gra

download.jpg
Sej rie13:45 | 10/08/2019

Dy gra përfunduan në lumin Vjosë në rrethana të paqarta dhe rrjedhja i mori para. Për pasoje njëra nga gratë është mbytur, kurse gruaja e dytë është plagosur dhe është transportuar për në spitalin Rajonal të Gjirokastrës. Policia po heton për të zbardhur se si ka ndodhur ngjarja. Të dyja gratë ishin banore të Këlcyrës dhe po kalonin lumin pranë fshatit Dragot.

 

veliaj-12-1280x724.jpg
Sej rie14:21 | 27/06/2019

Një ndër prioritetet e Erion Veliajt gjatë mandatit të dytë në krye të Bashkisë së Tiranës do të jetë ndërtimi i 17 shkollave të reja. Gjatë një takimi me vajza dhe gra kryebashkiaku u shpreh se institucionet arsimore do të shërbejnë njëkohësisht edhe si qendra komunitare.

Me ndërtimin e 17 shkollave të reja nq Tiranë do të marrë fund  mësimi me dy turne e njëkohësisht nxënësit do të kenë një hapësirë për zhvillimin e aktiviteteve sportive gjatë pasditeve. Kandidati socialist për një mandat të dytë në kryeqytet Erion Veliaj gjatë një takimi me gra dhe vajza u shpreh se projektet e institucioneve arsimore janë dizenjuar nga arkitektët më të mirë.

 “Një nga gjërat që shumë nga nënat e qytetit tonë ngritën në fushatën e kaluar ishte: -Mirë këto shkollat e reja, por unë kam punë deri në orën 5 dhe goca mbaron në orën 1 mësimin, dhe gjëja e dytë më e mirë që kemi bërë është që në 62 shkolla ne kemi filluar kurset sportive pas mësimit, jo vetëm si një mënyrë për të “parkuar’’ kalamajtë për disa orë të tjera deri sa të mbarojnë punë prindërit, por së pari për të luajtur në një ambient të shëndetshëm. Së dyti për të pasur një tjetër mësues dhe një tjetër mentor, por kësaj here në formën e një trajneri sportiv, së treti për t’i bërë pak më fit fizikisht”. 

Krahas infrastrukturës, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se bashkia do të vijojë të mbështesë me bursa nxënësit ekselentë.

 “Jam shumë i lumtur që rikthyem një tjetër traditë të Edi Ramës në Bashkinë e Tiranës që ishte pagesa për të gjithë studentët dhe nxënësit ekselentë, jo për t’i blerë 10-at me lek, por për të dhënë një mesazh që në qytetin tonë për më të dobëtit, pra për të sapo lindurit, por edhe për më të mirët e fëmijëve tanë ne nuk do të kursehemi. Unë besoj se tregon atë që ne përfaqësojmë si socialistë, nëqoftëse e djathta thotë secili për vete Zoti për të gjithë, edhe le të ketë njerëz që pasurohen masivisht ne themi jo, do të duhet të ketë një mënyrë rishpërndarje sidomos kur vjen puna tek ata që e meritojnë dhe ata që janë më të dobëtit”. 

Paralelisht, do të vijojë puna dhe për dhënien e çekut të bebes u shpreh Veliaj qe gjithashtu u ndal tek synimi që Tirana të furnizohet me ujë në 24 orë./ABC News Albania 24/7

sipermarrje.jpg
G. P.15:31 | 05/06/2019

Gratë sipërmarrëse po bëhen një aktor i rëndësishëm në Shqipëri. Ato ndanë eksperiencat dhe sfidat në një forum të posaçëm, që u mbajt sot në kryeqytet.

Roli i grave në sipërmarrje vitet e fundit ka marrë një vëmendje të madhe nga aktorët kryesorë politikbërës dhe biznesi, çka u diskutua edhe në Forumin e Gruas në Sipërmarrje që u zhvillua në Tiranë. Zonjat pjesëmarrëse ndanë eksperiencat e tyre prej vitesh në biznes edhe në pozicione drejtuese.

Evis Sulko, përfaqësuese e Bankës Botërore: Asnjë vend komunitet apo ekonomi nuk mund të arrijë potencialin e vet pa pjesëmarrjen e plotë dhe të barabartë të burrave dhe ragave, vajzave dhe djemve.

Valentina Gjoka, nënkryetare e Dhomës së Tregtisë e Industrisë: Bota e sipërmarrjes së grave është e madhe, e larmishme dhe me impakt të rëndësishëm social dhe ekonomik. Vlen të përmendet se në qarkun e Tiranës gratë drejtojnë 36.5 përqind të bizneseve aktive. Në mbarë territorin e vendit sipërmarrjet e grave mesatarisht bëjnë 1 të 3 e të gjitha bizneseve.

Delina Brahimaj, drejtore e INSTAT: Studimet tregojnë se ekonomitë rriten më shumë kur më shumë gra punojnë.

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, theksoi se roli i gruas në sipërmarrje është në fokus të qeverisë.

Eduard Shalsi, ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes: Jam i nderuar që jam pjesë e një kabineti qeveritar q ëka më shumë se gjysmë e ministrave gra. Nuk mund të ketë progres ekonomik, një përmbushje të parimeve demokratike pa përfshirje e grave. Ky ëstë konkluzion që duhet mbajtur gjithnjë parasysh.

Sipas INSTAT në vendin tonë 25.5% e grave janë të përfshira në tregun e punës me page, ndërsa pjesa tjetër janë të punësuara në biznes familjar  apo të vetëpunësuara. 42% e grave të punësuara janë në sektorin bujqësor, sektor që ka përfshirjen më të lartë të grave./ABC News Albania 24/7

siria.jpg
G. P.19:30 | 24/04/2019

Gjykata e Prishtinës caktoi  “arrest shtëpie 30 dite” për gratë e kthyera nga Siria, nën akuzën e pjesëmarrjes në grupe terroriste. Por, avokatët kundërshtuan masën duke deklaruar se klientet e tyre ishin mashtruar nga bashkëshortët.

I ishte thënë nga bashkëshorti se po udhëtojnë në pushime dhe kanë përfunduar në Siri. Njëra nga të kthyerat nga Siria është arsyetuar para gjykatës se është mashtruar nga bashkëshorti i saj tashmë i vrarë në Siri.

Ajo bashkë me djalin u rikthye në Kosovë para disa ditësh ndërsa bashkë me 31 gra të tjera të riatdhesuara janë të dyshuara për organizim dhe pjesëmarrje në grupet terroriste. Avokatja e saj thotë se prokuroria nuk ka dëshmi se klientja e saj, identiteti i së cilës nuk është bërë i ditur, ka kryer veprat penale me të cilat akuzohet.

Kimete Krasniqi, avokate: “Nuk ka asgjë të vërtetuar se ka kryer vepër penale. E mbrojtura ime ka qenë e mashtruar nga burri, tashmë i ndjerë, që është vrarë pas 3 muaj qëndrim atje”.

Larg syrit të mediave sot ka vazhduar seance dëgjimore për grupin e dytë të grave të kthyera nga Siria. Ndërsa mbrojtja ka kundërshtuar masën e arrestit shtëpiak ndaj tyre.

Arbnora Zeqiri, avokate: “Ne e kemi kundërshtuar këtë masë, duke marrë parasysh edhe rrethanat, shumica prej tyre janë nëna kanë fëmijë, shumicës ju kanë vdekur burrat dhe fëmijët kanë nevojë qe të kujdesen për ta”.

110 persona janë kthyer nga Siria në Kosovë në mesnatën e së premtes dhe së shtunës, 4 prej të cilëve gjenden në paraburgim për shkak të dyshimeve se kanë marrë pjesë në luftërat në Siri, ndërsa 32 të tjera janë gra e 74 fëmijë./abcnews.al

biden.jpeg
G. P.13:48 | 04/04/2019

Ish-zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden ka vendosur të reagojë ndaj akuzave sipas të cilave, ai është sjellë në mënyrë të papërshtatshme me disa gra. Biden këmbëngul se sjellja e tij është një shfaqje e pafajshme ngrohtësie ndaj bashkëbiseduesit,pavarësisht nëse është mashkull apo femër. Por gjithsesi, ai premtoi se do të respektonte hapësirat në të ardhmen.

Pas denoncimeve të shumta nga gra që pretendojnë se janë vënë në siklet nga sjellje të papërshtatshme të ish-zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden premton se në të ardhmen do të respektojë më shumë hapësirën personale të grave me të cilat bashkëbisedon.

“Normat e shoqërisë sonë kanë ndryshuar dhe kufijtë për të mbrojtur hapësirën personale janë rivendosur dhe unë e kuptoj atë që doni të thoni. Do të jem më i kujdesshëm”, shprehet Biden në një video.

Ish zv/presidenti amerikan, i cili sheh t’i rrezikohet emërimi për kandidaturën demokrate prej këtyre akuzave, nuk kërkon falje. Por ai e cilëson sjelljen e tij si të pafajshme dhe siguron se është sjellë në të njëjtën mënyrë dhe me gjininë mashkullore.

Por menjëherë pas publikimit të videos nga 77-vjeçari, mediat amerikane publikuan raste të reja ku gra të tjera akuzojnë Biden se është sjellë në mënyrë të papërshtatshme, duke çuar në shtatë numrin e akuzuesve./abcnews.al

1-64-933x445.jpg
ent ela09:15 | 28/02/2019

Grupi joformal i grave deputete në Kuvendin e Kosovës, që nga viti 2005, kur është krijuar, ka synuar kauza që prekin shoqërinë, të drejtat e njeriut dhe fuqizimin e rolit të gruas në nivel vendi.

Deputetët nga ky grup joformal, që përfshinë gratë e të gjitha subjekteve politike në Kuvendin e Kosovës, thonë se krijimi i këtij grupi ka qenë i nevojshëm për shtyrjen përpara të disa agjendave që janë mbi çështjet politike dhe partiake.

Blerta Deliu – Kodra, pjesë e grupit joformal të grave deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se si grup kanë arritur të ngrisin kauza të shumta që kanë të bëjnë me fuqizimin e gruas në shoqëri, familje dhe vendimmarrje.

Një nga sukseset e këtij grupi, thotë Deliu Kodra, është blerja e mamografit mobil, i cili ishte vënë në shërbim të grave të cilat bënin falas kontrollin e gjirit e që si rezultat, ato besojnë se kanë shpëtuar shumë jetë.

“Përveç shumë fushatave sensibilizuese që prekin gratë dhe vajzat jemi mundur që të përçojmë mesazh të unifikimit të gruas e cila natyrisht në shtetet e Ballkanit Perëndimor vazhdon të ketë ende shumë probleme. Mamografi mobil ka qenë njëri nga projektet e suksesshme që me iniciativën e këtij grupi është blerë. Ky automjet i ka shërbyer kauzës së garave për kujdes më të madh për shëndetin tyre dhe ka ngritur vetëdijen në të gjitha komunat e Kosovës. Në atë kohë janë shpëtuar shumë jetë dhe misioni më i rëndësishëm që gratë të jenë të vetëdijshme për pasojat që mund të ketë sëmundja e kancerit është arritur”, thotë Deliu – Kodra.

Një kauzë tjetër, shton Deliu- Kodra që ky grup joformal i grave deputete ka pasur, janë viktimat e dhunës seksuale, ku sipas saj, është punuar për të thyer stigmën dhe që këto gra të trajtohen përmes ligjit që aktualisht i mbron dhe i trajton këto viktima.

“Një kauzë tjetër është kur gratë deputete kanë vendosur që të protestojnë për numër më të madh të grave ambasadore në misionet tona diplomatike. Ka qenë një protestë demostrative që ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës dhe kemi arritur që në këto lista që kanë qenë shumë pak të përfaqësuara gratë të kemi një numër më të madh të grave në misionet diplomatike”, thotë Deliu – Kodra.

Gratë e këtij grupi joformal thonë se kanë dëshmuar që janë mbi kauzat e tyre politike dhe partiake dhe se kanë punuar në të mirën e të gjitha grave dhe vajzave të Kosovës.

Lirie Kajtazi, deputete në këtë grup joformal të grave nga Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se ky grup është një forum që bashkon të gjithë zërat e grave në përpjekjet e tyre për të arritur barazi, në të cilën siç thotë ajo, Kosova ka mangësi si shoqëri.

Grupi joformal i grave deputete, thotë ajo, ekziston për faktin se shumë probleme që prekin gratë, një subjekt politik i vetëm nuk e ka fuqinë që t’i shtyjë.

“Ne kemi avancuar mjaft me ligjet, kemi ngecur prapa me ekzekutimin e tyre. Prandaj, duke përfshirë të gjithë spektrin politik, kapërcen përtej politikës ditore apo bllokadave që nganjëherë na ndodhin në pozitë dhe opozitë. Por, jemi në një kauzë të përbashkët, kërkojmë llogari nga ekzekutivi i cili çalon në arritjen e barazisë dhe shumë projekte të tjera që na afrojnë më afër edhe nivelit lokal. Kemi projekte ku kemi qenë më afër, qoftë asambleistëve, shoqërisë civile, apo botës akademike përgjithësisht. Thjesht është një forum që bashkon gjithë zërat e grave në përpjekjet tona për të arritur barazi, në të cilën çalojmë shumë si shoqëri”, thotë Kajtazi.

Ajo shton se kanë arritur që monitorojnë zbatimin e ligjeve ku preken gratë dhe janë mundur që këto ligje të mos mbeten vetëm në letër, por të zbatohen.

“Prandaj, ne kemi dashur që këto ligje të cilat i kemi vendosur në letër në momente të caktuara t’i kalojmë barrierat politike dhe të insistohet në respektimin e ligjeve. Por, edhe në nisma të shumta, në nisma të ndryshme, në komunikimin me jashtë po ashtu, Grupi i Grave (deputete) është mjaft i ftuar dhe prezantohet edhe në forume rajonale dhe është një zë më i fortë i të gjithave bashkë dhe kemi pa se ka dhënë efektin e vet”, thotë Kajtazi.

Përfaqësuese të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave në vazhdimësi kanë theksuar se dhuna fizike ndaj gruas, papunësia si dhe përfaqësimi i ulët i grave në pozita vendimmarrëse janë vetëm disa nga problemet thelbësore me të cilat përballen gratë në Kosovë.

Vetëm në periudhën janar – tetor të vitit të kaluar, sipas të dhënave zyrtare në Kosovë ishin evidentuar mbi 1130 raste të dhunës në familje, ku viktima kryesisht janë gratë.

Sa i përket punësimit sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës vetëm 12 për qind e femrave në Kosovë punojnë. Ato që gëzojnë një vend pune, punojnë kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë, shëndetësisë si dhe në administratën publike.

Pozitat e larta vendimmarrëse në shumicën e institucioneve shtetërore të Kosovës i mbajnë kryesisht burrat, duke filluar nga Qeveria. Nga 21 ministra në Qeverinë aktuale të Kosovës, vetëm dy ministri udhëhiqen nga gratë./REL

rekordi-i-zi.jpg
G. P.15:36 | 03/01/2019

Gjatë vitit që lamë pas rrugët e Shqipërisë u përgjakën nga aksidentet rrugore. Sipas shifrave zyrtare të policisë mbetën të vdekur 212 persona 11 më pak se 2017. Por shqetësim mbetet fakti se ka pasur rritje me gati dyfish të numrit të aksidenteve fatale për femrat që kanë qenë në drejtim të automjetit në 2018 krahasuar me 2016.

Numri i viktimave nga aksidentetet rrugore në Shqipëri i ngjan një bilanci të vërtetë lufte. Kështu nis edhe 2019-a. Një i aksidentuar për vdekje në aksin Levan-Tepelenë. Edhe pse shifrat e aksidenteve fatale publikohen me ulje nga policia Rrugore, përsëri vdekshmëria përgjatë 2018-s dhe 2017-s ka qenë disa herë më e lartë krahasuar me standardet e vendeve të Bashkimit Europian për numër popullsie. Mesatarisht janë regjistruar dy aksidente me vdekje çdo tre ditë.

Zyrtarisht në 2018-n vdiqën 212 persona në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa për 2017-n kjo shifër ishte 223, pra 11 më shumë. Ajo që është më shqetësuese për ekspertët e Policisë Rrugore lidhet me rritjen e numrit aksidenteve fatale për drejtueset femra. Në vitin që lamë pas, 44 gra humbën jetën nga aksidentet rrugore. Policia thotë se në 2017-n kanë vdekur 36 femra dhe në 2016 kjo shifër ka qenë 24. Vdekshmëria e grave që ishin në drejtim të automjeteve u rrit me gati dyfish për dy vitet e fundit, duke i kapur të papërgatitur drejtuesit e Policisë Rrugore.

Këta të fundit në fushata të vazhdueshme gjatë 2018-s kanë gjobitur dhe prangosur shumë drejtuese femra që ishin të dehura në timon apo edhe për tejkalim shpejtësie, por përsëri kjo gjë nuk ka ndikuar në ulje e aksidenteve me vdekje. Muaji më i përgjakshëm i 2018-s ka qenë gushti. Sipas shifrave zyrtare, 27 persona humbën jetën. 32 u plagosën rëndë dhe 129 të tjerë lehtë. Sipas specialistëve, aksidentet rrugore, në 80 për qind të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e gabimit të drejtuesve të mjeteve, teksa grupmosha që ka kryer më shumë aksidente janë nga 25 deri në 35 vjeç./abcnews.al

nenat-shqiptare.jpg
G. P.18:21 | 02/01/2019

Gratë në Shqipëri kujdesen më shumë për fëmijët sesa bashkëshortet e tyre. Përkujdesja e nënave e rendit vendit tonë të parin në Bashkimin Evropian sipas anketës për cilësinë e jetës të Komisionit Evropian.

Shqipëria e mban një rekord në Evropë: ka përqindjen më të lartë të nënave që kujdesen më shumë për fëmijët. Ndonëse është përgjegjësi e të dy prindërve, në anketën e Cilësisë së Jetës nga Komisioni Europian, 84% e grave të pyetura janë përgjigjur se kujdesen më shumë dhe vetëm 15% janë përgjigjur se kujdesen po aq sa bashkëshorti. Kjo është përqindja më e lartë e regjistruar në të gjithë vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe kandidatët për t’u anëtarësuar.

Burrat e pyetur nuk e kanë pranuar këtë realitet plotësisht, se në Shqipëri gratë kujdesen më shumë ata për fëmijët. Rreth 60% e burrave të pyetur në Shqipëri janë përgjigjur se kujdesen më pak se bashkëshortet, 18% janë shprehur se kujdesen më shumë se gratë e tyre dhe 22% kanë thënë se kujdesen po aq sa bashkëshortet. Gratë në të gjithë Europën deklarojnë se kujdesen më shumë për fëmijët se partnerët e tyre. Rreth 70% e grave të pyetura në vendet anëtare të BE-së kanë thënë se kujdesen më shumë, 25% po aq sa partneri dhe 5% më pak se partneri.

Përqindjen më të lartë të burrave që kanë pohuar se kujdesen më pak se gratë e tyre për fëmijët e ka Çekia, me 91% të përgjigjeve. Edhe burrat në Hungari mendojnë se kujdesen më pak se gratë e tyre për sa i përket kujdesit ndaj fëmijëve, me 81% të përgjigjeve që kanë pohuar se kujdesen më pak. Në rajon, përqindjen më të lartë të burrave që janë përgjigjur se kujdesen më pak se gratë e tyre për fëmijët e ka Maqedonia dhe Serbia me 71 dhe 66 për qind të të pyeturve. Suedia është vendi me përqindjen më të lartë të të përgjigjeve që kujdesen po aq sa partneri i tyre për fëmijët me 47%./abcnews.al

ogertaa.jpg
G. P.15:17 | 25/11/2018

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ndriçuar portokalli, me rastin e ditës ndërkombëtare kundër dhunës me bazë gjinore. Ministrja Manastirliu bëri të ditur se të gjitha gratë dhe vajzat e dhunuara do të përfitojnë mbrojtje të menjëhershme pas denoncimeve të tyre.

Në kuadër të ditës ndërkombëtare kundër dhunës me bazë gjinore, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u ndriçua portokalli duke çelur fushatën e 16 ditëve të aktivizimit kundër kësaj dhune. Në fjalën e saj ministrja Manastirliu deklaroi se pasi gratë bëjnë denoncime për dhunë janë më të mbrojtura.

“Ne kemi përfshirë në këto ndryshime ligjore instrumente të rëndësishme të cilat ne na garantojnë që një grua që denoncon dhunën është shumë më e mbrojtur sot seç ishte dje pasi urdhri i menjëhershëm paraprak i mbrojtjes vendoset që në 24 orët e para të denoncimit të dhunës”, tha Ogerta Manastirliu.

Duke vënë theksin te rëndësia e parandalimit të dhunës, Manastirliu tha se duhet të bëhemi të gjithë bashkë për mbështetjen e vajzave dhe grave.

“Gratë nuk lindin gra. Ato janë vajza dhe ne kemi një përgjegjësi shumë të madhe si drejtues institucionesh, si politikanë bërës, t’i sigurojmë çdo vajze që kur lind mirëqëndia që ajo e meriton. Kudo që ajo lind, në fshat apo qytet, në zonatë thella rurale apo në kryeqytet ajo duhet të ketë mbështetjen e të gjithë ne”, u shpreh ministre e Shëndetësisë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vetëm gjatë 10 muajve të këtij viti, janë denoncuar 4182 raste dhune, nga të cilat janë bërë mbi 2500 kërkesa dhe padi. Një në tri gra në Shqipëri raporton të jetë përballur të paktën 1 herë me dhunën./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono