hemoragji

luan-hajdaraga-1280x720.jpg
ad min12:22 | 30/07/2018

Ka ndërruar jetë ish-ministri dhe deputeti socialist, Luan Hajdaraga, në moshën 69-vjeçare. Hajdaraga humbi betejën me sëmundjen e papritur. Në muajin Mars të këtij viti, ai pësoi ishemi masive në tru. Ish-ministri i Mbrojtjes dërgua për mjekim në Turqi. Qeveria shqiptare akordoi një shumë prej 1.9 milionë lekësh për trajtimin e tij mjekësor.

Pas mjekimit, ai ishte kthyer në Shqipëri, duke vazhduar kurimin. Me gjithë trajtimet disa mujore paraditen e sotme Luan Hajdaraga ndërroi jetë në urgjencën e QSUT-së.

Luan Hajdaraga nga viti 1998 deri në vitin 2000 ai ka qenë Ministër i Mbrojtjes. Për shumë vite ai ka qenë edhe nënkryetar i Partisë Socialiste. Një figurë mjaft e njohur në politikën shqiptare Luan Hajdaraga ka mbajtur një seri postesh të larta qeveritare dhe partiake në PS, si dhe ka qenë edhe deputet i kësaj force politike./abcnews.al

03_trump_26.jpg
ad min20:39 | 10/04/2018

Në radhët e administratës së Presidentit Trump vijon ajo që mund të quhet hemoragjia e këshilltarëve. I fundit, në rend kronologjik ka qenë ai për sigurinë e brendshme, Tom Bossert.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka humbur një tjetër bashkëpunëtor të afërt në Shtëpinë e Bardhë. Bëhet fjalë për Tom Bossert, këshilltar për sigurinë e brendshme, që të martën ka njoftuar dorëheqjen. Lajmin e bën të ditur CNN, që nënvizon se shkaqet e tërheqjes së Bossert janë ende të paqarta.

Ndërkohë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders ka konfirmuar largimin dhe ka falenderuar Bossert për punën e bërë. Bëhet fjalë për dorëheqjen më të fundit në rend kronologjik të këshilltarëve të Trump, pas largimit pak kohë më parë të McMaster, i cili u zëvendësua nga John Bolton në postin e këshilltarit për sigurinë kombëtare në Krahun Perëndimor.

Që nga marrja e detyrës fillimvitin e kaluar, Trump ka humbur të paktën 21 këshilltarë, një pjesë e të cilëve po monitoroheshin nga hetuesi i posaçëm i skandalit “Russiagate”, Robert Mueller. Pa harruar këtu shkarkimin e muajit të kaluar të sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson, me të cilin kreu i shtetit ka patur jo pak përplasje. Në fjalimin e lamtumirës, Tillerson falenderoi të gjithë për bashkëpunimin, me përjashtim të Presidentit Trump, që siç tha, ia komunikoi shkarkimin me telefon nga “Air Force One”./abcnews.al

trump-1.jpg
ad min22:56 | 07/02/2018

Një zyrtar i lartë në Shtëpinë e Bardhë është detyruar të braktisë postin pas akuzave për abuzim me ish-bashkëshortet, të cilat ai i ka cilësuar si pjesë të një fushate të koordinuar ndaj tij.

Sekretari i stafit të Shtëpisë së Bardhë, njëkohësisht një nga njerëzit më të afërt të presidentit Donald Trump ka dhënë dorëheqjen. Lajmin e kanë konfirmuar burime nga selia presidenciale amerikane. Dorëheqja e Rob Porter vjen dy javë pas akuzave se kishte abuzuar me dy ish-bashkëshortet e tij. Por në një deklaratë për shtyp të mbajtur në prag të dorëheqjes ai i mohoi akuzat.

“Këto akuza të qëllimshme janë thjesht një farsë. Unë kam qenë i hapur dhe i sinqertë sa i takon këtyre aludimeve burracake, por nuk kam ndërmend të vijoj publikisht një debat kundër një fushate të mirëkoordinuar ndaj meje”, tha Porter.

Largimi i Porter erdhi pavarësisht kundërshtimit nga ana e shefit të personelit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly dhe zyrtarëve të tjerë. Akuzat u publikuan për herë të parë nga britanikja “Daily Mail” më herët gjatë javës. Porter ka patur një lidhje me shefen e zyrës së komunikimit në selinë presidenciale Hope Hicks, një nga figurat më influente të Krahut Perëndimor. Sidoqoftë, zëdhënësja Sarah Sanders bëri me dije se ai do të qëndrojë në detyrë për të garantuar një tranzicion të lehtë të menaxhimit të postit. Si sekretar i stafit, përgjegjësia e Porter konsistonte në kontrollin e fluksit të informacionit që qarkullonte në tryezën e Trump, përfshirë dhe urdhërat ekzekutivë të dhënë nga kreu i shtetit./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono