Golem

plazhi-i-golemit.jpg
ad min16:27 | 02/09/2019

Një turiste e huaj humbi jetën në plazhin e Golemit këtë të hënë. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:40. Viktima, një shtetase e moshuar çeke, është ende e paidentifikuar.

Paraprakisht dyshohet se shkaku i vdekjes së turistes, mund të ketë ardhur si pasojë e arrestit kardiak. Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes si dhe për identifikimin e viktimës./abcnews.al

blendi-klosi-1.jpg
nev ila15:20 | 14/08/2019

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit i bën thirrje tur operatorëve të përfshijnë festat lokale në ofertat e tyre turistike. Blendi Klosi ishte në Golem ku mori pjesë në festën “Venë dhe Verë”.

“Venë dhe verë” – festa lokale në Golem mblodhi bashkë dhjetëra kantina të zonës së Shqipërisë së mesme dhe turistë të cilët degustuan shijen e verës shqiptare.

Ministri  i Turizmit dhe Mjedisit,  Blendi Klosi u shpreh se aktivitet te tilla tregojnë se në Shqipëri mund të bëhet turizëm potencial,

“Në Shqipëri mund të bëhet turizëm potencial, që prodhon ekonomi, para, punësim, prodhon edhe oferta të ndryshme turistike për ata që vizitojnë vendin tonë”, tha Klosi.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit i bëri thirrje tur operatorëve që të shtojnë ofertën turistike duke përfshirë festat lokale në paketat e tyre për turistët e huaj.

“Është oferta që vjen nga të gjitha produktet bujqësore, nga të gjithë poseduesit e agroturizmit të cilët kanë një ditë të caktuar kur do të bëjnë një festë, ku do të ofrojnë produktin e tyre, do të kenë një alternativë më shumë përgjatë sezonit turistik. Mendoj që më shumë se institucionet vetë biznesi duhet ta gjejë gjuhën me njëri- tjetrin dhe kur të organizohen këto aktivitete në kantina tur operatorët të afrojnë turistët për të vizituar agroturizmin që ata të kenë mundësinë për të bërë reklamim të ofertës së tyre turistike”, tha Klosi.

Ministri Klosi u kërkoi drejtuesve lokalë që të shndërrojnë këto festa në traditë pasi festat lokale sipas tij janë një mundësi e mirë e prezantimit e produktit shqiptar tek turistët e huaj./ABC News Albania 24/7

aksidenti.jpg
ad min09:08 | 16/07/2019

Një aksident me pasojë vdekjen e një kalimtareje ndodhi në aksin rrugor Plepa-Kavajë tek Ura e Golemit në orët e para të së martës. Sipas policisë viktima ishte Brunilda Shuti.

38-vjeçarja ka ndërruar jetë në vend nga plagët e marra edhe pse iu dha ndihma e parë nga urgjenca dhe kalimtarë të rastit. Ngjarja ka ndodhur në mesin e Urës së mbikalimit në Golem.

Katër persona i kanë ndërprerë rrugën automjetit që ka shkaktuar aksidentin pasi kanë zbritur nga autobusi që vinte nga Berati. Ata kanë zbritur nga autobusi dhe kanë tentuar të kalojnë në anën tjetër të rrugës ku ndodhet edhe plazhi. Ky mendohet të jetë shkaku që drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin duke shkaktuar aksidentin me vdekje.

Ky është aksidenti i dytë me pasojë vdekjen që ndodh këtë të martë. Më herët në Divjakë humbi jetën një 57-vjeçar. Makina që drejtonte ai doli nga rruga në vendin e quajtur “Tre urat”. Ndërkohëu plagos dhe djali i tij, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Lushnjes./abcnews.al

edi-rama-turizmi.jpg
ad min22:12 | 08/06/2018

Hotelet e reja që do të ngrihen në Shqipëri përjashtohen për 10 vjet nga tatim-fitimi. Veç kësaj, kryeministri Rama premton masa të tjera lehtësuese fiskale edhe për investimet në agroturizëm për 3 vjet.

Shqipëria ka nivelin më të ulët në rajon për TVSH-në e hoteleve në vetëm 6%. Kryeministri Rama e cilëson këtë një mbështetje të madhe për zhvillimin e turizmit. Kësaj mase, sipas shefit të qeverisë, i bashkëngjitet edhe përjashtimi i hoteleve të reja nga tatim-fitimi për 10 vjet.

Edi Rama: Ne sot jemi në kushtet e një regjimi krejt të ri për sa i përket taksave për hotelet në tërësi, pra për të gjitha hotelet, sepse kemi ulur në mënyrë të konsiderueshme tatimin mbi vlerën e shtuar, nga standardi 20%, në vetëm 6% . Faktikisht kemi ardhur në nivelin më të ulët në rajon, qoftë për sa i përket stimulimit të ndërtimit të hoteleve të tjera, duke garantuar një 10 vjeçar të përjashtuar nga tatimi i fitimit, me një TVSH vetëm 6%. Shumëkush e konsideron këtë një favor për industrinë e luksit, por në fakt, kjo industri e luksit është dhe industria që sjell më shumë vlerë të shtuar në ekonomi. Është industria që sjell më shumë të ardhura për ekonominë kombëtare dhe që sjell më shumë punësim dhe vende pune të paguara shumë më mirë”.

Kryeministri premtoi masa të tjera lehtësuese fiskale për mbështetjen e agroturizmit në harkun kohor të 3 viteve.

Edi Rama: “Duke ulur tatimin mbi vlerën e shtuan në vetëm 6%, duke ulur tatimin mbi fitimin në vetëm 5% dhe duke financuar projekte bashkërisht, pra me kontributin e drejtpërdrejtë të shtetit përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, është një bazë që të gjithë ata që janë të interesuar të mendojnë dhe të punojnë për të pasur projekte për të cilat ne mund të japim mbështetjen tonë, por është njëkohësisht edhe një bazë për sipërmarrësit më të mëdhenj që të kthejnë sytë nga vendlindja e tyre, që të kthejnë sytë nga bukuritë e këtij vendi në zonat rurale dhe të marrin pjesë në këtë iniciativë”.

Kryeministri apeloi për të përfituar nga këto lehtësi, që nuk do të jenë pas 3 vitesh për investime në agroturizëm. Sipas shefit të qeverisë, turizmi është një nga motorët më të fuqishëm të ekonomisë tonë. Rama i bëri këto deklarata gjatë përurimit të një strukture akomoduese në Golem të Durrësit, ku mori pjesë sëbashku me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi./abcnews.al

blendi-klosiiii.jpg
ad min12:24 | 31/05/2018

Mbi 300 çartera me turistë do të ulen në tokën shqiptare këtë vit. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, e deklaroi gjatë çeljes së sezonit turistik në Golem, ku u shpreh se shumë shpejt  pritet të mbërrijë edhe çarteri i parë nga Rusia.

E ardhmja e rajonit është paraqitja në një ofertë të përbashkët turistike. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, e deklaroi gjatë hapjes së sezonit turistik në Golem, ndërsa theksin e vuri tek koordinimi mes palëve.

Blendi Klosi: “Standartet i kemi të njëjta, mundësitë dhe argëtimet i kemi të njëjta natyrën e kemi shumë të bukur, kushtet i kemi po ashtu shumë të mira dhe ndaj na mbetet që vetëm të koordinohemi dhe atë që kanë bërë djemtë ta ndjekim të gjithë së bashku”.

Gjatë ceremonisë u dhanë edhe çmime mirënjohje edhe për tur-operatorët nga Sllovakia, Polonia, Hungaria dhe Rusia që kanë sjellë çarterat e parë në Shqipëri, numri i të cilëve pritet të jetë mbi 300.

Blendi Klosi: “Tui është kompania më e madhe në botë dhe afrimi për herë të parë i një çarter nga Rusia hap përSshqipërinë një histori krejt të re përsa i përket turizmit botëror, pasi Tui shënon një rritje globale me rreth 30 për qind çdo vit duke qenë lideri i padiskutueshëm në turizmin botëror”.

Sipas ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, shtimi i numrit të turistëve mundësoi rritjen e kapaciteteve të hoteleve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit përgjatë bregdetit shqiptar. Më pas, mbrëmja vijoi me një paradë të veshjeve tradicionale dhe muzikë shqiptare./abcnews.al

gjiknuri.jpg
ad min13:42 | 06/05/2018

700 milionë lekë për ndërtimin e 8 fiderave të rinj të sistemit energjitik në zonën e Golemit do të mundësojnë zgjidhjen e problemeve me energjinë me nisjen e sezonit të ri turistik. Ministri Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, njoftoi dhe investime të tjera në rrugë, dhe ne ujësjellës-kanalizime.

Me nisjen e sezonit turistik, zona e plazhit të Golemit, Kavajës dhe Malit të Robit do të kenë një furnizim më të mirë me energji.

Sipas ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, këto investime janë konkretizim i qasjes së qeverisë për përqëndrimin e projekteve në ato zona që kanë impakt ekonomik.

“Kjo është një zonë turistike dhe po të shikoni, ky investim në energji ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e furnizimit këtu dhe patjetër në një cilësi më të mirë të shërbimeve turistike, por dhe për vet banorët. Nga ana tjetër, dua të them se nuk është investimi i vetëm. Përveç investimit në energji elektrike, po të shikoni, këtu po investohet dhe rruga e re, ndërsa po avancojnë investimet në ujin e pijshëm, ujërat e zeza dhe kanalizime”.

Ndërsa administratori i Operatorit të Shpërndarjes, Adrian Çela, sqaroi se pas këtij investimi, që vjen në kuadër të projektit të Bankës Botërore për Rimëkëmbjen e Sektorit Elektroenergjetik, këto zona nuk do të kenë më problemet me të cilat janë përballur në të shkuarën.

“Jemi sot këtu për inaugurimin e fazës së parë të investimit për zonën e Golemit, Kavajës dhe që shkon deri në Malin e Robit. Është një investim i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që përfshin 8 fiderat e kësaj zone me një total prej rreth 700 milionë lekë të reja. Duke nisur nga ky sezon turistik kjo zonë nuk do të ketë më problemet e shkuara me tensionin dhe furnizimin me energji elektrike”.

Ndërkaq, OSHEE po zbaton edhe një projekt tjetër investimi për ndërtimin e nënstacionit të ri elektrik në Gjirin e Lalëzit. Investimi për ndërtimin e këtij nënstacioni arrin në 458 milionë lekë të reja, ndërsa pritet të përfundojë në fund të vitit. Paralelisht me këtë investimin të OSHEE, nga ana e Operatorit të Sistemit të Transmetimit po punohet për ndërtimin e linjës 110 kV Sallmone-Gjiri i Lalëzit./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono