gjysmefinale

kroacia.jpg
G. P.13:20 | 11/07/2018

Anglia dhe Kroacia luajnë sot në Moskë, për një vend në finalen e Botërorit ndaj Francës. Anglezët jepen favoritë, edhe pse kroatët kanë shumë besim tek vetvetja.

Kthimi pas suksesit ishte triumfal.

Kombëtarja kroate festoi kualifikimin ndaj Rusisë me këngë në gojë, edhe pse trajneri Daliç nuk i lejoi lojtarët e tij të rrinin gjatë zgjuar.

Ditën tjetër, ata nisën përgatitjen për gjysmëfinalen, për Anglinë.

Daliç ka mungesë të sigurt mbrojtësin Shime Vrsaljko të Atletikos, por portieri Subasiç pritet të jetë gati.

Skuadra e tij nuk jepet favorite, por trajneri është sfidues.

 “Kroacia ka lojtarë të shkëlqyer që luajnë në klubet më të mirë të Europës. Është e vërtetë që, në të kaluarën, nuk kemi pasur rezultate të mira në turne të tillë, por kjo duhet të ndryshojë. Nuk është habi që jemi mes katër më të mirëve të botës. Synojmë të fitojmë sërish”.

Mbrojtësi Dejan Lovren, lojtar i Liverpool-it, është përballë vendit ku luan.

“Nuk jam i informuar se çfarë po ndodh në Angli, pasi jam i përqëndruar tek puna jonë, dhe tek lajmet nga vendi ynë. E imagjinoj se çfarë entuziazmi duhet të jetë në Angli, me tifozët që presin të fitojë ekipi i tyre, ndërsa tifozët tanë presin të fitojë Kroacia. Do të jetë ndeshje shumë e vështirë”.

Po Anglia, si i ka punët?

Kapiteni i dytë, Jordan Henderson, besohet se është gati, por kjo nuk mund të thuhet për sulmuesin Jamie Vardy.

“Ne erdhëm në Rusi për t’u kënaqur me futbollin tonë. Ishim një nga skuadrat me moshën më të re. Nuk bëmë parashikime se deri ku mund të shkonim, por gjithçka e kemi merituar dhe jemi përmirësuar. Përballuam çdo vështirësi dhe shpresojmë të fitojmë sërish”.

Henderson u pyet sesa ndihet presioni për të fituar për herë të parë nga 1966-ta.

“Jemi të përqëndruar te ajo që duhet të bëjmë, dhe jo tek statistikat. Anglia ka pasur probleme për shumë kohë, por neve na takon të ecim përpara, t’i marrim ndeshjet njërën pas tjetrës. Nuk ia vlen ta vendosim veten nën presion”./abcnews.al

france-rusi.jpg
G. P.14:24 | 10/07/2018

Do të përcaktohet sot finalistja e parë e Kupës së Botës. Franca dhe Belgjika luajnë gjysmëfinalen në Shën Peterburg, dhe francezët jepen favoritë për suksesin.

Një tjetër udhëtim, me shpresë që të jetë i parafundit drejt suksesit.

Franca, favoritja e këtij Botërori, shkoi në Shën Peterburg, për gjysmëfinalen e sotme ndaj Belgjikës.

E mbushur me emra të mëdhenj, dhe me talente që kanë shpërthyer papritur, pas rezultateve pozitive, gjithçka duket e përsosur.

Gjithsesi, 4 lojtarë nuk morën pjesë në stërvitje, përfshi edhe Mbapenë.

“Ne e njohim Belgjikën dhe ata na njohin ne. Veçantia është se shumë lojtarë të mi do të ndeshen me shokë të skuadrave në klubet e tyre. Pra njohja është e plotë dhe ky është një avantazh për të dyja skuadrat. Ne nuk kemi asnjë problem me dëmtimet, 4 lojtarë munguan në stërvitje, por ata janë gati”.

Vlerësim të lartë për Belgjikën nga kapiteni francez, Lloris.

 “Mendoj se Belgjika është skuadra më e plotë dhe më e fortë e këtij Botërori. Nuk i mungon asgjë në asnjë repart, ka gjithçka për të qenë një skuadër e madhe, dhe është vërtet një skuadër e madhe. Do të jetë shumë e vështirë, por ne jemi gati. Nuk duam ta humbim këtë mundësi të madhe”.

Belgjika duket më e fortë se kurrë.

Eleminimi i Brazilit ka rritur besimin në maksimum, ndërsa plus është që ekipi ka vetëm një mungesë, mbrojtësin e pezulluar, Meunier.

“Është një mundësi e rrallë për të gjithë ne, për Belgjikën për të shkuar në finalen e Botërorit. Kemi dy vjet që punojmë për këtë qëllim. Do të duhet të përmirësohemi në krahasim me Brazilin në disa aspekte. Mendoj se Franca është e ngjashme me Brazilin, ndaj sfida do të jetë shumë e vështirë”.

Besimin e madh e shpreh edhe ylli i mesfushës, De Bruyne.

“Padyshim që jemi tepër të emocionuar, pasi jemi në prag të gjysmëfinales së Botërorit. Ne besojmë se mund të dalim kampionë të botës, besojmë se e kemi potencialin dhe kemi ambicie, por duhet të vazhdojmë ta tregojmë këtë në fushë, edhe përballë një kundërshtari shumë të fortë si Franca”.

Fitorja e Francës jepet me kuotën 2.5, suksesi i Belgjikës vlerësohet 3.1, dhe barazimi 3.2./abcnews.al

de-bruyne.jpg
G. P.22:04 | 06/07/2018

Brazili është gjigandi i radhës që u eleminua nga Botërori. Pesë herë kampionët e botës luajtën shkëlqyeshëm, por u mundën nga Belgjika që u kualifikua për në gjysmëfinale.

Kupa e Botës e humbi favoritin.

Brazili i madh u eleminua nga Belgjika që fitoi “duelin e titanëve” në çerekfinalen e mrekullueshme në Kazan.

Në të njëjtin stadium, ku u eleminuan shumë skuadra të shquara, nuk ia doli as ajo braziliane, ndonëse doli me kokën lart nga ky Botëror.

Nuk mund të kishte eleminim më të mirë për pesë herë kampionët e rruzullit sesa ky, duke dominuar ndaj një Belgjike të shkëlqyer e të mbushur me yje.

Rezultati përfundimtar ishte 2-1 për europianët, veçse loja në fushë ishte tjetër.

Edhe pse Belgjika e meritoi pasi nuk vodhi asgjë, sërish Brazili fare mirë mund të kishte dalë triumfues nga sfida, duke sulmuar gjatë gjithë kohës, detyruar edhe nga rezultati.

Të besuarit e trajnerit Tite ishin në ofensivë nga fillimi deri në fund, duke gjuajtur pa fund drejt portës, duke zotëruar mesfushën, e duke krijuar rast pas rasti.

Nëse realizuan vetëm një gol, kjo erdhi thjesht për mungesën e fatit dhe të qetësisë në momentet e fundit, por edhe për meritën e jashtëzakonshme të portierit Thibaut Courtois.

Numri 1, së bashku me numrin 10, Eden Hazar, me gjasë sezonin tjetër shokë skuadre tek Reali, ishin vendimtarë për Belgjikën.

Skuadra simpatike e vendit të vogël tani do të kërkojë finalen, në një derbi të madh ndaj Francës.

Një tjetër ndeshje e shkëlqyer u luajt në Botëror, dhe e sigurt është që e tillë do të jetë edhe gjysmëfinalja./abcnews.al

france-1.jpg
G. P.17:55 | 06/07/2018

Franca u bë gjysmëfinalistja e parë e Botërorit. Mundi 2-0 Uruguain me shumë lehtësi, duke u shfaqur si pretendente e madhe për titull.

Ekzistonte frika se pas golit të parë nuk do të kishte duel. Kështu edhe ndodhi, kur Franca kaloi në avantazh ndaj Uruguait në çerekfinale të Kupës së Botës.

Për 40 minuta, amerikanojugorët ishin shfaqur tepër të fortë, kompaktë dhe një rrezik i vazhdueshëm për nënkampionët e Europës, por edhe ata e dinin se do ta kishin të vështirë pas pësimit të një goli. Ishte Raphael Varane që e realizoi këtë rrjetë të çmueshme, për të cilën po luante Franca, dhe kundër së cilës po përpiqeshin uruguajanët.

Përballë një skuadre me nivel shumë të lartë teknik, me shumë energji dhe tepër të shpejtë, Uruguai nuk duhej të pësonte. Nuk ia doli ta shmangte, dhe kjo gjë, në një farë mënyre, vulosi fatin e përballjes, me Francën që u shfaq më pas si një nga pretendentet kryesore për titull. Gjithsesi, u desh goli i dytë që të mbyllte çdo diskutim dhe më pas u duk se u luajt kot në stadiumin e Nizhni Novgorodit.

Pa Cavanin, dhe me potencial më të vogël sesa kundërshtari, uruguajanët u dorëzuan, madje përpara kohe. Antoine Griezmann u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes, ndërsa ka shënuar 7 herë në 6 ndeshjet me eleminim direkt për ekipin e tij. Franca ndjell frikë me efikasitetin e saj, gjashtë gjuajtje në kuadrat në ndeshjet e fundit, gjashtë gola./abcnews.al

vlcsnap-error678-1-1280x720.jpg
G. P.17:29 | 14/02/2018

Kukësi fitoi duelin e fortë me Tiranën dhe u kualifikua për në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Skuadra kampione në fuqi ia doli me shifrat minimale 1-0 në stadiumin e vet, “Zeqir Ymeri”, ndërsa takimi i parë në kryeqytet kishte përfunduar në barazim 1-1.
Goli i vetëm i ndeshjes u shënua shumë shpejt, që në minutën e katërt, nga sulmuesi Guri, dhe rezultati nuk ndryshoi deri në fund. Të dyja skuadrat luajtën fort dhe patën raste për të shënuar, në një përballje që ishte e bukur, edhe pse u ndoq nga një numër jo shumë i madh spektatorësh, ndoshta për shkak të temperaturave të ulëta.
Tirana ishte fituese e Kupës në fuqi, ndërsa humbi mundësinë e vetme për t’u kualifikuar për në Europë, pasi luan në Kategorinë e Parë.
Në gjysmëfinale u kualifikua edhe Laçi që fitoi sërish ndaj Luftëtarit, këtë herë në Gjirokastër. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga Rezhinaldo, ndërsa Laçi kishte fituar 3-0 takimin e parë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono