hajdute

spitali-durres-ambulance-933x445-1.jpg
ad min09:07 | 25/10/2019

Një grua ëshë hedhur nga kati i tretë i shtëpisë. Ngjarja ka ndodhur pas mesnate në lagjen numër 13 në Durrës. Dyshohet se në shtëpinë e saj kanë hyrë hajdutët.

Në panik e sipër, pasi ka dëgjuar zhurmën e tyre, gruaja është hedhur nga lartësia. Fatmirësisht ajo ndodhet në spital pa rrezik për jetën. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes./abcnews.al

Basha-Roskovec-1.jpeg
nev ila18:24 | 06/08/2019

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e konsideroi qëndresën e opozitës, vendimin për djegien e mandateve dhe protestat e saj si një nga arsyet kryesore të rritjes së besimit tek PD dhe bashkimit të 85% të shqiptarëve për të refuzuar regjimin e Edi Ramës.

Në takimin me strukturat e PD në Roskovec, kreu i PD foli për vendimin e drejtë të djegies së mandateve.

Ne nuk mund të vazhdonim të ishim fasadë e maskaradës ku vidhej nga mëngjesi deri në darkë buxheti i shtetit, ku përdorej parlamenti si leckë për të kaluar ligje vetëm për të vjedhur, si ligji për Teatrin apo ligji për Milot- Balldre dhe dhjetëra ligje të tjera. Dhe çfarë parlamenti! Një parlament i dalë, siç e di sot gjithë bota nga përgjimet e BILD, Deutsche Welle apo Zëri i Amerikës, jo nga vota e njerëzve, por me përfshirjen e drejtpërdrejtë të grupeve kriminale”, tha Basha.

Çdokush që ka iluzionin se me Edi Ramën në krye të qeverisë mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme, duhet të ekzaminojë kujtesën dhe të shohë faktet: Shikoni pseudobashkiakët e rinj: Valdrin Pjetri ka fshehur të dhënat mbi të kaluarën e tij dhe duhet të ndiqet penalisht. Edi Rama e kandidoi dhe tani urdhëron prokurorinë e korruptuar ta mbrojë nga ligji i dekriminalizimit. Pjerin Ndreu, në listën e zezë të partnerëve prej vitit 2003 dhe i larguar nga policia për përfshirje në trafiqe, i kapur në përgjime në dosjen 184 duke urdhëruar shkarkimin e mësuesve që nuk votojne për PS, në vend që të ndiqej penalisht, e kandidon dhe e mbron Edi Rama. Artur Bushi i Krujës mbaroi një mandat si bashkiak trafikant në Itali dhe e rikandidoi. Dionis Imeraj, Valbona Sako, të dy të kapur në përgjimet e Dibrës, të dy mbrohen dhe promovohen nga Edi Rama. Tërmet Peçi, Klement Ndoni, trafikantë droge, në vend që të shkojnë para drejtësisë, mbrohen dhe rikandidohen. Agim Kajmaku, i kandiduar në Vorë, i dënuar në Greqi. Ragip Suli, i kapur në vjedhje flagrante me tendera dhe qira shtetërore, në konflikt të hapur interesi me statusin e deputetit, në vend që të largohej si deputet dhe të ndiqej penalisht, e mbron dhe e promovon Edi Rama. Krimi dhe Edi Rama janë të pandashëm. Që të largojmë krimin duhet të largojmë Edi Ramën”, tha Basha.

Lideri i opozitës u shpreh se largimi i Ramës, të cilin ai e përkufizon si Hajdut Psiqik, është sot edhe më urgjent dhe jetik për vendin se para 30 Qershorit.

“Shqipëria ka mjaft pasuri natyrore, ka pyje, ka lumenj, ka ujë, ka det ka një pozitë gjeografike të jashtëzakonshme. Ne jemi një popull i vogël dhe me këto pasuri duhet të ishim të pasur dhe të lumtur. Por Hajduti Psiqik vendosi që këto pasuri t’i grabiste për vetë dhe për një grusht klientësh. Pasuritë minerale u janë dhënë për dy lekë oligarkëve dhe bandave të krimit. Pasuritë minerale dhe nafta mbanin dikur gjithë ekonominë dhe ushqenin gjithë Shqipërinë, kurse sot nga to nuk merren as taksa dhe asnjë përfitim për shqiptarët, por vetëm pasurim për oligarkët grabitqarë. Bregdetin ua ka vjedhur qytetarëve dhe ia ka dhënë dhuratë me vendime speciale oligarkëve, që kanë ndërtuar në toka të vjedhura buzë detit. Nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës që të privatizohet deti dhe bregdeti”- tha Basha, duke shpjeguar sesi Rama ka grabitur edhe pasuritë e tjera të vendit për llogari të klientëve të tij.

Ka marrë pyjet dhe ia ka dhënë për dy lekë oligarkëve. Pyjet kanë qenë të shqiptarëve, tani janë të oligarkëve. Lumenjtë, kanionet, ujëvarat po ua merr shqiptarëve dhe po ua jep oligarkëve për hidrocentrale dhe betonizim. Ato kanë qenë të shqiptarëve, tani janë të oligarkëve grabitqarë.Në vend që këto bukuri të prodhojnë mirëqenie përmes turizmit, tregtisë, peshkimit, etj, ato prodhojnë para për klientët e Ramës dhe varfëri për popullin. Do të shkatërrojnë turizmin dhe ekonomitë e vogla familjare dhe do të të pasurojnë klientët grabitqarë”- u shpreh zoti Basha në takimin me drejtuesit e PD në Roskovec.

Kreu i opozitës përmendi tendera korruptivë dhe koncesionet e rrugëve ku sipas tij janë një mënyrë e Edi Ramës për të vjedhur.

Në vend të ndërtimit të infrastrukturës, të rrugëve, të porteve, të linjave të energjisë, Hajduti Psiqik vendosi që të vjedhë paratë e shqiptarëve gjoja për të bërë rrugë. Në vendin më të varfër të Evropës, 1 kilometër rrugë kushton 10 herë më shtrenjtë se në vendet më të pasura të botës, më shtrenjtë se në Amerikë, Gjermani apo Zvicër. Sepse këto janë projekte për të vjedhur.

Lideri i opozitës vuri në dukje se edhe kriminelët e hajdutët në krye të bashkive të uzurpuara dh shëm, Edi Rama do t’i përdorë për ta ndihmuar me projektin e tij të vetëm, vjedhjen dhe grabitjen e Shqipërisë.

85 % e shqiptarëve e kanë kuptuar këtë dhe janë bashkuar sot me shumicën kombëtare “Rama ik”. Detyra e opozitës së bashkuar është të luftojmë që kjo shumicë të vendosë me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe t’i prijmë betejës për ndryshimin e thellë ekonomik dhe politik”, tha lideri i opozitës./abcnews.al

shqiptaret123.jpg
ad min16:57 | 28/07/2019

Pesë shqiptarë kanë rënë në pranga mëngjesin e së shtunës nga policia e Firenze-s pasi akuzohen se janë pjesë e një grupi të rrezikshëm kriminal që merrej me grabitjen e banesave.

“Vetëm të vdekur mund të na kapin”. Kjo ishte motoja e pesë djemve nga Miloti. Ata i përkasin moshave 21 deri në 37-vjeçare, por emrat e tyre nuk janë bërë publike. Sipas mediave, djemtë ishin të afërm dhe i përkisnin familjeve me mbiemër Veseli, Gega dhe Cera. Tre prej tyre kanë precedentë të mëparshëm penal, ndërsa dy të tjerë nuk janë të njohur në drejtësinë italiane.

Sipas karabinierëve, njëri nga grabitësit në momentin e operacionit u mundua të arratisej. Ai u hodh nga kati i gjashtë i një pallati në ballkonin e një apartamenti në kat të katërt të pallatit përballë. Nga kjo ngjarje mbetën të lënduar 3 policë, ndërkohë që anëtarët e bandës nuk pësuan asnjë plagë.

Shqiptarët për policinë italiane ishin shumë të rrezikshëm. Ata kryenin grabitje edhe nëse pronarët ndodheshin brenda banesës. Një prej drejtuesve të policisë franceze, Nino De Santis, ka treguar se vodhën 30 gramë ar nga banesa e një plake ndërkohë që ajo flinte.

Nga përgjimet është zbuluar se për të nënkuptuar arin thonin fjalën “pikë”. Gjithashtu kapja e tyre ishte shumë e vështirë. Kjo pasi për një kohë të shkurtër ndërruan 5 makina, ndërsa punët nuk i kryenin gjatë orëve të vona të natës, por mbrëmjeve.

Bazën grupi i grabitësve e kishte në një apartament në Isolotto. Ndërkohë në rrjetet sociale mburreshin se kishin çuar drejt përplasjes një makinë karabinierësh ose se kishin grabitje prej “200 pikësh”.

Pasi ktheheshin në shtëpi flisnin me telefon me familjarët e tyre dhe çdo gjë që vidhnin e dërgonin menjëherë në Shqipëri. Madje nuk mbanin asgjë në shtëpi, pasi i fshihnin në një strehë në pyll./abcnews.al

lopet.jpg
ad min09:39 | 17/07/2019

Policia e Lezhës dhe e Shijakut ka arritur të zbardhë një sërë vjedhjesh të bagëtive. Për pasojë dy të rinj janë vënë në pranga.

I pari që është arrestuar është 32-vjeçari A.N., banues në Kurbin. Ai dyshohet se ka kryer 7 vjedhje, konkretisht në fshatin Barbullojë, Tale e Baqel në Lezhë dhe në Karpen, Fllakë, Shijak e Maminas, ku ka vjedhur gjithsej  11 krerë bagëti të trasha.

Vjedhjet, i riu i ka kryer në harkun kohor Prill-Korrik 2019 dhe policia thotë se ato janë dokumentuar në mënyrë ligjore.  Gjatë operacionit të koduar “Kasapi, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan një furgon të marrë me qira nga 32-vjeçari.

Gjithashtu u arrestua në flagrancë edhe 38-vjeçari E.L., banues në Paskuqan të Tiranës. Gjatë kontrollit të ushtruar në stallën e tij u gjetën tre krerë bagëti të trasha të vjedhura në Tale, Lezhë dhe Maminas.

Një ditë më parë, një 57-vjeçar humbi jetën gjatë një aksidenti automobilistik pasi po ndiqte hajdutët që po i vidhnin bagëtitë. Makina Agim Muçës përfundoi në një kanal dhe ai humbi jetën në vend. Me të ndodhej edhe djali i tij, i cili mori plagë të rënda./abcnews.al

777.jpg
ad min17:45 | 10/05/2019

Dy shqiptarë janë dënuar me burg nga gjykata e Vannes në Francë, pasi akuzohen për disa vjedhje.

Në harkun kohor të dy javëve, në Mars të vitit 2018, banorët e Arzal, Vannes, Saint-Thuriau dhe Baud kishin denoncuar vazhdimisht në polici, se banesat e tyre kishin rënë pre e grabitësve. Atyre u ishin vjedhur bizhuteri, telefona celularë, kompjuter, armë, sende dekorative dhe para, raporton letelegramme.fr. 

Por përveç denoncimeve të vazhdueshme, banorët e kujdesshëm kishin vënë re edhe lëvizjet dyshuese të një mjeti tip “Audi A4”, që lëvizte nëpër rrugë. Më 19 Mars në Muzillac, ky automjet u pa nga një patrullë e xhandarmërisë, teksa po dilte nga një shtëpi. Dy shqiptarët ishin brenda saj dhe në duar kishin kaçavida dhe dorashka.

Pas një kontrolli të ushtruar nga policia, atyre në automjet iu gjetën një tablet, një kompjuter, buzhuteri dhe para. Më pas xhandarmëria u kishte marrë telefonat celular ku kishte zbuluar foto e sendeve të vjedhura. Bazuar në këto fakte, policia kishte bërë ndalimin e tyre të menjëhershëm.

Të arrestuarit më 19 Mars janë shqiptarët Lavdrim Dakfu 24-vjeç dhe Xhevahir Mema 29 vjeç, të cilët jetonin në Vannes. Pas ndalimit ata kishin kundërshtuar efektivët duke pretenduar se bizhuteritë i kishin gjetur në rrugë dhe se kompjuterin dhe tabletin i kishin blerë në lagjen Kercado në Vannes.

Por asgjë nuk ishte marrë në konsideratë pasi faktet flisnin vetë. Nga hetimi u zbulua se shqiptarët kishin bërë transferta parash nga Vannes për në Shqipëri, ku shuma e përgjithshme mund të arrinte në 4,000 euro. Gjithashtu së fundmi kishin blerë edhe makinën tip “Audi A4” në Saint-Avé, të cilën më pas e përdorin për të grabitur.

Por dje më 9 Maj, dy të rinjtë dolën para gjykatës duke bërë edhe deklarata të pakujdesshme.

“Dua të kthehem në vendin tim. Këto para i kemi ruajtur nga azili. Unë nuk kam bërë asgjë. Dua të kthehem në vendin tim dhe jo të vdes këtu në burg”, është shprehur Lavdrim Dakfu 24-vjeç, shkruan ouest-france.fr

Ndërsa 29-vjeçari ishte shprehur se në momentin kur policia i kishte kapur në flagrancë, ai kishte hyrë në banesë për të pirë ujë dhe jo për të grabitur.

“Në Muzillac, po kërkoja ujë. Meqë askush nuk u përgjigj në atë shtëpi u detyrova të hapja dritaren”, ka thënë Xhevahir Mema.

Duke iu kundërpërgjigjur shqiptarëve, Alexis Mihman, zëvendësprokuror tha: “Këta dy persona janë gënjeshtarë dhe frikacakë. Ata po bëjnë një lojë të madhe me fjalë, por nuk do fitojnë asgjë. Ata bërtasin për fatin e tyre , sepse i pret burg. Nuk mendojnë fare për personat që u kanë vjedhur pasurinë dhe për shokun e madh psikologjik që u kanë shkaktuar. Ata në fakt kanë krye 12 vjedhje, por vetëm 5 prej tyre janë faktuar deri më tani. Ata vepruan si një bandë e organizuar. Përgjimi i telefonave të tyre zbuloi për vjedhjet që ata kanë kryer. Unë kërkoj nga 30 muaj burg për secilin”.

Duke i shpallur fajtorë, gjykata vendosi masa lehtësuese ku dha 2 vjet burg për Lavdrim Dakfun dhe 1 vit e 6 muaj burg për Xhevahir Memën./abcnews.al

mish.jpg
ad min14:25 | 29/12/2018

Në Karbunarë të Lushnjes hajdutët nuk kërkojnë gjëra me vlerë, por ata po vjedhin ç’të gjejnë brenda në shtëpi. Banorët raportojnë se po u marrin edhe ushqimet e veshjet.

Në banesat e këtyre njerëzve po u vidhet edhe mishi në frigorifer. Gjalpin e mjaltin kjo grua nuk e gjeti në kuzhinë.

“Ç’kishim mish në frigorifer na e morën. Një bidon mjaltë, gjalpë, një mbulesë divani i morën”, tha ajo.

“Vaj ulliri, rroba, raki, telefona, biçikleta. Ata sikur kanë qenë UFO”, tha një banor.

“Ne s’pamë gjë kur iknin çunat për punë. Këtu s’paska atlete tha ai. I kishin marrë atletet, të reja fringo. Si hynë brenda more djalë?”

Njerëz me kapuç në kokë hyjnë brenda dhe marrin çfarë të gjejnë.

“Tre veta ishin të maskuar me kapuç. Armë nuk pa. Nga kati i dytë i kishte parë. Tre vetë me shpejtësi ikën”, u shpreh një banore tjetër.

Bëhet fjalë për lagjen “Karbunarë”, pjesë e qytetit të Lushnjes. Banorët dhe policia raportojnë për vjedhje masive.

“Të trembur jemi, kemi frikë. Jo vetëm unë, por tërë lagjia rri zgjuar me orë”, u shpreh banorja.

“Mbrëmë zgjuar kemi ndenjur që të ruajmë me orare. Fli njëri, ngrihu tjetri”, tha një tjetër banor i zonës.

“Unë nuk e di sa herë jam vjedhur këtu. Puno ditën edhe merr natën”, u shpreh një tjetër.

Ndryshe nga herët e tjera kur hajdutët merrnin gjëra me vlerë të madhe këto netë nuk kursejnë asgjë. Hajdutët hyjnë nëpër banesa dhe vjedhin ushqimet rrobat, këpucët etj. Kësaj nëne hajdutët i kanë marrë telefonin te koka e krevatit ku flinte. Të dëmtuarit kanë raportuar në polici për tre persona të maskuar që lëvizin me makinë nëpër lagjen e tyre. Por deri tani policia nuk ka gjetur akoma autorët. Karbunara është nga zonat më të sulmuara prej grabitësve./abcnews.al

grabitje.png
ad min21:47 | 21/10/2018

Dy shqiptarë janë vënë në pranga në Itali pasi u kapën duke vjedhur. Të dy ata janë të moshës 24 vjeçare dhe janë arrestuar edhe njëherë tjetër në të shkuarën për grabitje.

Kësaj here, dy të rinjtë grabitën dy apartamente në zonën e Livornos aty ku edhe jetonin. Shqiptarët ishin futur brenda ambienteve të banesave dhe nuk ishin vënë re nga pronarët, të cilët në momentet e ngjarjeve kishin qenë brenda. Ata grabitën stoli me vlerë mijëra euro.

Por në ikje ishin vënë re nga disa banorë të cilët lajmëruan policinë. Këta të fundit filluan t’i ndiqnin shqiptarët, të cilët treguan se ata u ngjitën në një mur tri metra të lartë dhe më pas tentuan të arratiseshin nga tarracat e pallateve.

“Filluan të hidheshin nga çatia në çati, derisa u arrestuan në rrugën Fagiano”, tha një oficer i policisë italiane.

Pasi u arrestuan u bë e mundur edhe gjetja e stolive të vjedhura, si dhe  po hetohet për të verifikuar nëse dy shqiptarët janë autorë të disa vjedhjeve të tjera në zonë. Identiteti i tyre nuk është bërë publik nga mediat./abcnews.al

annaaaa.jpg
ad min10:59 | 25/07/2018

Gjykata e Fierit ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për 31-vjeçaren Anna Malaj dhe bashkëpunëtorin e saj, Emiljano Grembi, të cilët akuzohen për grabitjet me armë të karburanteve në Fier. Gjatë seancës, Malaj dhe Grembi kanë shprehur pendesë për krimet që kanë kryer.

https://youtu.be/WS115QIGZKw

Anna Malaj, që grabiste me armë karburantet bashkë me kushëririn Emiljano Grembi në Fier u paraqitën në gjykatë për masën e sigurisë. Nëna e dy fëmijëve të mitur tha në seancën gjyqësore se ndihet e penduar për krimet që ka kryer.

31-vjeçarja ka pranuar se vjedhjet i ka bërë nga nevoja për para pasi ishte në gjendje të vështirë ekonomike. Ndërsa Emiljano Grembi ka pohuar se të dy në bashkëpunim kanë realizuar grabitjet me armë. Sipas tij, Ana dehej, kështu ishte më e çliruar për të vepruar.

Pasi dëgjoi dy të akuzuarit, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Piro Sota vendosi t’i lërë në qeli kusherinjtë. Nëna e Emiljano Grembit, e cila priste vendimin jashtë gjykatës fajëson për gjithçka mbesën e saj.

“Çunin ma mori kjo mua. Ka ardhur te shtëpia më ka thënë që halle dua çunin se kam frikë se jam vetëm”, tha ajo.

Pas daljes nga seanca, 31-vjeçarja nuk dukej e shqetësuar madje ajo bën një gjest fyes para mediave. Anna Malaj  dhe Emiljano Grembi dyshohen si autorët e grabitjes me armë të një karburanti në Levan të Fierit më datë 2 Korrik të këtij vitit dhe të dy tentativave të tjera në Ballsh e Fier. Të dy rrezikojnë të vuajnë dënimin nga 3 deri në 10 vjet burg./abcnews.al

pique.jpg
ad min18:18 | 06/06/2018

Një bandë hajdutësh ka vjedhur shtëpinë e çiftit të famshëm Shakira-Pique, në Barcelonë. Hajdutët kanë vjedhur dhe janë larguar në heshtje, duke mos prekur me dorë prindërit e futbollistit, që po flinin në dhomën e tyre.

Një grup hajdutësh kanë hyrë dhe kanë bastisur shtëpinë e këngëtares kolumbiane Shakira dhe bashkëshortit të saj futbollist, Gerard Pike, në Barcelonë. Sipas mediave spanjolle, në shtëpinë e kampionit të botës ndodheshin vetëm prindërit e tij, të cilët po flinin në katin e sipërm dhe nuk janë prekur me dorë nga hajdutët.

Këngëtarja 41-vjeçare ndodhej në Këln të Gjermanisë për një koncert dhe bashkëshorti 10 vjet më i ri kishte shkuar me të për ta ndjekur. Policia spanjolle ka deklaruar se bastisja e hajdutëve nuk ishte e dhunshme. Sipas saj, në kompleksin prej 700 metra katrorë, i rrethuar nga sipërfaqe të mëdha gjelbërimi, ata kanë vjedhur orë luksoze që i përkisnin futbollistit, si dhe bizhuteri me vlerë të konsiderueshme.

Mësohet se anëtarët e bandës kanë përfituar nga moti i keq me stuhi për të mbuluar zhurmat e tyre. Ata kanë hyrë përmes dritares ose ballkonit, duke përdorur të ashtuquajturën “metoda e heshtur”, që nënkupton mos alarmimin e të zotëve të shtëpisë, por edhe të fqinjëve të tyre. Sipas burimeve policore, prindërit e Piquee nuk dëgjuan asgjë dhe mësuan se shtëpia ishte vjedhur vetëm në mëngjes, kur u zgjuan dhe telefonuan policinë.

“Këta lloj kriminelësh veprojnë me profesionalizëm, veshin doreza dhe maska, por mbi të gjitha bëjnë kujdes që të mos prekin njerëzit”, ka deklaruar një zëdhënës policie për shtypin iberik.

Agjentët e policisë shkencore kanë bërë mbikëqyrjen e vendit të ngjarjes për të mbledhur prova, por deri më tani nuk është bërë asnjë arrestim. Në Shkurt, hajdutët bastisën shtëpinë e ish-yllit të Liverpulit, Philipe Coutinho, në afërsi të Barcelonës, të njëjtën ditë kur atij i ishte vjedhur makina./avcnews.al

grabitjet.jpg
ad min15:15 | 30/05/2018

Fenomeni i grabitjeve të bizneseve ka shënuar rritje këtë vit në Tiranë. Policia ka publikuar edhe hartën e zonave ku bizneset janë më të rrezikuara nga vjedhjet.   

Në  Tiranë grabitet çdo ditë më shumë se një dyqan. Ky trend i vjedhjeve të bizneseve ka shënuar rritje nga viti në vit.

Shifrat e publikuara nga Policia e Shtetit tregojnë se nga Janari deri në fillim të muajit Maj, janë grabitur rreth 200 biznese në kryeqytet, nga 150 që janë regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ajo që ka shqetësuar më shumë uniformat blu është se, në vitet e kaluara fenomeni i grabitjeve ka qenë më aktiv në periferi të kryeqytetit, por në të dhënat e vitit 2018, vërehet rritje e këtij krimi në zonën brenda unazës së Tiranës.

Vjedhjet me thyerje mbeten një nga shqetësimet më serioze për qytetarët, por edhe për policinë. Policia e kryeqytetit ka bërë një hartë me zonat dhe rrugët më problematike, ku prona e qytetarëve është në rrezik.

 

Zbulimi i autorëve të grabitjes së bizneseve nga fillimi i 2018-s ka zënë rreth 40 për qind të të gjithë ngjarjeve. Megjithate kjo shifër është ulur krahasuar me vitin e kaluar.

Ndryshe nga bizneset, grabitja e banesave në kryeqytet duket se ka rënë këtë vit, të paktën, sipas shifrave që jep Policia e Tiranës. Nga Janari 2018 deri në fillim të Majit, në kryeqytet kanë ndodhur rreth 100 grabitje banesash, ndërsa për rreth 40 prej tyre janë zbuluar autorët.

Ekspertët e policisë, të cilët merren me parandalimin e grabitjeve, theksojnë se ka dy kategori hajdutësh, të cilët kanë ndikuar më shumë në përkeqësimin e situatës.

E para ka të bëjë me “vjedhjen me thyerje”, që zakonisht ndodhin në zonat urbane, nga persona të rritur dhe me eksperiencë. Ndërsa në kategorinë e dytë janë “vjedhjet pa thyerje”, që zakonisht ndodhin në periferi të kryeqytetit dhe në këtë rast implikohen të mitur./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono