hahn

HAHN-DEKLARATA-1280x720.jpg
ent ela22:29 | 11/07/2018

Një deklaratë e komisionerit për Zgjerimin në samitin e Londrës është interpretuar nga mediat greke si paralajmërim për ndryshimin e kufijve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Por një zëdhënës i Johannes Hahn ka mohuar që shefi i tij të ketë folur për një skenar të tillë.

Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn, i cituar nga mediat greke, ka deklaruar se pas marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë do të ketë ristrukturim të kufijve. Kanë qenë të përditshmet “Kathimerini” dhe “Proto Thema” që kanë raportuar deklaratën e Hahn, të cilën e kanë cilësuar “të çuditshme dhe të pabesueshme”. Sipas dy gazetave, komisioneri e ka bërë këtë deklaratë në konferencën “Përtej Berlinit” të mbajtur në Londër. “Po të kemi një marrëveshje mes Greqisë dhe Shqipërisë, sepse aty kemi, le të themi, një ristrukturim të kufijve, rrjedhimisht duhet të kemi edhe një lidership që të kuptojë se duhen ndryshime në shoqëri. Duhet të ndryshojë mentaliteti që të ketë një progres real në rrugën drejt Europës”, citojnë organet greke të shtypit Hahn. Për “Proto Thema”, komisioneri ka paralajmëruar ndryshim kufijsh në rast se negociatat Rama-Tsipras përfundojnë me sukses. Por duke reaguar ndaj raportimeve të mediave helene, një zëdhënës ka mohuar që komisioneri të ketë folur për ndryshim kufijsh. “Komisioneri nuk i referohet ndonjë ndryshimi kufitar. Por duke theksuar nevojën për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe përpara një zgjerimi të mundshëm të BE-së, ai i është referuar bisedimeve greko-shqiptare mbi zonën ekskluzive ekonomike, e cila mund të ketë sukses vetëm në bazë të një marrëvesheje reciproke mes dy vendeve”, ka thënë zëdhënësi për gazetën “Kathimerini”. /abcnews.al

HAHN-INTERVISTA-PER-ABCNEWS-1280x720.jpg
ent ela21:52 | 27/06/2018

Në një intervistë ekskluzive për “ABC News”, komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Johannes Hahn ka deklaruar se vendimi i Këshillit Europian për caktimin e datës së negociatave ishte një sinjal serioz. Sipas tij, tani i takon klasës politike shqiptare që të marrë seriozisht të ashtuquajturën “periudha e skanimit”, ku do të bëhet vlerësimi i punës së bërë dhe asaj që do të bëhet përgjatë vitit të ardhshëm.

Dje vendimi i KE shtroi rrugën për hapjen e negociatave, por ishte një vendim i kushtëzuar, pasi i kërkohet Komisionit të mbikëqyrë reformat dhe rezultatet në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Dhe kjo më pas do të shqyrtohet dhe miratohet nga Këshilli. Në këto kushte e cilësoni një dritë jeshile simbolike apo të mirëfilltë?

Hahn: “Është një dritë jeshile sepse u duk qartë se ne vendosëm për përgatitjen e hapjes së negociatave në qershor 2019. Dhe kjo është një qasje realiste edhe sa i takon afateve, pasi një tjetër element i vendimit të djeshëm është se Komisioni do të fillojë punën përgatitore për hapjen e negociatave dhe neve tani na duhet të fillojmë me procesin e skanimit për kapitujt e ndryshëm, që janë 35. Ndaj duhet të shohim se ku është vendi në përmbushjen e kapitujve, të lidhur me normat legjislative europiane. dhe kjo do të thotë se do të duhen të paktën 100 takime parapërgatitore, proces që kërkon zakonisht një vit. Nëse fillojmë tani ka gjasa që ta mbyllim procesin qershorin e ardhshëm dhe të përballim vendet anëtare me rezultatet dhe propozimin. Ndaj gjasat janë që në fund të vitit 2019 të nisim negociatat”.

Kur do të nisë procesi i skanimit?

Hahn: “Menjëherë. Ky është një proces në vazhdim dhe ka të bëjë me kushtet klasike. Pra, të vazhdojë puna për ato çështje mbi të cilat është rënë dakord, në mënyrë që të shohim gjërat të ecin përpara. Puna për përmbushjen e prioriteteve duhet të vazhdojë, por nëse shohim kapitujt 23 dhe 24, ato kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe vettingun, që janë një pjesë e mozaikut. Por skanimi do të thotë që ne po e shohim të gjithë aspektin që ka të bëjë me sundimin e ligjit dhe fazën ku ndodhet Shqipëria. Rrjedhimisht, për atë që është rënë dakord, për atë që duhet bërë dhe për atë që duhet të vazhdojmë dhe të presim deri vitin e ardhshëm. Pra, është një punë paralele”.

Bisedimet e COREPER dhe ato të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian mund të krahasohen me një ndeshje futbolli në këtë Kupë Botërore. Me një vend që kualifikohet në minutën e fundit, si Gjermania për shembull. Ishte pikërisht kështu me negociatat Ishin shumë të vështira dhe Franca dhe Holanda në veçanti nuk donin të ndryshonin pozicionin e tyre pasi konsideronin, se progres-raporti i Komisionit është tepër optimist, se kushtet nuk janë përmbushur dhe se nuk ka një gjurmë provash të bindshme. Si u ndjetë me këtë?

Hahn: “Si gjithmonë në jetë, mund t’i shohësh gjërat nga perspektiva e gotës gjysmëplot dhe asaj gjysmëbosh. Dhe 25 vende anëtare ishin fuqishëm pro vlerësimit të situatës në Shqipëri dhe Maqedoni nga perspektiva e gotës gjysmëplot. Dhe unë munda të bind gjithashtu francezët, holandezët dhe danezët se duhet të tregohen më të hapura dhe në fund arritëm atë që arritëm”.

Në mos gaboj është e para herë që shohim një afat të tillë, 1 vit për hapjen e negociatave dhe 1 vit e gjysmë për konferencën ndërqeveritare. Si do të sigurohet Komisioni që në atë moment Këshilli do të japë një rekomandim pozitiv?

Hahn: “Kemi patur qasje të ngjashme edhe ndaj Serbisë e Malit të Zi, kur përshkruam se çfarë duhet bërë për hapjen e negociatave, pasi është një punë parapërgatitore. Tani i takon qeverisë dhe forcave politike në Shqipëri të kuptojnë se procesi i skanimit nuk është diçka që mund të bësh nga sot nesër, por një proces shumë gjithëpërfshirës dhe periudha 1-vjeçare do të jetë një periudhë sfidash. Shpresoj se përkushtimi i forcave politike shqiptare ndaj perspektivës europiane do të stimulojë energjitë për të plotësuar atë çfarë është e nevojshme. Por sigurisht, kjo ka të bëjë edhe me ekzaminimin tonë për të ashtuquajturat pikat e referimit të hapjes së negociatave”.

Qëndrojmë pak tek momentumi. Duke parë skepticizmin e disa vendeve si Franca, Holanda dhe Danimarka, që deklaronin se nuk ishte momenti i duhur, se për zgjerimin duhej folur pas zgjedhjeve europiane. Si e patë këtë aspekt? Një taktikë për të fshehur populizmin?

Hahn: “Ndoshta kam një shkallë më të lartë tolerance kur bëhet fjalë për të gjetur një marrëveshje mes 28 vendeve anëtare pasi jam mësuar që për çështje të brendshme disa vende kanë qëndrime të ndryshme nga të tjerat. Por ajo që ka rëndësi është entuziazmi i shteteve anëtare që dy vendet, Shqipëria dhe Maqedonia, duhet të shpërblehen për atë që kanë bërë dhe mbaj mend se disa ministra dje u thanë të tjerëve se kanë vizituar Shqipërinë dhe se mund të konfirmonin se vendi ka bërë diçka të madhe për reformat tradicionale, që u miratuan me opozitën. Ky ishte një moment i madh jo vetëm për vendin por edhe për rajonin. Pamë për herë të parë një bashkëpunim mes qeverisë dhe opozitës, gjë që nuk ishte e lehtë. Por ishte një mirëkuptim i përbashkët për perspektivën e qytetarëve dhe duhet të bashkëpunonin për të gjetur një zgjidhje, të gjithë duhet të lëshonin pe. Kjo është diçka e cila u vu në dukje disa herë të martën dhe e komentuam me nota pozitive, përfshirë këtu rolin konstruktiv të opozitës. Natyrisht që ajo ka këndvështrime të ndryshme, por në fund të ditës e rëndësishme është arritja e një rezultati që përmbledh interesa të ndryshme. I referohem këtu sloganit të Bashkimit Europian: “Të bashkuar në diversitet”. Për mendimin tim, ky duhet të jetë sllogani i Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së”. /abcnews.al

REAGIMET-1280x720.jpg
ent ela23:08 | 26/06/2018

Nënkryetari i parë i Komisionit Europian, Frans Timmermans e ka cilësuar një “rezultat fantastik” vendimin e Brukselit për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Në një konferencë për shtyp në përfundim të takimit të ministrave të Jashtëm, Timermans është shprehur se bashkimi i vendeve anëtare në një qëndrim të vetëm për një çështje komplekse si ajo e zgjerimit është një arritje e madhe. Numri dy i KE-së ka nënvizuar se qasja e zgjedhur nga Brukseli ndaj Ballkanit perëndimor është realiste, pasi rajoni duhet të përfshihet në atë që e ka quajtur “projektin më të madh të paqes” në historinë europiane. Më herët, përmes një postimi në Tëitter, komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn u shpreh po ashtu i kënaqur me rezultatin e samitit. “Besimi tek Bashkimi Europian është jetik, ndaj nëse partnerët tanë i bëjnë detyrat ne duhet të kemi një qasje të drejtë”, ka thënë Hahn. /abcnews.al

MOGERINI-DHE-HAHN-REAGIM-1280x720.jpg
ent ela14:28 | 17/06/2018

Përfaqësuesja e BE-së për politikë të jashtëme Federika Mogerini tha se nënshkrimi i marrëveshjes shënon një ditë të madhe për të gjithë. Ndërsa eurokomisioneri për zgjerim Johanes Han e konsideroi një hap shumë pozitiv drejt anëtarësimit të Shkupit për në BE.

“Dy palët i kanë bërë krenarë të gjithë në Evropë për marrëveshjen e arritur”. Kështu është shprehur përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtëme, Federica Mogherini. Ajo nënvizon se kjo është marrëveshje ku kanë fituar të gjithë palët. “Ky akord do të ndikojë për promovimin e paqes në gjithë rajonin dhe një shembull i mirë për të gjithë. BE do të jetë afër për të ndihmuar dhe për të kontrolluar çdo hap të implementimit të kësaj marrëveshje. Kjo është një ditë e madhe për të gjithë ne”, ka deklaruar Mogherini.

Lidhur me ngjarjen historike ka dhënë një prononcim edhe Eurokomisioneri për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johannes Hahn. “Duhej shumë kohë dhe shumë rrugë për të arritur këtu ku jemi”, u shpreh ai. “Kjo është një ditë historike dhe mundësi për qytetarët e Maqedonisë Veriore që të marrin përgjigje pozitive për integrimet euro-atlantike. Në fund të ditës, të gjithë do të shohin se marrëveshja është një kompromis i mirë në të cilin gjithkush merr diçka”, deklaroi Hahn.

Ndërkohë, marrëveshja është përshëndetur edhe nga kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov si dhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Kreu I qeverisë së Sofies thotë se ky është një hap i madh drejt integrimit të Shkupit në BE dhe NATO. /abcnews.al

HAHN-KAMPET-1280x720.jpg
ent ela19:03 | 15/06/2018

Komisioneri i BE për Zgjerimin, Johannes Hahn ka kundërshtuar idenë e qeverisë austriake për ngritjen e kampeve të refugjatëve në Ballkan. Në një prononcim për mediat, Hahn ka deklaruar se vendet e Europës që nuk janë pjesë e BE-së nuk mund të kthehen në parkingje për refugjatët. Hahn ka thënë se, përsa kohë vendet e Unionit nuk kanë një ligj të përbashkët për azilin, ngritja e kampeve të tilla nuk ka kuptim. Komisioneri ka nënvizuar se ide të ngjashme i ka kundërshtuar që në vitin 2015, kur kriza e emigracionit arriti pikun dhe ka theksuar se një gjë e tillë nuk do të ndodhë as në vitin 2018. Në këtë mënyrë, ai ka dalë kundër idesë së promovuar pak ditë më parë nga kancelari austriak Sebastian Kurz pak ditë më parë. /abcnews.al

HAHN-PER-DER-STANDARD-1280x720.jpg
ent ela20:36 | 14/06/2018

Komisioneri për zgjerimin e Bashkimit Europian, Johanes Han kërkon nga vendet anëtare të çelin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Han thotë se Shqipëria i ka plotësuar kushtet e kërkuara ndaj Brukseli duhet të mbajë premtimin.

Përmbushja e kritereve të Bashkimit Europian nga ana e Shqipërisë meriton të shpërblehet me çeljen e negociatave. Deklarata vjen nga komisioneri për zgjerim Johannes Hahn, i cili fton vendet skeptike Francën dhe Holandën t’i japin dritën jeshile vendit tonë.

Johannes Hahn: “Shqipëria ka përmbushur kriteret për çeljen e negociatave me BE. Procesi i Vetting-ut është në funksion të plotë dhe reforma gjyqësore është prioritet në Shqipëri. Unë jam i bindur se Franca dhe Holanda do të shohin gjithashtu “gjysmën e plotë të gotës”, pasi edhe mundësia për reforma është më e fortë gjatë negociatave me Brukselin”.

Në një intervistë për të përditshmen austriake “Der Standard”, Hahn thekson se kriteret e BE janë një angazhgim i mbajtur nga Shqipëria, duke i kujtuar Brukselit të mbajë gjithashtu premtimet.

Johannes Hahn: “Besueshmëria është virtyti ynë më i lartë, është pjesë e kollonës sonë të vlerave. Nëse ne bëjmë një premtim dhe pala tjetër plotëson kërkesat, atëherë ne duhet të plotësojmë premtimin tonë. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do të cënonte besueshmërinë tonë karshi vendeve të tjera”.

Komisioneri për zgjerim nënvizoi po ashtu dinamikën e refomrave dhe marrëveshjeve që po ndërmerr i gjithë rajoni i Ballkanit, duke përmendur marrëveshjen e Shqipërisë me Greqinë, Maqedonisë me Bullgarinë, si edhe ratifikimin në parlamentin e Kosovës të marëveshjes për vijën kufitare me Malin e Zi. /abcnews.al

edi-rmaa.jpg
ent ela15:59 | 14/06/2018

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së Komisioneri të Bashkimit Evropian Johanes Hahn sipas të cilit Hahn shpreson për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së emrit dhe e quan dritë të gjelbër për çeljen e negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Nëpërmjet një stausi në rrjetin social facebook kreu i qeverisë citon fjalët që  Komisioneri Hahn ka thënë në një intervistë për Der Standard, thelbi i të cilave është se Shqipëria plotësoi kërkesat prandaj Bashkimi Evropian duhet të mbajë premtimin për integrimin evropian të vendit tonë. /abcnews.al

HAHN-IVANOV-1280x720.jpg
ent ela21:55 | 13/06/2018

Komisioneri europian për Zgjerimin, Johanes Hahn i ka bërë thirrje presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov të marrë përsipër përgjegjësitë, pas refuzimit që i bëri marrëveshjes së emrit me Greqinë. Në një prononcim për agjencinë e lajmeve “MIA”, Hahn ka deklaruar se nuk është e hijshme për presidentin e një vendi të refuzojë bisedimet me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, për çështje të një rëndësie parësore. Hahn ka vlerësuar se kryeministri Zaev dhe ministri i Jashtëm Dimitrov kanë respektuar udhëzimet kushtetuese për zgjidhjen e kontestit me Greqinë fqinje. Ai e ka ftuar Ivanov për reflektim, duke i kujtuar se kryetari i shtetit është një model për shumë pushtetarë. Presidenti ka një pozitë të veçantë dhe përgjegjësi për të cilat duhet të jetë i vetëdijshëm, ndryshe dëmton funksionin – ka thënë Hahn. /abcnews.al

hahnn.jpg
G. P.13:35 | 16/05/2018

Në një intervistë për gjermanen “Stuttgarter-zeitung” komisioneri për Zgjerim në Bashkimin europian, Johanes Hahn, u shpreh qartë se nëse “peshqit e mëdhenj” nuk vihen para drejtësisë atëherë do të ndërpriten negociatat me Shqipërinë.

Një ditë para fillimit të samitit të Bashkimit Europian dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, komisioneri për Zgjerim, Johanes Hahn, në një intervistë për gjermanen “Stuttgarter – zeitung” u shpreh qartë përsa i përket negociatave me Shqipërinë.

Hahn theksoi se mund të tolerohej deri diku gjendja e pakënaqshme e sistemeve ligjore në Shqipëri dhe Maqedoni. Por nëse nuk do të ketë progres në zbatimin e ligjit dhe në vendosjen para drejtësisë të peshqëve të mëdhenj, atëherë negociatat me Shqipërinë do të ndërpriteshin.

Ai shtoi se e kuptonte skepticizmin, dhe gjithashtu pranonte se nuk mendonte se Shqipëria dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë janë tashmë të gatshme për pranim. Megjithatë, reformat e nevojshme mund të arrihen më së miri gjatë procesit të pranimit, theksoi Hahn. Gjithsesi komisioneri i BE-së, Johannes Hahn, bëri thirrje për një perspektivë të qartë të pranimit për gjashtë vendet në Ballkan.

Sipas tij, Bashkimi Europian ka dy zgjidhje ose të eksportojë stabilitet ose të importojë paqëndrueshmëri. Hahn tha se besueshmëria e Bashkimit Europian është në rrezik në këtë samit të parë të Ballkanit Perëndimor, në 15 vjet. Rajonit i është premtuar për një kohë të gjatë për një të ardhme evropiane, por ajo është zbatuar vetëm pjesërisht.

Duke folur dhe për Kosovën si shembull i konflikteve të brendshme mes vendeve në Ballkan, komisioneri për zgjerim tha se si një reagim i menjëhershëm ndaj botimit të Strategjisë së re të Ballkanit Perëndimor në Shkurt, u pa se për shembull, kosovarët papritmas ishin në gjendje të zgjidhnin çështjen e tyre dypalëshe të kufirit me Malin e Zi. Është bërë shumë të qartë, vijoi ai se një vend mund të bashkohet vetëm nëse zgjidh të gjitha konfliktet e hapura me fqinjët./abcnews.al

hahn-1.jpg
ent ela10:57 | 25/04/2018

Çështja e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë mund të zgjidhet brenda 15 ditësh. Kështu deklaroi komisioneri për zgjerim Johanes Hahn para Parlamentit Europian, por kryeministri maqedonas Zoran Zaev, tha se kaq pak ditë, janë të pamjaftueshme për një zgjidhje përfundimtare.

Komisioneri për zgjerim Johanes Hahn u shpreh optimist për sa i përket cështjes së emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë, duke theksuar se mund të jetë një marrëveshje përfundimtare Brenda 15 ditësh. Hahn foli para Komitetit për politikë të jashtme të Parlamentit Europian. Ai shtoi se Maqedonia ka tejkaluar krizën e thellë politike dhe ka shënuar progress në zbatimin e reformave dhe ruajtjen e marrëdhënieve ndërfqinjësore.

Por nga ana tjetër kryeministri I Maqedonisë Zoran Zaev nuk u shpreh me të njëjtin optimizëm të Hahn duke thënë se cështja e emrit nuk mund të zgjidhet për kaq pak kohë. Madje ai theksoi se Hahn, një mik i vendit, mund të ketë ndonjë iformacion më shumë rreth kësaj cështjeje, dhe nëse e ka duhet t’ia thotë dhe të tjerëve. Zaev përsëriti dhe njëherë se në momentin që cështja e emrit do të marrë një zgjdihje përfundimtare, atëherë Maqedonia do të marrë një datë të saktë për hapjen e negociatave si dhe ftesën për anëtarësimin në NATO.

Zaev këto komente i bëri në konferencën e përbashkët me ish sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Xhorxh Robertson, i cili tha se inkurajon palët në bisedime për zgjidhjen e cështjes së emrit e cila zgjat prej vitesh tashmë.

Robertson drejton delegacionin e lartë të ish diplomatëve të cilët në Shkup formuan të ashtuquajturin “Grupi i Ohrit” i cili ka për qëllim që nëpërmjet këshillave të ndihmojë Maqedoninë në rrugën drejt integrimit në NATO dhe BE. /abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono