google

lugina.jpg
G. P.09:40 | 09/09/2019

Kandidatët demokratë për president po tregojnë vëmendje të madhe ndaj Silicon Valley-t, por këtë herë është ndryshe. Dikur kandidatët kërkonin të mahnisnin drejtuesit e kompanive të fuqishme si Facebook, Google etj. Tani, disa prej kandidatëve i sulmojnë kompanitë për çështje si privatësia e të dhënave, anti-monopolin dhe të drejtat e punëtorëve. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Michelle Quinn, njofton se si kjo stinë zgjedhore reflekton pikëpamjet në ndryshim për sektorin e teknologjisë në mbarë Shtetet e Bashkuara.

“Thonë se këto kompani të teknologjisë janë e ardhmja e punëtorisë amerikane. Mendoj se mund të kenë të drejtë. Pra, a dëshirojmë një të ardhme ku nuk do të ketë mbrojtje…”, u shpreh kandidati Pete Buttigieg, gjatë një proteste të shoferëve të kompanisë “Uber”, në San Fransisko.

Kur kandidat për president Pete Butttigieg ndaloi tek një protestë në hyrje të zyrave të qendrore të kompanisë “Uber” në San Fransisko, ai u hodh në sulm ndaj favoritëve të industrisë së teknologjisë.

Dhe ai nuk është i vetmi. Në reklamat e fushatës së kandidates Elizabeth Warren kërkohet ndarja e këtyre kompanive të mëdha dhe premtohet mbrojtja e konsumatorëve dhe konkurencës.

Dikur, kandidatët politikë vinin në Silicon Valley, për të dalë në fotografi me drejtuesit kryesorë të këtyre kompanive. Por tani, kompanitë e mëdha teknologjike janë shndërruar në një thes boksi për disa kandidatë.

Elizabeth Warren thotë se është koha për të copëtuar kompanitë Google, Amazon dhe Facebook.

Bernie Sanders kritikon kompanitë e teknologjisë se asgjësuan gazetarinë dhe se kontribuojnë për praktikat e gabuara të kontrollit.

Kamala Harris, vetë nga Kalifornia, u është bashkuar të tjerëve që kërkojnë më shumë të drejta për punonjësit kontraktorë, duke kundërshtuar kështu interesat e kompanive si Uber dhe Lyft.

“Nëse je kandidat demokrat për president mund të zgjedhësh mënyra nga më të ndryshmet për të sulmuar Silicon Valley; mënyra që ishin shumë më të vështira 20 vite më parë, kur shikoheshin si djem të mirë”, thotë Donnie Fowler, i Universitetit të San Fransiskos.

Ditët e mira kanë përfunduar. Tani ka ardhur sezoni i kundër-reagimit. Presidenti Trump e filloi këtë rrugëtim, duke e sulmuar këtë industri bazuar mbi pretendimet se censuronte zërat konservatorë.

Lanhee Chen ishte drejtor për politikat në fushatën e vitit 2012 të republikanit Mitt Romney.

“Mendoj se teknologjia në këto momente është më shumë në pozita mbrojtëse se sulmuese. Mendojnë se kë të shmangin dhe jo se kë të mbështesin”, thotë Lanhee Chen, studiues në Institutin Hoover të Universitetit Stanford.

Kandidatët politikë kanë kërkuar prej kohësh fonde nga Silicon Valley, por tashmë edhe kjo është më e komplikuar.

“Kur gjendesh në një epokë politike që në thelb është populiste dhe e orientuar larg biznesit të madh, atëherë ngritja e fondeve për fushatë do të vuajë kostot”, thotë zoti Chen.

Për momentin, ekziston një ndasi mes drejtuesve të teknologjisë dhe njerëzve të zakonshëm.

Drejtuesit e kompanive teknologjike po kontribuojnë me fonde për kandidatë që nuk po krijojnë shumë problem, si p.sh. Senatori nga Nju Xhersi, Cory Booker, apo kandidati kryesor, ish-Nënpresidenti Joe Biden.

Megjithatë, punonjësit e teknologjisë dhe familjet e tyre po dhurojnë për fushatën e Elizabeth Warren dhe Pete Buttigieg.

Gjatë një takimi rishtazi të demokratëve në Silicon Valley, njerëzit u mblodhën për të diskutuar kandidatët për postet lokale. Njëri prej tyre është Max Kaehn, inxhinier programimi në Google. Ai ka dhënë fonde për fushatat Warren dhe të tjerë. Ai i mirëpret kandidatët që kritikojnë punëdhënësin e tij.

“Me fuqinë e madhe vjen edhe përgjegjësia e madhe. Kompanitë e teknologjisë kanë fuqi të madhe. Duhet t’i vendosim nën mibkqyrje”, thotë zoti Kaehn.

Kompanitë e teknologjisë do të shqyrtohen edhe më shumë në muajt në vazhdim, ndërsa kandidatët për president, si dhe Presidenti Donald Trump, vazhdojnë të sulmojnë këto kompani për çështje që prekin votuesit amerikanë./VOA

108536645_mediaitem108536641.jpg
ent ela22:30 | 29/08/2019

Gjenerata e re e celularëve të Huawei nuk do të përmbajë disa prej aplikacioneve të njohura të Google, të tilla si Youtube dhe Google Maps. Google konfirmoi se për shkak të ndalimit që qeveria amerikane bëri ndaj shitjes së produkteve për Huawei, nuk mund të licencojë aplikacionet e saj në telefonat e rinj Huawei.

Kjo do të thotë që telefoni i ri Huawei që do të dalë në shitje, nuk do të ketë akses as në “Play Store”, duke u hequr mundësinë përdoruesve për të përdorur aplikacionet e njohura. Qeveria e SHBA ndaloi kompanitë amerikane që të shisnin produkte për gjigandin kinez Huawei me pretendimin se cënohet siguria kombëtare, por më vonë Presidenti Trump tha se mund të bëhen disa lëshime.

Megjithatë, autoritetet zyrtare amerikane nuk kanë dhënë ende asnjë licencë që kompanitë të bëjnë tregti me Huawei. Sistemi operativ Android është “burim i hapur”, që do të thotë se mund të instalohet në smartphone apo tablet nga çdo prodhues. Por, për të përdorur disa aplikacione, kompanitë duhet të nënshkruajnë marrëveshje me Google, për shkak se shumë prej këtyre aplikacioneve i përkasin kësaj kompanie.

Këto aplikacione janë Maps, Play Store, YouTube, Photos etj. Google nuk ka dhënë asnjë informacion nëse ka kërkuar leje që të ofrojë shërbimet e saj tek Huawei. Nga ana tjetër, gjigandi kinez i teknologjisë tha në një deklaratë: “Huawei do të vazhdojë të përdorë sistemin operativ Android nëse qeveria amerikane na lejon ta bëjmë këtë. Në të kundër, do të zhvillojmë sistemin tonë operativ”/tvklan.al

facebook.jpg
G. P.18:35 | 11/07/2019

Qeveria franceze ka vendosur të taksojë gjigandët amerikanë të teknologjisë si Google dhe Facebook, duke shpërfillur kërcënimet e Shteteve të Bashkuara për rritjen e tarifave në shenjë hakmarrjeje.

Franca ka aprovuar vendosjen e taksës për shërbimet dixhitale pavarësisht kërcënimeve për hakmarrje të bëra nga Shtetet e Bashkuara, që e cilësojnë taksimin të padrejtë. Taksa prej 3 për qind do të vendoset për shitjet që gjenerohen në Francë nga kompani shumëkombëshe si Google dhe Facebook.

Qeveria franceze ka argumentuar se firma të tilla me seli jashtë vendit paguajnë pak ose aspak taksa. Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara kanë urdhëruar nisjen e një hetimi ndaj kësaj lëvizjeje, që mund të çojë në rritjen e tarifave.

Taksa e re u aprovua nga senati francez ditën e enjte, një javë pasi ishte miratuar nga Asambleja Kombëtare. Sipas rregullores së re, çdo kompani dixhitale me të ardhura që arrijnë mbi 750 milionë euro, 25 milionë prej të cilave gjenerohen në Francë, do të jenë subjekt i taksimit.

Aplikimi i saj do të përfshijë edhe muajt e parë të 2019-s dhe pritet që deri në fund të vitit të arrijë në 400 milionë euro. Aktualisht, kompanitë paguajnë fare pak ose aspak taksa në vendet ku nuk kanë një prani të gjerë fizike dhe përfitimet e tyre i deklarojnë në vendet ku kanë selitë.

Komisioni Europian vlerëson se ndërsa bizneset tradicionale duhet të paguajnë mesatarisht 23 për qind të përfitimeve të tyre si taksa, kompanitë e internetit paguajnë vetëm 8 ose 9 për qind./ABC News Albania 24/7

MBULIM-WALL-STREET-GOOGLE_ABC-M1-T1.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
ent ela13:19 | 01/06/2019

Departamenti Amerikan i Drejtësisë po hedh bazat për një hetim ndaj GOOGLE, në mënyrë të veçantë përsa i përket praktikave të kërkimit. Lajmi është publikuar nga mediat amerikane. Komisioni federal për tregtinë kishte kryer dhe më parë një hetim ndaj GOOGLE, por në vitin 2013 e kishte mbyllur pa marrë asnjë masë. Tashmë sipas Uoll Strit Xhornal, ka pranuar që t’i japë juridiksionin për hetimet departamentit të drejtësisë. ABC News Albania 24/7

GOOGLE-HUAWEI-ABC-M4-T1.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
ent ela11:11 | 20/05/2019

Kompania kaliforniane Google, ka ndërprerë cdo bashkëpunim me kolosin kinez të teknologjisë Huauei. Lajmi është konfirmuar nga agjencia e lajmeve Reuters, duke shpjeguar se tashmë nuk do të ketë më përditësime Android.

Google shkëput marrëdhëniet me Huauei, duke ndërprerë çdo aktivitet me kolosin kinez të teknologjisë, në kuadër të realizimit të rrjeteve të gjeneratës së re 5G. Lajmi konfirmohet nga agjencia e lajmeve Reuters, duke shpjeguar se telefonat celularë dhe aparatet e tjera Huauei të shitura jashtë Kinës, nuk do të kenë më mundësi të përditësohen nga sistemi veprues i Google, Android.

Vendimi do të ketë pasoja për aparetet e reja, që nuk do të kenë mundësinë të shkarkojnë disa aplikacione nga Google Play. Por dhe aparatet e vjetra nuk do të mund të përditësohen. Ndërsa Huauei mund të përdorë ende sistemin veprues Android me burim të hapur.

Zëdhënësi i kompanisë kaliforniane ka siguruar pronarët e aparateve celularë dhe tabletëve Huauei, se do të kenë mundësi të hyjnë në dyqanin e aplikacioneve si dhe do të jenë të mbrojtur nga kërcënimet informatike.

Por jo vetëm Google edhe kompanitë amerikane prodhuese të chip e microchip, nga Intel deri tek Qualcomm, nga Xilinx tek Broadcom, i janë përshtatur linjës së vendosur nga administrate Tramp dhe kanë prerë cdo urë bashkëounimi me Huauei, duke bllokuar furnizimet e destinuara për kolosin kinez të teknologjisë. Lajmi konfirmohet nga Bloomberg, që shpjegon se si shoqëri të ndryshme i kanë informuar tashmë nënpunësit e tyre. Bëhet fjalë për një situatë e cila rrezikon të përshkallëzojë edhe më shumë tensionet mes Uashingtonit dhe Pekinit, të cilat aktualisht po përplasen për sa i përket tarifave. /ABC News Albania 24/7

BE-GJOBA-GOOGLE-1280x720.jpg
G. P.17:54 | 07/12/2018

Një gabim i kryer nga një praktikant i kushtoi 10 milionë dollarë kompanisë Google. Ai ka shtypur një buton duke rritur shpërblimin për reklamimin e ofruar nga kompania prestigjoze.

Ishte i bindur se po punonte në zonën e “testit” por në fakt ishte futur në modalitetin real dhe ka dërguar një njoftim të rremë publicitar në sajtet në internet që përdorin Google për të shitur hapësirat e tyre. Stazhieri protagonist i ngjarjes, për të cilin nuk dihet asgjë, i ka kushtuar kolosit të teknologjisë të paktën 10 milionë dollarë. Kjo llogaritje është bërë nga Financial Times, që shpërndau i pari lajmin, i cili më pas u konfirmua dhe nga vetë Google.

Të martën e kaluar, për 3 çerek ore, mijëra sajte që përdorin sistemin e reklamimit të Google kanë parë në faqet e tyre një trekëndësh të ngjyrosur. Faji ishte i një stazhieri i cili po hidhte hapat e parë në sistemin Google, i cili ka shumëfishuar shpërblimin për reklamat. Por ky faj duhet të ndahet edhe me mentorin e tij që dukshëm nuk po e ndiqte mirë.

Google ka provuar në fushë atë që në sallat operative të Bursave quhet “sindroma e gishtit të madh”, që nënkuton një gabim njerzor të bërë nga shtypja e një butoni të gabuar por që krijon dëme milionere. Dhe këtu hyn në lojë inteligjenca artificiale, me të cilin kjo sigurisht që  nuk do të ndodhte pasi gabime të tilla korrigjohen në sekonda./abcnews.al

ttt.jpg
G. P.09:57 | 25/09/2018

Shtëpia e Bardhë ka përpiluar një urdhër ekzekutiv që lejon agjencitë federale amerikane të hetojnë praktikat e kompanive si Google dhe Facebook. Me këtë nismë, Trump synon të zbulojë nëse gjigandët e teknologjisë kanë vepruar në kundërshtim me ligjet e konkurrencës.

Google, Facebook dhe rrjetet sociale janë në shënjestër të Donald Trump. Shtëpia e Bardhë ka përpiluar një urdhër ekzekutiv që do të lejonte agjencitë federale të konkurrencës të hetojë praktikat e gjigandëve të teknologjisë.

Në rendin ekzekutiv – raporton agjensia Bloomberg që ishte në gjendje ta shihte – asnjë kompani nuk u emërua, por autoriteteve të konkurrencës u kërkohet që “të hetojnë me kujdes nëse platformat në internet kanë vepruar në kundërshtim me ligjet e konkurrencës apo antitrust, siç cilësohen ndryshe”.

Agjencive qeveritare u është dhënë një muaj kohë nga firmosja e dekretit për të rekomanduar çdo mjet juridik për të mbrojtur konkurrencën dhe adresuar çdo paragjykim politik të gjetur.

Shtëpia e Bardhë përcakton dekretin si një projekt në fazat fillestare që ende nuk është transmetuar në agjencitë federale: një projekt që nuk është rezultat i ndonjë vendimmarrjeje brenda administratës amerikane.

Në fakt, nuk është e qartë nëse dokumenti do të vijë ndonjëherë në tryezën e presidentit dhe nëse Trump do ta nënshkruajë atë. Por nëse presidenti do ta miratojë atë, do të ishte një përshkallëzim i ‘betejës’ së Trump-it kundër Google, Facebook dhe mediave sociale që presidenti akuzon për heshtjen e konservatorëve.

Kohë më parë, kreu i Shtëpisë së Bardhë akuzoi Google se rendit në fillim vetëm lajmet negative për të në motorin e kërkimit./abcnews.al

neval.jpg
ent ela09:24 | 11/09/2018

Google ka hequr nga YouTube videot e Alexei Navalny, një kritik i presidentit Vladimir Putin.

Videot tregonin Navalnyn që ju bëntë thirrje rusëve të merrnin pjesë në protestat e 9 shtatorit kundër rritjes së moshës së pensionit. Një nga ndihmësit e Navalny tha se heqja e videove përbënte “censurë politike”.

Google tha se kërkoi që të gjithë reklamuesit të vepronin në përputhje me ligjet vendore.

Zyrtarët rusë i kërkuan gjigantit të teknologjisë gjithashtu që të hiqte videot e muajit të kaluar, duke argumentuar se ato ishin të paligjshme në kontekstin e rregullave mbi zgjedhjet ruse. Ligjet ndalojnë fushatën politike brenda 24 orëve pas publikimit të një sondazhi zyrtar.

 “Ne i konsiderojmë të gjitha ankesat e justifikuara nga organet shtetërore”, tha Google në një deklaratë.  “Ne gjithashtu kërkojmë që reklamuesit të veprojnë në përputhje me ligjin vendor dhe me politikat tona të reklamimit”.

Më 9 shtator u zhvilluan protesta kundër planeve për të rritur moshën e daljes në pension në Rusi nga 60 në 65 për burrat dhe nga 55 në 60 për gratë. Jetëgjatësia mesatare për meshkujt rusë është 66.

Në të njëjtën ditë, zgjedhjet për guvernatorët rajonalë në vend u kontestuan, shkruan BBC.

Më shumë se 800 protestues u arrestuan dhe disa u rrahën me shkopinj, sipas grupit të monitorimit të të drejtave OVD-info.

Grupi tha se kishte arrestime në 19 qytete ruse, ku shumica ndodhën në Shën Petersburg.

Navalny kishte planifikuar të drejtojë protestën e Moskës, por muajin e kaluar ai u dënua me 30 ditë burg për shkelje të ligjeve që rregullojnë protestat.

Ai ka mohuar me forcë të gjitha akuzat kundër tij dhe ka thënë se burgu është një përpjekje për të prishur fushatën e tij politike./tvklan.al 

sede-di-google.630x360.jpg
ent ela23:30 | 04/09/2018

4 shtatorin e vitit 1998 Larry Page dhe Sergey Brin themeluan motorin e kërkimit më të përdorur në botë.

Por ka edhe një ditëlindje zyrtare që është 27 shtatori  dhe ja përse: Saktësisht 20 vjet më parë në 4 shtatorin e vitit 1998 Page dhe Sergey Brin përuruan atë që shumë shpejt do të bëhej motori i kërkimit më të përdorur  në botë. Por ka edhe një datëlindje tjetër, është 27 shtatori, që Google tradicionalisht i kujton botës me një doodle. Kjo është një histori e vitit 2005.

Hipoteza më e përhapur i referohet një publikimi të Google, të shpërndarë më 26 shtator 2005. Në këtë rast Google konfirmoi se baza e të dhënave të tij është shumë herë më e madhe, krahasuar me atë të vitit ’98. Ky postim, i botuar në blogun e Google, është i datës 26 shtator, por nga ajo kohë, motori i kërkimit është festuar më 27, për të treguar fillimin e një epoke të re.

Në çdo rast janë 20 vjet jetë. Pak për njerëzit, por një përjetësi për çdo kod. Në këtë periudhë të shkurtër-të gjatë kohore, Larry Page dhe Sergey Brin, në epokën 25 vjeçare universitare në Stanford (Kaliforni), e nisën me vetëm 100,000 dollarë (të marrë hua), ndërsa sot kanë rritur një fëmijë që vlen më shumë se 100 miliardë euro dhe që përdoren nga 90% (ose më shumë) i atyre që lidhen në Web.

Google është një nga kompanitë me vlerën më të madhe në botë, me veprimtari tregtare, me kërkim dhe zhvillim në fusha të ndryshme e që konsideron se është më pak se gjysma e tërë reklamimit të shitur online në botë. /abcnews.al

uai1ddlo_donald-trump_625x300_06_August_18.jpg
ent ela22:43 | 28/08/2018

Pasi akuzoi motorin e kërkimit Google për manipulime, presidenti Donald Trump ka paralajmëruar edhe rrjetet sociale Facebook dhe Twitter. “Nëse shohim ato që po bën Google, po bën Twitter-i dhe Facebook-u them se bëjnë mirë të bëjnë kujdes”, ka thënë Trump. Për presidentin amerikan, motori i kërkimit dhe mediat sociale po punojnë të ndikuara politikisht, duke censuruar të vërtetën dhe pa dhënë prova për ndjekësit e tyre. “Mendoj se Google, Twitter dhe Facebook po veprojnë në një terren të minuar dhe u duhet të bëjnë kujdes. Nuk është e drejtë t’ia bësh këtë pjesës dërrmuese të popullsisë”, ka thënë Trump. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka bërë me dije se ka nisur një hetim ndaj motorit të kërkimit në internet./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono