Hani i Hotit

policia123.jpg
nev ila11:26 | 19/07/2019

Dy persona janë vënë në pranga në Shkodër dhe dy të tjerë janë proceduar penalisht pasi ndihmuan disa shtetas të huaj për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Një 35-vjeçar u kap në afërsi të stacionit kufitar në Han të Hotit duke transportuar 4 shtetas marokenë drejt Malit të Zi me destinacion përfundimtar vendet e BE-së.

Ndërsa tek tregu i këpucëve në qendër të qytetit të Shkodrës janë gjetur 8 shtetas pakistaneze të cilët kishin rënë dakord me të arrestuarit që kundrejt vlerës 200 euro t’i kalonin ilegalisht në Mal te Zi.

35-vjeçari i ndaluar bashkëpunonte me një tregtar për të transportuar shtetasit e huaj drejt vendeve të BE-së. Për këtë rast janë proceduar në gjendje të lirë pronari dhe roja i tregut të këpucëve në Shkodër./ABC News Albania 24/7

veliau-1280x689.jpg
Sej rie10:45 | 12/07/2019

Hapet godinë e re doganore në pikën kufitare të Hanit të HotitNë fjalën e tij, drejtori i Përgjithshëm Policië, Ardi Velia tha se ky investim ka kushtuar 45 mln lekë dhe është shumë i rëndësishëm sepse i paraqet një “fytyrë”  të re për qytetarët që hyjnë në Shqipëri.

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu në inaugurimin e godinës së Policisë Kufitare, Hani i Hotit, Shkodër

I nderuar Ministër i Brendshëm z. Lleshaj
I nderuar zoti Ambasador i Shqipërisë në Malin e Zi
Të nderuar drejtues të Policisë Kufitare dhe punonjës të kësaj pike
Të nderuar përfaqësues të medias 
Të nderuar pjesëmarrës

Ceremonia e sotme është e një rëndësie të veçantë, pasi krijimi i kushteve të përshtatshme për të punuar dhe për tu akomoduar, është një domosdoshmëri jo vetëm për Organizatën, por edhe për imazhin e saj dhe të vendit.

Pikat e Kalimit Kufitar dhe punonjësit e Policisë që shërbejnë në këto pika, janë vija ndarëse e kufirit mes dy vendeve, por janë edhe pika e parë e kontaktit me turistët, vizitorët dhe investitorët e huaj, të cilët vijnë në vendin tonë.

Në këtë kontekst, investimi në infrastrukturë, logjistikë, akomodim të punonjësve të Policisë është mëse i domosdoshëm dhe i shërben rritjes të cilësisë së shërbimit, duke krijuar impaktin e parë pozitiv tek gjithë ata që hyjnë në vendin tonë.

Sot, inaugurojmë godinën e Policisë, ku akomodohet personeli i kësaj pike, një investim prej afro 45 milionë lekësh nga buxheti i shtetit, që plotëson investimin e kryer nga Bashkimi Evropian, nëpërmjet programit IPA 2012 dhe kompleton infrastrukturën e Pikës së Kalimit Kufitar, Hani i Hotit.

Tashmë ky stacion i Policisë Kufitare, ka një objekt bashkëkohor, ku krahas zyrave për akomodimin e personelit, siguron edhe ambientet për shërbimin e qytetarëve, bllokun e dhomave të shoqërimit për meshkuj, femra e të mitur, zyrën e marrjes së kallëzimit /intervistimit, dhomën e mjekut, zyrën procedurale, sallën e “IT”-së, ambientet për regjimin e uniformës (meshkuj, femra), magazinat dhe ambientet ndihmëse, arkivin, sallën e mbledhjeve dhe parkingun.

Është realizuar sistemimi i jashtëm, duke u unifikuar me sistemimin e kryer nga delegacioni Evropian, si dhe ndriçimi i jashtëm, vëzhgimi me kamera, etj., duke krijuar një ambient funksional dhe estetik bashkëkohor.

Sistemi i vëzhgimit me kamera të ambienteve të brendshme dhe të jashtme, do të rrisë sigurinë e objektit, gjithashtu është bërë mobilimi i objektit me pajisjet dhe orenditë e nevojshme, për kompletimin e të cilit u shpenzuan rreth 2, 6 milionë lekë.

Realizimi i këtij investimi siguron krijimin e kushteve të nevojshme akomoduese për strukturën e PKK Hani i Hotit, përmirëson standardet për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në veçanti të personave të shoqëruar, përmirëson cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve dhe transparencën e shërbimeve policore. 

Ky është investimi i dytë i këtyre përmasave gjatë këtyre dy viteve të fundit në pikat e kalimit të Kontrollit Kufitar, pas investimit të bërë në Morinë, pa dashur të përmend me radhë pastaj, gjithë investimet e tjera në sektorë të tjerë të Policisë së Shtetit.

Këto investime tregojnë edhe njëherë vëmendjen e veçantë të Kryeministrit të vendit, për të mbështetur Policinë e Shtetit dhe të Ministrit të Brendshëm, i cili që në krye të herës ka vënë theksin tek një Polici e mirëarsimuar, e mirëtrajnuar dhe e pajisur me logjistikë dhe ambiente bashkëkohore.

Të nderuar pjesëmarrës:

Menaxhimi i integruar i kufijve, “kufij të hapur, por të sigurt”, kërkon personel shërbimi të mirëarsimuar, të trajnuar, të aftë fizikisht, të trajtuar qoftë edhe ekonomikisht, të pajisur me bazë logjistike dhe me kushte akomodimi.

Investimi në infrastrukturë solli një menaxhim më të mirë të fluksit të qytetarëve dhe mjeteve, investimi në logjistikë solli rezultate më të mira në drejtim të goditjes së kontrabandës, kalimit të paligjshëm të kufirit, parandalimit të kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta si dhe në rritjen e performancës dhe imazhit të Policisë Kufitare.

Ndaj duke përfunduar, dua të shpreh edhe njëherë mirënjohjen dhe falënderimin për Qeverinë shqiptare për këtë investim të radhës dhe vendosmërinë e Policisë Kufitare, për të parandaluar dhe goditur paligjshmërinë, duke ofruar një shërbim sa më cilësor për qytetarët vendas dhe të huaj.

Faleminderit./abcnews.al

hani-i-hotiti.jpg
G. P.15:33 | 03/08/2018

Pika e Kalimit kufitar të Hanit të Hotit u zgjerua me disa sportele të tjera duke u transformua plotësisht. Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, theksoi se menaxhimi i integruar i kufinjve është një bonus për integrimin e Shqipërisë drejt BE-së.

Pika e kalimit Kufitar të Hanit të Hotit është transformuar plotësisht. Një fond i Bashkimit Europian në vlerën e 2.5 milionë eurove, iu ka krijuar lehtësi kalimi qytetarëve, por edhe bizneseve shqiptare e malazeze në të dy anët e kufirit.

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, u ndje i lehtësuar pas përfundimit të punimeve në pikën e kalimit kufitar. Sipas tij, ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, i dërgonte mesazhe, duke i kërkuar informacion lidhur me ecurinë dhe afatin përmbyllës.

Fatmir Xhafaj:Më në fund edhe unë do kem mundësi që të mos kem më inboxin e telefonit tim mesazhe: Çfarë bëhet me Morinën? Çfarë  u bë me Hanin e Hotit? Shumë vonë me Hanin e Hotit. Kur do përfundohen ato punimet? Do biem të dy të qetë në këto ditë të nxehta Gushti dhe unë e Vlahutin që të mos kemi më korrespondenca të tilla”.

Në prani të ministrit të Brendshëm malazez , Xhafaj, pohoi se qeveria shqiptare ka ndër prioritetet e saj zhvillimin e turizmit.

Fatmir Xhafaj:Është një fakt inkurajues që ky sezon turistik ka qenë i mbarë dhe me një aktivitet normal në pikat tona të kalimit kufitar. Masat që kemi marrë në kuadër të mbarëvajtjes së sezonit turistik, parashikojnë edhe lehtësimin e qarkullimit të njerëzve dhe mjeteve në portat hyrëse, një ngarkesë që deri më sot për fat është përballuar më së miri dhe që natyrisht ky zgjerim i pikës hyrëse në këtë kalim kufitar, do ta lehtësojë akoma më shumë këtë lëvizje”.

Me këtë investim, kjo Pikë e Kalimit Kufitar arrin në atandardet e BE-së.

“Standardet e shërbimit dhe përpunimit do të jenë në përputhje me ato të BE-së (Shengen). Ky përmirësim do të lehtësojë së tepërmi, qoftë kalimin kufitar të shtetasve, turistëve etj., ashtu edhe përpunimin dhe kontrollin e mallrave nëpërmjet doganës”.

Në fund Xhafaj theksoi se një vend i sigurt bën edhe një rajon më të sigurt, prandaj menaxhimi i integruar i kufijve ka një rëndësi të veçantë./abcnews.al

vlcsnap-error757-1280x720.jpg
us er14:44 | 10/12/2017

Kreu i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, inspektoi doganën e Hanit të Hotit, ku falë një investimi 1.8 milionë eurosh qytetarët dhe mallrat do të mund të kalojnë më shpejt dhe më të sigurtë.

1.8 milionë euro është vlera e një investimi të financuar nga Komisioni Europian, i cili jo vetëm që i ndërron faqe doganës së Hanit të Hotit, por edhe i lehtëson punën tre insitucioneve të rëndësishme si Policia Kufitare, Drejtoria e Përgjithsme e Doganave dhe Agjensia e Kontrollit Ushqimor. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ishte në këtë doganë për të parë nga afër realizimin e projektit të investimit për terminalin e ri dhe godinë.

Ahmetaj: “Është një investim i Bashkimit Europian prej 1.8 milionë euro. Qëllimi është i drejtpërdrejtë për të përmirësuar kushtet e punës, por këtu ka një specifikë, investimi sjell pikën e kalimit kufitar në nivelin e kushteve standarde të Schengenit dhe do të përdoret nga 3 institucione shumë të rëndësishme. Do të përdoret nga Drejtoria e Policisë së Kufirit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe nga Agjensia e Kontrollit Ushqimor. Sigurisht që jo vetëm që rrit, përmirëson, kushtet e punës por rrit edhe cilësinë e shërbimit ndaj sipërmarrjes, ndaj qytetarëve, përshpejton dhe lehtëson tregtinë ndërkufitare, është dhe pjesë e projektit të madh të lehtësimit të tregtisë rajonale dhe besoj që do të ketë efektet e drejtpërdrejta edhe në rritjen e të ardhurave, në transparencën e punës së 3 institucioneve Drejtoria e Policisë Kufitare, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Agjensia e Kontrollit Ushqimor, në raport me qytetarët dhe me sipërmarrjen”.

Hapësira e kufizuar dhe mungesa e korsive të mjaftueshme për përballimin e lartë të fluksit të transportit, kanë qenë një problematikë për këtë pikë kufitare, duke shkaktuar edhe vonesa për qytetarët dhe sipërmarrjen.

Projekti i ri do të mundësojë një kontroll kufitar më të shpejtë dhe të sigurtë në aksin kryesor midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, për trafikun kufitar dhe transportin e mallrave, përpunimin në kohë më të shkurtër të kamioneve me mallra dhe lehtësim të procedurave doganore./abcnews.al

 

 

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono