golden state

golden-state-1280x720.jpg
G. P.11:44 | 03/06/2019

Golden State barazoi rezultatin në finalen e madhe të basketbollit amerikan. Fitorja në fushën e Torontos ishte e vështirë, ndërsa u dëmtua edhe kapiteni Thompson.

Nuk dorëzohen kurrë, por edhe hallet nuk u mbarojnë asnjëherë. Kampionët e NBA-së, basketbollistët e Golden State, barazuan rezultatin në finalen e madhe ndaj Torontos, duke fituar ndeshjen e dytë në Kanada, por edhe duke pësuar dëmtimin e kapitenit Clay Thompson.

Nuk dihet ende sesa i rëndë është lëndimi i tij, por mungesa e një lojtari të tillë, padyshim ia rrezikon mbrojtjen e titullit. Thompson shënoi 25 pikë në 32 minuta lojë, në fitoren 109-104, ndërsa Stephen Curry shtoi 23 pikë të tjera.

Draymond Green ishte në nivelin që kërkohej me 17 pikë, 10 topa në tabela, 9 asistë, 2 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje, por një rikthim i rëndësishëm ishte ai i qendrës Demarcus Couzins, që pati 11 pikë, 10 topa në tabela e 6 asistë në 27 minuta në parket.

Gjithsesi, Kevin Durant nuk luajti, nuk dihet nëse do të luajë në ndeshjen e tretë, ashtu siç është në dyshim edhe kapiteni Thompson. Toronto luftoi fort dhe ishte në epërsi deri në 12 pikë gjatë gjysmës së parë të ndeshjes.

Në periodën e tretë, siç edhe mendohej, Uorriorsët reaguan dhe patën një rezultat të pjesshëm 18-0, duke kaluar në avantazh, e duke mos u arritur më. Koui Leonard ishte më i miri në fushë, duke realizuar 34 pikë për Toronton, plus edhe 14 topa në tabela, por mori më pak ndihmë nga shokët se zakonisht.

Ndeshja e tretë luhet në fushën e Golden State-t, në Arenën e Oakland-it, mëngjesin e 6 qershorit./ABC News Albania 24/7

golden-state.jpg
G. P.11:39 | 21/05/2019

Golden State do të luftojë sërish për titullin në basketbollin amerikan. Kampionia në fuqi eleminoi Portlandin, edhe pse i mungoi sërish Kevin Duranti.

Pesë finale të mëdha radhazi. Vetëm Boston Celtics ka arritur më shumë, ndaj Golden Sate Warriors duhet të jetë shumë krenare. Kampionia në fuqi e NBA-së do të luajë sërish për titull, pasi fitoi Konferencën Perëndimore.

U fitua edhe ndeshja e katërt, luajtur sërish në Portland, dhe u arrit ajo që në zhargonin amerikan quhet “fshesa”, apo “fshirja”, pra fitorja 4-0.

Golden State fitoi sërish respektin maksimal të basketbollit amerikan, të publikut dhe të analistëve, pasi nuk deshi të dinte nga mungesa e atij që mund të quhet ylli kryesor, Kevin Durant, të dëmtuar.

Suksesi ishte si në kohët e vjetra, mbështetur tek treshja Stephen Curry-Clay Thompson-Draymond Green, si dhe nga loja thellësisht kolektive. Fitorja e ndeshjes së katërt ishte 119-117, falë një tripëll dabëlli nga Stef Curry, me 37 pikë, 13 topa në tabela e 11 pasime për kosh.

Kapiteni Thompson pati 17 pikë, 6 topa në tabela, asiste e 2 vjedhje topi.

“Ne kemi qenë edhe më përpara në një pozitë të tillë, – u shpreh Curry, – kemi pasur 3 lojtarë kryesorë të dëmtuar, por secili prej nesh luajti edhe më fort deri në fund. Ne fare mirë mund të kishim pritur për ndeshjen e pestë, por nuk deshëm të prisnim kaq gjatë, ndaj vendosëm ta provonim”.

Curry vlerësoi lart lidhjen me Drejmond Green-in, duke theksuar besimin e ndërsjelltë që ata kanë tek njëri-tjetri. Green ishte gjithashtu vendimtar, duke realizuar edhe ai një tripëll dabëll, me 18 pikë, 14 topa në tabela e 11 pasime për kosh.

Jo vetëm kaq, por ai pati 3 vjedhje topi dhe dy bllokime gjuajtjesh, ndërsa është transformuar në mungesë të Durantit. Gjatë sezonit, Grin dhe Durant patën përplasje, dhe kjo mund të jetë një nga arsyet që ky i fundit thuhet se dëshiron të largohet nga Golden State, ndoshta tek Nju Jorku. Tashmë, kampionët presin finalistin nga Lindja, që do të përcaktohet nga dueli Toronto-Miluoki./ABC News Albania 24/7

NBA-KUALIFIKOHET-GOLDEN-STEJTI-M3T1.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
ent ela14:59 | 11/05/2019

Golden Stejti u kualifikua për në finalen e Konferencës Perëndimore në basketbollin amerikan, edhe pse nuk e pati yllin kryesor, Kevin Durant. Kampionët në fuqi mundën sërish Hjustonin.

Pa Demarkus Kouzinsin! Pa Kevin Durantin! Pa problem!

Një kombinim që është përdorur shpesh për të përshkruar ngjarje që sfidojnë pritshmëritë, dhe i përshtatet më së miri mbylljes së duelit Hjuston Rokits-Golden Stejt Uorriors, në gjysmëfinalet e Perëndimit në NBA.

Ndryshe nga sa pritej, triumfoi Golden Stejti, 118-113, dhe u kualifikua për në finalen e Konferencës, edhe pse i mungonte ylli kryesor i plej ofit, Kevin Duranti.

Në skenë doli dyshja e quajtur “Vëllezërit Splesh”, Stefën Kërri dhe Klej Tompson, të ndihmuar edhe nga Drejmond Grin dhe pjesa tjetër e skuadrës, sidomos Iguodala, Livingston apo Lunei.

Kërri shënoi 33 pikë, që të gjitha në pjesën e dytë, ndërsa Tompson pati 27.

Grin iu afrua një tripëll dabëlli me 8 pikë, 10 topa në tabela, 7 asistë, Iguodala shënoi 17 pikë, dhe Lunei 14.

Në një ndeshje shumë të barabartë, Hjustonit nuk i mjaftuan 35 pikët e liderit Xhejms Harden, as 27 pikët e Kris Polit.

Dueli në Arenën teksane nuk kishte si të bëhej më i ekuilibruar.

Pjesa e parë u mbyll me vetëm 1 pikë epërsi për Hjustonin, në pushim dy skuadrat ishin në barazim 57-57, në fund të pjesës së tretë vendasit kryesonin me 5 pikë.

Kur duheshin edhe 58 sekonda deri në përfundim, rezultati ishte 107-104 për Golden Stejtin, pas koshit të Hardenit, por një tripikësh i Tompsonit, 36 sekonda para sirenës, efektivisht i dha fund gjithçkaje.

“Kurrë mos e nënvleftësoni zemrën e një kampioni”, ishte komenti i Lebron Xhejmsit në rrjetet sociale.

Xhejmsi luajti 4 finale për titull ndaj Golden Stejtit, duke arritur të fitojë vetëm një.

Tashmë, kampionët presin rivalin e Konferencës Perëndimore, që do të dalë nga çifti Denver-Portlend, për momentin i barabartë 3-3. /ABC news Albania 24/7

 

golden-state-1280x720.jpg
G. P.15:08 | 29/04/2019

Golden State fitoi duelin e parë të plej ofit ndaj Houston-it në basketbollin amerikan. Një duel i madh u zhvillua mes yjeve Kevin Durant dhe James Harden.

Një përballje e denjë për finalen e madhe. Për fat të keq, Golden State-Houston duhet të luhet në raundin e dytë të plej ofit në NBA, një gjysmëfinale e Konferencës Perëndimore.

Dueli i parë shkoi në favor të vendasve, kampionë në fuqi dhe që do të kenë favorin e faktorit fushë në ndeshjen e shtatë, nëse do të jetë e nevojshme.

Shifrat ishin 104-100.

Në një përballje të nivelit më të lartë të mundshëm që ofron basketbolli amerikan, pati aksione dhe kosha të mrekullueshëm, si dhe një duel të dy yjeve kryesorë, Kevin Durantit të Golden State dhe James Hardenit të Houstonit.

Dy kampionët ishin barabar me pikë, duke shënuar secili nga 35, ndonëse Duranti ishte më shumë minuta në parket. Kontributi i tyre ishte thuajse i barabartë edhe në elementët e tjerë të basketbollit.

Duranti kapi 5 topa në tabela, shërbeu 3 asistë, vodhi një top e bllokoi një gjuajtje. Harden u përgjigj me 4 topa në tabela, 6 pasime për kosh dhe 3 vjedhje.

Golden State pati ndihmë të madhe nga lojtarët e tjerë të formacionit, si Stephen Curry, Clay Tompson, Dreymond Green e Andre Iguodala. Houstoni ndërkaq mundi t’i përgjigjej vetëm me Kris Polin dhe Erik Gordonin.

Gjithsesi, miqtë nga Teksasi u ankuan për gjykimin duke akuzuar arbitrat se nuk ndëshkuan lojën e rëndë të lojtarëve nga Kalifornia. Ndeshja e dytë do të luhet po në fushën e Golden State, duke u gdhirë e mërkura me orën e Shqipërisë./abcnews.al

golden-state-1.jpg
G. P.18:20 | 24/03/2019

Talenti nga Sllovenia, Luka Donçiç, ndihmoi Dallasin që të fitonte thellë ndaj Golden Stejtit. Kampionia e basketbollit amerikan ndjeu mungesën e yllit të saj kryesor.

A mundet që thjesht mungesa e Stefën Kërrit të shkaktojë një “tërmet” të tillë? Golden Stejt Uorriors pësoi një disfatë të turpshme në shtëpi ndaj Dallasit, me shifrat 91-126, pra me 35 pikë diferencë, duke humbur edhe vendin e parë në Konferencën Perëndimore.

Edhe pse në fushë ishin yjet e tjerë, Durant, Tompson, Kouzins apo Grin, sërish kampionët u dukën më keq se Klivlendi apo Nju Jorku. Dallasi u mbështet tek dyshja e tij e veçantë europiane, Luka Donçiç-Dirk Novicki. I pari 19-vjeçar, i dyti që i ka kaluar 40 vite mbi super.

Adoleshenti slloven realizoi tripëll dabëllin e gjashtë në sezonin e tij debutues në NBA, me 23 pikë, 11 topa në tabela e 10 asistë, duke shtuar edhe 3 vjedhje topi. Pavarësisht se Dallasi këtë vit nuk ka qenë aspak mirë, sërish paraqitja e talentit nga Europa është mbresëlënëse.

Ai ka mesataren sezonale prej 21 pikësh në 32 minuta për ndeshje, e po ashtu ka 7.6 topa në tabela si dhe 5.8 pasime për kosh për çdo takim. Në krah të tij, Novicki pati 21 pikë, plus 5 topa në tabela e 2 bllokime gjuajtjesh, e gjitha kjo në vetëm 21 minuta lojë.

Gjermani 40-vjeçar u tregua i saktë në pesë gjuajtje për tri pikë, një nga specialitetet e tij, pavarësisht shtatlartësisë prej 2 metrash e 13 centimetrash./abcnews.al

curry-1280x720.jpg
ent ela16:52 | 19/03/2019

Mbrëmja e kaluar basketbolli amerikan dhuroi surpriza dhe emocione për tifozët. Golden Stejt u mund nga San Antonio por mbetet në vendin e parë. Nuk zhgënjeu Denver e cila mposhti Boston Selltik me rezultatin 114-105.

Basketbolli amerikan po i drejtohet fundit të sezonit, e natyrisht gara mes skuadrave bëhet gjithnjë e më e nxehtë. Dueli kryesor u zhvillua mes San Antonio Spurd dhe Golden State e cila përfundoi me fitoren e vendasve 111 105.

Paraqitje fenomenale zhvilloi Curr me 25 pikë të realizuara dhe 8 asiste ndërkohe që Kevin Durant realizoi 24 pikë. Për San Antonio më i miri i ndeshjes ishte Derozan me 26 pikë, 8 asiste dhe 9 rebound. Kjo humbje e mban sërish në vendin e parë Golden State së bashku me Denver.

Denver nuk zhgënjeu në fushën e Boston Selltik pasi fitoi me rezultatin 114 105. Nikola Jokiç i dha fitoren Denver me 21 pikë 7 asiste dhe 13 rebound duke qenë vendimtar në fundin e lojës. Për Selltik shkëlqeu Irving me 30 pikë por pa mundur të shmangë humbjen e skuadrës së tij./abcnews.al

golden-state.jpg
G. P.14:01 | 14/03/2019

Golden State arriti një fitore shumë të rëndësishme në basketbollin amerikan. Kampionët ia dolën në fushën e rivalit Houston, madje duke mos pasur Kevin Durantin në formacion.

Nëse duhej dëshmi se je gati për të mbrojtur titullin, një ndeshje si kjo ishte rasti i duhur. Golden State arriti një fitore të mundimshme, por nga ato që të japin lavdinë, 106-104 në fushën e Houstonit, dhe tregoi se mbetet favorit për kurorën e NBA-së.

Suksesi ishte i rëndësishëm jo vetëm sepse u arrit në Arenën e njërit prej rivalëve kryesorë, por edhe sepse erdhi në mungesë të yllit kryesor, Kevin Durantit të dëmtuar. Kapiteni Clay Thompson u tregua i denjë për shiritin duke shënuar 30 pikë e kapur 6 topa në tabela.

Shumë i zot edhe lojtari qendër Demarkus Cousins, që luajti ndeshjen më të mirë për Golden State, me 27 pikë, 8 topa në tabela, 7 asistë e dy vjedhje topi.

Si shpesh herë, nuk mbeti prapa Stephen Curry që shtoi 24 pikë, 4 tabela, 5 asistë e 2 vjedhje topi. Thompsoni kaloi shifrën e 200 gjuajtjeve të realizuara për tri pikë, dhe ky ishte sezoni i 7-të në karrierë që e bën.

Këtë rekord historik në NBA ai e ndan tani me shokun e ekipit, Curry. James Harden shënoi 29 pikë për Houstonin, kapi 3 topa në tabela e shërbeu 10 asistë, por gaboi shumë për tri pikë. Golden State mbetet në vend të parë në Konferencën Perëndimore./abcnews.al

golden-state-1280x720.jpg
G. P.17:10 | 09/02/2019

Golden Stejti vazhdon me paraqitjet e shkëlqyer në basketbollin amerikan, në vitin 2019. Ata arritën fitoren e radhës, atë në fushën e Feniksit.

Nëse sezoni do të kishte nisur në 1 janar, kampionët do të ishin në vend të parë. Golden Stejti arriti fitoren e 14-të në pesëmbëdhjetë ndeshje të NBA-së në 2019, pasi u imponuan edhe në fushën e Feniksit. Shifrat ishin 117-107 dhe skuadra e trajnerit Stiv Kerr përballoi edhe përjashtimin e lojtarit qendër, Demarkus Kouzins, po ashtu edhe presionin e madh mediatik ndaj Kevin Durantit.

Kampionët lënë prapa në renditjen e pjesëshme edhe Miluokin, ekipin me bilancin më të mirë në NBA deri tani. Kapiteni Klej Tompson ishte shënuesi më I mirë I ndeshjes me 25 pikë, po aq sa lojtari I Feniksit, Oubri. Kevin Durant shënoi 21 pikë e kapi 8 topa në tabela, Stefën Kërri 20 pikë, 7 topa në tabela e 7 asistë, ndërsa Kouzins shtoi 18 pikë në 26 minuta që luajti, si dhe ndihmoi në çdo mënyrë tjetër. Fitorja nuk ishte aspak e lehtë, pasi Feniksi e mbylli në avantazh pjesën e parë, me 5 pikë epërsi.

Golden Stejti kryesoi me 7 pikë avantazh në pushim të ndeshjes, por vendasit kaluan sërish përpara, 85-82 në fund të pjesës së tretë. Kampionët u shkëputën vetëm në minutat e fundit. Golden Stejti është në krye të Konferencës Perëndimore, ndërsa ka bilancin e dytë më të mirë në basketbollin amerikan, pas Miluokit. Jo vetëm kaq, por kampionët cilësohen si favoritë për të mbrojtur titullin e fituar në dy sezonet e fundit./abcnews.al

duranti.jpg
G. P.20:24 | 27/01/2019

Golden State arriti fitoren e 10 radhazi në basketbollin amerikan. Kampionët në fuqi ia dolën në fushën e Bostonit, të udhëhequr nga Kevin Duranti.

Më herët kishte mundur ekipe me yjet në mungesë. Pas sukseseve ndaj Lakers-ave pa Lebron James dhe Uashingtonit pa Xhon Uollin, kampionia e NBA-së, Golden State Ëarriors, dëshironte një kundërshtar me fuqi të plotë, për të treguar veten. E ku mund të kishte rast më të mirë sesa në Arenën e Boston Sëlltiksit, 18 herë kampion i NBA-së, ku e prisnin Kajri Irvingu, Al Hortoni, Xhejzën Tatëmi, Xhejlën Brauni apo Markus Morrisi. Golden State e tregoi veten duke marrë fitoren e 10-të radhazi, 115-111, ndonëse vendasit e mbajtën ndeshjen në ekuilibër deri në sekondat e fundit.

Sidoqoftë, nuk pati ndalesë, me katërshen e madhe që tani është kthyer në një pesëshe të plotë. Kampionët kanë formacionin më të talentuar, sot për sot, dhe një nga më të mirët në histori, me Durantin, Kërrin, Tompsonin, Grinin dhe Kouzinsin. Durant ishte shënuesi më i mirë i sfidës me 33 pikë, si dhe me 9 topa në tabela, Kërri realizoi 24, kapiteni Tompson arriti deri në 21, ndërsa Kouzins shtoi 15 pikë, 8 topa në tabela, 3 asistë, 3 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje.

Drejmond Grin realizoi pak, 8 pikë, por arriti të kapte 11 topa në tabela e të shërbente 8 pasime për kosh. Trajneri Stiv Kerr u pati fitoren e 300-të në karrierë, duke vendosur rekordin me më pak ndeshje, vetëm 377, ndaj 415 që kishte ish-rekordmeni, legjenda e NBA-së, Pat Rajli. Irving udhëhoqi vendasit me 32 pikë, 6 topa në tabela, 10 asistë e dy vjedhje topi, por duke gabuar shumë në gjuajtjet për tri pikë.

Horford pati 22 pikë të tjera dhe Tatëm edhe 20, por diferenca në talent dhe në përvojë ishte thuajse e pakapërcyeshme. Golden State ka tashmë 35 fitore e 14 humbje, kryeson Konferencën Perëndimore, dhe vetëm Miluoki mbetet skuadër më e mirë se kampionët, këtë sezon në NBA./abcnews.al

NBA-FITON-GOLDEN-STEJTI_ABC-M1-T1.mpg_snapshot_00.03-1280x720.jpg
G. P.13:26 | 17/01/2019

Basketbolli amerikan po kalon një sezon të vërtetë rekordesh. Stephen Curry dhe James Harden ishin sërish protagonistë në ndeshjet e fundit në Shtetet e Bashkuara.

Ishin thyer mjaft deri tani, por duket se do të ketë të tjerë. Ky sezon i NBA-së është me të vërtetë i veçantë, me yjet që po bëjnë garë me njëri-tjetrin, kush e kush të arrijë më shumë rekorde. Stephen Curry dhe James Harden ia kishin dalë gjatë këtyre muajve, dhe e bënë përsëri. Superylli i Golden State tregoi edhe një herë tjetër formën e madhe që po kalon, duke shënuar 41 pikë në fitoren ndaj New Orleans, dhe ndër to, edhe 9 kosha për tri pikë.

Ishte ndeshja e tretë radhazi që ai shënoi 8 apo më shumë tripikësha, diçka që nuk e kishte bërë më parë asnjë lojtar në basketbollin amerikan. Në total, dy skuadrat realizuan 43 gjuajtje nga largësia, edhe ky një rekord i ri i NBA-së.

Për Golden State, fitorja 147-140, ishte e gjashta radhazi, një konfirmim në krye të Konferencës Perëndimore, dhe një afrim me rivalët në Lindje, Miluokin dhe Toronton.Harden, ndërkaq, përmirësoi rekordin e tij të pikëve në një ndeshje këtë sezon, duke realizuar 58 ndaj Bruklinit.

Të mërkurën në mëngjes, me orën e Shqipërisë, ai shënoi 57 pikë ndaj Memfisit, ndërsa tani e përmirësoi veten edhe pak. Kjo do të thotë se kapiteni i Houstonit ka 18 ndeshje radhazi me 30 pikë apo më shumë, duke iu afruar rekordit të Uilti Çembërlenit, me 20 ndeshje të tilla në sezonin 1963-1964.

Megjithatë, paraqitja e shkëlqyer e “Mjekrës” nuk e shpëtoi dot Hjustonin që u mund në fushën e vet nga Bruklini, 145-142 pas kohës shtesë. Skuadra nga Teksani, një nga pretendentet e mëdha për titull, po vuan mungesën e tre prej yjeve kryesorë, që janë të dëmtuar./abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono