjeje për çlirim t’i jepet një dimension heroik, një rëndësi e veçantë historike, megjithëse ajo u shtyp përgjakshëm. Në parkun e kohës së lirë „Vija e Stalinit” në Bjellorusi lojëra luftarake rikujtojnë një projekt mbrojtjeje të kohës sovjetike, që në vërtetë ishte një dështim i plotë.

Luftëra simbolike për figurat historike

Sidomos populistët janë të përmalluar për të shkuarën. Le të marrim për shembull neonazistët grekë të Agimit të Artë. Çdo vit ata inskenojnë një shou nacionaliste pa shije në monumentin që përkujton betejën e Termopileve mes grekëve dhe persëve. Mesazhi është i qartë: Ata premtojnë që deri në vdekje të luftojnë kundër „invazionit” të supozuar të migrantëve, por edhe kundër çfarëdolloj përzierjeje të „perandorisë” europiane në çështjet e atdheut liridashës.

Të hapësh plagë të vjetra është një strategji e preferuar për të tërhequr vëmendjen nga problemet e së tashmes. Si në rastin e luftërave të vërteta, konfliktet simbolike forcojnë legjitimitetin politik të kundërshtarit, prandaj ata nuk janë edhe aq kundër të bashkëpunojnë në këtë nivel. „Çështja maqedonase” për shembull, që dikur shkaktoi luftërat tragjike ballkanike, rigjallërohet në rajon përmes luftërave simbolike për figura si Aleksandri i Madh apo Samuili (një nga carët e fundit të perandorisë bullgare) si edhe për emrin apo gjuhën e vendit. Në mënyrë të çuditshme edhe lufta kundër sundimit të osmanëve po bëhet gjithnjë e më intensive, megjithëse ajo që në fillim të shekullit të 20-të mori fund në të gjithë rajonin e Ballkanit. Edhe lufta kundër sundimit komunist tani më mbrapa po bëhet më e fortë.

Loja me emrin “histori” do duhet të fillojë nga zeroja

Kjo nuk është karakteristikë vetëm e juglindjes së Europës. Vota britanike për Brexit u ndikua në një masë të madhe nga kujtimi për „perandorinë” –„Empire”, ku nuk perëndon asnjëherë dielli. Donald Trump premtoi të bëjë Amerikën sërish „great”, gjë që me gjasë mundet të implikojë edhe sundimin e njeriut të bardhë. Nga ana tjetër shumë njerëz në ish-kolonitë përjetojnë padrejtësitë që iu bënë paraardhësve të tyre, të përforcuara nga filmat dhe ritualet përkujtimore. Ky „material bruto” u instrumentalizua nga Al-Kaida dhe i ashtuquajturi „Shteti Islamik”.

Nostalgjia për të shkuarën është ndjenjë e melankolisë. Nobelisti turk i letërsisë, Orhan Pamuk përdor fjalën e papërkthyeshme „Hüzün” – me konotacion të përafërt me trishtimin, brengën, por edhe largimin nga zoti, kur ai flet për lavdinë e shuar të Perandorisë Osmane. Por populistët kanë një mënyrë tjetër të trajtimit të së shkuarës: Ata inskenojnë energjikisht, sikur do mund të fshihen me dorë magjike të gjitha zhvillimet e mëvonshme fatkeqe dhe loja me emrin „histori” mund të fillojë nga zeroja.

Ideja e së ardhmes bie

A beson vërtet dikush seriozisht që vende me madhësi mesatare si Mbretëria e Bashkuar apo Turqia mund të bëhen sërish perandori të mëdha? Apo që në botën tonë të globalizuar mund të kesh ende shtete kombëtare me një popullsi homogjene? Një shpjegim për politikën e inskenimit historik është shpërbërja e identiteteve. Qytetari dhe konsumenti kërkon të ketë të drejtën për një identitet jashtë punës, automjetit apo smartphone-it. Pse duhet që ai apo ajo të jetojë me dhimbjen e betejës së humbur dikur, me poshtërimin e të parëve dhe humbjen e territoreve? Historianët thonë, këtë rrjedhë morën ngjarjet, po pse duhet të dëgjohen këta „burokratë”?

Parë me vëmendje në fakt është ideja e së ardhmes ajo që ka rënë. Ne jetojmë me gjithnjë e më shumë imazhe të katastrofave, të një apokalipsi të klimës, të terrorizmit, të goditjes nga asteroidët apo epidemi virusesh. Ndërkohë jemi të bindur, se fëmijët tanë nuk do ta kenë më mirë se ne. Në rastin më të mirë shpresojmë që ata të marrin të paktën atë që kemi ne. A mund të habitesh pra se politikanët i kthejnë kurrizin të ardhmes dhe angazhohen më shumë në një betejë për çlirimin nga e shkuara plot shtypje?/DW

Brexit-bloodbath-Theresa-May-1002180.jpg
ent ela17:30 | 26/03/2019

Marrëdhënia mes Londrës dhe Brukselit ka qenë e tensionuar edhe përpara se të shqiptohej fjala “Brexit”. Laburistët i premtonin britanikëve që në vitin 1975, se do të ishin ata që do të vendosnin, nëse do qëndronin apo jo në Evropë.

Ata që mendojnë se krisjet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian kanë nisur me Brexit, gabohen! Kanë qenë disa pikat kritike nëpër të cilat ka kaluar ndër vite marrëdhënia e Londrës me Brukselin. Që nga anëtarësimi i vendit në BE në 1973-shin e deri tek referendum i parë për Evropën në vitin 1975.

Anëtarësimi I Mbretërisë së bashkuar nuk ka qenë një sipërmarrje e lehtë: përpjekjet e para në vitin 1963 dhe 1967 u përplasën fillimisht me veton e presidentit të atëhershëm francez Sharl De Gol. Në vitin 1967 presidenti francez deklaronte se një seri karakteristikash të ekonomisë britanike, praktikat e punës dhe agrikultura nuk e bënin vendin të përputhshëm me Evropën.

Pas largimit të De Gol, Britania e Madhe arrin të anëtarësohet me sukses në komunitetin evropian në 1 janar të vitit 1973.

Pas fitores së laburistëve në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 1974, britanikëve iu premtua se do u jepej mundësia të votonin nëse dëshironin të qëndronin në Evropë ose jo. Britanikët votuan në vitin 1975. Nëpërmjet një rinegocimi të drejtuar nga kryeministri britanik Harold Uillson, britanikët u pyetën nëse mendonin se Mbretëria e Bashkuar duhej  të qëndronte në Evropë ose jo. 67.2 për qind e britanikëve votuan pro qëndrimit.

Ish kryeministrja britanike Margaret Thecër në vitin 1984 arriti të rinegocionte me sukses një vendim për të reduktuar kontributin britanik në buxhetin e BE nga ana e Mbretërisë së bashkuar. Një llogaritje e komplikuar por që është e barabartë me një reduktim prej 66%

Me firmosjen e traktatit të Maastricht, krijohet dhe Bashkimi Evropian, nga një  union ekonomik u kalua në një project për një union politik. Traktati vendoste ndër të tjera dhe bashkëpunimin në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Gjithashtu u hodhën bazat për monedhën e përbashkët

Partia e pavarësisë në Britaninë e Madhe, krijohet në vitin 1993. Kjo lëvizje promovon një linjë euro-skeptike por mbetet ende e vogël në numër deri në zgjedhjet evropiane të 2014-ës. E fortë pas këtij rezultati, promovon më pas fushatën “Largohu” pas referendumit për Brexit në vitin 2016.

Ish ministri britanik Dejvid Kamerun premtoi në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 2015-ës se nëse konservatorët do të merrnin mazhorancën parlamentare, qeveria mes të tjerash, do të lejonte mbajtjen e një referendum për daljen e vendit nga Bashkimi Evropian.

Konservatorët fituan dhe morën mazhorancën në parlament, si pasojë Kamerun mbajti premtimin. Në vitin 2016, 51.89 për qind e britanikëve votuan për daljen e vendit nga Bashkimi Evropian. Qeveria britanike aktivizoi artikullin 50 të traktatit për Bashkimin Evropian në mars të 2017-ës./abcnews.al

lagja-kala.jpg
ad min17:31 | 24/03/2019

Elbasani është një qytet me vlera të mëdha historike. Megjithatë me kalimin e viteve pikat më të rëndësishme të këtij qyteti janë lënë pas dore. E tillë është dhe lagja Kala.

Shtëpitë e vjetra karakteristike mezi qëndrojnë në këmbë. Rrugica të ngushta të gurta vazhdojnë të mbeten arteriet nga ku mund të lëvizet brenda lagjes ku lindi qyteti i sotëm i Elbasanit. Nga më të lashtët në Shqipëri, e gjithë historia e lulëzimit dhe e rënies së tij ka pasur lidhje me vijën Egnatia.

Por zanafilla e qytetit është më e hershme. Qyteti figuron si një vendbanim ilir. Megjithatë si datë e themelimit konsiderohet guri i varrit të legjionarit romak Mark Zabidi. Qyteti u quajt prej romakëve: Skamp. Në kohën bizantine u njoh me emrin: Valm.

Kurse në periudhën osmane u quajt prej osmanëve fillimisht Ijl-basan dhe më vonë i dhanë trajtën Elbasan, kurse prej të krishterëve vendas, u përdor termi grek Neokastër. Kulmin e lulëzimit qyteti (Kalaja) duket se e arriti në shekullin e XVII-të me krijimin, organizimin dhe funksionimin e 60 llojeve të zejeve në 45 Esnafe.

I kësaj kohe është “Kodiku i Esnafëve të Tabakëve”. Në mesin e shekullit të XVII, Elbasani kishte 2000 shtëpi, 900 dyqane dhe punoheshin me cilësi të lartë lëkura, leshi, mëndafshi, metalet e sidomos argjendi.

Por vitet shkuan. Për fat të keq tradita nuk u ruajt. Lagja u dëmtua shumë në diktaturë dhe në tre dekadat e fundit. Sot aty gjen një amalgamë objektesh që po e prishin të shkuarën e saj.

Shtëpi të mbajtura keq, të palyera, të pameremetuara, rrugica kaotike, krahas tyre gjen edhe vila të reja, një kontrast që ia ka humbur bukurinë lagjes. Adi Shuteriqi është banor i kësaj lagjeje. Ai ka emigruar në Amerikë. Tregon se ai bashkë me të tjerë kanë bërë mjaft përpjekje.

Adi Shuteriqi: Kjo është lagje muze. Kategori e parë shtëpitë, asnjëri nuk vë dorë. Shtëpitë po bien, çatitë po bien, kalldrëmet janë të mbaruara. Na leverdis muzeu, të dimë nga kemi prejardhjen. Të tjerat pastaj vijnë dalëngadalë. Restaurojmë këto që kemi që edhe turizmi të rritet, edhe të ardhurat të rriten.

Lagja “Kala” në Elbasan nuk është vetëm qendër historike dhe kulturore, por edhe një shembull i shkëlqyer i harmonisë fetare me objektet e kultit pranë e pranë që i përkasin besimeve të ndryshme fetare. Ajo është vendbanimi i fiseve me emër si Krisoforidhit, Todrit, Papajanëve, Gjonëve, Paparistove, Papamihalëve, Shuteriqëve, Delianëve.

Aty kanë lindur 6 nga 10 akademikët më të mëdhenj të kombit shqiptar. Është lënë në harresë e kjo është e pafalshme. Por megjithatë duket se diçka po lëviz. Këto ditë, lagja “Kala” në këtë qytet u vizitua nga Ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Që në hyrje të portës pati një surprizë. Aty ishte arkeologu i njohur Neritan Ceka, i cili ishte gjithashtu duke realizuar një intervistë për këtë lagje. Pati një bashkëbisedim të shkurtër, ku Ceka i kërkoi ministres më shumë vëmendje për këtë lagje që konsiderohet si thesar i kulturës shqiptare.

Elva Margariti, ministre e Kulturës: Elbasani ka shumë për të treguar jo vetëm tek Kalaja. Ka shumë histori, rruga Egnatia është një nga to. Shtrirja e Kalasë është shumë e madhe dhe ndërhyrja në të do kërkonte shumë kohë. Pikë së pari ajo që duhet të fokusohemi sot është cili është modeli, cili është plani për ta zhvilluar?

Qazim Sejdini, kryetar i bashkisë Elbasan: E meriton Kalaja jo vetëm për sot, por edhe për kontributin e përhershëm që ka dhënë. Sigurisht që kërkohet ndërhyrje, kërkohet bashkëpunim me qytetarët. Kanë filluar ta ndiejnë dhe të kenë iniciativa të veçanta.

Kështu ka ardhur koha që të ndërhyhet njëherë e mirë në një nga lagjet me histori dhe kulturë të rrallë në Shqipëri para se ato të rrënohen plotësisht. Investimet, jo vetëm që do ndikojnë në ekonominë dhe mirëqenien direkt të banorëve, por edhe në thithjen dhe zhvillimin e turizmit./abcnews.al

probleme.jpg
ad min13:25 | 14/03/2019

Facebook vijon të ketë ende probleme për një pjesë të përdoruesve. Prej më shumë se 14 orësh ndërprerja e të gjitha shërbimeve, e bëri të pa aksesueshëm në mbarë globin.

Të prekur janë rrjeti kryesor social i kompanisë, (Facebook), dy aplikacionet e mesazheve (Facebook Messenger & WhatsApp) dhe Instagram. Deri më tani, vetë Facebook nuk ka asnjë shpjegim për shkaqet e kësaj rënieje.

Hera e fundit që Facebook pati një ndërprerje me magnitudë të tillë ishte në vitin 2008, kur kishte 150 milionë përdorues, krahasuar me 2.3 miliardë përdorues në muaj që ka sot.

Problemet nisën pasditen e së mërkurës dhe vetëm sot në mëngjes filloi të shfaqte shenja përmirësimi. Kjo rënie shkaktoi pamundësi për t’u futur dhe për të përdorur platformat më të përdorura në ditët e sotme për të komunikuar.

“Jemi në dijeni që disa njerëz nuk po munden të aksesojnë familjen e aplikacioneve të Facebook”, tha vetë kompania në një postim në Twitter. Ndërsa shtoi se “po punojmë për ta zgjidhur problemin sa më parë”.

Aplikacionet duket se rinisën të merrnin veten mëngjesin e kësaj të enjteje. Instagram njoftoi se ishte rikthyer.

Duke iu përgjigjur thashethemeve të postuara në rrjete të tjera sociale, kompania tha se kjo rënie nuk vinte si pasojë e DDoS, një lloj sulmi kibernetik që e tejmbush një shërbim të caktuar me volum tejet të lartë trafiku.

Por sa i përhapur ishte problemi?

Problemet nisën rreth orës 17:00 të së mërkurës. Teksa rrjeti social Facebook hapej, përdoruesit nisën të raportonin se e kishin të pamundur për të postuar.

Ata në Instagram nuk mund të bënin rifreskim (refresh) të postimeve, apo të bënin postime të reja. Versioni desktop i Facebook Messenger nuk hapej, megjithatë aplikacioni për telefonat dërgonte një pjesë të mesazheve, edhe pse disa përdorues raportuan se nuk u shkonin imazhe apo përmbajtje të tjera të mesazheve të tyre.

WhatsApp dhe aplikacione të tjera të mesazheve të Facebook kishin gjithashtu probleme të ngjashme.

Ndonëse për një pjesë të përdoruesve situata i është rikthyer normalitetit, pjesë të Europës dhe Azisë vijojnë të kenë probleme edhe paraditen e kësaj të enjteje.

Nëse këto probleme vijojnë, me gjasë ato do t’i kushtojnë shumë portofolit të Facebook. Kompania, e cila financon pjesën më të madhe të bizneseve të saj falë të ardhurave të reklamave, tha për Bloomberg se po shihte mundësinë e rimbursimit për reklamuesit.

Problemi preku gjithashtu Facebook Workplace, shërbimi që përdoret nga bizneset për të komunikuar brenda për brenda.

Rebecca Brooker, dizajner me vendndodhje në Buenos Aires, duke folur për BBC tha se ndërprerja e shërbimit po jepte një impakt domethënës në punën e firmës së saj.

“Facebook për përdorim personal është në rregull, por çfarë ndodh kur mbështetemi në kompani kaq të mëdha për të marrë shërbime biznesi?” tha ajo. “Po përpiqem të komunikoj me grupin  e punës në New York. Facebook Workplace është kanali jonë i vetëm për të komunikuar, me përjashtim të email-it”, shtoi më tej Brooker.

Kjo rënie masive e shërbimeve të gjigandit të teknologjisë vjen në një kohë kur disa ligjvënës amerikanë kanë hedhur idenë e ndarjes së kompanive të mëdha të teknologjisë.

Elizabeth Warren, e cila shpreson të jetë kandidate e demokratëve në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA, duke folur për New York Times tha: “Duhet t’i japim fund kësaj gjenerate të kompanive të mëdha të teknologjisë që përdorin pushtetin e tyre politik për t’i vendosur rregullat në favorin e tyre dhe përdorin fuqinë e tyre ekonomike për të blerë apo për të nxjerrë jashtë loje çdo konkurrent potencial”.

Në një postim në Twitter pasditen e së mërkurës, kur shërbimet e Facebook ranë, Brooker shtoi: “E shikoni çfarë ndodh kur lejojmë një kompani të vetme për të kontrolluar gjithçka”. //tvklan.al

greku.jpg
ad min12:41 | 12/03/2019

Një shtetas grek është i vetmi pasagjer i fluturimit të Boeing 737 në Etiopi që i ka shpëtuar tragjedisë. Ai nuk arriti të hipte në bord pasi ishte vonuar dy minuta për shkak të një problem me valixhen e tij.

Dy minuta vonesë i shpëtuan jetën. Antonis Mavropoulos, shtetas grek, dhe president i një organizate jo fitimprurëse, duhej të kishte qenë në bordin e Boeing 737 të Ethiopian Airlines, të drejtuar në Nairobi, i cili u përplas gjashtë minuta pasi u ngrit nga pista.

Për shkak të një problemi me valixhen, Antonis mbërri kur hyrja në avion ishte mbyllur dhe kështu nuk mund të kapte avionin. Pas një debati të fortë me personelin në tokë, ai u shoqërua në një sallë tjetër për të pritur fluturimin e radhës.

Antonis ishte shumë i zemëruar, por pak minuta më vonë personeli i aeroportit i shpjegoi se ai ishte i vetmi pasagjer i atij fluturimi që i kishte shpëtuar tragjedisë. Pas kësaj, ai postoi një dedikim të gjatë në profilin e tij në Facebook për të treguar rreth historisë së tij të fatit.

Menjëherë pasi ishte informuar në internet për atë që kishte ndodhur, Antonis i ka telefonuar familjarëve për t’i qetësuar./abcnews.al

Historia-e-divizionit-SS-Skanderbeg-foto.jpg
ad min18:21 | 04/03/2019

Në fund të Luftës së Dytë Botërore, duke shfrytëzuar realitetin e Shqipërisë së Madhe, por edhe urrejtjen e shqiptarëve për sllavokomunizmin, nazi-gjermanët formuan në Kosovë divizionin me emrin kumbues “SS Skanderbeg”.

Më shumë se 6 mijë shqiptarë të Kosovës u rekrutuan dhe armatosën me qëllimin për të përballuar rrezikun e ekspansionit të komunistëve serbo-malazezë.

Por si qëndron e vërteta e kësaj historie që tingëllon edhe fantastike edhe e pabesueshme?

Sa të rëndësishme rezultuan veprimet në terren të këtij divizioni?

Ishte një sajesë e parëndësishme që u mitizua, apo një realitet që dominoi e diktoi zhvillimet në arealin shqiptaro-sllav?/abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono