hetim

savona.jpg
G. P.16:36 | 20/07/2018

Është vënë nën hetim ministri italian për çështje europiane për disa vonesa dhe shtyrje pagesash në favor të disa firmave të mëdha, në kohën kur ishte pjesë e bordit drejtues të Unicredit.

Ministri italian i Çështjeve Europiane, Paolo Savona, është nën hetim për shtyrje pagesash dhe vonesa në derdhjen e kësteve në favor të firmave të mëdha në kohën, kur ishte pjesë e bordit drejtues të Unicredit. Hetimet përfshijnë dhe 22 persona të tjerë, të gjithë zyrtarë të lartë të Unicredit në periudhën 2005–2013.

Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, emri i ministrit Savona rezulton në kërkesën për shtrirjen e hetimeve nga ana e prokurores së çështjes.

Denoncimi sipas disa mediave italiane është bërë nga ana e shoqërisë Engineering. Avokati i kësaj shoqërie shpjegoi për mediat se hapja e dosjes së hetimit duhej bërë pasi drejtuesit e bankës duhen hetuar për rolin e tyre të kontrollit dhe garancisë./abcnews.al

macron-deshtimi.jpg
G. P.17:43 | 19/07/2018

Ish-kreu i sigurisë së presidentit francez Emmanuel Macron është vënë nën hetim nga prokuroria franceze, pasi ka dhunuar një manifestues gjatë protestave të 1 Majit në vend. Politikanë e gazetarë i kanë kërkuar presidentit që të reagojë publikisht për çështjen.

Prokuroria e Parisit ka nisur hetimet paraprake për dhunë pas lajmit të publikuar nga Le Monde për Aleksandër Benala, bashkëpunëtor i presidentit Macron. Në 1 Maj të këtij viti, i mbuluar nga një kasko e policisë ka dhunuar një manifestues në Paris. Për këtë çështje reagoi dhe Elize që e konsideroi një sjellje të papranueshme

Bashkëpunëtori i Macron nën hetim, aktualisht është ish-kreu i sigurisë së presidentit francez pasi u pezullua nga puna nga 4 deri në 19 Maj dhe më pas u emërua në një funksion tjetër administrative në Elize.

Nga ekstremi i majtë e deri në ekstremin e djathtë kanë shpërthyer polemikat. Televizionet, radiot por dhe në korridoret e parlamentit shtohen deklaratat e politikanëve dhe liderëve të partisë të cilët i kërkojnë presidentit Makron që të reagojë publikisht për çështjen.

Kreu i shtetit aktualisht ndodhet në Paris për të prezantuar një pullë të re dhe pasi ka përshëndetur turmën që e priste nuk ka pranuar të përgjigjet ndaj pyetjeve të vazhdueshme për çështjen Benala, nga gazetarët e shumtë që e ndiqnin. Rrjeti televiziv francez BFMTV e konsideroi situatën si një krizë të paprecedentë që nga moment kur Macron ka hyrë në Elize./abcnews.al

habilja.jpg
G. P.15:07 | 15/06/2018

Hetimi i dosjes ndaj Moisi Habilajt dhe grupit tek Krimet e Rënda do të vijojë të paktën deri në 19 Korrik. ABC News ka siguruar vendimin e fundit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për zgjatjen e hetimit, ku zbulohen edhe rolet e ish-zytarëve të lartë të Policisë së Vlorës në trafikun e drogës.

Prokuroria për Krimet e Rënda ka shtrirë deri në 19 Korrik afatin fundor të hetimit të nisur ndaj Moisi Habilajt, Nezar Seitit dhe anëtarëve të tjerë të grupit, të akuzuar për trafikun e tonelatave të kanabisit drejt Italisë. Vendimi i fundit i gjashtë prokurorëve të dosjes për zgjatje afati është marrë për shkak të nevojës kohore për administrim dhe përkthim të letërporosive të ardhura nga Italia, Greqia e Mali i Zi dhe analizimi i përgjimeve telefonike, apo veprimeve të tjera të dala nga dinamika e hetimit.

Sipas Krimeve të Rënda, Moisi Habilaj ka bashkëpunuar me zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit në formën e grupit të strukturuar kriminal për kultivimin dhe trafikun e drogës. ABC News ka siguruar një kopje të vendimit të prokurorisë mbi shtyrjen e afatit, ku zbardhen edhe rolet përkatëse të tre ish-zyrtarëve të Policisë së Vlorës.

Sipas prokurorisë, Sokol Bode, ish-shefi i stacionit të Policisë Dhërmi ka mbajtur lidhje duke ju ofruar ndihmë dhe mbështetje anëtarëve të këtij grupimi kriminal me qëllim realizimin e trafikimit të narkotikëve nga Shqipëria drejt Italisë.

Gjergji Kohila, ish-shef i hetimit të narkotikëve dhe Trafiqeve në Policinë e Vlorës ka mbështetur dhe bashkëpunuar me anëtarët e grupit kriminal në kultivimin e narkotikëve dhe më pas trafikimin e saj.

Ndërsa ish-drejtori i Policisë së Vlorës, sipas prokurorisë, në bashkëpunim me vartësit Kohila e Bode dhe punonjës të tjerë të policisë ka mbështetur, garantuar e bashkëpunuar me anëtarë të grupeve kriminale për kultivimin e drogës dhe më pas trafikimin jashtë vendit.

Aktualisht ish-zyrtarët Bode, Kohila dhe Çela janë në arrati. Ata janë shpallur në kërkim bazuar në një masë “arrest në burg” caktuar në mungesë nga Krimet e Rënda. Grupi i Habilajve dyshohet të ketë trafikuar 3.5 tonë kanabis drejt Italisë në harkun 2013-2017, ndërsa kishte edhe 4 tonë të magazinuar në Shqipëri./abcnews.al

hetim.jpg
G. P.11:59 | 27/05/2018

Një ditë pas protestës së organizuar nga opozita, policia ka proceduar në total 31 personona, ndërsa emrat e tyre nuk i bën të ditur. Ndërkohë, që uniformat blu dhe Prokuroria e Tiranës nuk kanë nisur hetim për asnjë nga organizatorët dhe deputetët e PD-së, që ishin të pranishëm në tubim.

Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Tiranës kanë nisur procedimin penal për 31 shtetas, të cilët ishin pjesëmarrës në protestën e organizuar nga opozita një ditë më parë.

Ata akuzohen për tre vepra penale, si prishje e rendit dhe qetësinë publike, shkatërrim prone dhe kundërshtim të punonjësit të policisë. Zyrtarisht, policia njofton se ky procedim filloi pasi më datë 26 maj, rreth orës 12:00, para godinës së Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme, në protestën e organizuar nga Partia Demokratike, kanë ushtruar dhunë fizike, duke goditur dhe shtyrë punonjësit e policisë, të cilët ishin të planifikuar me shërbim.

Gjithashtu, po kqyren edhe kamerat e sigurisë që kanë regjistruar protestën në vijimësinë e saj për të evidentuar edhe persona të tjerë që dyshohen se kanë goditur uniformat blu. Deri tani nuk ka procedim, për deputetë apo për organizatorët e protestës së të shtunës.

Policia njoftoi pasditen e djeshme, se ndaj saj, janë hedhur gurë e sende të forta rrethanore. Për pasojë 11 efektivë janë lënduar dhe një protestues. Po dje, policia njoftoi ngritjen e një grupi të posaçëm, për hetimin e rasteve të dhunës së ushtruar gjatë protestës. Mes të lënduarve mbeti edhe kryeredaktori i gazetës “Rilindja Demokratike”, Bledi Kasmi./abcnews.al

hetime.jpg
G. P.15:36 | 16/04/2018

Adriatik Lalla nuk është vënë në dijeni zyrtarisht për ndonjë hetim të nisur ndaj tij, ndonëse Prokuroria e Durrësit ka regjistruar prej një muaji një procedim penal ndaj tij dhe ka ngritur 4 akuza. Eshte avokati i Llallës, Sokol Hazizaj, që deklaron për mediat se mosvënia e tij në dijeni për nisjen e procedimit mund ta çojë procesin në parregullsi.

Prokuroria e Durrësit ka plot një muaj që po heton dyshimet për kryerjen e disa veprave penale nga ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Por avokati i tij mbrojtës, Sokol Hazizaj, pretendon se klienti i tij nuk ka asnjë dijeni për këtë hetim.

“I jam drejtuar prokurorisë së Durrësit. Nuk më kanë njoftiuar për ndonjë procedim, apo fillim hetimi në disfavor të të mbrojturit prej meje”.

Sipas Hazizajt, mosvënia e tij në dijeni për nisjen e procedimit mund ta çojë procesin në parregullsi.

“Sa kohë që në cilësinë e mbrojtësit ligjor nuk kam marrë informacion për nisjen e një procedimi penal, apo hetimi ndaj shtetasit Adriatik Llalla nuk mund të them që ka nisur procedim penal. Kjo është rruga ligjore. Çdo dyshim mbi këtë e çon procesin në parregullsi”.

Nga ana tjetër Prokuroria e Durrësit ka konfirmuar zyrtarisht për ABC neës regjistrimin e procedimit penal të Prokurorisë së Durrësit ndaj ish-kryeprokurorit Llalla. Burime zyrtare të këtij institucioni saktësuan se procedimi penal ndaj Llallës mban numrin 447 dhe është regjistruar në 15 Mars 2018.

Ish-kryeprokurori po hetohet për katër vepra penale, “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurisë”, “mosdeklarim të shumave të të hollave në kufi”, “pastrim të produktee të veprës penale” dhe “shpërdorim të detyrës”./abcnews.al

873x400.jpg
ent ela14:25 | 31/03/2018

Në konferencën për shtyp menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së këshillit të sigurisë kombëtare, kryeministri i Kosovës deklaroi se do të ketë një hetim të menjëhershëm dhe gjithpërfshirës për arrestimin dhe deportimin në Turqi të gjashtë shtetasve turq

Kreu i ekzekutivit kosovar, Ramush Haradinaj, paralajmëroi hetime e inspektime për gjithçka që ka ndodhur me dëbimin e gjashtë shtetasve turq në Turqi. Ai tha se ka kërkuar hetime të gjithanshme për rastin e depërtimit të fshehtë të turqve. Këto komente Haradinaj I bëri në konferencën për shtyp pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Ramush Haradinaj, Kryeminister i Kosovës: “Kemi vendos me kërku hetim në të gjithë mekanizmat e përfshirë, në disa raste është hetim e në disa inspektime, pra në bazë të përgjegjësive të mija. I kam informu Këshillin e Sigurisë që të bëhet një hetim dhe një raportim me shkrim për zhvillimin e ndalimit, revokimit, dhe depërtimin e shpejtë dhe të fshehtë të shtetasve turq”.

Ai shtoi se situata në vend është e qetë dhe nën kontroll.

Ramush Haradinaj, Kryeministwr i Kosovës: Konstatojmë se gjendja e sigurisë në Kosovës është stabile është e qetë, qytetarët mund të ndihen të qetë

Kryeministri tha se u kishte bërë të qartë të pranishmëvenë mbledhje se nuk do të ndodhë më asnjëherë që të merren vendime të tilla për arrestime apo deportime pa u informuar më parë kreu i qeverisë, dhe se për një gjë të tillë u ra dakord nga të gjithë./abcnews.al

policia-spanje.jpg
G. P.19:35 | 28/03/2018

Agjentët e Gardës Civile kanë shkatërruar një rrjet multietnik që organizonte trafikimin e emigrantëve klandestinë nga Spanja në Britani. Grupi kriminal, i cili kishte në përbërje edhe shtetas shqiptarë, kishte baza në vende të ndryshme të Europës.

Autoritetet spanjolle kanë njoftuar këtë të mërkurë se kanë asgjësuar një grup kriminal që merrej me organizimin e emigracionit klandestin nga Spanja në Britani, në radhët e të cilit kishte edhe shtetas shqiptarë. Në kuadër të operacionit, i kryer nga agjentët e Gardës Civile dhe Europolit, janë arrestuar 7 persona, shtetas shqiptarë, irakenë dhe spanjollë.

Sipas njoftimit të autoriteteve të Madridit, grupi në fjalë lehtësonte hyrjen në territorin britanik për emigrantët ilegalë përmes trageteve që niseshin për në Mbretërinë e Bashkuar nga portet e qyteteve Santander dhe Santurtzi, në rajonin bask. Të arrestuarit akuzohen për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe kryerjen e krimeve ndaj të drejtave të qytetarëve të huaj.

Në kuadër të operacionit, efektivët e Gardës Civile kanë bastisur tre banesa, dy nga të cilat përdoreshin për të fshehur emigrantët para se t’i hipnin trageteve. Gjithashtu janë sekuestruar telefonë të shumtë celularë, kompjuter, karta krediti, para, si dhe karta identiteti dhe pasaporta të shtetësive të ndryshme.

Hetimi i autoriteteve iberike nisi pas konstatimit të rritjes së numrit të shtetasve shqiptarë që përpiqeshin të siguronin akses në portin Santurtzi. Në vijim të hetimit, agjentët zbuluan se grupi kriminal transferonte ilegalisht emigrantë, kryesisht shtetas shqiptarë por edhe nga Siria, Iraku, Afganistani dhe Pakistani.

Trafikantët i ndihmonin emigrantët të fshiheshin në kamionë dhe automjete të tjera që hipnin në traget, si dhe në konteinerët e kompanive tregtare që niseshin në rrugë detare për në Britani. Zyrtarët spanjollë kanë deklaruar se organizata kishte celula në vende të ndryshme të Europës, si në Francë e Belgjikë, por edhe në Mbretërinë e Bashkuar./abcnews.al

manja-1280x660.jpg
G. P.15:42 | 23/03/2018

Partia Socialiste i kërkon prokurorisë të hetojë kreun demokrat, Lulzim Basha, për disa vepra penale. Ulsi Manja, Sekretari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, përmendi veprat e fshehjes së të ardhurave e të falsifikimit të dokumenteve zyrtare; korrupsionit aktiv të nëpunësve të huaj publikë dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.

E kanë vendosur këtë herë. Nuk do t’i kërkojnë më Lulzim Bashës të përgjigjet para shqiptarëve, për financimet e dyshimta gjatë fushatës elektorale.

Ulsi Manja: “Koha për Lulzim bashën që të bëjë transparencë për lobimin dhe mashtrimin në deklaratat e KQZ-s ka kaluar”.

Përderisa Lulzim Basha nuk ka ndërmend të bëjë transparencë, socialisti Manja i drejtohet prokurorisë duke i renditur edhe veprat penale, për të cilat duhet të hetohet.

Ulsi Manja: “Basha do të duhet të hetohet për fshehjen e të ardhuravem një vepër e dënueshme deri në tre vjet heqje lirie. Basha duhet të hetohet për falsifikimine dokumentave shtetërore, e dënueshme deri në shtatë vjet heqje liri. Basha duhet të hetohet për akuzën e korrupsionit aktiv të nëpunësve të huaj publik dhe e dënueshme deri në tre vjet heqje lirie”.

Në total socialistët kërkojnë minimalisht 23 vjet burg për Lulzim Bashën.
Këtë skandal sipas socialistëve, kryetari i Partisë Demokratike nuk do ta kalojë ashtu siç bëri me Rrugën e Kombit, vetëm me një recetë mjekësore./abcnews.al

PREMCI-1280x720.jpg
ent ela19:34 | 20/03/2018

Drejtor i Emergjencave Civile Shemsi Premçi ka kërkuar që të shpallet  emergjencë e pjesshme civile në Shkodër, pasi situata e përmbytjeve është rënduar. Si shkak Premçi ka identifikuar punimet pa standard të rrugës së Velipojës, një investim i qeverisë, për të cilin ai kërkoi hetim nga Prokuroria.

Kreu i Shtabit të Emergjencave Civile Shemsi Premci kërkon shpalljen e gjendjes së emergjencës së pjesshme civile në Shkodër. Pas kërkesave të përsëritura nga Bashkia, duket se edhe z.Premçi ka arritur në këtë konkluzion, pasi sipas tij situata në Anën e Malit dhe në Dajç është përkeqësuar.

Qëndrimin e dha në mbledhjen e shtabit të emergjencave. Pas monitorimit të situatës në terren, Shemsi Premci identifikon si përgjegjës për zgjerimin e hartës së përmbytjeve në Shkodër investimin që po kryhet tek rruga e Velipojës. Ai kërkoi hetim nga Prokuroria për punimet e kësaj rruge.

Segmenti Shkodër-Velipojë është një investim i qeverisë që po kryhet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Kostoja e rrugës prej 47 km është 20 milionë euro. /abcnews.al

komisioni-tahiri-1280x649.jpg
G. P.11:56 | 19/03/2018

Sot u zhvillua mbledhja e parë e Komisionit Hetimor “Tahiri”, i kërkuar nga opozita dhe i miratuar nga Parlamenti 2 javë më parë. Komisioni përbëhet nga 12 anëtarë, 6 deputetë të opozitës dhe 6 deputetë të PS. Ndërkaq, sekretare e komisionit hetimor u caktua deputetja Klotilda Ferhati.

Kreu i komisionit, Edi Paloka, kërkoi diskutimin e një rregulloreje të re për funskionimin e tij, pasi rregullorja e përgjithshme për komisionet hetimore, sipas Palokës, është shabllone.

Paloka kërkoi gjithashtu që anëtarët e komisionit të pajisen me certifikatën e sigurisë, pasi gjatë hetimeve nga ana e komisionit do të ketë dhe dosje sekrete.

Deputetet e opozitës dhe të mazhorancës debatuan edhe mbi ditën e mbajtjes së mbledhjes së radhës së komisionit, ku do të vendoset rregullorja e tij. Në fund me dakordësinë e gjithë anetareve, u vendos që komisioni hetimor të mblidhet sërish pas një jave, të hënën në 26 Mars.

Ky Komision Hetimor do kontrollojë ligjshmërinë e veprimeve administrative të Kuvendit e qeverisë, në kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike, përfshirë çështjen, për të cilën akuzohet ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, me fokus ndërhyrjen e këtyre pushteteve në hetime dhe efektet që kanë ardhur prej saj./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono