Golden Stejti

warriors-1280x720.jpg
ent ela09:25 | 19/05/2019

Golden Stejti vazhdoi serinë e fitoreve në finalet e Konferencës Lindore në basketbollin amerikan, edhe në mungesë të yllit kryesor. Kampionët në fuqi realizuan një tjetër përmbysje ndaj Portlendit.

Një titull në faqen zyrtare të NBA-së: “Kevin Durant, i rëndësishëm? Po! I domosdoshëm? Jo, plotësisht!”

Ky titull u rikujtua menjëherë kur Golden Stejti reagoi për të dytën herë radhazi, ndaj deficitit me pikë, duke fituar ndeshjen e tretë po radhazi të plej ofit ndaj Portlendit.

Fati i finaleve të Konferencës Lindore duket i vendosur, pas suksesit të miqve 110-99.

Pasi asnjë skuadër në histori nuk ka përmbysur një rezultat 0-3 me ndeshje, madje vetëm tri herë ka ndodhur që dueli të ketë shkuar deri tek ndeshja e shtatë.

Në mungesë sërish të Kevin Durantit, kampionët në fuqi nxorrën “asat nën mëngë”, Drejmond Grin, Stefën Kërri apo Klej Tompson.

Kjo, edhe pse u detyruan të përmbysnin rezultatin për herë të dytë radhazi.

Grin pati tripëll dabëll me 20 pikë, 13 topa në tabela e 12 asistë, si dhe 4 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje.

Kërri shënoi 36 pikë, si dhe ndihmoi me 6 topa në tabela e 3 asistë, duke qenë ai lideri në mungesë të Durantit.

Bashkë me të, ai që cilësohet si “vëllai I tij binjak”, por jo Seth Kërri, veçse Klej Tompsoni.

Kapiteni pati 19 pikë, 5 topa në tabela e 5 pasime për kosh.

Forca e Golden Stejtit, ashtu si shpesh herë, ishte që shumica e lojtarëve, plot 1,0 ishin në tabelën e shënuesve.

Ndeshja e katërt do të luhet sërish në Portlend, dhe Duranti përsëri nuk pritet të jetë, por Uorriorsët duken të sigurt drejt finales së pestë radhazi të NBA-së, ku me shumë gjasë do të ndeshen me Miluokin. /ABC News Albania 24/7

nba-2-1280x714.jpg
Sej rie12:50 | 15/05/2019

Golden Stejti fitoi finalen e parë të Konferencës Perëndimore në basketbollin amerikan, duke mundur thellë Portlendin. Stefën Kërri triumfoi në duelin ndaj vëllait të tij binjak.

Nuk ishte e lehtë për prindërit të vendosin se kë do të mbështesnin.

Dell dhe Sonia Kërri e zgjidhën duke hedhur short me një monedhë, përpara finales së parë të Konferencës Perëndimore në NBA, mes Golden Stejtit e Portlendit, ndërsa përballë do të ishin dy djemtë e tyre binjakë.

Stefën Kërri i Golden Stejtit dhe Seth Kërri i Portlendit ishin rasti i parë në histori, kur dy binjakë bëheshin kundërshtarë në finalet e Perëndimit.

Siç edhe pritej, fitoi Stefi, vëllai më i madh vetëm për 5 minuta, në udhëheqje të kampionëve të fuqi, Uorriors, me shifrat e thella 116-94.

Në mungesë të Kevin Durantit dhe të yllit tjetër, Demarkus Kouzins, Kërri u kthye në versionin e dikurshëm, kur fitonte tituj në NBA në krah të Klej Tompsonit dhe Drejmond Grinit.

Shënoi 36 pikë, duke qenë më I miri në fushë, si dhe shtoi 6 topa në tabela e 7 pasime për kosh.

Numri 30 shkëlqeu në specialitetin e tij, gjuajtjet për tri pikë, duke realizuar 9 të tilla.

Kapiteni Tompson pati 26 pikë nga ana e tij, ndërsa Drejmond Grin ishte i gjithanshëm me 12 pikë, 10 topa në tabela, 5 pasime për kosh, 2 vjedhje topi e 3 bllokime gjuajtjesh.

Damien Lilard ishte më i miri për Portlendin, por u mbulua fort dhe arriti të shënonte vetëm 19 pikë, pak për standardet e tij.

Të tjerët, si Mekkallëm, Hud apo Kanter, u paraqitën edhe më dobët.

Finalja e dytë e Perëndimit luhet po në fushën e Golden Stejtit, në Oklend, të premten herët në mëngjes, ndërsa për në finalen e madhe të NBA-së kualifikohet ajo skuadër që fiton e para katër ndeshje./ABC News Albania 24/7

nba-1280x755.jpg
Sej rie20:21 | 25/04/2019

Golden Stejti duket në vështirësi të mëdha këtë sezon në basketbollin amerikan. Kampionët në fuqi humbën përsëri dhe rrezikojnë eliminimin nga plej ofi.

Ku shkoi skuadra që asgjë nuk e pengonte në rrugën e saj?

Golden Stejt Uorriors, kampione e NBA-së, sërish është në lojë për ta mbrojtur titullin, veçse dyshimet janë të mëdha për mënyrën sesi po shkon plej ofi.

Los Anxhelos Klipers luajti me autoritet dhe vullnet, duke u imponuar brenda në Arenën e Oklendit në ndeshjen e pestë.

Fitore e miqve, 129-121, dhe ndeshja e gjashtë do të luhet në Los Anxhelos.

Golden Stejti kryeson duelin 3-2 me ndeshje, dhe mbetet favorit për kualifikimin, pasi sfidën e shtatë dhe vendimtare do ta ketë në fushën e saj, por paraqitja e saj nuk po bind.

Stefën Kërri thotë me të drejtë se skuadrës së tij i mungon ritmi i lartë gjatë gjithë 48 minutave, diçka që e pati kundërshtari.

Lou Uilliams udhëhoqi Klipersat me 33 pikë, 4 topa në tabela e 10 pasime për kosh.

Po ashtu, shumë mirë luajtën edhe Beverli me 17 pikë e 14 topa në tabela, si dhe Danilo Galinari me 26 pikë, apo Harrëll me 24.

Kampionët nuk ishin në standardet e zakonshme sidomos në mbrojtje, por edhe duke gabuar shumë gjuajtje.

Nuk mjaftoi një Kevin Durant me të vërtetë fantastik, që vendosi rekordin personal në plej of me 45 pikë.

Ai kapi edhe 6 topa në tabela, shërbeu 6 asiste, vodhi dy topa dhe bllokoi një gjuajtje.

Stefën Kërri shtoi 24 pikë dhe Klej Tompson 22-veçe Golden Stejti është larg katër sezoneve të fundit, kur arriti pa problem finalet dhe fitoi tre tituj./abcnews.al

golden-1280x640.jpg
Sej rie21:15 | 14/04/2019

Basketbolli amerikan e nisi me të papritura fazën e plej ofit. Skuadrat favorite u mundën që të gjitha me përjashtim të Golden Stejtit.

Kampionët prandaj janë kampionë, që të dinë të përballojnë momentet më të vështira. Nëse në Champions, hallet nisin tek eliminimi direkt, në NBA gjithçka fillon në plej of.

Kjo u duk që në mbrëmjen e parë, kur të papriturat ishin thuajse në të gjitha ndeshjet, dhe shpëtoi pikërisht kampionia Golden Stejt. Skuadra nga Oklendi u udhëhoq nga Stefën Kërri në suksesin 121-104.

Basketbollisti me numrin 30 shënoi 38 pikë, si dhe kapi 15 topa në tabela e shërbeu 7 asistë. Kërri vendosi edhe rekordin e plej ofit me 8 kosha tripikësh në një ndeshje, duke kaluar një legjendë si Rej Allen.

Natyrisht, kampionët patën edhe yje të tjerë që u dalluan. Kevin Durant shënoi 23 pikë dhe bllokoi 3 gjuajtje të kundërshtarëve, duke luajtur në një nivel tepër të lartë.

Pranë fundit, ai përjashtua nga loja për faull teknik, bashkë me lojtarin e Klipersave, Beverli. Drejmond Grin shënoi 17 pikë, kapi 7 topa në tabela dhe shërbeu 7 asistë, ndërsa Demarkus Kouzins shënoi 9 pikë e kapi 9 topa në tabela në vetëm 21 minuta për Golden Stejtin.

Kapiteni Klej Tompson pati një mbrëmje “të qetë” për standardet e tij, me vetëm 12 pikë, ndërsa plot 10 lojtarë të Golden Stejtit shënuan pikë në këtë ndeshje.

Në përtalljet e tjera, rezultatet ishin të gjithë të papritur. San Antonio fitoi në fushën e Denverit101-96, Bruklin triumfoi në Filadelfia 111-102, ndërsa Orlando ia doli në Arenën e Torontos 104-101, falë koshit tripikësh të Ogustinit në sekondat e fundit./abcnews.al

golden-1280x843.jpg
ent ela15:50 | 20/03/2019

Stefën Kërri shkëlqeu duke shënuar 36 pikë, dhe Golden Stejti u kthye tek fitorja në basketbollin amerikan. Kampionët mbajtën vendin e parë në Konferencën Perëndimore.

U kthyen si në kohët e vjetra. Përpara sesa në Oklend të vinte Kevin Duranti, Golden Stejti u shpall kampion dhe they rekordin e Çikagos falë dyshes së mbiquajtur “Vëllezërit Splesh”.

Stefën Kërri e Klej Tompson po e marrin sërish situatën në dorë, në të fund të sezonit të rregullt, me kampionët që të paktën po e mbajnë vendin e parë në Konferencën Perëndimore.

Nuk u tronditën nga një humbje që mund të quhet normale, si ajo në fushën e San Antonios, por reaguan menjëherë. Stefën Kërri shënoi 36 pikë në suksesin 117-107 ndaj Minesotës, ndonëse luajti më pak se 33 minuta.

Ai ishte i shkëlqyer me gjuajtjet nga largësia, duke realizuar 8 nga 14 të provuara. Kapiteni Tompson shtoi 28 pikë, ndërsa që të dy lojtarët kapën topa në tabela, shërbyen pasime për kosh, si dhe vodhën topa e bllokuan gjuajtje të kundërshtarëve.

Kevin Duranti ishte në fushë, pasi u kthye nga dëmtimi, duke realizuar 17 pikë, e duke dhënë 9 asiste. Golden Stejti e la pushim Demarkus Kouzinsin, për të mos e mbingarkuar, por pati sërish një ndeshje të mirë nga qendra Endrju Bogat. Me këtë fitore, kampionët janë në krye në Perëndim me 48 fitore e 22 humbje, në konkurrencë të fortë me Denverin./abcnews.al

sp-golden-stejt.jpg
ent ela13:43 | 29/01/2019

Golden Stejti arriti fitoren e 11-të radhazi në basketbollin amerikan. Kampionët në fuqi duket se po e dominojnë përsëri ligën më të fortë të botës

Ç’mund të thuhet për konkurrencën pas kësaj ndeshjeje? NBA, liga më e madhe dhe më e fortë e basketbollit në botë, po jeton epokën e vështirë të një dominimit prej një skuadre të vetme.

Golden Stejt Uorriors, kampione në fuqi, bëri një deklaratë të fortë për qëllimet e saj, kur triumfoi pa asnjë problem, 132-100, në fushën e një rivali si Indiana Pejsërs. Golden Stejti vinte në këtë përballje me 35 fitore e 14 humbje, ndërsa Indiana nuk ishte shumë prapa, me 32 fitore e 16 humbje.

Renditja nuk luajti asnjë rol, madje as fakti se kampionët nuk patën në parket Drejmond Grinin, njërin nga titullarët më të rëndësishëm. Diferenca ishte aq e madhe, saqë trajneri Stiv Kerr, pati mundësi të mendonte për të shlodhur lojtarët e tij, me mendjen tek plej ofi.

Stefën Kërri luajti vetëm 26 minuta e shënoi 26 pikë, Demarkus Kouzins ishte në fushë 25 minuta dhe shënoi 22 pikë, ndërsa Kevin Durant e Klej Tompson u lodhën pak më shumë, me rreth 30 minuta secili. Plot 10 basketbollistë të miqve ishin autorë pikësh, shembull i qartë se çfarë potenciali ka skuadra, dhe sesa kolektive është loja e saj.

Ky sukses ishte i 11-ti radhazi për kampionët. I pyetur në studion e televizionit ESPN, ish-ylli i Bostonit, Pol Pirs, deklaroi se Golden Stejti ka pesëshen më të talentuar në historinë e NBA-së, pra më të talentuar sesa Bostoni i Bill Rasëllit, Lejkërsat e Xhabarit apo Mexhik Xhonsonit, Çikago e Xhordanit, apo Lejkërsat e Kobi Brajantit.

Pikërisht Lejkërsat po përpiqen ta sulmojnë këtë dominim. Lebron Xhejms synon që brenda këtij sezoni të luajë në krah të Entoni Dejvisit, yllit të Nju Orlinsit, dhe njërit prej lojtarëve më të shkëlqyer të sotëm në NBA. Vetë Dejvis ka kërkuar që të largohet, dhe Lejkërsat janë destinacioni më i mundshëm i tij, ndonëse në garë ka hyrë edhe Nju Jorku, pse jo edhe Dallasi i Luka Donçiçit./abcnews.al

golden-stejt-kari-san-antonio0517-112.jpg
G. P.19:22 | 16/01/2019

Golden Stejti arriti një fitore të madhe në basketbollin amerikan, duke triumfuar në fushën e një rivali për titull. Kampionët dominuan ndaj Denverit, falë tre yjeve të tyre kryesorë

Nëse donte të jepte një mesazh, gjeti ndeshjen e duhur.

Nuk kishte sfidë më domethënëse për Golden Stejtin sesa ajo në fushën e kryesuesit të Konferencës Perëndimore, Denver Nagets, pra një rivali direkt për titull.

Kampionët në fuqi të NBA-së jo thjesht fituan, por arritën një triumf të tillë që do të bëjë të ndryshojnë mjaft parashikime të sezonit.

Vendosën një rekord të ri në NBA për pikët e shënuara në çerekun e parë të një ndeshjeje, plot 51, ndërsa diferenca ishte plot 31 pikë, me shifrat 142-111.

E gjitha kjo, jashtë fushe dhe ndaj një kundërshtari kaq të fortë.

Siç ndodh shpesh, përcaktuese ishte treshja e madhe e përbërë nga Stefën Kërri, Kevin Duranti dhe Klej Tompsoni, që shënuan së bashku gati 90 pikë, shumicën e të cilave në 30 minutat e para.

Prej 25 vitesh, asnjë treshe nuk e bën një gjë të tillë në basketbollin amerikan, por kjo e Golden Stejtit e ka bërë dy herë.

Kërri e Tompson realizuan nga 31 pikë secili, Durant pati 27, ndërsa Drejmond Grin, vërtet shënoi shumë pak pikë, vetëm 4, por mori notën më të lartë nga të gjithë, për lojën e shkëlqyer në mbrojtje dhe në sulm.

Ylli serb, Nikola Jokiç, nuk mundi t’i përballonte kaq shumë kundërshtarë, dhe e mbylli ndeshjen me 17 pikë të shënuara, 4 topa në tabela e 8 asistë.

Ai gaboi shumë në gjuajtje, dhe ashtu si shokët, nuk e përballoi dot presionin psikologjik të një dueli të tillë.

Golden Stejti doli në vend të parë në Perëndim, pas këtij suksesi, ndonëse dy skuadra të Lindjes, Toronto e Miluoki, kanë ende një bilanc më të mirë./abcnews.al

NBA-FITON-GOLDEN-STEJTI_ABC-M1-T1.mpg_snapshot_00.03-1280x720.jpg
ent ela13:48 | 09/01/2019

Golden Stejti i dha fund tri humbjeve radhazi në shtëpi, duke mundur Nju Jorkun në basketbollin amerikan. Kapiteni Klej Tompson ishte lojtari më i mirë në fushë.

Kështu ndodh kur ke shumë lojtarë klasi në skuadër. Nëse njëri apo tjetri nuk ia del, shfaqet një i tretë apo i katërt që shpëton skuadrën, dhe kështu u arrit edhe fitorja e Golden Stejtit ndaj Nju Jorkut.

U desh forma e madhe e kapitenit Klej Tompson që kampionët t’i jepnin fund një serie të rrallë prej 3 humbjesh radhazi në fushën e tyre, dhe të triumfonin me shifrat 122-95.

Tompson shënoi 43 pikë, me 7 gjuajtje të sakta për tri pikë.

Përveç shkëlqimit të tij, Golden Stejti pati edhe një arsye tjetër për fitoren, pasi duket se po i kthehet parimit “një për të gjithë, të gjithë për një”.

Analistët e patën kritikuar se e kishte harruar aksiomën “skuadra, e para”, por grupi më në fund duket i bashkuar.

Kevin Duranti, ylli që flitet shumë se mund të largohet, shënoi 24 pikë, kapi 6 topa në tabela e shërbeu 6 asistë, Stefën Kërri pati 14 pikë e 14 pasime për kosh, ndërsa Drejmond Grin shtoi 11 topa në tabela dhe 10 asiste.

Shpejt, kampionët pritet të kenë në radhët e tyre edhe lojtarin qendër, Demarkus Kouzins, që sapo ka kaluar një dëmtim të rëndë, dhe besohet se ata do të jenë edhe më të fortë.

Suksesi bën që Golden Stejti të mbajë vendin e dytë në Konferencën Perëndimore, me 27 fitore e 14 humbje, por ende është vetëm skuadra e pestë më e mirë e kampionatit. /abcnews.al

state.jpg
ent ela17:18 | 24/12/2018

Stefën Kërri u bë shpëtimtar për Golden Stejtin, duke shënuar në sekondën e fundit. Skuadra kampione mundi Klipersat, por gjithsesi po kalon një sezon tepër të vështirë në basketbollin amerikan

Kishte mbetur vetëm gjysmë sekonde, dhe ndeshja ishte në barazim në “Orikëll Arena” (Oracle Arena). Golden Stejti, aq i fuqishëm, nuk po mundej të kalonte dot Los Anxhelos Klipersat në fushën e vet, dhe nuk i kishin bërë punë as pikët e shumta të Stefën Kërrit e Kevin Durantit. Pikërisht në atë gjysmë sekonde, Kërri lëshoi gjuajtjen e fundit, duke i shpëtuar mbulimit të mbrojtësve gjigandë, dhe arriti të shënonte koshin e fitores. 129-127!

Në një ligë që pëlqen sulmin dhe jo mbrojtjen, kaq shumë u shënuan pa pasur nevojë për kohën shtesë. Kërri realizoi 42 pikë gjithsej, Kevin Durant “i mbajti ison” me 35 pikë e 12 topa në tabela, Drejmond Grin i shënoi 14 pikët e tij, dhe kapiteni Tompson edhe 12 të tjera. Në pritje të Kouzinsit që po kalon dëmtimin, kampionët po ngjisin shkallët dalë nga dalë, por kjo NBA është bërë shumë e vështirë. Skuadra nga Kalifornia nuk po bën dot diferencën si vitet e kaluara, qoftë edhe në krahasim me vjet, kur rival i vetëm në sezonin e rregullt ishte Hjustoni. Kjo, edhe pse Kërri e Duranti janë ndër shënuesit më të mirë të ligës. Këtë edicion, plot 11 skuadra janë pranë e pranë, në të dyja konferencat. Golden Stejti është në vend të dytë në Perëndim, me një humbje më shumë sesa Denveri. /abcnews.al

ap_17338105668996.jpg
us er16:57 | 04/01/2018

Një yll i madh vendosi fatin e një ndeshjeje të veçantë në basketbollin amerikan. Stefën Kërri siguroi fitoren e Golden Stejtit në fushën e Dallasit.

Një përballje që u duk në fund si e mallkuar.
Golden Stejti kryesoi për një kohë të gjatë në fushën e Dallasit, në një përballje shumë të fortë në NBA, por fitorja në fund u duk larg.
Pavarësisht nga klasi me tepricë i kampionëve, vendasit nuk deshën të dorëzoheshin dhe arritën të synonin edhe fitoren.
Pak rëndësi pati që Kevin Durant zhvilloi një ndeshje shumë të mirë, duke shënuar 25 pikë, kapur 12 topa në tabela e shërbyer 6 pasime për kosh, duke mos hequr dorë as nga specialiteti i tij, me bllokimin e 4 gjuajtjeve të kundërshtarëve.

Po ashtu, u dukën pak 25 pikët e Klej Tompsonit dhe paraqitja e shkëlqyer e Drejmond Grinit me 18 pikë, 11 topa në tabela e 6 asistë.
Dallasi, kampion i NBA-së në 2011, pati krenarinë që të mos lejonte veten të poshtërohej, dhe barazpeshoi ndeshjen me gjuajtjet nga largësia.
Uesli Metjus realizoi 7 nga 10 tentativat e tij për tri pikë, ndërsa vendasit u treguan të suksesshëm me 19 gjuajtje të tilla, ndaj 13 të Golden Stejtit.
Metjus, Barns, Novicki, Kleber, Smith, Pauell, Ferrel e Barea luftuan fort dhe thuajse u shpërblyen.

Sidoqoftë, shpesh diferencën e bën talenti dhe kampionët e patën atë më shumë sesa mund të përballonte Dallasi.
Ai që e bëri dallimin ishte pikërisht Stefën Kërri me koshin prej tri pikësh që vulosi shifrat 125-122 pas 48 minutave dramatike.
Kërri, i rikthyer së fundmi nga dëmtimi, pati një ndeshje të madhe duke shënuar 32 pikë, kapur 5 topa në tabela e shërbyer 8 pasime për kosh, ndërsa Golden Stejti mbeti në krye të Konferencës Perëndimore dhe të gjithë renditjes së basketbollit amerikan./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono