grate

albana-vokshi-1.jpg
ger ta20:15 | 12/12/2019

Ish-deputetja e PD Albana Vokshi ka publikuar një video, teksa shihet se kryemimistr Edi Rama duke debatuar me një grua në Laç, e cila i tregon shqetësimet e saj.

Mes të tjerash gjatë debatit, Rama i thotë gruas në fjalë se “të tmerron”, ndërsa kjo sjellje ka indinjuar Vokshin.

Ish-deputetja u bën thirrje grave dhe vajzave që të kenë kujdes nga Edi Rama.

Mesazhi i plotë:

Edi Rama dëshmoi edhe një herë që është hipokriti numër 1 në fushatën e tij të gënjeshtërt për Barazinë Gjinore, të cilën e propagandonte me këmbët mbi tavolinë, në nisje të ceremonisë për Presidencën e OSBE, zhvilluar në Sllovaki.

Këto ditë të zymta e të trishta për të gjithë, ditë që përkojnë me 16 ditët ndërkombëtare të aktivizmit të luftës kundër dhunës ndaj grave, Edi Rama ngado që ka shkuar ka fyer e dhunuar verbalisht, në mënyrë të pashembullt gra e fëmijë.

Përgjegjësi dhe shkaktari kryesor i situatës së mjeruar, që rëndon edhe më shumë mbi gratë e nënat, me gjuhë tallëse, diskriminuese, përçmuese, urrejtje e raciste, fyen e dhunon psikologjikisht çdo grua, e cila guxon të kërkojë llogari apo të kërkojë atë çfarë me ligj i takon.

Sot, dua të përsëris thirrjen time për gratë e vajzat: Bëni kujdes nga Edi Rama!

Ai i do gratë të veshura shtrenjtë e mirë, për t’i rreshtuar ushtarakisht si dekor për propagandën.

Atë e bezdisin, e nervozojnë gratë me veshje të thjeshta, punëtoret pa fjalë, kryefamiljaret e munduara, të cilat punojnë tërë jetën e tyre për t’ju siguruar fëmijëve një copë bukë.

Atij i vrasin sytë, gratë e dinjitetshme, të cilat i kujtojnë atij se propaganda ka përkeqësuar qeverisjen dhe rrjedhojë e saj është rritja e varfërisë së skajshme e sot, menaxhimi pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit.

Mos i besoni! Çdo dalje e tij në televizione gjatë shëtitjeve në pasojat e post-tërmetit, është vetëm propagandë për të fshehur abuzimet e tij me pushtetin, që kanë shkatërruar çdo qelizë të institucioneve dhe kanë persekutuar e detyruar profesionistët të heshtin e disa prej tyre të largohen duke lënë Shqipërinë pa ekspertizë në sektorët strategjikë.

Refuzojeni Edi Ramën, sepse qëndrimi i tij në krye të qeverisë, çdo ditë sjell papunësi më të lartë, varfëri më të thellë dhe përkeqësim të të drejtave të njeriut e statusit të grave dhe vajzave në Shqipëri.

Aktivizimi kundër dhunës ndaj grave të nisë me refuzimin e Edi Ramës!

/abcnews.al

doktori.jpg
ent ela08:36 | 13/11/2019

“Sot problem janë infeksionet infertiliteti dhe sëmundjet malinje të organeve gjenitale”. Është ky konfirmimi i doktorit gjinekolog Nikita Manoku në studion ABC-ja e mëngjesit. Sipas tij përqindjen më të madhe e ka mosha e riprodhimit nga 25-45 vjeç.

“Sot problem janë infeksionet infertiliteti dhe sëmundjet malinje të organeve gjenitale. Problem kryesisht janë shpërndarja e viruseve që krijojnë premisa për kancer të organeve gjenitale pavarësisht se nuk diuhet me saktësi shkaku i kancerit, dihet faktori favorizues që janë viruset. Mosha ka qenë me diapazon të gjerë, fillonte nga mosha 25 vjeç deri në 70-80 vjeç por përqindjen më të madhe e ka mosha e riprodhimit nga 25-45 vjeç dhe është një moshë kur gratë mund të ndërgjegjësohen për të bërë testet parandalues të kancerit”.

Mjeku Manoku këshillon gratë që të bëjnë kontrollet dhe paptestet për të parandaluar sëmundjet.

“Është paptesti që duhet bërë një herë në vit dhe në gratë që kanë probleme duhet bërë studimi i virusit që e shkakton. Ndërhyrjet kirurgjikale mund të shpëtojnë jetën. Nëse një kancer zbulohet në fazën fillestare mjekësia i ka mundësitë të sigurojë një jetëgjatësi që të ka siguruar kodi gjenetik”. /abcnews.al

edi-rama-3.jpg
ad min23:10 | 22/10/2019

Ka gjithmonë një mesazh për gratë. Këtë vit ka bërë bilancin e duket se nuk e kanë zhgënjyer kryeministrin Rama.

“PS është partia më e votuar nga gratë dhe vajzat e këtë e tregojnë të gjitha anketimet që ne kemi bërë. Në rast se në Shqipëri do të votonin vetëm gra e vajza, Partia Socialiste do të ishte me 85 deputetë. Po të votonin vetëm burrat, do të ishim rrotë më rrotë ose pak nën rrotë”.

Ka ardhur koha që gratë socialiste të drejtojnë organizatat e partisë  e kjo nuk duhet të mbetet një nismë tha kreu i qeverisë në takimin që zhvilloi me këshilltarët bashkiakë në kuadër të rrjetit “Edhe një” të sekretaritarit të burimeve njerëzore në Partinë Socialiste.

“Të mos lejoni që materializimi i kësaj nisme të jetë fiktiv, të mos lejojmë që gratë dhe vajzat të përdoren si dekor”.

Ndryshe nga zakonisht, mesazhin e ia dedikoi burrave./ABC News Albania 

DHUNA-NDAJ-GRAVE.mpg_snapshot_00.48-1280x720.jpg
ent ela15:58 | 08/10/2019

Të dhunohesh dhe të duket si diçka e zakonshme. Në Shqipëri sipas një ankete të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, kështu mendojnë 88% e grave. Ndërkohë fenomeni ka një përhapje të gjerë, 56% e grave pranojnë se kanë përjetuar një formë të dhunës dhe vetëm 3%  kanë denoncuar atë në polici.

“Burrave u lejohet të bëjnë gjithçka”

Grua nga mosha 36-55 vjeçe, zona urbane

“Bindju gjithmonë urdhrave të burrit tënd”

Grua nga mosha 19-40 vjeçe, komuniteti rom

Shumë gra në Shqipëri mendësi të tillë kanë edhe kur bëhet fjalë për dhunën.  88% e tyre  e konsiderojnë këtë fenomen si një gjë të zakonshme.

Të dhënat ashtu si dhe citimet vijnë nga anketa e OSBE-së “Mirëqenia dhe Siguria e Grave” sipas së cilës 56% e  të pyeturave kanë pranuar se ndaj tyre është ushtruar dhunë që në moshën 15 vjeçe.

22 %  kanë treguar se bëhet fjalë për dhunë fizike apo seksuale nga partneri ose dikush tjetër.

“Shqipëria sa i përket të dhënave statistikore ngjason me rajonin. Ajo që shihet si tabu në vendin tuaj është dhuna seksuale. Arsye kjo qe mbahet brenda mureve të shtëpisë dhe nuk raportohet si problem”.

Vetëm 3% e grave të cilat kanë përjetuar dhunë nga partneri sipas këtij raporti e kanë raportuar atë në polici.

Gratë duket se nuk kanë besim as tek organizata në mbrojtje të tyre. Ndonëse rreth 70% kanë dëgjuar për to përfituese janë vetëm 1%.

“Gratë duhet të ndërgjegjësohen dhe të kërkojnë ndihmë. Burrat dhe djemtë duhet të flasin për dhunën. Ne duhet t’i ndihmojmë dhe ata. Ndërsa institucionet duhet të hapin qendra për trajtimin e rasteve të dhunës dhe të ndërgjegjësojnë opinionin publik, pasi gratë kanë të drejta të barabarta me burrat“.

Ky studim është anketa e parë përfaqësuese e këtij lloji në Evropën Juglindore dhe ka për qëllim hartimin e politikave për eleminimin e fenomenit. Studimi u realizua në pranverën e vitit 2018 dhe përfshiu gra nga mosha 18 deri 74 vjeçe nga zonat urbane dhe rurale.  /ABC News Albania 24/7

gjonaj1-1280x679.jpg
ent ela09:41 | 20/09/2019

Fundi i shtatorit pritet të sjellë lajme të mira për ata që vuajnë dënimin në burgjet shqiptare. Ministrja e Drejtësisë Etlida Gjonaj në një interpelancë me gratë e dënuara tregoi se projektligji për amnistinë thuajse ka përfunduar.

“Pritet që të merret një miratim nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Brendshme kryesisht lidhur me kategorinë e grave apo të gjithë personave që ndodhen në institucione  ekzekutimi të vendimeve penale, por që janë me statusin si të paraburgosur pasi nuk kanë ende një vendim të formës së prerë. Dhe menjëherë, deri në fund të shtatorit ne planifikojmë që amnistia të miratohet në qeveri. Pas miratimit në qeveri projekt-ligji do të kalojë në Parlament me qëllim që Dhjetori, Krishtlindjet, personave që do përfitojnë nga amnistia t’i gjej pranë familjeve të tyre”.

Më shumë se 50 % e grave të dënuara do të përfitojnë nga amnistia tregoi ministrja Gjonaj. Ndërkohë ministrja e Drejtësisë shpjegoi kushtet që duhen përmbushur për të përfituar.

“Padyshim një ndër kriteret e amnistisë është dhe mosha, ku gratë të cilat kanë mbushur moshën 55 vjeç do të kenë mundësinë të përfitojnë nga amnistia, po ashtu duke marrë si kriter dhe kohën e mbetur të dënimit nën 3 vjet, apo ato gra të cilat janë dënuar më pak sesa 3 vjet. Të gjithë këto kategori, do të jenë pjesë e propozimit të projektligjit për amnistinë. Unë jam e bindur që amnistia e përgjithshme është një fakt që ju gëzon shumë sepse ashtu siç kemi biseduar, një pjesë e juaja kanë kriteret ndaluese për shkak të veprave penale të cilat nuk janë amnistuar. Por unë dua edhe t’ju konfidoj dhe një diskutim të fundit që kam me stafin ku po shikojmë edhe mundësinë që mund të heqim kriterin ndalues për veprat penale të cilat nuk është kryer amnistia me qëllim që të jetë vetëm specifike për gratë të cilat vuajnë dënimin në institucion”.

Ndërkohë Ministria e Drejtësisë po harton një paketë të plotë për të riintegruar në shoqëri gratë që lënë qelitë.  /abcnews.al

ramaa-2.jpg
ad min20:30 | 23/06/2019

Nga Gjirokastra Kryeministri Edi Rama është shprehur i bindur se me 30 Qershor do t’i fitojë të gjitha bashkitë, madje edhe ata që sot janë nën drejtimin e PD-së.

Ai ka dhënë një mesazh për të gjitha gratë dhe vajzat demokrate që sot punojnë në bashkitë e djathta se nuk do të largohen nga puna. Ndërsa për burrat ai ka pasur një “kërcenim” të hapur. Sipas tij ata le t’i bëjnë vetë llogaritë pasi po shkojnë në protesta e opozitës dhe po shkelin ligjin. Rama theksoi se ata do përfundojnë në burg, por në rast se nuk përfundojnë në qeli nuk do të shkelin më kurrë në administratë.

“Unë dua të them një gjë këtu, për ata që janë punonjës bashkish. E thash edhe dje po e them edhe sot se ne do t’i marrim të gjitha bashkitë. Në asnjë nga bashkitë që ne sot nuk drejtojmë nuk do të largohet nga puna asnjë grua dhe asnjë vajzë, do të vazhdojnë të punojnë atë. Nuk duhet ta kenë fare problem se do të shkojmë ne atje se do i nxjerrim  nga puna. Asnjë grua dhe asnjë vajzë nuk do të preket në të drejtën për të vazhduar të punojë. Burrat tani sit të duan! Duan të dalin dhe të shkojnë pas berihait, le ta provojnë! Jo që një herë duke shkelur ligjin do të përfundojnë burgjeve, por edhe sikur të mos përfundojnë burgjeve nuk kanë për të shkelur kurrë më në administratën e shtetit sepse i kap dekriminalizimi”, tha Rama.

Më tej gjatë fjalës së tij Rama ka ironizuar Bardh Spahinë, i cili u arrestua pas incidenteve në Shkodër dhe më pas gjykata e la nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

“Kulmi ishte me njërin nga këta kur vajti në gjykatë dhe tha se: “U në nuk kam djegur gjë. Unë kam shkruar t’i qetësoj”. Ai i kishte marrë i dërgoi atje, i detyroi që ata të shkelin ligjin dhe ata përfundua në polici dhe ky thoshte “unë vajta ti qetësoj”. Kur gjejnë në fakt mirë ua bëjnë! Por unë dua të qetësoj të gjithë ata që janë demokratë dhe ata që nuk ushqehen nga Shqupi, ata që nuk marrin para për të ardhur për të gjuajtur me molotov. Falas për ata që jetojnë me punën e tyre. Si mundet t’iu marrë për hunde  një grusht  njerëzish që kanë hallet e tyre personale dhe hallet e tyre personale me drejtësi dua ti kthine në hall të të gjithë shqiptarëve? Si mundet të shkohet ne burg për fallxhoren? Si mundet të shkohet në burg për Lulzimin? Unë e dua por të sakrifikoj për të, kurrë! Si mund të bëhet kjo? Kjo nuk mund të imagjinohet!”/abcnews.al

DITA-BOTERORE-KUNDER-DUHANIT.mpg_snapshot_00.03-1280x720.jpg
ent ela15:01 | 31/05/2019

Cigarja elektronike dhe duhani me ngrohje do të ndalohen të konsumohen në mjedise të mbyllura. Në ditën botërore kundër duhanit, ministrja e Shëndetësisë paralajmëroi ashpërsim të masave kundër duhanpirjes.

Dy në 5 meshkuj të moshës mbi 15 vjeç dhe 1 ne 17 gra mbi këtë moshë në vendin tonë janë duhanpirës.

Studimi demografik dhe shëndetësor në Shqipëri tregon tendencë në ulje të numrit të konsumatorëve të duhanit megjithatë duhani cilësohet si shkaktari i kancerit të mushkërive në 2/3 e rasteve.

Në ditën botërore të luftës kundër tij Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka paralajmëruar ashpërsim të masave kundër duhanpirjes në mjedise të mbyllura.

“Me anë të këtyre ndryshimeve ligjore forcojmë më tej masat kundër duhanpirjes, për të mos lejuar askënd të abuzojë me ligjin, duke shkuar deri në mbyllje të aktivitetit dhe heqje të licencës për ato subjekte që gjobiten në mënyrë të vazhdueshme”.

Nëse një subjekt shkel dy herë brenda dy muajve ligjin që ndalon pirjen e duhanit në ambiente të brendshme, gjoba do të jetë sa dyfishi i gjobës së parë. Nëse e përsërit të njëjtën shkelje brenda një afati 1 vjeçar gjobitet me 6-fishin e gjobës dhe i pezullohet aktiviteti. Produkte duhani do te konsiderohen dhe cigarja elektronike dhe duhani me ngrohje.

“Në frymën e Direktivës së BE si dhe Konventës Kuadër të OBSH për kontrollin e duhanit, me ndryshimet e pritshme ligjore, do të ndalohet duhanpirja në ambientet e mbyllura edhe për duhanin me ngrohje, cigaren elektronike dhe shisha/nargjile. Gjithashtu do të largohen nga tregu paketat me 10 cigare si dhe cigaret me shije karakteristike. Me anë të këtyre masave synojmë të mbrojmë të rinjtë dhe adoleshentët nga këto produkte që kanë shkallë të lartë varësie”.

Ndryshimet ligjore propozuar nga Ministria e Shëndetësisë pritet të kalojnë në Kuvend shumë shpejt. /ABC News Albania 24/7

 

lushnje-1280x719.jpg
ent ela15:00 | 30/05/2019

Në Lushnjë gratë e moshës mbi 40 vjeçe që aplikojnë për punë janë pa arsimim. Në këto kushte bizneset detyrohen t’i angazhojnë në punë jo profesionale ose refuzojnë t’i punësojnë. Subjektet private po mendojnë të hapin edhe kurse trajnimi për të kualifikuar këtë kategori në një sektor të caktuar.

Drita Muça është 52 vjeçe, nga qyteti i Lushnjës, nënë e dy fëmijëve.

Pas 28 vitesh e papunë, prej dy javësh ka filluar punë në një fabrikë të konservimit ushqimor. Rritja në moshe dhe pa kualifikim po e përjashtonte nga kërkesat e tregut. Ndaj është e detyruar të angazhohet në punë jo profesionale.

“Kam qenë me ndihmë ekonomike, erdha te ky pronari këtu, bereqaves që na hapi derën. E vështirë është për punë”.

Edhe Salie Agolli është kryefamiljare. Mundësinë për punë e ka gjetur duke biseduar me gra të tjera të moshës së saj.

“Ndenja ca kohë pa punë, pastaj u interesova dhe erdha këtu se është punë e mirë dhe me gra”.

Punësimi i grave mbi 40 -vjeçe është i vështirë. Problemit i shtohet edhe mungesa e arsimimit dhe kualifikimit të duhur. Në këto kushte bizneset po mendojnë të hapin kurse për punëtorët.

“Trajnimi që ne bëjmë aty është kurs më vete, në rastin konkret po mendojmë se kemi edhe specialistë italianë me licensat e tyre, që të krijojmë kurs për punësimin e agrobiznesit”.

Në Lushnjë, statistikat e zyrës së punës tregojnë se janë regjistruar 2346 femra si punëkërkuese.

Nga këto, 893 janë mbi moshën 40 -vjeçe. Kërkesat e tyre për punësim janë sanitarë, në sektorin e bujqësisë, në fasoneri, dhe në pikat e grumbullimit e seleksionimit të fruta-perimeve. Ajo që vihet re është mungesa e aftësive profesionale madje 80 % e tyre kanë katër klasë shkolle.

/ABC News Albania 24/7

61707553_2274923792762673_8061470515841204224_n-1280x853.jpg
ent ela10:30 | 29/05/2019

Të gjitha ato gra që kanë një ide biznesi, mund të bëhen pjesë e projektit të Bashksië së Tiranës për fondin “Fuqizimi i grave dhe nxitja e sipërmarrjes”. Prej datës 27 maj, Bashkia e Tiranës ka lançuar projektin që u vjen në ndihmë grave sipërmarrësë, përmes financimeve nga burimet publike.

Kështu, çdo e interesuar brënda territorit të Tiranës, mund të aplikojë për grante, në mbështetje të krijimit të një biznesi, apo zgjerimit të një aktiviteti ekzistues, në mënyrë që ta bëjë atë sa më konkurrues në treg.

Përveç mbështetjen në formë granti, projekti i Bashkisë do të ofrojë gjtihashtu trajnim për aftësitë në biznes, si dhe mbështetje për gra me orientime profesionale dhe kualifikime për të qenë të sukseshme në fushën e përzgjedhur.

Për t’u bërë pjesë e projektit, të interesuarat do të mund të aplikojnë me idenë e tyre për biznes, duke plotësuar Formularin e Aplikimit. Ndërsa në fazën e dytë, aplikantët e pranuar do të marrin pjesë në një trajnim për zhvillimin e planit të biznesit.

Më pas, në fazën e tretë, fituesit do firmosin një kontratë 18-mujore për të marrë financimin e grantit dhe mbështetje këshilluese.

Edhe në këtë projekt, Bashkia e Tiranës ka një vëmendje të shtuar për kategoritë më sensitive, e konkretisht për gratë kryefamiljare, gratë nga zonat rurale të Bashkisë së Tiranës, ato me aftësi ndryshe, si dhe gratë nga komuniteti rom dhe egjiptian.

Ndërsa sa u takon aktiviteteve të pranushme për biznes, ato janë nga sektorë të ndyshëm, ku gratë sipërmarrëse mund të ushtrojnë aktivitetin e tyre, si: bizneset rurale, turizmi, teknologjia e informacionit dhe komunikimit, industria tekstike, shërbimet, dhe artizanati.

Të gjitha ato gra që duan të bëhen pjesë e projektit duhet të dorëzojmë Formularin e plotësuar të Aplikimit pranë Sektorit të Pritjes me Qytetarin në Bashkinë e Tiranës, deri në datë 17 qershor së bashku me dokumenacionin e nevojshëm.

Ndërkaq, procesi i përzgjedhjes së aplikantëve ka si qëllim të ofrojë transparencë dhe konkurrencë të barabartë, si dhe të mbështesë idetë dhe planet e biznesit më të mira, të veçanta dhe fitimprurëse.

777-1280x720.jpg
ent ela16:20 | 08/03/2019

Këtë tetë Mars gratë në Tiranë zgjodhën të protestojnë. Banoret e zonës se “Astirit” dolën në rrugë kundër projektit të Unazes së Madhe. Ndërkaq, shoqëria civile protestoi përpara Drejtorisë së Policisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale kundër dhunës ndaj grave.

Punë, festë, protestë. I tillë ishte tetë Marsi në Tiranë. Secila për një arsye të vetën e të gjitha bashke kundër dhunës, gratë dolën në rrugë.

Banorët e Unaze së Re protestuan kundër projektit të zgjerimit të rrugës që iu prek shtëpitë.  Krah tyre ishin dhe përfaqësues të opozitës.

Gratë thonë se nuk po arrijnë të gëzojnë të drejtat që iu jep ligji.  Zemërimin e tyre nën organizimin e shoqërisë civile e shprehen përpara Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit.  Bashkë me gratë kishin dalë dhe burrat.

Treguan se janë këtu kundër heshtjes se institucioneve shtetërore të cilat sipas tyre nuk marrin përgjegjësi e nuk propozojnë zgjidhje ndonëse dhuna në familje në tetë raste vetëm në tre muajt e parë të vitit ka njohur formën më ekstreme të saj.  Tetë gra kanë mbetur viktima të burrave.

Me pas marshuan drejt Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale prej të cilës kërkuan një reagim më të fortë dhe të koordinuar kundër abuzimit.

Ndërkohë që apeluan për të qenë të gjithë bashkë kundër pengesave, paragjykimit  e dhunës./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono