Hashim Thaçi

hashim-thaci.jpg
G. P.19:44 | 14/06/2019

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekoruar 39 personalitete shqiptare për kontributin e dhënë ndaj shtetit të Kosovës. Në një ceremoni të zhvilluar në Tiranë, 39 personalitetet u dekoruan me “Urdhrin e Lirisë”.

39 personalitete të shquara shqiptare janë dekoruar për kontributin e dhënë për shtetin e Kosovës gjatë një ceremonie të mbajtur në Tiranë. Vetë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekoruar personalitetet me dekoratën presidenciale “Urdhri i Lirisë”.

“Për mua sot është një kënaqësi e veçantë, e jashtëzakonshme, një moment special në jetën time, por edhe si president i Kosovës që të jem në mesin tuaj dhe duke respektuar mandatin tim, por në të njëjtën kohë duke vlerësuar lart kontributin tuaj të secilit veç e veç, të shtetit shqiptar, të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Një kontribut historik për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, të kemi një ceremoni të tillë mirënjohjeje dhe respekti për atë angazhim të jashtëzakonshëm dhe vendimtar për të arritur lirinë e Kosovës”, tha ai.

Disa nga figurat e dekoruara gjatë ceremonisë ishin: Fatos Nano, Kiço Blushi, Bashkim Zeneli, Sabit Brokaj, Bashkim Fino, Fatos Klosi, Blendi Klosi dhe mjaft personalitete të tjerë./ABC News Albania 24/7

bill-clinton.jpg
nev ila23:09 | 11/06/2019

I ndodhur në Prishtinë me rastin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s, ish-presidenti amerikan Bill Klinton ka deklaruar se Kosova meriton të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s. Klinton ka vlerësuar gjithashtu bashkjetesën paqësore të Kosovës me fqinjët, e cila duhet të merret si shembull në rajon.

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton ka zgjedhur që nga hoteli ku po qëndron të ecë në këmbë deri te presidenca e Kosovës. Clinton po qëndron në Kosovë në kuadër të shënimit të 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Ai është dekoruar nga presidenti me Urdhrin e Lirisë për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës. Clinton tha se Kosova është shembull i demokracisë dhe përkushtimit për të jetuar në paqe me fqinjët.

Kosova është shembull i demokracisë dhe përkushtimit për të jetuar në paqe me fqinjët, që është diçka që të gjitha shtetet e mëdha dhe të vogla duhet ta bëjnë. Të punojnë brenda dhe jashtë kufijve. Keni mundësinë që ta shfaqni këtë te vendet e tjera në vitet në vazhdim. Kosova meriton të jetë në Unionin Evropian, në NATO si vend i pavarur”, tha Bill Clinton ish-presidenti i SHBA.

“Mbështetja juaj dhe e SHBA ka qenë jetike për lirinë, pavarësinë dhe tashmë në rrugëtimin euroatlantik. Ndaj historia e Kosovës është histori suksesi e përbashkët, ju jeni heroi ynë”, tha Hashim Thaçi presidenti i Kosovës.

Clinton në vitin 1999 ishte president i SHBA-së dhe njëri ndër personat vendimtarë për intervenimin e NATO-s në Kosovë./ABC News Albania 24/7

delegacioni-franko-gjermane.jpg
nev ila15:30 | 03/06/2019

Delegacioni franko – gjerman është takuar në Prishtinë fillimisht me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi e më pas me kryeministrin Ramush Haradinaj e zyrtarë të tjerë. Prishtina zyrtare njëzëri përsëriti se nuk do të heqë taksën e vendosur ndaj Serbisë, dhe që pret liberalizimin e vizave.

Dialogu Kosovë Serbi sipas presidentit të Kosovës Hashim Thaçi do të vazhdojë pa kushte.

Pas takimit me delegacionin e këshilltarëve diplomatikë të presidentit të Francës dhe të kancelares së Gjermanisë Thaçi tha se taksa do të mbetet në fuqi ndërsa nuk do të pranojnë kushte shtesë për liberalizimin e vizave.

Theksuam shumë qartë se tarifa duhet  të mbetet në fuqi, është një vendim legjitim në anën tjetër duhet të respektohet të gjitha marrëveshjet që janë arritur në vitin 2013 nga të gjitha palët. Shpresoj që do të ketë një angazhim serioz edhe për javët e ardhshme që kanë mbetur në mënyrë që të jetë një koordinim i plotë”, tha Thaci.

Zyrtarë të këtij delegacioni kanë zhvilluar takim edhe me krerët e tjerë të shtetit të Kosovës.

Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj ka mirëpritur angazhimin e Gjermanisë dhe Francës për të rikthyer dialogun siç ka thënë ai në binarët e duhur./ABC News Albania 24/7

13A367DD-D175-4D1B-B13C-47B819770053_cx0_cy7_cw0_w1023_r1_s.jpg
G. P.11:50 | 03/06/2019

Pas takimit me delegacionin franko-gjerman, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u shpreh se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë pa kushte dhe se taksa ndaj produkteve serbe nuk do të hiqet.

Kreu i shtetit të Kosovës ka kërkuar sërish liberalizimin e vizave duke kërkuar që qytetarët të mos mbahen të izoluar. Ai theksoi se Kosova nuk do të pranojë kushte tjera për liberalizimin e vizave, sidomos jo në shkëmbim të kërkesave për tarifat apo për krijimin e asociacionit e komunave serbe në veri të vendit.

Pas takimit me Thaçin, delegacioni ndodhet në takim me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj. Gjatë ditës është parashikuar edhe takimi me kryeparlamentarin Kadri Veseli./ABC News Albania 24/7

berisha.jpg
G. P.23:27 | 30/05/2019

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se rreth 200 eksponentë të politikës kosovare janë ekzekutuar në periudhën e pasluftës. I ftuar në emisionin “Pressing”, Berisha ka nënvizuar se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dijeni për këto vrasje dhe është peng i dosjeve të Beogradit.

“Janë rreth 200 dosje për drejtues dhe anëtarë të LDK-së të ekzekutuar për qëllime politike. Këto janë ato që unë di. Këtu nuk janë llogaritur ata që janë vrarë gjatë luftës, por pasi është futur NATO në Kosovë. Në këtë kontekst është jashtë çdo dyshimi se “argati” është peng i dosjeve të tij. Kur një njeri, përfaqësues i vendit dhe kombit të tij shkon për të shitur territore e troje, të gjitha këto e kanë bazën tek dosjet e Vukçeviçit. Unë nuk di asnjë krim konkret të këtij apo atij, por di se je në konflikt interesi, ndaj largohu nga dialogu me Serbinë”, tha Berisha./ABC News Albania 24/7

 

hashim-thaci-4.jpg
G. P.22:49 | 30/05/2019

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka bërë deklarata dhe akuza të rënda kundër ish-presidentit Sali Berisha. Sipas Thaçit, të gjitha informacionet dhe indiciet për vrasjen e gazetarit Ali Uka, në 30 korrik të 1997,  të çojnë tek zyra e ish-presidentit Berisha. Sipas Thaçit, Ali Uka është vrarë pasi kishte gjetur dhe do të publikonte informacione për takimet e fshehta të Berishës me Millosheviçin, Gligorovin dhe Arkanin.

Ali Uka kishte prova edhe për zhdukjen dhe vrasjen e Remzi Hoxhës nga shërbimet sekrete të kohës së Berishës, tha Thaçi në një intervistë dhënë për TV Dukagjin ku ai ishte përballë dy panelesh gazetarësh nga Kosova dhe Shqipëria.

“Dua të them një fakt për herë të parë. Është e vërtetë se Ali Uka atë kohë pretendonte dhe donte të botonte në  shtyp të vërtetën e vrasjes së atdhetarit Remzi Hoxha. Ali Uka punonte në gazetën “Shqiptare”. Remzi Hoxha i cili sipas Aliut kishte bërë zbulimin e takimeve të fshehta në Ohër në mes të Sali Ramë Berishës, Millosheviçit dhe Gligorovit. Pra Presidentit të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Serbisë. Aliu fliste hapur me emra dhe mbiemra se kush e kishte arrestuar Remziun dhe si kishte përfunduar i vrarë. Rrëfimi i Aliut të conte direkt në zyrën e Sali Ramë Berishës, tek njerëzit në zyrën e Sali Ramë Berishës.

Ndërsa flas për takimin e fshehtë mes Berishës, Millosheviçit dhe Gligorovit në pranverë të vitit 1995. Nuk është folur shumë në publik për këtë. Pretendimi i dytë i gazetarit Ali Uka ishte se kishte zbuluar atëherë skemën e Arkanit në Shqipëri dhe takimet me zyrtarët e lartë të SHISH. Aliu fliste me fakte që Sali Ramë Berisha ishte në dijeni të plotë të qëndrimit të Arkanit dhe Legias në Fushë Krujë dhe Shkodër dhe që kontraktonin dhe merreshin me kontrabandë por para së gjithash të armatimit të njësive paramilitare të serbëve edhe në Kosovë, edhe në Kroaci, edhe në Bosnje. Këto deklarime të tij për mua kanë qenë intriguese. Sali Berisha e di shumë mirë kush e ka vra Ali Ukën. Me emër dhe mbiemër. E di se kur u burgos, si u dënu dhe kur u liru me ndikim të drejtpërdrejtë të Sali Ramë Berishës. Ali Uka ka qëndruar dhe ka pi me të në tavolinë, me dy nga këshilltarët e Sali ramë Berishës dhe dy persona të tjerë”, tha Thaçi./ABC News Albania 24/7

hashim-thaci-3.jpg
G. P.22:31 | 30/05/2019

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i është kundërpërgjigjur Sali Berishës, duke deklaruar se ky i fundit kërkon të qëndrojë në skenë duke u marrë me kreun e shtetit të Kosovës.

Sipas Thaçit, Berisha do të përdorë debatin kundër tij për fushatën në Shqipëri.

“Ndjej keqardhje kur e shoh në këtë gjendje të arrogancës dhe humbjes së kontrollit si gërmadhë apo si fosil. Mendoj se ka nevojë për një trajtim mjekësor se sa të merret seriozisht në kuptimin e një debati politik. Është humbje e madhe e kohës për të diskutuar për të, por vendimin më të madh e  kanë marrë vetë qytetarët në Shqipëri, por ndoshta mendon me qëndruar në skenë duke u marrë me mua dhe ka nxjerrë mllefin që ka pasur 3 dekada. Ai dëshiron që të qëndrojë në këtë debat për shkak të fushatës që ka në Shqipëri dhe nuk do dëshiroj që të interferoj në këtë proces. Është punë e tyre. Urrejtje ndaj Ramës mund ta shprehë atje, por jo ndaj meje në Kosovë”, tha Thaçi.

Ai i ka kthyer përgjigje edhe për akuzat që Sali Berisha deklaroi në emisionin “Opinion” në TV Klan, në lidhje me arrestimin e kreut të shtetit të Kosovës për shkak të vrasjes së gazetarit Ali Uka bë vitin 1997. Thaçi theksoi se është arrestuar nga autoritetet e Berishës dhe kur është vrarë gazetari ka qenë në komisariat.

Argati i Millosheviçit thotë që jam arrestuar për çështje ordinere. Viti ‘97 Shqipëria ka qenë me pushkë në dorë për shkak të politikave të tij të dobëta me fajde. Unë jam arrestuar, kjo është e vërtetë, për armëmbajtje dhe për disa krehra kallashnikovësh për t’i sjellë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Unë jam arrestuar 10 orë para se të vritej Ali Uka. Jam arrestuar tek ura e Elbasanit, në mënyrë brutale, nga autoritetet e Sali Ramë Berishës. Kam qëndruar 24 orë në komisariat dhe kur është vrarë Ali Uka unë kam qenë në komisariat”, tha Thaçi./abcnews.al

hashim-thaci-2.jpg
G. P.21:48 | 30/05/2019

“BE duhet të ndryshojë përndryshe kjo rrugë do të çojë domosdoshmërisht, ky izolim i Kosovës, në një angazhim të dy parlamenteve, dy qeverive për një shtet të përbashkët”.

Kjo është deklarata që lëshoi këtë të enjte Presidenti Hashim Thaçi në lidhje me idenë për bashkimin kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo sipas Presidentit vjen si rezultat i vonesave, diskriminimit dhe izolimit që i është bërë Kosovës nga shtetet anëtare të BE-së.

Deklaratat kreu i shtetit të Kosovës i bëri gjatë emisionit “Debat Plus” në TV Dukagjini, ku ishte përballë një paneli me gazetarë kosovarë dhe shqiptarë falë një bashkëpunimi me ABC News.

“Ideja për korrigjimin e padrejtësive historike për bashkangjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit me Republikën e Kosovës kurrë nuk ka qenë më e sensibilizuar në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar. Edhe në takimin e Berlinit nuk është mbyllur ndonjë ide dhe nuk është paraqitur ndonjë ide nga ndërkombëtarët. Pas vonesave dhe diskriminimit që është duke i bërë BE apo shtetet anëtare të BE-së Kosovës, mendoj që ka ardhur koha që të mendojmë seriozisht për ndërmarrjen e hapave konkretë dhe institucional për një angazhim të të gjithëve, edhe institucioneve dhe qytetarëve që nëse BE vazhdon me këtë izolim dhe mbyllje të derës për Kosovën, për mos respektim të arritjeve që kemi pasur deri tani atëherë realisht duhet të shkojmë deri në një formulë të bashkimit kombëtar, qoftë edhe nëpërmjet një rezolute të Kuvendit të dy vendeve tona, apo dhe përmes referendumit në Kosovë dhe Shqipëri. Gjithmonë duke përfshi Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin.

Unë i besoj shtetit të Kosovës, kam investuar gjithë jetën time. Jam vetëshpallësi i pavarësisë së Kosovës, i nxjerrjes së deklaratës së pavarësisë dhe kam arsye të fuqishme dhe personale dhe historike dhe të legacisë, por edhe të realitetit që t’i besoj shtetit të Kosovës. Jam më optimist se të tjerët sa i përket të ardhmes së Kosovës. Unë dua që Kosova dhe Shqipëria të jenë si dy vende në NATO dhe në BE, por me dy vota në OKB, por kjo vonesë e BE-së, ky izolim, ky diskriminim dhe ky poshtërim që i bëhet Kosovës, por edhe shqiptarëve çon në vendimin që definitivisht nëse nuk na duan me dy flamuj atëherë le të jemi me një flamur edhe në NATO edhe në BE edhe në OKB.

Nuk është presion, nuk është kërcënim, por është një qasje reale dhe do ta shtyj përpara që ta diskutoj me të tjerë. Është mirë që të gjithë të reflektojnë në kuptimin pozitiv. BE duhet të ndryshojë përndryshe kjo rrugë do të çojë domosdoshmërisht, ky izolim i Kosovës, në një angazhim të dy parlamenteve, dy qeverive për një shtet të përbashkët”, tha Presidenti Hashim Thaçi.

Ndërkohë pyetjes së gazetares Mirela Milori nëse kjo ide është diskutuar edhe nga Tirana, Hashim Thaçi tha se, “Zyrtarisht ende nuk është trajtuar kjo çështje, por kjo nuk do thotë që nuk do të trajtohet në të ardhmen shumë të afërt, por jo gjatë periudhës elektorale në Shqipëri”./abcnews.al

hashim-thaci.jpg
ent ela15:34 | 24/05/2019

Me anë të një postimi të gjatë në profilin e tij zyrtar në Facebook, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka reaguar ndaj deklaratave të një dite më parë të ish-kryeministrit shqiptar Sali Berisha. Kreu i Shtetit të Kosovës, akuzoi sërish Berishën se i ka shërbyer Millosheviçit duke i shitur armë Serbisë.

Vijon përplasja në distancë mes ish-kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe presidentit të Kosovës Hashim Thaçi. Ky i fundit ka reaguar me një postim të gjatë në profilin e tij zyrtar në Facebook, ndaj deklaratave të bëra nga Berisha në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, mbrëmjen e së enjtes.

Berisha, foli për përplasjen me Thaçin, duke përsëritur qëndrimin e tij se e konsideron presidentin si një argat të Serbisë, si dhe ka treguar edhe arsyen e ndalimit të Thaçit nga autoritetet shqiptare.

Berisha tha se Thaçin e kishin ndaluar, për ta marrë në pyetje rreth vrasjes së gazetarit Ali Uka, pasi kishte fjetur në të njëjtën dhomë me Thaçin, e në të njëjtën dhomë ishte gjetur i vdekur.

Thaçi nga ana e tij në reagimin në Facebook përsëriti akuzat se Berisha i ka shërbyer Sllobodan Milloshevic, duke i shitur armë Serbisë, në kohën kur Kosova ishte në luftë.

Ndër të tjera ai thotë se ia ka pasur frikën gjithmonë një gjuhe të tillë, për të cilën thotë se tashmë është zhvendosur edhe në disa parti në Kosovë.

Thaçi shprehet se nuk ka asnjë kënaqësi të merret me një relike të shëmtuar – duke iu referuar Berishës – i vetëdijshëm se ky intrigant bën përpjekje dëshpëruese të ushqejë hijen e tij, duke hedhur baltë mbi çdo gjë që konsiderohet si vlerë e traditës dhe kulturës sonë kombëtare.

“Nuk kam asnjë dyshim se një ndër krimet më të mëdha në rrugëtimin e S.R.B, përveç përpjekjes për puç institucional, shkatërrimin e shtetit dhe demokracisë në Shqipëri, është edhe fakti se ai i shkatërroi edhe kodet e sjelljes dhe komunikimit të Odës Shqiptare.

Ai punoi tërë jetën duke përçarë kombin dhe vendin. Tiparet e malësorit i humbi duke i shërbyer bllokut në vitet e diktaturës”, vijon më tej reagimi i kreut të shtetit të Kosovës.

Duke iu referuar vetëm me iniciale, Thaçi shton se “S.R.B është ai që solli këtë fatkeqësi të madhe në sofrën tonë dhe infektoi shumë politikanë me fjalorin e tij vulgar, duke u bërë modeli më i keq.

E kam thënë dhe do ta them gjithnjë, se kam dhimbje kur e shoh si ka përfunduar në një gërmadhë morale dhe politike”, shkruan më tej ai.

“S.R.B sot nuk paraqet asgjë tjetër, vetëm një fosil.

“Dua ta kuptojnë të gjithë shqiptarët se unë kur flasë për S.R.B., nuk e bëj aspak për të pastruar ndonjë hesap personal. Këtë e bëjë vetëm si shërbim të interesit publik, që njerëzit të mos shurdhohen nga kambanat e këtij ndjellësi të fatkeqësive dhe që të gjithë së bashku të reflektojmë për këtë fatkeqësi kombëtare, që shfaqet në formën e shpifjeve, sharjeve dhe sulmeve të ulëta mes shqiptarëve”-përfundon Thaçi. /ABC News Albania 24/7

sali-berisha-1.jpg
G. P.12:03 | 24/05/2019

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzon presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, se po e copëton Kosovën për të shpëtuar lëkurën e tij. Deklaratat ish-kreu i qeverisë i ka bërë në emisionin “Opinion”.

“Unë po diskutoj që ky ka marrë misionin e Serbisë së Madhe në mënyrë absolute. Pasi dështoi në anulimin e Gjykatës Speciale. Unë i kam bërë një propozim Kosovës, largojeni nga propozimi në negociata gjersa të zgjidhet çështja në Hagë. Të mos shkojë në negociata pa u zgjidhur problemi. Nuk mund të imagjinoja kurrë të sulmoja një drejtues të Kosovës po qe se nuk kërcënoheshin në mënyrë jetike interesat e saj. Gjithë verën e kaloi do ndryshojmë kufijtë, s’do ndryshojmë kufijtë. Gjithë kohën e kalon, të hiqet taksa të mos hiqet taksa”, tha Berisha./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono